ATV

Author: G.O.

  • G7 paralajmëron Kinën për veprimet rreth Tajvanit: Po kërcënohet stabiliteti rajonal

    G7 paralajmëron Kinën për veprimet rreth Tajvanit: Po kërcënohet stabiliteti rajonal

    Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s kanë paralajmëruar se aktivitetet gjithnjë e më agresive të Kinës në ujërat në lindje të Tajvanit po kërcënojnë stabilitetin rajonal, lirinë e lundrimit dhe sigurinë e transportit detar ndërkombëtar.

    Në një deklaratë të përbashkët të publikuar të mërkurën vonë, pas takimit në Paris, vendet e G7-s shprehën kundërshtimin ndaj çdo përpjekjeje për ndryshimin e njëanshëm të status quo-së përmes forcës apo kërcënimit me të.

    “Ne rikonfirmuam kundërshtimin tonë ndaj çdo përpjekjeje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në, veçanërisht përmes forcës ose detyrimit, apo kërcënimit për përdorimin e tyre”, thuhet në deklaratë.

    Kina ka shtuar aktivitetet në brigjet lindore të Tajvanit që nga qershori, përmes patrullimeve të rregullta të rojës bregdetare. Zyrtarët tajvanezë dyshojnë se Pekini po përgatitet për një bllokadë të mundshme detare, duke përdorur mjete ushtarake, paramilitare dhe civile.

    Pekini e ka kundërshtuar deklaratën e G7-s, duke e cilësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës.

    “Shpërfill faktet objektive, ndërhyn në mënyrë të vrazhdë në punët e brendshme të Kinës dhe shpif e njollos qëllimisht imazhin e vendit”, ka deklaruar Ministria e Jashtme kineze.

    Zëdhënësja e kësaj ministrie, Mao Ning, ka thënë se deklarata “dëshmon edhe një herë se G7 është një grupim ideologjik që i përmbahet mentalitetit të Luftës së Ftohtë dhe angazhohet në politikën e blloqeve”.

    Ndërkohë, Tajvani e ka mirëpritur mbështetjen e G7-s, duke theksuar se paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin Indo-Paqësor janë thelbësore për sigurinë dhe prosperitetin global.

    Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj, ndërsa presidenti kinez, Xi Jinping, ka përsëritur thirrjen për “ribashkimin” e ishullit me Kinën, duke u zotuar se kjo do të realizohet në mënyrë paqësore.

  • Protestojnë punëtorët e KEK-ut, kërkojnë rritje të pagave dhe pagën e 13-të

    Protestojnë punëtorët e KEK-ut, kërkojnë rritje të pagave dhe pagën e 13-të

    Ka nisur protesta e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), të organizuar nga Sindikata e Re e KEK-ut, para zyrave të menaxhmentit dhe Bordit Drejtues të korporatës në Prishtinë.

    Punëtorët kanë dalë në protestë për të kërkuar paga më të dinjitetshme, nivelizim të pagave dhe ekzekutimin e pagës së 13-të për vitin 2026.

    Ndër kërkesat e tyre janë edhe përmirësimi i kushteve të punës dhe vlerësimi i rrezikshmërisë në vendet e punës.

    Sindikata ka theksuar se punëtorët përballen çdo ditë me kushte të vështira dhe rreziqe gjatë punës në miniera dhe termocentrale.

  • Sveçla për mungesën e uniformave në Polici: Furnizimi është iniciuar katër herë, procedurat janë zvarritur

    Sveçla për mungesën e uniformave në Polici: Furnizimi është iniciuar katër herë, procedurat janë zvarritur

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke iu përgjigjur kritikave të deputetëve për mungesën e uniformave në Policinë e Kosovës, ka thënë se procedurat për furnizimin me uniforma të rendit janë iniciuar katër herë, ndërsa dy prej tyre që i ka përmendur janë shoqëruar me anulime dhe ankesa, raporton Ekonomia Online.

