ATV

Author: G.O.

  • Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja zhvillojnë takim sot në Abu Dabi

    Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja zhvillojnë takim sot në Abu Dabi

    Në Abu Dabi takohen këtë të mërkurë përfaqësuesit e Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, në raundin e dytë të takimit trilateral, që për herë të parë ka bërë bashkë Moskën dhe Kievin nën ndërmjetësimin e Uashingtonit.

    Ky proces diplomatik synon një zgjidhje për luftën gati katërvjeçare, por atmosfera mbetet tejet e rënduar.

    Raundi i dytë zhvillohet pas rifillimit të sulmeve masive ruse ndaj sektorit energjetik në Ukrainë të martën, ku mbi 500 dronë dhe raketa lanë Kievin pa ngrohje në temperatura -20 gradë. Ukraina u kundërpërgjigj mëngjesin e kësaj të mërkure me të njëjtën monedhë, duke goditur infrastrukturën në Belgorod të Rusisë dhe duke zhytur në errësirë pjesë të rëndësishme të këtij rajoni kufitar.

    Pas këtij sulmi, presidenti ukrainas paralajmëroi rishikimin e qëndrimeve, por pa sqaruar për çfarë bëhet fjalë.

    Në tryezë sot diskutohen pikat më të nxehta të planit amerikan: “ngrirja” e frontit aktual dhe garancitë e sigurisë. Pavarësisht optimizmit të Donald Trampit, negociatat kanë mbetur pezull te çështja e territorit, ku palët nuk heqin dorë nga kushtet e veta. Rusia kërkon tërheqjen e plotë të forcave ukrainase nga gjithë rajoni i Donbasit, ndërsa Kievi refuzon kategorikisht lëshimet territoriale.

    Ukraina pranoi formulën që Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane të jenë garantorë të sigurisë së vendit pas vendosjes së paqes në rast sulmi të Rusisë, përmes krijimit të një force të reagimit të shpejtë të këtyre vendeve, për të ndërhyrë në mbrojtje brenda të paktën 24 orëve.

  • Aroma, tingulli dhe shpeshtësia e gazrave – Sinjale nga sistemi tretës

    Aroma, tingulli dhe shpeshtësia e gazrave – Sinjale nga sistemi tretës

    Në zorrë, çdo ditë zhvillohet një proces kompleks – nuk shihet, nuk dëgjohet gjithmonë, por ndonjëherë pa dyshim ndihet. Gazrat, që janë nënprodukte të tretjes, në fakt janë lajmëtarë të rëndësishëm të sistemit tretës

    Në një moment të rritjes, gazrat ndahen në dy kategori: ose bëhen temë e sikletshme për të cilën heshtet, ose burim i pashtershëm shakash. Në moshën e rritur, humori shpesh zbehet, por ndjenja e parehatshme mbetet, veçanërisht kur gazrat janë të shpeshtë, të zhurmshëm ose me erë të pakëndshme.

    Megjithatë, realiteti është i thjeshtë: lirimi i gazrave është një dukuri fiziologjike universale. Pothuajse çdo njeri e përjeton çdo ditë. Për më tepër, gazrat nuk janë vetëm një nënprodukt i padëmshëm i tretjes, por edhe tregues potencial i shëndetit të sistemit tretës.

    Çfarë tregon aroma e gazrave për shëndetin e zorrëve

    Arsyeja pse disa gazra kalojnë pa u vënë re, ndërsa të tjerë ndihen shumë pakëndshëm, qëndron në përbërjen e tyre kimike.

    – Shumica e gazrave janë në fakt pa erë, ndërsa aromat e pakëndshme vijnë nga sasi të vogla përbërësish që përmbajnë squfur dhe që krijohen gjatë procesit të tretjes. Gjatë shpërbërjes së ushqimit, bakteret e zorrëve fermentojnë përbërësit e patretur dhe, si nënprodukt, lirojnë gazra, shpjegon dr. Shaj Vishnumohan, doktor i shkencave të ushqyerjes dhe nutricionist në Perth, Australi.

