ATV

Author: G.O.

  • Kryeprokurorja: Të akuzuarit kanë kryer krime për të pasur kontroll në të gjithë Kosovën

    Kryeprokurorja: Të akuzuarit kanë kryer krime për të pasur kontroll në të gjithë Kosovën

    Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West gjatë deklaratës së saj përmbyllëse tha se të akuzuarit kanë kryer krime për të pasur kontroll në të gjithë Kosovën.

    “Në mënyrë që të arrinin qëllimin e tyre, të akuzuarit kanë kryer krime kundër kundërshtarëve të tyre të perceptuar për të pasur kontroll në të gjithë Kosovën.

    West tha se janë dëgjuar dëshmi të dëshmitarëve të Prokurorisë duke përfshirë edhe anëtarë të UÇK-së dhe persona nga të gjitha fushat.

    “Dëshmitë e të gjithë dëshmitarëve dhe të gjitha provat shkresore video ose Forenzike, tregojnë se këto krime janë kryer dhe se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi ligjore për ato.

    Kryeprokurorja përmendi edhe dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes së Thaçit të cilët ishin shtatë dhe ndërkombëtar.

    Ajo tha se këta persona në atë kohë kur pretendohet se kanë ndodhur krimet janë gjendur në një situatë që kanë pasur pak informacion lidhur me akteret kryesor, nuk e kanë ditur gjuhen dhe kanë ndërvepruar pak herë me ata.

    Andaj, ajo tha se kjo njohuri është e pamjaftueshme për të nxjerrë fakte dhe të ndihmojë këtë gjykatë lidhur me këtë rast.

    “Fatkeqësisht ky gjykim nuk i ka shpëtuar klimës së frikësimit të dëshmitarëve që ka qenë insistuese dhe e shtrirë në kohë siç ishte parashikuar prej nesh që prej fillimi dhe deri në masën që gjykata duhet ta konsiderojë atë që a bëjë një vlerësim të drejtë të besueshmërisë dhe mbeshtetshmerisë së dëshmitarëve e vërteta është prej disa dëshmisë së disa përpjekjeve që kanë ndodhur këtu. Pavarësisht kësaj, Gjykata ka prova të shumta. Për shembull; të akuzuarit kanë qenë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së përpara nëntori të 98-ës dhe ka prova që komandantët e zonave kanë marrë urdhra nga të akuzuarit dhe jo e kundërta”, tha West.

    Tutje, West tha se janë bërë përpjekje për të ndikuar, zbutur ose për të ndryshuar dëshmi të caktuara në veçanti për përfitime të të akuzuarit Thaçi.

  • Tragjike: Punëtori 43-vjeçar humb jetën duke vendosur reklamë në rrugën Ferizaj-Prishtinë

    Tragjike: Punëtori 43-vjeçar humb jetën duke vendosur reklamë në rrugën Ferizaj-Prishtinë

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në rrugën Ferizaj-Prishtinë, ku një punëtor ka humbur jetën në vendin e punës.

    Sinjali ka kontaktuar Policinë e Kosovës, e cila ka konfirmuar rastin dhe ka bërë të ditur se viktima ishte duke vendosur një reklamë (billboard) kur një pjesë e saj i ka rënë në kokë, duke i shkaktuar vdekje të menjëhershme.

    Trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Sot rreth orës 15:00, kemi pranuar informatën se në rrugën Ferizaj -Prishtinë, një person ka rënë nga një lartësi (objekt) derisa ishte duke punuar. Viktima mashkull, 43vjeç,  nuk ka arritë të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Policia në koordinim me prokurorinë dhe Inspektoriatin e Punës kanë nisë një hetim lidhur me këtë rast”, thuhet në konfirmim.

    Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave po vazhdojnë nga autoritetet përkatëse.

  • Distria Krasniqi triumfon në Paris, fiton medaljen e artë në Grand Slam

    Distria Krasniqi triumfon në Paris, fiton medaljen e artë në Grand Slam

    Distria Krasniqi shkëlqeu të shtunën në Grand Slamin e Parisit, duke fituar medaljen e artë në kategorinë deri 52 kg.

    Në finalen e zhvilluar në arenën “Bercy”, ajo mposhti spanjollen Ariane Toro Soler për vetëm 27 sekonda me një hedhje perfekte për Ippon.

    Ky sukses i jep Distrias pesë fitore nga po aq finale të këtij viti.

