ATV

Author: G.O.

  • Hamza pas deklarimeve të ish-krerëve të UÇK-së: Dëgjuam zërin e popullit tonë që luftoi për liri

    Hamza pas deklarimeve të ish-krerëve të UÇK-së: Dëgjuam zërin e popullit tonë që luftoi për liri

    Deklarimet përfundimtare të ish-krerëve të UÇK-së kanë ngjallur reagime dhe emocione të shumta në Kosovë, ndërsa figura politike kanë komentuar publikisht zhvillimet e fundit.

    Kryetari i Bedri Hamza ka komentuar këto deklarime, duke bërë me dije se gjatë dëgjimit të tyre ka përjetuar emocione të veçanta.

    Në profilin e tij në Facebook, Hamza ka shkruar se përmes këtyre deklarimeve sot është dëgjuar zëri i popullit të Kosovës.

    “Emocione të veçanta, dhimbje për peshën historike, por mbi të gjitha krenari për guximin dhe dinjitetin e tyre. Nga presidenti Thaçi, kryetari Veseli, baci Jakup e Rexha, sot e dëgjuam zërin e popullit tonë që luftoi për mbijetesë dhe liri. Ata folën për sakrificën, dhimbjen dhe të vërtetën tonë. Këtë të vërtetë askush nuk do të mund ta relativizojë. Askush nuk do të mund ta zbehë. Askush nuk do të mund ta tjetërsojë. Sepse, askush nuk ka mandat ta njollosë sakrificën e popullit tonë. Kosova pret drejtësi. Kosova pret t’i kthehen bijtë e vet”, ka shkruar ai, duke iu referuar deklarimeve të Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

  • Vatikani refuzon pjesëmarrjen në Bordin e Paqes: Krizat duhet të menaxhohen nga OKB

    Vatikani refuzon pjesëmarrjen në Bordin e Paqes: Krizat duhet të menaxhohen nga OKB

    Selia e Shenjtë ka vendosur të mos marrë pjesë në Bordin e Paqes të krijuar nga Presidenti amerikan Donald Trump.

    Kardinali Pietro Parolin, Sekretari i Shtetit i Vatikanit dhe zyrtari më i lartë diplomatik i tij, deklaroi se për shkak të natyrës së veçantë të Vatikanit, menaxhimi i krizave ndërkombëtare duhet të mbetet në duart e Kombeve të Bashkuara.

    “Vatikani nuk do të marrë pjesë në Bordin e Paqes për shkak të natyrës së tij të veçantë. Duhet të jetë OKB-ja ajo që menaxhon këto situata krize. Kjo është një nga pikat mbi të cilat kemi këmbëngulur,” tha Parolin, duke shtuar se Italia dhe Bashkimi Evropian do të marrin pjesë vetëm si vëzhgues.

    Vendimi i Vatikanit vjen pak ditë para mbledhjes së parë të Bordit të Paqes në Uashington, ku pritet të diskutohet rindërtimi i Gazës pas armëpushimit të brishtë të tetorit. Bordi, i kryesuar nga Trump, synon të adresojë konfliktet globale, me fokus të veçantë në Rripin e Gazës, si një organ i pavarur i ndarë nga Kombet e Bashkuara.

    Megjithatë, iniciativa ka ngjallur kritika. Ekspertë të të drejtave të njeriut e kanë cilësuar strukturën si të ngjashme me një model kolonial, duke vënë në dukje mungesën e përfaqësimit palestinez. Disa vende evropiane kanë refuzuar ftesën, duke paralajmëruar se bordi mund të minojë rolin e OKB-së.

    Deri më tani, mbi 25 vende kanë konfirmuar pjesëmarrjen, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Argjentinën, El Salvadorin, Paraguain, Bjellorusinë, Bullgarinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Hungarinë, Egjiptin dhe Marokun.

    Papa Leo, i pari papë amerikan dhe kritik i disa politikave të Trump, ishte ftuar të bashkohej me bordin në janar, por Selia e Shenjtë ka vendosur të mos marrë pjesë. Vatikani, që ka një shërbim diplomatik të gjerë dhe statusin e vëzhguesit të përhershëm në OKB, ka preferuar të mbetet i angazhuar përmes strukturave ndërkombëtare ekzistuese.