    Aroma e gazrave mund të ndryshojë në varësi të ushqimit, por shumica e gazrave, si azoti, janë pa erë. Ushqimet e pasura me squfur (mishi i kuq, peshku, vezët, lakra, brokoli, lakra e Brukselit dhe lulelakra) mund të shkaktojnë aroma që disa i përshkruajnë si “vezë të prishura”, për shkak të lirimit të hidrogjen-sulfidit.

    – Ndryshimet e herëpashershme të erës konsiderohen normale. Por aromat e forta dhe të pazakonshme, veçanërisht kur shoqërohen me fryrje, kapsllëk ose diarre, mund të tregojnë çrregullime të tretjes ose çekuilibër të mikrobiomës, thotë Ava Safir, magjistre e shkencave dhe dietologe e licencuar në Nju Jork, SHBA, transmeton Telegrafi.

     

    Sipas saj, aromat e forta dhe afatgjata të gazrave mund të jenë shenjë e:

    keqthithjes së karbohidrateve,
    rritjes së tepërt të baktereve në zorrën e hollë (SIBO),
    ose çrregullimeve të tjera të tretjes që kërkojnë vlerësim mjekësor.
    Çfarë tregon zëri i gazrave për shëndetin e zorrëve

    Fatkeqësisht, nuk është e mundur të parashikohet nëse gazrat do të kalojnë në heshtje apo do ta “shënojnë” praninë e tyre në ambient. Pavarësisht nëse zëri është i fortë apo i lehtë, ai nuk lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e zorrëve.

    – Zëri që prodhojnë gazrat është kryesisht mekanik dhe varet nga disa faktorë: sasia e gazit, shpejtësia e lëvizjes nëpër zorrë dhe tonusi i muskujve përmes të cilëve kalon, shpjegon Ava Safir.

    Zëri i gazrave është më shumë efekt skenik. Gazrat e zhurmshëm nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht problem, ata janë rezultat i kalimit të shpejtë dhe presionit, më shumë fizikë sesa biologji. Gazrat e qetë, por të vazhdueshëm, tregojnë fermentim më të ngadaltë. Vetëm kur zëri shoqërohet me dhimbje ose ngërçe, mund të “tingëllojë nota të gabuara”.

    Edhe pse zëri i gazrave nuk mund të kontrollohet me vetëdije, disa faktorë anatomikë mund ta bëjnë atë më të theksuar: kapsllëku, tensioni i muskujve të dyshemesë pelvike dhe hemorroidet mund të ndryshojnë tonusin e muskujve rektalë dhe mënyrën se si lirohen gazrat.

    Çfarë tregon shpeshtësia e gazrave për shëndetin e zorrëve

    Mesatarisht, një i rritur prodhon rreth dy litra gazra në ditë, dhe është normale të lirohen gazra 15–25 herë në ditë. Megjithatë, lirimi shumë i shpeshtë i gazrave mund të jetë arsye për vëmendje.

    Nga ana tjetër, frenimi i lirimit të gazrave çon në grumbullim më të madh në zorrë, gjë që mund të shtrijë indin delikat të rektumit dhe të shkaktojë probleme serioze të tretjes.

    – Lirimi i gazrave nga disa herë në ditë deri rreth 20 herë konsiderohet plotësisht normal. Por nëse disa ditë mezi i vëreni, ndërsa ditë të tjera nuk mund t’i kontrolloni, kjo ka shumë gjasa të lidhet me atë që keni ngrënë, thekson Ava Safir, duke iu referuar Everyday Health.

    Gazrat e shpeshtë zakonisht shoqërojnë ushqimet e pasura me karbohidrate fermentuese, si fasulet, bishtajoret, alkoolët e sheqerit, ushqimet me përmbajtje të lartë FODMAP, apo intoleranca ndaj laktozës ose fruktozës.

