ATV

Author: G.O.

  • “Mirë se erdhe në atdhe, babë” – Flakron Shala njofton për ardhjen e Haxhi Shalës në Kosovë

    “Mirë se erdhe në atdhe, babë” – Flakron Shala njofton për ardhjen e Haxhi Shalës në Kosovë

    Haxhi Shala sot ka ardhur në Kosovë.

    Lajmi për ardhjen e tij e ka bërë të ditur djali i tij, Flakron Shala, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

    Ai ka ndarë një mesazh të shkurtër emocional, duke shkruar: “Mirë se erdhe në atdhe, babë”.

    Haxhi Shala është dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për vepra që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

  • OVL-UÇK: Prokuroria në Hagë po tenton të kriminalizojë luftën çlirimtare

    OVL-UÇK: Prokuroria në Hagë po tenton të kriminalizojë luftën çlirimtare

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka shprehur shqetësim të thellë dhe kundërshtim të fuqishëm ndaj përmbajtjes dhe gjuhës së përdorur nga Prokuroria në fjalët përmbyllëse në Dhomat e Specializuara në Hagë.

    OVL – UÇK vlerëson se pretendimet e Prokurorisë, përfshirë etiketimin e udhëheqjes së UÇK-së si pjesë e një të ashtuquajture “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”, përbëjnë një përpjekje të papranueshme për kriminalizimin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës dhe për rishkrimin e historisë.

    “Pretendime të tilla janë një tentativë e drejtpërdrejtë për të njollosur luftën tonë çlirimtare dhe për të deformuar të vërtetën historike të rezistencës së drejtë të popullit të Kosovës,” thuhet në reagimin e OVL-UÇK.

     

  • Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Vengu: Kjo padrejtësi e institucionalizuar rihap plagë historike

    Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Vengu: Kjo padrejtësi e institucionalizuar rihap plagë historike

    Duke reaguar ndaj kërkesave për dënime maksimale për ish-drejtuesit e UÇK-së, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu deklaroi se revolta publike buron nga nevoja që drejtësia ndërkombëtare të jetë e ndershme dhe historikisht e përgjegjshme.

    Ai theksoi se paraburgimi mbi pesë vjet dhe natyra e akuzave po përdoren për të përmbysur dallimin mes agresorit dhe viktimës, ndërkohë që krimet e dokumentuara të aparatit shtypës serb ndaj shqiptarëve të Kosovës mbeten të pandëshkuara, duke minuar besimin në institucionet e drejtësisë dhe stabilitetin e rajonit.

    “Revolta ndaj kërkesës për dënime maksimale për ish-drejtuesit e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi buron nga kërkesa që drejtësia të jetë e ndershme dhe historikisht e përgjegjshme.

    Paraburgimi mbi pesë vjet dhe natyra e akuzave janë kthyer në instrument për të përmbysur dallimin mes agresorit dhe viktimës, ndërsa krimet e dokumentuara të aparatit shtypës serb ndaj shqiptarëve të Kosovës mbeten të pandëshkuara.

    Është evidente se përpjekja për të barazuar çlirimtarët tanë me gjenocidarët e Srebrenicës mbështetet në akuza të fabrikuara me ndikimin rus mbi Këshillin e Europës.

    Kjo padrejtësi e institucionalizuar rihap plagë historike dhe minon besimin e popujve në institucionet e paqes. Në këtë formë, gjykatat ndërkombëtare po delegjitimojnë të Drejtën ndërkombëtare dhe parimin e vetëvendosjes së popujve.

    E ardhmja e Kosovës, e Serbisë dhe stabiliteti i rajonit ndërtohen vetëm mbi drejtësi të besueshme, të paanshme dhe historikisht të përgjegjshme – jo mbi barazimin e çlirimtarëve me gjenocidarët”, tha Vengu.

  • Konjufca: Përpos Kuvendit, nesër shpresoj që do të bëhet edhe Qeveria

    Konjufca: Përpos Kuvendit, nesër shpresoj që do të bëhet edhe Qeveria

    Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se nesër, përveç konstituimit të Kuvendit, pret që do të bëhet edhe Qeveria.

    Konjufca në një deklarim për mediat, ka thënë se beson që nesër do të ketë edhe formim të Qeverisë.

    “Ne kurrë nuk i kemi refuzuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Deri tash vazhdimisht Lëvizja Vetëvendosje, ato natyrisht kanë qenë beteja politike, por kur i ka dhënë vulë Gjykata Kushtetuese siç ishte rasti për shembull në vitin 2014 kur tha që jo, ju nuk mundeni me bë shumicën, shumicën duhet ta bëjë vetëm fituesi i zgjedhjeve, ne u tërhoqëm dhe vazhduam sipas opinionit të Gjykatës”, tha ai.