    Armëpushimi në Gaza është shkelur vazhdimisht, me qindra viktima palestineze dhe disa ushtarë izraelitë të vrarë që nga tetori. Sipas OKB-së dhe ekspertëve të të drejtave të njeriut, ofensiva izraelite ka shkaktuar mbi 72,000 viktima, krizë urie dhe zhvendosjen e të gjithë popullsisë së Gazës, duke u cilësuar si gjenocid. Izraeli e justifikon operacionin si vetëmbrojtje pas sulmit të Hamasit në fund të vitit 2023, ku u vranë 1,200 persona dhe u morën mbi 250 pengje.

  • Gjyqtari Smith mbyll edhe proceduralisht çështjen gjyqësore për ish-krerët e UÇK-së: Për shpalljen e aktgjykimit, jemi në kontakt

    Gjyqtari Smith mbyll edhe proceduralisht çështjen gjyqësore për ish-krerët e UÇK-së: Për shpalljen e aktgjykimit, jemi në kontakt

    Kryetari i trupit gjykues e ka mbyllur çështjen gjyqësore në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Charles Smith III i falënderoi ekipet e mbrojtjes dhe “të gjithë personat të cilët kanë ndihmuar për realizimin e suksesshëm të kësaj çështjeje gjyqësore”.

    “Jemi ndjerë shumë të ndihmuar prej kontributeve për të siguruar drejtësinë e procesit dhe që ekipet e mbrojtjes dhe të akuzuarit kanë marrë shërbime efektive gjatë gjithë kohës”, tha ai, duke e falënderuar edhe stafin administrativ të gjykatës.

    Kryegjykatësi tha se për datën e shpalljes së aktgjykimit do të jetë në kontakt me avokatët dhe Prokurorinë.

    “Do të vazhdojmë të jemi në kontakt të vazhdueshëm, sipas nevojës, me palët, për sa i takon datës së shpalljes dhe shqiptimit të aktgjykimit”, tha Smith.

    Sot, në fund të çështjes gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi dhanë fjalët e tyre përmbyllëse. Të katërtit u deklaruan të pafajshëm.

    Prokruoria e Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin prej tyre.

    Tani, çështja i kalon trupit gjykues, që ka tre muaj kohë për shpalljen e aktgjykimit.

    Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi po qëndrojnë në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë prej fillimit të nëntorit të vitit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

  • Presidentja Osmani udhëton në ShBA, merr pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes

    Presidentja Osmani udhëton në ShBA, merr pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes

    Presidentja e Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Donald Trump, udhëtoi në Washington D.C. për të marrë pjesë në Takimin Inaugurues të Bordit të Paqes, duke qenë në mesin e disa liderëve botërorë.

    Osmani ka vlerësuar përfshirjen e Kosovës si vend anëtar dhe bashkëthemelues në Bordin e Paqes, duke e cilësuar këtë hap si një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit në vitet e fundit.

    Ajo ka theksuar se pjesëmarrja në këtë strukturë ndërkombëtare fuqizon drejtpërdrejt subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

    “Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar të punojë ngushtë me aleatin tonë kryesor, SHBA-të, dhe me Bordin e Paqes për të sjellë rezultate konkrete, për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajonet e prekura nga konfliktet dhe për të promovuar një të ardhme të bazuar në bashkëpunim, siguri dhe prosperitet të përbashkët”, ka deklaruar Presidentja Osmani.

  • Zhduket një e mitur nga Rahoveci, policia kërkon ndihmë për gjetjen e saj

    Zhduket një e mitur nga Rahoveci, policia kërkon ndihmë për gjetjen e saj

    Policia e Kosovës ka lëshuar një njoftim lidhur me zhdukjen e një vajze të mitur nga komuna e Rahovecit.

    Bëhet fjalë për Alisiana Bekim Shala, 14-vjeçe, e cila rezulton e zhdukur që nga muaji nëntor 2025.

    Që nga momenti i raportimit, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka ndërmarrë veprime intensive operative dhe hetimore për gjetjen e saj, por ende nuk është lokalizuar.

    Policia bën thirrje për bashkëpunim të qytetarëve dhe mediave, në mënyrë që vajza të gjendet sa më shpejt.

    Çdo informacion mund të raportohet në numrin 192 (pa pagesë) ose në stacionin më të afërt policor.

