ATV

Author: G.O.

  • Komunat e Kosovës sot protestojnë kundër vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Komunat e Kosovës sot protestojnë kundër vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në gjithë Kosovën protestohet sot kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për ish-krerët e UÇK-së. Protestat janë thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe platforma “Liria ka Emër”, nën moton “Jo në emrin tim”.

    Përveç Prishtinës, tubime janë paralajmëruar edhe në tetë komuna të tjera ku OVL-UÇK ka degë dhe struktura dhe ato nisin në orën 17:00.

    Protestuesit do të kundërshtojnë vendimin e 16 shtatorit, me të cilin Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

    Vendimi i shkallës së parë për 81 vjet burg në total për katërshen, i cili pritet të apelohet, është cilësuar nga organizatorët si i padrejtë ndaj luftës çlirimtare.

    OVL-UÇK njofton se protestat do të mbahen sipas orarit të publikuar:

    -Podujevë – ora 17:00, Sheshi “Zahir Pajaziti”;

    -Prizren – ora 19:00, Shadërvan;

    -Istog – ora 17:00, Parku i Qytetit;

    -Rahovec – ora 17:00, Sheshi i Qytetit;

    -Kaçanik – ora 17:30, Sheshi i Qytetit;

    -Drenas – ora 17:30, Sheshi “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”;

    -Deçan – ora 17:00, Qendra e Qytetit;

    -Gjilan – ora 17:00, Para Teatrit të Qytetit;

    -Prishtinë – ora 21:00, Sheshi “Skënderbeu”.

    Organizata ka bërë thirrje që protestat të zhvillohen në mënyrë paqësore.

  • Kuvendi i Kosovës: Mbledhja e parë e Kryesisë së legjislaturës së 11-të mbahet sot

    Kuvendi i Kosovës: Mbledhja e parë e Kryesisë së legjislaturës së 11-të mbahet sot

    Për herë të parë në legjislaturën e 11-të, mblidhet sot Kryesia e Kuvendit të Kosovës Mbledhja e thirrur nga kryetarja Albulena Haxhiu nis në orën 11:00, ku pritet të caktohet data e seancës së parë plenare.

    Kujtojmë se Kuvendi u shpall i konstituuar më 13 shtator, megjithëse Gjykata Kushtetuese konstatoi se kjo u bë pas afatit.

    Me konstituimin, kanë nisur të rrjedhin afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit, afat ky i fundit që skadon më 6 tetor.

    Në të kundërtën, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në mesin e nëntorit, ndërsa pozita e nënkryetarit nga PDK-ja mbetet ende vakante.

  • Prangoset zyrtari në Rahovec, merrte deri në 500 euro ryshfet nga bizneset

    Prangoset zyrtari në Rahovec, merrte deri në 500 euro ryshfet nga bizneset

    Një person është arrestuar në Rahovec, nën dyshimin se u ka kërkuar dhe marrë ryshfet pronarëve të bizneseve, në këmbim të moskontrollimit të lokaleve të tyre apo shmangies së ndëshkimeve.

    Rasti është zbuluar pasi Policia e Kosovës kishte pranuar informacione se i dyshuari, në periudha të ndryshme kohore, u kishte kërkuar ryshfet bizneseve. Pas pranimit të informacionit, Policia ka nisur menjëherë trajtimin e rastit.

    Gjatë hetimeve janë siguruar dëshmi se i dyshuari ka pranuar ryshfet në shuma prej 300 deri në 500 euro, në disa raste të ndara, nga pronarë biznesesh.

    “Me të gjitha veprimet e kryera, personi i dyshuar ka konsumuar veprën penale ‘marrja e ryshfetit’ neni 421 i KPRK-së”, thuhet në njoftimin e PK-së.

    Të enjten, Policia ka kontrolluar edhe ambientin e punës, si dhe veturat të cilat i dyshuari i kishte nën shfrytëzim.

    “Të gjitha veprimet hetimore policore kanë qenë të koordinuara me prokurorin përgjegjës të rastit ku pas intervistës, me aktvendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe nga i njëjti është sekuestruar një telefon celular”.

  • GJKKO lë në fuqi arrestin në shtëpi për Vlora Hysenin

    GJKKO lë në fuqi arrestin në shtëpi për Vlora Hysenin

    Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni.

    Hyseni u paraqit këtë të enjte në GJKKO, ku u njoh me masën e sigurisë të caktuar ndaj saj në kuadër të procedimit penal nr. 20/1.

    Para hyrjes në ambientet e GJKKO-së, ajo pati edhe një përplasje verbale me gazetarët, duke bërë një deklaratë lidhur me pretendime për takime me agjentë serbë.

    Me vendimin e 21 shtatorit, GJKKO caktoi ndaj Hysenit masën “arrest në shtëpi” dhe “pezullim të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme.

