ATV

Author: G.O.

  • Rutte nga Shkupi: Do të sigurohemi që KFOR-i në Kosovë të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për qëllimin e tij

    Rutte nga Shkupi: Do të sigurohemi që KFOR-i në Kosovë të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për qëllimin e tij

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Mark Rutte, gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut tha se misioni i KFOR’it në Kosovë do të mbetet “i fuqishëm” dhe “i aftë për qëllimin e tij”.

    Këto deklarata Rutte i bëri pas disa raportimeve se SHBA-ja u ka lobuar në muajt e fundit për të zvogëluar operacionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

    “Maqedonia e Veriut e ka mbështetur prej kohësh misionin tonë paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë dhe për këtë ju falënderoj. KFOR-i vazhdon të luajë një rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për qëllimin e tij”, tha Rutte.

    Ndryshe, për këto raportime Pentagoni kishte thënë se aktualisht nuk ka ndryshime në në stacionimin e forcës.

    Në konferencën e përbashkët me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, në Shkup, Rutte gjithashtu tha se NATO është e përkushtuar “për të mbrojtur çdo centimetër të territorit aleat ngado që të vijë sfida”.

  • Brenda vetëm 24 orësh, çmimi i i derivateve në Kosovë u rrit për së paku 14 centë

    Brenda vetëm 24 orësh, çmimi i i derivateve në Kosovë u rrit për së paku 14 centë

    Brenda vetëm 24 orësh, çmimi i derivateve në Kosovë u rrit për së paku 14 centë.

    Më 3 mars, një litër naftë në disa pika karburanti arriti në 1.39 euro, ndërsa benzina në 1.38 euro.

    Një ditë më parë, çmimet ishin deri në 1.25 euro për naftë dhe 1.24 euro për benzinë.

    Lëvizja e shpejtë e tregut vendor nuk është rastësi – ajo pasqyron përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe tronditjen e zinxhirit global të furnizimit me energji.

    Tensionet gjeopolitike dhe efekti domino

    Rritja u nxit nga tensionet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, që shtynë çmimin e naftës Brent – standardi global i referencës – të rritet deri në 10 për qind më 1 mars.

    Pasiguria për ndërprerje të furnizimeve u shtua veçanërisht pas pezullimit të një pjese të dërgesave përmes Ngushticës së Hormuzit.

    Kjo ngushticë, përmes së cilës kalon mbi një e pesta e furnizimeve ditore globale me naftë, shërben si arterie eksporti për vende si Irani, Arabia Saudite, Kuvajti dhe Iraku.

    Çdo rrezik për bllokim apo kufizim të qarkullimit përkthehet menjëherë në rritje të kostove të sigurimit dhe transportit dhe, për rrjedhojë, në çmime më të larta në tregjet botërore.

    Kosova, plotësisht e varur nga importi

    Kosova nuk ka rafineri të saj dhe furnizohet tërësisht nga importet.

    Vetëm gjatë vitit të kaluar, vendi importoi mbi 478 milionë euro naftë dhe më shumë se 51 milionë euro benzinë.

    Furnizimet kryesore vijnë nga Gjermania, Hungaria, Greqia, Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa një pjesë e konsiderueshme hyn përmes terminalit të Porto Romanos në Durrës.

    Kjo varësi strukturore e bën tregun vendor jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj lëkundjeve globale.

    Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimet mund të vazhdojnë të lëvizin, pasi kompanitë furnizohen sipas çmimeve aktuale të bursës dhe nuk mbajnë rezerva të mëdha.

    Ai shton se nuk ka vend për panik dhe se nuk priten mungesa në treg, por thekson se dinamika e çmimeve mbetet e varur nga zhvillimet ndërkombëtare.

    Institucionet mes paralajmërimeve dhe masave të përkohshme

    Përballë rritjes së shpejtë të çmimeve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e Kosovës njoftoi për një intensifikim të inspektimeve dhe përgatitje të raporteve ditore mbi çmimet.

    Sipas ministrisë, në rast të rritjeve të pajustifikuara mund të aplikohen masa mbrojtëse dhe rregullim i përkohshëm i çmimeve, me mbikëqyrje nga Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore.

