ATV

Author: G.O.

  • Bill Clinton pyetet për foton në vaskë me ujë të ngrohtë, thotë se nuk dinte “asgjë” për krimet e Jeffrey Epstein

    Bill Clinton pyetet për foton në vaskë me ujë të ngrohtë, thotë se nuk dinte “asgjë” për krimet e Jeffrey Epstein

    Bill Clinton i tha një paneli të Kongresit se “nuk pa asgjë” dhe “nuk bëri asgjë të gabuar” në lidhje me të ndjerin, të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.

    Seanca dëgjimore që zgjati gjithë ditën, me dyer të mbyllura në Nju Jork, përfshiu pyetje drejtuar ish-presidentit lidhur me përfshirjen e tij në dosje të sapopublikuara që lidhen me financierin, përfshirë edhe një fotografi ku ai shfaqet me një person të paidentifikuar në një vaskë me ujë të ngrohtë, raporton BBC, transmeton Gazeta Express.

    Dëshmia e tij erdhi një ditë pasi bashkëshortja e tij, ish-Sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Hillary Clinton, i tha komitetit se edhe ajo “nuk kishte asnjë ide” për krimet e Epstein.

    Të qenit i përmendur në dosje nuk përbën tregues për keqbërje, dhe asnjëri prej Clinton-ëve nuk është akuzuar për sjellje të pahijshme nga të mbijetuarit e Epstein-it që kanë dalë publikisht deri më tani.

    Clinton tha se do t’i kishte ndërprerë marrëdhëniet me Epstein-in dhe nuk do të kishte fluturuar kurrë me avionin e tij nëse “do të kishte pasur ndonjë dyshim për atë që ai po bënte”.

    “Do ta kisha denoncuar vetë,” tha ai në deklaratën hapëse të publikuar përpara dëshmisë së tij.

    Pas dëshmisë në Nju Jork, ai publikoi një video që në thelb përsëriste deklaratën e tij hapëse, duke thënë se nuk kishte dijeni për krimet e Epstein-it “pavarësisht sa fotografi tregojnë me mua”.

    “Kur të publikohet videoja e dëshmisë sime sot, shpresoj që do të motivojë këdo të paraqitet përpara Kongresit për të thënë atë që di,” tha Clinton. “Shpresoj që do të motivojë Departamentin e Drejtësisë që më në fund të publikojë të gjitha dosjet dhe të sigurojë që kjo të mos ndodhë më kurrë. Të mbijetuarit e meritojnë këtë.”

    Si ai ashtu edhe bashkëshortja e tij kishin kundërshtuar më parë thirrjet me detyrim nga paneli, duke i cilësuar si të motivuara politikisht, përpara se të pranonin të dëshmonin përpara Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa mbi ta rëndonin procedura të mundshme për shpërfillje të Kongresit.

    Kur u pyet për fotografinë që e tregonte ish-presidentin duke pushuar në një vaskë me ujë të ngrohtë me një person që dukej si grua – fytyra e së cilës është nxirë për të mbrojtur identitetin – Clinton u tha ligjvënësve se nuk e njihte atë. Kur u pyet nëse kishte pasur marrëdhënie seksuale me gruan, ai tha se jo, sipas një burimi për BBC-në.

    Ndryshe nga bashkëshortja e tij, Clinton nuk doli të fliste me gazetarët pasi përfundoi dëshmia e tij.

  • Izraeli sulmon Iranin në koordinim me ShBA-në

    Izraeli sulmon Iranin në koordinim me ShBA-në

    Izraeli ka nisur atë që e ka quajtur “sulm parandalues” kundër Iranit. Sulmi duket se ndodhi pranë zyrave të liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, derisa raportohet se Izraeli shënjestroi raketat balistike dhe lëshuesit e raketave, të cilat i ka parë si një kërcënim serioz nga Irani, raportoi AP.

    Në një deklaratë mëngjesin e së shtunës, ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka shpallur një “gjendje të jashtëzakonshme të veçantë” në të gjithë Izraelin.

    Nuk ishte menjëherë e qartë nëse 86-vjeçari Khamenei kishte qenë në zyrat e tij në kohën e sulmit. Ai nuk është parë publikisht prej ditësh, ndërsa tensionet me Shtetet e Bashkuara janë rritur. Por sulmi vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë mbledhur një flotë të madhe avionësh luftarakë dhe anijesh luftarake në rajon për të provuar të ushtrojnë presion mbi Iranin për një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor.

