ATV

Author: G.O.

  • Vuçiq kërkon nga Sorenseni angazhim më aktiv të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi

    Vuçiq kërkon nga Sorenseni angazhim më aktiv të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se është takuar në Beograd me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, për vazhdimin e dialogut me një angazhim më aktiv të bllokut.

    “Jam i bindur se është në interesin e të gjitha palëve të shmangen veprimet që do të çonin në përshkallëzim të mëtejmë dhe që, me ndërmjetësimin e BE-së, të këmbëngulet në zbatimin e plotë të obligimeve të marra dhe në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në terren”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram më 25 shkurt, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Vuçiq gjatë takimit me emisarin evropian përsëriti kritikat ndaj bashkëpunimit të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke theksuar se me këtë “rriten më shumë tensionet dhe rrezikohet siguria e popullit serb”.

    Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan në mars të vitit të kaluar një deklaratë në të cilën thuhet se tri shtetet do të bashkëpunojnë për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore, teksa Vuçiq e përshkroi këtë si një “aleancë ushtarake dhe sulmuese kundër serbëve dhe Serbisë”, gjë që u mohua nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi.

    Vuçiq gjithashtu “shprehu shqetësim” lidhur me Ligjin për të huajt dhe atë për automjetet, zbatimi i plotë i të cilit në Kosovë pritet të nisë më 15 mars.

    Zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt mund të ndikojë në funksionimin e institucioneve shëndetësore dhe arsimore në Kosova që punojnë sipas sistemit serb, pasi personat që nuk posedojnë dokumente të Kosovës duhet të pajisen me leje pune ose licencë për ushtrimin e veprimtarisë, për të cilën kërkesa paraqitet në Agjencinë e Punësimit të Kosovës.

    Bashkimi Evropian ka deklaruar më herët për Radio Evropa e Lirë se statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore dhe arsimore që mbështeten nga Serbia në Kosovë do të trajtohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe ligjet në fuqi në Kosovë.

    Para vizitës në Beograd, Peter Sorensen qëndroi në Prishtinë, ku pas takimeve me zyrtarë kosovarë deklaroi se fokusi i bisedimeve ishte në avancimin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Kryeministri i Kosova, Albin Kurti, tha pas takimit se Kosova mbetet e përkushtuar për normalizim të raporteve me Serbinë, përmes njohjes reciproke.

    Ndërkaq, kryediplomati i Kosovës, Glauk Konjufca, e ka njoftuar Sorensenin se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës do të udhëheqë procesin e dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë, që ka nisur më 2011.

    Megjithatë, MPJD-ja nuk tha saktësisht nëse Konjufca do të jetë në krye të këtij procesi.

    Duke reaguar ndaj njoftimit të MPJD-së, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se “negociatori i Prishtinës në dialog, pavarësisht zgjedhjes kadrovike, është ekskluzivisht përfaqësues i institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë” – formulim që Beogradi, i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, përdor për institucionet e shtetit fqinj.

    Ndërkaq, njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Artan Muhaxhiri, i tha Radios Evropa e Lirë se beson se marrja e udhëheqjes së dialogut nga MPJD-ja shënon një “momentum të ri”, por paralajmëroi se çdo gjë në këtë proces do të varet nga “gatishmëria për të bërë kompromise dhe për të qenë realist”.

    Dialogu, tha ai, do të duhej të ishte projekti kryesor i Qeverisë së Kosovës në muajt e ardhshëm.

    Viteve të fundit, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar një sërë rundesh të dialogut në nivel kryenegociatorësh, por takime të nivelit të lartë politik nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023.

    Atëbotë, rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë u zhvillua pak ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i serbëve të armatosur vranë një polic të Kosovës. Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

    Mbi një dekadë dialog, Kosova dhe Serbia kanë arritur një sërë marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar në terren.

    Më 2023, palët arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit, por BE-ja ka thënë se ajo ende nuk është zbatuar.

    Ndonëse kjo marrëveshje nuk është nënshkruar, sipas bllokut evropian, ajo është e detyrueshme për të dyja palët./REL

  • Orav dhe Bogujevci diskutojnë mbështetjen e BE-së për sektorin e kulturës

    Orav dhe Bogujevci diskutojnë mbështetjen e BE-së për sektorin e kulturës

    Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, është takuar me ministren e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevcin.

    Orav dhe Bogujevci folën për mbështetjen e BE-së për sektorin e kulturës.

    Me këtë rast, dyshja bisedoi mbi programin “Evropa kreative”, si dhe rifillimin e aktiviteteve të Këshillit të monitorimit të zbatimit dhe mbrojtjen e trashëgimisë fetare në Kosovë.

     

  • Kryeministri Kurti takon ambasadorian italian, i rikonfirmohet mbështetja e Italisë ndaj Kosovës

    Kryeministri Kurti takon ambasadorian italian, i rikonfirmohet mbështetja e Italisë ndaj Kosovës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka takuar Ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini.

