Një 49-vjeçar me inicialet K.GJ ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga çatia e banesës së tij në fshatin Grudë e Re, në Shkodër.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, ndërsa familjarët e kanë dërguar me urgjencë në Spitali Rajonal Shkodër. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Sipas të dhënave paraprake, rënia dyshohet të ketë qenë aksidentale, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Veprimtari dhe publicisti i njohur, Selatin Novosella, ka ndarë një histori prekëse nga jeta e tij në emisionin “LIBERO” në ATV.
Ai, i cili ishte i burgosur politik katër herë, ka rrëfyer takimin e parë me vajzën e tij, që e kishte lënë vetëm 20-ditëshe kur ai u arrestua.
Në një intervistë të hapur dhe emocionuese, Novosella ka përshkruar se si, kur doli nga burgu pas një periudhe të gjatë, vajza e tij tashmë kishte ndryshuar.
Për të, takimi me të pas kaq shumë vitesh ishte një moment i mbushur me emocione të thella, pasi ai kishte humbur shumë kohë me të.
“Donika, vajza ime ishte veç 20 ditëshe kur unë u burgosa, ndërsa Valoni ishte 20-muajsh. Kur dola nga burgu, Valonin e gjeta në shkollë dhe Donikën e gjeta të rritur,” tha Novosella, ndërsa i referohej një fotografie të tyre të cilën e mbante në prapavijë.
Në intervistën e tij, Novosella foli gjithashtu për përvojat e tij si i burgosur politik dhe ndikimin që ato kishin në jetën e tij personale dhe familjare, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes familjare gjatë periudhave të vështira.
Personat me diabet tip 1 përballen çdo ditë me sfidën e kontrollimit të nivelit të sheqerit në gjak. Edhe pse pajisjet si pompat e insulinës dhe sensorët e glukozës mund të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës, këto pajisje janë të shtrenjta, dhe pompat e insulinës aktualisht nuk gjenden në Kosovë.
Për këtë arsye, personat me këtë lloj diabeti kërkojnë që këto pajisje të përfshihen në listën e esencialeve.
Lisa Mehmeti që nga mosha 6-vjeçare është diagnostikuar me diabet tip 1.
Ajo për tash e sa vite përdorë pomp të insulinës dhe censorë glukoze që i ndihmojnë në kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak.
“Pompa e insulinës edhe senzori janë pajisje jetike për me na përmirësu neve jetën lidhur me krejt këto sfida që i përmenda me iparandalu komplikime, shtirmet në spital, e rrisin cilësin e jetës”, tha ajo.
Sensorët e glukozës gjenden relativisht lehtë në barnatore, ndërsa pompa e insulinës nuk shitet për momentin në Kosovë.
Kostoja e këtyre pajisjeve është e lartë, prandaj Mehmeti kërkon që Ministria e Shëndetësisë t’i vendosë këto pajisje në listën e esencialeve.
“Pompa e insulinës është rreth 2 mijë euro kurse senzorat duhet me i ndrru qdo dy javë dhe kushton rreth 60-70 euro dhe është shumë e kushtueshme por për pomp është e kushtueshme edhe materiali shpenzues’, shtoi tutje Lisa Mehmeti.
Ndërkaq sipas njohësve, ministria e shëndetësisë mund të vendos disa kritere dhe t’i vendos këto pajise në listën esenciale.
Televizioni ka dërguar pyetje në adresën e ministrisë së shëndetësisë nëse planifikon që këto pajisje të futen në listën esenciale por gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.
Diabeti tip 1 është një sëmundje kronike autoimune ku sistemi imunitar shkatërron gabimisht qelizat e pankreasit, duke ndaluar prodhimin e insulinës. Si pasojë, trupi nuk mund të përpunojë glukozën, duke rritur nivelin e sheqerit në gjak./atvlive.tv/
Këngëtarja e njohur, Lora Braha, ka zbuluar një histori të rëndë nga jeta e saj, duke ndarë me publikun përjetimin e një aksidenti të tmerrshëm që rrezikoi shëndetin dhe lëvizshmërinë e saj.