  • Heroizëm në uniformë, tre policë të Podujevës nderohen me medalje për shpëtimin e jetës

    Heroizëm në uniformë, tre policë të Podujevës nderohen me medalje për shpëtimin e jetës

    Tre zyrtarë policorë të Stacionit të Policisë në Podujevë janë nderuar me medalje për shpëtimin e jetëve, pas veprimeve të tyre të guximshme në dy raste të rënda.

    Në mesin e tyre është edhe polici Skender Fetahu, i cili më 2 korrik kishte intervenuar në një incident të rëndë në Podujevë, ku mbetën të plagosur tre persona.

    Në një situatë të rrezikshme, Fetahu kishte vepruar me guxim dhe vetëmohim, duke arritur ta çarmatoste njërin nga të dyshuarit dhe të parandalonte përshkallëzimin e mëtejmë të situatës.

    Në anën tjetër, dy zyrtarët e tjerë policorë, Nazimi dhe Shqiproni, me intervenimin e tyre kishin arritur të parandalonin një tragjedi edhe më të madhe, duke ia shpëtuar jetën një vajze.

    Për veprimin e tre policëve ka shprehur krenari edhe togerja Antigona Çitaku-Dibrani, e cila ka vlerësuar guximin, përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre në shërbim të qytetarëve.

    “Sot, tre heronj të Stacionit tonë u nderuan me medalje për shpëtim jete. Krenare për ju dhe për guximin, përkushtimin dhe profesionalizmin që dëshmoni çdo ditë në shërbim të qytetarëve. Urime dhe respekt të pafund për ju!”, ka shkruar ajo.

  • 22-vjeçari kryen veprime të rrezikshme me motoçikletë në Shtime, policia e gjobit me 500 euro

    22-vjeçari kryen veprime të rrezikshme me motoçikletë në Shtime, policia e gjobit me 500 euro

    Policia e Kosovës ka njoftuar se më 23 shtator, zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Shtime kanë identifikuar dhe ndëshkuar një shofer për kundërvajtje në trafik.

    Sipas Policisë, 22-vjeçari me inicialet A.H., duke drejtuar një motoçikletë të markës Yamaha, ka kryer veprime të rrezikshme në rrugën “Komandant Kumanova” në Shtime.

    Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, tri pikë negative dhe masa mbrojtëse – ndalimi i drejtimit të mjetit për tre muaj, pasi nuk posedonte kategorinë përkatëse për drejtimin e motoçikletës.

    Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet dhe aktivitetet e intensifikuara në trafik, me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore dhe zbatimit të ligjit.

  • Vendoset gurthemeli i obeliskut për heroin Afrim Bunjakun në Banjskë

    Vendoset gurthemeli i obeliskut për heroin Afrim Bunjakun në Banjskë

    Në Banjskë të Zveçanit është vendosur gurthemeli i obeliskut kushtuar heroit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij në krye të detyrës.

    Para vendosjes së gurthemelit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë bërë homazhe te varri i Bunjakut.

    Ata kanë nderuar kujtimin e rreshterit të Policisë së Kosovës, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit në Banjskë të Zveçanit.

  • Hoxhaj: Sulmi terrorist në Banjskë dëshmoi se Serbia nuk ka hequr dorë nga planet për pushtimin e Kosovës

    Hoxhaj: Sulmi terrorist në Banjskë dëshmoi se Serbia nuk ka hequr dorë nga planet për pushtimin e Kosovës

    Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kujtuar rreshterin Afrim Bunjaku në trevjetorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

    Hoxhaj ka thënë se më 24 shtator 2023, Serbia, përmes grupeve të armatosura, tentoi aneksimin e veriut të Kosovës, ndërsa rreshteri Afrim Bunjaku ra heroikisht në mbrojtje të atdheut.

    “Më 24 shtator 2023, tri vjet më parë, Serbia, përmes grupeve të armatosura, tentoi aneksimin e veriut të Kosovës. Atë ditë ra heroikisht rreshteri Afrim Bunjaku. Aty u mbrojt atdheu ynë, një dhe i pandashëm”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

    Ai ka theksuar se sulmi në Banjskë dëshmoi gatishmërinë e Policisë së Kosovës për ta mbrojtur vendin, por edhe synimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj territorit të Kosovës.

    “Banjska dëshmoi se Policia e Kosovës është e gatshme të japë jetën në mbrojtje të vendit dhe se Serbia nuk ka hequr dorë kurrë nga planet për pushtimin e territorit tonë”, ka deklaruar Hoxhaj.

    “Lavdi e përjetshme heroit Afrim Bunjaku!”, ka përfunduar ai.

  • “Nafta, energjia elektrike, gruri”, Ymeri: Kosova po paguan produkte në treg pa asnjë kontroll

    “Nafta, energjia elektrike, gruri”, Ymeri: Kosova po paguan produkte në treg pa asnjë kontroll

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mënyrën se si, sipas saj, po funksionojnë mekanizmat e kontrollit të çmimeve dhe furnizimit me produkte bazë e terapi shëndetësore.

