ATV

Author: G.O.

  • Komisioni Evropian heton Snapchat për shkelje të ligjeve të sigurisë ndaj fëmijëve

    Komisioni Evropian heton Snapchat për shkelje të ligjeve të sigurisë ndaj fëmijëve

    Komisioni Evropian ka nisur një hetim ndaj Snapchat për dyshime se platforma mund të ketë shkelur rregullat e sigurisë dixhitale, duke ekspozuar të miturit ndaj rreziqeve si abuzimi dhe rekrutimi kriminal.

    Hetimi zhvillohet në kuadër të Akti i Shërbimeve Dixhitale dhe do të shqyrtojë masat e platformës për mbrojtjen e përdoruesve të rinj.

    Autoritetet paralajmërojnë se procedurat mund të çojnë në masa të mëtejme nëse konstatohen shkelje.

  • Aksident trafiku afër kazermës “Adem Jashari”, krijohen kolona

    Aksident trafiku afër kazermës “Adem Jashari”, krijohen kolona

    Një aksident trafiku ka ndodhur afër kazermës “Adem Jashari”, në Prishtinë.

    Sipas pamjeve të siguruara nga ATV-ja në aksident është përfshirë një veturë e tipit Audi.

    Nuk dihet nëse nga ky aksident ka të lënduar.

    Lajmi në përditësim…

     

  • Ministri Muja nënshkruan vendimin për zhvendosjen e Ministrisë dhe institucioneve vartëse në objekte publike

    Ministri Muja nënshkruan vendimin për zhvendosjen e Ministrisë dhe institucioneve vartëse në objekte publike

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja ka nënshkruar vendimin për racionalizimin e hapësirave administrative në Ministrinë e Bujqësisë.

    Kjo, është bërë e ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook në faqen zyrtare të ministrisë.

    Ky vendim hap rrugën për zhvendosjen e Ministrisë dhe institucioneve vartëse në objekte publike, duke shfrytëzuar pronën e shtetit dhe duke i dhënë fund kostove të panevojshme të qirasë.

    Postimi i plotë:

    Nga qiratë tek zhvillimi – një hap konkret për një shtet më efikas

    Sot kam nënshkruar një vendim për racionalizimin e hapësirave administrative në Ministrinë e Bujqësisë. Ky vendim hap rrugën për zhvendosjen e Ministrisë dhe institucioneve vartëse në objekte publike, duke shfrytëzuar pronën e shtetit dhe duke i dhënë fund kostove të panevojshme të qirasë.

    Po ashtu, po krijojmë Qendra të Integruara për Shërbime Bujqësore, që do të ofrojnë shërbime më të organizuara, më të shpejta dhe më afër fermerit.
    Rezultati: rreth 1 milion € kursime në vit. Këto kursime do të kthehen menjëherë në investime konkrete:

    🌱 Mbështetje për prodhimin vendor dhe fermerët
    🚜 Investime në mekanizim dhe teknologji bujqësore
    💧 Zgjerim i ujitjes dhe rritje e produktivitetit
    👩‍🌾 Mbështetje për të rinjtë dhe gratë në bujqësi
    Po ndërtojmë një administratë që kursen aty ku duhet dhe investon aty ku ka më shumë ndikim për qytetarët.

  • KEDS: Matësit e energjisë elektrike janë të besueshëm dhe të sinkronizuar sipas standardeve zyrtare

    KEDS: Matësit e energjisë elektrike janë të besueshëm dhe të sinkronizuar sipas standardeve zyrtare

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) rithekson përkushtimin e saj të plotë për të garantuar matje të sakta, të besueshme dhe transparente të konsumit të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët.

    Të gjithë matësit e energjisë elektrike (njehsorët) kalibrohen dhe sinkronizohen me kohën zyrtare në momentin e instalimit të tyre, duke siguruar funksionim me saktësi maksimale. Sistemet e matjes janë të dizajnuara në mënyrë që çdo konsumator të përfitojë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë nga aplikimi i tarifave, përfshirë tarifat e ulëta, sipas përcaktimeve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

    Sinkronizimi i orës në njehsorë është realizuar me një nivel të lartë precizioni, duke garantuar që të gjithë konsumatorët kalojnë në tarifën e ulët në të njëjtën kohë  në përputhje të plotë me rregullat dhe standardet në fuqi.