  • Në Korenë e Veriut njerëzit ekzekutohen për shikimin e “Squid Game”

    Në Korenë e Veriut njerëzit ekzekutohen për shikimin e “Squid Game”

    Amnesty International ka zbuluar dëshmi tronditëse se qytetarë në Korenë e Veriut janë ekzekutuar ose dënuar rëndë për shikimin e serialeve të Koresë së Jugut, përfshirë “Squid Game”, si dhe për dëgjimin e muzikës K-pop.

    Gjetjet bazohen në 25 intervista me të arratisur nga vendi i drejtuar nga Kim Jong-un.

    Sipas dëshmive, edhe nxënës të shkollave të mesme janë ekzekutuar për konsumim të përmbajtjes së huaj, ndërsa të tjerë janë dërguar në kampe pune.

    Amnesty thekson se ndëshkimet shpesh varen nga mundësitë financiare dhe lidhjet familjare, duke e cilësuar situatën si një shkelje ekstreme të të drejtave të njeriut.

  • ShBA-ja akuzon Kinën për testime sekrete bërthamore

    ShBA-ja akuzon Kinën për testime sekrete bërthamore

    Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Kinën se ka kryer në fshehtësi të paktën një test bërthamor me shpërthim, pavarësisht moratoriumit zyrtar për testet e tilla.

    Akuza u bë nga nënsekretari amerikan i Shtetit për kontrollin e armëve, Thomas DiNanno, gjatë një konference për çarmatimin në Gjenevë.

    Sipas tij, Kina ka përdorur metoda për të fshehur gjurmët e shpërthimeve bërthamore nga monitorimi ndërkombëtar, duke përmendur një test të dyshuar më 22 qershor 2020.

    Autoritetet kineze i kanë mohuar akuzat, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të shtrembëruara, ndërsa raportet tregojnë se Pekini po zgjeron arsenalin e tij bërthamor.

  • Raportohet për ndalimin e të dyshuarve për sulmin ndaj gjeneralit të lartë të inteligjencës ruse

    Raportohet për ndalimin e të dyshuarve për sulmin ndaj gjeneralit të lartë të inteligjencës ruse

    Agjencitë ruse të zbatimit të ligjit kanë ndaluar një të dyshuar dhe bashkëpunëtorin e tij gjithashtu të dyshuar në një përpjekje të raportuar për atentat ndaj zëvendësshefit të agjencisë së inteligjencës ushtarake GRU, Vladimir Alekseyev, sipas raportimeve të mediave ruse më 7 shkurt.

    Sipas Kommersant, i dyshuari tashmë është marrë në pyetje dhe një seancë gjyqësore për caktimin e masës së paraburgimit pritet të mbahet më 8 shkurt. Gazeta raportoi se është hapur një çështje penale me akuzat për tentativë vrasjeje dhe trafikim të paligjshëm armësh.

    Pas marrjes në pyetje, të dyshuarit do të ngarkohen me akuza, raportoi gazeta, pa konfirmuar nëse të dyshuarit ishin ndaluar. Rusia nuk ka raportuar zyrtarisht ndalimin e të dyshuarve.

    Sipas Kommersant, Alekseyev iu nënshtrua me sukses një operacioni dhe rifitoi vetëdijen më 7 shkurt, por mbeti nën mbikëqyrje mjekësore. Nuk është bërë asnjë deklaratë zyrtare për gjendjen e tij.

    Sipas kanaleve ruse të lajmeve në Telegram, Mash dhe Baza, personi që e qëlloi Alekseyevin “po transportohet nga Dubai”, dhe se një bashkëpunëtor i dyshuar është ndaluar bashkë me të, njofton rel.

    Ende nuk ka informacion për identitetin e të dyshuarit ose të autorëve të dyshuar të sulmit. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e akuzoi Ukrainën se qëndron pas përpjekjes për atentat, duke thënë — pa paraqitur prova — se ajo ishte projektuar për të sabotuar bisedimet e paqes.

    Zyrtari numër dy i GRU-së u qëllua dhe u plagos në Moskë më 6 shkurt, në atë që hetuesit e cilësuan si një përpjekje për atentat.

    Kommersant raportoi se hetuesit besojnë se Alekseyev u qëllua nga një person që u paraqit si postier shpërndarjeje ushqimi dhe që kishte hyrë në ndërtesën e tij. Gazeta tha se Alekseyev, i cili ishte nisur për në punë, u qëllua dy herë në shkallët e ndërtesës dhe më pas për herë të tretë teksa po përpiqej t’i rezistonte sulmit, pas së cilës sulmuesi u largua nga vendngjarja.

