ATV

Author: G.O.

  • Përmbytje në disa zona, Franca lëshon alarm të kuq

    Përmbytje në disa zona, Franca lëshon alarm të kuq

    Franca ka shpallur alarm të kuq për përmbytje, ndërsa pasojat e stuhisë Nils kanë shkaktuar kaos në disa zona të vendit. Shtëpi janë përmbytur dhe fshatra të tëra kanë mbetur të izoluara pasi lumi Garonne doli nga shtrati.

    Zyrtarët paralajmërojnë për përmbytje të mëdha të martën pasdite në lumin Maine, përfshirë qytetin e Angers, si dhe gjatë natës në lumin Loire në zonën Ponts-de-Cé. Sipas autoriteteve, nivelet e ujit pritet të vazhdojnë të rriten edhe gjatë së mërkurës.

    Situata në Francë vjen pas një serie stuhish që kanë goditur gjithashtu Portugalia dhe Spanja, ku të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe mijëra të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

    Ndërkohë, shkencëtarët i kanë bërë thirrje Evropës të përgatitet për një botë deri në 3 gradë Celsius më të nxehtë deri në fund të shekullit si dhe të testojë skenarë edhe më ekstremë.

  • Ish-luftëtarja e UÇK-së: Heshtja është dorëzim, por ky popull nuk di të dorëzohet

    Ish-luftëtarja e UÇK-së: Heshtja është dorëzim, por ky popull nuk di të dorëzohet

    Ish-luftëtarja e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Shqipe Krasniqi, ka deklaruar se asnjëherë më parë nuk e ka parë Kosovën kaq të bashkuar dhe kaq të zëshme sa sot.

    Ajo ka theksuar se në ditën e Pavarësisë nuk janë mbledhur vetëm për të festuar, por për të kujtuar sakrificën e popullit, duke shtuar se kjo protestë është zëri i atyre që nuk jetojnë më.

    “Kam parë familje të poshtëruara, nëna që qanin fshehurazi, studentë të përndjekur vetëm pse ishin shqiptarë. Kam parë gra që i përcillnin bijtë në luftë me zemra të copëtuara por me kokën lartë. Ato nuk dolën në histori me tituj, por historia nuk do të ekzistonte pa to. Heshtja është dorëzim dhe ky popull nuk di të dorëzohet. Si shumë vajza dhe gra shqiptare e mora armën dhe dola në front. Jo pse e doja luftën por sepse e doja lirinë. Shtëpitë na u dogjën e fshatrat na u zbrazën. Një gjë nuk u dogj e as nuk u shua, dhe ai është shpirti i këtij populli”, ka thënë ajo.

  • Marshi “Drejtësi, jo politikë”, qytetarët brohoritin “UÇK, UÇK”

    Marshi “Drejtësi, jo politikë”, qytetarët brohoritin “UÇK, UÇK”

    Numër i madh i qytetarëve janë mbledhur sot në sheshin “Skënderbeu” në mbështetje të ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.

    Marshi është organizuar nga Platforma “Liria ka emër”.

    Qytetarët në këtë marsh po brohoritin “UÇK”, UÇK”.

    Në protestë po marrin pjesë edhe anëtarë e deputetë të PDK-së dhe figura tjera publike.

    Në mbështetje të këtij marshi janë deklaruar edhe institucione e organizata.

  • Sejdiu për 18-vjetorin e Pavarësisë: Erdhi falë sakrificës, kishim fatin që patëm prijës Rugovën e Adem Jasharin

    Sejdiu për 18-vjetorin e Pavarësisë: Erdhi falë sakrificës, kishim fatin që patëm prijës Rugovën e Adem Jasharin

    Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka reaguar lidhur me 18 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke thënë se kjo ditë erdhi falë sakrificës dhe kontributit të shumë gjeneratave, dhe se, i kujtojmë me përulje të rënët për lirinë që ne e gëzojmë.

    Nga Sejdiu shtohet edhe se, në ditët e rënda të kishim prijës presidentin historik, Ibrahim Rugova, si dhe heroin legjendar të luftës, Adem Jashari, përcjell Gazeta Express.

    ‘’Në këto vite lirie, arritjet janë të pamohueshme dhe për këtë duhet të jemi krenarë të gjithë. Megjithatë, shtetësia dhe shteti ynë nuk duhet të ndalen me kaq. Nevojitet ende shumë punë, përkushtim dhe përgjegjësi që shteti i Kosovës të zërë vendin e merituar në mesin e shteteve të lira, sovrane dhe demokratike’’, ka thënë ai mes tjerash.