    Një vendim i ngjashëm u mor më 16 dhjetor 2025 nga ministrja e atëhershme Rozeta Hajdari, duke përcaktuar marzhë maksimale tregtare prej 2 centësh për litër në shitje me shumicë dhe prej 12 centësh për litër në shitje me pakicë. Ky vendim qëndroi në fuqi vetëm 30 ditë.

    Ish-drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet duhet të shqyrtojnë vazhdimin e masave mbrojtëse, për të garantuar konkurrencë të drejtë dhe mbrojtje të konsumatorit në kohë krize.

    Rreziku i abuzimeve dhe roli i konkurrencës

    Në situata krizash, paralajmërojnë njohësit e tregut, hapet edhe dera për abuzime.

    Eksperti i tregut të naftës, Jakup Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekziston rreziku që kompanitë t’i rrisin çmimet edhe për sasi të blera më herët me çmime më të ulëta.

    Sipas tij, inspektorati duhet të verifikojë kohën e importit dhe koston reale për të shmangur abuzimet.

    Edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) paralajmëron hetime për çdo ndryshim të dyshimtë të çmimeve, ose marrëveshje të mundshme mes operatorëve për përcaktim të njëjtë të tyre.

    Megjithatë, AKK-ja nuk i sqaroi REL-it se cilat masa konkrete do të ndërmerren, në rast se konstatohen shkelje.

    Shtrenjtim zinxhir

    Presioni nuk vjen vetëm nga nafta.

    Në bursën hungareze HUPX, nga e cila importon edhe Kosova, çmimi i energjisë elektrike u rrit nga rreth 60 euro për megavat-orë më 1 mars në 115 euro më 3 mars – pothuajse dyfishim brenda dy ditësh.

    Në të njëjtën kohë, çmimi referencë i gazit në Evropë u rrit për 33 për qind më 3 mars, pas një tjetër rritjeje prej rreth 50 për qind në fillim të javës.

    Një faktor shtesë ishte vendimi i kompanisë shtetërore të Katarit, QatarEnergy, për të ndalur prodhimin pas sulmeve ushtarake ndaj objekteve të saj.

    Rritja e njëkohshme e naftës, energjisë dhe gazit krijon efekt zinxhir në ekonomi.

    Sipas Gashit, ky shtrenjtim do t’i rrisë kostot e transportit, të cilat përbëjnë një pjesë të madhe të shpenzimeve për kompanitë prodhuese dhe tregtare.

    “Derivatet e naftës janë pjesë esenciale e sektorit të energjisë – gjë që i bën ato jetike për çdo degë tjetër të ekonomisë”, thotë ai.

    Një paralajmërim të ngjashëm lëshoi edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DHTIK), e cila vlerësoi se rritja e çmimit të karburanteve ndikon drejtpërdrejt në koston e transportit dhe prodhimit të produkteve ushqimore dhe shërbimeve bazë.

    Sipas saj, kjo situatë “do të rëndojë edhe më shumë koston e jetesës”, duke rritur rrezikun për një valë të re inflacioni.

    Në këtë kontekst, Dhoma propozoi që institucionet të shqyrtojnë uljen ose pezullimin e përkohshëm të disa taksave për bizneset më të prekura, si dhe rishikimin e barrës tatimore për produktet esenciale.

    Masa të tilla, sipas saj, do të ndihmonin në amortizimin e goditjes te konsumatorët dhe në mbështetjen e prodhimit dhe eksportit vendor, në një periudhë pasigurie të theksuar ekonomike.

    Kjo situatë kujton, po ashtu, krizën e nisur me pushtimin e Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, kur çmimet globale të naftës, gazit dhe energjisë elektrike u rritën brenda ditësh.

    Asokohe, rritja e menjëhershme e çmimeve u përkthye direkt në shtrenjtim të karburanteve dhe produkteve bazë në Kosovë dhe gjetiu.

  • Dollari forcohet pas sulmeve ndaj Iranit

    Dollari forcohet pas sulmeve ndaj Iranit

    Mund të duket joshëse të thuhet se dollari amerikan ka rikthyer statusin e “strehës së sigurt” pas sulmeve të fundjavës ndaj Iranit. Por situata nuk është aq e thjeshtë. Forcimi i monedhës amerikane lidhet më shumë me lëvizjet në tregjet e energjisë sesa me një rikthim klasik të kërkesës për siguri financiare.