    – Nëse rritni marrjen e fibrave, mos u shqetësoni, gazrat shtesë zakonisht janë të përkohshëm. Shumica e studimeve tregojnë se fryrja kthehet në normale brenda dy deri në gjashtë javësh pas rritjes së fibrave, shpjegon dr. Vishnumohan, duke shtuar se, fryrja e rastësishme pas ushqimeve me shumë fibra nuk është shqetësuese, gazrat e vazhdueshëm, veçanërisht kur shoqërohen me diarre dhe humbje të pavullnetshme peshe, janë sinjal për konsultë mjekësore.

    Si ndihen gazrat në bark

    Simptomat që lidhen me gazrat ndryshojnë ndjeshëm, në varësi të dietës dhe gjendjes së përgjithshme shëndetësore. Më të shpeshtat janë:

    Gromësitja: lirimi i gazrave nga stomaku përmes gojës
    Fryrja: ndjesi mbushjeje ose tensioni në bark
    Flatulenca: lirimi i gazrave përmes anusit
    Dhimbja: gazi i grumbulluar ose “i bllokuar” mund të shkaktojë dhimbje
    Ndjesia në bark para dhe pas lirimit të gazrave mund të tregojë shumë për shëndetin e sistemit tretës. Pak parehati është zakonisht normale, por dhimbja e fortë ose e zgjatur nuk duhet injoruar.

    Ngërçet, dhimbja e fortë ose ndjesia e “bllokimit” të gazrave mund të tregojnë:

    tretje të ngadaltë,
    kapsllëk,
    ndjeshmëri të shtuar të zorrëve (hipersensitivitet visceral),
    ose probleme me tretjen e disa karbohidrateve.
    Kur gazrat janë arsye për shqetësim

    Edhe pse ndryshimet e rastësishme janë të zakonshme, ekspertët paralajmërojnë për disa shenja që kërkojnë vlerësim mjekësor:

    Gjak në jashtëqitje: qoftë i kuq i ndezur apo i errët, mund të tregojë probleme serioze – çdo rast kërkon kontroll urgjent.
    Simptoma që përkeqësohen vazhdimisht: nëse fryrja, ngërçet ose gazrat nuk zhduken, mund të tregojnë çrregullime të rënda të tretjes.
    Dhimbje barku: gazrat nuk duhet të shkaktojnë dhimbje të forta; nëse ndodh, mund të jetë shenjë e SIBO-s ose intolerancave ushqimore.
    Humbje peshe pa arsye ose mungesë oreksi: mund të tregojë thithje të pamjaftueshme të lëndëve ushqyese.
    Ndryshime të pashpjeguara dhe të qëndrueshme: nëse nuk normalizohen pavarësisht rutinave të qëndrueshme, kërkojnë vlerësim mjekësor.
    /Telegrafi/

  • Kur dhuna na prek pa qenë aty: Si ndikojnë videot e dhunshme në shëndetin mendor

    Kur dhuna na prek pa qenë aty: Si ndikojnë videot e dhunshme në shëndetin mendor

    Edhe pa qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë, njerëzit mund të përjetojnë reagime të forta stresi dhe traume përmes pamjeve që qarkullojnë në rrjetet sociale

    Shëndeti mendor ndikon në mënyrën se si mendojmë, si ndihemi dhe si funksionojmë në jetën e përditshme. Ai nuk është i ndarë nga jeta reale, por përbën themelin e saj; nuk është luks, por parakusht për një jetë cilësore, theksojnë psikologët. Megjithatë, rrjetet sociale na kanë mundësuar që, në mënyrë të tërthortë, të jemi dëshmitarë të shumë skenave tronditëse dhe të dhunshme që ndodhin në shoqërinë tonë.

