ATV

Author: G.O.

  • Osmani përkujton Afrim Bunjakun: Lavdi e përjetshme heroit të Kosovës

    Osmani përkujton Afrim Bunjakun: Lavdi e përjetshme heroit të Kosovës

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar rreshterin Afrim Bunjaku, i cili tre vite më parë ra në krye të detyrës duke mbrojtur Kosovën.

    Përmes një postimi në profilin e saj në rrjeitn social Facebook, Osmani ka theksuar se Bunjaku e dha jetën për mbrojtjen e vendit, ndërsa ka vënë në pah sakrificën e tij për Republikën e Kosovës.

    “Tri vite më parë, Rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, duke e vulosur me jetën e tij një të vërtetë që brezat tanë e kanë mbrojtur me sakrificë: kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm dhe liria e Kosovës është e shenjtë”, ka shkruar Osmani.

    Ajo ka deklaruar se kujtimi për Bunjakun duhet të shoqërohet me mbrojtjen e vlerave për të cilat ai dha jetën.

    “Ai ra duke mbrojtur Kosovën. Ne do ta kujtojmë duke mbrojtur atë që ai la pas: Republikën, lirinë dhe sovranitetin tonë”, ka theksuar ish-presidentja.

    Osmani e ka përmbyllur mesazhin me nderimin për rreshterin Bunjaku: “Lavdi e përjetshme heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku!”

  • Dy mitraloza, AK47, granata dore, pushkë e fishekë – Policia gjen arsenal armësh në Pejë

    Dy mitraloza, AK47, granata dore, pushkë e fishekë – Policia gjen arsenal armësh në Pejë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për gjetje të një arsenali të armëve në Pejë.

    Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se armët dhe municioni i gjetur janë tërhequr nga njësiti i FSK-së për shkatërrim.

    “Pejë / 23.09.2026 – 16:45. Është raportuar për disa armë dhe mjete të dyshimta, duke përfshirë mjete shpërthyese dhe municion. Lidhur me rastin, njësia policore ka siguruar vendin e ngjarjes, ku gjatë kontrollit të vendit të ngjarjes janë gjetur: një armë AK47, dy mitraloza të lehtë, një pushkë, 5 granata dore, 7 karikatorë dhe rreth 510 fishekë”, thuhet në raport.

    Armët dhe municioni i gjetur janë tërhequr nga njësiti i FSK-së për shkatërrim.

    Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe mbetet në hetime. /Telegrafi/

  • Në Hamburg paralajmërohet protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Në Hamburg paralajmërohet protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Protestë në mbështetje të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është paralajmëruar të mbahet edhe në Hamburg të Gjermanisë.

    Sipas njoftimit të publikuar, protesta me moton “Liria ka emër – UÇK” do të mbahet më 26 shtator, nga ora 16:00 deri në 18:00, në Rathausmarkt 1, Hamburg.

    Organizatorët e kanë prezantuar tubimin si protestë “kundër padrejtësisë ndaj çlirimtarëve”, ndërsa u kanë bërë thirrje bashkatdhetarëve që t’i bashkohen protestës.

    Kujtojmë që gjatë kësaj dite në disa qytete të Evropës janë lajmëruar protesta me datën 26 dhe 27 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

  • Sulm në Bregun Perëndimor, plagoset rëndë djali i ambasadorit izraelit në SHBA

    Sulm në Bregun Perëndimor, plagoset rëndë djali i ambasadorit izraelit në SHBA

    Një ushtar izraelit, djali i ambasadorit të Izraelit në Shtetet e Bashkuara, u plagos rëndë të mërkurën në një sulm me automjet në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftuan autoritetet izraelite.

    Ngjarja ndodhi në një pikë kontrolli izraelite pranë vendbanimit hebre Beit Horon, në perëndim të Ramallahut. Ambasadori izraelit në Shtetet e Bashkuara, Yechiel Leiter, konfirmoi se ushtari i plagosur ishte djali i tij, Neria.

