ATV

Author: G.O.

  • “Plisat” mbështesin protestën e 17 shkurtit: Heshtja s’është opsion kur po gjykohet lufta për liri

    “Plisat” mbështesin protestën e 17 shkurtit: Heshtja s’është opsion kur po gjykohet lufta për liri

    Tifogrupi i Prishtinës, “Plisat”, ka dalë në mbështetje të protestës për nderimin e luftës çlirimtare.

    Sipas njoftimit të tyre, “Plisat” i kanë bërë thirrje gjithë shqiptarëve që më 17 shkurt, në orën 14:00, të dalin në Sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë për të kërkuar drejtësi për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.

    Postimi i plotë:

    DREJTËSI PËR ÇLIRIMTARËT!

    Më 17 shkurt, dalim në sheshin Skënderbeu për të kërkuar drejtësi.

    Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen padrejtësisht në Hagë. Ata që luftuan për lirinë tonë sot po përballen me padrejtësi, ndërsa krimet ndaj popullit shqiptar mbeten të pandëshkuara.

    Plisat i bashkohen zërit qytetar për drejtësi, për nderimin e luftës çlirimtare dhe për mbrojtjen e historisë sonë. Heshtja nuk është opsion kur po gjykohet lufta për liri.

    Protesta do të zhvillohet në Shesin “Skënderbeu”, në Prishtinë me 17 Shkurt në ora 14:00

    Drejtësia nuk negociohet.

    Plisat Prishtinë

  • Indonezia do të dërgojë deri në 8 mijë ushtarë në Gaza

    Indonezia do të dërgojë deri në 8 mijë ushtarë në Gaza

    Indonezia ka njoftuar se po përgatit deri në 8,000 ushtarë për t’u vendosur në Rripin e Gazës, duke u bërë vendi i parë që ndërmerr një hap të tillë në kuadër të fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në fund të vitit të kaluar.

    Shefi i Shtabit të Ushtrisë, gjenerali Maruli Simanjuntak, tha se trajnimi i trupave ka nisur tashmë dhe se fokusi i tyre do të jetë kryesisht në role mjekësore dhe inxhinierike.

    Pjesë e Bordit të Paqes të Trump

    Indonezia i është bashkuar Bordit të Paqes të Presidentit amerikan Donald Trump, i shpallur muajin e kaluar.

    Bordi pritet të mbajë takimin e tij të parë në Uashington më 19 shkurt, ku do të diskutohet gjithashtu krijimi i një qeverie teknokratike palestineze dhe rindërtimi i Gazës pas luftës.

    Ndërkohë, vende të tjera si Turqia dhe Pakistani po shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të trupave, por kanë theksuar se roli i tyre do të jetë vetëm paqeruajtës, pa përfshirje në çarmatimin e Hamasit.

  • Trump ia rrit tarifat Zvicrës në 39% pas “agresivitetit” të zyrtares zvicerane

    Trump ia rrit tarifat Zvicrës në 39% pas “agresivitetit” të zyrtares zvicerane

    Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se kishte urdhëruar një rritje shtesë të tarifave për Zvicrën prej 9% për shkak të mënyrës se si një zyrtare zvicerane, Karin Keller-Sutter, i kishte drejtuar një kërkesë për heqjen e tarifave.

    Në një intervistë për Fox Business, Trump tha se toni i Keller-Sutter, anëtare e Këshillit Federal të Zvicrës, të cilën ai gabimisht e quajti kryeministre, i dukej “përsëritës” dhe “agresiv”.

    “Kam vendosur tarifa prej 30%, që është shumë e ulët. Pastaj mora një thirrje urgjente nga, besoj, kryeministrja e Zvicrës, dhe ajo ishte shumë agresive, por e sjellshme, por edhe shumë agresive. Ajo tha: ‘Zotri, ne jemi një vend i vogël. Nuk mund ta bëjmë këtë. Nuk mund ta bëjmë këtë.’ Nuk mund ta hiqja nga telefoni”, tha ai.

    Ai thekson se Keller-Sutter vazhdimisht përsëriste se Zvicra është një vend i vogël, gjë që, sipas tij, e nervozoi edhe më shumë.

    “Nuk mund ta hiqja nga telefoni, kështu që ishte 30%. Dhe nuk më pëlqeu shumë mënyra se si foli me ne, kështu që në vend që të zvogëloja, e rrita në 39%”, tha 79-vjeçari.

    Komentet e ngjashme Trump i bëri disa javë më parë në Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku tregoi se nuk e dinte nëse Zvicra ka kryeministër apo president.

