ATV

Author: G.O.

  • ​Rama pezullon ekspozitën në Prishtinë: E papranueshme dhe fyese për kujtesën e viktimave

    ​Rama pezullon ekspozitën në Prishtinë: E papranueshme dhe fyese për kujtesën e viktimave

    Një ekspozitë në mes të sheshit qendror të Prishtinës, e financuar nga Kuvendi, përmban shifra të pasakta për masakrat e ndodhura gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Në këtë ekspozitë, të vendosur me rastin e përvjetorit të bombardimeve të NATO-s, një pjesë e konsiderueshme e civilëve që janë vranë nëpër masakra janë cilësuar si persona të armatosur.

    Për këto pasaktësi kanë reaguar të mbijetuarit e masakrës së Dubravës, Enver Dugolli dhe Sadik Zeqiri, si dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, i cili e ka quajtur ekspozitën cenim të drejtpërdrejt të së vërtetës historike. Pas këtyre reagimeve, Komuna e Prishtinës e ka pezulluar lejen për ekspozitën dhe ka njoftuar se sot nga ora 10:00 ekipet e kryeqytetit do ti largojnë tabelat e ekspozitës nga sheshi.

    Pothuajse në të gjitha tabelat e ekspozitës ka pasaktësi. I mbijetuari i masakrës së Dubravës, Enver Dugolli, i cili pos që ka shprehur shqetësim për deformim të historisë, e ka kërkuar edhe përfshirjen e Prokurorisë në këtë rast.

    “Të dhënat e paraqitura për këtë masakër janë krejtësisht të pasakta. Përveç numrit të viktimave, i cili nuk korrespondon me të vërtetën (ku figurojnë 106 të vrarë, ndërsa deri më tani janë të konfirmuar 116 të masakruar dhe 1 i zhdukur) aty paraqitet edhe një pasaktësi tjetër e madhe dhe e dëmshme. Nuk e di nëse kjo është bërë me qëllim apo jo, por pretendimi se 48 prej të vrarëve kanë qenë persona të armatosur shqiptarë, ndërsa 58 civilë është plotësisht i pavërtetë. Në atë masakër gjenocidale nuk ka pasur asnjë shqiptar të vrarë në cilësinë e personit të armatosur. Të gjithë kemi qenë duarthatë dhe të pambrojtur”, ka theksuar Dugolli, i cili ka ftuar Prokurorinë që ta hetojë këtë çështje, ndërsa organizatorëve u ka bërë thirrje që t’i përmirësojnë të dhënat.

    E i mbijetuari tjetër i kësaj masakre, Sadik Zeqiri, e ka quajtur të turpshme dhe shtrembërim të vërtetës ekspozitën.

    “Turp! Po shtrembërohet e vërteta në sheshin e Prishtinës. Historia nuk është lodër që mund ta shtrembëroni me disa tabela të pasakta. A e keni parë çfarë keni shkruar për masakrën e Dubravës? Si është e mundur të pretendoni se 48 shqiptarë të armatosur dhe 58 civilë janë vrarë në Dubravë? Nga i keni marrë këto “fakte”? Në Serbi? Në Dubravë nuk ka pasur të burgosur të armatosur. Të gjithë kanë qenë duarthatë dhe të pambrojtur. E vërteta është kjo: 116 të burgosur shqiptarë janë vrarë, ndërsa ende figuron i zhdukur Ukshin Hoti. Mbi 400 të tjerë janë plagosur. Kjo nuk është thjesht gabim – është shtrembërim i rëndë i së vërtetës. Turp për këtë. Edhe një kërkim-falje nuk mjafton”, ka shkruar ai në Facebook.

    Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, i ka quajtur të papranueshme dhe cenim të drejtpërdrejtë të të vërtetës historike shfaqjen e pasaktësive në ekspozitë. Ai ka bërë thirrje që të tërhiqen menjëherë përmbajtjet e pasakta.

    “Ekspozimi në sheshin e Prishtinës i materialeve me pasaktësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, është i papranueshëm dhe cenon drejtpërdrejt të vërtetën historike. Në kuadër të një ekspozite publike për masakrat e luftës 1998/99, janë evidentuar raste ku faktet janë paraqitur gabimisht dhe, në disa raste, edhe në mënyrë të shtrembëruar. Në rastin e masakrës në Krushë të Madhe, përveç pasaktësive në numrin e viktimave, paraqitet edhe një narrativë e rrezikshme dhe e pavërtetë, sipas së cilës gratë dhe fëmijët kinse janë lejuar të largohen, ndërsa burrat janë vrarë. Kjo nuk qëndron. Në Krushë të Madhe janë vrarë edhe gra, përfshirë gra shtatzëna, çka e rrëzon çdo përpjekje për ta paraqitur këtë krim si një veprim ‘selektiv’”, ka shkruar ai në Facebook

    “E vërteta për krimet e kryera në Kosovë nuk mund dhe nuk duhet të shtrembërohet. Ajo është themel i drejtësisë dhe detyrim ndaj viktimave, familjeve të tyre dhe historisë sonë”, ka përfunduar Hoti.