    Sipas policisë izraelite, një burrë me automjet “u vërsul drejt” një oficeri policie dhe një ushtari që po kontrollonin automjetet, përpara se të “eliminohej”.

    Shërbimi izraelit i emergjencës Magen David Adom njoftoi se ushtari, rreth 30 vjeç, ndodhet “në gjendje të rëndë”.

    “Ne i dhamë ndihmën emergjente përpara se ta transportonim në spital”, njoftoi shërbimi.

    “Neria ka nevojë për një mrekulli”, shkroi ambasadori Leiter në X.

    Ai tha se djali i tij kishte vazhduar të shërbente si rezervist edhe pasi vëllai i madh, Moshe Yedidya Leiter, ishte vrarë gjatë luftimeve në Rripin e Gazës në nëntor 2023.

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu reagoi gjithashtu pas sulmit.

    “Unë dhe bashkëshortja ime, së bashku me të gjithë popullin e Izraelit, lutemi që të ndodhë një mrekulli”, shkroi Netanyahu në X.

    Ambasadori izraelit, i cili pritej të merrte pjesë në fjalimin e Netanyahut në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të enjten, u largua nga Shtetet e Bashkuara për t’u kthyer në Izrael, sipas transmetuesit publik izraelit Kan.

    Ndërkohë, Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se një palestinez 29-vjeçar ishte vrarë nga ushtria izraelite në të njëjtën zonë.

    Sulmi ndodh në një periudhë tensionesh të larta në Bregun Perëndimor të pushtuar. Sipas një përllogaritjeje të AFP-së, bazuar në të dhënat e Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, ushtrisë dhe kolonëve, më shumë se 1,100 palestinezë, luftëtarë dhe civilë, janë vrarë në Bregun Perëndimor që prej 7 tetorit 2023.

  • Sveçla: Drejtësia për Afrim Bunjakun mbetet e paplotë deri në kapjen e të gjithë të dyshuarve

    Sveçla: Drejtësia për Afrim Bunjakun mbetet e paplotë deri në kapjen e të gjithë të dyshuarve

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përkujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e vrasjes së tij në sulmin terrorist në Banjskë.

    Përmes një postimi, Sveçla ka deklaruar se Kosova, para tre vitesh, u përball me, siç e cilëson ai, “sulmin terrorist më të madh në Kosovën e pasluftës”, për të cilin thotë se ishte organizuar dhe mbështetur nga aparati shtetëror i Serbisë.

    “Tre vite më parë, Republika jonë u përball me sulmin terrorist më të madh në Kosovën e pasluftës, të organizuar dhe të mbështetur në të gjitha aspektet nga aparati shtetëror i Serbisë. Në mbrojtje të ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe sigurisë së qytetarëve tanë, atë ditë ra në krye të detyrës Rreshteri Afrim Bunjaku”, ka shkruar ai.

    Sveçla ka vlerësuar edhe veprimet e Policisë së Kosovës gjatë përballjes me grupin e armatosur, duke thënë se institucionet e Kosovës mbrojtën territorin, qytetarët dhe rendin kushtetues.

    Ndërkohë, sipas tij, drejtësia për vrasjen e Afrim Bunjakut nuk është përmbyllur ende.

    “Drejtësia për vrasjen e Heroit Afrim Bunjaku mbetet e paplotë deri në arrestimin dhe përballjen me drejtësinë të të gjithë terroristëve, në krye të të cilëve qëndron Milan Radoiçiq”, ka shkruar Sveçla.

    Ministri ka theksuar se Afrim Bunjaku do të kujtohet dhe nderohet gjithmonë për sakrificën e tij.

    “Përulemi me respekt të thellë para sakrificës së tij, e cila do të mbetet përgjithmonë pjesë e kujtesës sonë kolektive dhe udhërrëfyes për brezat e rinj të Republikës sonë”, ka shkruar Sveçla.