    Postimi:

    Prof. dr. Fatmir Sejdiu

    President i Republikës së Kosovës

    2006-2010

    Prishtinë, 17 shkurt 2026

    Sot festojmë 18-vjetorin e Mëvetësisë së Republikës sonë. Është një ditë gëzimi dhe reflektimi. E diela e 17 shkurtit 2008 erdhi falë sakrificës dhe kontributit të shumë gjeneratave.

    Kujtojmë me përulje të rënët për lirinë që ne e gëzojmë sot.

    Kishim fatin që, në ditët e rënda, të kishim prijës presidentin historik, Ibrahim Rugova, si dhe heroin legjendar të luftës, Adem Jashari.

    Në këto vite lirie, arritjet janë të pamohueshme dhe për këtë duhet të jemi krenarë të gjithë. Megjithatë, shtetësia dhe shteti ynë nuk duhet të ndalen me kaq. Nevojitet ende shumë punë, përkushtim dhe përgjegjësi që shteti i Kosovës të zërë vendin e merituar në mesin e shteteve të lira, sovrane dhe demokratike.

    Kjo është, po kështu, një ditë që na bën t’i shohim me më shumë përgjegjësi angazhimet publike, të cilat duhet të ndërtohen mbi vlerat e mirëkuptimit, tolerancës dhe bashkëpunimit të përhershëm.

    Urimi për këtë ditë fatlume është urim për Kosovën e lirë dhe të zhvilluar, prosperuese dhe kontribuuese për të mirën e qytetarëve të saj dhe të mirësisë njerëzore.

  • Jashari: Shpresoj që Gjykata Speciale të mos marrë vendim politik, por lirues për katërshen e UÇK-së

    Jashari: Shpresoj që Gjykata Speciale të mos marrë vendim politik, por lirues për katërshen e UÇK-së

    Prekazi është qendra, ku shumë qytetarë e bashkëluftëtarë nderojnë familjen e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjen e tij në Kompleksin Memorial në Prekaz, edhe në këtë përvvjetor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

    Edhe sot homazhe në këtë vend kthese për historinë e Kosovës, bëri kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari. Ai tha se bashkëluftëtarët kanë si mësim se liria është e qëndrueshme kur fitohet me luftë dhe gjakun e dëshmorëve.

    Jashari nga Prekazi historik ua uroi pavarësinë e Kosovës krerëve të UÇK-së të cilët po mbahen të paraburgosur në Hagë. Ai shpreson që katërshja e UÇK-së do të lirohet nga akuzat e Prokurorisë Speciale, të cilat, siç tha ai, janë përpunuar në Serbi.

    “Na lanë një mësim se liria është e qëndrueshme atëherë kur fitohet me luftë dhe gjakun e dëshmitarëve. Nga ky vend u uroj këtë ditë të shënuar krerëve të UÇK-së, të cilët padrejtësisht po mbahen atje nga një gjykatë politike krejtësisht e njëanshme. Shpresojmë dhe besojmë që verdikti përfundimtar gjykata të mos marrë vendim politik dhe t’i lirojë krerët e UÇK-së nga kjo akuzë e shpifur, nga kjo aktakuzë e përpunuar në Beograd. Kërkesa e Prokurorisë speciale na bënë të dyshojmë dhe një kërkesë e tillë sikur edhe po shihet me veprimet e ZPS-së është marrë në Beograd dhe është përkthyer në Gjykatën Speciale në Hagë…Lufta e lavdishme e UÇK-së nuk i ka takuar dhe nuk i takon asnjë partie politike, është vlerë e popullit dhe si të tillë duhet ta ruajmë, ta çmojnë, ta respektojmë dhe t’i japim vendin meritor“, tha ai.

    Nga Dukati i Vlorës sot erdhi në Prekaz edhe Pëllumb Skendaj. Tha se do të marr pjesë edhe në marshin “Drejtësi, jo politikë“, që do të mbahet në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen të paraburgosur në Hagë.

    Skendaj tha se gjaku i familjes Jashari është lumë për liri dhe shqiptari.