    Pas reagimeve, Komuna e Prishtinës ka pezulluar lejen për ekspozitën. Kryetari, Përparim Rama, ka thënë se nuk do të lejojë që në shesh “të përdhoset dinjiteti i qytetarëve dhe të fyhet kujtesa kolektive e popullit”. “Ekspozita paraqet një version të pasaktë të Masakrës së Dubravës. Kjo është e papranueshme dhe përbën fyerje të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Për këtë arsye, sonte menjëherë e pezullojme lejen për këtë ekspozim në sheshin e Prishtinës”, ka shkruar ai në Facebook.

    Krahas për Dubravën, ekspozita shfaq të dhëna të gabuara edhe për masakra të tjera. Për Masakrën e Reçakut thuhet se janë vrarë 37 civilë, ndërkaq Instituti i Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovës përmend të paktën 45 civilë shqiptarë. Në sulmin në periudhën 5-7 mars 1998 në Prekaz, sipas ekspozitës, janë 40 civilë të vrarë. E Instituti i Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë përmend 59 jetë të shuara gjatë këtyre sulmeve.

    Ditë më parë ka reaguar edhe një i mbijetuar i Masakrës së Belegut, Endrit Binakaj, i cili ka bërë të ditur se kjo masakër nuk është e përfshirë fare në këtë ekspozitë. Ai ka thënë se mungesa e saj “është padrejtësi e thellë morale ndaj viktimave dhe familjeve të tyre”.

    Ekspozita është e bazuar në librin e Shkelzen Gashit, “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, i cili është promovuar në disa vende të botës. Në parathënien e librit, autori Gashi ka shkruar se për të përpiluar tekstet ka marrë për bazë raportet e organizatave prestigjioze për të drejtat e njeriut, si Amnesty International (AI), Humanitarian Law Center (HLC), Human Rights Watch (HRW), International Crisis Group (ICH), Orgnization for Security and Cooperation in Europe (OSCE), e më rrallë edhe ndonjë tjetër. Autori i librit ka qenë këshilltar i kryeministrit, Albin Kurti.

    Kjo ekspozitë është realizuar mes tjerash edhe me mbështetje financiare nga Kuvendi. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e ka vizituar këtë ekspozitë më 24 mars. Sipas komunikatës nga Kuvendi, ajo është shprehur se “nuk është e lehtë të ecësh mes këtyre dëshmive, por është e domosdoshme për të kuptuar thellësinë e dhimbjes dhe padrejtësitë e përjetuara”. “Çdo panel rrëfen një krim të rëndë ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë, krime të kryera nga forcat serbe, dhe sjell para nesh një të vërtetë që nuk mund të fshihet apo të mohohet. Republika e Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer në Kosovë. Lavdi të rënëve për liri!”, pati thënë ajo.

    E pas reagimeve, Glauk Tahiri, këshilltar politik i kryetares së Kuvendit, ka thënë se Kuvendi nuk ka kompetencë të vlerësojë apo të verifikojë saktësinë e përmbajtjes së materialeve të zhvilluara nga organizatat joqeveritare.

    “Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështet iniciativa të shoqërisë civile, artistëve dhe organizatave që kontribuojnë në trajtimin e çështjeve me interes publik. Megjithatë, roli i Kuvendit në këtë kontekst lidhet me mbikëqyrjen e përdorimit të mjeteve publike, përkatësisht nëse fondet janë shpenzuar në përputhje me projektin e miratuar. Kuvendi nuk ka kompetencë të vlerësojë apo të verifikojë saktësinë e përmbajtjes së materialeve të zhvilluara nga organizatat joqeveritare. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të projekteve të tilla mbeten përgjegjësi e plotë e organizatave dhe/apo individëve që i kanë hartuar ato”, thuhet në përgjigjen e Tahirit.

    Ai ka thënë se në burime të ndryshme ka të dhëna të ndryshme dhe se Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë është themeluar me qëllim që të arrihet saktësia dhe të shërbejë si referencë në raste të tilla. Megjithëkëtë, ai ka thënë se Kuvendi do t’i adresojë vërejtjet e ngritura tek organizatorët dhe do të kërkojë që çdo pasaktësi të shqyrtohet dhe të korrigjohet në përputhje me të dhënat e verifikuara.