  • Gjendet pa shenja jete një person në Mitrovicë të Jugut

    Gjendet pa shenja jete një person në Mitrovicë të Jugut

    Një person është gjetur pa shenja jete mëngjesin e 23 shtatorit në Mitrovicë të Jugut.

    Sipas raportit policor, viktima ishte mashkull, shtetas kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

  • Nën vëzhgim nga viti 2021, tre persona prangosen për fajde në Prishtinë

    Nën vëzhgim nga viti 2021, tre persona prangosen për fajde në Prishtinë

    Tre persona janë arrestuar në Prishtinë, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Fajde” dhe “Kanosje”.

    Sipas të dhënave të Policisë, arrestimi i të dyshuarve është bërë pas hetimeve disavjetore, konkretisht nga viti 2021.

    Gjatë aksionit janë kontrolluar dy lokacione, ku në cilësi të provave janë sekuestruar tre telefona celularë, si dhe prova të tjera materiale që mund të jenë të nevojshme për procedurën penale.

    Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti mbetet nën hetim.

  • Sulme me raketa ruse në Kiev, dy të vrarë dhe gjashtë të plagosur

    Sulme me raketa ruse në Kiev, dy të vrarë dhe gjashtë të plagosur

    Të paktën dy persona janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur në orët e para të mëngjesit, pas një serie sulmesh me raketa ruse ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev.

    Gazetarët e AFP-së raportuan se dëgjuan rreth 20 shpërthime të fuqishme, ndërsa Forcat Ajrore të Ukrainës paralajmëruan për lëshimin e raketave balistike ruse drejt rajoneve të Kievit dhe Çernigovit.

    “Kryeqyteti është nën sulm me raketa balistike. Qëndroni në strehimore!”, shkroi kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, në Telegram.

    Sipas të dhënave të publikuara prej tij pak pas orës 03:00, dy persona humbën jetën dhe gjashtë të tjerë u plagosën, katër prej tyre në gjendje të rëndë.

    Rreth një orë më herët, Klitschko kishte bërë të ditur se në një zonë të Dnipros mund të kishte persona të bllokuar nën rrënoja.

    Sulme ruse u raportuan gjithashtu në Odesa, në jug të Ukrainës, qytet që ka një port strategjik në Detin e Zi.

    Sulmet ajrore ruse në Ukrainë kishin shkaktuar të paktën shtatë viktima një ditë më parë, përfshirë dy persona në Kiev.

    Kryeqyteti ukrainas, me rreth tre milionë banorë, vijon të jetë objektiv i sulmeve ajrore ruse, veçanërisht me dronë. Sulmet janë intensifikuar gjatë 24 orëve të fundit, në një periudhë kur luftimet mes Rusisë dhe Ukrainës janë përshkallëzuar.

    Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi të mërkurën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se Moska nuk kishte ndërmend të “ndërpriste” luftën kundër Ukrainës.

  • Në Banjskë do vendoset gurthemeli i obeliskut kushtuar Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku

    Në Banjskë do vendoset gurthemeli i obeliskut kushtuar Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku

    Ministria e Punëve të Brendshme do të zhvillojë sot një sërë aktivitetesh për të shënuar trevjetorin e rënies në krye të detyrës të Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Aktivitetet përkujtimore do të nisin në orën 10:00 me një vizitë te familja e Heroit Afrim Bunjaku, në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë.

    Në orën 10:40 do të zhvillohen homazhe te varri i tij, po ashtu në fshatin Samadrexhë.