    Alekseyev është zëvendëskomandanti i GRU-së, agjencisë së inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes, e njohur për operacione të guximshme që variojnë nga sabotazhi, vrasjet, spiunazhi dhe sulmet kibernetike.

    Britania e ka implikuar Alekseyevin në helmimin pothuajse fatal me Novichok të ish-spiunit rus Sergei Skripal në Britani më 2018. Një grua britanike vdiq pasi u ekspozua pa dashje ndaj helmit.

    Ai është lidhur gjithashtu me Yevgeny Prigozhin, që bashkëthemeloi kompaninë mercenare më famëkeqe të Rusisë, Grupin Wagner. Prigozhin vdiq në një rrëzim avioni në gusht të vitit 2023, për të cilin zyrtarë perëndimorë të inteligjencës më pas përfunduan se ishte një atentat.

    Departamenti amerikan i Thesarit e goditi Alekseyevin dhe oficerë të tjerë të GRU-së me sanksione financiare për hakerimin e partive politike amerikane dhe operacione të tjera spiunazhi kibernetik.

    Nëse konfirmohet se Alekseyev ishte shënjestër e një përpjekjeje për atentat, kjo do të ishte e fundit në një seri sulmesh ndaj zyrtarëve të lartë ushtarakë rusë — shumë prej tyre në Moskë.

    Dyshimet për këto sulme kanë rënë kryesisht mbi agjencitë e inteligjencës ukrainase, të cilat kanë realizuar operacione të tyre të guximshme sabotazhi dhe atentati brenda Rusisë vitet e fundit.

    Në dhjetor, kreu i drejtorisë së trajnimit operativ të Shtabit të Përgjithshëm, gjenerallejtënant Fanil Sarvarov, vdiq pasi një bombë shpërtheu nën makinën e tij në periferi të Moskës.

    Tetë muaj më parë, një tjetër gjenerallejtënant, Yaroslav Moskalik, zëvendësshef në drejtorinë operative të Shtabit të Përgjithshëm, u vra në një shpërthim makine jashtë Moskës.

    Dhe në vitin 2024, oficeri përgjegjës për forcat ruse të mbrojtjes nga armët bërthamore dhe kimike u vra kur një trotinetë elektrike shpërtheu në trotuarin para pallatit të tij të banimit në Moskë.

  • Shkencëtarët shpjegojnë tërheqjen momentale ndaj një personi

    Shkencëtarët shpjegojnë tërheqjen momentale ndaj një personi

    Nëse jeni pyetur ndonjëherë pse ju pëlqen ndonjë fytyrë e re, më në fund shkenca mundet të ofrojë përgjigje.

    Në fakt, vendimi rreth asaj se a është tërheqëse një fytyrë e re apo jo, ky vendim merret në korteksin e mesëm të trurit, që gjendet pranë ballit. Pjesë të ndryshme të kësaj pjese të trurit marrin vendim nëse një person i caktuar është i duhuri për ju, transmeton Telegrafi.

    Në bazë të rezultateve të kryera në Irlandë,vendimi merret për sa hap e mbyll sytë, pasi ta keni vërejtur fytyrën e re. Për ta kryer hulumtimin, shkencëtarët kishin sjellë 78 femra dhe 73 meshkuj. Që të gjithë ishin heteroseksualë dhe të vetmuar.

    Gjatë hulumtimit, shkencëtarët kishin krijuar çifte, të cilat ishin ulur dhe kishin biseduar për pesë minuta. Më pas çiftet ishin ndërruar, pjesëmarrësit kishin plotësuar anketën rreth asaj se kë do të dëshironin, ta shihnin,

    Mirëpo, para fillimit, shkencëtarët kishin skanuar trurin e 39 pjesëmarrësve. Aktiviteti i tyre i trurit ishte incizuar derisa ata vështronin fotografitë e personin që së shpejti do ta takonin.

    Atyre u ishte dashur të vlerësojnë se me cilin prej tyre, një nga katër, për pak sekonda, të vendosnin se duan të jenë.