    Ndërkaq në një sqarim të dytë të premten, Kuvendi i Kosovës ka thënë se mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik dhe se këtë e bën pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve.
    “Në lidhje me reagimet e fundit për ekspozitën, theksojmë se Kuvendi, në përputhje me mandatin e tij dhe praktikat e zakonshme institucionale, mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave. Duke respektuar parimet themelore të lirisë artistike, të drejtës autoriale dhe krijuese, kjo mbështetje jepet pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve të tilla. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj”, thuhet në reagimin për media.

    Megjithatë, Kuvendi ka thënë se kjo mbështetje nuk mund të cilësohet si miratim apo redaktim i narratives së paraqitur.

    “Kjo është një praktikë standarde në mbështetjen e projekteve kulturore dhe nuk mund të keqinterpretohet si miratim apo redaktim i narrativës së paraqitur. Në të njëjtën kohë, mbrojtja e dinjitetit të viktimave dhe kujtesës kolektive mbetet obligim i përbashkët institucional dhe shoqëror, i cili kërkon trajtim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm”, thuhet në sqarimin e Kuvendit që ka përsëritur se do t’i adresojë shqetësimet e ngritura tek organizatorët e ekspozitës.

    Ekspozita është organizuar nga organizatat “Admovere” dhe “Integra”. Në “Admovere” kanë thënë se për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra janë mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr prej Natasha Kandiq. Në libër, sipas organizatës, është përmendur se në këtë listë figurojnë të regjistruar si perona të armatosur edhe individë që në momentin e vrasjes ishin civilë të paarmatosur dhe nuk kishin rezistuar.

    “Nga gjithsej 105 masakra të evidentuara deri më tani, në këtë ekspozitë janë përfshirë 49 masakra për të cilat kemi siguruar fotografi dhe citate të dëshmitarëve. Të 105 masakrat janë të përfshira në librin ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’ dhe do të përfshihen edhe në webfaqen ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’, që do të lansohet së shpejti. Ekspozita bazohet në plotni në librin ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’, të botuar në vitin 2024 nga ADMOVERE dhe INTEGRA. Për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra, jemi mbështetur në listën e të vrarëve nga ‘Libër Kujtimi i Kosovës’ i Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr nga Nataša Kandić. Në libër e kemi sqaruar se në këtë listë të të vrarëve të HLC-së, për disa masakra individë të vrarë figurojnë të regjistruar si persona të armatosur, megjithëse në momentin e vrasjes ata ishin civilë të paarmatosur dhe nuk kishin rezistuar”, thuhet në reagim.

    Në këtë njoftim të organizatës thuhet se kjo listë “mbetet edhe sot burimi i vetëm dhe më i besueshëm për dokumentimin e të vrarëve, duke qenë se institucionet e Kosovës ende nuk kanë hartuar një listë zyrtare të të vrarëve”.

    Organizatat “Admovere” dhe “Integra” në fund kanë bërë thirrje që institucionet të hartojnë më shpejt një listë të të vrarëve “në mënyrë që të shmangen keqkuptimet eventuale”.

    E pasi komuna tërhoqi lejen e ekspozitës, autori i ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, Shkëlzen Gashi, ka fajësuar shtetin për mungesë të një liste të të gjithë të vrarëve në luftën e fundit, teksa ka përsëritur se të dhënat që i ka publikuar në ekspozitë janë marrë nga një listë e organizatës joqeveritare “Humanitarian Law Center (HLC)”, e udhëhequr nga Natasha Kandiq.

    Ai nuk ka komentuar çështjen se përse ka shpërndarë të dhëna të pasakta.

    “Për fat të keq, gati tri dekada pas përfundimit të luftës, Kosova nuk e ka një listë të të gjithë të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë 1998-1999. Lista e vetme që kemi deri më tani është lista e hartuar nga organizata joqeveritare Humanitarian Law Center (HLC), e udhëhequr nga Nataša Kandić, të cilën Kryetari i Komunës së Prishtinës ia ka dhënë çelësin e Prishtinës. Ne e kemi cituar këtë listë të Nataša Kandić-it sepse nuk kemi listë tjetër të të gjithë të vrarëve gjatë luftës në Kosovë. Sipas kësaj liste në Burgun e Dubravës janë vra gjithsej 106 veta. Prej tyre, 58 figurojnë civilë e 48 figurojnë persona të armatosur. Si është e mundur që në Burg të Dubravës 48 prej civilëve të vrarë të figurojnë si pjesëtarë të armatosur? Pse janë regjistruar këta si persona të armatosur? Persona të armatosur në burg? Për më keq, kjo mospërputhje nuk është e vetmja. Njëjtë ka ndodhur edhe në Masakrën e Mejës, ku numri i të vrarëve është 376 veta, por në listën e HLC-së figurojnë 349 civilë të vrarë, kurse 27 të vrarë figurojnë si të armatosur. Dihet botërisht që në Reçak forcat policore e ushtarake sërbe jugosllave kanë vrarë 45 civilë të pafajshëm shqiptarë, por në listën e të vrarëve të HLC-së së Nataša Kandić-it janë regjistruar 37 civilë shqiptarë e 8 janë regjistruar të armatosur. Mospërputhje të ngjashme vërehen edhe në masakra tjera: Kotlinë, Kaçanik, e të tjera”, ka shkruar Gashi.

