ATV

Author: G.O.

  • “Marlboro, Winston, Sobranie…” – Policia kufitare sekuestron rreth një ton duhan që vinte me barkë nga Shqipëria

    “Marlboro, Winston, Sobranie…” – Policia kufitare sekuestron rreth një ton duhan që vinte me barkë nga Shqipëria

    Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë implementimit të Planit Operativ “Parandalimi i Kontrabandës në Brezin Kufitar”, më 16.02.2026 në orët e mbrëmjes, patrulla e policisë kufitare, SPMK Vërmicë, gjatë vëzhgimit të terrenit me pajisje nate, ka vërejtur një barkë në Liqenin e Vërmicës që lëvizte nga territori i Shqipërisë në drejtim të Republikës së Kosovës.

    Pas shkarkimit të mallit, personat e dyshuar që ndodheshin në barkë kanë vërejtur prezencën e Policisë dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të Shqipërisë.

    Për rastin është njoftuar menjëherë Policia Kufitare e Shqipërisë, me të cilën po vazhdon bashkëpunimi dhe koordinimi institucional.

    “Gjatë kontrollit të terrenit, njësitë policore kanë gjetur një rimorkio me mall të dyshuar si kontrabandë. Në vendngjarje është sekuestruar një sasi e konsiderueshme duhani i përpunuar në paketime prej 500 gramësh, si në vijim: Marlboro – 320 pako, Dunhill – 30 pako, Davidoff – 450 pako, Parliament – 150 pako, Winston – 150 pako, Sobranie – 350 pako, Pall Mall – 30 pako, Lucky Strike – 450 pako dhe Camel – 60 pako. Sasia e përgjithshme e duhanit të sekuestruar vlerësohet të jetë rreth 1,000 kilogramë”, thuhet në njoftim.

    Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka rekomanduar sekuestrimin e mallit dhe inicimin e rastit për veprën penale “Kontrabandë me mallra”. Rasti është duke u hetuar në bashkëpunim me Doganën e Kosovës.

    Policia e Kosovës ka shtuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave penale ndërkufitare.

     

  • Kurti: Dita e sotme është ditë përkujtimi për të gjithë ata që flijuan shumëçka e gjithçka për Republikën e Kosovës

    Kurti: Dita e sotme është ditë përkujtimi për të gjithë ata që flijuan shumëçka e gjithçka për Republikën e Kosovës

    Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe procesi gjyqësore në Hagë u përmendën si çështje qendrore në fjalimin e kryeministrit Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e 18-vjetorin e pavarësisë.

    Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e sakrificës së luftëtarëve dhe aktivistëve për krijimin e shtetit, duke e cilësuar Republikën si institucion të lirisë dhe sovranitetit, ndërsa foli edhe për akuzat ndaj ish-udhëheqësve të luftës.

    “Dita e sotme është ditë përkujtimi për të gjithë ata burra, gra e fëmijë që flijuan shumëçka e gjithçka për Republikën e Kosovës. Aktivistët e luftëtarët që u përpoqën për jetësimin e Republikës. Republika, në radhë të parë, është institucion i lirisë, shprehje e sovranitetit, mjet për zhvillim. Prandaj, kur bëhet fjalë për Republikën dhe sovranitetin, ne nuk mund të lëshojmë pe, sepse nuk bëjmë dot kompromis me lirinë dhe me zhvillimin. Ne i kujtojmë përfytyrimet dhe vizionet e parealizuara të aktivistëve edhe të luftëtarëve që e kanë dëshiruar Republikën, sepse pa sakrificën e tyre nuk do ta kishim shtetin tonë, dhe mu ato na frymëzojnë e na orientojnë për ta forcuar edhe më shumë atë”, tha ai.

    Kurti theksoi se akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë nuk qëndrojnë, dhe se ish-drejtuesit e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht, vetëm pse guxuan të marrin armët për liri.

    “Ne kujtojmë sot qëndresën paqësore të viteve të 90-ta dhe ne kujtojmë sot Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne përkulemi me nderim para dëshmorëve edhe përpiqemi që ta ruajmë e ta lartësojmë Republikën tonë edhe në emrin e tyre. Ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së Republikës, brengosemi që krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të Republikës së Kosovës po akuzohen padrejtësisht, sepse ata guxuan të marrin armët për liri, kundër shtypjes njëshekullore dhe kundër një regjimi gjenocidal. Akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë. Ato nuk morën parasysh kontekstin historik e politik të luftës sonë çlirimtare, secilës ia detyrojmë lirinë e sotme. Krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare ka kryer Serbia e Millosheviçit. Kërcënim për përsëritjen e tyre është sot Serbia e Vuçiqit. Barazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për ne”, tha ai.