    Ymeri ka deklaruar se, përveç Doganës, përmes së cilës mblidhen të ardhurat nga importi, në Kosovë mungojnë mekanizmat e mjaftueshëm të kontrollit të çmimeve për produkte si nafta, energjia elektrike dhe gruri.

    “Paguajmë aq sa shkruhet në import nga kushdo që shkruhet”, ka thënë Ymeri, duke kritikuar institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut.

    Ajo ka kundërshtuar edhe arsyetimet për funksionimin e tregut të lirë, duke pretenduar se Autoriteti i Konkurrencës nuk është funksional në nivelin e nevojshëm.

    “Mos u arsyetoni në dokrrat e Tregut të Lirë kur si parti nuk keni funksional as Autoritetin e Konkurrencës”, është shprehur deputetja e LDK-së.

    Sipas saj, problemet nuk kufizohen vetëm te çmimet e produkteve bazë, por shtrihen edhe te furnizimi me terapi shëndetësore.

    “Për terapitë shëndetësore as që bëhet fjalë: nuk ka as sasi të mjaftueshme”, ka deklaruar Ymeri.

    Në fund, deputetja ka ngritur pyetjen se çfarë po qeveris në të vërtetë Qeveria e Kosovës, duke e lidhur kritikën e saj me gjendjen ekonomike të qytetarëve.

    “Çfarë po qeveris në të vërtetë Qeveria VV? Varfërinë pra”, ka thënë Ymeri, duke pretenduar se institucionet janë fokusuar kryesisht në mbledhjen e të hyrave përmes Doganës dhe kontrolleve tatimore.

    Postimi i plotë:

    Kosova, përveç Doganës nga ku sigurohen të ardhurat e qeverisë për xhipa dhe naftë, praktikisht nuk ka asnjë mekanizëm kontrolli për çmimet e produkteve si:

    1) ​Nafta

    2) ​Energjia elektrike

    3) ​Gruri

    Paguajmë aq sa shkruhet në import nga kushdo që shkruhet.

    Mos u arsyetoni në dokrrat e Tregut të Lirë kur si parti nuk keni funksional as Autoritetin e Konkurrencës.

    Ne po paguajmë produkte në treg pa asnjë kontrollë.

    ​Për terapitë shëndetësore as që bëhet fjalë: nuk ka as sasi të mjaftueshme.

    Këtu shtrohet pyetja: çfarë po qeveris në të vërtetë Qeveria VV?

    VARFËRINË pra, duke mbajtur hapur vetëm derën e Doganës me parimin: “paguaj këtë, këtë dhe këtë para se ta shesësh mallin”, e pastaj edhe një kontroll tatimor nga ATK-ja.

  • Keni migrenë? Konsumimi i këtij lëngu mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjes

    Keni migrenë? Konsumimi i këtij lëngu mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjes

    Migrena nuk është thjesht një dhimbje e fortë koke.

    Bëhet fjalë për një çrregullim neurologjik që mund të shoqërohet me të përziera, të vjella, si dhe ndjeshmëri të theksuar ndaj dritës dhe zhurmës.

    Përveç trajtimit mjekësor, disa zakone të përditshme mund të ndihmojnë në lehtësimin dhe parandalimin e simptomave, ndër to edhe konsumimi i mjaftueshëm i lëngjeve.

    Një nga mënyrat që mund të ndihmojë është konsumimi i ujit me një sasi të vogël kripe.

    Ky kombinim i siguron organizmit njëkohësisht lëngje dhe natrium, një elektrolit i rëndësishëm që ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve në trup dhe funksionimin normal të sistemit nervor.

    Humbja e elektroliteve mund të ndodhë kur organizmi humbet një sasi të madhe lëngjesh, për shembull për shkak të djersitjes së tepërt, të vjellave ose konsumimit të pamjaftueshëm të ujit.

    Në këto raste mund të shfaqen dhimbje koke, dobësi, marramendje dhe të përziera, të cilat mund ta përkeqësojnë gjendjen gjatë një episodi të migrenës.

    Nëse dhimbja e kokës shkaktohet ose përkeqësohet nga dehidratimi, marrja e lëngjeve dhe elektroliteve mund ta ndihmojë trupin të rikthejë ekuilibrin dhe të lehtësojë disa nga shqetësimet.

    Megjithatë, uji me kripë nuk është kurë për migrenën dhe nuk duhet të përdoret si zëvendësim i trajtimit të duhur, veçanërisht te personat që kanë episode të shpeshta ose shumë të forta.

    Me sasinë e kripës duhet treguar kujdes.

    Kjo vlen veçanërisht për personat që kanë tension të lartë të gjakut, sëmundje të veshkave ose gjendje të tjera shëndetësore në të cilat rekomandohet kufizimi i konsumit të natriumit. /Telegrafi/