    Gjatë ditëve në vazhdim ata ishin takuar disa herë me personat nga fotografia. 63% e tyre ka treguar interesimin e njëjtë për personin të cilin e kishin vlerësuar me notën më të lartë me rastin e vështrimit të fotografive, ndërsa që rreth 20% e tyre edhe më tutje kishin vazhduar të takohen pas përfundimit të hulumtimit. /Telegrafi/

  • Irani paralajmëron ShBA-në: Do të sulmojmë bazat amerikane në rajon nëse sulmohemi

    Irani paralajmëron ShBA-në: Do të sulmojmë bazat amerikane në rajon nëse sulmohemi

    Irani ka paralajmëruar se do të godasë bazat amerikane në Lindjen e Mesme në rast të një sulmi nga forcat amerikane të grumbulluara në rajon, tha të shtunën ministri i jashtëm iranian, Abbas Araqchi.

    Në një intervistë për Al Jazeera, Araqchi theksoi se kjo nuk duhet interpretuar si një sulm ndaj vendeve që strehojnë ato baza. Deklarata e tij erdhi një ditë pasi Teherani dhe Washingtoni u zotuan të vazhdojnë bisedimet indirekte bërthamore, pas asaj që të dyja palët e përshkruan si një diskutim pozitiv të premten në Oman, raporton Reuters.

    Pavarësisht se Araqchi tha se ende nuk është caktuar një datë për rundin tjetër të negociatave, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ato mund të zhvillohen në fillim të javës së ardhshme.

    Trump ka kërcënuar me veprime ushtarake ndaj Iranit pas një përforcimi detar të SHBA-së në rajon, duke kërkuar që Teherani të ndalojë pasurimin e uraniumit, një hap i mundshëm drejt armëve bërthamore, si dhe të ndalojë zhvillimin e raketave balistike dhe mbështetjen për grupet e armatosura në Lindjen e Mesme.

    Teherani ka mohuar prej kohësh çdo qëllim për prodhimin e armëve bërthamore. Ndërsa të dyja palët kanë treguar gatishmëri për të ringjallur diplomacinë mbi mosmarrëveshjen bërthamore të Teheranit me Perëndimin, Araqchi kundërshtoi zgjerimin e bisedimeve:

    “Çdo dialog kërkon përmbajtje nga kërcënimet dhe presioni. Teherani diskuton vetëm çështjen e tij bërthamore… Ne nuk diskutojmë asnjë çështje tjetër me SHBA-në,” tha ai.

  • Maqedonci shkruan për njësitin e FSK-së që gjeti trupin e 30-vjeçarit në lumin Mat

    Maqedonci shkruan për njësitin e FSK-së që gjeti trupin e 30-vjeçarit në lumin Mat

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci i ka shprehur ngushëllime familjes së 30-vjeçarit që kishte rënë në lumin Mat në Shqipëri, e ku sot është gjetur nga njësitet e specializuara të kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Njësitë e specializuara të kërkim shpëtimit te Forcës së Sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me njësitë e Forcave të Armatosura të Republikës se Shqipërisë pas disa ditësh kërkimi në një teren sfidues dhe të vështirë kanë arritur të gjejnë në afërsi të fshatit Urakë, trupin e pajetë të Jurgen Karajt, të riut që ra në rrjedhën e lumit Mat së bashku me shokun e tij më 10 janar. Pas evakuimit, trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar Policisë së Shqipërisë dhe ekipit të forenzikës për procedurat e mëtejme. Ngushëllime familjes Karaj dhe të afërmve të viktimës!”, ka shkruar Maqedonci.

  • FSK gjen trupin e pajetë të të riut të zhdukur në lumin Mat në Shqipëri

    FSK gjen trupin e pajetë të të riut të zhdukur në lumin Mat në Shqipëri

    Forca e Sigurisë së Kosovës e ka gjetur trupin e 30-vjeçarit që kishte rënë në lumin Mat në Shqipëri që 29 ditë.

    Me kërkesë të autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka angazhuar një kontingjent të specializuar të Kërkim-Shpëtimit nga Regjimenti i Mbrojtjes Civile i Gardës Kombëtare, i cili iu bashkua operacionit në zonën e Klosit për kërkimin e një personi të zhdukur në rrjedhën e lumit Mat.

    “Pas angazhimit intensiv dhe bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet shqiptare, ekipet e kërkim-shpëtimit arritën të lokalizojnë dhe të gjejnë trupin e pajetë të personit të humbur. Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në emrin e tij personal dhe në emër të gjithë personelit të FSK-së, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimës. Gjithashtu, Komandanti i FSK-së falënderon personelin e angazhuar për përkushtimin, profesionalizmin dhe disiplinën e treguar gjatë përmbushjes së këtij misioni. Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në misionin e saj humanitar dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, gjithmonë në shërbim të jetës, sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve”, thuhet në njoftimin e FSK-së.