    Gashi tutje ka thënë se organizatat publikuese s’kanë obligim të verifikojnë statusin e secilës viktimë. Megjithatë, Gashi në libër ishte nënshkruar edhe si hulumtues.

    “Theksojmë se verifikimi i njëpërnjëshëm i statusit të secilës viktimë dhe i numrit të saktë të civilëve të vrarë nuk ka qenë dhe nuk është përgjegjësi e organizatave tona. Këto të dhëna janë marrë nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Law Center, i cili i ka mbledhur ato përmes hulumtimeve në terren. Për rrjedhojë, u takon institucioneve të Kosovës që të hartojnë një listë zyrtare, të saktë dhe gjithëpërfshirëse të viktimave të luftës. ADMOVERE dhe INTEGRA njoftojnë opinionin publik se ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999” është realizuar dhe vendosur në hapësirën publike me leje nga Komuna e Prishtinës, e cila ka të drejtë ta revokojë atë. Megjithatë, përgjegjësia për mungesën e një liste zyrtare dhe të saktë të viktimave të luftës në Kosovë u takon institucioneve të Kosovës, të cilat do të duhej prej kohësh të kishin përditësuar këtë listë të vetme ekzistuese, të hartuar nga organizata e Nataša Kandić-it dhe të kishin hartuar një listë zyrtare shtetërore”, ka shtuar ai.

    Gashi po ashtu ka thënë se as donatorët nuk kanë pasur rol në përmbajtjen e ekspozitës.

    Libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999” është botuar në hiç më pak se 2000 kopje.

  • Sot largohet nga sheshi ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”

    Sot largohet nga sheshi ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sot do të ndërmarrë një aksion për heqjen e tabelës së ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999” nga sheshi “Nënë Tereza”, për shkak të gabimeve dhe pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e saj.

    Aksioni do të fillojë nga ora 10:00.

    “Ju njoftojmë se sot, me datë 28.03.2026, duke filluar nga ora 10:00, ekipet e Kryeqytetit do të ndërmarrin aksionin për heqjen e tabelës së ekspozitës ‘Masakrat në Kosovë 1998–1999’ në sheshin ‘Nënë Tereza’. Ky veprim vjen pas vendimit të Kryetarit të Kryeqytetit z. Përparim Rama, për pezullimin e lejes së ekspozimit, për shkak të pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e ekspozitës”, thuhet në njoftim.

  • Mohamed Salah mund të rikthehet te Roma pas largimit nga Liverpooli

    Mohamed Salah mund të rikthehet te Roma pas largimit nga Liverpooli

    Liverpool FC ka konfirmuar se Mohamed Salah do të largohet nga klubi në përfundim të sezonit 2025/26.

    Sulmuesi 33-vjeçar, i cili ka qenë një figurë kyçe në “Anfield” që nga viti 2017, do të bëhet lojtar i lirë, duke hapur derën për disa opsione për hapin e radhës në karrierën e tij, përfshirë edhe një rikthim të mundshëm në Serie A.

    Një nga destinacionet më të mundshme për Salahun është AS Roma, klubi ku ai u bë i njohur në skenën e madhe përpara se të transferohej te Liverpool për rreth 42 milionë euro.

    Roma mund t’i ofrojë atij një ambient të njohur dhe mundësinë për të vazhduar të garojë në nivele të larta në elitën e futbollit italian.

    Gjatë nëntë viteve të tij te Liverpooli, Salah ka lënë gjurmë të pashlyeshme, duke regjistruar 435 paraqitje, 255 gola dhe 122 asistime në të gjitha garat.

    Ai ka fituar disa trofe me “Të Kuqtë”, përfshirë UEFA Champions League dhe dy tituj të Premier League, duke e konsoliduar statusin e tij si një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e klubit.

