ATV

Author: G.O.

  • Policia e Kosovës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për vjedhje

    Policia e Kosovës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për vjedhje

    Policia e Kosovës, përkatësisht Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga Prokuroria kompetente, ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për përfshirje në veprën penale “Vjedhje”.

    Sipas njoftimit zyrtar, personi i dyshuar shihet në një fotografi të publikuar nga Policia dhe kërkohet çdo informatë që mund të ndihmojë në identifikimin ose lokalizimin e tij.

    Autoritetet policore u bëjnë thirrje qytetarëve që, nëse kanë njohuri apo informacione relevante lidhur me këtë rast, t’i raportojnë ato në numrin emergjent 192 ose përmes adresës elektronike [email protected].

    Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe thekson se kontributi i tyre është i rëndësishëm për zbardhjen e rasteve penale dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

  • “Tifozat Kuq e Zi” mbështesin Marshin “Drejtësi, jo politikë”, më 17 shkurt

    “Tifozat Kuq e Zi” mbështesin Marshin “Drejtësi, jo politikë”, më 17 shkurt

    “Tifozat Kuq e Zi” u kanë bërë thirrje të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen, të marrin pjesë në Marshin “Drejtësi, jo politikë”, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë nga ora 14:00.

    Në një njoftim të lëshuar nga ky grup, theksohet se ata do të marshojnë në mbështetje të udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen padrejtësisht në Hagë.

    “UÇK-ja është vlera më e shenjtë dhe më domethënëse e historisë sonë kombëtare, simbol i lirisë, sakrificës dhe rezistencës së popullit shqiptar. Ky proces është përpjekje për të rishkruar historinë dhe për të barazuar agresorin me viktimën. Drejtësia e vërtetë nuk mund të ekzistojë pa u ndëshkuar krimet serbe. Më 17 shkurt, ora 14:00, Prishtina flet në emër të gjithë shqiptarëve. UÇK-ja është liria jonë”, thuhet më tej në njoftimin e grupit “Tifozat Kuq e Zi”.

  • Nesër mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

    Nesër mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila do të mbahet të mërkurën, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00.

    Nga Presidenca e Kosovës bëhet e ditur se vendimi është marrë pas konsultimeve me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, duke marrë parasysh nevojën urgjente për funksionalizimin e institucioneve të reja.

    Sipas njoftimit zyrtar, thirrja e seancës konstituive vjen në një moment kyç për vendin, për shkak të domosdoshmërisë së miratimit të buxhetit të shtetit, si dhe ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

    “Presidentja Vjosa Osmani, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, ka vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të mbahet më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    Seanca konstituive shënon hapin e parë drejt formimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e fundit parlamentare.

  • Mijëra njerëz notojnë në liqenin argjentinas për të provuar të thyejnë rekordin botëror

    Mijëra njerëz notojnë në liqenin argjentinas për të provuar të thyejnë rekordin botëror

    Mijëra njerëz u mblodhën në brigjet e liqenit Mar Chiquita të Argjentinës të dielën e kaluar, për të provuar një rekord të ri botëror Guinness për numrin më të madh të njerëzve që notojnë njëkohësisht.

    Eventi, i mbajtur si pjesë e “Festival de la Planchita” të dytë vjetor në Miramar, synon të mbledhë më shumë se 1,941 pjesëmarrës për të tejkaluar një moment historik të vendosur gati një dekadë më parë.

    Rekordi aktual u vendos në vitin 2017 në liqenin Epecuén, një tjetër lagunë e kripur në Argjentinë, ku 1,941 njerëz formuan me sukses një zinxhir masiv lundrues, transmeton Telegrafi.

    Për të thyer rekordin, organizatorët duhet të koordinojnë një grup prej të paktën 1,942 personash për të notuar pa ndihmë për një periudhë të caktuar kohore.