    Ndikimi psikologjik i videove të dhunshme – ekspozimi dytësor ndaj dhunës
    Ky ekspozim dytësor ndaj dhunës nuk mbetet pa pasoja. Studime kërkimore të realizuara pas sulmeve të mëdha apo fatkeqësive natyrore kanë treguar se personat që i kanë parë vazhdimisht pamjet e këtyre ngjarjeve kanë përjetuar nivele të rritura të stresit post-traumatik, thotë James Densley, profesor dhe kryetar i Shkollës për Kriminologji dhe të Drejtë Penale në Metro State University në Mineapolis.

    – Në disa raste, ndikimi në shëndetin mendor pothuajse barazohet me ndikimin te personat që kanë pasur lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen, vlerëson profesori Densley, duke shpjeguar se shikimi i videove të dhunshme mund të çojë në traumë dytësore ose indirekte, veçanërisht sepse rrjetet sociale e përforcojnë ndikimin e tyre.

    – Mund të shfaqen ankth, mendime ndërhyrëse dhe çrregullime të gjumit. Kjo ndodh kur një person “thith” peshën emocionale dhe psikologjike të vuajtjes së dikujt tjetër përmes ekspozimit të përsëritur. Bëhet fjalë për një reagim stresi që, praktikisht, nuk dallon nga ekspozimi i drejtpërdrejtë, thekson ai, transmeton Telegrafi.

     

    Sistemi nervor aktivizohet nga skenat e dhunës
    Empatia është aftësia për të ndjerë dhe kuptuar vuajtjen e të tjerëve, ndërsa reagimi ndaj traumës është një përgjigje biologjike ndaj stresit. Empatia është një vlerë pozitive dhe mund të nxisë angazhim konstruktiv. Por, kur sistemi ynë nervor aktivizohet vazhdimisht nga skenat e dhunës, njerëzit mund të zhvillojnë hipervigjilencë, mpirje emocionale ose sjellje shmangëse, shpjegojnë psikologët.

    Sot, rrjetet sociale transmetojnë pamje dhune në mënyrë të vazhdueshme, të paparashikueshme dhe shpesh pa asnjë paralajmërim. Nga këndvështrimi i reagimit ndaj stresit, kjo do të thotë se truri nuk ka kurrë mundësi të tërhiqet plotësisht dhe të qetësohet. Për më tepër, pamjet e sotme janë shumë më intensive dhe realiste sesa, për shembull, pamjet e atentatit ndaj presidentit John F. Kennedy apo të Luftës së Vietnamit.

    Në të kaluarën, pamjet dukeshin më të filtruara dhe më të distancuara, jo vetëm për shkak të montazhit redaksional, por edhe për shkak të cilësisë së ulët teknike. Sot, gjithçka transmetohet në definicion të lartë, me zë rrethues, duke e bërë përvojën shumë më reale dhe më tronditëse.

    Si reagon truri ndaj skenave të dhunës nga ambienti i afërt?
    – Truri i njeriut nuk është krijuar për të shikuar pasivisht skena reale dhune pa pasoja. Sa herë që shikoni një video të tillë, sistemi nervor reagon sikur ngjarja po ju ndodh juve personalisht, e jo dikujt të largët. Çdo shikim shtesë e përforcon stresin. Prandaj, ndryshe nga ideja se njerëzit “mësohen” me dhunën, ekspozimi i përsëritur e thellon lodhjen emocionale dhe vuajtjen, shpjegon profesori Densley.

    I pyetur nëse disa njerëz janë më të ndjeshëm ndaj pasojave psikologjike, ai shton:

    – Disa individë janë më të prirur ndaj reagimeve traumatike për shkak të përvojave të tyre të mëparshme me traumën. Për shembull, nëse jeni pjesë e një grupi pakicë që ka përjetuar dhunë nga policia, pamje të tilla mund të veprojnë si nxitës të fortë emocionalë. Po ashtu, kur ngjarjet e dhunshme ndodhin në vende që njerëzit i njohin, në qytetin apo lagjen e tyre, rreziku për reagime të forta stresi rritet ndjeshëm. /Telegrafi/

     

  • Kinezët kanë robotin e ri humanoid – që mund të vrapojë me shpejtësi deri në 10 metra në sekondë

    Kinezët kanë robotin e ri humanoid – që mund të vrapojë me shpejtësi deri në 10 metra në sekondë

    Një ekip kinez ka prezantuar një robot humanoid me madhësi të plotë, i cili mund të vrapojë me shpejtësi deri në 10 metra në sekondë, më i shpejtë se shumica e njerëzve.