    Më tej i pari i ekzekutivit tha se brazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm.

    “Barazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për ne. Republika nuk lëshon pe kur është çështja e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe demokracisë popullore. Demokracia është edhe burim, edhe shprehje e sovranitetit të Kosovës, ku përveç shqiptarëve, Kushtetuta jonë njeh serbët, turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët. Të gjithë janë pjesë e popullit të Kosovës dhe marrin pjesë në zgjedhje demokratike”, theksoi kryeministrit Kurti.

  • Haxhiu: UÇK-ja ishte ushtria mbrojtëse e një populli që kërkonte të jetonte i lirë në vendin e vet

    Haxhiu: UÇK-ja ishte ushtria mbrojtëse e një populli që kërkonte të jetonte i lirë në vendin e vet

    Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, tha se në themelin e Republikës qëndron Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj e drejtë për çlirim, duke shtuar se populli i Kosovës e përjeton si të padrejtë Gjykatën Speciale, raporton Ekonomia Online.

    “Në këtë ditë të rëndësishme e lartëson ajo që qëndron në themelin e Republikës sonë. Ajo që buroi nga populli. Që është sa mundësia edhe e vërteta e tij. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj e drejtë për çlirim. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për dinjitet dhe liri. Ajo ishte kundërpërgjigje në rrethanat e një okupimi të ashpër, kur dhuna sistematike ndaj popullit shqiptar po merrte përmasa shkatërruese. UÇK-ja ishte ushtria mbrojtëse e një populli që kërkonte të jetonte i lirë në vendin e vet, pa pasur synim shkatërrimin e askujt tjetër. Dhe çdo përpjekje për ta shkëputur këtë luftë nga konteksti i saj historik dhe politik rrezikon ta shtrembërojë të vërtetën e asaj kohe”, tha ajo.

    Haxhiu nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ku po mbahet seanca solemne në shënim të 18-vjetorit të Pavarësisë tha se lufta e UÇK-së nuk ishte agresion por rezistencë ndaj okupimit të shtypjes.

    “Aq shumë kishte besim në drejtësinë e luftës sonë, saqë bota demokratike asokohe intervenoi e më vonë edhe e mbështeti pavarësinë e vendit tonë. Ne i kujtojmë këto të vërteta sepse populli i Kosovës e përjeton si të padrejtë Gjykatën Speciale. Dhe këtë gjykim, së pari sepse anashkalon vetë rrethanat në të cilat u zhvillua lufta jonë çlirimtare. Lufta jonë nuk ishte agresion, por rezistencë ndaj okupimit e shtypjes, ndaj gjenocidit dhe spastrimit etnik. Luftë për të mbrojtur tokën tonë, pragun e shtëpisë, familjet, qytetarët civilë të paarmatosur në Kosovë. Institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo përpjekje për ta deformuar atë”, tha ajo.

  • Kuvendi i Prishtinës shënon 18-vjetorin e pavarësisë, kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

    Kuvendi i Prishtinës shënon 18-vjetorin e pavarësisë, kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

    Nën tingujt e himnit kombëtar, Kuvendi i Prishtinës mbajti një seancë solemne me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Gjatë kësaj seance u bë thirrje për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari Përparim Rama derisa përmendi rëndësinë e 17 shkurtit dhe kontributin e personaliteteve për liri kërkoi edhe drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