    Sipas njoftimit të ZKM-së, ambasadori e uroi Kryeministrin për detyrën dhe përgjegjësinë e tij në krye të Qeverisë, “duke riafirmuar përkrahjen e Italisë për Kosovën dhe përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy vendeve”.

    “Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale politike në vend, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushat e biznesit, kulturës dhe drejtësisë. Të dy palët shprehën vullnetin për avancimin e partneritetit dypalësh dhe forcimin e lidhjeve institucionale në interes të qytetarëve të të dy vendeve”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

  • U arrestua në Merdarë me 1 milion euro, pezullohet nga detyra efektivi i Komisariatit 5 në Tiranë

    U arrestua në Merdarë me 1 milion euro, pezullohet nga detyra efektivi i Komisariatit 5 në Tiranë

    Punonjësi i Policisë i Komisariatit nr. 5 në Tiranë, Aurel Kaziu, i arrestuar në pikën kufitare të Merdarës nga Policia e Kosovës, është pezulluar nga detyra nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit.

    Një ditë më parë autoritetet e pikës kufitare të Merdares zbuluan se në automjetin më të cilin udhëtonte i riu ishin fshehur 1 milion euro.

    1 milion euro në automjet, kontrolli në kufi dhe arrestimi i të dyshuarve – gjithçka nga rasti i shpëlarjes së parave

    A2 CNN raporton se Kaziu ishte larguar një ditë më parë në drejtim të Kosovës, pasi ka mbyllur shërbimin e natës dhe në vijim kishte dy ditë pushimi.

    Kaziu nuk ka njoftuar drejtuesit e tij se do dilte jashtë kufirit.

  • Çështja e Presidentit, Gjini kritikon Kurtin pse ende nuk ka kandidat

    Çështja e Presidentit, Gjini kritikon Kurtin pse ende nuk ka kandidat

    Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, në emisionin CONTEXT në ATV, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, pse ende nuk ka bërë një propozim të një emri për president.

    Ai tha se në këtë përbërje parlamentare nuk mund të zgjidhet presidenti nëse partia më e madhe thotë nuk kam as kandidat.

    “Është cinike të fitosh 51% të votave dhe të shkosh në kuvend edhe të thuash: ‘Unë s’kam kandidat për president, e gjeni ju nëse doni’,” tha ai.

    Ai shtoi se në këto rrethana parlamentare, mungesa e një kandidati nga partia më e madhe e kuvendit bën që zgjidhja e presidentit të jetë pothuajse e pamundur.

    ARDIAN GJINI, KRYETAR I GJAKOVËS

  • URGJENTE: Babai i ri mitrovicas kërkon ndihmë për vajzën e sapolindur – duhen 100 mijë euro brenda 48 orësh

    URGJENTE: Babai i ri mitrovicas kërkon ndihmë për vajzën e sapolindur – duhen 100 mijë euro brenda 48 orësh

    Një thirrje për ndihmë ka ardhur nga Mitrovica, ku babai i ri Besmir Azemi po përballet me sfidën më të rëndë të jetës së tij.

    Përmes një postimi drejtuar familjarëve, miqve dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë, Azemi ka bërë të ditur se vajza e tij e sapolindur ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka nevojë urgjente për trajtim jashtë vendit.

    Sipas rrëfimit të tij, vogëlushja erdhi në jetë të premten, më 20.02.2026. Por gëzimi i prindërve u shndërrua shpejt në ankth, pasi mjekët konstatuan një problem serioz në zemër – një çrregullim në arterien kryesore që furnizon trupin me gjak.

    Aktualisht, foshnja ndodhet në repartin e Neonatologjisë në kujdes intensiv (reanimacion), ndërsa mjekët kanë rekomanduar që trajtimi të kryhet urgjentisht jashtë vendit, pasi çdo minutë konsiderohet vendimtare për jetën e saj.

    Familja tashmë ka siguruar raportet mjekësore dhe është në proces të përgatitjes së dokumentacionit përcjellës dhe profaturës nga spitali pritës.

    Megjithatë, sfida më e madhe mbetet financiare. Sipas familjes, shuma e nevojshme për trajtim dhe shpenzime përcjellëse arrin në rreth 100 mijë euro – një shumë e papërballueshme për ta në këtë moment.

    Situata bëhet edhe më urgjente nga fakti se familja ka vetëm 48 orë kohë për ta dërguar vajzën për trajtim.

    Babai i vogëlushes u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që kanë mundësi të ndihmojnë me çfarëdo shume, duke theksuar se çdo kontribut, sado i vogël, mund të bëjë dallimin.