    Presidentja Vjosa Osmani ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit, për nesër, 11 shkurt, në orën 12:00.

    Presidenca ka njoftuar se vendimi për këtë datë është marrë pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare dhe duke marrë parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

    “Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, thuhet në njoftim të Presidencës.

    Caktimi i seancës u bë një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

  • NATO mblidhet në Bruksel – mbrojtja, Ukraina dhe Ballkani Perëndimor në fokus të takimit ministror

    NATO mblidhet në Bruksel – mbrojtja, Ukraina dhe Ballkani Perëndimor në fokus të takimit ministror

    Ministrat e Mbrojtjes të vendeve aleate do të mblidhen më 12 shkurt 2026 në selinë e NATO-s në Bruksel, në kuadër të takimit të radhës ministror. Takimi do të drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

    Në fokus të diskutimeve pritet të jenë mbështetja për Ukrainën, forcimi i mbrojtjes së krahut lindor të Aleancës, si dhe zbatimi i angazhimeve për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.

    Në Samitin e NATO-s 2025, vendet aleate u angazhuan që deri në vitin 2035 të investojnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) çdo vit në mbrojtje dhe siguri.

    “Më 12 shkurt, Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s do të takohen në Bruksel për të vlerësuar progresin e bërë që nga Samiti në Hagë, duke përfshirë mënyrën se si po përmbushin angazhimet për të rritur investimet në mbrojtje dhe prodhimin industrial të mbrojtjes, për të forcuar frenimin dhe mbrojtjen tonë dhe për të mbështetur mbështetjen tonë për Ukrainën. Ata do të diskutojnë përgatitjet për Samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara, i cili do të zhvillohet më 7-8 korrik 2026. Ministrat do të diskutojnë gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën – siguria e së cilës është e lidhur ngushtë me sigurinë e Aleancës – në një takim të Këshillit NATO-Ukrainë, me Ministrin e Mbrojtjes të Ukrainës, Mykhailo Fedorov, dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas”, thuhet në deklaratën nga zyrtarët e NATO-s.

    Në një deklaratë nga NATO thuhet se ministrat pritet të shkëmbejnë pikëpamje edhe për zbatimin e të gjitha misioneve dhe aktiviteteve të udhëhequra nga Aleanca, përfshirë KFOR-in, i cili është misioni më i gjatë dhe aktualisht më i madh i NATO-s.

    “Ne presim që Ministrat e Mbrojtjes të shkëmbejnë gjithashtu pikëpamje mbi zbatimin e të gjitha misioneve dhe aktiviteteve të udhëhequra nga NATO, përfshirë KFOR-in. Ballkani Perëndimor mbetet lart në agjendën e NATO-s. Është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. NATO punon për të promovuar stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në rajon. Angazhimi ynë për stabilitetin e rajonit është i palëkundur dhe nuk do të lejojmë krijimin e një vakuumi sigurie,” thonë nga NATO.

    Telegrafi është në mesin e mediave rajonale dhe ndërkombëtare që do ta përcjellin këtë takim dhe do t’ju mbajë të informuar me zhvillimet më të fundit. /Telegrafi/

  • Lushtaku nxjerr dy urdhëresa për mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e gjelbërimit në Skenderaj

    Lushtaku nxjerr dy urdhëresa për mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e gjelbërimit në Skenderaj

    Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka bërë të ditur se ka nxjerrë dy urdhëresa të reja me qëllim të mbrojtjes së mjedisit, ruajtjes së hapësirave publike dhe rritjes së gjelbërimit në territorin e kësaj komune.

    Sipas tij, urdhëresa e parë ndalon hudhjen e mbeturinave jashtë kontejnerëve dhe vendeve të caktuara, ndërsa shkelësit do të ndëshkohen sipas legjislacionit në fuqi.

    “Në funksion të mbrojtjes së mjedisit, ruajtjes së hapësirave publike dhe rritjes së gjelbërimit në territorin e Komunës së Skenderajt, kam nxjerrë dy urdhëresa me rëndësi të veçantë për rendin dhe cilësinë e jetës në komunën tonë,” ka shkruar Lushtaku.

    Ai ka sqaruar se çdo veprim i tillë përbën shkelje serioze dhe synimi kryesor është ndalimi i ndotjes dhe krijimit të deponive ilegale.

    “Urdhëresa e parë ka të bëjë me ndalimin e hudhjes së mbeturinave jashtë kontejnerëve dhe vendeve të caktuara për mbeturina. Çdo veprim i tillë, nga persona fizikë apo juridikë, përbën shkelje dhe ndëshkohet me gjoba sipas legjislacionit në fuqi. Qëllimi i kësaj mase është të ndalet ndotja e mjedisit, dëmtimi i hapësirave publike dhe krijimi i deponive ilegale që rrezikojnë shëndetin dhe imazhin e komunës.”