    Që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar, dollari kishte humbur terren edhe gjatë periudhave të pasigurisë në tregje, kryesisht për shkak të paqartësive në politikat ekonomike amerikane dhe trazirave të brendshme e gjeopolitike.

    Një nga shtyllat kryesore të planit ekonomik të administratës Trump ka qenë zhbërja e mbivlerësimit shumëvjeçar të dollarit. Rënia e rolit të tij si “strehë e sigurt” sugjeronte se investitorët e huaj – tashmë shumë të ekspozuar ndaj aseteve amerikane – kishin ndryshuar sjellje.

    Megjithatë, tregjet u befasuan kur dollari u forcua ndjeshëm pas fushatës së bombardimeve nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër objektivave iraniane, përfshirë edhe vrasjen e liderit suprem iranian Ali Khamenei dhe valën e dhunës rajonale që pasoi.

    Forcim për shkak të energjisë

    Thelbi i lëvizjes nuk ishte një “vrap drejt dollarit”, por dinamika e çmimeve të energjisë. Rritja fillestare prej 10% e çmimeve globale të naftës goditi më rëndë ekonomitë që varen nga importet e energjisë.

    SHBA-ja është tashmë eksportuese neto e energjisë, ndaj ndikimi ishte më i kufizuar. Ndërkohë, monedha japoneze ra mbi 1% kundrejt dollarit, pasi Japonia importon një pjesë të madhe të energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit. Edhe juani kinez humbi 0.8%, ndërsa tensionet u rritën.

    Strategu i valutave në Societe Generale, Kit Juckes, tha se kjo nuk është një situatë e favorshme për monedhat e Azisë Veriore, duke theksuar se operacioni ushtarak amerikan mund të zgjasë javë, jo ditë.

    Evropa nën presion

    Për Evropën, situata është edhe më e ndërlikuar. Sulmet që prekën rrugët detare përmes Hormuzit – korridor për rreth 20% të gazit të lëngshëm natyror në botë dhe deri në 30% të naftës bruto – shkaktuan luhatje të forta.

    Çmimet referuese të gazit evropian u rritën deri në 50% brenda ditës, duke mbyllur me +35% dhe arritur nivelin më të lartë në më shumë se një vit. SHBA-ja furnizoi 58% të LNG-së së Bashkimit Evropian vitin e kaluar, ndërsa Katari – që mbulon rreth 6% – ndaloi prodhimin pas sulmeve.

    Euro ra 1% kundrejt dollarit, në nivelin më të ulët në mbi një muaj.

    Sa i madh është ndikimi ekonomik?

    Ekonomistët e Barclays vlerësojnë se çdo rritje e qëndrueshme prej 10 dollarësh për fuçi nafte mund të ulë rritjen globale me deri 0.2 pikë përqindjeje. Nëse çmimet arrijnë mbi 100 dollarë për fuçi, ndikimi mund të jetë i ndjeshëm.

    Aktualisht, rritja neto prej 5 dollarësh – në rreth 77 dollarë për fuçi – konsiderohet një goditje relativisht e moderuar, me ndikim të kufizuar në kërkesën amerikane.

    Me inflacionin bazë në SHBA mbi 3%, presioni nga energjia mund të forcojë argumentin për norma të larta interesi gjatë gjithë vitit – një tjetër faktor që mbështet dollarin.

    Rreziku i një cikli vetëpërforcues

    Sipas një rregulli praktik të Barclays, dollari forcohet me 0.5% deri në 1% për çdo rritje prej 10 dollarësh të naftës. Nëse çmimet e energjisë të denominuara në dollar mbeten të larta, kjo mund të krijojë një efekt zinxhir: dollar më i fortë goditje më e madhe për ekonomitë importuese.   

    Një skenar i tillë nuk do të ishte i dëshirueshëm për askënd – aq më pak për Uashingtonin.

    Sipas tregut të parashikimeve Polymarket, ka 63% gjasa që operacioni ushtarak të ndalet deri në fund të muajit.