    Sveçla ka thënë se Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë siguruar vazhdimisht mbështetje financiare për Policinë e Kosovës, por ka theksuar se proceset e furnizimit dhe prokurimit janë përgjegjësi e strukturave përkatëse të Policisë.

    Ai ka bërë të ditur se buxheti i Policisë së Kosovës është rritur nga 109 milionë euro, sa ishte në fillim të mandatit të qeverisjes së tyre, në 176 milionë euro, ndërsa vetëm gjatë pesë vjetëve të fundit janë alokuar dhe shpenzuar 732 milionë euro.

    “Gjatë, mandatit tonë të qeverisjes, mbështetja për policinë e Kosovës nuk ka munguar asnjëherë. Asnjë kërkesë e adresuar nga policia e Kosovës për mbështetje nuk ka mbetur pa u trajtuar. Përkundrazi, kemi inkurajuar bashkërisht ngritjen e kapaciteteve të saj profesionale dhe operacionale. Siç e thashë edhe më herët, buxhetin e policisë së Kosovës e kemi gjetur me 109 milionë euro, e sot ai arrin në 176 milionë euro. Vetëm gjatë 5 viteve të fundit, buxheti i alokuar dhe i shpenzuar për policinë e Kosovës arrin në 732 milionë euro. Është e rëndësishme, megjithatë, të bëhet një dallim i qartë i përgjegjësive: qeveria dhe ministria e punëve të brendshme sigurojnë mbështetjen financiare për policinë e Kosovës, ndërsa proceset e furnizimit dhe prokurimit zhvillohen nën përgjegjësinë e strukturave përkatëse të policisë së Kosovës. Pra, mbështetja financiare dhe institucionale për policinë e Kosovës nuk ka munguar. Por dua të jem edhe i qartë: unë nuk jam as zyrtar, as drejtor i prokurimit, as në ministri, as në polici. Në cilësinë e ministrit të punëve të brendshme, mandati im është të siguroj mbështetjen e nevojshme për të gjitha agjencitë ekzekutive, që veprojnë në kuadër të ministrisë së punëve të brendshme, përfshirë policinë e Kosovës. Këtë mbështetje e kam ofruar vazhdimisht. Nuk kam as mandat, as të drejtë ligjore për të ndërhyrë në proceset e prokurimit”, tha ai.

    Duke folur për procedurat e furnizimit me uniforma të rendit, Sveçla ka thënë se, sipas raportit që ka pranuar nga Policia e Kosovës, ato janë iniciuar katër herë. Ai ka përmendur procedurën e vitit 2021, në vlerë prej 11.3 milionë eurosh, e cila ishte anuluar nga vetë Policia për shkak se ofertat e pranuara nuk i kishin plotësuar kriteret administrative.

    Ndërsa, procedura e dytë e përmendur nga ministri ishte iniciuar në vitin 2023, po ashtu në vlerë prej 11.3 milionë eurosh, dhe sipas tij, ka zgjatur rreth tre vjet deri në nënshkrimin e kontratës, për shkak të gjashtë ankesave dhe vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

    “Informat të policisë së Kosovës në përgjithësi, duke qenë se furnizime uniforma taktike dhe operacionale ka pasur në vazhdimësi, por po flasim për ato të rendit. Sa i përket furnizimit me uniforma të rendit, sipas raportit që kam pranuar nga policia e Kosovës, procedurat për këtë furnizim janë iniciuar 4 herë. Në vitin 2021 është iniciuar një procedurë e hapur në vlerë prej 11.3 milionë eurosh. Kjo procedurë është anuluar nga vetë policia e Kosovës, pasi ofertat e pranuara nuk i kanë plotësuar kriteret administrative. Në vitin 2023 është iniciuar një tjetër procedurë e hapur, po ashtu në vlerë prej 11.3 milionë eurosh. Kjo procedurë ka zgjatur rreth 3 vjet, nga inicimi deri te nënshkrimi i kontratës, për shkak të 6 ankesave dhe vendimeve të organit shqyrtues të prokurimit”, tha ai.

