ATV

Author: G.O.

  • Hoxhaj: Sulmi terrorist në Banjskë dëshmoi se Serbia nuk ka hequr dorë nga planet për pushtimin e Kosovës

    Hoxhaj: Sulmi terrorist në Banjskë dëshmoi se Serbia nuk ka hequr dorë nga planet për pushtimin e Kosovës

    Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kujtuar rreshterin Afrim Bunjaku në trevjetorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

    Hoxhaj ka thënë se më 24 shtator 2023, Serbia, përmes grupeve të armatosura, tentoi aneksimin e veriut të Kosovës, ndërsa rreshteri Afrim Bunjaku ra heroikisht në mbrojtje të atdheut.

    “Më 24 shtator 2023, tri vjet më parë, Serbia, përmes grupeve të armatosura, tentoi aneksimin e veriut të Kosovës. Atë ditë ra heroikisht rreshteri Afrim Bunjaku. Aty u mbrojt atdheu ynë, një dhe i pandashëm”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

    Ai ka theksuar se sulmi në Banjskë dëshmoi gatishmërinë e Policisë së Kosovës për ta mbrojtur vendin, por edhe synimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj territorit të Kosovës.

    “Banjska dëshmoi se Policia e Kosovës është e gatshme të japë jetën në mbrojtje të vendit dhe se Serbia nuk ka hequr dorë kurrë nga planet për pushtimin e territorit tonë”, ka deklaruar Hoxhaj.

    “Lavdi e përjetshme heroit Afrim Bunjaku!”, ka përfunduar ai.

  • “Nafta, energjia elektrike, gruri”, Ymeri: Kosova po paguan produkte në treg pa asnjë kontroll

    “Nafta, energjia elektrike, gruri”, Ymeri: Kosova po paguan produkte në treg pa asnjë kontroll

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mënyrën se si, sipas saj, po funksionojnë mekanizmat e kontrollit të çmimeve dhe furnizimit me produkte bazë e terapi shëndetësore.

    Ymeri ka deklaruar se, përveç Doganës, përmes së cilës mblidhen të ardhurat nga importi, në Kosovë mungojnë mekanizmat e mjaftueshëm të kontrollit të çmimeve për produkte si nafta, energjia elektrike dhe gruri.

    “Paguajmë aq sa shkruhet në import nga kushdo që shkruhet”, ka thënë Ymeri, duke kritikuar institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut.

    Ajo ka kundërshtuar edhe arsyetimet për funksionimin e tregut të lirë, duke pretenduar se Autoriteti i Konkurrencës nuk është funksional në nivelin e nevojshëm.

    “Mos u arsyetoni në dokrrat e Tregut të Lirë kur si parti nuk keni funksional as Autoritetin e Konkurrencës”, është shprehur deputetja e LDK-së.

    Sipas saj, problemet nuk kufizohen vetëm te çmimet e produkteve bazë, por shtrihen edhe te furnizimi me terapi shëndetësore.

    “Për terapitë shëndetësore as që bëhet fjalë: nuk ka as sasi të mjaftueshme”, ka deklaruar Ymeri.

    Në fund, deputetja ka ngritur pyetjen se çfarë po qeveris në të vërtetë Qeveria e Kosovës, duke e lidhur kritikën e saj me gjendjen ekonomike të qytetarëve.

    “Çfarë po qeveris në të vërtetë Qeveria VV? Varfërinë pra”, ka thënë Ymeri, duke pretenduar se institucionet janë fokusuar kryesisht në mbledhjen e të hyrave përmes Doganës dhe kontrolleve tatimore.

    Postimi i plotë:

    Kosova, përveç Doganës nga ku sigurohen të ardhurat e qeverisë për xhipa dhe naftë, praktikisht nuk ka asnjë mekanizëm kontrolli për çmimet e produkteve si:

    1) ​Nafta

    2) ​Energjia elektrike

    3) ​Gruri

    Paguajmë aq sa shkruhet në import nga kushdo që shkruhet.

    Mos u arsyetoni në dokrrat e Tregut të Lirë kur si parti nuk keni funksional as Autoritetin e Konkurrencës.

    Ne po paguajmë produkte në treg pa asnjë kontrollë.

    ​Për terapitë shëndetësore as që bëhet fjalë: nuk ka as sasi të mjaftueshme.

    Këtu shtrohet pyetja: çfarë po qeveris në të vërtetë Qeveria VV?

    VARFËRINË pra, duke mbajtur hapur vetëm derën e Doganës me parimin: “paguaj këtë, këtë dhe këtë para se ta shesësh mallin”, e pastaj edhe një kontroll tatimor nga ATK-ja.

