ATV

Author: G.O.

  • Kuvendi mblidhet nesër në ora 11:00, në rend dite edhe Projektligji për Specialen

    Kuvendi mblidhet nesër në ora 11:00, në rend dite edhe Projektligji për Specialen

    Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë nesër, më 13 nëntor, nga ora 11:00, ka njoftuar Zyra për Media e këtij institucioni.

    Seanca e sotme u ndërpre pasi deputetët nuk u kthyen në sallë pas pauzës, ndonëse ishte paraparë që punimet të rifillonin në orën 14:00.

    Për këtë arsye, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vendosi ta shtyjë vazhdimin e seancës, duke kritikuar deputetët për mungesën e tyre.

    “Kuvendi i vazhdon punimet nesër në ora 11:00. Nuk është serioze, gjysmë ore pas orës 14:00 nuk po vijnë deputetët. Nuk kam mundësi me funksionu dhe me prit deri në pafundësi”, deklaroi Haxhiu.

    Ndërkohë, gjatë seancës, në rendin e ditës u përfshi edhe kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës për shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Deputetja Vlora Çitaku, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, paraqiti një mocion procedural për ndryshimin e rendit të ditës, me qëllim përfshirjen e këtij projektligji.

    Propozimi u miratua me shumicë votash dhe u shtua si pika e 11-të e rendit të ditës.

  • Dyshohet se e rrahën në mes të Prizrenit dhe e mbajtën peng në Prishtinë – nga një muaj paraburgim për pesë shtetas turq

    Dyshohet se e rrahën në mes të Prizrenit dhe e mbajtën peng në Prishtinë – nga një muaj paraburgim për pesë shtetas turq

    Gjykata Themelore në Prizren ua ka caktuar nga një muaj paraburgim Mustafa Danyildizit (47), Dogan Mehmet Guvenit (43), Kahya Süleymanit (40), Özdemir Rizait (41) dhe Perçem Mohmetit. Pesë shtetasit turq dyshohen se e sulmuan Sener Buyrukin (44) në Prizren dhe e mbajtën për rreth 10 orë kundër vullnetit të tij në një shtëpi në Prishtinë.

    Sipas Prokurorisë, të pandehurit dyshohet se më 1 nëntor, rreth orës 07:20, ia bllokuan rrugën Buyrukut me një furgon, e ndoqën dhe e goditën me grushte e shqelma. Dyshohet se gjatë sulmit u përdorën edhe thika. Buyruk pësoi nëntë plagë shpuese-prerëse dhe kërkoi trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

    Pas sulmit, të pandehurit dyshohet se e futën me forcë në furgon, ia vunë një thes në kokë dhe e dërguan në një shtëpi private në Prishtinë. Atje, sipas Prokurorisë, e kanosën me thika dhe ushtruan dhunë ndaj tij për ta detyruar të ndërpriste punimet ndërtimore në Prizren, t’i largonte punëtorët dhe të largohej nga Kosova.

    Po atë ditë, mes orës 17:00 dhe 17:30, dyshohet se e kthyen në Prizren me thes në kokë dhe e lanë në rrugë.

    Pesë të pandehurit dyshohen për lëndim të lehtë trupor, shtrëngim dhe privim të kundërligjshëm të lirisë. Gjykata vlerësoi se masat alternative ishin të pamjaftueshme për të shmangur rrezikun e arratisjes, ndikimit te i dëmtuari ose dëshmitarët dhe përsëritjes së veprave penale. Paraburgimi mund të zgjasë deri më 9, përkatësisht më 10 dhjetor 2026.

  • Rritet në tetë numri i viktimave nga shembja e ndërtesës trekatëshe në New York, 17 të lënduar

    Rritet në tetë numri i viktimave nga shembja e ndërtesës trekatëshe në New York, 17 të lënduar

    Ka shkuar në tetë numri i viktimave nga shembja e një ndërtese trekatëshe në Brooklyn të New Yorkut, ndërsa të paktën 17 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, përfshirë tre zjarrfikës.

    Lajmin e ka konfirmuar kryebashkiaku i New Yorkut, Zohran Mamdani, i cili ka bërë të ditur se ekipet e emergjencës po vazhdojnë kërkimet nën rrënojat e ndërtesës.

    Ndërtesa, e cila përmbante apartamente, u shemb papritur të mërkurën, ndërsa ende nuk dihen shkaqet që çuan në këtë tragjedi.

    Fillimisht ishin raportuar dy viktima, por numri i të vdekurve është rritur gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit, teksa zjarrfikësit po vazhdojnë të kontrollojnë rrënojat.

    Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e shembjes së ndërtesës.