    Përqendrimi i lartë i kripës në Mar Chiquita e bën atë një vend ideal për këtë sukses, pasi uji ofron lundrueshmëri natyrore që u lejon edhe notarëve fillestarë të qëndrojnë mbi ujë me lehtësi. /Telegrafi/

     

  • Tri raste të ndara të narkotikëve, arrestime në Pejë, Rahovec dhe Mitrovicë

    Tri raste të ndara të narkotikëve, arrestime në Pejë, Rahovec dhe Mitrovicë

    Policia e Kosovës ka raportuar për tri raste të ndara që lidhen me blerje, posedim të paautorizuar dhe shpërndarje të narkotikëve, të ndodhura në Pejë, Rahovec dhe Mitrovicë të Jugut gjatë ditëve të fundit.

    Në Pejë, më 26 janar 2026 rreth orës 19:40, pas vendimit të prokurorit është kryer kontroll në shtëpinë e një të dyshuari mashkull kosovar.

    Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar tetë qese të vogla me substancë të dyshuar të llojit heroinë me peshë totale rreth 2.0 gramë, dy peshore digjitale, një mulli për bluarje, një shufër me talke, një sprej si dhe tri pajisje USB.

    Rasti po hetohet nga ekipet relevante policore.

    Ndërkohë, në Rahovec, më 8 shkurt 2026 rreth orës 22:30, është arrestuar një tjetër i dyshuar mashkull kosovar, pasi gjatë kontrollit i është gjetur në posedim një sasi e substancës së dyshuar narkotike. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Rasti i tretë është regjistruar në Mitrovicë të Jugut, më 9 shkurt 2026 rreth orës 12:26.

    Gjatë kontrollit trupor, policia ka gjetur dhe konfiskuar 15 qese me substancë të dyshuar të llojit marihuanë, me peshë totale 15.31 gramë. I dyshuari mashkull kosovar është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet për të gjitha rastet janë duke vazhduar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit. /Telegrafi/

  • Arrestohet një burrë në Podujevë për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm

    Arrestohet një burrë në Podujevë për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm

    Një person është arrestuar në Podujevë nën dyshimin për skema piramidale dhe bixhoz të paligjshëm.

    Policia bën të ditur se ai është arrestuar mbrëmë në ora 21:00 në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Podujevë dhe gjatë kontrollit kanë sekuestruar tri shtëpiza të kompjuterit, dy monitorë dhe një skanerë.

    “Personi i arrestuar F.M (mashkull) me autorizim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorin e shtetit po vazhdojnë veprimet e nevojshme procedurale”, njofton Policia.

  • E dhimbshme në Greqi: 71-vjeçarja humb jetën, goditet aksidentalisht nga vajza

    E dhimbshme në Greqi: 71-vjeçarja humb jetën, goditet aksidentalisht nga vajza

    Një tragjedi e rëndë familjare ndodhi të hënën pasdite në Elefsina, në Greqi, kur një grua 71-vjeçare humbi jetën pasi u përplas aksidentalisht me makinë nga vajza e saj gjatë tentativës për parkim. Incidenti ndodhi rreth orës 13:30 në rrugën Alkiviadou ndërsa ngjarja tronditi familjen dhe fqinjët e zonës.

    Shoferja 44-vjeçare kishte shkuar më parë në shkollë për t’i marrë fëmijët dhe ishte kthyer në shtëpi me ta dhe nënën e saj. Gjatë përpjekjes për të parkuar automjetin, 71-vjeçarja doli nga makina për t’i dhënë udhëzime vajzës së saj.

    Sipas autoriteteve, dera e pasagjerit mbeti e hapur dhe, gjatë manovrës mbrapsht, shoferja aksidentalisht shtypi gazin. Mjeti lëvizi në mënyrë të pakontrollueshme, duke zvarritur gruan e moshuar dhe duke e bllokuar atë midis derës së hapur të makinës dhe një peme.

    Ngjarja ndodhi para syve të nipërve dhe mbesave të viktimës, të cilët u tmerruan dhe filluan të qanin për gjyshen e tyre. Fqinjët që dëgjuan britmat nxituan për të ofruar ndihmë, ndërsa vajza e 44-vjeçare ishte në gjendje shoku.

    “Fëmijët po qanin e po qanin për gjyshen e tyre”, tha një banor i zonës për protothema.gr. Një tjetër shtoi se ata “po kërkonin ndihmë dhe po qanin në të njëjtën kohë”.

