ATV

Author: G.O.

  • Lushtaku: S’e votojmë asnjë kandidat të propozuar nga VV-ja për president

    Lushtaku: S’e votojmë asnjë kandidat të propozuar nga VV-ja për president

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka thënë se në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PDK-së janë diskutuar zhvillimet e fundit rreth çështjes së presidentit.

    Ai ka deklaruar se nuk do të mbështesin asnjë kandidat që imponohet nga partia në pushtet, e as Andin Hoti, i cili u përfol se mund të jetë kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Sa i përket ndonjë propozimi nga PDK-ja, ai tha se partia është e gatshme të japë emrin e kandidatit nëse arrihet marrëveshje politike.

    Për qëndrimin në sallë në rast se thirret seancë, Lushtaku ka deklaruar se nuk do ta bëjnë.

    “Qëndrimi ynë është i njëjtë, ne kemi qenë pro që të kemi një kandidat për president konsensual. Kemi qenë me zemër që nëse është dikush nga familja Jashari ta votojmë, por e pamë qëndrimin e tyre. Derisa ka tentime me i dërgu në qosh opozitën dhe me imponu kandidatin tyre, ne nuk pranojmë dhe me përgjegjësi qëndrojmë prapa qëndrimeve tona që kemi dhënë që mos me qenë mbështetëse të një pushteti autoritar. Ne e respektojmë çdo familje të respektuar edhe Andinin e kemi pas koleg, por ai është vartës i partisë në pushtet dhe derisa është në VV nuk kemi votë për të. Nuk do të qëndrojmë në sallë. PDK-ja është e gatshme me dhënë emrin nëse ka marrëveshje”, ka thënë ai.

  • 80 persona vdesin nga sulmi amerikan ndaj anijes iraniane afër Sri Lankës

    80 persona vdesin nga sulmi amerikan ndaj anijes iraniane afër Sri Lankës

    Të paktën 80 persona raportohen të vdekur pasi nëndetësja amerikane fundosi një anije luftarake iraniane në brigjet e Sri Lankës, ka bërë të ditur ky shtet.

    Sulmin e ka konfirmuar të mërkurën edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth gjatë një konference për media.

    Anija iraniane, e cila është fundosur si pasojë e sulmit, po kthehej në Iran nga një port në Indinë lindore, ka thënë Hegseth.

    Më parë besohej se të paktën 140 persona ishin të zhdukur pas incidentit.

  • Lëkundje të forta në Itali, mbyllen shkollat Catania – mbi 600 raportime për dëme

    Lëkundje të forta në Itali, mbyllen shkollat Catania – mbi 600 raportime për dëme

    Një tërmet i fortë u ndje në zonat e Catanias, Mesinës dhe Sirakuzës në Itali rreth orës 7:05 të mëngjesit të sotëm.

    Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV) vlerësoi se tërmeti ishte me magnitudë prej 4.5 dhe me epoqendër në malin Etna, në një zonë në veriperëndim të Ragalnës, në një thellësi prej afërsisht 3.8 kilometrash.

    Sipas kryetarit të bashkisë së Ragalnës, Nino Caruso, janë raportuar rreth 600 raportime për “dëme të konsiderueshme dhe të dukshme në shtëpi private”.

    Ndërsa shkollat ​​në Catania do të mbeten të mbyllura si masë paraprake. Kryetari i bashkisë Enrico Trantino shpjegoi se mësimi është pezulluar sot si masë paraprake për të lejuar inspektimet e ndërtesave shkollore. Një iniciativë e ngjashme është miratuar në disa komuna në provincë.

  • Presidenti Begaj dekreton ndryshimet në Qeveri, largohen Balluku, Spiropali e Vengu

    Presidenti Begaj dekreton ndryshimet në Qeveri, largohen Balluku, Spiropali e Vengu

    Presidentit të Shqipërisë Bajram Begaj i kanë mjaftuar dy ditë kohë dhe jo shtatë siç parashikon Kushtetuta për të hedhur firmën në dekretet e lirimit nga detyra të disa ministrave dhe dekretuar ministrat e rinj të kabinetit Rama 4.

