ATV

Author: G.O.

  • KQZ-ja certifikon rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025

    KQZ-ja certifikon rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar sot rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor, pasi kanë përfunduar të gjitha afatet ligjore për paraqitjen e ankesave nga subjektet politike dhe kandidatët.

    Procesi i certifikimit vjen pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja në dhjetor dhe mbylljes së procedurave të shqyrtimit të ankesave eventuale.

    Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë, duke marrë 51.10 për qind të votave, ose 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

     Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar 20.19 për qind të votave, përkatësisht 22 mandate.

    Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.24 për qind të votave, duke marrë 15 ulëse në Kuvend, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 5.50 për qind, që i sigurojnë gjashtë mandate parlamentare.

    Me certifikimin e rezultateve, hapet rruga për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit.

  • KQZ mblidhet sot në ora 18:00 për certifikimin e rezultateve zgjedhore

    KQZ mblidhet sot në ora 18:00 për certifikimin e rezultateve zgjedhore

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë sot mbledhjen e radhës, duke filluar nga ora 18:00, në të cilën në rend dite është certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

    Mbledhja e KQZ-së vjen pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ka refuzuar gjashtë ankesa kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke i hapur rrugë certifikimit të rezultateve.

    Pas certifikimit, brenda 30 ditësh pritet të thirret seanca për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    LEXO EDHE:

    Vendos Supremja, refuzon të gjitha ankesat kundër vendimeve të PZAP-së

     

  • Vendos Supremja, refuzon të gjitha ankesat kundër vendimeve të PZAP-së

    Vendos Supremja, refuzon të gjitha ankesat kundër vendimeve të PZAP-së

    Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar gjashtë ankesa administrative të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke vërtetuar në tërësi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe duke konfirmuar legjitimitetin e procesit zgjedhor.

    Sipas vendimit të Supremes, ankesat janë shpallur të pabazuara, ndërsa është konstatuar se procesi i numërimit dhe certifikimit të rezultateve është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    Ndër ankesat e refuzuara janë ato të Partisë Rome e Bashkuar të Kosovës (PREBK), Koalicionit PAI–PDAK–LPB, Nova Demokratska Stranka (NDS), si dhe ankesa e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu.

  • Presidentja Osmani: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe nuk mund të njolloset

    Presidentja Osmani: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe nuk mund të njolloset

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar këtë qasje si të padrejtë dhe të dëmshme për paqen dhe drejtësinë afatgjatë.

    Osmani ka theksuar se pavarësia e Kosovës është rezultat i drejtpërdrejtë i vullnetit të popullit të saj dhe i një sakrifice shekullore, për të cilën mijëra dëshmorë dhe civilë të pafajshëm dhanë jetën. Sipas saj, UÇK-ja zhvilloi një luftë çlirimtare të drejtë dhe të pastër, në mbrojtje të popullit të Kosovës nga një regjim që kishte për qëllim shfarosjen e shqiptarëve.

    Presidentja rikujtoi se Serbia ka kryer gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndaj popullit të Kosovës ndër shekuj, e veçanërisht gjatë luftës së fundit, kur u vranë dhe u masakruan mijëra fëmijë, gra e të moshuar, u dhunuan mijëra civilë, u shkatërruan qindra mijëra shtëpi dhe mbi 80 për qind e qytetarëve u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

    “Çdo përpjekje për të barazuar luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb minon besimin në drejtësi dhe dëmton rëndë paqen afatgjatë,” ka theksuar Osmani, duke shtuar se qytetarët e Kosovës kërkojnë drejtësi, jo rishkrim të historisë.

    Ajo nënvizoi se e vërteta për luftën e UÇK-së nuk mund të ndryshohet nga tentimet për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

  • LVV kritikon kërkesën e prokurorisë për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    LVV kritikon kërkesën e prokurorisë për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar këtë si një akt politik dhe jo si kërkim të drejtësisë.

