ATV

Author: G.O.

  • Musliu kërkon që ndërtesa e Qeverisë të ndriçohet me mesazhin “Jo në emrin tim!”

    Musliu kërkon që ndërtesa e Qeverisë të ndriçohet me mesazhin “Jo në emrin tim!”

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar që ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndriçohet urgjentisht me mesazhin “JO NË EMRIN TIM!”, lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

    Përmes një postimi në Facebook, Musliu ka thënë se vendimi i gjykatës nuk duhet t’i atribuohet popullit të Kosovës dhe se ai nuk përfaqëson, sipas saj, sakrificën e atyre që luftuan për lirinë e vendit.

    “Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë nuk guxon t’i atribuohet popullit të Kosovës. Nuk është në emër të atyre që luftuan për lirinë e Kosovës. Nuk është në emër të atyre që humbën më të dashurit e tyre. Nuk është në emër të sakrificës që solli lirinë”, ka shkruar Musliu.

    Ajo ka theksuar se një vendim gjyqësor nuk duhet të përcaktojë historinë e Kosovës në emër të një populli.

    “Dhe mbi të gjitha, nuk duhet të lejojmë që një vendim gjyqësor të shkruajë historinë tonë në emër të një populli që e di se çfarë ka përjetuar. JO NË EMRIN TIM!”.

  • Vuçiqi paralajmëron dorëheqjen të dielën, pas kthimit nga OKB-ja

    Vuçiqi paralajmëron dorëheqjen të dielën, pas kthimit nga OKB-ja

    Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka paralajmëruar dorëheqjen nga posti të dielën më 27 shtator, menjëherë pas kthimit nga Nju-Jorku, ku po merr pjesë në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

    Në një deklaratë për mediat serbe, ai tha se do t’i drejtohet publikut rreth orës 20:00, për të shpjeguar arsyet e vendimit.

    Vuçiq paralajmëroi se pas dorëheqjes do të përfshihet në fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit si qytetar i thjeshtë, me synimin për të garuar për postin e kryeministrit.

    Ai konfirmoi se para përfundimit të mandatit do të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, për të diskutuar fatin e Industrisë Serbe të Naftës, e cila është nën sanksione amerikane për shkak të pronësisë ruse, si dhe bashkëpunimin me Hekurudhat Ruse.

  • Vrasja e argjentinases në Kosovë – Anulohet seanca ndaj Endrit Nikës, mungon përkthyesi i gjermanishtes zvicerane

    Vrasja e argjentinases në Kosovë – Anulohet seanca ndaj Endrit Nikës, mungon përkthyesi i gjermanishtes zvicerane

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka anuluar seancën e rigjykimit ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e partneres së tij argjentinase, Maria Clara Urdangaray.

    Shkak për anulimin u bë dështimi i gjykatës për të siguruar një përkthyes të gjuhës gjermane zvicerane, dialekt të cilin sipas mbrojtjes flet i akuzuari.

    Mbrojtësi i tij, avokati Tomë Gashi, tha se përkthyesi i ofruar nga gjykata njeh gjermanishten standarde, por jo variantin zviceran. Kujtojmë se Nika ishte dënuar më herët me 18 vjet burgim për vrasje të rëndë, por rasti është kthyer në rigjykim.

    Ngjarja e rëndë kishte ndodhur në gusht të vitit 2023, kur 28-vjeçarja argjentinase humbi jetën pasi ra nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë Kosovë.

    Sipas prokurorisë, viktima ishte shtyrë pas një përleshjeje fizike në dhomë, ndërsa vetë Nika vazhdon të deklarohet i pafajshëm.

  • Ambasada e ShBA-së: Mezi presim të punojmë me Qeverinë dhe Kuvendin për avancimin e prioriteteve të përbashkëta

    Ambasada e ShBA-së: Mezi presim të punojmë me Qeverinë dhe Kuvendin për avancimin e prioriteteve të përbashkëta

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka konfirmuar gatishmërinë e saj për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet kryesore të vendit, Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, në funksion të shtyrjes përpara të prioriteteve të përbashkëta.

    Përmes një komunikate zyrtare, selia diplomatike amerikane ka theksuar se në thelb të këtij partneriteti mbeten siguria, zhvillimi dhe ruajtja e stabilitetit në tërë rajonin.