  • Qorrolli kërkon nismë të re ligjore për Dhomat e Specializuara, thotë se ligji aktual është i paimplementueshëm

    Qorrolli kërkon nismë të re ligjore për Dhomat e Specializuara, thotë se ligji aktual është i paimplementueshëm

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, ka thënë se nevojitet një nismë e re ligjore për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pasi sipas tij, ligji aktual është i paimplementueshëm, raporton Ekonomia Online.

    Qorrolli pas mbledhjes se Komisionit ka thënë se Komisioni do ta njoftojë seancën plenare për shqyrtimin e këtij vendimi, ndërsa Kuvendi duhet të vendosë nëse do ta lërë ligjin në fuqi duke rrëzuar dekretin e presidentes me 61 vota.

    Ai ka theksuar se një iniciativë e re duhet t’i përfshijë vërejtjet dhe rekomandimet e faktorit ndërkombëtar, si dhe të sigurojë zbatimin e ligjit.

    “kemi marrë qëndrim që ta njoftojmë seancën plenare që Komisioni per Legjislacionit e ka marrë në shqyrtim njoftimin e Presidentes mbi kthimin e ligjit, dhe tash i takon seancës plenare që ta lë ligjin në fuqi duke rrëzuar atë dekretin me 61 vota, në rastin e kundërt, duke u konsideruar se nuk ka cili është çfarë. Kjo është ana juridike e çështjes”.

    “Ndërkohë që për çështje politike, të cilat duhet të jenë me negocim sipër midis, Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike, ndihmi përfundimtar i takon deputetëve të Kuvendit që të konsiderojnë, sepse siç e thamë edhe në 6 tetor edhe sot, ne konsiderojmë që një iniciativë e re ligjore, e cila do t’i merrte në shqyrtim të gjitha vërejtjet, rekomandimet edhe te faktorit ndërkombëtar, po dhe qëllimin final të cilin e ka ky ligj, implementimin e tij, sepse e dini ky ligj është shndërruar në një gjë të paimplementueshme nga dita e miratimit nga Kuvendi me 6 tetor”, tha ai.

    Qorrolli ka shprehur shqetësimin se nëse ligji aktual mbetet në fuqi pa ndryshime, ai sërish nuk do të mund të zbatohet.

    “Dhe tash nëse kthehemi në të njëjtën situatë, për ta lënë këtë ligj në fuqi, siç ka qenë, pa e ndryshuar asnjë pikë a presje, se kam frikën, si juris po ju flas, që ky ligj është sërish i paimplementueshëm. Prandaj duhet një iniciativë e re ligjore që ky ligj të shndërrohet në të implementueshëm, dhe bashkë me strategjinë, me grupin strategjik që katër krerë të UÇK të Kosovës në këtë rast, ish-krerë doja të thoja, të dalë sa më shpejt, si i pafajshëm, në mënyrë që shteti jonë të kujdeset siç po bën kujdesin maksimal”, tha ai.

    I pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta votojë ligjin, Qorrolli ka thënë se vendimi i takon seancës plenare dhe se negociatat ndërmjet subjekteve politike janë ende duke vazhduar.

    “I takon seancës plenare. Unë nuk, unë po flas këtu si kryetar i Komisionit për Legjislacion, duhet t’i takojë krerëve të subjekteve politike, me sa e di që negocijatat ende po rrjedhin dhe do të ketë një dakordim final”, tha ai.

  • Nagavci kërkon mbikëqyrje të shtuar të çmimeve: Krizat nuk mund të përdoren si arsyetim për çdo shtrenjtim

    Nagavci kërkon mbikëqyrje të shtuar të çmimeve: Krizat nuk mund të përdoren si arsyetim për çdo shtrenjtim

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, i ka bërë thirrje Qeverisë që të shtojë mbikëqyrjen e çmimeve, duke theksuar se krizat ndërkombëtare nuk mund të përdoren si arsyetim për çdo shtrenjtim, raporotn Ekonomia Online.