  • Gashani pranon vonesat dhe vështirësitë në përgatitjet për Lojërat Mesdhetare

    Gashani pranon vonesat dhe vështirësitë në përgatitjet për Lojërat Mesdhetare

    Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka pranuar se përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare po përballen me shqetësime, vonesa dhe vështirësi, të cilat, sipas tij, janë ndikuar edhe nga jostabiliteti institucional gjatë dy viteve të fundit, raporton Ekonomia Online.

    Gashani ka theksuar se përgjegjësia për organizimin e Lojërave Mesdhetare nuk bie vetëm mbi Ministrinë e Sportit, pasi ato udhëhiqen nga Komiteti Organizativ, i cili ka një strukturë të përcaktuar me ligj.

    Ai ka bërë të ditur se bordi i Komitetit Organizativ udhëhiqet nga kryeministri dhe përbëhet nga katër ministra, katër përfaqësues të Komitetit Olimpik dhe tre anëtarë të Komunës së Prishtinës.

    “Nuk isha këtu, mirëpo më treguan se u ngritën shqetësime për Lojërat Mesdhetare, edhe pse jam ministër i sportit, nuk jam i vetmi përgjegjës për Lojërat Mesdhetare, që nga themelimi i Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare. Lojërat Mesdhetare udhëhiqen nga Komiteti Olimpik i themeluar me ligjin për lojëra mesdhetare kanë një bord që udhëhiqet nga kryeministri, nga katër ministra, nga katër pjesëtarë të komitetit olimpik dhe nga tre anëtarë të komunës së Prishtinës.

    Mirëpo për arsye që jam minstër i Sportit dhe Rinisë, dhe fushëveprimtaria ime është sidomos për përgatitjen e infrastrukturës për lojërat mesdhetare të ndaj shqetësimin e juaj për Lojërat Mesdhetare. Edhe natyrisht që jam përmendur shqetësim, rrezik për Lojërat Mesdhetare, po kemi shqetësim kemi vështirësi, sepse ka pasur jostabilitet dhe ai dyvjeçari ka shkaktuar edhe vonesa e vështirësi edhe në lojëra mesdhetare. Për shembull me i përmend vetëm disa nga to. Për 16 muaj ligji për lojërat mesdhetare dhe sapo kemi marrë mandatin, me procedurë të shpejtë, me dinamikë të shpejtë do të thosha kemi proceduar”, tha Gashani.

    Ai tha po ashtu se ka pasur vështirësi edhe me komunikim ndërinstitucional.

    “Natyrisht që kemi vështirësi sepse vështirësi kemi edhe me komunikim ndërinstitucional por edhe me komunikim me Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare që është ICMG. Ku është vështirësia kryesore me ICMG-n, por poashtu edhe me institucionet tona. Ka shumë, edhe komunikimet e fërkimet e brendshme dhe mospajtimet e brendshme nuk është mirë të dalin ne publik sepse nuk ndihmojnë. Jo pse nuk jemi transparent por sepse nuk ndihmojnë por disa prej vështirësive janë në mungesë të një qeverie të plotë. Gjatë vitit 2025 është vendosur që njëri nga parimet bazë të Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ të shkelet. Cili është ai? Njëri nga parimet bazë të Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ është përfshirja gjeografike, përfshirja e krejt Kosovës”, tha Gashani.

  • Shiroka-Pula priti në takim guvernatorin e BQK-së, diskutojnë për zhvillimet në sektorin financiar

    Shiroka-Pula priti në takim guvernatorin e BQK-së, diskutojnë për zhvillimet në sektorin financiar

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur në takim guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga zëvendësguvernatorja Nesrin Shileku Shala, të cilët e uruan për marrjen e detyrës dhe i dëshiruan sukses në ushtrimin e mandatit.

    Presidentja Shiroka Pula u njoftua nga guvernatori Ismaili për zhvillimet në sektorin financiar, qëndrueshmërinë e sektorit bankar dhe prioritetet reformuese të BQK-së. Vëmendje e veçantë iu kushtua procesit të përfshirjes së Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), rëndësisë së mbështetjes institucionale dhe angazhimit diplomatik me partnerët evropianë, si dhe mundësive për përfshirjen në sistemin ndërkombëtar të Kartonit të Gjelbër.

    Në takim u diskutuan edhe modernizimi i sistemeve të pagesave, përfshirë sistemin e pagesave të shpejta TIPS-K, përafrimi me standardet e Bashkimit Evropian dhe zgjerimi i qasjes në financa, me fokus te mundësitë e financimit për gratë ndërmarrëse.

