ATV

Author: G.O.

  • Izraeli beson se ka vrarë tre zyrtarë iranianë, përfshirë edhe ministrin e Mbrojtjes

    Izraeli beson se ka vrarë tre zyrtarë iranianë, përfshirë edhe ministrin e Mbrojtjes

    Zyrtarë izraelitë besojnë se komandanti i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), gjeneral Mohammad Pakpour, ka të ngjarë të jetë vrarë në sulmet amerikano-izraelite.

    Pakpour u bë kreu i IRGC-së pasi Izraeli vrau paraardhësin e tij, Hossein Salami, në fillim të luftës së qershorit të vitit 2025.

    Përveç kësaj, zyrtarët vlerësojnë se ministri i Mbrojtjes i Iranit, Amir Hatami dhe shefi i inteligjencës gjithashtu ka të ngjarë të jenë vrarë, shkruan timesofisrael.

    Këto vlerësime ende nuk janë konfirmuar nga Irani apo nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF).

    Disa drejtues të lartë të regjimit dhe komandantë ushtarakë iranianë u shënjestruan në sulmet e mëngjesit, përfshirë Udhëheqësin Suprem, Ali Khamenei dhe presidentin, Masoud Pezeshkian. Megjithatë, rezultatet e sulmeve aktualisht mbeten të paqarta.

    Ndryshe, Irani ka realizuar disa sulme si kundërpërgjigje duke bombarduar bazat ushtarake amerikane në vendet e Lindjes së Mesme.

  • Rusia reagon pas sulmeve ndaj Iranit: Bisedimet me Shtetet e Bashkuara ishin vetëm një mbulesë

    Rusia reagon pas sulmeve ndaj Iranit: Bisedimet me Shtetet e Bashkuara ishin vetëm një mbulesë

    Nënkryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë dhe ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka reaguar pas sulmeve të përbashkëta të ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, duke i cilësuar bisedimet e mëparshme mes Uashingtonit dhe Teheranit si “vetëm një mbulesë”.

    Në një reagim në rrjetet sociale, Medvedev deklaroi se negociatat për programin bërthamor iranian nuk kanë qenë të sinqerta.

    “Paqeruajtësi është përsëri në punë. Bisedimet me Iranin ishin vetëm një mbulesë. Të gjithë e dinin këtë”, shkroi ai.

    Ai shtoi gjithashtu një krahasim historik, duke theksuar se ShBA-të janë 249 vjeç, ndërsa Perandoria Persiane u themelua mbi 2500 vjet më parë.

    “Le të shohim se çfarë do të ndodhë pas rreth 100 vitesh…”, përfundoi Medvedev.

  • Hamza: Drejtësia për viktimat e Likoshanit dhe Çirezit ende mungon

    Hamza: Drejtësia për viktimat e Likoshanit dhe Çirezit ende mungon

    Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka përkujtuar 28-vjetorin e masakrave të kryera në fshatrat Likoshan dhe Çirez, ku civilë të pafajshëm u ekzekutuan nga forcat e regjimit serb më 28 shkurt 1998.

    Në një postim në Facebook, Hamza shkroi se këto ngjarje mbeten plagë të hapura, pasi drejtësia për viktimat ende mungon.

    “Kosova që sot e gëzojmë është amanet i tyre. Dhe, po ashtu, amanet i tyre është që kurrë të mos heshtim përballë padrejtësive.

    Lavdi të përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë!”, shkroi mes tjerash i pari i PDK-së.

  • Rama krah ShBA-së për sulmin ndaj Iranit: Terrorizmi duhet të emërtohet, dhe pasi të emërtohet, duhet të ndalet

    Rama krah ShBA-së për sulmin ndaj Iranit: Terrorizmi duhet të emërtohet, dhe pasi të emërtohet, duhet të ndalet

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për sulmin ndaj Iranit dhe ka thënë se tashmë ka ardhur koha për t’i dhënë fund zvarritjes dhe për të fokur troç.

    Rama ka thënë se Garda Revolucionare e Iranit është organizatë terroriste dhe duhet të trajtohet si e tillë.

    “Jo vetëm përmes sanksioneve kundër Republikës Khomeiniste, por duke e quajtur zyrtarisht me emrin e saj të vërtetë dhe duke e listuar atë midis organizatave terroriste, siç kanë bërë tashmë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja”, ka shkruar Rama.