    Dekreti i parë është lirimi nga detyra si ambasador i Shqipërisë në Delegacionin e BE në Bruksel i Ferit Hoxha dhe dekretimi si pasardhës i Elisa Spiropalit në krye të Punëve të Jashtme.

    Belinda Balluku, me dekretet, është liruar sot zyrtarisht nga detyra si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

    Albana Koçiu është dekretuar si numri dy i qeverisë, ndërsa Enea Karakaçi ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

    Janë dekretuar Ermal Nufi, ministër i Mbrojtjes; Toni Gogu, ministër i Drejtësisë; Besfort Lamallari, ministër i Drejtësisë; Erjona Ismaili, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

    Pas këtyre dekretimeve, ministrat do të votohen në seancën plenare të së enjtes, 5 mars, e më pas do të betohen në Pallatin e Brigadave në prezencën e dekretuesit të tyre, presidentit Bajram Begaj.

  • MINT-i vendos çmime tavan për naftën

    MINT-i vendos çmime tavan për naftën

    Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINTI), Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve tavan të produkteve të naftës.

    Sipas saj, ky vendim erdhi pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të naftës si pasojë e situatës në Lindjen e Mesme.

    Në njoftim bëhet e ditur se marzha tregtare maksimale e lejuar në shitjen me shumicë është deri në 2 eurocentë për litër, ndërsa në shitjen me pakicë deri në 12 eurocentë për litër.

    “Vendimi vjen pas mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, analizimit të evidencave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raporteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është konstatuar se rritjet e çmimeve nga importi janë reflektuar menjëherë në çmimet e shitjes. Marzha tregtare maksimale e lejuar: Shitja me shumicë: deri në 2 eurocentë për litër; Shitja me pakicë: deri në 12 eurocentë për litër”, thuhet në njoftimin e ministres.

    Tutje theksohet se inspektorët do të jenë në terren për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi dhe se çdo shkelje ose moszbatim do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi.

  • Shefi i Pentagonit: Irani u përpoq të vriste Trumpin

    Shefi i Pentagonit: Irani u përpoq të vriste Trumpin

    Shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, ka deklaruar të mërkurën se Irani është përpjekur ta vrasë presidentin amerikan, Donald Trump.

    Gjatë një konference për media, ku ka dhënë përditësime lidhur me luftën ndaj Iranit, Hegseth ka thënë se forcat amerikane kanë “ndjekur dhe vrarë” udhëheqësin e një njësie që, sipas tij, u përpoq të vriste Trumpin.

    “Gjithashtu dje, udhëheqësi i njësisë që u përpoq të vriste presidentin Trump është ndjekur dhe vrarë”, ka deklaruar Hegseth.

    “Irani u përpoq të vriste presidentin Trump. Dhe presidenti Trump qeshi i fundit”, ka shtuar ai.

    Ai po ashtu ka deklaruar se Amerika është duke fituar në luftën kundër Iranit dhe se ky është vetëm fillimi.

  • Osmani pjesë e listës së LDK-së?Lushaku: Gjitha këto i takojnë të ardhmes

    Osmani pjesë e listës së LDK-së?Lushaku: Gjitha këto i takojnë të ardhmes

    Shefja e grupit parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Jehona Lushaku ka thënë se nuk kanë marrë asnjë ftesë nga kryeministri Albin Kurti për ndonjë takim me kryetarin Lumir Abdixhiku, e ku ka theksuar edhe se përgjegjësinë për çështjen e presidentit/es e mban partia në pushtet, pra LVV, raporton Ekonomia Online.

    E pyetur rreth raportimeve se Vjosa Osmani mund të bëhet pjesë e listës së LDK-së, ajo tha se gjithçka i takon të ardhmes.

    Megjithëkëtë, ajo potencoi se LDK ka shprehur gatishmërinë për dialog.