  • “Kosova është Serbi”, vendosen mbishkrime fyese në gjuhën serbe në Ambasadën e Kosovës në Berlin, reagon MPJD

    “Kosova është Serbi”, vendosen mbishkrime fyese në gjuhën serbe në Ambasadën e Kosovës në Berlin, reagon MPJD

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka njoftuar opinionin publik se sot, në ambientet e jashtme të Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin, janë vendosur etiketa fyese me përmbajtje shoviniste në gjuhën serbe mbi pllakatin identifikues të objektit.

    Sipas njoftimit zyrtar, mbishkrimet përmbanin slogane nacionaliste dhe nxitëse, përfshirë mesazhe si “Nuk ka dorëzim”, “Kosova është Serbi” dhe thirrje të tjera me konotacion propagandistik dhe përçarës.

    Menjëherë pas identifikimit të rastit, Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin ka njoftuar autoritetet kompetente gjermane. Policia gjermane është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse në vendngjarje, përfshirë hetimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave përgjegjës.

    MPJD ka dënuar fuqishëm çdo akt vandalizmi, gjuhë urrejtjeje dhe çdo përpjekje për të cenuar përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës. Sipas ministrisë, veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike, si dhe dëmtojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet shteteve.

    Republika e Kosovës, thuhet më tej në reagim, mbetet e përkushtuar ndaj promovimit të paqes, dialogut, bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira ndërkombëtare, duke vazhduar të ushtrojë misionin e saj diplomatik në përputhje të plotë me parimet dhe standardet ndërkombëtare.

  • Mustafa, pas takimit të LDK-së: Zgjedhjet janë të evitueshme, por ende s’kemi marrëveshje për postin e presidentit

    Mustafa, pas takimit të LDK-së: Zgjedhjet janë të evitueshme, por ende s’kemi marrëveshje për postin e presidentit

    Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Besian Mustafa tha se ende nuk ka marrëveshje për ndonjë kandidat për postin e presidentit.

    Ai vlerësoi se zgjedhjet e parakohshme – që do të nxiteshin nga moszgjedhja e presidentit apo presidentes së re para fundit të afatit kushtetues – janë “të evitueshme, të shmangshme dhe të panevojshme”.

    Por, ai shtoi se “pushteti ka 66 ulëse, dhe pa ta nuk bëhet kjo punë”.

    Mustafa tha se deri më tani nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare që ka mbledhur të paktën 30 nënshkrime deputetësh dhe se mbetet e paqartë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen,

    “E kam të pamundur të përgjigjem se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Mund të ketë sërish takim. Ne jemi të hapur, me shpresën që do të arrijmë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit”, tha Mustafa, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Ky zhvillim vjen pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar zgjedhjen e presidentit të ri, ku nuk u arrit konsensus.

    Kurti kishte deklaruar se diskutimet ishin “në një atmosferë konstruktive” dhe se çdo zhvillim i ri do t’i bëhet i ditur publikisht.

    Takimi vjen teksa afati kushtetues për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit po afrohet, dhe pas raundit të parë të bisedimeve mes Kurtit dhe Abdixhikut, kur nuk u arrit konsensus mes partive.

    “S’kishte emra, s’kishte propozime, s’kishte vullnet për konsensus. Imponimet nuk janë zgjidhja adekuate për LDK-në”, pati thënë Abdixhiku epas takimit të 2 marsit, duke shtuar se LDK-ja mbetet e hapur për diskutime të mëtejme, por skeptike ndaj idesë që secila parti të shkojë në Kuvend me kandidat të vetin.

    Abdixhiku kishte theksuar se për LDK-në gara me disa kandidatë është “procedurë e paraparë për të dështuar” dhe mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

    Nga ana tjetër, Kurti para takimit të djeshem kishte deklaruar se për zgjedhjen e presidentit “duhet dikush që i siguron 80 vota”, pa përmendur emra konkretë.

    Ai ka thënë më herët se Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit dhe pjesëtar i familjes së Adem Jasharit, do të ishte figurë e përshtatshme për postin e presidentit, duke theksuar se vendit i duhet një personalitet që, sipas tij, “u bën ballë shtrëngatave” në rrethanat aktuale gjeopolitike. Megjithatë, Murat Jashari ka bërë të ditur se nuk ka ambicie për këtë pozitë./REL

  • Rutte: NATO-ja s’është e përfshirë në konflikt, por do të mbrojë çdo centimetër të vendeve anëtare

    Rutte: NATO-ja s’është e përfshirë në konflikt, por do të mbrojë çdo centimetër të vendeve anëtare

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një vizite në Shkup, deklaroi se aleanca nuk është e përfshirë në konfliktin në Lindjen e Mesme, por se do të mbrojë çdo centimetër të territoreve të vendeve anëtare.