  • Keni migrenë? Konsumimi i këtij lëngu mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjes

    Keni migrenë? Konsumimi i këtij lëngu mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjes

    Migrena nuk është thjesht një dhimbje e fortë koke.

    Bëhet fjalë për një çrregullim neurologjik që mund të shoqërohet me të përziera, të vjella, si dhe ndjeshmëri të theksuar ndaj dritës dhe zhurmës.

    Përveç trajtimit mjekësor, disa zakone të përditshme mund të ndihmojnë në lehtësimin dhe parandalimin e simptomave, ndër to edhe konsumimi i mjaftueshëm i lëngjeve.

    Një nga mënyrat që mund të ndihmojë është konsumimi i ujit me një sasi të vogël kripe.

    Ky kombinim i siguron organizmit njëkohësisht lëngje dhe natrium, një elektrolit i rëndësishëm që ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve në trup dhe funksionimin normal të sistemit nervor.

    Humbja e elektroliteve mund të ndodhë kur organizmi humbet një sasi të madhe lëngjesh, për shembull për shkak të djersitjes së tepërt, të vjellave ose konsumimit të pamjaftueshëm të ujit.

    Në këto raste mund të shfaqen dhimbje koke, dobësi, marramendje dhe të përziera, të cilat mund ta përkeqësojnë gjendjen gjatë një episodi të migrenës.

    Nëse dhimbja e kokës shkaktohet ose përkeqësohet nga dehidratimi, marrja e lëngjeve dhe elektroliteve mund ta ndihmojë trupin të rikthejë ekuilibrin dhe të lehtësojë disa nga shqetësimet.

    Megjithatë, uji me kripë nuk është kurë për migrenën dhe nuk duhet të përdoret si zëvendësim i trajtimit të duhur, veçanërisht te personat që kanë episode të shpeshta ose shumë të forta.

    Me sasinë e kripës duhet treguar kujdes.

    Kjo vlen veçanërisht për personat që kanë tension të lartë të gjakut, sëmundje të veshkave ose gjendje të tjera shëndetësore në të cilat rekomandohet kufizimi i konsumit të natriumit. /Telegrafi/

  • Kallas mblodhi liderët e Ballkanit Perëndimor, Kurti: Kosova nuk mund të mbetet peng i Serbisë

    Kallas mblodhi liderët e Ballkanit Perëndimor, Kurti: Kosova nuk mund të mbetet peng i Serbisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar Bashkimit Evropian që të mos e vonojë më trajtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim dhe t’i japë vendit statusin e shtetit kandidat.

    Kurti e ka ngritur këtë çështje gjatë drekës së organizuar në New York nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, me përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Takimi është zhvilluar në kuadër të qëndrimit të Kurtit në New York për Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

    Sipas Kurtit, dhënia e statusit të vendit kandidat do të ishte përgjigje ndaj, siç ka thënë ai, besnikërisë së Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe orientimit të saj euroatlantik, si dhe një shtysë për vazhdimin e reformave.

    “Statusi i shtetit kandidat për anëtarësim pa vonesa të mëtejme, përveçse i merituar, do të duhej të ishte përgjigjja e Bashkimit Evropian për besnikërinë e Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe përcaktimit të qartë strategjik euroatlantik”, ka shkruar Kurti.

    Ai ka kritikuar gjithashtu mosprocedimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, i cili është dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë.

    Kurti ka thënë se mbajtja “në sirtar” e aplikimit, ndërkohë që Kosova është e linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përbën, sipas tij, padrejtësi ndaj vendit dhe mund të inkurajojë aktorët destabilizues në rajon.

    “Republika e Kosovës nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i fqinjit të saj verior”, ka deklaruar ai.

    Në postimin e tij, kryeministri ka akuzuar Serbinë se mbron dhe shpërblen persona të dënuar për krime, glorifikon të dënuar për krime të kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi dhe refuzon të bashkëpunojë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.

    Ai gjithashtu ka përsëritur akuzat ndaj Beogradit për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke e cilësuar politikën atje si “spastrim etnik administrativ”.

  • Ndalet një veturë me targa serbe në Leposaviq, gjenden pako me cigare të kontrabanduara

    Ndalet një veturë me targa serbe në Leposaviq, gjenden pako me cigare të kontrabanduara

    Policia e Kosovës, respektivisht njësitë policore nga Departamenti për Kufi, në kuadër të mbikëqyrjes së shtuar të vijës kufitare, me qëllim të parandalimit të aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare, me datën 24.09.2026 në fshatin Bare-KK, Leposaviq, në vijën kufitare me Serbinë, kanë ndaluar një automjet me targa serbe, me drejtues të dyshuarin mashkull shtetas i Serbisë.