    Njoftimi i Salah shënon fundin e një epoke në “Anfield”, ndërsa tifozët do të ndjekin me interes të madh se ku do të vazhdojë superylli egjiptian kapitullin e ardhshëm të karrierës së tij të jashtëzakonshme.

  • Goditet baza amerikane në Arabinë Saudite, plagosen 12 ushtarë amerikanë – dy prej tyre në gjendje të rëndë

    Goditet baza amerikane në Arabinë Saudite, plagosen 12 ushtarë amerikanë – dy prej tyre në gjendje të rëndë

    Një sulm ndaj një baze amerikane në Arabinë Saudite ka lënë të plagosur 12 ushtarë amerikanë, dy prej tyre në gjendje të rëndë, ka bërë të ditur një zyrtar amerikan për agjencinë e lajmeve Reuters.

    Sulmi, që ndodhi të premten, kishte në shënjestër Prince Sultan Air Base. Ai u krye me dronë dhe shkaktoi dëme në disa avionë amerikanë të furnizimit me karburant.

    Ngjarja vjen vetëm një ditë pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se ushtria e Iranit është “shkatërruar plotësisht”.

    Kjo nuk është hera e parë që kjo bazë ajrore sulmohet nga Irani.

    Më 1 mars, rreshteri i Ushtrisë amerikane, Benjamin N Pennington, 26 vjeç, u plagos në këtë bazë. Ai ndërroi jetë disa ditë më vonë.

    Deri më tani, të paktën 303 pjesëtarë të personelit amerikan janë plagosur në luftën me Iranin.

  • Paralajmërohet valë e re shtrenjtimesh, Kaçaniku: Qeveria të mbrojë konsumatorin

    Paralajmërohet valë e re shtrenjtimesh, Kaçaniku: Qeveria të mbrojë konsumatorin

    Pasojat e luftës në Lindjen e Mesme po ndihen edhe në Kosovë.

    Rritja e çmimeve po prek sektorë të ndryshëm, duke përfshirë derivatet e naftës, biletat e  transportit ndërurban e po ashtu edhe artikujt ushqimor.

    Kryetari i Shoqatës Konsumatori, Selatin Kaçaniku, në një intervistë për Ekonomia Online thekson se çmimet do të vazhdojnë të rriten, derisa shton se qeveria duhet të ndërmarrë veprime konkrete për të mbrojtur qytetarët dhe stabilizuar tregun.

    Kaçaniku, deklaron se Kosova përballet me mbipopullim të pompave të derivateve të naftës dhe se qeveria ka pak mundësi për të parapenguar ngritjen e çmimeve.

    “Shteti tanimë ka shumë pak mundësi për të bërë, për ta parapenguar ngritjen e çmimeve. Që nga legjislaturat e mëparshme ne kemi mbipopullim të pompave të derivateve. Nga 250 sa ka nevojë Republika e Kosovës, e kemi rreth 800. Kemi problem me kontrollin e pompave dhe të cilësisë. Edhe kemi problem ndërqeveritar dhe ndërkonsumatorë, sepse asnjë legjislaturë qeveritare akoma nuk e ka njohur, ose as nuk e njeh qytetarin konsumator, i cili njëherësh është edhe taksapagues i të gjitha këtyre. Ne e financojmë shtetin, e financojmë parlamentin, e financojmë qeverinë, i financojmë ministritë, i financojmë edhe mekanizmat e kontrollit të tregut. E, rëndom, të tregut. Po të kishim treg, tregu do të vepronte si rregullator i çmimeve dhe i furnizimeve. Me vetë faktin se ne akoma nuk e kemi konsoliduar tregun, dëshmohet mungesa e tregut të konsoliduar dhe veprimi kaotik i çmimeve dhe i të gjithë atyre që marrin pjesë në këtë tregtim”, tha ai.

    Kaçaniku thotë se Autoriteti i Konkurrencës duhet të veproj dhe të identifikojë të gjithë personat që po prishin kulturën e mirë të qasjes në treg.

    “Është e vërtetë se ngritja e çmimeve te emergjentët në veçanti, shkakton efekt domino dhe siç e thatë edhe ju, nxit edhe shtrenjtimin e artikujve të tjerë. Pikësëpari të çmimeve të transportit. Jo të gjithë transportuesit kanë paralajmëruar ngritje të çmimeve. Por këta që e kanë paralajmëruar ngritjen e çmimeve, shihet se janë në konflikt me ligjin për konkurrencën e lirë. Dhe unë shpresoj që Autoriteti i Konkurrencës do të veprojë dhe do t’i identifikojë të gjithë ata që po e prishin kulturën e mirë të qasjes në treg”, u shpreh ai.

