ATV

Author: G.O.

  • Qytetari dorëzon kuletën e gjetur me të holla në polici

    Qytetari dorëzon kuletën e gjetur me të holla në polici

    Një qytetar nga Istogu ka dorëzuar në polici një kuletë të gjetur në qytetin e Junikut, e cila përmbante një shumë të konsiderueshme parash dhe disa kartela bankare.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 5 mars 2026 në Stacionin Policor në Junik është paraqitur qytetari Shpëtim Kabashi nga Istogu, i cili kishte gjetur një kuletë në qytetin e Junikut dhe e kishte dorëzuar atë tek autoritetet policore.

    Në kuletë ndodheshin 445 funta angleze, 50 franga zvicerane, 10 euro, 42 mijë e 600 lekë shqiptare si dhe pesë kartela bankare.

    Policia njofton se më 6 mars 2026 është identifikuar dhe kontaktuar personi të cilit i kishte humbur kuleta.

    Ai është ftuar në Stacionin Policor në Junik, ku zyrtarët policorë ia kanë kthyer kuletën së bashku me të gjitha mjetet financiare që ndodheshin në të.

    Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarin për veprimin dhe për nivelin e lartë të përgjegjësisë qytetare që ka treguar me këtë rast.

  • Europol paralajmëron: Konflikti me Iranin rrit rrezikun e terrorizmit në Evropë

    Europol paralajmëron: Konflikti me Iranin rrit rrezikun e terrorizmit në Evropë

    Konflikti në rritje në Iran po e vë Evropën në gatishmëri të lartë, me agjencinë ndërkombëtare të policisë Europol që paralajmëron për “një kërcënim të shtuar” të terrorizmit dhe “ekstremizmit të dhunshëm” në tokën evropiane, si dhe për rritje të sulmeve kibernetike dhe fushatave të dezinformimit.

    “Lufta e vazhdueshme SHBA-Izrael me Iranin ka pasoja të menjëhershme për krimin e rëndë dhe të organizuar dhe terrorizmin në BE”, tha Jan op gen Oorth, kreu i komunikimit të Europolit.

    “Rreziqet kryesore janë një kërcënim i shtuar i terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, rritja e sulmeve kibernetike që synojnë infrastrukturën e BE-së, një rritje e skemave të mashtrimit online me temë konflikti dhe përhapja e fushatave të dezinformimit dhe ndikimit”, shtoi ai.

    Raportohet se Europoli po ngre alarmin në lidhje me rrjetet e ndërlidhura me Iranin në Evropë, duke përfshirë grupet e lidhura me të ashtuquajturin “Bosht i Rezistencës” të Iranit dhe “rrjetet kriminale që besohet se veprojnë nën drejtimin e institucioneve iraniane të sigurisë”.

    Paralajmërimet e agjencisë vijnë disa ditë pasi Ajatollah i Madh i Iranit, Nasser Makarem Shirazi, lëshoi një fetva duke bërë thirrje për luftë të shenjtë kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit pas vdekjes së Ajatollah Khameneit në sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael të shtunën.

    Irani ka lëshuar gjithashtu paralajmërime të drejtpërdrejta për qeveritë evropiane.

    Esmail Baghaei, zëdhënës i ministrisë së jashtme të Iranit, tha së fundmi se çdo veprim kundër Teheranit do të shihej si bashkëpunim me sulmuesit e tij dhe do të konsiderohej “një akt lufte”, shkruan Telegrafi.

    Raportohet se disa qeveri evropiane kanë rritur tashmë masat e sigurisë.

  • Hamza del nga takimi me Osmanin, tregon se çfarë u diskutua

    Hamza del nga takimi me Osmanin, tregon se çfarë u diskutua

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, është deklaruar për media pas takimit që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Ai bëri të ditur se në këtë takim është diskutuar për datën e zgjedhjeve të reja, ndërsa akuzoi Lëvizja Vetëvendosje se mban përgjegjësinë kryesore për faktin që vendi po shkon sërish në zgjedhje.

    “Ishim në takimin e ftuar nga presidentja e vendit, diskutuam për datën e mundshme të zgjedhjeve”, tha Hamza.

    Nis takimi konsultativ me Osmanin dhe liderët e partive politike pa Kurtin

    “Përgjegjësia kryesore bie tek partia më e madhe në vend, pasi vendi mund të kishte president”.

    Ai shtoi se PDK-ja ka qenë e gatshme për marrëveshje politike.