    Nagavci ka thënë se duhet të bëhet dallimi ndërmjet rritjes së çmimeve që vjen si pasojë e kostos së furnizimit dhe lëndëve të para dhe shtrenjtimit që bëhet në mënyrë abuzive.

    Ajo ka theksuar se rritja e çmimeve po rëndon familjet, veçanërisht në prag të festave të fundvitit, kur shtohen shpenzimet për ngrohje dhe energji.

    “Po afrohen edhe festat e fundvitit. Familjeve u shtohen shpenzimet për ngrohje dhe energji. Në të njëjtën kohë, luftërat dhe krizat ekonomike po vazhdojnë të ndikojnë në çmimet e energjisë, të lëndëve të para dhe të produkteve ushqimore në mbarë botën. Kosova nuk është palë në këto luftëra, por pasojat e tyre ekonomike po i ndiejmë që nga viti 2022. Këtë vit rritja e çmimeve është bërë edhe më e ndjeshme për shkak të këtyre konflikteve. Krizat ndërkombëtare ndikojnë edhe në ekonominë tonë, madje shumë. Mirëpo ato nuk mund të përdoren si arsyetim për çdo shtrenjtim. Duhet të dihet se cilat çmime rriten për shkak të kostos së furnizimit apo lëndës së parë dhe cilat çmime rriten në mënyrë abuzive. Shtrenjtimi i jetesës i prek të gjithë, por jo të gjitha familjet i rëndon njësoj. Gjatë vitit 2026, qeveria ka ndërmarrë masa konkrete për t’i mbështetur qytetarët përballë këtyre vështirësive”, tha Nagavci.

  • Prishtina angazhon 24 kamionë për pastrimin e kryeqytetit, Rama akuzon Qeverinë për bllokimin e 72 milionë eurove

    Prishtina angazhon 24 kamionë për pastrimin e kryeqytetit, Rama akuzon Qeverinë për bllokimin e 72 milionë eurove

    Komuna e Prishtinës ka nisur zbatimin e masave alternative për përmirësimin e gjendjes me mbeturina duke përfshirë sektorin privat dhe bashkëpunimin me UNDP-në, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i kryeqytetit Përparim Rama ka bërë të ditur se në kuadër të këtyre angazhimeve janë vënë në dispozicion 14 kamionë për pastrimin e kryeqytetit, ndërsa në vijim pritet të angazhohen edhe 10 të tjerë.

    Krahas masave të ndërmarra, Rama ka ngritur shqetësimin për bllokimin e financimit prej 72 milionë eurosh, të dedikuara për pajisjen e rajonit me kamionë dhe kontejnerë për menaxhimin e mbeturinave.

    “Siç po e shihni tashmë, kemi ndërmarrë masa alternative, pra masa të tjera shtesë, që nëpërmjet Sekretariatit Privat dhe mendimeve të UNDP-së, tash po vazhdojmë me pastruar kryeqytetin. Përkundër faktit po them, që për fat të keq e kemi qeverinë e cila vazhdimisht bllokon. Pra e dini që 72 milionë, të cilët kanë qenë të dedikuar për me i ble më shumë se, me i ble 100 kamionë faktikisht, më shumë se 10.000 kontejnerë për me zgjidh problemin jo vetëm në kryeqytet por në gjithë regjionin. Ky proces është bllokuar edhe ka vazhduar bllokimi i tij prej nivelit qendror, pra prej pikërisht Hekuran Muratit. Sikurse edhe shumë projekte të tjera, e dini që mbesin aty, ngecin aty dhe çfarëdo që ka të bëjë me kryeqytetin, qeveria e shfrytëzon mekanizmat e vet për me

    i bllokuar. Mirëpo, tentimet e tyre për bllokada, për sabotazha, për me ndalur zhvillimin e kryeqytetit, e dini që asnjëherë nuk kanë mundur me kaluar”, ka thënë ai.