    Ndërkaq, urdhëresa e dytë obligon subjektet afariste që të kontribuojnë në gjelbërimin e komunës përmes mbjelljes së drunjve dekorativë.

    “Urdhëresa e dytë obligon subjektet afariste që zhvillojnë veprimtari brenda territorit të komunës që, krahas zhvillimit të aktiviteteve të tyre, të kontribuojnë edhe në mbjelljen e drunjve dekorativë dhe rritjen e sipërfaqeve të gjelbra, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e ambientit dhe cilësisë së ajrit”, tha ai.

    Lushtaku ka theksuar se këto masa nuk kanë vetëm karakter ndëshkues, por synojnë rritjen e përgjegjësisë qytetare dhe bashkëpunimit.

    “Këto masa nuk janë vetëm ndëshkuese, por mbi të gjitha janë thirrje për përgjegjësi të përbashkët.”

    Ai ka ftuar qytetarët që të jenë bashkëpunëtorë aktivë dhe sinjalizues të rasteve të ndotjes së mjedisit, duke paralajmëruar edhe forma të mundshme mbështetjeje për ata që kontribuojnë në parandalimin e kundërvajtjeve.

    “Ftoj qytetarët të jenë bashkëpunëtorë aktivë dhe sinjalizues të rasteve të ndotjes apo dëmtimit të mjedisit. Brenda mundësive ligjore, do të shqyrtohen forma mbështetjeje dhe subvencionimi për ata që kontribuojnë në evidentimin dhe parandalimin e kundërvajtjeve, në shërbim të interesit publik”, shkroi ai.

    Ai ka paralajmëruar veprime të tjera konkrete për eliminimin e deponive ilegale në gjithë territorin e komunës.

    “Ruajtja e ambientit, pastërtia dhe gjelbërimi nuk janë vetëm obligim institucional, por kulturë qytetare prandaj shumë shpejt do të ndërmarrim veprime të tjera konkrete për eleminimin e deponive ilegale në gjithë territorin e komunës së Skenderajt. Së bashku mund ta bëjmë Skenderajn më të pastër dhe më të gjelbërt për të gjithë!🌿”, shtoi Lushtaku.

  • Prokuroria e Hagës: Jakup Krasniqi s’ishte thjesht zëdhënës në UÇK

    Prokuroria e Hagës: Jakup Krasniqi s’ishte thjesht zëdhënës në UÇK

    Prokurori i Hagës, Matthew Howling po vazhdon me fjalët përmbyllëse, tani për Jakup Krasniqin.

    Ai pretendon se Krasniqi nuk ishte thjesht zëdhënës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

    “At që ka bërë, i përket më shumë sesa i një zëdhënësi. Në librin e tij, Krasniqi e pranon që i ka shkruar rregullat për UÇK-në”, tha Howling.

    Siç thotë Howling, Krasniqi nuk ishte thjeshtë përçues i mesazheve, por, sipas tij, ai ishte pjesë e po atyre mesazheve.

    “Ishte nevoja e nënshkrimeve të Krasniqit për të ecur para me planet e tyre”, tha tutje prokurori.

  • Jose Mourinho pritet të bëhet trajner i Portugalisë

    Jose Mourinho pritet të bëhet trajner i Portugalisë

    Jose Mourinho thuhet se do të jetë trajner i ri i Kombëtares së Portugalisë, duke pasuar Roberto Martinezin pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.

    Sipas mediumit ESPN, Portugalia është gati t’i drejtohet trajnerit të Benficas, Mourinho, për rolin e trajnerit kryesor.

    Kombëtarja portugeze e ka zgjedhur ish-trajnerin e Chelseat dhe Real Madridit si pasardhësin e Roberto Martinez, kontrata e të cilit skadon pas Kupës së Botës 2026.

    E ardhmja e Mourinhos te Benfica ka qenë tashmë subjekt i spekulimeve të forta, me thashetheme që e lidhin atë me një largim.

    Klubi portugez do të ndjekë Ruben Amorimin nëse Mourinho pranon punën në ekipin kombëtar.

    Portugalia do të hyjë në Kupën e Botës 2026 si një nga favoritët e fortë nën drejtimin e Martinez pasi ka bindur edhe në kualifikuese. /Telegrafi/

  • Manipulimi i votave, Prokuroria nis hetime edhe në Suharekë

    Manipulimi i votave, Prokuroria nis hetime edhe në Suharekë

    Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetime me lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Suharekë, pas dyshimeve për manipulim të votave.

    Në një njoftim për media, Prokuroria bën të ditur se hetimet janë iniciuar pas pranimit të informatave publike dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, me autorizim të Kryeprokurorit Petrit Kryeziu.