  • Me kollare me shqiponjë, Krasniqi para trupit gjykues: Nuk jam kriminel, por njeri që luftoi për liri

    Me kollare me shqiponjë, Krasniqi para trupit gjykues: Nuk jam kriminel, por njeri që luftoi për liri

    Ish-kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë fjalën e tij të fundit para trupit gjykues në Hagë, duke theksuar se paraburgimi i tij dhe tre ish-krerët e UÇK-së ka qenë i padrejtë.

    Mes emocioneve të shumta, derisa në fyt mbante kollaren me shqiponjë, Krasniqi në fillim të fjalës së tij uroj qytetarët e Kosovës për festimin e 18 vjetorit të pavarësisë.

    “Qëndroj sot para jush jo si një kriminel që e përshkruan aktakuza e prokurorisë, por si një njeri I lindur dhe I kalitur në luftëra për dinjitet njerëzor nga një popull që refuzoi të zhdukej nga politikat e krimit dhe gjenocidit serb”, tha Krasniqi.

    Ai shtoi se pjesën më të madhe të jetës time e ka kaluar i udhëhequr nga bindja se qeniet njerëzore meritojnë të jetojnë në liri.

    “Pas më shumë se pesë vitesh burgim të padrejtë, dhe sipas mendimit tim të panevojshëm, angazhimin tim politik e jetësor për liri jam angazhuar që herët. Më janë mohuar të drejtat e njeriut, për këto pesë vite, e më rëndësishmja e drejta për të jetuar në liri, e drejta e një njeriu në fazën e fundit të jetës së tij për të jetuar vitet e mbetura me dinjitet pranë familjes dhe në atdheun e lirë”, tha Krasniqi.

    Ish-kryeparlamentari u shpreh se sot ndodhet në vitin e tij të 16-të të burgimit vetëm se luftoi për lirinë e pavarësinë e popullit të tij.

  • ​Selimi: Historia e Kosovës s’mund të rishkruhet, armët për ne ishin mbijetesë

    ​Selimi: Historia e Kosovës s’mund të rishkruhet, armët për ne ishin mbijetesë

    10-shi i UÇK-së, Rexhep Selimi tha të mërkurën se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në një sallë gjyqi.

    “Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Prandaj pyes sërish: Çfarë duhet të bënim ne? Të prisnim radhën për t’u vrarë, apo të iknim nga shtëpitë tona? Asnjerën dhe as tjetrën. UÇK-ja nuk u krijua nga dëshira por nga nevoja, ishte reagim për mbijetesë”, tha ai para trupit gjykues në Hagë.

    Për mua të qenit bashkëluftëtar i Adem Jasharit është nderi më i madh.

    “Po, kam bartur armë. Armët për ne ishin mbijetesë. UÇK nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. UÇK ishte ushtri çlirimtare.”

    “Jam i bindur se bëmë gjënë më të duhur. Edhe sot do ta bëja të njëjtën gjë. Prandaj na mbështeti NATO-ja”, tha ai mes tjerash ndërsa po vazhdon fjalimin e tij.

  • Ishte larguar nga banesa një ditë më parë, 49-vjeçari gjendet pa shenja jete në një përrua në Librazhd

    Ishte larguar nga banesa një ditë më parë, 49-vjeçari gjendet pa shenja jete në një përrua në Librazhd

    Një 49-vjeçar është gjetur pa shenja jete në një përrua në Librazhd.

    Sipas informacionit paraprak nga policia e Elbasanit, në fshatin Librazhd Katund, është gjetur pa shenja jete, në përrua, shtetasi S. H., 49 vjeç.

    Ai dyshohet se ka rënë aksidentalisht në përrua dhe për pasojë është mbytur.

    Nga deklarimet e familjarëve, shtetasi S. H. ishte larguar nga banesa, pasditen e djeshme, dhe vuante nga probleme të shëndetit mendor, shkruan TCH.

    Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e rrethanave të rastit.

  • Kurti takon deputetin nga Mbretëria e Bashkuar, theksohet thellimi i bashkëpunimit ekonomik

    Kurti takon deputetin nga Mbretëria e Bashkuar, theksohet thellimi i bashkëpunimit ekonomik

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti anëtarin e Dhomës së Lordëve, Lord Cromwell, dhe deputetin e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Martin Vickers.

    Lord Cromwell dhe Martin Vickers uruan Kryeministrin Kurti dhe popullin e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë, të shënuar dje, si dhe e përgëzuan për mandatin e tij të ri qeverisës.

    Gjatë takimit, u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar dhe te mundësitë që Kosova ofron për investime dhe investitorë të huaj. Po ashtu, pjesë e diskutimit ishte edhe siguria në rajon dhe në kontinent.