    Shpërthime janë dëgjuar nëpër Teheran.

    Nuk dihet ende nëse Irani do të kundërpërgjigjet menjëherë, por ai ka paralajmëruar se personeli ushtarak amerikan dhe bazat e tij të shpërndara në të gjithë rajonin do të ishin shënjestra të çdo hakmarrjeje.

    Sulmi i Izraelit ndaj Iranit të shtunën ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara, ka deklaruar një burim izraelit për CNN-in.

  • Arrestohet Aco Gjukanoviq, vëllai i ish-presidentit të Malit të Zi

    Arrestohet Aco Gjukanoviq, vëllai i ish-presidentit të Malit të Zi

    Policia ka arrestuar sot në mëngjes Aco Gjukanoviqin, vëllain e ish-presidentit të Malit te Zi, Milo Gjukanoviq.

    Arrestimi është kryer pas kontrolleve të djeshme në pronat e tij në vendbanimin Rastoci në Nikshiq dhe në Podgoricë. RTCG thotë arrestimi është konfirmuar ndërsa pritet njoftimi i Drejtorisë së Policisë për aksionin.

    Gjatë ditës së djeshme policia ka rrethuar ndërtesën në qendër të Podgoricës ku jeton Aco Gjukanoviq. Bastisjet aty raportohet se kanë përfunduar rreth orës 19:00.

    Objekti në fjalë ndodhet në rrugën “Vuk Karadžić”, ku janë edhe zyrat e “Prva Banka” në të cilën Aco Gjukanoviq është aksionari më i madh.

    Televizioni malazez ka njoftuar se bastisjet dhe arrestimi janë kryer me urdhër të Prokurorisë Themelore të Shtetit në Podgoricë.

  • Trump konfirmon sulmet amerikane në Iran

    Trump konfirmon sulmet amerikane në Iran

    Presidenti amerikan, Donald Trump ka konfirmuar se ushtria amerikane ka nisur sulme në Iran.

    Përmes një postimi në rrjetin social, Truth Social, ai ka thënë se “pak kohë më parë, Shtetet e Bashkuara kanë nisur operacione të mëdha luftarake në Iran”.

    “Ushtria e Shteteve të Bashkuara po ndërmerr një operacion masiv dhe të vazhdueshëm për të parandaluar që kjo diktaturë shumë e ligë dhe radikale të kërcënojë Amerikën dhe interesat tona thelbësore të sigurisë kombëtare”, ka deklaruar ai.

    “Ne do t’i shkatërrojmë raketat e tyre dhe do ta rrafshojmë industrinë e tyre të raketave”.

    Më herët dy zyrtarë amerikanë thanë për CNN-in se SHBA-ja po kryen sulme kundër Iranit. Një zyrtar tha se sulmet janë në vazhdim, duke i përshkruar ato si “një sulm jo i vogël”.

    Mediat e huaja paraprakisht raportuan sipas burimeve se sulmi i Izraelit ndaj Iranit të shtunën ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara.

    Izraeli nisi atë që e ka quajtur “sulm parandalues” kundër Iranit mëngjesin e së shtunës. Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka shpallur një “gjendje të jashtëzakonshme të veçantë” në të gjithë Izraelin.

  • Tramvaji del nga shinat në Milano, një i vdekur dhe të paktën 40 të plagosur

    Tramvaji del nga shinat në Milano, një i vdekur dhe të paktën 40 të plagosur

    Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të premteje, në Milano, ku një tramvaj ka dalë nga shinat dhe është përplasur me një pallat, duke lënë një person të vdekur dhe të paktën 40 të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00, më 27 shkurt, në zonën e Vittorio Veneto. Sipas dëshmitarëve, tramvaji po ecte shumë shpejt dhe menjëherë u kuptua se diçka nuk ishte në rregull.

    Në pikën ku ndodhet një devijim i shinave që lejon kthesën majtas, tramvaji, që teorikisht duhej të vazhdonte drejt, ka marrë kthesën. Për shkak të shpejtësisë së lartë, ai ka dalë nga shinat dhe është përplasur me pallatin në cep të rrugës, duke rrëzuar edhe semaforin dhe duke shkatërruar vitrinën e një restoranti.

    Sipas disa burimeve, disa persona kanë mbetur të bllokuar poshtë tramvajit. Ende nuk është e qartë nëse ata po kalonin rrugën dhe makinisti ka tentuar një frenim të menjëhershëm apo një manovër të papritur për t’i shmangur.

