ATV

Author: G.O.

  • Somalia i dërgon letër urimi presidentës për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Somalia i dërgon letër urimi presidentës për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Republikës Federale të Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

    Kjo është bërë e ditur përmes njoftimi nga Presidenca e Kosovës, ku në letrën e urimit, Presidenti Mohamud ka vlerësuar këtë përvjetor si një moment me domethënie të veçantë për vendin, duke e ndërlidhur me qëndrueshmërinë e treguar ndër vite dhe orientimin e palëkundur drejt forcimit të sovranitetit, rendit demokratik dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

    “Ai ka vlerësuar progresin e arritur nga Kosova nën udhëheqjen e Presidentes Osmani, duke shprehur njëkohësisht besimin se vendi do të vazhdojë të forcohet dhe zhvillohet”, thuhet tutje.

    Presidenti somalez gjithashtu nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kosovës dhe Somalisë dhe gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, në shërbim të qytetarëve të të dy vendeve.

  • 11 të vrarë në 3 sulme ajrore amerikane ndaj anijeve të narkotrafikimit në Paqësor dhe Karaibe

    11 të vrarë në 3 sulme ajrore amerikane ndaj anijeve të narkotrafikimit në Paqësor dhe Karaibe

    Forcat amerikane kanë vrarë 11 persona në tre sulme që synonin anijet në Paqësorin Lindor dhe Karaibe, njoftoi të martën Komanda Jugore e SHBA-së (SOUTHCOM).

    “Task Forca e Përbashkët Southern Spear kreu tre sulme kinetike vdekjeprurëse ndaj tre anijeve të operuara nga organizata të caktuara terroriste”, tha SOUTHCOM të hënën në llogarinë e saj në X, duke theksuar se operacionet u drejtuan nga komandanti i SOUTHCOM, gjenerali Francis Donovan.

    Sipas komandës, inteligjenca konfirmoi se anijet po udhëtonin përgjatë “rrugëve të njohura të trafikut të drogës dhe ishin të përfshira në operacione të trafikut të drogës”.

    Katër persona u vranë në secilën nga dy anijet e para në Paqësorin Lindor, ndërsa tre të tjerë u vranë në një anije të tretë në Karaibe.

    Asnjë personel amerikan nuk u lëndua gjatë këtyre operacioneve, sipas deklaratës së SOUTHCOM.

  • Mbi 130 mijë qytetarë morën pjesë në marshin “Drejtësi, jo politikë”

    Mbi 130 mijë qytetarë morën pjesë në marshin “Drejtësi, jo politikë”

    Platforma “Liria Ka Emër” ka njoftuar se mbi 130 mijë qytetarë kanë marrë pjesë në marshin “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje të ish-katërshes së UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    Sipas kësaj platforme, kjo shifër vjen nga vlerësimet e bëra në terren, duke e bërë marshin mobilizimin më të madh në historinë e Kosovës së lirë.

    “Sheshi dhe rrugët kryesore të Prishtinës u mbushën me qytetarë nga të gjitha komunat, nga rajoni dhe diaspora. Pavarësisht motit të pafavorshëm dhe vështirësive në trafik, pjesëmarrja masive dëshmoi për përmasat e mobilizimit dhe mesazhin e qartë për drejtësi”, thuhet në njoftim.

    Në njoftim gjithashtu falënderohen të gjithë qytetarët për kontributin në këtë marsh, i cili u cilësua si moment historik i solidaritetit dhe qëndresës qytetare.

  • Presidenti kroat uron Kosovën për përvjetorin e Pavarsisë: Thekson mbështetjen për integrim në BE e NATO

    Presidenti kroat uron Kosovën për përvjetorin e Pavarsisë: Thekson mbështetjen për integrim në BE e NATO

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një letër urimi nga Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

    Në mesazhin e tij, Milanoviq thekson marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi do të vazhdojë të forcohet në të mirë të qytetarëve të të dy vendeve.

    Ai po ashtu ka riafirmuar mbështetjen e Kroacisë për integrimin e Kosovës në Bashkimi Evropian, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

  • Takimi me Begajn, Kurti: Biseduam për ta thelluar edhe më tej raportin ndërshtetëror

    Takimi me Begajn, Kurti: Biseduam për ta thelluar edhe më tej raportin ndërshtetëror

    Në ditën e shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në një takim që theksoi lidhjet e ngushta dhe bashkëpunimin midis dy vendeve.

    Gjatë takimit, presidenti Begaj shprehu urimet e tij më të përzemërta për popullin dhe shtetin e Kosovës për 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

    Ndërkaq, kryeministri Kurti mori urimet për mandatin e tij të ri dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e aspiratave të popullit të Kosovës për mirëqenie e begati, si dhe në realizimin e objektivave të qeverisë.

    Bashkë biseduan për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet në vend dhe në rajon, si dhe për rezultatet e marrëveshjeve të deritashme ndërqeveritare, teksa ritheksuan vullnetin e dyanshëm për të zgjeruar edhe më shumë sektorët e bashkëpunimit dhe për të thelluar raportin ndërshtetëror.