    Kryeministri i falënderoi për vizitën dhe urimet, si dhe për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ai shprehu mirënjohje për rolin historik dhe kontributin e çmueshëm të Mbretërisë së Bashkuar në çlirimin, pavarësimin, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës.

    Gjatë bisedës, Kryeministri theksoi prioritetet e Qeverisë, veçanërisht projektet e mëdha infrastrukturore të parapara për këtë mandat të ri, investimet kapitale që do të tejkalojnë vlerën prej 1 miliard euro në vit, si investimet në siguri dhe mbrojtje.

  • Dobitë shëndetësore që sjell tek organizmi agjërimi gjatë muajit të Ramazanit

    Dobitë shëndetësore që sjell tek organizmi agjërimi gjatë muajit të Ramazanit

    Agjërimi gjatë muajit të Ramazanit mund të sjellë shumë përfitime në aspektin e shëndetit fizik dhe mendor.

    Duke respektuar agjërimin gjatë ditës, trupi merr pushim nga tretja e vazhdueshme, gjë që mund të ndihmojë në përmirësimin e funksionit metabolik dhe promovimin e shëndetit dhe mirëqenies së përgjithshme.

    Një nga përfitimet e para shëndetësore të agjërimit në Ramazan është se ndihmon në humbjen e peshës dhe përmirësimin e metabolizmit. Ndërsa trupi përshtatet me një sasi të kufizuar ushqimi dhe pije gjatë ditës, trupi fillon të përdorë yndyrën e ruajtur si burim energjie dhe e konsumon atë. Kjo çon në djegien e yndyrës dhe humbjen e peshës dhe metabolizmi i trupit gjithashtu mund të përmirësohet, duke e bërë atë më efikas në djegien e kalorive.

    Agjërimi mund të ndihmojë në kontrollin e niveleve të sheqerit në gjak duke ulur rezistencën ndaj insulinës dhe duke përmirësuar ndjeshmërinë ndaj insulinës. Kur një person agjëron, trupi detyrohet të përdorë glukozën e ruajtur për energji, që ndihmon në uljen e nivelit të sheqerit në gjak. Agjërimi mund të ndihmojë gjithashtu në uljen e inflamacionit në trup, i cili është një faktor kontribues në rezistencën ndaj insulinës.

    Përveç kësaj, agjërimi mund të ndihmojë në promovimin e humbjes së peshës, e cila është e rëndësishme për kontrollin e niveleve të sheqerit në gjak, pasi yndyra e tepërt e trupit mund të çojë në rezistencë ndaj insulinës dhe nivele të larta të sheqerit në gjak. Një nga përfitimet e rëndësishme të agjërimit në Ramazan është se forcon sistemin imunitar.

    Gjatë një agjërimi, trupi kalon nga përdorimi i glukozës si burimi kryesor i energjisë në përdorimin e ketoneve, të cilat prodhohen nga rezervat e yndyrës. Ky ndryshim aktivizon një proces të quajtur autofagji, ku trupi fillon të shpërbëjë dhe riciklojë qelizat e dëmtuara, duke përfshirë ato në sistemin imunitar. Autofagjia ndihmon në përmirësimin e funksionit të sistemit imunitar, duke hequr qelizat imune të vjetra ose të dëmtuara dhe duke i zëvendësuar ato me të reja, të shëndetshme.

    Agjërimi thuhet se ndihmon në përmirësimin e gjumit në disa mënyra. Agjërimi supozohet se zvogëlon nivelet e hormonit të stresit. Përveç kësaj, ndër përfitimet e agjërimit në Ramazan është se ndikon me një rritje të prodhimit të hormonit melatonin që nxit gjumin. Mund të ndihmojë gjithashtu në rregullimin e ritmeve cirkadiane, të cilat janë ciklet natyrale 24-orëshe që rregullojnë shumë procese fiziologjike në trup, duke përfshirë gjumin.

    Duke përafruar ritmet natyrale të trupit me ciklin gjumë-zgjim, agjërimi mund të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë dhe kohëzgjatjes së gjumit. Agjërimi është treguar se ul presionin e gjakut dhe promovon humbjen e peshës. Për më tepër, agjërimi thuhet se përmirëson ndjeshmërinë ndaj insulinës, e cila gjithashtu shoqërohet me presionin e ulët të gjakut.