    “Nuk është që jam e vetëdijshme, domethënë s’kam parë që ka një ftesë. Deri në këtë moment, partia e parë e mban përgjegjësinë për të prezantuar një emër për president edhe me e thirrë seancën me 30 nënshkrime. Deri në këtë moment s’kemi ndonjë kandidat që është prezantuar. Kemi shprehur gatishmërinë tonë që të marrim pjesë edhe në dialog, edhe në procesin e zgjedhjes ashtu siç e kemi edhe obligim, edhe siç i takon secilës parti parlamentare në një shtet demokratik. Për këtë e kemi shfaqur gatishmërinë tonë, po varet nga partia më e madhe parlamentare, e cila i ka numrat edhe për ta përmbyllur këtë proces edhe për t’i dhënë kahje. Është vërtetë për keqardhje që deri në këtë moment nuk kemi qartësi të procesit dhe nuk kemi ndonjë emër për president. Nuk kemi parë që ka ndonjë iniciativë zyrtare. Përderisa s’ka iniciativë, nuk ka as shqyrtim të ndonjë emri.

    Se a ka marrë Lumir Abdixhiku ftesë për takim nga i pari i LVV-së, Lushaku e mohoi.

    “Nuk e di, domethënë unë nuk jam e vetëdijshme, nuk kam parë që ka një takim. Jo, s’ka as ftesë për kryesi, as për seancë. Ne vetëm po presim që të ketë ftesa“, tha ajo.

    Ajo ka hezituar të përgjigjet direkt nëse Osmani do të jetë pjesë e listës së LDK-së, sikurse u raportu një ditë më parë.

    “Krejt këto janë domethënë i takojnë të ardhmes. Si parti parlamentare kemi qenë të gatshëm të marrim pjesë në dialog, në diskutime, të vijmë drejt një emri konsensual ose përmes një marrëveshjeje politike. Gatishmëria e jonë e LDK-së ka qenë totalisht në dispozicion. Varet ne numrat nuk i kemi të vetëm që të prezantojmë asnjë emër dhe as ta bëjmë zgjedhjen e presidentit. Prandaj gatishmërinë tonë e kemi ofruar dhe kemi marrë pjesë për aq sa na ka takuar“, tha Lushaku.

  • Dëshmitari i radhës zyrtar i ZPS-së, merret me hetimin e forenzikës digjitale

    Dëshmitari i radhës zyrtar i ZPS-së, merret me hetimin e forenzikës digjitale

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i tretë i Prokurorisë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

    Ky dëshmitar quhet Chrisopher Kelly dhe e pohoi se punon me kohë të pjesshme në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

    Ai tha se në kuadër të kontratës së tij, punon për Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    “Hetim i forenzikës digjitale”, tha Kelly për punën që e bën për ZPS-në.

    Ai shtoi se rreth 26 vjet ka përvojë punë në këtë fushë. Tha se përveç ekzaminimeve kompjuterike dhe telefonike, kjo punë përfshinë edhe programimin me “cellebrite” dhe “magnet”.

  • Kurti për çështjen e presidentit: Çështje orësh kur do t’i mësojmë të gjitha

    Kurti për çështjen e presidentit: Çështje orësh kur do t’i mësojmë të gjitha

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dhënë një përgjigje konkrete lidhur me kandidatin e mundshëm për president, teksa po hynte në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LVV-së.

    I pyetur nga gazetarët nëse kandidate për këtë pozitë është Vjosa Osmani, Kurti tha se është duke shkuar në mbledhjen e grupit parlamentar, ku do të diskutohet çështja e presidentit.

    “Besoni që ngapak edhe unë jam kurreshtar po si ju“, iu përgjigj Kurti gazetarëve nëpyetjen se kush është emri për president.

    Ndërkaq i pyetur për spekulimet rreth emrit të Andin Hotit, kryeministri tha shkurt: “Është çështje orësh kur do t’i mësojmë të gjitha, që të gjithë bashkë”.

  • Ekstradohet nga Kosova shtetasi maqedonas i kërkuar për vrasje nga INTERPOL-i

    Ekstradohet nga Kosova shtetasi maqedonas i kërkuar për vrasje nga INTERPOL-i

    Policia e Kosovës ka ekstraduar për në Maqedoni të Veriut një person të kërkuar për vrasje.

    Personi në fjalë ishte arrestuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës, pasi kërkohej nga Interpol me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet kompetente të Maqedonisë së Veriut për veprën penale “Vrasje”, si dhe dyshohej se i ishte shmangur drejtësisë.

    Në një komunikatë për media, Policia bën të ditur se ekstradimi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mbi bazën e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërinstitucional ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

    “Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe në funksion të gjurmimit, kapjes dhe arrestimit të personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.