    “Supozova se kryeministrja, nuk e di, presidenti, kryeministrja e kishte thirrur, një grua. Dhe ajo ishte shumë përsëritëse. Tha: ‘Jo, jo, jo, nuk mund ta bëni këtë, 30%. Ne jemi një vend i vogël, i vogël.’ Por unë thashë: ‘Mbase jeni të vegjël, por keni një deficit të madh’”, theksoi lideri amerikan.

    Zvicra nuk ka kryeministër apo president ekzekutiv. Në vend të kësaj, vendi udhëhiqet kolektivisht nga Këshilli Federal me shtatë anëtarë. Megjithatë, negociatorët amerikanë dhe zviceranë arritën në nëntor një marrëveshje paraprake për të ulur tarifën në 15%, dhe industria zvicerane u zotua të investojë 200 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara deri në fund të vitit 2028.

  • Sulm rus në perëndim të Kharkivit: Vriten tre fëmijë të vegjël dhe një 34-vjeçar

    Sulm rus në perëndim të Kharkivit: Vriten tre fëmijë të vegjël dhe një 34-vjeçar

    Një sulm rus ka vrarë të paktën katër persona, përfshirë tre fëmijë të vegjël, në një qytet në perëndim të Kharkivit, tha një zyrtar ukrainas.

    Oleg Synegubov, kreu i Administratës Ushtarake Rajonale të Kharkivit, tha se dy djem, të dy 1 vjeç, një vajzë dyvjeçare dhe një burrë 34-vjeçar vdiqën pasi një dron goditi një shtëpi ku po qëndronin.

    Një grua shtatzënë 35-vjeçare dhe një grua tjetër, 76 vjeç, u plagosën në sulmin ndaj Bohodukhiv, tha Synegubov. Sulmi i së martës në mbrëmje në Bohodukhiv vjen ndërsa Moska rinovon sulmet pas një pauze njëjavore.

    Forcat ruse hodhën gjithashtu shtatë bomba në qytetin e Slovyanskut rreth orës 12:00 të së martës, tha guvernatori rajonal i Donetskut Vadym Filashkin në Telegram. Dy persona, përfshirë një vajzë 11-vjeçare, u vranë.

    Të hënën, sulmet me dronë gjatë natës në të gjithë vendin ndërprenë energjinë elektrike dhjetëra mijëra njerëzve dhe vranë të paktën katër persona, përfshirë një nënë dhe djalin e saj 10-vjeçar në Bohodukhiv, thanë zyrtarët ukrainas, sipas Reuters.

    Autoritetet lokale kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të situatës energjetike në rajonin e Kharkiv.

    Kjo vjen pasi një i ashtuquajtur “armëpushim energjetik”, i cili kishte për qëllim t’i lejonte sektorit të energjisë së Ukrainës një pushim gjatë temperaturave -20 gradë Celsius, skadoi javën e kaluar.

    Zelensky ka thënë se SHBA-të duan që lufta me Rusinë të përfundojë deri në qershor dhe se të dyja palët janë ftuar në SHBA për bisedime javën e ardhshme.

    Ndërkohë, një sulm masiv nga dronë ukrainasë në Volzhsky, në rajonin e Volgogradit në Rusi, u raportua të mërkurën në mbrëmje.

  • Naim Murseli kërkoi kontakt me fëmijët dhe Behgjet Pacollin, Gjykata refuzon njërën nga kërkesat

    Naim Murseli kërkoi kontakt me fëmijët dhe Behgjet Pacollin, Gjykata refuzon njërën nga kërkesat

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur gjyqi ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt.

    Gjatë seancës gjyqësore ndaj Naim Murselit, gjyqtarja Fatime Dermaku ka bërë të ditur se ende nuk ka marrë përgjigje lidhur me kërkesën e Murselit për kontakt me fëmijët, të cilët aktualisht po mbahen nga Qendra Sociale në Suedi.

    Ajo gjithashtu tha se Murseli ka bërë kërkesë për takim edhe me Behgjet Pacollin, por që i është refuzuar nga Gjykata.

    “Keni paraqit kërkesë për të kontaktuar me fëmijët. Unë kam kontaktuar me autoritetet suedeze jam në pritje të përgjigjes së tyre. Ndërsa për kërkesën që keni bë për me komuniku me Behgjet Pacollin, në numër të telefonit të Zvicrës, ajo është kërkesë që nuk lejohet sepse hyn në kategorinë e personave që nuk e lejon ligji”, i është thënë nga Gjykata.

  • “Granit Plava ka kryer edhe dy vrasje të pasqaruara”- Naim Murseli pyetet për e-mailin me të cilin pretendohet se kërkoi takim me hetuesit

    “Granit Plava ka kryer edhe dy vrasje të pasqaruara”- Naim Murseli pyetet për e-mailin me të cilin pretendohet se kërkoi takim me hetuesit

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, edhe të mërkurën vazhdoi mbrojtjen i akuzuari Murseli, i cili u pyet lidhur me një e-mail, të cilin pretendohet se ia dërgoi administratës së burgut për të kërkuar takim me hetuesit, se kinse ka informacione lidhur me të akuzuarin Plava, e ku përmenden edhe dy vrasje të kryer nga ai.

    Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    I akuzuari Murseli, i cili mbrojtjen e nisi më 29 janar 2026, fillimisht pohoi se ka nënshkruar procesverbalin e 1 shkurtit 2024 dhe mbetet pranë asaj deklarate. Tha se në janar të vitit 2024 kishte parashtruar një kërkesë në Inspektorat.

    Ai tha se asnjëherë nuk ka kërkuar nga administrata e burgut të shkojnë hetuesit për të biseduar me të.

    Por, prokurorja Javorka Perlinçeviq tha se nga shkresat e lëndës rezulton se ekziston një e-mail i dërguar nga Murteli tek administrata e Burgut të Sigurisë së Lartë në Dyz, për t’ua përcjellë hetuesve, me arsyetimin se janë pranuar informacione në lidhje me të paraburgosurin Granit Plava.

    “Naim Murseli e ka një info për Granit Plavën që i ka kryer dy vrasje të pasqaruara”, citoi prokurorja atë e-mail.

    Gjithashtu, thuhet se aty ka deklaruar se ka informacione edhe për një armë të fshehur të llojit kallashnikov.

    Pas kësaj, ajo tha se Prokuroria kishte dhënë autorizim që hetuesit Ibrahim Sahiti dhe Nazim Dalimi të shkojnë të bisedojnë me Murselin. Andaj, Perlinçeviq e pyeti Murselin nëse i kujtohet kjo vizitë nga hetuesit në burg.

    “Po, më kujtohet. Ata kanë ardhë pa kërkesën time, pa dijeninë time, pa prezencën e avokatëve të mi”, tha i akuzuari Murseli.

    Më pas, nga trupi gjykues iu kërkua prokurores që të fokusohet në objektin e akuzës, e që prokurorja tha se është duke parashtruar pyetje të tërthorta.

    “Unë po e ballafaqoj me pjesët e deklaratave që i ka dhënë në Prokurori në data të ndryshme. Se ky po thotë që ka mbetur pranë deklarimeve të dhëna kur e ka pyet avokati”, tha prokurorja.

    Më pas, i akuzuari Murseli shtoi se nuk e mohon takimin me hetuesit, por që sipas tij, nuk është bërë me kërkesën e tij dhe se asnjë procesverbal nuk ekziston nga ai takim.

    Prokurorja iu drejtua duke i thënë se e-maili të cilin e përmendi është provë dhe është dorëzuar edhe te mbrojtja e tij.

    “Nuk është provë ajo”, tha Murseli.

  • Vdes një pacient në Gjakovë, ishte në kujdes intensiv

    Vdes një pacient në Gjakovë, ishte në kujdes intensiv

    Një rast i rëndë është shënuar në Gjakovë gjatë ditës së martë. Një pacient i cili ishte në kujdesin intensiv në Spitalin e qytetit, ka humbur jetën.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa policia ka nisur hetimet mbi rastin.

    “Është raportuar se viktima mashkull kosovar derisa ishte në kujdesin intensiv në spitalin rajonal ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.

  • Avokati i Thaçit: Klienti im është dhe do të mbetet i pafajshëm

    Avokati i Thaçit: Klienti im është dhe do të mbetet i pafajshëm

    Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Lluka Mishetiq, ka deklaruar se klienti i tij është dhe do të mbetet i pafajshëm në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Gjatë paraqitjes së tij në deklaratën përmbyllëse, Mishetiq theksoi se diskutimet e trupit gjykues duhet të nisin me prezumimin e pafajësisë, duke shtuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dështuar të provojë akuzat e ngritura.

    “Ju duhet të konstatoni se ZPS-ja ka dështuar, nuk ka arritur të provojë provat e saj, dhe të nxirrni aktgjykim shfajësues. Hashim Thaçi do të mbetet i pafajshëm”, është shprehur ai.

    Sipas mbrojtjes, përfundimi i vetëm i drejtë është se prokuroria nuk ka arritur të përmbushë kriteret e barrës së provës, duke kërkuar nga gjykata një aktgjykim lirues për ish-presidentin.

