ATV

Author: G.O.

  • Bimbashi jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së

    Bimbashi jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së

    Gëzim Bimbashi ka dhënë dorëheqja nga pozita e kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së.

    Këtë e ka bërë të ditur vet Bimbashi përmes një njoftimi për media, i cili tha se angazhimet si gazetar nuk e lejojnë të jetë i përkushtuar siç duhet për këtë pozitë dhe se nuk ka të bëjë me ndonjë konflikt.

    “Ky vendim nuk lidhet me ndonjë konflikt apo arsye të jashtme. Dorëheqja ime vjen si pasojë e lodhjes dhe përqendrimit të energjisë sime në profesionin dhe karrierën time si gazetar. Angazhimet profesionale dhe private nuk më lejojnë të vazhdoj këtë detyrë me përkushtimin që ajo kërkon, dhe ndihem i detyruar të hap rrugë për energji të re dhe për një drejtim të ri të Sindikatës”, tha Bimbashi në njoftim.

    Ai tha se në këtë sindikatë është punuar për mbrojtjen e punëtorëve të RTK-së dhe se kanë reaguar nga padrejtësitë.

    “Gjatë dekadës që kam qenë pjesë e kësaj detyre, kemi punuar së bashku në mbrojtje të punëtorëve dhe të RTK-së. Kemi përballuar sfida, kemi reaguar ndaj padrejtësive, kemi marrë pjesë aktive në komisione dhe takime me institucione, kemi përfaqësuar Sindikatën në forume rajonale dhe ndërkombëtare, kemi organizuar komunikata dhe protesta kur ka pasur nevojë, dhe kemi zhvilluar aktivitete sociale dhe humanitare për anëtarët. Qindra komunikata, takime, aktivitete dhe përfaqësime janë dëshmi e punës sonë të përbashkët”, tha Bimbashi.

    Gjithashtu thotë se është koha për një energji të re në sindikatën që ai udhëheqi.

    “Pas një dekade angazhimi, ndihem se është koha që Sindikata të ketë energji të re dhe të fuqizohet edhe më shumë. Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka treguar se është shembull i organizimit sindikal në Kosovë dhe mbetet autoritet i rëndësishëm brenda institucionit. Për këtë arsye, i bëj thirrje të gjithë kolegëve, përfshirë ata që ende nuk janë pjesë e Sindikatës, ta përqafojnë dhe ta mbështesin, sepse vetëm e bashkuar mund të ketë peshë reale dhe të mbrojë dinjitetin e punëtorëve”, tha Bimbashi.

  • Paraqitet në Polici gruaja që dyshohet se vodhi në një qendër tregtare në Ferizaj

    Paraqitet në Polici gruaja që dyshohet se vodhi në një qendër tregtare në Ferizaj

    E dyshuara që dyshohet se vodhi në një qendër tregtare në Ferizaj është paraqitur vetë në stacionin policor të qytetit.

    Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

    Kujtojmë se ngjarja ka ndodhur më 6 janar 2026, në një qendër tregtare në Ferizaj.

     

  • Dërgimi i ushtarëve shtesë nga ShBA, Kryetari i Parlamentit të Iranit: Mos e vini në provë vendosmërinë tonë për të mbrojtur tokën

    Dërgimi i ushtarëve shtesë nga ShBA, Kryetari i Parlamentit të Iranit: Mos e vini në provë vendosmërinë tonë për të mbrojtur tokën

    Irani po monitoron nga afër të gjitha lëvizjet e SHBA-së në rajon, “veçanërisht dislokimet e trupave,”, ka deklaruar Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf.

    Deklarata vjen pas raportimeve se presidenti amerikan, Donald Trump, miratoi dislokimin e më shumë se 1 mijë ushtarëve shtesë në Lindjen e Mesme, raporton NBC News.

    “Ajo që gjeneralët kanë prishur, ushtarët nuk mund ta rregullojnë; përkundrazi, ata do të bien viktimë e iluzioneve të Netanyahut”, Ghalibaf në një postim në X.