    Në raste të izoluara, mund të ndodhin devijime të vogla për arsye teknike, por edhe në këto raste kohëzgjatja e përfitimit me tarifë të ulët dhe të lartë është e saktë. Pasiqë kohëzgjatja është e matjeve tarifore është e saktë, por ka ndonjë shpërputhje kohore,  KEDS reagon menjëherë ndaj çdo ankese apo vërejtjeje nga konsumatorët. Ekipet tona teknike verifikojnë situatën në terren dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme për zgjidhjen e shpejtë dhe profesionale të çdo problemi.

    Prandaj ne kërkojmë nga Partitë politike dhe të gjitha palët tjera që të përmbahen nga deklaratat e pa verifikuara që nuk përkojnë me realitetin.

    Në kuadër të modernizimit të rrjetit, KEDS është në proces të vazhdueshëm të zëvendësimit të njehsorëve të vjetër me njehsorë të rinj digjitalë, të cilët ofrojnë saktësi të lartë në matje. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë instaluar mbi 130 mijë njehsorë të rinj digjitalë. Ndërrimi i njëhsorëve bëhet pikërisht që të sigurohemi që matja të vazhdojë të jetë e saktë.

    Kosova është një nga vendet lidere sa i përket digjitalizimit të njehsorëve. KEDS mbetet e përkushtuar të rrisë më tej këtë dinamikë investimi, në përputhje me kornizën rregullative. Fatkeqësisht, ka kufizime të përcaktuara nga rregullatori.

    Gjithashtu, u bëjmë thirrje partive politike që të shmangin politizimin e kësaj çështjeje apo përdorimin e saj për përfitime politike.

    Si Operator i Sistemit të Shpërndarjes, KEDS garanton se të gjitha proceset e matjes kryhen në përputhje me legjislacionin primar dhe sekondar në fuqi, duke ruajtur standardet më të larta të korrektësisë, transparencës dhe besueshmërisë./klankosova.tv

  • Suedia pezullon vizat për diplomatët iranianë

    Suedia pezullon vizat për diplomatët iranianë

    Suedia ka ndërmarrë masa diplomatike ndaj Iranit, duke pezulluar dhënien dhe rinovimin e vizave afatshkurtra për disa punonjës të ambasadës iraniane në Stokholm.

    Vendimi vjen pas ekzekutimit të një shtetasi me shtetësi të dyfishtë iraniano-suedeze, një veprim që autoritetet suedeze e kanë dënuar ashpër.

    Ministrja e Jashtme suedeze, Maria Malmer Stenergard, deklaroi se kjo është vetëm faza fillestare e reagimit të Stokholmit, duke paralajmëruar masa të tjera të mundshme në vijim, raporton Iran International.

    Në kuadër të politikës së re, nuk do të lëshohen më viza të reja afatshkurtra për stafin diplomatik iranian dhe lejet ekzistuese nuk do të zgjaten. Masa prek të paktën dy punonjës të ambasadës, lejet e qëndrimit të të cilëve pritet të skadojnë në muajin maj.

    Ekzekutimi ka nxitur reagim më të gjerë në Evropë. Bashkimi Evropian e ka dënuar veprimin si “brutal dhe të pajustifikueshëm”, duke shprehur shqetësim për përkeqësimin e situatës së të drejtave të njeriut dhe përdorimin në rritje të dënimit me vdekje në Iran.

    Ndërkohë, Suedia po shtyn brenda BE-së për vendosjen e sanksioneve ndaj individëve të përfshirë në procesin gjyqësor që çoi në ekzekutim, përfshirë ndalime të mundshme udhëtimi në të gjithë bllokun.

  • Itali: Një grua 48-vjeçare u arrestua pasi u përpoq të vriste vjehrrën e saj me helm minjsh

    Itali: Një grua 48-vjeçare u arrestua pasi u përpoq të vriste vjehrrën e saj me helm minjsh

    Një grua 48-vjeçare u arrestua nga policia në Savona me akuzën e tentativës për të vrarë vjehrrën e saj 73-vjeçare e cila është me aftësi të kufizuara, duke i hedhur helm miu në ushqimin e saj.