    Kryeministri Kurti falënderoi presidentin Begaj për urimet, për vizitën në Kosovë dhe për takimin në Kryeministri, duke u bërë kështu presidenti i parë që e mirëpret në zyrën e tij në këtë mandat të ri.

  • Nisin bisedimet trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe ShBA-së në Gjenevë

    Nisin bisedimet trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe ShBA-së në Gjenevë

    Raundi i tretë i bisedimeve trepalëshe midis Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së ka filluar në Gjenevë të Zvicrës, ndërsa palët përpiqen të përparojnë përpjekjet diplomatike për të vendosur një armëpushim.

    Negociatat vijnë një javë para përvjetorit të katërt të luftës Rusi-Ukrainë, me konfliktin e armatosur që është ende duke u zhvilluar.

    Delegacioni rus kryesohet nga ndihmësi presidencial Vladimir Medinsky, duke shënuar një ndryshim nga zyrtarët e lartë ushtarakë që udhëhoqën raundet e mëparshme në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se bisedimet do të mbulojnë një “gamë më të gjerë çështjesh”, duke përfshirë “çështjet kryesore që kanë të bëjnë me territoret”.

    Ekipi i Ukrainës drejtohet nga Rustem Umerov, sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, dhe përfshin zyrtarë të lartë politikë dhe të sigurisë.

    “Ne kemi një kornizë pune të dakordësuar nga Presidenti i Ukrainës dhe një mandat të qartë. Çështjet e sigurisë dhe ato humanitare janë në axhendë”, tha Umerov në Telegram, duke postuar një fotografi të delegacioneve ruse, ukrainase dhe amerikane.

    Zyrtarët ukrainas pritet të shtyjnë përpara një armëpushim energjetik dhe të sqarojnë se si do të funksionojë një mekanizëm monitorimi nëse arrihet një armëpushim.

    Ndërkohë, Zelensky paralajmëroi përpara takimit se Rusia mund të jetë duke përgatitur një tjetër “sulm masiv”, duke argumentuar se presioni ushtarak nuk është lehtësuar edhe pse negociatat rifillojnë.

    Bisedimet do të zhvillohen me dyer të mbyllura, sipas Peskov, dhe nuk pritet ndonjë deklaratë e menjëhershme për median.

  • OVL-UÇK: Ftojmë Specialen t’i numërojë e t’i marrë parasysh këta zëra kundërshtues

    OVL-UÇK: Ftojmë Specialen t’i numërojë e t’i marrë parasysh këta zëra kundërshtues

    Sot në Prishtinë është mbajtur Marshi për Drejtësi në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

    Lidhur me këtë, ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

    OVL-UÇK ka falënderuar pjesëmarrësit dhe ka kërkuar nga Gjykata Speciale që t’i marrë parasysh “gjithë këta zëra kundërshtues”.

    “Ftojmë Gjykatën Speciale t’i numërojë dhe t’i marrë parasysh të gjithë këta zëra kundërshtues. FALEMINDERIT, SHQIPATRË!”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK.

  • “LIRIA KA EMËR” publikon pamje nga droni, numër masiv i protestuesve

    “LIRIA KA EMËR” publikon pamje nga droni, numër masiv i protestuesve

    Platforma “LIRIA KA EMËR” ka publikuar pamje nga droni gjatë marshit protestuesit në nder të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në Hagë.

    Në bazë të pamjeve, shihet se pjesëmarrës ishin qindra mijëra qytetarë.

    “Kosovë – TË DUA! LIRI për ÇLIRIMTARËT! Faleminderit nga zemra secilit”, thuhet në postimin e platformës “LIRIA KA EMËR”.

    Para pak çastesh ka përfunduar marshi “Drejtësi, jo politikë” në sheshin e Prishtinës.

  • Prattipati mori pjesë në festimet e Ditës së Pavarësisë, ambasada del me njoftim

    Prattipati mori pjesë në festimet e Ditës së Pavarësisë, ambasada del me njoftim

    E ngarkuara me punë e ambasadës amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, mori pjesë në festimet për 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

    Për pjesëmarrjen e saj njoftoi ambasada amerikane, duke uruar Ditën e Pavarësisë.

    “E ngarkuara me punë Anu Prattipati iu bashkua liderëve të Kosovës në festimin e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Urimë Dita e Pavarësisë Kosovë!”, shkroi ambasada.

    Më herët, ambasada shpërndau edhe urimin e Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio.

  • Rama ndan foto me djalin e Thaçit: Të bashkuar për drejtësi, shtet e për kombin tonë

    Rama ndan foto me djalin e Thaçit: Të bashkuar për drejtësi, shtet e për kombin tonë

    Në marshin për drejtësi në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë bëri bashkë shqiptarinë.

    Qytetarë, ushtarë, politikanë nga vendi e rajoni, u mblodhën në sheshin kryesor të Prishtinës.

    Nga kjo protestë ka ndarë foto kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ishte sot krah djalit të ish-presidentit.

    ‘’Të bashkuar si NJË, për drejtësi, për shtet për kombin tonë ’’, ka shkruar ai.