    “Mos e vini në provë vendosmërinë tonë për të mbrojtur tokën tonë”, ka deklaruar Ghalibaf. /Reporteri.net

     

  • Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, jep dorëheqjen pas zgjedhjeve të parakohshme

    Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, jep dorëheqjen pas zgjedhjeve të parakohshme

    Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka dhënë dorëheqjen nga posti gjatë takimit me Mbretin Frederik, ka bërë të ditur të mërkurën Pallati Mbretëror danez.

    Vendimi i saj vjen pas rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme të së martës, në të cilat Frederiksen kryesoi me vota, por nuk arriti shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë. Qeveria trepartiake në largim nuk ka shumicën e nevojshme për të vazhduar në detyrë; ajo ka fituar 70 vende, shumë më pak se 90 të kërkuara për një shumicë.

    Megjithatë, Frederiksen pritet të mbetet kryeministre në detyrë deri në formimin e një administrate të re, dhe mbetet një nga favoritet për t’u rikthyer në post.

    Një takim i partive politike është thirrur për në orën 13:00 sipas kohës lokale, ku do të shqyrtohet rruga e mundshme për formimin e shumicës së re dhe qeverisë së ardhshme.

    Vendimi i Frederiksen për dorëheqje lë në lëvizje procesin e formimit të qeverisë së re, duke hapur rrugën për negociata ndërpartiake dhe krijimin e një shumice të re parlamentare.

  • Pasi përfundoi mandatin Orav nga aeroporti: “Gjithë të mirat Kosovë”

    Pasi përfundoi mandatin Orav nga aeroporti: “Gjithë të mirat Kosovë”

    Aivo Orav, diplomati estonez, që shërbeu si ambasador i BE-së në Kosovë, ka publikuar një fotografi lamtumirëse nga aeroporti i Prishtinës pas përfundimit të mandatit.

    “Gjithë të mirat Kosovë”, shkroi ai krahas fotos në X.

    Orav mori detyrën si Shef i Zyrës së BE-së Përfaqësues Special i Bashkimit Europian në Kosovë më 1 shtator 2024.

  • Konferenca “Week of Women”, bëhet thirrje për më shumë ndikim të grave në politikë

    Konferenca “Week of Women”, bëhet thirrje për më shumë ndikim të grave në politikë

    Konferenca dyditore “Week of Women”, e organizuar me temën “Fuqia në Partneritet: Nga Dialogu në Veprim”, ka nisur punimet duke vënë theksin te forcimi i demokracisë përmes përfshirjes së grave në vendimmarrje dhe avancimit të qeverisjes së përgjegjshme ndaj gjinisë, raporton Ekonomia Online.

    Përfaqësues ndërkombëtarë dhe vendorë theksuan se, ndonëse Kosova ka shënuar përparim në përfaqësimin politik të grave përmes kuotave gjinore, sfida mbetet përkthimi i këtij përfaqësimi në ndikim real në politika dhe lidership ekzekutiv.

    Drejtoresha e National Democratic Institute (NDI) në Kosovë, Nancy Soderberg, tha se Week of Women ka të bëjë me forcimin e demokracisë duke përfshirë pikëpamjet, zërat dhe lidershipin e grave, si dhe duke siguruar që ato të përfaqësohen plotësisht në vendimmarrje.

    “Në thelb, Week of Women ka të bëjë me forcimin e demokracisë duke përfshirë pikëpamjet, zërat dhe lidershipin e grave, si dhe duke siguruar që ato të përfaqësohen plotësisht në vendimmarrje. Ajo ka të bëjë gjithashtu me llogaridhënien dhe krijimin e një hapësire ku liderët dhe qytetarët mund të angazhohen në dialog të hapur për sfidat me të cilat përballen institucionet tona dhe për mundësitë që kemi përpara”, tha ajo.

    Soderberg vlerësoi se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në avancimin e përfaqësimit politik të grave.