    “Gjaku i tyre është lumë për lirinë, për shqiptarinë dhe nuk do ta harrojmë kurrë. Baca bashkë me brezin e vjetër të Ismajl Qemalit dhe Isa Boletinit është monument i përjetshëm i shqiptarisë…Duke mos harruar gjakun e tyre, duke punuar fort për Shqipërinë, Kosovën për shqiptarinë….Të eci para, të lulëzojë dhe të ketë begati sa më të madhe”, tha ai.

    Shpallja e pavarësisë së Kosovës u bë më 17 shkurt 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

  • Presidenti i Izraelit uron Pavarësinë: Në traditën hebraike, numri 18 përfaqëson jetën

    Presidenti i Izraelit uron Pavarësinë: Në traditën hebraike, numri 18 përfaqëson jetën

    Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka uruar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për 18-vjetorin e Pavarësisë, duke theksuar se numri 18 në traditën hebraike simbolizon jetën.

    Në letrën e tij, ai përmendi pesëvjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

    Tutje, Herzog theksoi se marrëdhëniet dypalëshe janë forcuar edhe pas sulmit të 7 tetorit dhe shprehu pritjen për thellimin e partneritetit në vijim.

  • Rahoveci mban seancë solemne për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Rahoveci mban seancë solemne për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Kuvendi Komunal i Rahovecit ka mbajtur seancë solemne në rastin e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë 18-vjetor u shpreh mirënjohje e thellë, e u kujtuan atë që luftuan dhe kontribuuan në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë.

    “Sot, me nderim dhe përgjegjësi të lartë institucionale, përkujtojmë 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës se Kosovës, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e shtetit tonë. Në këtë përvjetor, shprehim mirënjohjen më të thellë, duke i kujtuar të gjithë ata që luftuan dhe kontribuuan në rrugëtimin tonë drejt lirisë: dëshmorët, martirët, veteranët e invalidët e luftës, veprimtarët dhe politikanët, si dhe miqtë tanë ndërkombëtarë që mbështetën procesin e shtetndërtimit”, u tha në Kuvend.

  • Komuna e Vushtrrisë nderon dëshmorët dhe martirët e kombit

    Komuna e Vushtrrisë nderon dëshmorët dhe martirët e kombit

    Komuna e Vushtrrisë në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, bashkë me shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së dhe qytetarë, nderuam dëshmorët dhe martirët e kombit.

    “Nderuam veprën e tyre duke bërë homazhe tek Përmendorja e Dëshmorëve në Vushtrri, Përmendorja e Martirëve, shtatorja e komandantit legjendar Adem Jasharit, shtatorja e Hasan Prishtinës, shtatorja e Kolonel Ahmet Krasniqit dhe në Kompleksin e Dëshmorëve të Kombit në Bletaj”, njofton Komuna.

    Më pas u mbajt akademia solemne, ku u rikujtua rruga e lirisë dhe sakrifica e gjeneratave që na sollën lirinë. Festën tonë për 18 vjet shtet e madhështoi programi artistik i ansamblit të këngëve dhe valleve “Hasan Prishtina”, po ashtu edhe Opera e Kosovës – Okteti plus.

  • Vritet me thikë 22-vjeçari shqiptar në Londër, arrestohen dy vajza dhe një djalë

    Vritet me thikë 22-vjeçari shqiptar në Londër, arrestohen dy vajza dhe një djalë

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur në jug të Londrës, ku një i ri shqiptar është goditur me thikë dhe ka humbur jetën.

    22-vjeçari, Lorik Abazi u gjet i plagosur në Hesterman Way, të dielën dhe, pavarësisht përpjekjeve mjekësore, ai vdiq në spital, shkruan BBC.

    Familja e Lorikut ka shpërndarë një deklaratë të ndjerë, duke përshkruar të riun si “një person të kujdesshëm, të zgjuar, me një sens të bukur humori dhe me një të ardhme të ndritur përpara, por që iu pre në mes”.

    Pas ngjarjes, dy vajza, të dyja 25 vjeçare, dhe një djalë 28 vjeçar u arrestuan si të dyshuar për vrasje. Njëra nga vajzat u lirua me kusht, ndërsa hetimet vazhdojnë.

    Kryeinspektori Nick Blackburn ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen e Lorikut, duke thënë: “Mendimet e mia janë me familjen dhe të dashurit e Lorikut, të cilët kanë pësuar një humbje të paimagjinueshme.”

