ATV

Author: G.O.

  • Irani paralajmëron se Evropa do të ‘paguajë çmimin’ nëse hesht ndaj luftës

    Irani paralajmëron se Evropa do të ‘paguajë çmimin’ nëse hesht ndaj luftës

    Irani ka kërcënuar vendet anëtare të BE-së për qëndrimin e tyre në konflikt.

    “Vendet në bllok do të paguanin çmimin, herët a vonë nëse do të heshtin për sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit”, ka deklaruar zëdhënësi i ministrisë së jashtme Esmaeil Baqaei për transmetuesin spanjoll TVE, megjithëse nuk dha detaje.

    Ai gjithashtu përsëriti mohimet e mëparshme iraniane se një raketë balistike e rrëzuar nga mbrojtja ajrore e NATO-s që po shkonte drejt hapësirës ajrore turke nuk ishte lëshuar nga Irani.

    Ndryshe, shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha se Neni 5 nuk është në tryezë pasi mbrojtja ajrore e aleancës rrëzoi dje një raketë balistike mbi hapësirën ajrore të Turqisë.

    Rutte tha se incidenti ishte “serioz”, por “askush nuk po flet për Nenin 5”.

    Raportohet se Neni 5 thotë se nëse një aleat i NATO-s përballet me një sulm të armatosur, çdo anëtar tjetër i Aleancës do ta konsiderojë këtë si një sulm të armatosur kundër të gjithë anëtarëve dhe do të ndërmarrë veprimet që i konsideron të nevojshme për të ndihmuar aleatin e sulmuar.

  • Humbi vajzën 8-vjeçare nga leukemia, Hysni Gucati: E hetuam shumë vonë, ishte në fazën e fundit

    Humbi vajzën 8-vjeçare nga leukemia, Hysni Gucati: E hetuam shumë vonë, ishte në fazën e fundit

    Në një rrëfim emocional në emisionin “Studio A” në ATV, Hysni Gucati ka ndarë një nga momentet më të dhimbshme të jetës së tij – humbjen e vajzës së tij 8-vjeçare nga Leukemia.

    Gucati tregoi se sëmundja u zbulua shumë vonë dhe se në momentin kur familja mori diagnozën, ajo tashmë kishte arritur në një fazë shumë të avancuar.

    “E hetuam shumë vonë. Kur u diagnostikua, ishte në fazën e fundit, gjithmonë me shpresën që bënë më mirë, por kjo shpresë nuk zgjati”, u shpreh ai.

    I njohur si një nga figurat e respektuara në vend, Gucati është veteran i luftës në Kosovë dhe ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aktualisht ai shërben si kryetar i Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK‑së, duke qenë një zë i rëndësishëm për komunitetin e veteranëve./ATVLIVE.TV

  • Presidentja Osmani pritet të mbajë konferencë pasdite

    Presidentja Osmani pritet të mbajë konferencë pasdite

    Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka sinjalizuar se ajo mund të mbajë një konferencë për media më vonë gjatë ditës.

    “Pritet të ketë, mbase, pasdite. Ju njoftojmë”, ka thënë shkurt Kupina për mediat.

    Kjo pasi, Kurti përfundimisht nuk e nominoi Osmanin për Presidente të vendit.

  • Hykmete Bajrami: Albin Kurti e dëshmoi që është armiku më i madh i këtij vendi

    Hykmete Bajrami: Albin Kurti e dëshmoi që është armiku më i madh i këtij vendi

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar pas propozimit të VV-së që Glauk Konjufca të jetë kandidat për president të vendit.

    Në një postim në Facebook, Bajrami kritikoi kryeministrin Albin Kurti duke theksuar se veprimet e tij po e çojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja dhe krizës.

    “Albin Kurti me nominimin e Glauk Konjufcës për president duke e ditë që nuk i ka votat, me paramendim po e çon vendin prapë në zgjedhje.”

