ATV

Author: G.O.

  • Tahiri thotë se nënkryetari i PDK-së do të zgjidhet të hënën

    Tahiri thotë se nënkryetari i PDK-së do të zgjidhet të hënën

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka bërë të ditur se nënkryetari i PDK-së do të propozohet dhe zgjidhet të hënën, raporton Ekonomia Online.

    Tahiri ka thënë se kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe kjo parti do të ndërmarrin veprimet e nevojshme në frymën e unifikimit, në mënyrë që projektligji i propozuar të marrë mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

    “Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës do të zgjidhet të hënën, do të propozohet dhe do të zgjedhet të hënën. Zotëri Hamza dhe Partia Demokratike e Kosovës do t’i bëjë të gjitha veprimet e saja në frymën e unifikimit, në mënyrë që projektligji ta gjejë mbështetjen e nevojshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe t’i themi jo kësaj padrejtësie historike që është bërë”, tha ai.

  • Kurti: Nga bllokada në Kuvend nuk dështon asnjë reformë, por humbin mjetet nga Plani i Rritjes

    Kurti: Nga bllokada në Kuvend nuk dështon asnjë reformë, por humbin mjetet nga Plani i Rritjes

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bllokada në Kuvend ka pamundësuar miratimin e disa ligjeve të nevojshme për zbatimin e reformave të parapara në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, raporton Ekonomia Online.

    Kurti i bëri këto deklarata në mbledhjen e dytë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, në funksionin e tij si Komitet Drejtues për Planin e Rritjes, ku u diskutua për zbatimin e reformave, projektet ekzistuese dhe programet IPA.

    Ai tha se deri më 30 qershor janë zbatuar dhe raportuar te Komisioni Evropian 20 hapa të reformave, në vlerë prej 153.3 milionë eurosh.

    “Kështu që po e hap mbledhjen e dytë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian në funksionin e tij si Komiteti Drejtues për Planin e Rritjes, e në të cilin do të diskutojmë për ecurinë e zbatimit të reformave, për gjendjen e projekteve ekzistuese, si dhe të programeve IPA. Më 15 korrik i kemi dorëzuar Komisionit Evropian raportin e parë zyrtar për zbatimin e agjendës të reformave dhe kërkesën e parë për lirimin e fondeve nga Plani i Rritjes. Deri më 30 qershor kemi zbatuar dhe raportuar te Komisioni Evropian 20 hapa të reformave, në vlerë prej gjithsej 153.3 milionë euro në fonde të Bashkimit Evropian. Aktualisht Komisioni Evropian është duke kryer vlerësimin, e pas vlerësimit Komisioni do ta miratojë vendimin për lirimin e fondeve dhe pastaj Kosova do të përfitojë fondet përkatëse sipas këtij vendimi”, tha Kurti.

    Kryeministri njoftoi gjithashtu se në fillim të javës së ardhshme në Kuvend do të përcillen tri marrëveshje ndërkombëtare për programet IPA, përmes të cilave, sipas tij, Kosova pritet të përfitojë 258 milionë euro.

    “Ndërkohë, në fillim të javës që vjen, Kuvendit do t’i përcillen tri marrëveshje ndërkombëtare për programet IPA, e ku përfshihen dy amendamente për projektet nga IPA 2021 dhe IPA 2022, si dhe marrëveshja financiare IPA 2026-2027, nga të cilat Kosova pritet të përfitojë 258 milionë euro. Presim nga Zyra Ligjore dhe Ministria e Financave të përfundojnë pa vonesa opinionet që u kërkohen. Marrë së bashku, nga Plani i Rritjes dhe IPA janë mbi 400 milionë euro që Kosova do të përfitojë për qeverisje të mirë e zbatim të reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha ai.

    Kurti tha se nga 13 reformat e parapara për afatin e 30 qershorit, gjashtë nuk janë zbatuar në kohë, duke bërë që Kosova të mos përfitojë mbi 40 milionë euro.

    “Në anën tjetër, siç jeni njoftuar edhe nga koordinatori kombëtar, nga 13 reformat e parapara për afatin e 30 qershorit, 6 nuk kanë arritur që të zbatohen në kohë. Për rrjedhojë, nga vlera prej 90.7 milionë euro e paraparë për afatin e qershorit, nuk u përfituan mbi 40 milionë euro”, tha ai.

     Sipas Kurtit, arsyeja e mos-përfitimit të këtyre mjeteve është bllokada në Kuvend, e cila ka pamundësuar miratimin e ligjeve. Ai tha se projektet e parapara për afatin e 30 qershorit do të procedohen në seancën e radhës të Kuvendit.

    “Arsyeja e mospërfitimit të këtyre mjeteve është bllokada në Kuvend, e cila pamundësoi miratimin e ligjeve.

    Megjithatë, të gjitha projektet e parapara për afatin e 30 qershorit do të procedohen në seancën e rradhës të Kuvendit.