    Ai shtoi se qëllimi i fushatës së udhëhequr nga SHBA-ja dhe Izraeli në Iran, është neutralizimi i kapaciteteve bërthamore dhe raketore të regjimit të këtij vendi, i cili, sipas tij, paraqet kërcënim për rajonin, Izraelin dhe Evropën.

    Rutte e cilësoi ish-udhëheqësin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, si përgjegjës për vdekjen e mijëra protestuesve gjatë këtij viti dhe për dhjetëra vepra terroriste ndër dekada.

    Sekretari i NATO-s theksoi se askush nuk ka kërkuar përfshirjen e aleancës në konflikt, por shumë vende anëtare po ofrojnë mbështetje, raporton REL.

    Komandantët e NATO-s, sipas tij, punojnë çdo ditë për sigurinë e vendeve anëtarëve përballë kërcënimeve – përfshirë ato terroriste.

  • Pranvera po “troket”, si të mbroheni nga poleni dhe alergjitë sezonale

    Pranvera po “troket”, si të mbroheni nga poleni dhe alergjitë sezonale

    Me rritjen e temperaturave, poleni fillon të shkaktojë probleme për ata që vuajnë nga alergjia sezonale, duke sjellë kruarje të syve, rrjedhje të hundës, vështirësi në frymëmarrje dhe teshtima.

    Nëse jeni nga ata që e kanë të vështirë ta përballojnë pranverën, ka disa gjëra që mund të bëni për të lehtësuar simptomat. Tina Patel, opticienе për lente në Feel Good Contacts, ka ndarë disa mënyra për të ulur rrezikun e simptomave të alergjisë këtë pranverë. Këshilla e saj e parë është të mos nxitoni t’i hapni të gjitha dritaret sapo të ngrohet moti.

    Edhe pse është joshëse të fusni ajër të freskët në shtëpi, kjo mund të sjellë edhe një “mysafir” të padëshiruar, polenin. “Hapja e dritareve e ekspozon brendësinë e shtëpisë ndaj polenit që era mund ta ketë shpërndarë, gjë që mund të shkaktojë irritim, lotim të syve dhe të jetë e vështirë për t’u larguar pasi të futet brenda. Mos harroni ta pastroni shtëpinë rregullisht me fshesë me korent dhe të fshini sipërfaqet e prekura me një leckë të lagur për të ndihmuar në largimin e polenit.”

    Ajo rekomandon gjithashtu që personat me alergji sezonale të mos mbajnë lule të freskëta në shtëpi, ose të paktën të informohen mirë për llojin e luleve që sjellin brenda. Tina thotë: “Megjithëse bimët dhe lulet e freskëta e zbukurojnë ambientin dhe i japin ngjyrë shtëpisë, ato ju ekspozojnë ndaj polenit dhe ka gjasa t’i përkeqësojnë simptomat.

    “Merrni parasysh të zgjidhni lule të përshtatshme për personat me alergji si trëndafilat, tulipanët, hortensiat, orkidetë dhe bozhuret.” Është gjithashtu e rëndësishme të përpiqeni të qëndroni sa më pak të ekspozuar ndaj polenit. Tina këshillon: “Për të mbajtur polenin larg, mund të aplikoni vazelinë rreth vrimave të hundës, e cila ndihmon në kapjen e pluhurit, polenit dhe alergjenëve të tjerë përpara se të hyjnë në hundë. “Duhet gjithashtu të bëni dush dhe të ndërroni rrobat sapo të ktheheni në shtëpi pasi keni qenë jashtë, për të larguar polenin nga trupi dhe veshjet”./TAR

     

  • Sulme të reja amerikane dhe izraelite në Iran

    Sulme të reja amerikane dhe izraelite në Iran

    Raportimet nga Irani bëjnë të ditur se avionë luftarakë amerikanë dhe izraelitë kanë ndërmarrë sulme të reja ndaj një sërë objektesh ushtarake dhe të sigurisë në disa qytete të vendit.