    Ajo shton se vendi ka nevojë për stabilitet dhe unitet, dhe kritikon mungesën e përgjegjësisë institucionale, duke përfunduar se Kurti deri tani ka dëshmuar të jetë “armiku më i madh i këtij vendi”.

  • Kryetarja Haxhiu thërret konferencë për media

    Kryetarja Haxhiu thërret konferencë për media

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ftuar një konferencë për media.

    Sipas njoftimit, konferenca do të mbahet në orën 18:30 në Hollin e Kuvendit.

    Ndonëse nuk u bë e ditur se cila do të jetë tema, gjatë ditës është folur se sonte pritet të mbahet seanca për Presidentin.

  • Lëvizja Vetëvendosje e propozon Glauk Konjufcën për president

    Lëvizja Vetëvendosje e propozon Glauk Konjufcën për president

    Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar për president të Kosovës, ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Glauk Konjufcën.

    Postimi i plotë i VV-së:

    Zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, që erdhën si rezultat i një bllokade mbi dhjetëmujore, përveçse u mbajtën në një afat të afërt kohor, dhanë gjithashtu rezultatin më të qartë në historinë e Kosovës së pasluftës. Qytetarët folën fuqishëm kundër bllokimit të shtetit dhe në favor të themelimit të institucioneve.

    Në përputhje me këtë rezultat, pa asnjë vonesë u konstituuan dy institucionet themelore të vendit, Kuvendi dhe Qeveria, ndërsa procesi i radhës që kemi përpara është ai i zgjedhjes së Presidentit.

    Duke pasur parasysh përcaktimet politike të subjekteve parlamentare, si subjekt fitues, propozuam që vendit t’i ofrojmë një kandidat konsensual për President. Për këtë arsye, ftuam disa herë radhazi në takim subjektet më të mëdha opozitare, me synimin për të gjetur emra dhe propozime rreth të cilëve do të mund të ndërtonim pajtim për këtë pozitë, për zgjedhjen e së cilës kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë.

    Pavarësisht insistimit tonë, nga këto subjekte nuk morëm asnjë propozim konkret, ndërsa u refuzuan edhe ofertat tona me emra të caktuar.

    Subjekti ynë politik është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara. Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme.

    Në këto rrethana, Lëvizja VETËVENDOSJE!, pas të gjitha përpjekjeve për të arritur marrëveshje, do të propozojë për kandidat për President ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit, deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës sonë, z. Glauk Konjufca.

    Në të njëjtën kohë, i ftojmë edhe njëherë subjektet opozitare që të propozojnë një kandidat. Nëse u nevojiten nënshkrime plotësuese ne ju ndihmojmë nga grupi ynë parlamentar.

    Jemi të bindur se kjo sfidë është e kalueshme, zgjedhjet janë të evitueshme dhe është plotësisht e mundshme të gjejmë pajtueshmëri për të ecur përpara.

  • Zyrtari i ZPS-së: S’kam identifikuar komunikim në mes Fadil Fazliut dhe Rrustem Mustafës

    Zyrtari i ZPS-së: S’kam identifikuar komunikim në mes Fadil Fazliut dhe Rrustem Mustafës

    Christopher Kelly i cili është zyrtar i Prokurorisë dhe merret me hetimin e forenzikës digjitale, ka pohuar se gjatë ekzaminimeve nuk ka identifikuar ndonjë komunikim në mes Fadil Fazliut dhe Rrustem Mustafës- Remit.

    “Po, është e saktë”, u përgjigj dëshmitari në pyetjet e mbrojtjes së Hashim Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Derisa prokurori ishe duke bërë pyetje, dëshmitarit iu prezantua një hartë e vendndodhjes së të dhënave që thuhet se i përket ngjarjeve të 24 tetorit 2023.

    Prokurorit tha se kjo është hartë e vendndodhjes së dy telefonave, atij të Bashkim Smakajt dhe atij të Bislim Zyrapit. Sipas imazhit, shihej një distancë shumë e vogël mes telefonave.