    “Agoi sot sërish 17 shkurti përmbi Kosovën tonë. I tetëmbëdhjeti qysh prej ditës kur shteti ynë po merr frymë me emrin e vet: Republika e Kosovës. Nuk është përvjetor jubilar. Megjithatë, 18-shi shënon atë pragun simbolik ku njeriu hyn në moshën madhore, e për analogji të natyrshme, edhe shtetin tonë sot etut je do ta shohim si një organizëm që po hyn në moshë të rritur, me përgjegjësi më të thella e me detyra të shtuara. 17 Shkurti nuk është thjesht datë kalendarike. Është vijë ndarëse mes epokave. Është përmbledhje sakrifice, qëndrese dhe besimi tonë kolektiv në shenjtërinë e lirisë. E kjo liri mban emra. Mban fytyra. Mban histori të gjalla. Ajo u ndërtu mbi sakrificën e të burgosurve politikë që mbajte ngjallë frymën e qëndresës në vitet ma të rënda. U forcua përmes vizionit paqësor e shtetformues të Ibrahim Rugovës. U vulos me gjakun e luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u kurorëzua me partneritetin ndërkombëtar që e shndërroi të drejtën tonë në realitet shtetëror. Sot, në të njëjtën datë që kremtojmë pavarësinë, kryeqyteti bëhet edhe zëri që brohoret për ata që mbi shpinën e tyre bartën barrën më të rëndë të rrugës drejt lirisë. Procesi gjyqësor në Hagë kundrejt katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare tashmë po hyn në fazën përmbyllëse. Nesër pritet fjala e tyre përfundimtare përpara trupit gjykues, para se drejtësia të tërhiqet për vendim. Do të jenë fjalë që mbartin peshën e jetës së tyre, por edhe të luftës sonë; peshën e të ardhmes së tyre, por edhe të ardhme sonë. Dhe kjo, këtë 17 Shkurt e bën kaq të veçantë. Prandaj sot, si përfaqësues të Kryeqytetit, kemi detyrë me folë qartë e me thënë: Ne kërkojmë drejtësi. Drejtësi të pastër. Drejtësi të mbështetur mbi prova të paluhatshme. Sepse drejtësia që ndërtohet mbi hamendje nuk i shërben askujt. Kurse drejtësia qëpërzihet me politikë e humb busullën e saj“, tha Rama.

    Rama gjithashtu bëri thirrje që të marrin pjesë qytetarët në protestën që do të mbahet sot nga ora 14:00.

    “Prandaj ju ftoj që mbas pak t’i bashkohemi paradës që shënon moshën e pjekurisë së Kosovës tonë si shtet i pavarur, kurse në orën 14:00 sonte, të dëshmojmë pjekurinë tonë si shtetas, kur qytetarët e krejt Kosovës e më gjerë do të mblidhen nën thirrjen “Drejtësi, jo politikë”, në protestën e organizuar nga platforma “Liria ka emër”. Ky është zë qytetar. Zë dinjiteti. Zë i ndërgjegjes kombëtare. Prania jonë aty i jep protestës njëkohësisht kuptim institucional. Sepse asambletë komunale përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve. Sepse kryeqyteti flet kur përfaqësuesit e tij qëndrojnë pranë atyre që e hapën rrugën e lirisë. Sepse shteti i moshës madhore matet edhe me mënyrën se si rreshtohet përballë atyre që e ndërtuan“, theksoi tutje Rama.

    Ndërsa kryesuesi i Kuvendit, Fehmi Kupina veçoi historinë e vendit dhe kontributin e UÇK-së.

    “Sot më 17 shkurt, nuk kemi ardhë vetëm për të festuar. Kemi ardhë për të kujtuar, për t’u përulur dhe për të dëshmuar se liria e Kosovës ka emër, ka histori dhe ka çmim. Sot nderojmë ditën kur një popull i vogël në numër, por i madh në qëndresë, i dha botës se Kosova është e lirë dhe do të jetë e lirë përgjithmonë. Pavarësia e Kosovës nuk lindi brenda një nate. Ajo u ndërtua me dekada vuajtje, me shekuj sakrifice, me persekutim dhe maltretim në burgje, me varre pa emër, me nëna që pritën bijtë e tyre dhe me fëmijë që u rritën pa baballarë, por kurrë nuk humbën shpresën. Që nga viti 1912, kur ushtria serbe pushtoi Kosovën, mbi popullin shqiptar u ushtrua dhunë sistematike. Fshatrat u dogjën, familje u masakruan, njerëzit u dëbuan nga shtëpitë e tyre vetëm sepse ishin shqiptarë. U tentua të fshihej gjuha, kultura jonë, ekzistenca jonë. Por ajo nuk arriti kurrë të shuhet; ishte vullneti për liri. Pas Luftës së Dytë Botërore, pas vitit 1945, represioni vazhdoi nën një tjetër formë. Regjimi sllavo-komunist mbolli frikë, burgosi mendimin e lirë dhe ndëshkoi çdo zë që kërkonte barazi. Burgjet politike u mbushën me shqiptarë që nuk pranuan të nënshtrohen. Ata u dënuan jo për faj, por për bindje. Të burgosurit politikë janë ndërgjegjja më e pastër e këtij shteti. Ata mbajtën gjallë idenë e Kosovës së lirë, kur shpresa dukej e pamundur. Në kohën më të rëndë të Kosovës, patëm edhe një udhërrëfyes të madh: Presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova, i cili i dha popullit tonë besim, qetësi dhe vizion. Me durim dhe me urtësi, ai e bëri çështjen e Kosovës pjesë të ndërgjegjes ndërkombëtare dhe shndërroi kërkesat tona për liri në kauza morale të botës demokratike. Ai na mësoi se edhe paqja është formë rezistence për shtigje të lirisë. Por erdhi edhe momenti kur paqja u përball me shfarosje. Kur fjala nuk mjaftonte më, atëherë liria kërkonte sakrificë më të madhe. Ushtria Çlirimtare e Kosovës u ngrit si domosdoshmëri historike. Ajo u bë zëri i atyre që nuk kishin më ku të drejtoheshin“, tha Kupina.

  • Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, Begaj: Sot është një ditë e madhe, Shqipëria është me UÇK-në dhe komandantët e saj

    Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, Begaj: Sot është një ditë e madhe, Shqipëria është me UÇK-në dhe komandantët e saj

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se ky përvjetor i 18-të i pavarësisë është dëshmia që Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, raporton Ekonomia Online.

    Ai në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, ku u mbajt seanca solemne në 18 vjetorin e pavarësisë, tha se Kosova ecën drejt së ardhmes, duke mos harruar themelet mbi të cilat u ndërtua, e ku theksoi se Shqipëria është me UÇK-në dhe komandantët e saj.

    “Sot Kosova mbush 18 vjeç; në jetën e një njeriu kjo është mosha e pjekurisë. Momenti kur ëndrrat e fëmijërisë marrin formën e përgjegjësisë. Në jetën e një shteti, ky përvjetor është dëshmia se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran. Kosova ishte vendi ku liria vritej; sot është vendi ku liria funksionon, ku liria frymëzon. Kosova e sotshme është një shtet i ri në vite, por me rrënjë të thella sakrificash, kontributesh dhe meritash. Ecën me hapa të sigurt drejt të ardhmes, pa harruar kurrë themelet mbi të cilat u ndërtua”, tha Begaj.

    Ai ka theksuar se historia e Kosovës nuk mund të kuptohet pa kontributin e ish-drejtuesve të luftës, duke përmendur proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë si sfidë aktuale për ish-udhëheqësit dhe për narrativën historike të luftës.

    “Në këtë përvjetor, mendimi ynë shkon tek ata që nuk janë fizikisht mes nesh. Në zemrat tona janë dëshmorët e lirisë aty ku ata prehen. Por sot, mendimi ynë është edhe me ata që po përballen me një betejë të vështirë, të padrejtë dhe vendimtare në Hagë. Historia e Republikës së Kosovës nuk mund të kuptohet dhe as të shkruhet pa emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre. Ata që dje udhëhoqën popullin drejt lirisë, sot po përballen padrejtësisht me akuza të montuara në gjykatën ndërkombëtare, duke na bërë të gjithëve të ndihemi të fyer, të paragjykuar dhe të akuzuar. Ata, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të gjithë të tjerët që morën armët për të kërkuar lirinë për atdheun e tyre, lirinë për familjet e tyre, për tokën e tyre, gjuhën e tyre, të drejtat e tyre, janë siç kanë qenë e do të jenë gjithmonë, kudo, kurdo e në çdo kohë, simbole të lirisë. Ata janë memorie shtetërore e kombëtare. E vërteta nuk mund të tjetërsohet dhe historia nuk mund të rishkruhet e as ndryshohet, sepse liria ka emër, liria meriton respekt, liria meriton drejtësi, liria meriton mirënjohje. Republika e Shqipërisë është me UÇK-në”, tha ai.

  • Grupi Volkswagen synon ulje “masive” të kostove

    Grupi Volkswagen synon ulje “masive” të kostove

    Grupi Volkswagen mund të ketë zbatuar tashmë një strategji për uljen e kostove, por me sa duket nuk është e mjaftueshme.

    Pavarësisht kursimit të një shume të paspecifikuar në rangun dyshifror prej miliarda eurosh, sipas një zëdhënësi të kompanisë, tani duhet të shkurtojë edhe më shumë.

    Një raport i ri nga Gjermania pohon se konglomerati i automobilave po kërkon të ulë kostot me një të pestën, transmeton Telegrafi.