    Roboti quhet “Bolt”, në nder të legjendës së sprintit, Usain Bolt, dhe është zhvilluar nga Instituti për Inovacionet Humanoide në Universitetin Zhejiang, në lindje të Kinës, në bashkëpunim me kompanitë Mirror Me dhe Kaierda nga qyteti Hangzhou.

    Sipas krijuesve, ky është një hap i rëndësishëm për kontrollin e lëvizjes së robotëve, balancën dinamike dhe sistemet e fuqisë me performancë të lartë.

    Në një video të publikuar në YouTube dhe platforma të tjera, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Mirror Me, Vang Hongtao, garon në tredmil me robotin e kuq “Bolt”.

    Edhe pse robotit i nevojiten hapa më të shkurtër se Vangut, ai ndërmerr hapa më të shpeshtë dhe arrin të lëvizë më shpejt mbi tredmil.

    Kinezët më parë kishin vendosur edhe rekordin e shpejtësisë për robotë katërkëmbësh, me modelin “Black Panther”, i cili ka arritur mbi 10 metra në sekondë.

    Në gusht të kaluar në Pekin u mbajt kampionati i parë botëror për robotë humanoidë, ku modeli “Tien Kung” fitoi garën e 100 metrave me kohën 21.5 sekonda.

    Sprinteri jamajkan Usain Bolt mban rekordet botërore në 100 metra (9.58 sekonda) dhe 200 metra (19.19 sekonda), vendosur në Kampionatin Botëror të Berlinit në vitin 2009. /Telegrafi/

  • Volkswagen emërton kamionçinën e saj të ardhshme sipas një zogu

    Volkswagen emërton kamionçinën e saj të ardhshme sipas një zogu

    Gama e kamionçinave të Volkswagen vazhdon të rritet, ndërsa kompania ka publikuar imazhin e parë paralajmërues të Tukan.

    I projektuar dhe i zhvilluar në Brazil, kamionçina do të ndërtohet në fabrikën e kompanisë në São José dos Pinhais duke filluar nga viti 2027, transmeton Telegrafi.

    Ndërsa kompania nuk ka zbuluar shumë ende, imazhi paralajmërues tregon se do të ketë një shtrat relativisht të shkurtër, si dhe shufra plastike që duket se rrjedhin në çati. Diku tjetër, ka një shtyllë të pasme të nxirë me logon Tukan.

    Një inspektim më i afërt zbulon një vijë këndore të shpatullave, zgjerime plastike të parakolpit dhe doreza të zeza të dyerve. Mund të shohim gjithashtu dyer të pasme të stilizuara, si dhe një vijë dinamike të rripit.

    Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, Volkswagen njoftoi se një nga ngjyrat e lansimit do të jetë e verdha kanarie.

    Siç shpjegoi zëvendëspresidenti i shitjeve dhe marketingut i Volkswagen do Brasil, “Qëllimi ishte të gjendej një emër unik, i shkurtër dhe i fortë që mund të rezononte me kultura të ndryshme, të tingëllonte mirë në gjuhë të ndryshme dhe të pasqyronte misionin e produktit që nga fillimi i tij”.

    Kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet dhe emrat potencialë iu nënshtruan “raundeve të diskutimit, vlerësimeve rajonale dhe analizave strategjike”.

    Ata gjithashtu duhej të miratoheshin nga një ekip i madh që përfshinte të gjithë, nga marketingu deri te avokatët dhe më gjerë.