    Në vendngjarje kanë mbërritur dhjetëra mjete të emergjencës dhe forca policie, ndërsa zona është izoluar për hetime.

  • ‘‘Foto e ditës’’, Taulant Balla pret në takim veteranët e UÇK-së

    ‘‘Foto e ditës’’, Taulant Balla pret në takim veteranët e UÇK-së

    Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka njoftuar se ka pritur në takim veteranët e UÇK-së priten në Kuvendin e Shqipërisë.

    Në fotografitë e shpërndara nga Balla shihet se veteranët i kanë dhuruar fotografinë e Hashim Thaçit.

    Ndërkaq krahas postimit, Balla ka shkruar: Fotot e Ditës.

  • Epopeja e UÇK-së: Publikohet agjenda e aktiviteteve për 5, 6 dhe 7 mars

    Epopeja e UÇK-së: Publikohet agjenda e aktiviteteve për 5, 6 dhe 7 mars

    Institucionet e Republikës së Kosovës kanë publikuar agjendën zyrtare të aktiviteteve për shënimin e Epopesë së UÇK-së, që do të zhvillohen më 5, 6 dhe 7 mars në disa qytete të vendit.

    Aktivitetet përfshijnë mbledhje solemne, homazhe, ekspozita, aktivitete sportive dhe programe artistike, në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ministria e Mbrojtjes fton qytetarët që të marrin pjesë në aktivitetet përkujtimore dhe festive sipas agjendës zyrtare.

    Le të bashkohemi për të nderuar sakrificën e dëshmorëve dhe për të festuar me dinjitet vlerat e lirisë” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

    Agjenda e 5 marsit

    Epopeja nis më 5 mars në orën 08:00, kur ora e parë mësimore në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës do t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së.

    Në orën 09:00 mbahet mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa në orën 10:00 do të zhvillohen seanca solemne në kuvendet komunale.

    Në mesditë, në orën 12:00, do të bëhet rreshtimi i kuadrateve të FSK-së në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

    Ndërkaq, në orën 14:30, në Skenderaj do të mbahet gara mbarëkombëtare e volejbollit për femra “Adem Jashari”.

    Agjenda e 6 marsit

    Aktivitetet e 6 marsit nisin në orën 10:00 me homazhe nga krerët e shtetit në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

    Nga ora 10:00 deri në 12:00, homazhe do të bëjnë edhe përfaqësuesit komunalë në komplekset memoriale të dëshmorëve.

    Në orën 13:00 do të hapet ekspozita “Tri ditë që ndryshuan historinë”, e organizuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

    Në mbrëmje, në orën 19:00, do të mbahet Akademi përkujtimore për Epopesë e UÇK-së, me pjesëmarrje artistike nga Opera dhe Filarmonia e Kosovës, në Pallatin e Rinisë (Salla e Kuqe), ndërsa në orën 21:00 parashihet mbyllja e ceremonisë.

    Agjenda e 7 marsit

    Epopeja përmbyllet më 7 mars me “Natën e Zjarreve” në Prekaz, duke nisur nga ora 18:00.

    Në orën 18:15 do të bëhet ndezja e flakadanëve në shtatë rajonet e Republikës së Kosovës, ndërsa në orën 19:00 në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj do të mbahet program artistik.

    Institucionet kanë ftuar qytetarët që të marrin pjesë në aktivitetet përkujtimore, në nderim të një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e Kosovës.

  • Starmer rrezikon postin e kryeministrit

    Starmer rrezikon postin e kryeministrit

    Kryeministri britanik, Keir Starmer po përballet me presion të madh pasi Partia Laburiste pësoi një humbje të thellë në zgjedhjet e pjesshme në Manchester.

    Kjo zonë konsiderohej prej dekadash një bastion i sigurt për laburistët. Vetëm një vit e gjysmë më parë, në zgjedhjet e përgjithshme, Laburistët kishin fituar aty me 51% të votave. Por këtë herë, partia shkoi në vendin e tretë me vetëm 26%, duke u tejkaluar nga dy parti populiste.

    Fituesit surprizë ishin të Gjelbrit, të udhëhequr nga lideri i ri karizmatik Zack Polanski. Kandidatja e tyre, Hannah Spencer, arriti 41% të votave, duke siguruar fitoren e parë historike të partisë në veri të Anglisë. Në vend të dytë doli partia e djathtë Reform UK, e drejtuar nga Nigel Farage, me 29% të votave.

    Pse është kjo humbje kaq e rëndë?