    Manager Magazin pretendon se drejtuesit e lartë të grupit VW morën pjesë në një takim në Berlin muajin e kaluar, gjatë të cilit CEO Oliver Blume dhe CFO Arno Antlitz përshkruan një agjendë “masive” për uljen e kostove.

    Plani thuhet se kërkon uljen e shpenzimeve deri në 20 përqind në të gjitha markat deri në fund të vitit 2028. Spiegel shton se kompania synon të kursejë afërsisht 60 miliardë euro.

    Nuk është e qartë se si grupi VW synon të kursejë një shumë kaq të konsiderueshme në një afat kohor relativisht të shkurtër.

    Megjithatë, Manager Magazin sugjeron se një skenar më i keq është i mundur: mbyllja e fabrikave.

    Raporti pretendon se drejtuesit e lartë në Wolfsburg nuk po e përjashtojnë mbylljen e fabrikave shtesë pas përfundimit të prodhimit të makinave në vendin e Dresdenit dhjetorin e kaluar.

    “Fabrika transparente”, ku Phaeton dikur doli nga linja e montimit, u bë fabrika e parë gjermane e kompanisë që u mbyll në 88 vjet pas përfundimit të prodhimit të ID.3.

    Sa i përket arsyes pse Grupi VW duhet të ulë kostot edhe më tej, disa faktorë janë në lojë. Shitjet në Kinë vazhdojnë të bien, duke rënë tetë përqind vitin e kaluar në 2.69 milion automjete.

    Ndërsa rënia nga viti në vit mund të mos duket dramatike, një vështrim më i gjerë i rezultateve të mëparshme tregon një histori tjetër.

    Në vitin 2019, dërgesat e grupit VW në Kinë arritën në 4.23 milion njësi, që do të thotë se kërkesa vjetore ka rënë me 1.5 milion automjete, ose afërsisht 36 përqind, në vetëm gjashtë vjet.

    Dhe nuk është vetëm Kina. Tarifat në Shtetet e Bashkuara po peshojnë gjithashtu në rezultatin financiar të grupit VW, së bashku me konkurrencën në rritje në të gjithë sektorin global të automobilave.

    Sipas Manager Magazin, këta tre faktorë po nxisin shtytjen për ulje më të thella të kostove, megjithëse asgjë nuk është konfirmuar zyrtarisht.

    Do të mësojmë më shumë më 10 mars, kur Oliver Blume pritet të japë detaje shtesë gjatë prezantimit vjetor të rezultateve të grupit VW.

    Në vitin 2025, shitjet globale ranë me 0.5 përqind në 8,983,900 njësi, duke i lejuar Toyota-s të mbetet prodhuesi më i shitur i makinave në botë për të gjashtin vit radhazi.

    Konglomerati japonez shiti 11,322,575 automjete në vitin 2025, duke përfshirë ato nga degët e tij Lexus, Daihatsu dhe Hino. /Telegrafi/

  • Presidentja e Maqedonisë së Veriut uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë

    Presidentja e Maqedonisë së Veriut uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë

    Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, përcjelli një mesazh urimi për Kosovën me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

    Ajo shprehi mbështetjen dhe vlerësimin për shtetin e Kosovës, duke i dëshiruar zhvillim të qëndrueshëm dhe qetësi institucionale.

    “Urime 18 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ju uroj stabilitet dhe prosperitet. Si vende mike, ne ushqejmë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe punojmë drejt përmbushjes së vizionit tonë të përbashkët për integrimin evropian të rajonit. Pres me padurim thellimin dhe forcimin e mëtejshëm të partneritetit tonë në interes të qytetarëve tanë”, shkroi ajo.

    Siljanovska-Davkova theksoi se raportet mes dy vendeve mbeten në frymë bashkëpunimi, me synim avancimin e agjendës evropiane dhe forcimin e lidhjeve në dobi të qytetarëve në të dy anët e kufirit.

  • Ambasada e Gjermanisë uron Pavarësinë e Kosovës: Krenare për partneritetin tonë të fortë

    Ambasada e Gjermanisë uron Pavarësinë e Kosovës: Krenare për partneritetin tonë të fortë

    Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së vendit.

    Përmes një postimi në Facebook, ambasada thekson se Gjermania është krenare që ka partneritet të fortë me Kosovën, të ndërtuar shumë kohë para pavarësisë dhe të forcuar çdo ditë që atëherë.