    Emrat u vlerësuan dhe u rafinuan në një sërë kriteresh, duke përfshirë lehtësinë e shqiptimit, mbajtjen mend dhe përshtatshmërinë për tregjet ku do të shitet modeli.

    Në fund, Volkswagen mori shembull nga tukani, i cili është vendas në Amerikën e Jugut dhe “i njohur për praninë e tij mbresëlënëse dhe ngjyrat e gjalla”.

    Në një deklaratë, presidenti i Volkswagen do Brasil, Ciro Possobom, tha: “Tukani simbolizon një pikë kthese strategjike për markën tonë në Brazil dhe përforcon rolin strategjik të vendit në zhvillimin e automjeteve Volkswagen, duke vlerësuar inxhinierinë tonë, njerëzit dhe kapacitetin tonë lokal për të krijuar produkte me rëndësi rajonale dhe tërheqje globale”.

    Kompania shtoi se modeli është vetëm një nga 21 lansimet e produkteve të planifikuara për Amerikën e Jugut deri në vitin 2028. /Telegrafi/

     

  • Përurohet pllaka përkujtimore për viktimat e ‘Natës së Tmerrit’ në Mitrovicë

    Përurohet pllaka përkujtimore për viktimat e ‘Natës së Tmerrit’ në Mitrovicë

    Në Mitrovicë është vendosur një pllakë përkujtimore në nderim të viktimave të natës së tmerrit, që ndodhi më 26 vite më parë, në mes të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000.

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka deklaruar se vendosja e kësaj pllake ka për qëllim që të mos harrohet sakrifica dhe gjaku i derdhur i qytetarëve, edhe pas çlirimit të Kosovës dhe gjatë kohës kur në vend ishte i pranishëm KFOR-i.

    Në ceremoninë e vendosjes së pllakës morën pjesë deputetë të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe përfaqësues të ekzekutivit komunal. Peci tha se ky akt ka për qëllim shënimin e një date të rëndë historike, gjatë së cilës u vranë 10 qytetarë shqiptarë, u plagosën 25 të tjerë dhe rreth 12 mijë shqiptarë të pjesës veriore të Mitrovicës u dëbuan dhunshëm nga regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviqit dhe pasuesit e tij.

    “Ne sot, në pjesën e urës së re për këmbësorë, e cila kontribuon në paqe, stabilitet dhe lëvizje më të lirë në Mitrovicë, duam të përcjellim një mesazh të qartë: se normaliteti dhe liria në veri të Kosovës, fatkeqësisht, janë paguar me jetën e qytetarëve civilë të pafajshëm, përfshirë pleq dhe fëmijë”, ka deklaruar Peci.

  • Studimi thotë se ushqimet e përpunuara duhet të trajtohen më shumë si cigare sesa si ushqim

    Studimi thotë se ushqimet e përpunuara duhet të trajtohen më shumë si cigare sesa si ushqim

    Ushqimet shumë të përpunuara duhet të trajtohen më shumë si duhan sesa si ushqim, thotë një studim i ri.

    Sipas një raporti të publikuar në revistën shkencore “Milbank Quarterly”, ushqimet ultra të përpunuara (UPF) kanë më shumë ngjashmëri me cigaret sesa me frutat apo perimet dhe kërkojnë rregullim shumë më të rreptë, ka raportuar “The Guardian”.

    Studiues nga Harvard, Universiteti i Michiganit dhe Duke kanë theksuar se këto produkte janë krijuar qëllimisht për të nxitur varësi dhe konsum të tepruar, ashtu si duhani.

    Në këtë kategori përfshihen pijet e gazuara, patatinat, biskotat dhe ushqimet e paketuara industrialisht, shpesh me ngjyrues dhe aromë artificiale.

    Sipas studimit, si cigaret ashtu edhe ushqimet ultra të përpunuara janë dizajnuar për të vepruar shpejt në mekanizmat në tru dhe për ta rritur dëshirën për konsum të vazhdueshëm.