    Të dhënat për ndihmë:

    Emri: Besmir Azemi

    Xhirollogaria: XK052027000159181672

    Familja shpreh mirënjohje të thellë për çdo ndihmë, lutje dhe shpërndarje të këtij apeli.

  • Presidentja Osmani pret në takim ministren e Jashtme të Shqipërisë

    Presidentja Osmani pret në takim ministren e Jashtme të Shqipërisë

    Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, e Shqipërisë Elisa Spiropali, është pritur të mërkurën në takim nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, raporton Ekonomia Online.

    Fillimisht Spiropali  është takuar edhe me Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Glauk Konjufca, me të cilën patën dhe një deklarim për media.

    Më tej, Ministrja do të pritet në takime të veçanta nga Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, si dhe nga Kryeministri Albin Kurti.

    Spiropali do të zhvillojë gjithashtu takime me drejtuesit e partive kryesore parlamentare në Kuvendin e Kosovës, kryetarin e PDK-së Bedri Hamza, të LDK-së Lumir Abdixhiku dhe AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Takimet do të fokusohen te thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, riaktivizimi i mekanizmave institucionalë të bashkëpunimit, përgatitjet për mbledhjen e përbashkët qeveritare G2G dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara.

    Po ashtu, në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në zbatimin e projekteve madhore kombëtare si hekurudha Durrës-Prishtinë, shtimin e projekteve infrastrukturore dhe energjitike të përbashkëta, pa lënë mënjanë koordinimin në mbështetje të faktorit shqiptar në rajon dhe bashkëpunimin me diasporën.

    Gjatë vizitës, Spiropali do të theksojë mbështetjen e Shqipërisë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, avancimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare, si dhe për integrimin euroatlantik të Kosovës.

  • Drejtori i Doganës deklarohet për zbulimin e 1 milion eurove në Merdarë

    Drejtori i Doganës deklarohet për zbulimin e 1 milion eurove në Merdarë

    Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu është deklaruar sot lidhur me rastin e zbulimit të 1 milion eurove në një automjet në pikën kufitare në Merdarë, gjersa theksoi se është një ndër goditjet më të rëndësishme ndaj lëvizjeve të paligjshme financiare.

    Llugaliu në një postim në LinkedIn thotë se zbulimi i këtij rasti është rezultat direkt i përkushtimit të stafit si dhe i investimit strategjik në skanerët X-Ray, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe i bashkëpunimit efektiv në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit në mes Doganës dhe Policisë Kufitare.

    “Rreth 1 milion euro të padeklaruara janë zbuluar në PKK Merdare – një ndër goditjet më të rëndësishme ndaj lëvizjeve të paligjshme financiare. Rezultat direkt i përkushtimit të stafit tonë si dhe i investimit strategjik në skanerët X-Ray, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe i bashkëpunimit efektiv në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit në mes Doganës dhe Policisë Kufitare.

    Me urdhër të Prokurorisë Speciale, tre shtetas të huaj janë arrestuar për të mundësuar hetime të mëtejme. Përkushtimi dhe profesionalizmi i zyrtarëve tanë është për çdo lëvdatë dhe shtrihet mbi synimin tanë për kufij të sigurt”, shkruan ai.

  • Mbështjellja e ushqimit me mbështjellës alumini e rrezikshme për shëndetin, thonë ekspertët

    Mbështjellja e ushqimit me mbështjellës alumini e rrezikshme për shëndetin, thonë ekspertët

    Mbështjellësi i aluminit përdoret shumë në kuzhinë. Përdoret për ta mbështjellë ushqimin që të mos e humb lagështinë gjatë gatimit dhe po ashtu vendoset për të parandaluar ngjitjen e ushqimit.

    Por, doktori Zachary Cartwright ka paralajmëruar se s’bën të përdoret mbështjellësi i aluminit për ta ruajtur ushqimin e mbetur, pasi mund t’ju vë në rrezik serioz nga helmimi me ushqim, shkruan “The Sun”.

    Cartwright, që është ekspert i ushqimit në Aqualab në Chicago, ka thënë se për ta ruajtur ushqimin preferohen kutitë e plastikës apo qeset e plastikës, pasi ato mbyllin ushqimin hermetikisht dhe nuk lejojnë oksigjenin të futet.

    E me mbështjellës alumini, ai thotë se pavarësisht sa mirë e mbështillni, prapë do të mbetet hapësirë për të hyrë ajër.

    “Mbështjellësi i aluminit s’mund të bëjë një mbyllje hermetike të ushqimit”, thotë Cartwright për “Southern Living”.

    Ai thotë se prezenca e ajrit mund të ndihmojë në rritjen e baktereve të rrezikshme.

    Qendra për Kontroll të Sëmundjeve në SHBA (CDC), thotë se prania e ajrit mund të ndihmojë në rritjen e baktereve të rrezikshme si stafilokoku apo bacillus cereus.