    Sipas mediave italiane, viktima është shtruar disa herë në spital, ku analizat mjekësore kanë zbuluar nivele të larta të substancave toksike në gjak, duke çuar në dyshimet për helmim të qëllimshëm.

    Rasti është zbuluar pas hetimeve të thelluara mjekësore dhe ndërhyrjes së autoriteteve. Konkretisht, hetimi zbuloi se nusja, personi i vetëm në shtëpi që kujdesej për të moshuaren, i kishte dhënë helm minjsh gruas disa herë, me shumë mundësi duke e përzier me ushqimin e saj.

    Një kontroll i kryer nga policia çoi në zbulimin e një pakete me helm minjsh të fshehur në një dollap në shtëpinë e familjes, që përmbante një substancë të përputhshme me atë të gëlltitur nga viktima.

    Gjykata në Savona ka vendosur masë sigurie ndaj 48-vjeçares, duke e lënë në arrest shtëpiak me byzylyk elektronik dhe duke e detyruar të largohet nga banesa, si dhe duke i ndaluar afrimin me vjehrrën.

    Hetimet, të koordinuara nga Prokuroria e Savonës, vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

     

  • ​Presidentja Osmani viziton Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë

    ​Presidentja Osmani viziton Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë

    Presidentja Vjosa Osmani ka vizituar sot Qendrën Nacionale të Xhudos, ku u prit nga figura të njohura të sportit Kosovar dhe përfaqësues të Federatës së Xhudos së Kosovës.

    Presidentja u mirëprit nga kryemjeshtri Driton Kuka, i shoqëruar nga kampionet olimpike Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu, si dhe xhudistë të tjerë elitarë të vendit.

    Gjatë vizitës, Presidentja Osmani pati rastin të njihet nga afër me punën dhe përkushtimin e sportistëve, duke vlerësuar sukseset e tyre në arenën ndërkombëtare dhe rolin e xhudos në promovimin e Kosovës në botë.

    Në këtë qendër, përveç sportistëve vendorë, po qëndrojnë dhe po stërviten edhe xhudistë nga Ukraina, të cilët janë pjesë e Kampit Ndërkombëtar të Xhudos që po mbahet në Pejë.

     

  • DnV kundërshton vendimin e Osmanit për anëtarët e KQZ-së

    DnV kundërshton vendimin e Osmanit për anëtarët e KQZ-së

    Koalicioni i organizatave joqeveritare që monitorojnë procesin zgjedhor në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) e ka kundërshtuar vendimin e presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, pasi ajo iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për sqarim lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    Sipas DnV-së, ky veprim i Osmanit “vonon kompletimin e institucionit në një moment kur funksionaliteti i tij është thelbësor për integritetin e proceseve zgjedhore”.

    Një ditë më parë, Presidenca tha se partitë parlamentare kanë propozuar më shumë kandidatë për anëtarë të KQZ-së seç parashihet në Kushtetutë dhe Osmani do t’i emërojë ata sapo “të marrë përgjigje” nga Kushtetuesja, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    DnV-ja në reagimin e saj tha se mënyra e përbërjes së KQZ-së është e përcaktuar qartë në kuadrin kushtetues dhe ligjor përmes modelit të përfaqësimit.

    “Ky model nuk lidhet drejtpërdrejtë me rezultatin zgjedhor apo peshën politike të subjekteve në kuptim të numrave, por me parimin e balancës ndërmjet grupeve parlamentare që kanë të drejtë propozimi. Si i tillë, ai zbatohet në mënyrë të njëjtë edhe në rrethanat aktuale politike, pa u riformuluar në bazë të rezultateve apo konfigurimeve tjera”, u tha në reagim.

    Më herët gjatë ditës, presidentja Osmani tha për mediat se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar tre anëtarë dhe janë emëruar vetëm dy, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës – subjekti më i madh opozitar – ka kërkuar dy dhe është emëruar vetëm një, duke argumentuar se partitë kanë kërkuar më shumë anëtarë sesa parasheh Kushtetuta.