    “Ne si PDK kemi qenë të hapur që vendi të ketë president. Ne nuk kemi vënë vija të kuqe për asnjë partneritet, por që nuk kemi pranuar asgjë”, potencoi kreu i PDK-së.

    “Kërkesa jonë ka qenë e qartë, që të kemi marrëveshje politike, më pas t’i japim emrat për president, por që nuk kishim marrëveshje”.

    Hamza theksoi gjithashtu se, sipas tij, nuk ka pasur vullnet për bashkëpunim nga partia më e madhe në vend.

    “Fillimisht nuk kishim emra, pasi partia më e madhe nuk dëshironte emra nga partitë. Për më tepër, ata nuk e kanë ftuar as AAK-në në takime”, deklaroi ai.

    Në fund, ai u shpreh se PDK-ja do të respektojë çdo vendim të institucioneve.

    “Çdo vendim që merret nga Gjykata Kushtetuese, ne do ta respektojmë, por që besojmë se vendimi i Presidentes ishte i duhuri, andaj ne presim datën e zgjedhjeve”, shtoi Hamza. /Telegrafi/

  • Haradinaj pas takimit me Osmanin: Datat e mundshme për zgjedhjet e reja 5, 12 ose 19 prill

    Haradinaj pas takimit me Osmanin: Datat e mundshme për zgjedhjet e reja 5, 12 ose 19 prill

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur pas takimit konsultativ me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, lidhur me zhvillimet politike dhe mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja parlamentare.

    Haradinaj bëri të ditur se në këtë takim janë diskutuar disa data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa si opsione janë përmendur 5, 12 dhe 19 prilli megjithëse sipas tij mund të ketë edhe data të tjera në varësi të zhvillimeve.

    “Sapo përfundoi takimi dhe rrjedhimisht presidentja ka vepruar në bazë të kompetencave që i ka, me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”, tha Haradinaj.

    Ai komentoi edhe mungesën në takim të kryetarit të Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.

    “Mospjesëmarrja e LVV-së, kuptohet edhe Lista Serbe mungoi në këtë takim. Mosardhja e tyre sot, qoftë edhe me mendime të kundërta për t’i ballafaquar dhe për t’i paraqitur në këtë takim që është më i larti i mundshëm i partive politike me presidenten e vendit për një temë kaq të ndjeshme, është një lloj thyerje për vendin dhe institucionet”, u shpreh ai.

    Haradinaj shtoi se lideri i LVV-së në të kaluarën është takuar shpesh me partitë opozitare për konsultime, prandaj sipas tij mosprania në këtë takim nuk është veprim i duhur.

    Ai kritikoi gjithashtu dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar si një veprim të panevojshëm.

    “Mendoj që adresimi në Kushtetuese është një fyerje në vetvete me procesin. Ata e kanë ditur afatin 30-ditor dhe kanë bërë hajgare edhe me thirrjen e seancës dje. Në çfarëdo situate duhet ta ruajmë nderin. Askush nuk ia ka fajin LVV-së për sjelljen e tyre”, tha Haradinaj.

    Sa i përket datës së zgjedhjeve, ai theksoi se partia që ai drejton nuk ka ndonjë preferencë të veçantë.

    “Datat mund të jenë opsionet 5, 12 dhe 19 prill. Mund të ketë edhe ndonjë datë tjetër për shkak të zhvillimeve, por ne nuk kemi ndonjë datë të preferuar. Ne e respektojmë cilëndo datë nga këto data”, deklaroi Haradinaj. /Telegrafi/

  • Zhvillimet në Lindjen e Mesme, Macron: Franca nuk është pjesë e kësaj lufte dhe ne nuk do të përfshihemi

    Zhvillimet në Lindjen e Mesme, Macron: Franca nuk është pjesë e kësaj lufte dhe ne nuk do të përfshihemi

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se vendi i tij nuk po zhvillon luftë në Lindjen e Mesme dhe se nuk do të përfshihet në konfliktin aktual në rajon.

    Macron e tha këtë në një mesazh të ndarë në Instagram.

    “I kuptoj dhe i dëgjoj shumë mirë shqetësimet tuaja, por dua të jem absolutisht i qartë. Franca nuk është pjesë e kësaj lufte. Ne nuk po luftojmë dhe nuk do të përfshihemi në këtë luftë”, tha Macron.

    Ai theksoi se aktivitetet e Parisit në rajon kanë për qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe aleatëve francezë, dhe jo pjesëmarrjen në konflikt.

    “Franca nuk po bën luftë në këtë rajon. Ajo mbron popullin francez, aleatët e saj dhe qëndron në krah të Libanit”, tha Macron.