    Humbja shihet si një sinjal alarmi për Starmer. Brenda Partisë Laburiste ka pakënaqësi të forta, dhe disa figura tashmë kanë tentuar ta sfidojnë udhëheqjen e tij. Skandali i fundit me ish-ministrin Peter Mandelson, i cili u përfshi në polemika për lidhjet e tij me financierin amerikan Jeffrey Epstein, ka dëmtuar më tej imazhin e qeverisë.

    Edhe pse Starmer ka deklaruar se nuk do të dorëhiqet, shumë deputetë laburistë kanë frikë se partia po humbet mbështetjen si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta.

    Çfarë ndodhi në Gorton dhe Denton?

    Zona ka një përbërje të veçantë demografike. Gorton ka një popullsi të madhe emigrantësh, kryesisht myslimanë dhe me origjinë aziatike. Atje, të Gjelbrit zhvilluan një fushatë shumë aktive pro Palestinës dhe kundër politikave të ashpra të emigracionit.

    Nga ana tjetër, Denton ka më shumë banorë të bardhë britanikë dhe të moshuar. Këtu, Reform UK arriti të fitojë shumë mbështetje me mesazhe kundër emigracionit dhe retorikë nacionaliste.

    Çfarë pritet tani?

    Kjo humbje vjen vetëm dy muaj para zgjedhjeve të rëndësishme lokale në Mbretërinë e Bashkuar dhe atyre kombëtare në Skoci dhe Uells. Rezultatet e ardhshme mund të vendosin fatin politik të Starmer. Megjithëse laburistët ende kanë shumicë të madhe në Parlament, presioni po rritet. Nëse humbjet vazhdojnë, pozita e kryeministrit mund të bëhet e paqëndrueshme.

    Zhvillimet e fundit tregojnë se politika britanike po hyn në një fazë të re pasigurie, ku votuesit po largohen nga partitë tradicionale dhe po kërkojnë alternativa të reja.

  • Dëgjohen audiot se si Thaçi dyshohet se i dha udhëzime Fadil Fazliu për të ndikuar në dëshminë e Remit

    Dëgjohen audiot se si Thaçi dyshohet se i dha udhëzime Fadil Fazliu për të ndikuar në dëshminë e Remit

    Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Fadil Fazliut, Isni Kilajt, Bashkim Smakajt dhe Hajredin Kuçit, Prokuroria ka paraqitur audio incizimet se si Thaçi e udhëzoi Fazliun për të ndikuar tek dëshmitarët.

    Në audio dëgjohet se Thaçi i tregon Fazliut për Rrustem Mustafën se kur pritej të udhëtonte për Hagë dhe se cfarë t’i thoshte e si duhej të dëshmonte.

    Në audio dëgjohej teksa Thaçi e pyeste se a e ke pa, ndërkohë që Fazliu i thoshte se e kishte parë pa shkuar në vizitë në Hagë në “66-sh”.

    “Kogja vendimtar është. Po ta them të drejtën”, dëgjohet teksa i thotë Thaçi.

    Fazliu i tregonte Thaçit se ky person i kishte thënë se në rast që ata kanë ndonjë porosi unë e kryj s’është problem.

    Ndërsa, Thaçi e udhëzon që t’i thotë Mustafës që të deklarohet shkurtë gjatë dëshmisë dhe të mos filozofoj dhe të thotë që s’i kanë ndihmuar as me logjistikë dhe as me armatim.

    Në anën tjetër, vetë Fazliu e konfirmon se e ka udhëzuar djalin e tij Fahriun që ta thërras me telefon Mustafën.

    Përveç kësaj, publikohen edhe bisedat që Fahri Fazliu dyshohet se i ka bërë me Rrustem Mustafën ndërkohë që po organizonte takimin e babait të tij me atë./BetimipërDrejtësi

     

  • Vdes boksieri Ruben Castillo pas betejës me kancerin

    Vdes boksieri Ruben Castillo pas betejës me kancerin

    Ylli i boksit, Ruben Castillo, i njohur si “Pushtuesi” dhe i cili luftoi në katër ndeshje për kampionatin botëror, ka ndërruar jetë në moshën 68-vjeçare pas një beteje me kancer.

    Castillo vdiq të mërkurën në Beaumont, Kaliforni, i rrethuar nga të afërmit e tij.

    Homazhet dhe mesazhet për nder të tij përfshinë një mesazh video nga Presidenti i World Boxing Council, Mauricio Sulaiman, i cili shprehu trishtimin për humbjen e legjendës së peshave të lehta.