    Stafilokoku është bakter që mund të gjendet në lëkurën e njerëzve dhe mund të shkaktojë infeksione serioze nëse futet në gjak, duke çuar në disa raste edhe deri te vdekja.

    Ushqimi mund të kontaminohet nëse njerëzit, që kanë këtë bakter, e prekin atë pa i larë duart fillimisht.

    Stafilokoku mund të shumohet në ushqim dhe të krijojë një toksinë që shkakton helmim nga ushqimi edhe pas gatimit.

    Doktori Cartwright thotë se disa ushqime të caktuara dhe alumini mund të shkaktojnë po ashtu reaksion kimik dhe kontaminim.

    Alumini mund të reagojë me acid apo ushqime të kriposura, të cilat mund të shkaktojnë kullim të aluminit në ushqim.

    Kjo mund t’ia ndryshojë shijen ushqimit, e nëse merrni sasi të madhe të aluminit me kalimin e kohës atëherë mund të dëmtohen organet, siç është thënë në studime.

    Cartwright thotë se nëse doni të përdorni gjithsesi mbështjellës alumini për ta ruajtur ushqimin, atëherë duhet të jetë në afat të kufizuar kohor, jo më tepër se dy ditë.

    Po ashtu thotë se duhet ta mbështillni ushqimin me dy mbështjellës alumini, apo të filloni fillimisht me një qese plastike.

     

  • Studimi: Ndërhyrjet estetike mund të shkaktojnë bllokim të enëve të gjakut

    Studimi: Ndërhyrjet estetike mund të shkaktojnë bllokim të enëve të gjakut

    Ndërhyrjet estetike dhe injeksionet në fytyrë janë kthyer në një trend masiv vitet e fundit, por bashkë me popullaritetin është rritur edhe rreziku.

    Ekspertët paralajmërojnë se këto procedura, që shpesh duken të thjeshta dhe të sigurta, mund të shkaktojnë komplikacione serioze, përfshirë bllokimin e arterieve që çon në deformime të fytyrës dhe madje verbëri. Ky paralajmërim vjen pas një studimi ndërkombëtar, ku përmes ekografisë u analizuan 100 raste komplikacionesh të shkaktuara nga këto injeksioni/ ndërhyrje estetike.

    Sipas studimit, klinikat duhet të kryejnë ekografi para çdo injeksioni në fytyrë, me qëllim identifikimin e enëve të gjakut dhe shmangien e dëmtimit të tyre. Udhëheqësja e kërkimit, Dr. Rosa Sigrist nga Universiteti i São Paulo-s në Brazil, tha se edhe pse të rralla, rastet e “okluzionit vaskular”, kur mbushësi injektohet në ose pranë arterieve mund të rezultojnë fatale për indet e fytyrës.

    “Komplikacionet e tilla mund të shkaktojnë nekrozë, deformime të fytyrës, verbëri dhe në raste ekstreme goditje në tru”, deklaroi Dr. Sigrist. Ajo shtoi se zonat rreth hundës janë veçanërisht të rrezikshme, pasi enët e gjakut komunikojnë me struktura shumë delikate të kokës.

    Studimi u zhvillua midis majit 2022 dhe prillit 2025 në disa qendra ndërkombëtare radiologjie dhe dermatologjie në Brazil, Kolumbi, Kili, Holandë dhe SHBA. Rezultatet do të prezantohen këtë javë në takimin vjetor të Shoqatës Radiologjike të Amerikës së Veriut.

    Nga analiza me ekografi, studiuesit zbuluan se në gati gjysmën e rasteve kishte mungesë qarkullimi në enët e vogla të gjakut të fytyrës, ndërsa në një të tretën e rasteve nuk kishte qarkullim as në enë më të mëdha. Sipas Dr. Sigrist, përdorimi i ekografisë si gjatë planifikimit ashtu edhe gjatë trajtimit të komplikacioneve lejon injektimin e saktë të ilaçit për shpërbërjen e mbushësit, duke ulur nevojën për doza të mëdha.

    Edhe Shoqata Britanike e Kirurgëve Plastikë Estetikë (BAAPS) mbështet përdorimin e ekografisë, ndonëse thekson se ende nuk konsiderohet standard i detyrueshëm në klinikat estetike. Presidentja e shoqatës, Nora Nugent, tha se hartëzimi i enëve të gjakut para trajtimit rrit ndjeshëm sigurinë e pacientëve dhe se profesionistët e pakualifikuar përbëjnë rrezik të madh.

    Ndërkohë, qeveria britanike ka paralajmëruar masa të reja për rregullimin e procedurave estetike. Sipas propozimeve, procedurat me rrezik të lartë, përfshirë “Brazilian butt lift”, do të kryhen vetëm nga profesionistë të kualifikuar. Klinikat që ofrojnë mbushës dhe botoks do të kenë detyrimin të plotësojnë standarde të reja licencimi.