    “Ambasada e SHBA-së pret me padurim të punojë me Qeverinë dhe Kuvendin për të avancuar prioritetet e përbashkëta, përfshirë paqen rajonale, stabilitetin dhe prosperitetin e ndërsjellë”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

    Deklarata e Ambasadës vjen në kohën kur pritet të nis mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e para në këtë legjislaturë.

  • I dhanë para me fajde një personi, arrestohen dy persona në Gjakovë

    I dhanë para me fajde një personi, arrestohen dy persona në Gjakovë

    Policia e Kosovës ka arrestuar të enjten dy persona në Gjakovë nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Fajde”.

    Sipas raportit 24-orësh, të dyshuarit i kishin dhënë para me kamatë (fajde) një burri.

    Gjatë kontrollit të realizuar në shtëpitë e tyre, forcat policore kanë gjetur dhe sekuestruar disa fishekë, si dhe dëshmi të tjera materiale që ndërlidhen me rastin.

    Lidhur me ngjarjen, me urdhër të prokurorit kujdestar, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Haxhiu priti ambasadorin jorezident të Mbretërisë së Danimarkës në Kosovë, diskutohet për zhvillimet aktuale

    Haxhiu priti ambasadorin jorezident të Mbretërisë së Danimarkës në Kosovë, diskutohet për zhvillimet aktuale

    U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Ambasadorin jorezident të Mbretërisë së Danimarkës në Kosovë, Christian Grønbech-Jensen.

    Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, zhvillimet aktuale në vend, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

    Haxhiu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës ndaj Kosovës dhe për kontributin e saj ndër vite në paqe, siguri dhe zhvillim.

    U.d. Presidentja dhe Ambasadori Grønbech-Jensen rikonfirmuan gatishmërinë për vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

  • Osmani falënderon mërgatën në ShBA për kontributin në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës

    Osmani falënderon mërgatën në ShBA për kontributin në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në gala mbrëmjen e organizuar nga Albanian-American Relations Council, ku ka shprehur mirënjohjen për mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se ishte kënaqësi të fliste në këtë ngjarje dhe të falënderonte mërgatën për kontributin e saj në historinë e Kosovës.

    “Ishte kënaqësi të flasë në gala mbrëmjen e organizuar nga Albanian-American Relations Council dhe t’i falënderoj mërgatën tonë në Amerikë për kontributin e jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Osmani.

  • “Të shpërbëhet Specialja”, ish-këshilltari i Trumpit: Mendoj që kjo gjykatë është e paligjshme

    “Të shpërbëhet Specialja”, ish-këshilltari i Trumpit: Mendoj që kjo gjykatë është e paligjshme

    Ish-këshilltari i presidentit Donald Trump për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, është shprehur për shkrirjen e Gjykatës Speciale, duke deklaruar se proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së kanë një element të rëndë politik.

    Në një intervistë në A2CNN, Bolton e cilësoi institucionin të paligjshëm, ndërsa ngriti shqetësime për mungesën e mbikëqyrjes dhe pasojat që mund të ketë kjo për drejtësinë.

    Ai argumentoi se një zgjidhje më e përshtatshme do të ishte që vetë shtetet, përfshirë Kosovën dhe Serbinë, të hetonin dhe të gjykonin ish-liderët e tyre përmes sistemeve të pavarura të drejtësisë.

    “Pikëpamja ime është që këto gjyqe kanë patur një element të rëndë politik dhe nuk është një pyetje abstrakte për të kërkuar drejtësi, për çdo kënd që është i përfshirë në konflikt. Pikëpamja ime për një kohë të gjatë ka qenë që nëse e merr këtë si shembull, që ilaçi më i mirë për ato lloj sjellje nga ish-drejtuesit, në rastin e Serbisë, është që të bëjnë ata vendimin për të hetuar dhe dënuar ish-liderët e tyre, po ashtu me Kosovën, për të përfunduar konfliktin dhe çfarë do që palët duhet të vënë mbrapa shpatullave të tyre, për të kërkuar atë drejtësi, që vetëm një tribunal i pavarur mund ta bëjë, mendoj që nuk është e duhura”.

    “Të shkuarën me të harruarën, nuk besoj se është forma e duhur, por duhet të arrijë një kohë, kur kjo është e vetmja mënyrë si mund ta bësh. Më e mira është të shikojmë drejt së ardhmesh, dhe kjo mund të jetë përgjigjja e duhur, nuk po e paragjykoj por mendoj se nëse inkurajon pjekurinë politike, duke patur vendet që të gjykojnë vet ish-liderët e tyre, nëse kanë bërë gjënë e duhur, apo kanë bërë gabime nga një trup që është e pavarur, nuk kemi për ta parë asnjëherë fundin”, tha Bolton.