    Gruaja 71-vjeçare u transportua me ambulancën e EKAB në Spitalin Thriasio, ku u shpall e vdekur. Vajza e saj, 44-vjeçare, u arrestua nga autoritetet me akuzën e vrasjes së paqëllimshme. Hetimi për rrethanat e sakta të aksidentit vazhdon.

  • Depresioni nuk është njësoj për të gjithë – Nga depresioni i lehtë te ai kronik: Çfarë duhet të dimë?

    Depresioni nuk është njësoj për të gjithë – Nga depresioni i lehtë te ai kronik: Çfarë duhet të dimë?

    Depresioni mund të shfaqet në disa mënyra. Mund të jetë i lehtë ose i rëndë, jetëshkurtër ose kronik. Rrethanat e veçanta, si lindja e një fëmije ose ndryshimi i stinëve, mund të shkaktojnë simptoma depresive.

    Të kuptuarit e llojit të depresionit që një person po përjeton, ndihmon mjekët të përcaktojnë trajtimin e duhur.

    Ndërsa për njerëzit e diagnostikuar, marrja e informacionit të duhur rreth këtij çrregullimi, mund t’i japë atyre një përgjigje rreth gjendjes që po përjetojnë.

    Çrregullimi i madh depresiv

    Që një person të diagnostikohet me këtë lloj depresioni duhet të ketë të paktën pesë simptoma që zgjasin për dy javë ose më shumë.

    Ato mund të përfshijnë: trishtim, boshllëk, mungesë shprese, ndjesi e fajit, humbje energjie, gjumë i shtuar ose i reduktuar, oreks i pakët ose i shtuar, rënie e interesit për aktivitete, mendime rreth vdekjes dhe vetëvrasjes.

    Ky çrregullim ka dy nëntipe: “depresioni atipik” dhe “melankolik”.

    Njerëzit në kategorinë e parë priren të flenë dhe të hanë shumë. Ata kanë reagim të ashpra dhe ndihen shumë të shqetësuar.

    Personat në kategorinë e dytë kanë probleme me gjumin dhe priren të kenë mendime të mbushura me faj. Kjo shihet më shpesh tek të moshuarit.

    Depresioni rezistent ndaj trajtimit

    Ndonjëherë njerëzit me çrregullim të madh depresiv nuk i përgjigjen lehtësisht trajtimit. Kjo mund të jetë diçka gjenetike ose lidhet me mjekimin.

    Që një person të diagnostikohet me këtë lloj depresioni, ai duhet të ketë kaluar dy prova të pasuksesshme të trajtimit me ilaçe.

    Çrregullimi i shkurtër periodik depresiv

    Këtu bëjnë pjesë ata që shfaqin vetëm disa nga simptomat e depresionit të madh dhe mund të përjetojnë depresion për më pak se dy javë.

    Çrregullimi periodik depresiv

    Njerëzit me këtë çrregullim kanë një humor të errët ose janë vazhdimisht të trishtuar. Ata shfaqin të paktën dy simptoma të depresionit të madh që zgjasin për dy ose më shumë vjet.

    Çrregullimet para-menstruale

    Deri në 10% e grave në fazë riprodhuese përjetojnë çrregullim disforik premenstrual (PMDD). Kjo mund të shkaktojë depresion, trishtim, ankth ose nervozizëm, si dhe simptoma të tjera, një javë para menstruacioneve.

    Shkencëtarët besojnë se këto gra mund të kenë një ndjeshmëri jonormale ndaj ndryshimeve hormonale gjatë ciklit të tyre menstrual.

    Depresioni për shkak të çrregullimit bipolar

    Ndryshimet e mëdha në humor dhe energji, që variojnë nga ngazëllimi dhe përfundojnë në mungesë shprese, janë shenjat e episodeve depresive të çrregullimit bipolar.

    Çrregullimi i menjëhershëm i humorit

    Të bërtiturat dhe nervozizmi mund të jenë tipare të çrregullimit të këtij çrregullimi.

    Një lloj depresioni i diagnostikuar zakonisht tek fëmijët që kanë vështirësi në përballimin e emocioneve të tyre. Ata kanë shpërthime të forta emocionale dhe nuk janë në gjendje të përmbajnë emocionet e tyre.