    Kaçaniku përmendi edhe sektorët të cilët do të pësojnë rritje të çmimeve.

    “Ngritje të çmimeve do të ketë. Pra, e nisim me ngritjen e çmimeve të transportit urban dhe ndërurban. Ngritje të çmimeve do të ketë në bujqësi. Ngritje të çmimeve do të ketë në prodhimtarinë vendore, në prodhimin e artikujve themelorë ushqimorë siç është buka e të tjera. Dhe do të jemi të lumtur nëse përfundojmë vetëm me ngritje çmimesh, sepse mungesa e derivateve po vërehet në Gjermani dhe shumë shpejt mund të na ndodhë edhe neve këtu në Kosovë”, theksoi ai.

    Ndërsa, i pyetur se a duhet të shtohet numri i inspektorëve për vëzhgimin e situatës në terren, Kaçaniku u shpreh se Kosovës i nevojitën inspektorë të vullnetshëm konform ligjit.

    “Shikoni, kjo është frazë, frazë e bajatshme. Ne nuk kemi nevojë për inspektorë shtesë. Ne kemi nevojë për inspektorë të vëmendshëm, të vullnetshëm, të cilët me gjobat e tyre ndikojnë në edukimin e biznesmenëve dhe bizneseve. Jo sa për sy e faqe, sa për të përmbushur një normë në letra dhe në numra. Domethënë, nëse inspektori punon vullnetshëm konform ligjit, ai e edukon abuzuesin që mos të abuzojë më. Nëse një inspektor i kthehet një të dënuari disa herë, do të thotë se janë në konflikt interesi”, potencon ai tutje.

    Kaçaniku, nënvizon se nisur nga lufta në Kosovë shteti duhet të ndërmarrë veprime për kursime dhe se duhet ta njeh qytetarin konsumator.

    “Në kohë krizash, në këtë momentum kur Kosova është e rrethuar gjithandej me luftëra, kur nuk është shumë larg kur ne e patëm COVID-in, besoj edhe ne para 27 viteve, dje e patëm 27 vjetorin, ishim në luftë. Ne tanimë do të duhej të ishim të vetëdijesuar, të edukuar për kursim. Që mos të befasohemi si Gjermania, ne duhet që tani të edukohemi, të mësohemi të kursejmë. Bashkë me ne si qytetarë konsumatorë, duhet të mësohet edhe shteti të kursejë. Dhe pastaj, nga kjo fazë, të paktën kjo qeveri, për dallim nga legjislaturat e mëparshme, duhet të fillojë ta njohë qytetarin konsumator, taksapagues, sepse asgjë nuk mund të bëjë pa ne dhe as ne nuk mund të bëjmë asgjë pa të”, shtoi Kaçaniku.

  • 20 cm borë në Kroaci, bllokohet trafiku

    20 cm borë në Kroaci, bllokohet trafiku

    Reshjet e shumta të borës që përfshinë Kroacinë të enjten kanë vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e kamionëve në autostradat kryesore mes kryeqytetit Zagreb dhe Rijekës.

    Rreth 20 centimetra dëborë pranverore ranë në orët e para të mëngjesit, duke shkaktuar kaos në rrugët shumë të ngarkuara në vend.

    Ndërkohë, kushtet e këqija të motit pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në rajonin e Ballkanit, pasi reshjet e borës parashikohet të shtohen gjatë së premtes dhe të shtunës në Bosnjë dhe Serbi.

  • 1 prilli afër, kur do të vendosë ZRrE për shtrenjtimin ose jo të rrymës?

    1 prilli afër, kur do të vendosë ZRrE për shtrenjtimin ose jo të rrymës?

    1 prilli po afron, e Zyra e Rregullatorit të Energjisë ende nuk ka përfunduar me shqyrtimin e aplikimeve të KOSTT’it, KEDS’it dhe KESCO’s, të cilat kanë kërkuar rritje rreth 20% të çmimit të rrymës në vend. Pas finalizimit të këtij procesi, do të përgatitet Raporti Konsultativ, e më pas do të hapet konsultimi publik. Pas shqyrtimit të komenteve, Bordi do të mblidhet e do të vendos përfundimisht për tarifat. Data ende nuk dihet, ndonëse tarifat parashihet të hyjnë në fuqi nga muaji tjetër.

    Kosova është afër të përballet me një tjetër shtrenjtim të rrymës, i katërti në katër vitet e fundit. Kërkesa është që të ketë rritje për mbi 20%, shtrenjtim që është kundërshtuar edhe me protestë para rreth dy muajve.

    Kompania për furnizim me energji elektrike, KESCO, në aplikimin e dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji, ka kërkuar rritje prej 21.3 përqind të çmimit të energjisë për vitin 2026. Kërkesë për rritje ka pasur edhe nga KEDS dhe KOSTT’i. Aplikimet po vazhdojnë të shqyrtohen.

    Nga ZRRE kanë deklaruar për Reporteri.net se janë në procesin e finalizimit të shqyrtimit të aplikimeve dhe se më pas do të publikohet Raporti Konsultativ, që i paraprin hapjes së konsultimit publik.

    “Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) është aktualisht në procesin e finalizimit të shqyrtimit të aplikimeve të dorëzuara nga operatorët e licencuar (përfshirë KESCO, KEDS dhe KOSTT). Pas finalizimit të këtij shqyrtimi, ZRRE do të përgatisë dhe do të publikojë Raportin Konsultativ, me qëllim që të hapë procesin e konsultimit publik dhe të marrë komentet nga të gjitha palët e interesit”, kanë deklaruar nga ky institucion.

    Pas shqyrtimit të komenteve të pranuara, do të mbahet mbledhja e Bordit të ZRRE’së ku do të vendoset përfundimisht mbi tarifat, teksa data ende nuk dihet.

    “Pasi të përfundojë periudha e konsultimit publik dhe të shqyrtohen të gjitha komentet e pranuara, pritet që të mbahet mbledhja e Bordit të ZRRE-së për shqyrtimin përfundimtar dhe marrjen e vendimit lidhur me tarifat e reja të energjisë elektrike. Data e saktë e mbledhjes së Bordit do të njoftohet publikisht në kohën e duhur, në përputhje me procedurat e ZRRE-së. Duke qenë se ZRRE është ende në fazën e shqyrtimit të aplikimeve dhe përgatitjes së Raportit Konsultativ, procesi i konsultimit publik nuk ka filluar ende”, kanë deklaruar nga ZRRE për Reporteri.net.

    KESCO ka kërkuar që të hyrat maksimale për këtë vit të jenë 528.78 milionë euro.

    “FSHU vlerëson se reflektimi real i këtyre kostove në procesin tarifor është i domosdoshëm për të garantuar që shërbimi universal të mbetet funksional, i qëndrueshëm dhe i aftë për të përmbushur obligimet ligjore ndaj konsumatorëve. Nëse këto kosto nuk pasqyrohen në mënyrë adekuate, rrezikohet ndjeshëm furnizimi i qëndrueshëm. Përvoja e viteve të kaluara ka treguar se nënvlerësimi i kostove krijon vështirësi operacionale dhe përsëritja e një qasjeje të tillë do të rrezikonte të prodhonte sfida të ngjashme edhe në të ardhmen”, thuhet në kërkesën e KESCO.

    Vjet kishte kërkuar të hyra të lejuara maksimale 448 milionë euro, ndërsa ZRRE-ja ia pati aprovuar 436 milionë euro.

    KEDS’i ndërkohë ka kërkuar që të hyrat maksimale për të të jenë 235 milionë euro apo 55 milionë më shumë sesa që ia pati aprovuar vjet ZRRE-ja.

    “Çfarëdo tendence për të zvogëluar kërkesën e OSSH-së do të rrezikoj likuiditetin financiar të OSSH-së dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike. Për me tepër, kjo do të ndikonte
    negativisht në kapacitetin e OSSH-së për të përmbushur detyrimet e tij dhe do të minonte besimin e konsumatorëve dhe investitorëve në sektorin energjetik. Në këtë kontekst, kërkojmë një reflektim të drejtë dhe të plotë të kostove të nevojshme për operimin e OSSH-së, për të siguruar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike në të ardhmen. Rregullimi i drejtë dhe i saktë i të hyrave të lejuara është kyç për garantimin e një sektori energjetik të qëndrueshëm dhe të besueshëm për konsumatorët dhe ekonominë e Kosovës”, thuhet në kërkesën e KEDS.

    Ndërsa kërkesa e KOSTT’it është 99 milionë euro apo rreth 11 milionë më shumë sesa ZRRE-ja ia pati aprovuar më 2025.

    “Kërkesa e KOSTT për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026, në vlerën prej 99,383,831.20 euro, synon të sigurojë operim të qëndrueshëm të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, të ofrojë shërbime më cilësore për konsumatorët dhe të ruajë stabilitetin financiar të KOSTT-it…Duke marrë parasysh dinamikën e zhvillimeve në sistemin e transmetimit, në përputhje me kërkesat e ENTSO-E, është me rëndësi jetike mbështetja e projekteve të reja, ndryshimet në projektet ekzistuese, si dhe kërkesat për shpenzime operative”, thuhet në kërkesën e KOSTT’it.