Në një intervistë për emisionin “STUDIO A” në ATV, Lora ka treguar për herë të parë për këtë incident të rëndë, i cili ka ndodhur disa muaj më parë. Ajo ka përjetuar një moment shumë të vështirë gjatë pastrimit të kuzhinës, ku humbi ekuilibrin dhe ra nga një lartësi.
“Meqë kam përfunduar mirë, po më duket si një ëndërr e keqe. Ka qenë aksident, u rrëzova nga lartësia duke pastruar kuzhinën. Rashë dhe u lëndova, duke thyer dy unaza të shpinës dhe dy të tjera i kam krisur,” tha Lora Braha, duke përshkruar dhimbjen dhe pasojat që e ndoqën.
Këngëtarja theksoi se pas aksidentit, ka qëndruar dy muaj në regjim shtrati, duke kaluar një periudhë shumë të vështirë të rehabilitimit.
“Kam mbetur dy muaj në regjim shtrati dhe e kam pasur shumë të vështirë, por tani ndjehem më mirë. Ky aksident më bëri të vlerësoj edhe më shumë shëndetin dhe kujdesin për trupin,” përfundoi Loha, duke i dhënë një mesazh pozitiv për ata që përballen me sfida të ngjashme.
Këngëtarja e njohur, Lora Braha e ftuar në emisionin “STUDIO A” në ATV, duke folur për jetën e saj private ka ndarë një informacion interesant rreth zakoneve që ajo ndjek. Ajo ka theksuar se hurmat, një frut i njohur dhe i shëndetshëm, duhet të konsumohen gjithmonë në numër tek, p.sh., 1, 3, 5 ose 7, dhe jo në numër çift.
“Hurmat duhet të konsumohen në numër tek, sepse kjo është e shkruar edhe fetarisht dhe ka një rëndësi të veçantë për shëndetin. Nëse konsumohen më shumë se shtatë hurma, ato mund të kenë shumë sheqer dhe nuk janë më të shëndetshme,” tha Lora.
Ajo shpjegoi se ky është një parim që ka lidhje me praktikat fetare dhe simbolet e numrave tek, të cilët janë të konsideruar më të favorshëm dhe të shenjtë në shumë kultura.
Gjykata Themelore në Gjakovë, ka njoftuar se është aprovuar kërkesa e prokurorisë Themelore atje, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit L.P., për shkak të dyshimit se i arrestuari ka kryer veprat penale; kanosje, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se i dyshuari, ka kundërshtuar policët, i ka ofenduar dhe kërcënuar ata. Aty shtohet edhe se i njëjti, ka nxjerr armë të zjarrit dhe një granatë dore duke ua drejtuar policëve.
‘’Me këtë vendim, i pandehurit L.P., do të mbahet n paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit me 23 shkurt 2026 deri më 25 mars 2026’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Deputeti i parlamentit shqiptar, Taulant Balla bashkë me anëtarin e Parlamentit Evropian, Adnan Dibrani i është bashkuar thirrjes për nënshkrimin e peticionit kombëtar për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të inicuar nga organizatat e dala nga lufta.
Ai në Facebook ka shkruar se ky peticion është thirrje e hapur qytetare në mbështetje të UÇK-së dhe të ish-krerëve të saj që po mbahen në Hagë.
“Bashkë me anëtarin e Parlamentit Europian Adnan Dibrani i bashkohemi thirrjes ndaj të gjithë shqiptarëve, në trojet kombëtare, në diasporë të nënshkruajnë Peticionin Kombëtar – drejtuar Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë”.
“Ky PETICION është një thirrje e hapur qytetare në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të ish-krerëve të saj që po përballen me procesin në Hagë, në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare dhe të dinjitetit të sa”, shkruan Balla.