    “Hashim Thaçi është i pafajshëm, pasi ligji ua kërkon ta prezumoni të pafajshëm. Kam dëgjuar kryetarë të Tribunaleve Ndërkombëtare që e keqkuptojnë këtë gjë. Para jush keni katër burra që duhet të prezumohen të pafajshëm. Ky proces ka ardhur këtu pasi Prokuroria ka ngritur pretendime se kanë prova që janë fajtor, dhe për rrjedhojë, për më shumë se 5 vjet jemi në këtë proces, ku duhet të bëhet verifikimi i ZPS-së, për të parë nëse mund të vërtetojnë këto pretendime. Ky gjykim nuk është verifikim i jetës së Hashim Thaçit, por i pretendimit të ZPS-së se Thaçi nuk duhet të jetë i pafajshëm. Ju duhet të nisni kuvendimet se Hashim Thaçi është i pafajshëm, e më pas të mendoni se provat e ZPS-së ju kanë bindur se ai është fajtor. Ju duhet të konstatoni se ZPS-ja ka dështuar, nuk ka arritur të provojë provat e saj, dhe të nxjerrni aktgjykim shfajësues, Hashim Thaçi do të mbetet i pafajshëm. Ju do të arrini në përfundimin e pashmangshëm se ZPS-ja nuk arriti të plotësojë kriteret e barrës së provës,” tha Mishetiq.

  • Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Procesi në Hagë rrezikon të deformojë realitetin historik të luftës së Kosovës

    Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Procesi në Hagë rrezikon të deformojë realitetin historik të luftës së Kosovës

    Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për zhvillimet e fundit në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    KASH thekson se ky proces, në formatin dhe narrativën që ka marrë, rrezikon të deformojë seriozisht realitetin historik dhe juridik të Luftës së Kosovës.

    Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës ishte një reagim i drejtë dhe i nevojshëm kundër një fushate të organizuar shtetërore të dhunës, spastrimit etnik dhe krimeve të luftës, të ushtruara nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit, i cili tashmë është dënuar moralisht dhe juridikisht nga komuniteti ndërkombëtar.

    “Çdo përpjekje për të barazuar agresorin shtetëror me viktimën që luftoi për mbijetesë dhe liri, përbën një fyerje jo vetëm për popullin e Kosovës, por edhe për vetë ndërhyrjen ndërkombëtare të Perëndimit, e cila u ndërmor pikërisht për të ndalur krimet e luftës dhe gjenocidin në zemër të Evropës”.

    “Ky proces i deformuar rrezikon, në mënyrë të papranueshme, të relativizojë dhe madje të amnistojë përgjegjësinë historike dhe politike të udhëheqjes shtetërore serbe për krimet e kryera në Kosovë. Një zhvillim i tillë do të ishte një padrejtësi e rëndë historike dhe një precedent i rrezikshëm për të drejtën ndërkombëtare.”, thuhet në reagimin e këtij këshilli.

    Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë riafirmon mbështetjen e tij për drejtësinë ndërkombëtare të paanshme, por thekson se drejtësia nuk mund dhe nuk duhet të shkëputet nga e vërteta historike dhe konteksti i plotë i ngjarjeve.

    “Çlirimi i Kosovës ishte akt legjitim i një populli të shtypur, dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet një forcë çlirimtare, jo objekt i revizionizmit politik apo juridik”, thuhet më tej.

  • Zelensky planifikon zgjedhje presidenciale dhe referendum në Ukrainë më 24 shkurt

    Zelensky planifikon zgjedhje presidenciale dhe referendum në Ukrainë më 24 shkurt

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, synon të shpallë më 24 shkurt planin për zgjedhjet presidenciale dhe një referendum, ka raportuar të mërkurën Financial Times, duke cituar zyrtarë ukrainas dhe evropianë të përfshirë në planifikim.

    Reuters kishte raportuar javën e kaluar se, sipas një kuadri që po diskutohet nga negociatorët amerikanë dhe ukrainas, çdo marrëveshje paqeje do t’i nënshtrohet një referendumi nga votuesit ukrainas. Ky referendum do të zhvillohet njëkohësisht me zgjedhjet kombëtare, duke shtuar se zyrtarët kanë diskutuar mundësinë që të dy proceset të zhvillohen në maj.

    Ukraina ka filluar tashmë planifikimin e zgjedhjeve presidenciale së bashku me një referendum mbi një marrëveshje të mundshme paqeje me Rusinë, raporton përsëri Financial Times, duke cituar zyrtarë ukrainas dhe perëndimorë të njohur me çështjen.

    Më 24 shkurt bëhen katër vjet prej kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

    Deri më tani janë mbajtur disa runde bisedimesh mes palëve ndërluftuese, por ato nuk kanë rezultuar me ndonjë marrëveshje për t’i dhënë fund luftimeve.

    Zelensky ka thënë ditë më parë se presidenti amerikan, Donald Trump, ka përcaktuar qershorin si afatin e fundit kur Ukraina dhe Rusia duhet të arrijnë një marrëveshje paqeje.