    “Është e rëndësishme të pranohet se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në avancimin e përfaqësimit politik të grave. Vendi është njohur për angazhimin e tij përmes kuotave gjinore, duke rritur praninë e grave në organet e zgjedhura deri në nivel presidencial. Megjithatë, përfaqësimi në vetvete nuk mjafton. Hapi i radhës është të sigurohet që ky përfaqësim të përkthehet në lidership domethënës, ndikim dhe ndikim në politika”.

    “Dhe kjo është arsyeja pse tema e këtij edicioni të Week of Women është “Fuqia në Partneritet: Nga Dialogu në Veprim”. Ajo që synojmë të arrijmë me këtë konferencë dyditore është të pranojmë se politika reale kërkon partneritet përtej partive politike, përtej niveleve të qeverisjes dhe përtej të gjithë sektorëve të shoqërisë. Ajo kërkon bashkëpunim ndërmjet liderëve kombëtarë dhe zyrtarëve komunalë, ndërmjet hartuesve të politikave dhe shoqërisë civile, si dhe ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve. Gjatë dy ditëve në vijim, kjo konferencë do të ofrojë një platformë jo vetëm për dialog, por edhe për identifikimin e hapave praktikë për të avancuar lidershipin e grave dhe për të forcuar qeverisjen e përgjegjshme ndaj gjinisë në mbarë Kosovën”, tha ajo.

    Jürg Sprecher, Ambasador ne Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, vlerësoi përparimin e Kosovës në pjesëmarrjen politike të grave, duke theksuar se kornizat ligjore, përfshirë kuotat gjinore, kanë hapur dyer, por se vetë gratë kanë hyrë nëpër to me kompetencë, vendosmëri dhe rezultate, gjë që sipas tij duhet të njihet qartë.

    “Zvicra beson fuqishëm se qeverisjet përfshirëse çojnë drejt një demokracie më të fortë dhe një zhvillimi më të qëndrueshëm. Kur gratë marrin pjesë plotësisht në proceset e vendimmarrjes, institucionet bëhen më të përgjegjshme, politikat më efektive dhe shoqëritë më të qëndrueshme. Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm dhe mbresëlënës në avancimin e pjesëmarrjes politike të grave. Kornizat ligjore, përfshirë kuotat gjinore, kanë hapur dyer, por kanë qenë vetë gratë ato që kanë hyrë nëpër këto dyer me kompetencë, vendosmëri dhe rezultate. Dhe ky arritje duhet të njihet qartë”, tha ai.

    Ai nënvizoi se përfaqësimi është vetëm hapi i parë dhe se qëllimi i vërtetë është që gratë të mbajnë pozita thelbësore të lidershipit, duke formësuar vendime, udhëhequr politika dhe ndikuar drejtimet e qeverisjes.

    “Megjithatë, përfaqësimi është vetëm hapi i parë. Qëllimi i vërtetë është të sigurohet që gratë të mbajnë pozita thelbësore të lidershipit, duke formësuar vendimet, duke udhëhequr politikat dhe duke ndikuar drejtimet e qeverisjes. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në degën ekzekutive, ku ndahen buxhetet, hartohen shërbimet dhe zbatohen politikat. Rritja e numrit të grave në lidership ekzekutiv, si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel komunal, mbetet thelbësore për të avancuar qeverisjen e përgjegjshme ndaj gjinisë”, tha ajo.

    Boguslaw Gertruda, Kryetar i Integrimit në BE, theksoi se për BE-në barazia gjinore nuk është vetëm një e drejtë themelore, por edhe element kyç i një Kosove demokratike, duke shtuar se pjesëmarrja e barabartë e grave dhe burrave çon drejt politikave më të mira dhe rezultateve më të qëndrueshme.

    “Më lejoni ta nis duke rikonfirmuar se barazia gjinore dhe zhvillimi demokratik përfshirës janë në thelb të vlerave të Bashkimit Evropian. Për BE-në, barazia gjinore nuk është vetëm një e drejtë themelore, por edhe një element kyç i Kosovës demokratike. Pjesëmarrja e barabartë e grave dhe burrave çon drejt politikave më të mira dhe rezultateve më të qëndrueshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në Kosovë, ku institucionet demokratike vazhdojnë të evoluojnë dhe të zhvillohen”, tha ai.