    Shqyrtimi dhe caktimi i tarifave të energjisë elektrike bëhet çdo vit nga ZRRE, të cilat shpallen më 1 prill dhe janë në fuqi deri më 31 mars të vitit pasues.

    Vitin e kaluar kishin hyrë në fuqi nga 1 maji, kur rryma ishte shtrenjtuar për 16 përqind.

    Shtrenjtim të rrymës ka pasur edhe në vitin 2022, kur rryma ishte shtrenjtuar për 14 përqind, teksa rritja paraprake kishte qenë në vitin 2022.

    Më 6 shkurt është mbajtur edhe një protestë kundër shtrenjtimit të rrymës.

    Protesta kishte filluar nga ndërtesa e KEDS-it, ku ishin mbledhur fillimisht qytetarët dhe më pas marshuan drejt ndërtesës së Qeverisë.

    Ata mbanin pankarta me mbishkrimet: “Nuk e durojmë ma hajninë”, “Nuk sakrifikojmë na për KEDS-in”, “Nji popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, “Stop hajnisë me fatura t’rrymës”.

    Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se të kundërshtojë tarifat e reja të energjisë elektrike, në rast se ka rritje.

    “Në rast se do të ketë ndryshime apo rritje të tarifave, qëndrimi ynë do të mbetet i njëjtë, ashtu siç ka qenë në çdo rast kur çështja e rritjes së çmimeve ka qenë në diskutim. Në momentin që hapet thirrja për komente, do t’i dorëzojmë komentet tona si edhe vitet e kaluara, duke u udhëhequr nga interesi publik”, kishte deklaruar për Reporteri.net, këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina.

    Njëjtë kishte vepruar edhe vitin e kaluar, kur ishte shtrenjtuar rryma./Reporteri.net

  • “Ka njerëz të infiltruar në Bratislavë”, udhëheqësi i Dardanëve thërret për kujdes

    “Ka njerëz të infiltruar në Bratislavë”, udhëheqësi i Dardanëve thërret për kujdes

    Udhëheqësi i tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha, u ka bërë thirrje tifozëve të Kosovës që të kenë kujdes në Bratislavë, disa orë para ndeshjes me Sllovakinë.

    Megjithëse ka thënë se deri tash gjithçka ka shkuar mirë, ai u ka bërë thirrje tifozëve të Kosovës që gjenden në Bratislavë sot të mblidhen bashkë në rast se “mos na ndodhë diçka”.

    “Besoj se gjithçka do të shkojë mirë, besoj në sigurinë e tifozëve tanë dhe ftoj të gjithë të vinë që të jemi bashkë që të mos na ndodhë diçka sepse siç e dimë Sllovakia nuk e njeh Kosovën dhe besojmë se ka shumë njerëz të infiltruar këtu që ndoshta tentojnë ta destabilizojnë atmosferën”, ka thënë ai në emisionin “tre8tre”.

    Kosova e luan sonte ndeshjen më të rëndësishme deri më tani.

    Në Stadiumin Nacional në Bratislavë, Kosova luan me Sllovakinë nga ora 20:45, në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botërorin 2026.

    Kosovës i mungojnë kapiteni Amir Rrahmani dhe lideri i mesfushës, Leon Avdullahu.

  • Ari shënon ulje të çmimit sërish

    Ari shënon ulje të çmimit sërish

    Çmimi i arit ka shënuar rënie, duke zbritur nën 4,500 dollarë për ons gjatë ditës së sotme. Metali i çmuar u tregtua rreth 4,426 dollarë për ons, me një ulje prej 1.6 për qind.

    Rënia vjen në vazhdën e humbjeve të fundit, ndërsa tensionet në Lindja e Mesme dhe paqëndrueshmëria në tregjet globale kanë ndikuar negativisht.

    Që nga fundi i shkurtit, ari ka humbur rreth 15 për qind të vlerës, ndërsa ekspertët e lidhin këtë trend me rritjen e inflacionit dhe pritjet për norma më të larta interesi.

  • Policia kërkon ndihmë për identifikimin e një 70-vjeçari të gjetur i vdekur në Prizren

    Policia kërkon ndihmë për identifikimin e një 70-vjeçari të gjetur i vdekur në Prizren

    Policia e Kosovë njofton se një mashkull rreth 70 vjeç është gjetur pa shenja jete në rrugën “Edit Durham” në Prizren.

    Viktima ende nuk është identifikuar, ndërsa trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme.

    Autoritetet kërkojnë nga qytetarët me informacion të kontaktojnë stacionin policor ose numrin 192.