    Në një reagim publik, Vetëvendosje ka theksuar se Jugosllavia e Serbisë së Sllobodan Millosheviqit ka kryer gjenocid në Kosovë dhe se UÇK-ja ka luftuar kundër planeve dhe veprimeve gjenocidale, duke mbrojtur popullin shqiptar.

    Sipas kësaj partie, kërkesa për dënime prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e UÇK-së paraqet një ndërhyrje politike në interpretimin e historisë dhe përpjekje për ta zhvendosur vëmendjen nga agresori te viktima.

    LVV shton se përpjekjet për ta paraqitur UÇK-në si ndërmarrje kriminale synojnë kriminalizimin e luftës çlirimtare dhe depolitizimin e saj, duke e reduktuar në çështje penale individuale.

    Sipas tyre, krimet kundër njerëzimit kërkojnë aparat shtetëror dhe mekanizma sistematikë dhune, të cilat UÇK-ja nuk i ka pasur asnjëherë.

    Partia ka theksuar se drejtësia ndërkombëtare historikisht ka ndëshkuar aparate shtetërore dhe udhëheqje politike e ushtarake që kanë ushtruar dhunë sistematike, duke përmendur raste nga tribunale dhe gjykata ndërkombëtare.

    Sipas reagimit, barazimi i luftës çlirimtare me krimet e regjimeve gjenocidale përbën shtrembërim të historisë dhe relativizim të agresionit serb.

    Vetëvendosje ka kritikuar gjithashtu Gjykatën Speciale, duke thënë se ajo është produkt i presioneve politike dhe interesave gjeopolitike, dhe se drejtësia nuk mund të jetë selektive dhe e njëanshme. Sipas tyre, një drejtësi e tillë nuk shëron plagët, por i thellon ato.

    Në fund, Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se çlirimi nuk është krim dhe se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet përmes aktakuzave që, sipas tyre, i shërbejnë narrativës së agresorit, duke shtuar se drejtësia e vërtetë kërkon njohjen e legjitimitetit të luftës për liri dhe identifikimin e pushtetit të dhunës gjenocidale. /Telegrafi/

  • Arrestohet një person në Merdarë, në veturën që drejtonte iu gjetën 7 kilogramë marihuanë

    Arrestohet një person në Merdarë, në veturën që drejtonte iu gjetën 7 kilogramë marihuanë

    Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se po transportonte substanca narkotike, pasi gjatë kontrollit të veturës që ai drejtonte janë gjetur dhe sekuestruar rreth 7 kilogramë marihuanë.

    Arrestimi është realizuar më 9 shkurt 2026 në pikën kufitare në Merdarë, nga zyrtarët e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, pas një plani të paraprirë hetimor. Veturë e ndaluar kishte targa të huaja dhe drejtohej nga një mashkull kosovar.

    Sipas Policisë, substanca e dyshuar narkotike ishte e ndarë në disa paketime dhe vlera e saj në treg vlerësohet rreth 35 mijë euro.

    Në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, është realizuar edhe kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit në Prizren, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova të shumta materiale që ndërlidhen me rastin.

    Tutje Policia njoftoi se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.

  • Dosjet Epstein – Jep dorëheqje edhe një zyrtar në qeverinë e Starmerit

    Dosjet Epstein – Jep dorëheqje edhe një zyrtar në qeverinë e Starmerit

    Shefi i komunikimit i zyrës së kryeministrit britanik, Keir Starmer, Tim Allan, ka dhënë të hënën dorëheqjen nga posti i tij.

    “Kam vendosur të jap dorëheqjen për të lejuar ndërtimin e një ekipi të ri…. I uroj kryeministrit dhe ekipit të tij çdo sukses”, ka thënë ai në njoftimin e dorëheqjes.

    Vendimi i tij vjen një ditë pasi dorëheqjen e tij e dha edhe shefi i stafit të Starmerit, Morgan McSweeney.