    Franca ka vendosur kapacitete shtesë ushtarake në rajon, përfshirë aeroplanmbajtësen franceze “Charles de Gaulle”, ndërsa tensionet rriten pas sulmeve izraelite dhe amerikane ndaj Iranit dhe lëvizjeve hakmarrëse të Teheranit.

    Sipas Macron, vendosja e forcave synon të ndihmojë aleatët të kapin dronë dhe raketa dhe të mbrojnë rrugët detare.

    “Po mobilizohemi në një mënyrë krejtësisht paqësore në mënyrë që të përpiqemi të sigurojmë trafikun detar”, tha ai.

    Macron tha gjithashtu se Franca po kërkon të formojë një koalicion me partnerët për të mbrojtur rrugët detare në rajon që janë thelbësore për ekonominë globale, duke theksuar se Parisi synon të veprojë me përmbajtje.

    “Do të përpiqemi të jemi sa më të arsyeshëm dhe paqësorë të jetë e mundur, sepse ky është roli i Francës”, shtoi ai.

  • Sherri në Snapchat përfundon në përleshje mes nxënësve në një shkollë në Shqipëri

    Sherri në Snapchat përfundon në përleshje mes nxënësve në një shkollë në Shqipëri

    Një konfrontim fizik ndodhi sot në mëngjes mes nxënësve të fshatit Shënavlash në ambientet e shkollës ku ata mësojnë, teksa mësohet se sherri ka nisur nga rrjetet sociale.

    Mësohet se dy grupe të ndryshme të quajtur grupi “Mirdita” dhe grupi “Shënavlash” kanë sharë njëri-tjetrin në Snapchat dhe janë zënë. Ata janë përballur sot në shkollë dhe kanë përfunduar duke u përleshur, shkruan A2CNN.

    Njëri prej nxënësve 15 vjeç pësoi lëndim në faqe nga gërvishtjet me thonj të fëmijëve gjatë sherrit, por dëmtime të lehta.

  • Aksident i rëndë në Banjë të Pejës, tre të lënduar

    Aksident i rëndë në Banjë të Pejës, tre të lënduar

    Një aksident trafiku me përfshirjen e dy veturave ndodhi sot në Banjë të Pejës, rreth orës 12:00.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka konfirmuar për Sinjalin se tre persona pësuan lëndime trupore dhe u dërguan për trajtim në Spitalin e Pejës.

    Policia po heton shkaqet e aksidentit.

  • ShBA lejon Indinë të blejë naftë ruse për shkak të krizës me Iranin

    ShBA lejon Indinë të blejë naftë ruse për shkak të krizës me Iranin

    Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, njoftoi një përjashtim 30-ditor që lejon rafineritë indiane të blejnë naftë ruse nga anijet e bllokuara për shkak të luftës në Iran.

    Masa synon të lehtësojë presionet e furnizimit dhe skadon më 4 prill, pa dhënë përfitime financiare të konsiderueshme për Rusinë.

  • Ahmeti homazhe në Prekaz: Liria fitohet me gjak

    Ahmeti homazhe në Prekaz: Liria fitohet me gjak

    Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, zhvilloi homazhe në Prekaz, duke nënvizuar sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të Kosovës.

    Ai theksoi se Prekazi është vendi ku u bë betimi se liria fitohet me gjak dhe jo me falje, dhe se kjo ditë bashkon qytetarët përtej përkatësive politike.

  • Kurti refuzon të komentojë për shpërndarjen e Kuvendit: Deklarohem nga Prishtina

    Kurti refuzon të komentojë për shpërndarjen e Kuvendit: Deklarohem nga Prishtina

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk pranoi të flasë për gazetarët lidhur me vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

    Kurti tha se gjatë ditës do të zhvillohen ngjarje në Prishtina.

    “Sot është dita e dytë e Epopesë së UÇK-së. Në ora 13 kemi edhe një ekspozitë në hollin e Kuvendit. Pastaj në ora 19:00 të darkës e kemi akademinë përkujtimore. Për të gjitha çështjet e politikës ditore do të mund të flasim dhe t’iu përgjigjem nga Prishtina”, tha ai.

    Paraditen e sotme, Presidentja e Kosovës ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, ku paralajmëroi edhe takime me liderët e partive politike për të caktuar datë. Ndërsa ka hedhur kritika se zgjedhjet e reja erdhën pas vendimit të të zgjedhurve të popullit në seancën e mbrëmjes së 5 marsit.