    Presidentja Shiroka Pula vlerësoi angazhimin dhe agjendën reformuese të BQK-së, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, në respektim të mandateve dhe pavarësisë kushtetuese të Bankës Qendrore.

  • Kërcënime të reja me bomba në Itali, qindra shkolla evakuohen për të dytën ditë radhazi

    Kërcënime të reja me bomba në Itali, qindra shkolla evakuohen për të dytën ditë radhazi

    Qindra shkolla në Itali janë evakuuar gjatë ditëve të fundit, pasi kanë pranuar emaila me kërcënime për vendosjen e bombave. Mesazhet kërcënuese janë dërguar në disa institucione arsimore të mërkurën dhe të enjten, duke shkaktuar alarm të sigurisë në vend, ka raportuar agjencia e lajmeve ANSA.

    Vetëm gjatë së mërkurës, të paktën 300 shkolla janë evakuuar, pasi kishin pranuar të njëjtin mesazh kërcënues. Ndërkohë, raste të ngjashme janë raportuar edhe të enjten, kur disa institucione të tjera arsimore janë detyruar të evakuojnë nxënësit dhe stafin.

    Këto kërcënime vijnë në një periudhë kur në Evropë janë shtuar shqetësimet për të ashtuquajturën luftë hibride, e cila kohëve të fundit ka shënjestruar edhe sektorë të tjerë, përfshirë supermarketet, bankat, bankat e gjakut, trafikun ajror dhe transmetuesit televizivë.

    Sipas një burimi qeveritar, i cili është në dijeni të çështjes, emaili kërcënues ishte nënshkruar me emrin “Mikhail Andropov, udhëheqës i Vilajetit të Misoginistanit”.

    Deri më tani, nuk janë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me autorët e kërcënimeve apo nëse gjatë kontrolleve në shkolla janë gjetur mjete shpërthyese.

  • Komunat kërkojnë kompensimin e dëmeve në bujqësi, thonë se nuk ka pagesa që nga viti 2023

    Komunat kërkojnë kompensimin e dëmeve në bujqësi, thonë se nuk ka pagesa që nga viti 2023

    Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga institucionet qendrore zgjidhje konkrete për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi nga fatkeqësitë natyrore, duke theksuar se që nga viti 2023 nuk është realizuar asnjë kompensim për dëmet e evidentuara.

    Kjo çështje është diskutuar në takimin e Kolegjiumit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, të organizuar nga AKK-ja në bashkëpunim me Drejtorinë për Bujqësi të Komunës së Istogut.

    Sipas njoftimit të AKK-së, përfaqësuesit e komunave kanë shprehur shqetësimin se kërkesat për kompensimin e dëmeve, të paraqitura nga komunat, ende nuk janë shqyrtuar përfundimisht.

    Ata kanë kërkuar sqarime lidhur me punën dhe funksionalitetin e Komisionit për Vlerësimin e Dëmeve, si dhe për hapat që do të ndërmerren për trajtimin e kërkesave të mbetura.

    Si shembull i përmasave të kësaj problematike është përmendur Komuna e Istogut, ku dëmet në bujqësi janë vlerësuar deri në tre milionë euro.

    Përfaqësuesit e komunave kanë kërkuar që çështja të trajtohet në nivel qendror, veçanërisht nga Zyra e Kryeministrit, si dhe të organizohen konsultime të drejtpërdrejta për përcaktimin e vlerës së përgjithshme të dëmeve dhe gjetjen e një zgjidhjeje për kompensimin e tyre.

    Po ashtu, është propozuar që kjo problematikë të adresohet edhe në komisionin parlamentar përgjegjës.

    Gjatë takimit janë diskutuar edhe dëmet e shkaktuara nga kafshët e egra, për të cilat komunat kanë kërkuar shqyrtimin e mekanizmave të kompensimit.

    Në mesin e çështjeve të tjera të ngritura ishin edhe mungesa e thirrjeve për grante dhe projekte të zhvillimit rural, mbështetja për rrugët fushore, si dhe shqetësimet e prodhuesve bujqësorë lidhur me trajtimin tatimor dhe eksportin e produkteve.

    Në përfundim, AKK-ja ka bërë të ditur se do t’i adresojë këto shqetësime përmes një shkrese zyrtare drejtuar ministrisë përkatëse, Zyrës së Kryeministrit dhe Komisionit Parlamentar përgjegjës.