    Dorëheqjet vijnë pas publikimit të miliona dosjeve në lidhje me të dënuarin për abuzim seksual, Jeffrey Epstein, e të cilat kanë zbuluar se ish-ambasadori britanik në Washington, Peter Mandelson, kishte lidhje me financierin e ndjerë amerikan.

    Në arsyetimin e dorëheqjes së tij të dielën, McSweeney ka thënë se vendimi i Starmerit për të emëruar Peter Mandelsonin ambasador në SHBA në vitin 2024 ishte gabim.

    Starmer po përballet me atë që gjerësisht shihet si kriza më e madhe e 18 muajve të tij në pushtet, për shkak të vendimit për ta bërë Peter Mandelsonin ambasador të Britanisë në Uashington në vitin 2024, ndërsa një numër i vogël deputetësh nga radhët e tij po vënë hapur në pikëpyetje gjykimin dhe të ardhmen e tij.

  • Kryeprokurori Kryeziu autorizon hetime për manipulim votash edhe në Dragash

    Kryeprokurori Kryeziu autorizon hetime për manipulim votash edhe në Dragash

    Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetime lidhur me procesin e rinumërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash, pas informacioneve të publikuara në opinion.

    Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, dhe me autorizim të kryeprokurorit Petrit Kryeziu, hetimet janë iniciuar me vetiniciativë, ndërsa tashmë janë duke u zhvilluar veprime konkrete hetimore në Komunën e Dragashit.

    Nga Prokuroria përmes një komunikate bëjnë të ditur se hetimet kanë të bëjnë me dyshime për kryerjen e veprave penale që lidhen me shkeljen e të drejtave të votimit.

    Nga Prokuroria Themelore në Prizren kanë thënë se gjatë ditës së sotme do të intervistohen persona të dyshuar në polici, ndërsa pas përfundimit të këtyre veprimeve pritet të publikohet një njoftim shtesë me detaje mbi rrjedhën e hetimeve dhe hapat e mëtejmë proceduralë.

  • Ankesat kundër PZAP-së drejt fundit, Supremja publikon vendimet sot

    Ankesat kundër PZAP-së drejt fundit, Supremja publikon vendimet sot

    Gjykata Supreme ka njoftuar se ka shqyrtuar të gjitha ankesat kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rezultatin zgjedhor pas rinumërimit të votave.

    Brenda ditës pritet të përfundojë përpilimi i vendimeve dhe dorëzimi i tyre te palët, ka bërë të ditur udhëheqësja e Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykatën Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.

    Supremja ka shqyrtuar gjashtë ankesa kundër vendimeve të PZAP-së.

    Dy ankesa janë bërë nga kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, një nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, një nga koalicioni PAI-PDAK-LPB, një nga Emilia Rexhepi dhe një nga Partia e Re Demokratike (Nova Demokratski Stranka, Prizren).

    Nëse edhe Supremja i refuzon, atëherë i hapet rruga certifikimit të rezultateve.

    Pas certifikim, brenda 30 ditësh duhet të thirret seanca për konstituimin e Kuvendit.

    Nga shtatë ankesat e dërguara në PZAP, ky organ ka pranuar vetëm atë të Listës Serbe e cila qe ankuar ndaj vendimit të KQZ-së për mosshpalljen e rezultateve përfundimtare të këtij subjekti.

  • Angli: Ndeshja ndërpritet dy herë pas hyrjes së një ketri në fushë

    Angli: Ndeshja ndërpritet dy herë pas hyrjes së një ketri në fushë

    Një ndeshje e Championshipit anglez mes Hull City dhe Bristol City u ndërpre dy herë për shkak të një ketri që pushtoi fushën.

    Pavarësisht se Hull City humbi 3-2, tifozët e shijuan momentin kur “mysafiri i paftuar” shkaktoi të qeshura dhe ndërprerje të lojës.

    Klubi reagoi me humor në rrjetet sociale, duke e quajtur ketri “problem i madh” dhe duke ironizuar situatën.