  • Hamza në 18-vjetorin e Pavarësisë: Lufta jonë për liri po gjykohet, UÇK-ja nuk ishte ndërmarrje kriminale

    Hamza në 18-vjetorin e Pavarësisë: Lufta jonë për liri po gjykohet, UÇK-ja nuk ishte ndërmarrje kriminale

    Kosova është realitet i pakthyeshëm, dhe se shteti i Kosovës është projekt i përfunduar i lirisë, kështu tha kryetari i PDK-së, Bedri Hamza në fjalën e tij në seancën solemne të 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës e ku theksoi se pavarësia nuk është vetëm flamur dhe himn, por siguri e drejtësi, raporton Ekonomia Online.

    Hamza aty përmendi dhe gjykimin e ish-drejtuesve të UÇK-së që po bëhet në Hagë e ku nënvizoi se nuk do të lejojnë që historia të nënshkruhet në kurrizin e sakrificës.

    “Pavarësia nuk është vetëm flamur dhe himn, por është siguri dhe drejtësi. Është ruajtje e së vërtetës sonë historike. Sot festojmë, por njëkohësisht edhe reflektojmë, sepse ndërkohë që ne ndërtojmë të ardhmen, pjesa më e lavdishme e historisë sonë, lufta çlirimtare, është në bankën e të akuzuarve në Hagë. Lufta jonë çlirimtare po gjykohet; ata që kanë kontribut në shtet po gjykohen. Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi po gjykohen. Dhe sot duhet ta themi qartë dhe me vendosmëri: besimi i Kosovës në drejtësinë ndërkombëtare nuk duhet tradhtuar. Ne nuk lejojmë që historia të nënshkruhet në kurriz të sakrificës sonë. Ne nuk pranojmë barazi artificiale mes agresorit serb dhe rezistencës sonë për liri. Nuk pranojmë që drejtësia të bëhet selektive”, tha Hamza.

    Hamza ka potencuar se UÇK-ja nuk ishte ndërmarrje kriminale, por ishte ushtri çlirimtare.

    “UÇK nuk ishte ndërmarrje kriminale, ishte ushtri çlirimtare. Ishte përgjigje ndaj shtypjes, zëri i një populli që nuk kishte rrugë tjetër. Kosova kërkon drejtësi, por drejtësi të vërtetë, që nuk relativizon sakrificën; drejtësi që nuk i nënshtrohet politikës, sepse liria jonë nuk është krim. Pavarësia jonë nuk është gabim historik, por e drejtë e fituar me shumë heronj, dëshmorë, martirë dhe përkrahje të aleatëve tanë”, theksoi Hamza.

    Gjatë fjalës së tij Hamza kujtoi edhe momentin kur Kosova shpalli pavarësinë.

    “Më 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta, është dita dhe ora kur flamuri ynë u ngrit për herë të parë në këto institucione. Është dita kur guximi i brezave tanë dhe sakrifica e tyre u bë shpresë e përjetshme për çdo qytetar. U shpall Republika e Kosovës, u shpall fundi i një padrejtësie historike. Kjo ditë nuk ishte rastësi, ishte përfundim i një rruge të gjatë dhe sakrifice. Ishte kulmimi i rezistencës, ishte fitore e vendosmërisë së një populli që refuzoi të nënshtrohet. Kosova kaloi nga sakrifica në sovranitet, nga rezistenca në republikë dhe nga ëndrra shekullore në realitet shtetëror. Pra, kjo Republikë është fitore. Themelet e saj janë të skalitura me gjakun e dëshmorëve, janë të ngritura mbi sakrificën e atyre që zgjodhën lirinë mbi jetën. Prandaj, sot në këtë ditë shumë të rëndësishme të popullit tonë, ne përulemi me mirënjohje para familjeve të dëshmorëve, luftëtarëve të lirisë, para çdo qytetari që kontribuoi në këtë ditë dhe përulemi me mirënjohje edhe para aleatëve tanë. Në orët më të errëta të historisë sonë, bota demokratike nuk heshti. Ndërhyrja e NATO-s ishte momenti kur ndërgjegjja e qytetërimit u bë mburojë e Kosovës. U jemi përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mikut tonë të madh dhe aleatit tonë strategjik, që qëndruan në anën e duhur të historisë. Faleminderit BE-së dhe çdo shteti që njohu pavarësinë tonë”, u shpreh ai.