    Kryeministri shqiptar ka thënë se përkrahin plotësisht çdo përpjekje vendimtare për të parandaluar një herë e përgjithmonë vrasësit në Teheran nga përvetësimi i kapacitetit bërthamor ose çdo kapaciteti tjetër ushtarak për të dëmtuar Izraelin ose ndonjë komb tjetër paqedashës në Lindjen e Mesme.

    “Terrorizmi duhet të emërtohet. Dhe pasi të emërtohet, duhet të ndalet”, ka thënë ai.

  • Kurti në Likoshan e Qirez: Kujtesë e përjetshme historike

    Kurti në Likoshan e Qirez: Kujtesë e përjetshme historike

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nënkryetarin Ardian Gola dhe përfaqësues të tjerë shtetërorë, bënë homazhe në Qirez dhe Likoshan për të nderuar martirët dhe dëshmorët në 28-vjetorin e masakrës.

    Kurti tha se kur ndodhi masakra në Qirez e Likoshan u bë edhe një ndërgjegjësim i madh i popullit.

    “Në mesin e tyre ishte edhe gruaja shtatzënë në muajin e shtatë, Rukije Nebihu, 27 vjeçare, e cila në prehër e kishte vajzën tre vjeç që e takuam sot këtu. Por u vranë shumë të familjes Ahmeti, Sejdiu, pastaj Behrami, Fazliu, Rama, dhe katër dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të familjeve Rexhepi dhe Gjeli, në një përballje të pabarabartë me forcat e Serbisë, të cilët për 28 orë kanë goditur, kanë shtënë me artileri të rëndë, kanë pasur autoblinda dhe helikopter. Por pikërisht në kohën e kësaj masakre, me 28 shkurt të vitit 1998, kur për 28 orë rresht, artileria dhe forcat e armike të Serbisë sulmuan popullsinë këtu, u bë një ndërgjegjësim i madh i popullit jo vetëm në Kosovë, por anë e mbanë trojeve që shqiptarët i popullojnë në Ballkan, edhe të mërgatës sonë, e që filloi edhe një vetëdijësim gjithnjë më i madh edhe i këtyre kancelarive diplomatike botërore, po njëkohësisht edhe i opinionit publik ndërkombëtar”, tha ai.

    Kurti theksoi se çmimi i lartë i lirisë i obligon institucionet ta forcojë Forcën e Sigurisë së Kosovës, “në mënyrë që askush asnjëherë të mos guxojë më të na mësyjë e të na vrasë sikurse në të kaluarën”.

    “Gjaku i tyre është tek rrënjët e lirisë, tek themelet e shtetit, dhe natyrisht është kujtesë e përjetshme historike se si duhet ta mbrojmë dhe duam Republikën tonë dhe popullin tonë”, tha ai.

    Masakra në Likoshan dhe në Qirez, në të cilën janë vranë 24 persona, është e para nga ato që shteti serb i ka kryer në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999.

  • Kosova rreshtohet fuqishëm me ShBA-të, Osmani: Liri për popullin e Iranit

    Kosova rreshtohet fuqishëm me ShBA-të, Osmani: Liri për popullin e Iranit

    Vjosa Osmani ka reaguar me një deklaratë të fortë lidhur me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, duke theksuar mbështetjen e plotë të Republika e Kosovës për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

    Në reagimin e saj, ajo është shprehur se “ora e lirisë ka ardhur për popullin e Iranit”, duke ia atribuar këtë zhvillim udhëheqjes së SHBA-ve dhe presidentit Donald Trump.

    “Ora e lirisë ka ardhur për popullin e Iranit, falë udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Donald Trump. Si gjithmonë, Republika e Kosovës qëndron e palëkundur përkrah Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në mbrojtje të lirisë, paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Ne gjithashtu dënojmë fuqishëm sulmet e regjimit iranian kundër aleatëve tanë në Lindjen e Mesme. Do të vazhdojmë të mbështesim veprimet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë për t’i dhënë fund regjimit iranian dhe për t’i dhënë më në fund një mundësi lirisë dhe paqes”.

  • Kryeministri australian: Australia është me popullin iranian

    Kryeministri australian: Australia është me popullin iranian

    Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese ka thënë se shteti i tij “qëndron me popullin guximtar të Iranit, në betejën e tyre kundër shtypjes”.

    Në një postim në X, ai ka thënë se Australia mbështet Shtetet e Bashkuara “teksa veprojnë për të parandaluar Iranin nga posedimi i armës bërthamore dhe që Irani të mos vazhdojë të kërcënojë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

    Ai e ka përshkruar regjimin iranian si “forcë destabilizuese” që “nuk mund të lejohet kurrë të zhvillojë armë bërthamore”.