    Gjithashtu, do të kërkojë një takim të përbashkët me institucionet përgjegjëse dhe përfaqësuesit e komunave, me qëllim të shqyrtimit të kërkesave dhe përcaktimit të hapave konkretë për kompensimin e dëmeve në bujqësi. /Telegrafi/

  • Dronët ukrainas godasin sërish rafinerinë më të madhe të naftës në Rusi, pasi përshkuan afro 3.000 kilometra

    Dronët ukrainas godasin sërish rafinerinë më të madhe të naftës në Rusi, pasi përshkuan afro 3.000 kilometra

    Njësitë e Forcave të Operacioneve Speciale të Ukrainës (SOF) kanë goditur për herë të tretë rafinerinë e naftës në Omsk të Rusisë, më 11 nëntor, me dronë që përshkuan afro 3.000 kilometra deri te objektivi.

    Rafineria e Omskut është më e madhja në Rusi dhe është pjesë e kompanisë Gazprom Neft. Ajo përpunon më shumë se 21 milionë tonë naftë në vit, duke prodhuar benzinë, naftë dizel, karburant për aviacionin dhe produkte petrokimike.

    Objekti ndodhet rreth 2.500 kilometra larg kufirit ukrainas dhe konsiderohet rafineria më e largët në territorin rus që është goditur nga dronët ukrainas, transmeton Telegrafi.

    Sulmi i parë ndaj kësaj rafinerie u krye më 6 korrik. Pas goditjes, objekti ndërpreu plotësisht përpunimin e naftës dhe u nxor jashtë funksionit për t’iu nënshtruar riparimeve.

    Rafineria u godit për herë të dytë më 8 tetor, ndërsa sulmi i 11 nëntorit shënon goditjen e tretë ndaj të njëjtit objekt.

    Forcat e Operacioneve Speciale të Ukrainës deklaruan se do të vazhdojnë të godasin objektivat ruse, pavarësisht distancës së tyre.

    “SOF do t’ia kthejë Rusisë luftën që ajo e nisi, pavarësisht se sa larg përpiqet armiku t’i fshehë objektet e tij”, thuhet në deklaratën e tyre. /Telegrafi/

  • Shkeli urdhrin mbrojtës dhe kërcënoi ish-bashkëshorten, arrestohet i dyshuari në Graçanicë

    Shkeli urdhrin mbrojtës dhe kërcënoi ish-bashkëshorten, arrestohet i dyshuari në Graçanicë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person pasi i njëjti dyshohet se shkeli urdhrin mbrojtës dhe ka kanosur ish-bashkëshorten.

    Rasti ka ndodhur të mërkurën në Graçanicë. 

    “Graçanicë 11.11.2026. Raportohet se ish bashkëshorti, i dyshuari mashkull kosovar, e ka shkelur urdhrin mbrojtës të gjykatës dhe i njëjti e ka kanosur ish bashkëshorten”, thuhet në raport.

    I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

  • Ganimete Musliu përplaset me Xhelal Sveçlën për uniformat e Policisë

    Ganimete Musliu përplaset me Xhelal Sveçlën për uniformat e Policisë

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, janë përplasur në Kuvendin e Kosovës lidhur me çështjen e uniformave dhe pajisjeve të Policisë së Kosovës.

    Gjatë debatit, Musliu ka kritikuar Sveçlën, duke thënë se përgjegjësia për këtë çështje është personale e tij. Ajo ka ngritur shqetësime edhe për mënyrën se si është menaxhuar buxheti dhe janë krijuar kushtet për pjesëtarët e Policisë.

    Në përgjigjen e tij, Sveçla ka thënë se ai është faktori i fundit që verifikon nëse procedurat janë ndjekur sipas rregullave, ndërsa përgjegjësia për procesin e prokurimit i takon departamentit përkatës të mbështetjes. “Unë jam faktori i fundit që bëj verifikimin nëse procedurat janë ndjekur sipas rregullave. Përgjegjësia për këtë proces është te departamenti përkatës i mbështetjes.

    Prandaj, duhet të jetë jashtëzakonisht e qartë se unë nuk merrem me detajet e një procesi të prokurimit”, ka deklaruar Sveçla. Ai ka shtuar se nuk ia ka ndryshuar rolin Policisë së Kosovës, por ka rritur mbështetjen ndaj saj, përfshirë atë financiare. Ndërkaq, Musliu ka kundërshtuar këtë arsyetim, duke thënë se në të kaluarën Policia ka pasur buxhet më të vogël, por nuk ka pasur ankesa për mungesë të uniformave, pajisjeve dhe kapelave.

    “Ka pasur buxhet më të vogël, por nuk kemi pasur asnjë polic që është ankuar për mungesë të uniformave, pajisjeve apo kapelave. Ju po paraqitni buxhetin në letër, ndërsa ne synojmë që buxhetin ta realizojmë në praktikë, duke krijuar kushte më të mira për punë për policët”, ka thënë Musliu.