    “Dhe, meqenëse kjo çështje deri tani nuk është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese, kam kërkuar që ta sqarojë atë. Mirëpo, ky rast është mbi një është ngritur mbi një bazë tjetër ligjore, jo mbi të njëjtën që është ngritur në rastet e mëparshme, qoftë nga ish-presidenti [Hashim] Thaçi, qoftë nga ana ime. Se kjo çështje ka qenë e paqartë përgjatë viteve për secilin president në fakt. Dhe shpresoj që më në fund gjykatat ta sqarojnë. Momentin që sqarohet, vijohet me emërimet”, u shpreh Osmani.

    DnV tha se edhe në vendimimin e mëparshëm të Kushtetueses, pas zgjedhjeve të vitit 2021, përbërja e KQZ-së është bazuar mbi modelin strikt të përfaqësimit, duke “kufizuar përfaqësimin e subjektit më të madh në dy anëtarë, pavarësisht rezultatit zgjedhor”.

    “Në këtë kontekst, trajtimi i kësaj çështjeje si dilemë kushtetuese dhe referimi i saj në Gjykatën Kushtetuese nuk kontribuon në qartësi shtesë, por prodhon vonesa në një proces që kërkon vendimmarrje të drejtpërdrejtë. Mosplotësimi i përbërjes së plotë të KQZ-së cenon konfigurimin e saj kushtetues prej 11 anëtarëve, duke ndikuar njëkohësisht në funksionimin dhe vendimmarrjen e saj”, tha DnV-ja.

    Më 2021, LVV-ja kishte fituar mbi 50 për qind të votave, dhe ky subjekt kishte të drejtë të propozonte vetëm dy anëtarë në KQZ.

    DnV-ja bëri thirrje që emërimi i anëtarit të mbetur të KQZ-së të përmbyllet pa vonesa, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në mënyrë që “të ruhet funksionaliteti dhe besueshmëria e këtij institucioni”.

    Si emërohen anëtarët e KQZ-së?
    KQZ-ja është një organ i përhershëm i pavarur dhe është përgjegjës për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve në Kosovë. KQZ-ja ka kryetarin dhe dhjetë anëtarë të tjerë.

    Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një anëtar emërohet nga deputetët të cilët mbajnë vende e garantuara për komunitetin serb, dhe tre anëtarë nga deputetët të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera joshumicë.

    Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë, sipas Kushtetutës.

    Derisa LVV i ka propozuar tre, partia kryesore opozitare, nga PDK i kanë thënë REL-it se i kanë propozuar dy kandidatë, ndërsa partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tregoi se e ka propozuar një kandidat.

    Presidentja Osmani u kishte kërkuar partive parlamentare më 9 mars t’i propozonin kandidatët për anëtarë të KQZ-së.
    Ato kishin kohë deri më 16 mars që t’i përgjigjen kërkesës së saj, duke i dhënë presidentes pesë ditë kohë për t’i emëruar apo jo të propozuarit.

    Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve.

    Rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit u certifikuan më 9 shkurt./REL

  • Homazhe në Tërrnje në 25-vjetorin e masakrës, Haxhiu: Kurrë nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi

    Homazhe në Tërrnje në 25-vjetorin e masakrës, Haxhiu: Kurrë nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi

    Më 25 mars 1999, vetëm një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, dhuna e regjimit të Slobodan Millosheviqit ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë u intensifikua në mënyrë të paparë. Po në këtë datë, në disa fshatra të komunës së Rahovecit, në Celinë, Fortesë, Goden, Randobravë dhe Tërrnje, u kryen masakra të organizuara, ku u vranë rreth 200 civilë të pafajshëm, mes tyre gra, fëmijë dhe të moshuar.

    Sot, në përkujtim të 25-vjetorit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me bashkëpunëtorë institucionalë, mori pjesë në homazhet e mbajtura në Tërrnje, ku u vendosën lule te memoriali i martirëve të masakrës.

    Haxhiu vizitoi gjithashtu shtëpinë e Bekim Gashit të mbijetuarit të vetëm të masakrës i cili humbi nënën dhe katër motrat e tij, trupat e të cilave vazhdojnë të jenë të zhdukur. Ai rrëfeu përpjekjet shumëvjeçare për drejtësi, duke marrë pjesë në procese gjyqësore në Beograd dhe në zhvarrime, të cilat deri tani nuk kanë dhënë rezultat.