    Albanese ka thënë se thirrjet ndërkombëtare ndaj Teheranit për t’i respektuar “të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të shtetit iranian nuk janë dëgjuar”, teksa ka shtuar se “një regjim që shtyp dhe vret popullin e tij për të mbajtur pushtetin, nuk ka legjitimitet”.

  • Kosova mbështet sulmet amerikane kundër Iranit

    Kosova mbështet sulmet amerikane kundër Iranit

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka thënë përmes një deklarate publike se mbështet sulmet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, regjimin e të cilit e ka përshkruar të atillë që për dekada e ka shtypur popullin e vet, e ka destabilizuar rajonin dhe ka kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

    “Ne qëndrojmë krah presidentit [amerikan] Donald Trump në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë, për të mbrojtur stabilitetin global dhe për të mbështetur aspiratat legjitime të popullit iranian për liri, dinjitet dhe demokraci. Regjimet që shtypin qytetarët e tyre, që mbështesin dhunën ndaj vendeve demokratike dhe që kërcënojnë popuj të tjerë, nuk mund të jenë faktor paqeje”, është thënë në deklaratë.

    Mes tjerash është përmendur se Kosova solidarizohet me popullin iranian për një të ardhme të lirë dhe demokratike.

    Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike me Iranin, pasi ky i fundit nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

  • Kryediplomatja e BE-së: Zhvillimet e fundit në Lindje të Mesme, “të rrezikshme”

    Kryediplomatja e BE-së: Zhvillimet e fundit në Lindje të Mesme, “të rrezikshme”

    Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka thënë se zhvillimet e fundit në Lindje të Mesme – sulmet amerikane dhe izraelite kundër Iranit dhe hakmarrja e Teheranit me sulme – janë “ të rrezikshme”.

    Përmes një postimi në X – dikur Twitter – ajo ka thënë se blloku evropian “po koordinohet me partnerët arabë për të gjetur rrugë diplomatike”.

    “Mbrojtja e civilëve dhe ligjit ndërkombëtar humanitar është prioritet”, ka thënë ajo.

    “Rrjeti ynë konsullor është plotësisht i angazhuar për lehtësimin e largimit të shtetasve të BE-së. Personeli jothelbësor i BE-së po largohet nga rajoni”.

  • Anulohen fluturimet në gjithë Lindjen e Mesme pas sulmeve të ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit

    Anulohen fluturimet në gjithë Lindjen e Mesme pas sulmeve të ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit

    Linjat ajrore globale anuluan fluturimet në të gjithë Lindjen e Mesme të shtunën, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme ajrore ndaj Iranit, duke e zhytur rajonin në një konflikt të ri.

    Hapësira ajrore mbi Iranin dhe Irakun ishte bosh të shtunën në mëngjes, treguan hartat nga shërbimi i ndjekjes së fluturimeve Flightradar24, shkruan Reuters.

    Air France, anuloi fluturimet për dhe nga Tel Avivi në Izrael dhe Bejrut në Liban për të shtunën. Dega holandeze e Air France-KLM e shtyu shërbimin e saj Amsterdam-Tel Aviv, duke anuluar fluturimin e planifikuar për të shtunën.

    Vetëm një fluturim për në Tel Aviv ishte planifikuar për të shtunën.

    Linja ajrore INDIGO tha se po monitoronte përditësimet rajonale.

    Japan Airlines ka anuluar një fluturim të shtunën nga Tokio Haneda për në Doha, si dhe një fluturim kthimi më 1 mars.

    Linja ajrore gjermane LUFTHANSA pezulloi fluturimet për në dhe nga Tel Avivi në Izrael, Bejrut në Liban dhe Oman deri më 7 mars dhe fluturimet për në dhe nga Dubai të shtunën dhe të dielën.

    Ata thanë gjithashtu se nuk do të hapin hapësirën ajrore izraelite, libaneze, jordaneze, irakiane dhe iraniane deri më 7 mars.

    Virgin Atlantic tha se do të shmangë përkohësisht hapësirën ajrore irakiane, duke rezultuar në disa ridrejtime të paracaktuara të fluturimeve të saj dhe anuloi shërbimin e saj nga Heathrow në Dubai të shtunën.

    Linja ajrore WIZZ AIR ndaloi fluturimet për dhe nga Izraeli, Dubai, Abu Dhabi dhe Ammani me efekt të menjëhershëm deri më 7 mars.

    Ajo shtoi se vendimet operative do të vazhdojnë të rishikohen dhe orari i fluturimeve mund të përshtatet ndërsa situata evoluon.