    Depresioni pas lindjes (ose perinatal)

    Lindja e një fëmije sjell gëzim të madh, por ndonjëherë mund të çojë në depresion pas lindjes, një lloj që prek më shpesh gratë, por edhe burrat.

    Tek gratë ka të ngjarë të shkaktohet nga ndryshime hormonale, lodhja dhe faktorë të tjerë. Tek meshkujt, nga ndryshimi i roleve dhe ndryshimet në stilin e jetës.

    Mund të fillojë në çdo kohë në vitin e parë pas lindjes, por zakonisht shfaqet menjëherë pas lindjes dhe nuk zgjat shumë.

    Depresioni sezonal

    Një lloj depresioni i përsëritur që zakonisht shfaqet në vjeshtë ose dimër. Së bashku me një ndryshim në humor, individët priren të kenë më pak energji, të hanë e të flenë më tepër, të shtojnë peshë ose të tërhiqen nga ndërveprimi shoqëror.

    Depresioni psikotik

    Njerëzit me këtë gjendje kanë depresion të rëndë të shoqëruar me psikozë, e cila përkufizohet si humbje e kontaktit me realitetin.

    Simptomat përfshijnë halucinacione (duke parë ose dëgjuar gjëra që nuk janë në të vërtetë) dhe deluzione (besime të rreme për atë që po ndodh).

    Depresioni për shkak të një sëmundjeje

    Përballja me një sëmundje serioze kronike, si sëmundjet e zemrës, kanceri, skleroza e shumëfishtë dhe HIV/AIDS, mund të jetë tejet dëshpëruese.

    Inflamacioni i lidhur me sëmundjen gjithashtu mund të luajë një rol në shfaqjen e depresionit.

    Shënim i rëndësishëm

    Në shumicën e rasteve depresioni është diçka që mund të trajtohet me medikamente, me terapinë e të folurit dhe ndryshime në stilin e jetesës.

    Ndaj është tepër e rëndësishme të kërkoni ndihmë sa më parë të mundeni.

  • Veterani Muhamet Kukaj i shpëton sulmit në zemër, i vendosen 7 stenta

    Veterani Muhamet Kukaj i shpëton sulmit në zemër, i vendosen 7 stenta

    Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muhamet Kukaj, ka kaluar me sukses një ndërhyrje të rëndë mjekësore pasi pësoi një sulm në zemër.

    Ai, sipas një video të publikuar nga një mik i tij, është sulmuar për tri ditë nga ataki në zemër dhe tek atëherë ka shkruar në spital për trajtim.

    Siç thotë Kukaj në video, atij i janë vendosur gjithsej 7 stenta, ndërsa gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë stabile dhe jashtë rrezikut për jetën.

    Aktualisht ai po vazhdon trajtimin dhe rikuperimin nën kujdesin e stafit mjekësor.

    Familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë kanë shprehur mbështetje dhe urime për shërim të shpejtë, duke vlerësuar kontributin e tij gjatë luftës dhe duke i dëshiruar shëndet të plotë.

  • Shemben dy ndërtesa në Liban, 15 të vdekur

    Shemben dy ndërtesa në Liban, 15 të vdekur

    Raportohet se numri i të vdekurve nga shembja e dy ndërtesave banesore në qytetin verior libanez të Tripolit është rritur në 15.

    “Tetë persona u shpëtuan të gjallë”, tha drejtori i përgjithshëm i Mbrojtjes Civile, Imad Khreiss.

    Khreiss tha se dy ndërtesat ngjitur ishin shtëpia e 22 banorëve, por autoritetet lokale komunale paralajmëruan se njerëz mund të jenë ende të zhdukur, shkruan BBC.

    Pamjet e mediave sociale kapën momentin kur ndërtesat u shembën, me njërën anë që u lëkund në katet e poshtme përpara se të dy strukturat të shembeshin pothuajse njëkohësisht.

    Fatkeqësia e fundit është shembja e pestë e një ndërtese banimi në Tripoli këtë dimër, duke nxjerrë në pah shqetësimet në rritje për ndërtesat e vjetra dhe të pamirëmbajtura në qytetin më të varfër të Libanit.