    I pyetur se a po krijon Haga precedent të rrezikshëm për të gjitha lëvizjet çlirimtare në botë, Bolton u shpreh:

    “Është e mundur, por njerëzit e kanë humbur interesin te trupi gjykues dhe ideja që vendet që e kanë ngritur trupin gjykues, do ta supervizonin, kjo është zhdukur dhe për mua kjo shkon te paligjshmëria e këtij institucioni, dhe nuk reflektojnë çfarë Amerika beson për një kohë të gjatë, që e vetmja mënyrë korrekte, e duhur, për të bërë drejtësi, është nëpërmjet një sistemi të drejtësisë nga shtetet e pavarura si për sistemin e prokurorisë dhe gjyqësorin. Mendoj që kjo gjykatë është e paligjshme dhe shembujt që po jepni demonstron që trupi, prokuroria, kanë bërë gabimet e tyre”.

    Tutje, ish-këshilltari i presidentit amerikan, i pyetur nëse Gjykata Speciale duhet shpërbërë, tha: “Sigurisht. Ka qenë një kohë e gjatë që prej shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, dhe të mendosh në një pikë që mund ta quash këtë një fund, sinqerisht s’jam i sigurt që vendet që e kanë krijuar këtë gjykatë… Nëse dikush është i pakënaqur, nëse Kosova është e pakënaqur, duhet të flasin dhe ta thonë që kemi arritur kufijtë e tolerimit. I ka tejkaluar kufijtë e asaj që mendonim dhe kishim rënë dakord”.

    “Dikush duhet ta kuptojë që këto trupa gjykuese kur u krijuan nuk ishin kaq virtuoze sepse ishin ndërkombëtare, dhe që mungesa e mbikëqyrjes mund të çojë drejt rrethanave ku ato humbasin rrugët dhe shkojnë në drejtime që askush s’i kishte menduar dhe shkaktojnë dëme. Duke u fokusuar në mendjengushtësi, për akuzat e gabimeve gjatë luftës, siç e bënë, japin mundësinë për mospajtim dhe heqin dorën nga çfarë do lloj përgjegjësie dhe forme papërgjegjshmërie që liderët kanë bërë në të kaluarën”, deklaroi Bolton.

  • Policia me aksion në Gjilan – sekuestrohen armë, qindra fishekë dhe para të gatshme

    Policia me aksion në Gjilan – sekuestrohen armë, qindra fishekë dhe para të gatshme

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Gjilan, ndërsa një tjetër vazhdon të jetë në kërkim, nën dyshimin për veprën penale që lidhet me importin, eksportin, furnizimin, transportimin, prodhimin, këmbimin, ndërmjetësimin ose shitjen e paautorizuar të armëve apo mjeteve plasëse.

    Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Gjilan.

    Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar gjashtë pushkë gjuetie, gjashtë pistoleta, një armë të gjatë, një pushkë ajrore, 836 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër leje armësh, para të gatshme dhe dy telefona mobilë.

    Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe intervistuar, ndërsa personi i tretë vazhdon të kërkohet nga policia.

    Me vendim të prokurorit, dy të arrestuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Mbahet gjykimi në mungesë ndaj 53 të akuzuarve për Masakrën e Mejës

    Mbahet gjykimi në mungesë ndaj 53 të akuzuarve për Masakrën e Mejës

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimi në mungesë ndaj 53 të akuzuarve për Masakrën e Mejës dhe krimet në rajonin e Gjakovës.

    As në këtë seancë, asnjëri prej tyre nuk ishte i pranishëm në sallë, dhe përfaqësohen nga avokatët mbrojtës.

    Bëhet fjalë për një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë, të kryer mes 27 dhe 29 prillit 1999. Sipas aktakuzës, vetëm në Mejë u vranë 270 civilë shqiptarë, ndërsa trupat e viktimave u gjetën vite më vonë në varrezat masive në Batajnicë të Serbisë.

    Në mesin e të akuzuarve janë ish-krerë të lartë ushtarakë dhe të sigurisë serbe, përfshirë Momir Stojanoviqin dhe Franko Simatoviqin.

    Për të akuzuarit, të cilëve nuk u dihet vendndodhja, është lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar.