ATV

Author: G.O.

  • Shala: Serbia po synon rikthim territorial, ndërkombëtarët në heshtje

    Shala: Serbia po synon rikthim territorial, ndërkombëtarët në heshtje

    Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka deklaruar se veprimet e fundit të ushtrisë së Serbisë dhe aktivitetet ushtarake pranë kufirit me Kosovën dëshmojnë për një mungesë reagimi nga faktori ndërkombëtar.

    Shala në një intervistë për Ekonomia, theksoi se, përveç pranisë ushtarake në brezin kufitar dhe aktiviteteve në Kosovën Lindore, shqetësuese mbetet edhe furnizimi i Serbisë me armatim nga Kina, duke shtuar se këto zhvillime nuk duhet të kalojnë pa reagim nga ndërkombëtarët.

    “Pra, sa i përket veprimeve të fundit nga ana e ushtrisë së Serbisë, sa i përket edhe aktivitetit ushtarak në brezin kufitar me Republikën e Kosovës në pjesën e Kosovës Lindore, njëkohësisht edhe çështjet me armatimet që janë duke blerë në kohët e fundit nga Kina, e dëshmon një fakt një heshtje të faktorit ndërkombëtar, i cili padyshim nuk do të duhej që të kalojë pa u diktuar dhe pa reaguar. Sepse mos harrojmë një gjë, një shtet i cili ka shpallur neutralitetin dhe njëkohësisht ka pretendime territoriale në Ballkanin Perëndimor është vetëm Serbia. Një shtet i cili ka një orientim pro-rus dhe pro-Pekinit është vetëm Serbia. Pra, këto dy elemente do të duhej të ishin faktor reagues nga faktori ndërkombëtar, por që në fakt nuk ka ndodhur një gjë e tillë. ”, tha ai.

    Shala theksoi se këto veprime tregojnë se Kosova po përballet me operacione psikologjike dhe informative ushtarake, duke shtuar se ato reflektojnë një qëllim më të gjerë të Serbisë për rikthim në territore, sipas dokumenteve të saj zyrtare.

    “Në aspektin tjetër, ushtrimet e tilla në një zonë ku veprimet janë tërësisht një mesazh dhe një veprim informativ ushtarak, një mesazh ndaj popullatës me shumicë shqiptare, pra është një tregues që Kosova është duke rrëshqitur në një ballafaqim të operacioneve psikologjike informative ushtarake, por njëkohësisht është një veprim i cili tregon një përmasë më të gjerë, sepse Serbia ka një qëllim dhe një synim që është rikthimi i saj në territorin sipas dokumenteve të tyre zyrtare”, tha ai.

    Shala, po ashtu vlerësoi se kërcënimet e vazhdueshme nga Beogradi zyrtar ndaj Kosovës janë pjesë e një strategjie të mirëfilltë shtetërore, që përfshin dimensione ushtarake, informative dhe politike.

    “Sa i përket kërcënimeve permanente të narrativës së Beogradit zyrtar, tanimë këto kërcënime janë në vazhdën e një strategjie të mirëfilltë nga ana e Beogradit zyrtar. Kërcënimet e tilla edhe ndaj krerëve institucionalë të Republikës së Kosovës, kërcënime në forma të ndryshme ushtarake, shërbimeve informative dhe elementeve të tjera edhe të atyre politike, e jep indicien e asaj që Beogradi tanimë është rikthyer në qendër të veprimeve destruktive, dezinformuese, qëllimshme, asimetrike ndaj Republikës së Kosovës dhe vendeve të tjera”, tha ai.

    Ditë më parë, kryeministri i vendit, Albin Kurti është deklaruar lidhur stërvitjet e ushtarëve serbë në kufi me Kosovën.

    Kurti tha se ky është një provokim i Serbisë, që dëshiron të cenojë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Kosovës, por në të njëjtën kohë sipas tij, tregon pasigurinë e tyre.

  • Bimët mjekësore që largojnë ankthin dhe stresin

    Bimët mjekësore që largojnë ankthin dhe stresin

    Bimët mjekësore me aftësi shëruese janë përdorur në metodat tradicionale dhe jo tradicionale mjekësore që 5000 vjet më parë.

    Qytetërime të ndryshme i kanë përdorur ato jo vetëm për të qetësuar sistemin nervor por edhe për ta mbrojtur organizmin nga stresi dhe ankthi.

    Më poshtë do të lexoni nga AgroWeb.org, për bimët mjekësore shëruese që luftojnë ankthin apo stresin dhe i kthejnë organizmit qetësinë e humbur.

    Bimët e mëposhtme mund të pihen si çaj ose të përdoren në terapi të ndryshme aromash.

    Bimët mjekësore që shërojnë ankthin dhe stresin:

    Kamomili

    Kamomili është një nga bimët më të lashta mjekësore që njeriu ka përdorur.

    Kjo bimë është efikase kundër inflamacionit, kontraktimeve muskulare, reumatizmës, çrregullimeve të ciklit, pagjumësisë, ulçerës, çrregullimeve të sistemit tretës.

    Kamomili ka efekt qetësues dhe nxit gjumin.

    Ky efekt është si pasojë e një flavonoidi që ndërlidhet me receptorët e trurit.

    Sipas studimeve, pirja e përditshme e këtij çaji për tetë javë me rradhë luan një rol kryesor në pakësimin e simptomave të ankthit.

    Kamomili është çaji më popullor në botë me një milionë filxhanë të pirë në ditë.

    Lavanda

    Lavanda me aromë të mirë është një kurë ideale kundër pagjumësisë, lodhjes, depresionit dhe ankthit.

    Emri i bimës vjen nga Latinishtja ‘lavare’, që përkthehet “të lash.”

    Këtë emër, bima e ka marrë sepse ka qenë dhe mbetet një nga bimët medicinale më të përdorura në sapunë dhe shampoo.

    Ajo ka efekt pastrues për trupin dhe shpirtin, madje ka ndikim të fortë në zbutjen e simptomave të ankthit.

    Lulja e pasionit apo lule sahati

    Në fillimet e saj, Lulja e Pasionit apo Lule Sahati është përdorur për të trajtuar histerinë dhe nervozizmin.

    Ekspertët e AgroWeb.org shpjegojnë se kjo lule rrit nivelet e acidit gamma aminobutyric në tru dhe rrit ndjesinë e qetësisë.

    Studimet kanë treguar se pacientët që kanë marrë suplementë të lules përpara ndërhyrjes kirurgjikale kishin më pak ankth dhe zgjoheshin më qetë nga anestezia.

    Bari i Bletës

    Bari i bletës është pjesë e familjes botanike të mentes.

    Kjo bimë është përdorur kundër stresit dhe ankthit që në Mesjetë.

    Ajo ka efekt qetësues dhe gjumësjellës.

    Studimet që janë kryer tek njerëzit që vuajnë nga ankthi kanë zbuluar se çajrat ose suplementët e barit të bletës përmirësojnë humorin, ulin ankthin dhe rrisin ndjesinë e qetësisë dhe relaksit.

    Valeriana

    Valeriana është përdorur prej mijëra vitesh kundër pagjumësisë dhe ankthit.

    Shkencëtarët besojnë se valeriana rrit nivelet e acidit gamma aminobutyric në tru dhe e mban atë të qetë.

  • Rriten rastet me kancer të gjirit, Kolgeci: 73 raste këtë vit

    Rriten rastet me kancer të gjirit, Kolgeci: 73 raste këtë vit

    Numri i rasteve me kancer të gjirit të trajtuara në Klinikën e Kirurgjisë Torakale ka shënuar rritje gjatë këtij viti, duke arritur në 73 operime krahasuar me 55 sa ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, raporton Ekonomia Online.

    Drejtori i Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci, në një intervistë për Ekonomia Online tha se kanceri i gjirit vazhdon të mbetet ndër sëmundjet më të shpeshta që trajtohen në këtë klinikë dhe se trendi është në rritje krahasuar me vitin paraprak.

    “Si gjithëherë, numri i sëmundjeve më të shpeshta që ne i trajtojmë janë sëmundjet e kancerit të gjirit, që faktikisht është një sëmundje që në kohët e fundit quhet si sëmundja e shekullit. Dhe në qoftë se e llogarisim si në start, në qoftë se e bëjmë një krahasim me vitin e kalum me këtë vit, numri është më i madh sesa i vitit të kalum. Domethënë për periudhën e ngjashme që kemi qenë vitin e kaluar edhe këtë vit, vitin e kaluar kemi pasë 55 raste që i kemi kalu me kancer të gjirit, që i kemi operuar me kancer të gjirit, ndërsa këtë vit është numri me 73 raste. Domethënë është diku rreth 15 raste më shumë sesa vitin e kaluar”, tha ai.

    Kolgeci bëri të ditur se në klinikë po aplikohen metoda bashkëkohore të trajtimit, përfshirë edhe metodën “sentinel”, e cila sipas tij nuk zbatohet gjerësisht në rajon, por në Kosovë ka filluar të përdoret me sukses.

    “Ju them me përgjegjësi të plotë se ekziston një staf shumë i mrekullueshëm, mjaft i përgatitur për trajtimin e sëmundjeve të tilla. Po ashtu edhe teknikat të cilat neve jemi duke i zbatuar, ne nuk po them që jemi me ato që e kanë shtetet e perëndimit, por jemi në trend me kohën, faktikisht po mundohemi të jemi në trend me kohën që trajtohen qysh si trajtohen edhe në vendet e tjera. Ju e përmendët atë metodën sentinel, metoda sentinel nuk zbatohet në shumë vende të Ballkanit, tek neve zbatohet edhe kemi fillu vitin e kaluar dhe është t’u apliku me shumë sukses”, tha ai.

    Sipas tij, një pjesë e madhe e rasteve trajtohen me këtë metod që mundëson ruajtjen e gjirit, duke shmangur ndërhyrjet radikale.

    “Po vitin e kalum ka qenë diku rreth 73 raste(janë trajtuar me metodën “sentinel”). Edhe kjo e mira e kësaj është se këto 73 raste që kanë qenë trajtuar vitin e kalum, shkojnë në kuadër të sëmundjeve të kancerit të gjirit që shkojnë me kursim të gjirit. Që domethënë se kjo pjesë e, te këto raste, kanceri është largu, është bë kuadrant ose është hequr një pjesë e gjirit, por nuk ka qenë e nevojshme që të hiqet komplet gjiri. Që domethënë që ka qenë edhe lehtësi, edhe është një diçka e mirë edhe për popullatën po sidomos për pacientet qe vuajnë nga sëmundjet të kancerit të gjirit”, tha ai.

    Kolgeci, foli edhe për listat e pritjes, duke thënë se ato janë relativisht të shkurtra dhe pacientët me kancer trajtohen me prioritet.

    “Lista e pritjes ekziston çdo kund në botë edhe tek neve ne e kemi një listë të pritjes, po lista e pritjes është jashtëzakonisht e vogël. Është diku rreth 3 javë që pacientët, në momentin që diagnostifikohen deri në momentin kur realizohet intervenimi kirurgjik është rreth 3 javë, që është e mjaftueshme për pacientin që të përgatitet edhe me analizat e tjera të cilat janë të nevojshme, siç janë scintigrafia apo analizat e tjera që janë të domosdoshme për intervenim kirurgjik. Normalisht në këtë fazë këta pacientë përgatiten edhe nga ana e pulmologut, edhe nga ana e kardiologut sepse është e nevojshme që para intervenimit kirurgjik t’i kemi edhe konsultat e këtyre mjekëve. Më gjatë unë po ju them se në vendet e tjera, në shtetet e perëndimit ekziston lista, unë mendoj që është shumë më e gjatë sesa tek neve. Po ne kemi listë të pritjes, po kemi listë të pritjes më shumë për ato pacientë të cilët vuajnë prej sëmundjeve që s’kanë tumore të gjirit, që nuk janë urgjente, përndryshe kanceri tek neve trajtohet faktikisht me shumë prioritet”, tha ai.

    Kolgeci bëri të ditur se klinika nuk ka mungesë të stafit dhe se aktualisht ka 12 kirurgë aktivë, ndërsa tre të tjerë pritet të punësohen së shpejti, çka sipas tij do të rrisë edhe më tej kapacitetet për trajtim.

    “Jo, stafi për kirurgji torakale aktualisht ne kemi 12 kirurgë edhe i kemi 3 të cilët janë në pritje për punësim, që shpresojmë që edhe ata shumë shpejt do të bashkohen në klinikën tonë. Përndryshe me këto 15 veta sa jemi, është e mjaftueshme që klinika t’i përballojë me sukses çdo ndërhyrje apo punët e tjera të përditshme që i bëjmë në klinikën tonë”, tha ai./Ekonomia Online

  • Rama publikon pamje me dëborë nga Gjirokastra

    Rama publikon pamje me dëborë nga Gjirokastra

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ndarë mëngjesin e sotëm një pamje të veçantë nga Gjirokastra, ku qyteti shfaqet i mbuluar nga dëbora, ndonëse jemi në fund të muajit mars.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka uruar ndjekësit e tij për fundjavën, duke e shoqëruar mesazhin me këtë panoramë të rrallë dimërore.

    “Mirëmëngjes dhe me këtë pamje të rrallë të Gjirokastrës me dëborë në këtë fund mars, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.

  • Vushtrri: Babai i merr jetën aksidentalisht djalit 4-vjeçar në oborrin e shtëpisë

    Vushtrri: Babai i merr jetën aksidentalisht djalit 4-vjeçar në oborrin e shtëpisë

    Një ngjarje e rëndë, që ka tronditur thellë një familje, ka ndodhur në fshatin Maxhunaj të Vushtrrisë, ku një fëmijë i mitur ka humbur jetën në mënyrë tragjike brenda oborrit të shtëpisë së tij.

    Siç mëson Sinjali, rreth orës 15:00 të datës 27 mars 2026, në rrethana që tashmë po trajtohen si pakujdesi, babai i viktimës, K.B, teksa po lëvizte me kamionetë në oborr, ka goditur aksidentalisht djalin e tij katërvjeçar.

    Përpjekjet për ta shpëtuar kanë qenë të menjëhershme, fëmija është dërguar me urgjencë në spital, por plagët e marra rezultuan fatale. Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij, duke shuar çdo shpresë për mbijetesë.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipet relevante hetimore, ndërsa Instituti i Mjekësisë Ligjore ka marrë trupin e pajetë për obduksion.

    Ngjarja ka lënë pasoja të rënda emocionale, ku prindërit e fëmijës kanë marrë trajtim mjekësor për shkak të gjendjes së rënduar psikike.

    Rasti është iniciuar si “Vrasje nga pakujdesia”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie që ka lënë një familje të shkatërruar.

  • Çfarë të hani për të mbajtur zemrën të shëndetshme

    Çfarë të hani për të mbajtur zemrën të shëndetshme

    Një e katërta e vdekjeve në SHBA janë si shkak i sëmundjeve të zemrës.

    Pasi që kjo statistikë është vërtetë enorme, është shumë e rëndësishme që të kemi kujdes në ruajtjen e shëndetit të zemrës. Ushqimi që përdorim është ndër faktorët kryesorë, njofton Klan Kosova.

    Këtu janë disa nga ushqimet që i bëjnë mirë shëndetit të zemrës suaj:

    Filloni ditën me drithëra

    Drithërat janë të mira për zemër sepse janë të pasura me fibra që reduktojnë kolesterolin. Ato përmbajnë magnez dhe kalium që mundësojnë rrahje të shëndoshë të zemrës.

    Për drekë – supë dhe gjellëra me bizele

    Njëjtë sikur drithërat, edhe bizelet e ulin kolesterolin. Supa ose një gjellë me bizele është zgjedhja më e mirë. Përveç që është e shëndetshme, ajo iu bënë të ndiheni më të relaksuar.

    Arrat

    Arrat përmbajnë yndyra të pangopura që janë të shëndetshme për zemër. Ato reduktojnë sëmundjet e zemrës tek të moshuarit. Ngrënia e tyre ndihmon edhe në kontrollimin e peshës.

    Filloni darkën me një sallatë të lloj-llojshme

    Sallata është e mirë edhe për shëndetin e zemrës edhe për dietën tuaj. Sallatat me perime janë plotë vitamina e minerale. Mundohuni që të hani sa më shumë lloje të perimeve.

    Përdorni vaj ulliri

    Vaji i ullirit përmban yndyrë të shëndetshme për zemër. Mirëpo, mos e teproni me ta. Mjafton t’i shtoni një gjysmë luge ushqimit që e hani.

    Hani peshk

    Peshqit yndyrorë si salmoni përmbajnë acide yndyrore “omega-3” që janë shumë të mira për shëndetin e zemrës. Gjatë gatimit të peshkut, shtoni aroma të ndryshme dhe përdorni vaj ulliri.

    Lulelakra

    Është një ushqim i shkëlqyeshëm për ta ruajtur shëndetin dhe peshën tuaj. Copëtojeni atë në masë të një filxhani të kafesë. Ajo përmban 320 mg kalium dhe 27 kalori.

  • Witkoff thotë se “nuk mund të lejojmë krijimin e një tjetër Koreje Veriu” në Lindjen e Mesme

    Witkoff thotë se “nuk mund të lejojmë krijimin e një tjetër Koreje Veriu” në Lindjen e Mesme

    I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, ka folur për përpjekjet e Uashingtonit për të arritur një marrëveshje paqeje në luftën me Iranin, duke theksuar se SHBA-të janë të gatshme për një zgjidhje diplomatike, por kjo duhet të përfshijë ndalimin e pasurimit të uraniumit nga Irani.

    “Mendoj se presidenti dëshiron një marrëveshje paqeje, por ai gjithashtu beson në dhe unë besoj në të”, tha Witkoff.

    Ai shtoi se nuk mund të lejojnë krijimin e një Koreje të dytë të Veriut në Lindjen e Mesme, duke e cilësuar këtë si “totalisht destabilizuese për atë rajon dhe për botën”.

    Sipas Witkoff, takimet midis SHBA-së dhe Iranit mund të zhvillohen që këtë javë. “Ne mendojmë se do të ketë takime këtë javë. Sigurisht që shpresojmë për këtë”, tha ai.

    Witkoff gjithashtu e vlerësoi zgjatjen e pezullimit të sulmeve amerikane ndaj vendeve energjetike iraniane nga Trump si një hap pozitiv nga Uashingtoni. “Është e qartë se SHBA-të dhe Irani po negociojnë dhe se disa anije tani po kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit,” shtoi ai.

  • Ekspozita me pasaktësi për masakrat, reagon Kuvendi: Përmbajtja, përgjegjësi e autorëve

    Ekspozita me pasaktësi për masakrat, reagon Kuvendi: Përmbajtja, përgjegjësi e autorëve

    Kuvendi i Kosovës, ka reaguar lidhur me ekspozitën e zhvilluar në Prishtinë, për masakrat në Kosovë, në të cilën janë shfaqur pasaktësi në të dhëna.

    Në reagimin e publikuar në faqen e tij në Facebook, Kuvendi ka theksuar se mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik dhe se këtë e bën pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve.

    Kuvendi shton se kjo mbështetje nuk mund të cilësohet si miratim apo redaktim i narrativës së ekspozitës.

    Postimi i plotë:

    Sqarim për media

    Në lidhje me reagimet e fundit për ekspozitën, theksojmë se Kuvendi, në përputhje me mandatin e tij dhe praktikat e zakonshme institucionale, mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave.

    Duke respektuar parimet themelore të lirisë artistike, të drejtës autoriale dhe krijuese, kjo mbështetje jepet pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve të tilla. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj.

    Kjo është një praktikë standarde në mbështetjen e projekteve kulturore dhe nuk mund të keqinterpretohet si miratim apo redaktim i narrativës së paraqitur. Në të njëjtën kohë, mbrojtja e dinjitetit të viktimave dhe kujtesës kolektive mbetet obligim i përbashkët institucional dhe shoqëror, i cili kërkon trajtim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm.

    Sidoqoftë, në këtë rast, Kuvendi do t’i adresojë shqetesimet e ngritura tek organizatorët e ekspozitës.

  • Moti sot kryesisht i vranët, priten edhe ca riga shiu

    Moti sot kryesisht i vranët, priten edhe ca riga shiu

    Sot parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe herë pas here me reshje shiu. Kryesisht në orët e mëngjesit dhe mbrëmjes, reshjet e shiut lokalisht pritet të përzihen apo shndërrohen në ato të borës, konkretisht në disa pjesë të Rrafshit të Kosovës. Në zonat malore vetëm reshje bore.

    Era do të fryjë nga veriu dhe verilindja me shpejtësi prej 15-38 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 0 deri në 5°C, ndërsa ato maksimale prej 3 deri në 9°C.

  • Izraeli raporton sulmin e parë me raketa nga Jemeni

    Izraeli raporton sulmin e parë me raketa nga Jemeni

    Ushtria izraelite ka pretenduar se ka identifikuar lëshimin e një rakete nga Jemeni, pasi Houthi kërcënoi të bashkohej me luftimet në krah të Iranit.

    Një deklaratë ushtarake tha se forcat izraelite kishin “identifikuar lëshimin e një rakete nga Jemeni drejt territorit izraelit” dhe se sistemet e mbrojtjes ajrore po vepronin për ta penguar.

    Ishte deklarata e parë e tillë që përmendte një lëshim nga Jemeni gjatë luftës, e cila ka hyrë në muajin e saj të dytë.

    Deklarata, e bërë herët të shtunën, vjen pas raportimeve të ditës së mëparshme se Irani kishte sulmuar Tel Avivin me të paktën pesë raunde raketash në rreth pesë orë, duke aktivizuar sistemet e mbrojtjes ajrore dhe duke paralajmëruar sirenat vonë të premten dhe deri të shtunën.