    “Shumë ushqime ultra të përpunuara kanë më shumë karakteristika të përbashkëta me cigaret sesa me ushqimet minimale të përpunuara dhe për këtë arsye duhet të rregullohen në përputhje me rreziqet serioze që paraqesin për shëndetin publik”, thuhet në raport.

    Profesoresha, Ashley Gearhardt, psikologe klinike dhe një nga autoret e studimit, ka thënë se pacientët e saj shpesh i krahasojnë këto ushqime me varësinë nga duhani.

    “Ata më thonë: ‘Ndihem i varur nga këto ushqime. Dikur pija cigare, tani e kam të njëjtin zakon me pijet e gazuara dhe ëmbëlsirat. E di që po më dëmtojnë, dua të ndalem, por nuk mundem’”, ka shpjeguar ajo.

    Autorët kritikojnë edhe mënyrën e marketingut të këtyre produkteve, duke thënë se etiketime si “pa sheqer” apo “me pak yndyrë” janë forma të marketingut, të ngjashme me filtrat e cigareve në vitet ‘50, që reklamohej se mbronin shëndetin, por në praktikë nuk kishin përfitime reale.

    Studiuesit theksojnë se ndryshe nga duhani, ushqimi është i domosdoshëm për jetesë, gjë që e bën edhe më të vështirë shmangien e këtyre produkteve në mjedisin modern ushqimor.

    Ata sugjerojnë që masat kundër ushqimeve shumë të përpunuara të ndjekin shembullin e rregullimit të duhanit, përfshirë kufizimin e marketingut, ndërhyrjet ligjore dhe rritjen e përgjegjësisë së industrisë ushqimore.

    “Duhet të kalojmë nga fajësimi i individit, duhet ta mbajmë përgjegjëse industrinë”, thuhet në studim.

    Megjithatë, disa ekspertë paralajmërojnë për krahasime të tepruara.

    Profesori Martin Warren nga Quadram Institute ka thënë se mbetet e paqartë nëse ushqimet ultra të përpunuara krijojnë vërtetë varësi në mënyrë biologjike si nikotina, apo nëse ato thjesht shfrytëzojnë zakonet, shijet dhe komoditetin.

    Ndërkohë, doktori Githinji Gitahi nga Amref Health Africa paralajmëron se mungesa e rregullimit shtetëror, sidomos në vendet në zhvillim, po ushtron presion të madh mbi sistemet shëndetësore.

    “Pa ndërhyrje publike kundër sëmundjeve kronike, rrezikojmë kolapsin e sistemeve shëndetësore”, ka thënë ai.

  • MPB-ja vijon fushatën informuese për zbatimin e ligjit për të huajt dhe atë për automjete

    MPB-ja vijon fushatën informuese për zbatimin e ligjit për të huajt dhe atë për automjete

    Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po vazhdon aktivitetet informuese në kuadër të procesit të zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete.

    Këto aktivitete po realizohen edhe përmes shpërndarjes së broshurave informuese për qytetarët.

    Fushata informuese po zhvillohet në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës, si dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, me qëllim të informimit të qytetarëve për zbatimin e këtyre dy ligjeve.

    Sipas MPB-së, qëllimi i kësaj fushate është informimi dhe vetëdijesimi i qytetarëve lidhur me procedurat ligjore për hyrje, qëndrim dhe punësim në Republikën e Kosovës, si dhe për rregullat dhe obligimet që kanë të bëjnë me drejtimin dhe qarkullimin e automjeteve në territorin e vendit.

    Mes të tjerash, në njoftimin e Ministrisë thuhet:

    Ministria e Punëve të Brendshme, përmes të gjitha mekanizmave në dispozicion, po zhvillon një fushatë të strukturuar dhe gjithëpërfshirëse përmes formave të ndryshme të komunikimit, me synimin që mesazhet kryesore lidhur me hyrjen në fuqi të këtyre ligjeve të arrijnë te të gjithë qytetarët.