    “Dhimbja e Bekimit është dhimbja e gjithë popullit tonë. Ne ndajmë pikëllimin me familjet që kanë humbur më të dashurit dhe me ato që ende nuk i kanë gjetur trupat e të afërmve të zhdukur me dhunë. Ne kurrë nuk do të harrojmë dhe kurrë nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për ta,” tha ministrja Haxhiu.

    Ajo shtoi se drejtësia për viktimat e masakrave të marsit 1999 mbetet detyrim shtetëror dhe moral që nuk do të shuhet.

  • Akuzat për bashkëpunim me policinë sekrete jugosllave, Kos do t’u përgjigjet eurodeputetëve në fund të prillit

    Akuzat për bashkëpunim me policinë sekrete jugosllave, Kos do t’u përgjigjet eurodeputetëve në fund të prillit

    Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në fund të muajit të ardhshëm do të përballet me pyetjet e deputetëve evropianë lidhur me pretendimet për bashkëpunimin e saj me strukturat e sigurisë të ish-Jugosllavisë.

    Mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), në të cilën do të marrë pjesë komisionarja Kos është caktuar për 20 prill.

    Partia Popullore Evropiane (EPP), si grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian, ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme dëgjimore. Megjithatë, siç i është thënë REL, në vend të një seance të jashtëzakonshme do të mbahet një mbledhje e rregullt e Komisionit për Punë të Jashtme, e cila do ta zëvendësojë takimin e planifikuar më herët për 16 mars.

    Ai takim, edhe pse ishte planifikuar javë më parë, u anulua nga Kos duke u thirrur në një agjendë të ngarkuar. Anulimi ndodhi menjëherë pasi dolën informacione të reja lidhur me biografinë e saj.

    Komisionarja evropiane për Zgjerim nga Sllovenia është përballur me akuza se ka qenë bashkëpunëtore e policisë sekrete jugosllave, e njohur si UDBA, pasi më 10 mars në ambientet e Parlamentit Evropian u promovua libri me titull “Komisionarja” i autorit slloven, Igor Omerza. Në këtë libër paraqiten dokumente për të cilat autori pretendon se dëshmojnë se Marta Kos ka bashkëpunuar me policinë sekrete jugosllave.

    Komisioni Evropian mohon që Kos të ketë bashkëpunuar me strukturat e sigurisë së ish-Jugosllavisë. Zyrtarët e KE-së i referohen një procesi të gjerë dhe të detajuar verifikimi gjatë nominimit të saj nga Sllovenia për postin e komisionares.

    “Parlamenti Evropian e miratoi emërimin e saj në të njëjtin proces si për të gjithë 27 komisionarët. Komisioni për Çështje Juridike i PE-së shqyrtoi deklaratën e saj të interesave dhe nuk konstatoi konflikt interesi. Komisioni Evropian nuk ka komente të mëtejshme”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, më 13 mars.

    Drejtoria e Sigurimit të Shtetit (UDBA) u formua në Jugosllavi menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1946, ndërsa në vitin 1966 u riemërtua në Shërbimin e Sigurimit të Shtetit.

    UDBA ishte e njohur për rolin e saj në përndjekjen e kundërshtarëve politikë në Jugosllavi në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e aktiviteteve të saj në dekadat që pasuan ishte e përqendruar në ndjekjen dhe veprimin kundër pjesëtarëve të diasporës që konsideroheshin kundërshtarë të interesave të Jugosllavisë.

    Akuzat se Kos ka qenë bashkëpunëtore e policisë sekrete jugosllave u shfaqën për herë të parë në vitin 2024, gjatë seancës dëgjimore për konfirmimin e emërimit të saj si kandidate e Sllovenisë për komisionare evropiane.

    Kos i mohon vazhdimisht këto akuza, ndërsa mbledhja e re e 20 prillit do të jetë mundësia e parë që ajo të shprehet pas fakteve të reja të publikuara në libër, të cilat kanë nxitur një valë të re akuzash./REL