    “Pra, ne kemi vazhduar me zhvillimin e kryeqytetit, i kemi kaluar sfidat gjithmonë dhe do ta kalojmë edhe këtë sfidë. Tash me sektorin privat kemi numër shtesë të kamionëve, kemi sot edhe 12, tash na bashkohen edhe 2, 14 kamionë, dhe do të ketë edhe 10 të tjerë të cilët janë të pastrimit, pra 24 kamionë, që pastrimi i kryeqytetit faktikisht do të ndikojë dukshëm në pastrimin e kryeqytetit dhe kjo do të shihet prej qytetarëve. Edhe një herë, ju falënderoj të gjithë qytetarëve, që kanë qenë, kanë pasur mirëkuptim edhe e kanë parë faktikisht që përkundër, me çka po ballafaqohemi. Domethënë, ne jemi duke u ballafaquar me një, me një qeveri, sese sabotuese, që ishte dashur me i ndihmuar kryeqytetit, jo me sabotuar kryeqytetin, sepse tek e fundit edhe fëmijët e tyre, e kanë me pas këtë impakt negativ në shëndet si rezultat i mos-pastërtisë apo i pa-pastërtisë. Po ne gjithmonë kemi gjetur alternativa, po gjejmë alternativa dhe kryeqyteti do të pastrohet”, ka shtuar Rama.

    Sipas tij,

    “E shihni edhe në ditët me radhë, pra që ka me pasur një zhvillim të dukshëm për të mirën e qytetarëve të kryeqytetit. Falënderoj të gjithë ekipet këtu që sot janë me ne, po ashtu edhe drejtorin Leotrimin, që është duke bërë një punë të shkëlqyeshme në këtë luftë ndaj mbeturinave, ë e po ashtu edhe ekipeve të pastrimit që përkundër problemeve të dukshme me mekanizma, me gjëra të ndryshme po vazhdojnë punën e tyre si qytetarë të kryeqytetit.Po tash ne kemi, kemi ndarë buxhet tjetër shtesë për me involvuar sektorin privat së bashku me UNDP-në ë që ta pastrojmë kryeqytetin. Pra kjo është, ky është procesi edhe ne ë e dini që e kemi votuar edhe krijimin e ë kompanisë pastrimi të kryeqytetit, të cilën po ashtu e ka bllokuar qeveria. Pra e ka vendosur, ka shpallur të jashtëligjshme. Deri sa çdo gjë që këtu në kryeqytet qeveria e shpall të jashtëligjshme, komuna të tjera si Fushë Kosova ose Obiliqi, pra i bëjnë kopjet e njëjta sikur na, po atje qenë kanë të ligjshme. Deri sa tek ne gjithmonë çdo gjë është e jashtëligjshme ë sipas vrejteve të nivelit qendror”, tha ai.

    Kurse, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leotrim Retkoceri, tha se kjo ndërhyrje është e domosdoshme për shkak të situatës së vështirë me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.

    Ai ka theksuar se situata aktuale do të mund të shmangej nëse do të nënshkruhej garancioni i kredisë me KfË-në, përmes së cilës do të siguroheshin 100 kamionë dhe 10 mijë kontejnerë.

    “Jemi bashkë këtu me kryetarin, po edhe me kompanitë për me iu përgjigj situatës, se qe jemi në një situatë aspak të lehtë në kryeqytet sa i përket menaxhimit të mbeturinave. Kjo zgjidhje ka qenë e domosdoshme për situatën në të cilën jemi, por në këtë situatë nuk do të ishim sikur të ishte nënshkruar garancioni i kredisë me KfË-në, e cila do të siguronte, siç e tha edhe kryetari, 100 kamionë dhe 10.000 kontejnerë, ku do ta kishim të gjithë rajonin e Prishtinës të pastër.