    Më pas, në orën 12:00, në fshatin Banjskë të Zveçanit do të bëhet vendosja e gurthemelit të obeliskut kushtuar Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Aktivitetet përkujtimore do të përmbyllen në mbrëmje, me Akademinë Përkujtimore që do të mbahet në orën 20:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

  • Dërgesat e mërgatës në Kosovë arrijnë në 692 milionë euro për gjashtë muaj

    Dërgesat e mërgatës në Kosovë arrijnë në 692 milionë euro për gjashtë muaj

    Remitancat në Kosovë janë rritur me 5.7 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, ndërsa gjatë periudhës 2008–2025 mërgata ka dërguar mbi 15.2 miliardë euro në vend. Gjermania dhe Zvicra përbëjnë së bashku më shumë se gjysmën e remitancave.

    Dërgesat e diasporës vazhdojnë të përbëjnë një nga burimet më të rëndësishme të të hyrave për ekonominë e Kosovës, me remitancat që edhe gjatë vitit 2026 kanë shënuar rritje të mëtejshme.

    Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të publikuara nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), gjatë periudhës janar–qershor 2026, remitancat e pranuara në Kosovë kanë arritur në 692 milionë euro.

    Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur vlera e dërgesave ishte më e ulët, kjo paraqet një rritje prej 5.7 për qind.

    Të dhënat tregojnë se remitancat vazhdojnë të kenë peshë të konsiderueshme në ekonominë e vendit, jo vetëm përmes mbështetjes direkte të familjeve, por edhe përmes ndikimit në konsum, kursime dhe aktivitetin ekonomik.

    Mbi 15 miliardë euro nga diaspora për 18 vjet

    Pesha e diasporës në ekonominë e Kosovës bëhet edhe më e dukshme kur shikohet periudha afatgjatë.

    Sipas të dhënave të BQK-së dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë periudhës 2008–2025, remitancat e pranuara në Kosovë kanë arritur në rreth 15.2 miliardë euro.

    Në vitin 2008, remitancat ishin në nivelin e 608.7 milionë eurove, ndërsa deri në vitin 2025 kjo shifër është rritur në 1.4137 miliardë euro.

    Kjo nënkupton se në vitin 2025 vlera e remitancave ishte më shumë se dyfishi i nivelit të regjistruar në vitin 2008.

    Gjatë kësaj periudhe, remitancat kanë shënuar rritje në shumicën e viteve. Në vitin 2010 ato ishin 583.4 milionë euro, në vitin 2015 arritën në 665.5 milionë euro, ndërsa në vitin 2018 kaluan për herë të parë mbi 800 milionë euro, duke arritur në 800.6 milionë euro.

    Në vitin 2019, dërgesat u rritën në 851.5 milionë euro, ndërsa në vitin 2020 arritën në 980 milionë euro.

    Rritje e mëtejshme u regjistrua në vitet pasuese. Në vitin 2021 remitancat arritën në 1.1534 miliardë euro, në vitin 2022 në 1.2228 miliardë euro, ndërsa në vitin 2023 në 1.3358 miliardë euro.

    Në vitin 2024, diaspora dërgoi 1.355 miliardë euro, ndërsa në vitin 2025 vlera u rrit në 1.4137 miliardë euro.

    Remitancat përbëjnë mbi 12 për qind të BPV-së

    Përveç rritjes në vlerë absolute, të dhënat tregojnë edhe peshën e konsiderueshme që remitancat kanë në Produktin e Brendshëm Vendor (BPV) të Kosovës.

    Në vitin 2008, dërgesat e migrantëve përbënin 17.2 për qind të BPV-së, ndërsa në vitin 2009 kjo pjesëmarrje ishte 16.2 për qind.

    Pesha e remitancave ndaj BPV-së ra gradualisht në vitet pasuese, por vazhdoi të mbetet në nivele të larta. Në vitin 2015 ato përbënin 11.7 për qind të BPV-së, ndërsa në vitin 2018 kjo pjesëmarrje u rrit në 12 për qind.

    Në vitin 2019 remitancat përbënin 12.1 për qind të BPV-së, ndërsa në vitin 2020 dhe 2021 arritën në nga 14.5 për qind.