    Fushata informuese do të vazhdojë deri më 15 mars 2026, me synimin për të lehtësuar qasjen në informata dhe për të siguruar respektimin e legjislacionit në fuqi.

    Ministria e Punëve të Brendshme falënderon Policinë e Kosovës dhe të gjithë zyrtarët e angazhuar për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë realizimit të kësaj fushate, si dhe shpreh mirënjohje për qytetarët për bashkëpunimin e tyre.

    Ju urojmë mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm në Republikën e Kosovës.

  • Macron thotë se po zhvillohen përgatitjet teknike për bisedimet me Putinin

    Macron thotë se po zhvillohen përgatitjet teknike për bisedimet me Putinin

    Presidenti francez Emmanuel Macron tha se përgatitjet për bisedime me udhëheqësin rus Vladimir Putin janë duke u zhvilluar.

    “Përgatitjet janë duke u zhvilluar aktualisht dhe diskutimet teknike mbi këtë çështje janë duke vazhduar”, u tha ai gazetarëve ndërsa udhëtonte për në departamentin e Saone-s së Epërme.

    Macron vuri në dukje se konsultimet për këtë çështje po zhvillohen gjithashtu me partnerët evropianë dhe Vladimir Zelenskyn. Ai shtoi se po bëhen gjithashtu përgatitje për diskutime të ardhshme mbi përfundimin e konfliktit ukrainas nën kujdesin e të ashtuquajturit Koalicion i të Gatishmëve, si pjesë e përpjekjeve për të zhvilluar garanci sigurie për Kievin.

  • Australi, ​13-vjeçari notoi disa orë për të shpëtuar familjen

    Australi, ​13-vjeçari notoi disa orë për të shpëtuar familjen

    Pasi notoi me orë të tëra, një djalë 13 vjeçar arriti të shpëtonte jetën e nënës dhe motrës e vëllait më të vegjël. Familja ishte tërhequr në det, përtej bregut australian, raporton Associated Press, transmeton KosovaPress.

    Austin Appelbee, i cili po cilësohet si një hero, notoi 4 kilometra deri në breg për të kërkuar ndihmë, pasi ai u gjend në vështirësi së bashku me nënën e tij, Joanne Appelbee, 47 vjeçe, vëllanë Beau, 12 vjeç, dhe motrën Grace, 8 vjeçe, njoftoi policia.

    Austin tregoi se fillimisht u nis për ndihmë me një kajak të fryrë që po merrte ujë. Ai e braktisi kajakun dhe hoqi jelekun e shpëtimit, pasi i pengonte notin.

    Ai tha se u përqendrua tek mendimet pozitive gjatë notit prej rreth katër orësh në det të trazuar për të arritur bregun, duke dhënë alarmin rreth orës 18:00.

    “Valët ishin të mëdha dhe unë nuk kisha jelek shpëtimi… Thjesht vazhdoja të mendoja ‘vetëm vazhdo të notosh, vetëm vazhdo të notosh’”, tha Austin të martën. “Dhe më në fund arrita në breg, preka pjesën e poshtme të plazhit dhe thjesht u rrëzova”.

    Familja, nga kryeqyteti i shtetit Perth, ishte në pushime dhe po përdorte kajakë dhe dërrasa lundrimi të marra me qira nga hoteli i tyre rreth orës 12:00, kur kushtet e detit dhe era e fortë filluan t’i tërhiqnin në det të hapur.

    Një helikopter kërkimi gjeti nënën dhe dy fëmijët, të cilët mbanin jelekë shpëtimi dhe u mbajtën pas një dërrase lundrimi, rreth orës 20:30, njoftoi policia. Ata ishin larguar 14 kilometra nga Quindalup në shtetin e Australisë Perëndimore, pas qëndrimit deri në 10 orë në ujë.

    Të katër anëtarët e familjes u kontrolluan nga mjekët, por asnjëri nuk kërkoi shtrim në spital.