    Sipas Prokurorisë, aktualisht po ndërmerren veprime hetimore në territorin e Komunës së Suharekës, ndërsa rasti lidhet me dyshimet për kryerjen e veprave penale që parashihen në Kapitullin XVIII të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të cilat ndërlidhen me shkeljen e të drejtave të votimit.

    Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se, duke marrë parasysh interesimin e shtuar të opinionit publik dhe mediave, gjatë ditës do të lëshohet një komunikatë shtesë pas përfundimit të intervistimit të të dyshuarve në polici, ku do të jepen më shumë informacione për veprimet dhe zhvillimet e mëtejme hetimore.

  • Nagavci reagon pas rastit në shkollën “Pavarësia”: Dhuna në shkolla është e papranueshme

    Nagavci reagon pas rastit në shkollën “Pavarësia”: Dhuna në shkolla është e papranueshme

    Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas rastit të dhunës të ndodhur në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, duke theksuar se dhuna, në çfarëdo forme dhe nga cilido që vjen, është plotësisht e papranueshme dhe nuk ka vend në institucionet arsimore.

    Sipas Nagavcit, shkollat duhet të jenë hapësira të sigurta, ku mbizotërojnë respekti, dialogu dhe mirëkuptimi, si për nxënësit ashtu edhe për mësimdhënësit.

    Ajo theksoi se rasti i fundit, sikurse edhe raste të tjera të mëparshme, dëshmon se dhuna në shkolla nuk prek vetëm nxënësit, por edhe mësimdhënësit, stafin tjetër, prindërit dhe të gjithë komunitetin shkollor, duke cenuar sigurinë, dinjitetin dhe mirëqenien e të gjithëve. Sipas saj, asnjë rast dhune nuk duhet të anashkalohet apo relativizohet.

    Ministrja në detyrë nënvizoi se përgjegjësia për edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve nuk i takon vetëm shkollës, por është një proces i përbashkët që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes prindërve dhe institucionit arsimor. Vetëm përmes komunikimit të hapur, mirëkuptimit dhe angazhimit të ndërsjellë, tha ajo, mund të krijohet një mjedis i sigurt, mbështetës dhe motivues për nxënësit.

    Nagavci rikujtoi se Ministria e Arsimit ka ndërtuar mekanizma të qartë ligjorë dhe institucionalë për parandalimin dhe adresimin e dhunës në shkolla, ndërsa shkollat janë të obliguara që çdo rast dhune ta trajtojnë me seriozitet maksimal dhe ta raportojnë në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim (SMIA). Ajo theksoi se mosraportimi i rasteve përbën shkelje të drejtpërdrejtë të obligimeve institucionale.

    Në këtë kontekst, ministrja vuri theksin te roli i Drejtorive Komunale të Arsimit, të cilat, sipas saj, mbajnë peshën kryesore të llogaridhënies. Ajo theksoi se Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë ka obligim ligjor të sigurojë zbatimin e rregullores për organizimin e punës në shkollat fillore dhe të mesme, e miratuar që nga viti 2016, si dhe të akteve të Ministrisë së Arsimit. Çdo neglizhencë, vonesë apo mosveprim, sipas Nagavcit, nënkupton dështim institucional dhe bart përgjegjësi të drejtpërdrejtë për pasojat në shkolla.

    Pas raportimeve mediatike për rastin në shkollën “Pavarësia”, ministrja bëri të ditur se Inspektorati i Arsimit ka vepruar menjëherë duke dalë në terren dhe duke realizuar inspektim. Ajo shtoi se, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera përkatëse, të gjitha gjetjet që bien në kompetencë të Inspektoratit do të trajtohen pa kompromis dhe do të pasohen me veprime konkrete.

    Në fund, Nagavci theksoi se parandalimi i dhunës në shkolla nuk është çështje deklaratash, por veprimi. Ajo bëri thirrje që Drejtoritë Komunale të Arsimit, drejtorët e shkollave, prindërit dhe të gjithë akterët përgjegjës të veprojnë me përgjegjësi të plotë, duke nënvizuar se siguria në shkolla nuk është opsion, por obligim.

    “Vetëm përmes reagimit të menjëhershëm dhe zbatimit rigoroz të ligjit mund të garantojmë mjedise shkollore të sigurta dhe dinjitoze për të gjithë”, theksoi ministrja në detyrë e Arsimit, duke shtuar se Ministria mbetet e përkushtuar për parandalimin e dhunës dhe forcimin e mekanizmave që promovojnë komunikimin, menaxhimin e konflikteve dhe mbrojtjen e mirëqenies së të gjithë pjesëmarrësve në procesin arsimor.