    Më pas, dëshmitarit iu prezantua një dokument për të cilin tha se është nxjerrë nga laptopi i Bashkim Smakajt.

  • Tahiri: Është një puç që po i instalohet Kosovës përmes një shumice parlamentare

    Tahiri: Është një puç që po i instalohet Kosovës përmes një shumice parlamentare

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka folur lidhur me situatën aktuale politike në Kosovë, duke theksuar se situata e krijuar për zgjedhjen e presidentit është një krizë serioze që mund të dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

    Tahiri ka kritikuar ashpër partitë që janë në pushtet për mungesën e një procesi të mirëfilltë politik për zgjedhjen e një kandidati konsensual për presidencën e Kosovës.

    “Partia në pushtet nuk i ka 80 vota me bo presidentin, e në mungesë të 80 votave nuk ka ndodh një proces politik për të zgjedhur një kandidat konsensual. Pse s’ka ndodh? E kemi ditë kur është afati i fundit dhe nuk ka ndodh asnjë tryezë politike për profilin e një kandidati potencial për president konsensual…kjo nuk ka ndodh. Kanë ndodh disa takime siç e kemi parë një me një, pa llogaridhënie…Sot jemi në një krizë serioze të shtetit të Kosovës, ku me vetëdije apo pa vetëdije don ta dërgojë vendin në zgjedhje”, ka thënë Tahiri.

    Ai po ashtu tha se mungesa e një procesi politik i faturohet vetëm partisë në pushtet, duke shtuar se “Është një puç që po i instalohet Kosovës”.

    “Ajo është partia që i ka fituar zgjedhjet dhe nuk ka vendosur një emër të kandidatit por ka krijuar një amulli. Është një puç që po i instalohet Kosovës përmes një shumice parlamentare e cila e ka synimin e vetëm që ta synoj edhe presidencën e Kosovës dhe të mos ketë llogaridhënie. AAK nuk ka qenë e përfshirë në këto konsultime edhe pse kemi qenë të hapur”, ka thënë ndër të tjera Tahiri. /Telegrafi/

  • Zveçani bëhet me palestër 2.5 milionëshe të financuar nga BE, Orav: Do i qëndrojmë krah Kosovës dhe komuniteteve

    Zveçani bëhet me palestër 2.5 milionëshe të financuar nga BE, Orav: Do i qëndrojmë krah Kosovës dhe komuniteteve

    Ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav, sot ka përuruar një palestër të re sportive të financuar nga BE’ja, në Zveçan. Në njoftimin e BE’së, bëhet e ditur se investimit është në vlerë prej 2.5 milionë eurosh, dhe se, i njëjti prek rininë, përfshirjen dhe zhvillimin ekonomik.

    Në postim thuhet edhe se, palestra është e projektuar për basketboll, hendboll, volejboll dhe aktivitete të tjera.

    “Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i qëndrojë për krah Kosovës dhe të gjitha komuniteteve të saj, duke mbështetur reforma dhe duke investuar në projekte që sjellin përmirësime të prekshme në jetën e njerëzve dhe i ndihmojnë Kosovës të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së”, ka thënë Orav.

  • Kamomili shumë i rëndësishëm për shëndetin tonë – Ja cilat janë ndikimet e tij pozitive

    Kamomili shumë i rëndësishëm për shëndetin tonë – Ja cilat janë ndikimet e tij pozitive

    Çaji i kamomilit është përdorur ndër shekuj për aftësitë e tij lehtësuese dhe qetësuese.

    Mjafton një filxhan i tillë dhe shumë prej shqetësimeve që mund të keni do të zhduken.

    Pirja e një filxhani çaj kamomil (ose thjesht gargar me çaj të ftohtë kamomili) trajton të gjitha problemet me mishrat e dhëmbëve.

    Çaji i kamomilit lehtëson dhimbjet e barkut dhe qetëson problemet që lidhen me aparatin tretës.Nëse keni probleme me tretjen çaji i kamomilit mund të relaksojë muskujt duke ndihmuar në trejten e ushqimit.