    “Nga Gjermania në Prishtina dhe Kosova në Berlin, sot festojmë së bashku. Gjermania dhe Kosova janë të bashkuara nga demokracia, liria dhe respekti i ndërsjellë. Si një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, Gjermania është krenare për partneritetin tonë të fortë dhe të qëndrueshëm — të ndërtuar shumë kohë para pavarësisë dhe të forcuar çdo ditë që atëherë”, thuhet në njoftim.

    “Gati 600,000 kosovarë që jetojnë në Gjermani e mbajnë lidhjen midis vendeve tona të gjallë dhe të gjallë. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeç, Kosova është një histori e vërtetë suksesi. Le të vazhdojmë të shkruajmë kapitullin tjetër të një të ardhmeje të ndritur të përbashkët. Gëzuar Ditën e Pavarësisë!”.

  • Presidenti gjerman uron Kosovën, përmend transferin e pushtetit në veri, pret “hapa tjerë konstruktivë” dhe angazhim  të vendosur në dialog

    Presidenti gjerman uron Kosovën, përmend transferin e pushtetit në veri, pret “hapa tjerë konstruktivë” dhe angazhim të vendosur në dialog

    Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë, duke përgëzuar progresin e vendit dhe duke shprehur shpresën për hapa të mëtejshëm konstruktivë, përfshirë zgjedhjet në veri dhe transferin e pushtetit te kryetarët e rinj.

    Steinmeier konfirmon se Gjermania do të mbështesë edhe në të ardhmen Kosovën.

    Derisa shpreson edhe për hapa të tjerë “konstruktivë” në të ardhmen, kur përmend zgjedhjet në veri dhe transferin e pushtetit te kryetarët e rinj.

  • Tre të vdekur dhe disa të plagosur pas të shtënave me armë gjatë një ndeshjeje hokeji në Rhode Island

    Tre të vdekur dhe disa të plagosur pas të shtënave me armë gjatë një ndeshjeje hokeji në Rhode Island

    Të paktën tre persona kanë vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur rëndë pas të shtënave me armë gjatë një ndeshjeje hokeji mes shkollave të mesme, të hënën pasdite në një arenë akulli në Pawtucket, Rhode Island, sipas njoftimit të policisë.

    Shefja e Policisë, Tina Goncalves, tha se i dyshuari është një nga viktimat.

    “Po i bashkojmë të gjitha pjesët e ngjarjes”, tha ajo, duke shtuar se një nga viktimat ndërroi jetë në arenën Dennis M. Lynch Arena, ndërsa një tjetër vdiq më vonë në spital si pasojë e plagëve të marra.

    Sipas saj, autori i dyshuar dyshohet se ka vdekur nga një plagë me armë zjarri e vetëshkaktuar.

    Goncalves theksoi se ngjarja duket të ketë qenë e shënjestruar dhe mund të jetë e lidhur me një mosmarrëveshje familjare, por pa dhënë detaje të tjera, raporton The Guardian.

    Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë edhe agjentë federalë nga ATF dhe FBI, për të ndihmuar autoritetet shtetërore dhe lokale në hetime.

    Sipas mediave lokale, të shtënat ndodhën gjatë një ndeshjeje të hokejit për djem, ku merrnin pjesë nxënës nga disa shkolla të zonës. Kryetari i Pawtucket, Don Grebien, konfirmoi se në arenë po zhvillohej një aktivitet sportiv me pjesëmarrje të gjerë të komunitetit.

    Gazeta lokale The Providence Journal raportoi se një video nga transmetimi i drejtpërdrejtë i ndeshjes ka kapur zërin e rreth 13 të shtënave të njëpasnjëshme, duke shkaktuar panik mes lojtarëve dhe spektatorëve që u larguan me nxitim nga arena.

    Një nga prindërit e lojtarëve, Melissa Dunn, rrëfeu momentet e panikut. Ajo tha se fillimisht menduan se zhurmat vinin nga patinat e lojtarëve që godisnin tabelat anësore të fushës. “Nuk e kupton menjëherë çfarë po ndodh. Dëgjon vetëm zhurma të forta”, tha ajo. Sipas saj, ajo bërtiti që djali i saj të shtrihej në tokë para se ai dhe lojtarët e tjerë të largoheshin drejt zhveshtoreve.

    “Vrapuam jashtë… Mendimi i parë është: ku është fëmija im?”, tha Dunn, duke shtuar se kur u kthye brenda, pa ekipet e emergjencës duke kryer reanimim në tribunë një skenë që e përshkroi si tronditëse.

    Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.