    Sipas një njoftimi për media thuhet se lidhur me rastin, në automjetin e lartcekur janë hasur mallra të kontrabanduara si në vijim: 34 pako x 50 shteka me cigare të llojeve të ndryshme; 50 shteka me cigare të një lloji tjetër.

    “Me autorizim të prokurorit të Shtetit, iniciohet rasti “Kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare apo vijës kufitare”, ku personi i dyshuar është dërguar në mbajtje, ndërsa malli i kontrabanduar i është nënshtruar procedurave të mëtejme. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në kryerjen e detyrave dhe autorizimeve të saj, me qëllim të vënies së kryesve të veprave penale përpara përgjegjësisë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

  • ShBA nderon policin Afrim Bunjaku, kërkon përgjegjësi për autorët

    ShBA nderon policin Afrim Bunjaku, kërkon përgjegjësi për autorët

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë ka ritheksuar thirrjen që autorët e sulmit në Banjskë të mbahen përgjegjës.

    Në një postim në Facebook, Ambasada amerikane ka nderuar pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës gjatë sulmit në Banjskë në shtator të vitit 2023.

    “Ne i bashkohemi Kosovës në nderimin e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës gjatë sulmit në Banjskë në shtator të vitit 2023. Ne përsërisim thirrjen tonë që autorët të mbahen përgjegjës”, thuhet në postimin e Ambasadës së SHBA-së.

  • Ambasada gjermane për Banjskën: Drejtësia të vihet në vend pa vonesa

    Ambasada gjermane për Banjskën: Drejtësia të vihet në vend pa vonesa

    Sot shënohen tre vjet nga vrasja e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Me këtë rast, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka kërkuar që përgjegjësit për sulmin të përballen me drejtësinë.

    “Tre vjet më parë u vra pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Udhëheqësi i vetëdeklaruar i sulmit ende nuk është mbajtur përgjegjës”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Gjermane.

    Ambasada ka theksuar se drejtësia duhet të vihet në vend pa vonesa të mëtejshme.

    “Është e domosdoshme që drejtësia të vihet në vend pa asnjë vonesë të mëtejshme”, thuhet më tej në reagim.

  • Vizitat në paraburgim tek Hashim Thaçi, Haga merr një vendim

    Vizitat në paraburgim tek Hashim Thaçi, Haga merr një vendim

    Gjykatësi Christopher Gosnell, më 21 shtator, ka marrë vendim për ndryshimin e kufizimeve lidhur me vizitat ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në qendrën e paraburgimit në Hagë.

    Vendimi lidhet me rastin e dytë ndaj Thaçit, në të cilin ai akuzohet për tentim-pengim të drejtësisë.

    Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndalimi i vizitave vazhdon të jetë në fuqi për katër persona, ndërsa ndalimi për vizitorët e tjerë të specifikuar është hequr me efekt të menjëhershëm.

    “Vizitat e tyre do të mbikëqyren në mënyrë aktive”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

  • Vazhdon gjykimi për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika

    Vazhdon gjykimi për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika

    Ka nisur seanca e radhës në Gjykatën Themelore të Ferizajt, për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika.

    Në nisje të seancës, të pandehurit u përshëndetën me familjarët e tyre me shprehjen “Selam Alejkum”.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, gjashtë të pandehur akuzohen se më 1 prill 2025, rreth orës 23:00 në Kaçanik, në bashkëkryerje e privuan nga jeta zyrtarin policor.

    Prokuroria pretendon se vepra është kryer me përgatitje paraprake dhe me përfshirjen e një të mituri, dhe ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit për të akuzuarit.

  • Vuçiq në OKB falënderon 107 shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën

    Vuçiq në OKB falënderon 107 shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka falënderuar 107 shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

    Ai tha se këto shtete kanë qenë nën presion për të ndryshuar qëndrim, por kanë mbetur konsistente në mbrojtje të integritetit territorial të Serbisë.

    Vuçiq kritikoi bombardimet e NATO-s të vitit 1999, duke thënë se atëherë u tentua të merrej 14 për qind e territorit serb.

    Ai foli edhe për Marrëveshjen e Brukselit, duke akuzuar Prishtinën se nuk e ka zbatuar obligimin e vetëm – themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në fund, ai akuzoi rëndë Kroacinë për ringjallje të nazizmit, pa paraqitur asnjë fakt konkret.