    Gertruda tha se Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, por pranoi se boshllëqe të konsiderueshme mbeten, duke përmendur nën-përfaqësimin e grave në pozita vendimmarrëse dhe numrin e vogël të grave që udhëheqin komuna.

    “Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Në të njëjtën kohë, duhet të pranojmë se boshllëqe të rëndësishme mbeten. Gratë janë ende të nën-përfaqësuara në pozita vendimmarrëse. Për shembull, shohim shumë pak gra që udhëheqin komuna dhe partitë politike jo gjithmonë ofrojnë mbështetje të mjaftueshme për gratë kandidate”.

    “Natyrisht, përfaqësimi në vetvete nuk mjafton. Përfaqësimi duhet të përkthehet në ndikim real. Kur gratë marrin pjesë në vendimmarrjen lokale, politikat priren të pasqyrojnë më mirë nevojat e të gjithë popullsisë. Kjo përkthehet më pas në qeverisje më të mirë. Kjo është arsyeja pse duhet të vazhdojmë të punojmë drejt asaj që e quajmë qeverisje e përgjegjshme ndaj gjinisë. Qeverisje që jo vetëm i përfshin gratë, por që në mënyrë aktive merr parasysh perspektivat dhe nevojat e tyre përmes një lidershipi transformues”, tha ai.

  • ATK: Të ardhurat e realizuara nga kriptovalutat, janë të ardhura të tatueshme

    ATK: Të ardhurat e realizuara nga kriptovalutat, janë të ardhura të tatueshme

    Administrata Tatimore e Kosovës ua rikujton të gjithë personave fizikë jo afaristë, personave fizikë afaristë dhe personave juridikë, se janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë Tatimet, në mënyrë reale dhe në kohë, ashtu siç është përcaktuar me legjislacionin tatimor.

    Aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqendrohen pikërisht te personat, të cilët nuk i deklarojnë të ardhurat e realizuara dhe nuk paguajnë Tatimet.

    Me fokus të veçantë, ATK do të përqendrohet në identifikimin dhe trajtimin e personave, të cilët realizojnë të ardhura nga kriptovalutat.

    Detyrimet tatimore për të ardhurat e realizuara nga kriptovalutat, varen nga ajo se çfarë statusi ka personi i cili ka realizuar të ardhurat, si:

    Nëse statusi i personit që ka realizuar të ardhurat e tilla është Person fizik jo afarist apo Person fizik afarist, duhet të zbatojë dispozitat ligjore të përcaktuara me Ligjin Nr. 05/L-028 për Tatimin në të Ardhurat Personale;
    Nëse statusi i personit që ka realizuar të ardhurat e tilla është Person juridik, duhet të zbatojë dispozitat ligjore të përcaktuara me Ligjin Nr. 06/L-105 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave.

    Deklarimi dhe pagesa e tatimit për të ardhurat e realizuara nga kriptovalutat, duhet të bëhet sipas normave dhe me formularët si në vijim:

    Nëse personi krijon humbje, atëherë për humbjet e tilla mbanë evidenca të veçanta, të cilat duhet të jenë në dispozicion të ATK-së sa herë që kërkohen.

    Për personat fizikë jo afarist, personat fizikë afarist dhe personat juridikë, të cilët nuk deklarojnë të ardhurat e realizuara dhe nuk paguajnë Tatimet, ATK do të ndërmarrë masat sipas legjislacionit tatimor.

    Administrata Tatimore e Kosovës, u bënë thirrje të gjithë personave që të deklarojnë të ardhurat e krijuara apo të korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor.

  • Arrestohet një person me drogë në Prizren, Policia i sekuestron rreth 5 gram substancë të llojit marihuanë

    Arrestohet një person me drogë në Prizren, Policia i sekuestron rreth 5 gram substancë të llojit marihuanë

    Një person është arrestuar në rrugën “Adem Jashari” në Prizren, pasi gjatë një kontrolli policor i janë gjetur substanca narkotike.