    Në vitin 2022 pjesëmarrja ishte 13.7 për qind, në vitin 2023 ishte 13.8 për qind, ndërsa në vitin 2024 ra në 13.1 për qind.

    Në vitin 2025, remitancat përbënin 12.8 për qind të BPV-së, i cili sipas të dhënave të paraqitura nga OEK ishte rreth 11.026 miliardë euro.

    Gjermania burimi kryesor i remitancave

    Një pjesë e madhe e dërgesave vjen nga vendet evropiane, ku jeton një numër i madh i mërgimtarëve nga Kosova.

    Sipas të dhënave të BQK-së për periudhën 2008–2025, Gjermania është burimi më i madh i remitancave, me 5.808 miliardë euro, ose 38.2 për qind të totalit.

    Në vendin e dytë është Zvicra, prej nga gjatë kësaj periudhe janë dërguar rreth 3.105 miliardë euro, që përbëjnë 20.4 për qind të totalit.

    Në vendin e tretë renditen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rreth 979 milionë euro, ose 6.4 për qind.

    Pas tyre janë Italia me 839 milionë euro, ose 5.5 për qind; Austria me 709 milionë euro, ose 4.7 për qind; Franca me 566 milionë euro, ose 3.7 për qind; Suedia me 446 milionë euro, ose 2.9 për qind; Belgjika me 428 milionë euro, ose 2.8 për qind; Mbretëria e Bashkuar me 341 milionë euro, ose 2.2 për qind; Norvegjia me 321 milionë euro, ose 2.1 për qind; Kanadaja me 225 milionë euro, ose 1.5 për qind; Sllovenia me 213 milionë euro, ose 1.4 për qind dhe Danimarka me 72 milionë euro, ose 0.5 për qind.

    Finlanda përbën 0.9 për qind me 133 milionë euro, ndërsa Holanda 0.7 për qind me 106 milionë euro. Nga vendet tjera janë regjistruar rreth 921 milionë euro, ose 6.1 për qind të totalit.

    Vetëm Gjermania dhe Zvicra, të marra së bashku, përbëjnë 58.6 për qind të remitancave të regjistruara gjatë periudhës 2008–2025.

    Pjesa më e madhe e parave dërgohet përmes agjencive

    Të dhënat e fundit tregojnë gjithashtu se mënyra kryesore përmes së cilës diaspora dërgon para në Kosovë janë agjencitë për transferimin e mjeteve.

    Sipas të dhënave të paraqitura nga OEK, rreth 58 për qind e remitancave dërgohen përmes agjencive për transferimin e mjeteve.

    Përmes bankave komerciale dërgohen rreth 17 për qind, ndërsa rreth 25 për qind realizohen përmes formave të tjera alternative të transferimit të parave.

    Kjo tregon se, përveç sistemit bankar, një pjesë e konsiderueshme e diasporës vazhdon të përdorë kanale të tjera për dërgimin e mjeteve te familjarët në Kosovë.

    Dërgesat e migrantëve kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e familjeve që i pranojnë ato, por ndikimi i tyre shtrihet edhe më gjerë në ekonominë e Kosovës.

    Sipas analizës së OEK-së, remitancat kontribuojnë në rritjen e konsumit, kursimeve dhe investimeve, ndërsa njëkohësisht ndihmojnë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik.

    Për shumë familje, këto mjete përdoren për shpenzimet e përditshme, arsimin, shëndetësinë, banimin dhe nevoja të tjera familjare. Një pjesë e tyre gjithashtu orientohen në investime dhe në krijimin apo zhvillimin e aktiviteteve ekonomike.

    Rritja e vazhdueshme e remitancave gjatë viteve tregon edhe për lidhjen e fortë ekonomike që vazhdon të ekzistojë ndërmjet diasporës dhe Kosovës. Nga 608.7 milionë euro në vitin 2008, remitancat arritën në 1.4137 miliardë euro në vitin 2025, ndërsa vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2026 janë pranuar 692 milionë euro. /Monitor