    Angazhimi jonë nuk do të ndalet dhe shpejt do të vërehet se angazhimi i përbashkët i Komunës së Prishtinës, operatorëve kompanisë Pastrimi, për t’i dalë ballë situatës, do të jep rezultate dhe bëjmë sërish apel që mos ta bllokohet projekti i KfË-së, sepse ndarja prej 5 milionë euro që kanë ndodhur nga Kuvendi Komunal i Prishtinës për bashkëpunim me UNDP-në, është i nevojshëm, por nuk është zgjidhje afatgjatë që do ta bëj tërësisht zgjidhjen e menaxhimit të mbeturinave, dhe për këtë situatë ne presim që të ketë reagim pozitiv nga Ministria e Financave në mënyrë që mos ta bllokojnë një kryeqytet të tërë dhe me lënë pas zgjidhje në këtë situatë siç jemi.

    Ne nuk do të ndalemi me përpjekje, me kryetarin dhe të gjithë së bashku, sepse Prishtina nuk do të ndalet”, tha ai.

  • Kapet shtetasi turk në Prishtinë, dyshohet për keqpërdorim të kartelave bankare

    Kapet shtetasi turk në Prishtinë, dyshohet për keqpërdorim të kartelave bankare

    Një shtetas i Turqisë është arrestuar në Prishtinë, nën dyshimin se ka ndërhyrë në sisteme kompjuterike dhe ka keqpërdorur kartelat bankare të shtetasve të huaj.

    Sipas raportit policor, i dyshuari dyshohet se ka realizuar blerje të ndryshme online përmes kartelave bankare të keqpërdorura, duke zhvilluar aktivitet criminal.

    Gjatë operacionit, si prova materiale janë sekuestruar dy kompjuterë, dy telefona celularë, dy USB dhe disa dokumente të tjera relevante për rastin.

    Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • E goditi me veturë një person në Podujevë, arrestohet i dyshuari

    E goditi me veturë një person në Podujevë, arrestohet i dyshuari

    Një person është arrestuar në Podujevë, nën dyshimin se ka goditur me veturë një qytetar.

    Rasti ka ndodhur më 11 nëntor 2026, rreth orës 21:10, në rrugën “Ilir Konushevci”.

    Si pasojë e goditjes, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

    I dyshuari është intervistuar nga policia dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka goditur me veturë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”.thot raporti i PK.

  • Kaçanik: Arrestohet një i mitur nën dyshimin për dhunim të një të miture

    Kaçanik: Arrestohet një i mitur nën dyshimin për dhunim të një të miture

    Një i mitur është arrestuar në Kaçanik, nën dyshimin se ka kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur.

    Rasti është raportuar më 11 nëntor 2026, rreth orës 16:00.

    Sipas raportit policor, viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është intervistuar nga organet e rendit.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Lushaku-Sadriu kritikon pushtetin: Mjerë Kosova për mendësinë dhe humbjet që po ia shkaktoni

    Lushaku-Sadriu kritikon pushtetin: Mjerë Kosova për mendësinë dhe humbjet që po ia shkaktoni

    Deputetja e LDK-se, Jehona Lushaku – Sadriu ka kritikuar pushtetin për qasjen ndaj procesit të integrimit evropian të Kosovës, duke e akuzuar se po përpiqet t’ia bartë Bashkimit Evropian përgjegjësinë për ngecjet në këtë proces.

    Lushaku-Sadriu ka thënë se gjatë seancës së djeshme parlamentare, e cila ishte thirrur për të kërkuar përgjegjësi për ngecjet në rrugën evropiane të Kosovës, përfaqësuesit e qeverisë e kishin orientuar kritikën drejt BE-së, në vend që të fokusoheshin te përmbushja e rekomandimeve.

    Ajo ka kritikuar edhe kërkesën e përfaqësuesve të pushtetit që Bashkimi Evropian të kërkojë falje dhe të korrigjojë raportin për Kosovën.

    “Është e turpshme deri ku ka arritur përpjekja për t’iu shmangur përgjegjësisë. Një pushtet që duhet t’i përmbushë rekomandimet, tash i kërkon llogari atij që na vlerëson”, ka shkruar ajo

    Mes tjerash, Lushaku – Sadriu ka shprehur shqetësimin për pasojat që, sipas saj, kjo qasje po i shkakton Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.

    “Mjerë Kosova për mendësinë dhe humbjet që po ia shkaktoni”.