    Rasti ka ndodhur të martën rreth orës 21:20, ndërsa i dyshuari është shoqëruar menjëherë në stacion.

    Sipas policisë, gjatë kontrollit tek i dyshuari janë gjetur dhe konfiskuar 4.6 gram substancë narkotike të llojit marihuanë. Më tej, me urdhër të prokurorit është bastisur banesa e tij, ku janë zbuluar edhe 50 qese plastike të dyshuara për paketim të narkotikëve.

    Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Rishikimi i buxhetit për vitin 2026, OJQ-të kërkojnë masa për barazi ekonomike

    Rishikimi i buxhetit për vitin 2026, OJQ-të kërkojnë masa për barazi ekonomike

    Koalicioni i organizatave joqeveritare u ka bërë thirrje qeverisë dhe komunave që rishikimi i buxhetit për vitin 2026 dhe Korniza Afatmesme e Shpenzimeve të reflektojnë nevojat e të gjithë qytetarëve.

    Sipas tyre, barrierat strukturore aktuale lënë jashtë tregut të punës rreth 74% të grave në Kosovë.

    Sipas hulumtimeve të Rrjetit të Grave të Kosovës dhe Caritasit Zviceran, pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore është vetëm 26%, krahasuar me rreth 60% te burrat.

    Koalicioni kërkon kalim nga zotimet në veprime konkrete, duke propozuar ligj të ri për punën dhe investime në shërbimet e kujdesit për fëmijë.

  • Shahini: Nëse bllokohet Ngushtica e Hormuzit, Lindja e Mesme mund të mbetet pa ushqim dhe bota pa energji

    Shahini: Nëse bllokohet Ngushtica e Hormuzit, Lindja e Mesme mund të mbetet pa ushqim dhe bota pa energji

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini ka thënë se nëse bllokohet ngushtica e Hormuzit , Lindja e Mesme mund të mbetet pa ushqim dhe bota pa energji.

    Përmes një postimi në profilin zyrtare në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ngre shqetësim për një nga kërcënimet më serioze ndaj ekonomisë dhe sigurisë globale.

    Sipas tij, një ndërprerje në këtë arterie nuk është thjesht krizë rajonale, është një tronditje globale.

    Postimi i tij i plotë:

    BOTA NË RREZIK NGA NJË NGUSHTICË E VETME

    Nëse bllokohet Ngushtica e Hormuzit, Lindja e Mesme mund të mbetet pa ushqim… dhe bota pa energji.

    80% e ushqimit për Lindjen e Mesme dhe rreth 20% e energjisë globale varen nga një korridor i vetëm strategjik.

    Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ngre shqetësim për një nga kërcënimet më serioze ndaj ekonomisë dhe sigurisë globale.

    Sipas analizës së AKB-së: Mbi 80% e ushqimit për vendet e Lindjes së Mesme kalon përmes kësaj rruge,

    Mbi 50% e ujit të pijshëm sigurohet nga desalinizimi, Rreth 20% e energjisë globale transportohet përmes këtij korridori jetik.

    Një ndërprerje në këtë arterie nuk është thjesht krizë rajonale — është një tronditje globale. Pasojat do të ishin të menjëhershme,mungesë ushqimi dhe ujë i pijshëm në Lindjen e Mesme,rritje drastike e çmimeve të energjisë  dhe destabilizim i tregjeve ndërkombëtare.

    Sot, një pikë e vetme gjeografike mban në ekuilibër jetën ekonomike të miliona njerëzve.

    AKB u bën thirrje institucioneve të diversifikojnë rrugët e furnizimit, të rrisin rezervat strategjike, të forcojnë sigurinë ushqimore dhe energjetike

    Çdo përshkallëzim në këtë zonë mund të ketë pasoja të paparashikueshme për ekonominë botërore thot Agim Shahini kryetar i AKB-ës.