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri ka reaguar pas takimeve të fundit të ndërmjetësuesit të Dialogut të Brukselit, Peter Sorensen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciç.
Tahiri tha se gjatë këtyre takimeve, Vuçiq ka kërkuar formimin e Asociacionit, ndërsa Kurti ka kërkuar normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, e jo njohje reciproke mes dy shteteve.
“Vuçiqi kërkoi Asociacionin, Kurti kërkoi normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, në vend se të kërkojë njohje reciproke mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Tahiri.
Sipas saj, kjo qasje e kryeministrit rrezikon ta vendosë Kosovën në pozitë të pafavorshme në raport me presionin ndërkombëtar.
“Me këtë qasje të Kurtit, diplomacia do t’i bëjë presion Kosovës për Asociacionin, ndërsa nuk do t’i bëjë presion Serbisë për njohjen reciproke”, theksoi ajo.
Tahiri shtoi se njohja reciproke është përkrahur nga ish-presidenti amerikan Donald Trump dhe më herët edhe nga Joe Biden.
“Diplomacia është negociatë, por me mungesë të dijenisë të Qeverisë Kurti, do ta pësojë tutje Kosova”, përfundoi Tahiri në reagimin e saj.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se ka publikuar udhëzuesin me titull “Planifikimi i të ushqyerit për institucionet e kujdesit ditor të foshnjeve dhe fëmijëve (6 muaj – 6 vjeç) në Republikën e Kosovës”.
Sipas njoftimit, udhëzuesi përmban rekomandime të bazuara në evidencë shkencore për ushqyerjen e shëndetshme të fëmijëve, standarde për planifikimin e menusë, si dhe modele praktike të menuve të përshtatura sipas grupmoshave.
Qëllimi i këtij dokumenti është promovimi i rritjes dhe zhvillimit optimal të fëmijëve në mjediset parashkollore, duke ofruar orientime të qarta për institucionet e kujdesit ditor në hartimin dhe zbatimin e planeve ushqimore.
IKSHPK bën të ditur se të gjitha standardet e detajuara, modelet e plota të menuve dhe udhëzimet shtesë për zbatimin praktik mund të gjenden në dokumentin e plotë, i cili është i qasshëm në faqen zyrtare të institucionit.
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve në dy raste të ndara i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për tetë zyrtarë policorë në Gjakovë dhe Gjilan.
Rasti i parë raportohet të ketë ndodhur më 19.02.2026 ku fillimisht një qytetar në Gjakovë është njoftuar për një gjobë për parkim të veturës në vendin ku është e ndaluar. Qytetari kishte shkuar në stacionin policor për të marrë tiketën për kundërvajtje por i njëjti pas kontaktit dhe një bisede me zyrtarët policorë ishte arrestuar si i dyshuar për kanosje.
Hetuesit e IPK-së pas pranimit të informacioneve dhe ankesës për këtë rast kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore përfshirë analizimin e shkresave të rastit, raporteve të zyrtarëve policorë, analizimin e një audio-incizimi etj.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore është vërejtur se raportet e zyrtarëve policorë mbi bazën e të cilave është iniciuar rasti i kanosjes nuk përkojnë me atë që dëgjohet në incizim dhe dyshohet se edhe nuk janë të vërteta.
Hetuesit e IPK-së janë konsultuar me Prokurorinë Themelore në Gjakovë dhe veprimet tjera hetimore do të ndërmerren ndaj gjashtë zyrtarëve policorë në procedurë të rregullt në drejtim të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në interes të hetimit IPK i ka rekomanduar Policisë suspendimin për 6 zyrtarët policorë të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor të Drejtorisë Rajonale të Gjakovës.
Në rastin tjetër, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për dy zyrtarë policorë në Gjilan.
Hetimet lidhur me këtë rast ndaj dy zyrtarëve policorë janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan në procedurë të rregullt me dyshimin për veprën penale “Lajmërim apo Kallëzim i rremë”
Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e dy rasteve.