    Sipas burimeve, në shënjestër kanë qenë selia e Inteligjencës së Gardës Revolucionare (IRGC) në Urmia, Gjykata Revolucionare dhe Publike në këtë qytet, baza “Unity” e IRGC-së në Paveh, si dhe i ashtuquajturi “qyteti i raketave” në Najafabad, në veri të provincës së Isfahanit.

    Ndërkohë, raportohet për fluturime të vazhdueshme të avionëve luftarakë edhe mbi zona të ndryshme të Teheranit, Shirazit dhe Isfahanit.

  • Shqipëria paralajmëron qytetarët të shmangin udhëtimet drejt Lindjes së Mesme

    Shqipëria paralajmëron qytetarët të shmangin udhëtimet drejt Lindjes së Mesme

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë përditësoi njoftimin për situatën në Lindjen e Mesme, duke theksuar se, për shkak të përshkallëzimit ushtarak në rajon, gjendja e sigurisë mbetet e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme.

    Autoritetet shqiptare këshillojnë shtetasit të shmangin çdo udhëtim drejt vendeve të rajonit deri në një njoftim të dytë.

    Ndërkohë, qytetarët që ndodhen aktualisht atje, duhet të tregojnë vigjilencë maksimale dhe të shqyrtojnë mundësinë e largimit përmes linjave ajrore, për aq kohë sa ato vijojnë të jenë funksionale.

    Ministria u bën thirrje qytetarëve të ndjekin vetëm burime zyrtare dhe mediatike të besueshme, të respektojnë udhëzimet e autoriteteve lokale, të mbajnë dokumentet e udhëtimit dhe mjetet e komunikimit të gatshme, si dhe të kontaktojnë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore shqiptare në rast nevoje.

    Ajo paralajmëron gjithashtu se, në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës, mbyllja e hapësirës ajrore në një perimetër më të gjerë mbetet mundësi reale, ndërsa fluturimet mund të anulohen pa paralajmërim.

     

  • ​I akuzuari për plagosjen e dy personave në Vushtrri deklarohet i pafajshëm në seancën fillestare

    ​I akuzuari për plagosjen e dy personave në Vushtrri deklarohet i pafajshëm në seancën fillestare

    Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, është mbajtur, seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarit Sh.B., i ngarkuar me veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, “Mbajtje e paautorizuar e armëve” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

    Në seancën e mbajtur më 02.03.2026, ai nuk e pranoi fajësinë, kështu e ka bërë të ditur, zëdhënësja e gjykatës, Hateme Haxhaj, raporton KosovaPress.

    “Meqenëse i pandehuri nuk e ka pranuar fajësinë për veprat penale sipas aktakuzës, Kryetari i trupit gjykues e ka njoftuar se brenda 30 ditëve nga dita e shqyrtimit fillestar mund të paraqes kundërshtimet ndaj provave të propozuara ose kërkesën për hedhjen e aktakuzës,” tha Haxhaj.

    Ajo ka thënë se, masa e paraburgimit ndaj të pandehurit është caktuar në procedurë paraprake dhe vlen deri më 19 mars.

    Prokuroria Themelore – Departamenti i Krimeve të Rënda kishte ngritur aktakuzë më 16 shkurt 2026 për veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, “Mbajtja e paautorizuar e armëve” dhe “Asgjësimi ose dëmtimi i pasurisë”.

    Sipas aktakuzës, “Sh.B. ka tentuar të privojë nga jeta 16-vjeçaren E.V. dhe M.V., duke shtënë me pushkën gjysmë automatike në oborrin e shtëpisë së tij. Nga të shtënat, e mitura E.V. është plagosur në shpatullën e majtë dhe është dërguar për trajtim mjekësor, ku sipas mjekëve gjendja e saj është jashtë rrezikut për jetë”.

    Policia kishte konfiskuar dhjetë fishekë dhe ka raportuar se predhat kanë dëmtuar një automjet në pronësi të I.B. dhe një dritare të banesës së pronarit L.Sh.

    Ngjarja ishte raportuar më 27 nëntor 2025, kur një person dyshohet të ketë shtënë dy herë me armë zjarri ndaj një familjeje në Vushtrri, duke plagosur një vajzë të mitur.