    Pra, nga bllokada në Kuvend nuk dështon arritja për realizimin e reformave të parapara në Planin e Rritjes dhe puna e mirë e qeverisë, por do të humbin mjetet e dedikuara për to” tha Kurti.

    Kryeministri tha se fokusi tash duhet të jetë te 22 reformat që kanë afat deri në fund të dhjetorit, të cilat kanë një vlerë prej 131.4 milionë eurosh në fondet e BE-së.

    “Tani vëmendja duhet të jetë te zbatimi i 22 reformave që skadojnë në fund të dhjetorit të sivjetmë, në vlerë prej 131.4 milionë euro në fondet e BE-së. Mbi 1/3 e këtyre reformave, apo saktësisht 8 sosh, kërkojnë miratim të projektligjeve në Kuvend. Bëhet fjalë për 10 projektligje që skadojnë më 31 dhjetor 2026. Këto projektligje janë duke u finalizuar dhe do t’i miratojmë në Qeveri brenda këtij afati. Në këtë drejtim kemi punuar edhe me Komisionin Evropian që projektligjet, të cilat kanë për afat 31 dhjetorin, ta kryejnë konsultimin me Bashkimin Evropian në afat sa më të shpejtë. Nëse Kuvendi do të jetë funksional, reformat dhe mjetet e dedikuara për to nuk do të humbin. Pra po e përsëris që për shkak të bllokadës në Kuvend nuk do të humbet asnjë reformë e paraparë, por do të humbin mjetet e dedikuara nga Plani i Rritjes për reforma”, tha Kurti.

    Në fund, Kurti theksoi përgjegjësinë e Kuvendit në funksionimin e institucioneve dhe miratimin e ligjeve.

    “Kuvendi është pushtet i ndarë nga Qeveria, është një nga tri shtyllat e pushtetit në shtet demokratik. Përgjegjësia kryesore e Kuvendit është kalimi i ligjeve dhe mbikëqyrja e Qeverisë. Për të kryer këtë funksion Kuvendi duhet të jetë funksional. Ne jemi shoqëri me pluralizëm shoqëror dhe politik dhe për Kuvendin, si institucioni më i lartë përfaqësues e ligjvënës, kemi përgjegjësi të përbashkëta”, tha ai.

  • Nagavci: Kemi vetëm 11 ditë për zgjedhjen e presidentit, duhet strategji shtetërore pa protagonizma

    Nagavci: Kemi vetëm 11 ditë për zgjedhjen e presidentit, duhet strategji shtetërore pa protagonizma

    Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë se kanë mbetur vetëm 11 ditë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të reja, raporton Ekonomia Online.

    Ajo ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti do të bëjë gjithçka që është në mandatin e tij për të siguruar zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

    Këto deklarata Nagavci i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke theksuar se çështjet e rëndësishme për vendin duhet të adresohen përmes një strategjie shtetërore dhe pa protagonizma.

    “Besoj se shumë shpejt kryeministri Kurti do të bëjë të qartë takimet e radhës se si duhet të adresohen. Ju e dini se ka qenë në një diskutim zyrtar ku ka paraqitur edhe qëndrimet e tij e të shtetit të Kosovës në takime të rëndësishme, por besoj që edhe në këtë periudhë të mbetur, ashtu sikurse deri më tani prapa, pra që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, kryeministri Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje do të bëjë gjithçka që është në mandatin e tij, besoni, që të kemi institucione funksionale të zgjedhim presidentin edhe të shmangim, të shmangim zgjedhjet e reja”, tha ajo.

    Nagavci ka theksuar se koha në dispozicion është e kufizuar dhe ka kërkuar që çështjet me rëndësi shtetërore të trajtohen përmes një qasjeje të përbashkët.

    “Sikurse thashë, nga sot ne kemi vetëm 11 ditë që të zgjedhim presidentin e vendit, përndryshe do të shkojmë në zgjedhje të reja. Në këtë pikë është tejet e rëndësishme që si shtet çështjet që janë të rëndësishme t’i adresojmë me një strategji të mirëfilltë shtetërore, pa protagonizma”, tha ajo.

    Sa i përket projektligjit të iniciuar nga PDK-ja pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale, Nagavci ka thënë se deputetët e Vetëvendosjes dhe grupet e tjera parlamentare nuk janë konsultuar për këtë nismë.

    “Natyrisht se ne do të japim kontributet tona, por duhet të përmendet që askush, me sa unë jam në dijeni, nga Lëvizja Vetëvendosje, pra qoftë nga deputetët, qoftë nga kolegët bashkëpunëtorët tanë, nuk janë konsultuar në lidhje me këtë nismë të PDK-së. Pra, kjo duhet të jetë një nismë që na bashkon të gjithëve. Dhe ashtu sikurse veç e përmenda, jo vetëm që askush nga partitë, jo vetëm nga Lëvizja, por me sa e kuptova edhe nga partitë e tjera parlamentare nuk janë konsultuar në lidhje me këtë nismë. Me aq sa kam dëgjuar përfaqësuesin e PDK-së ka deklaruar që është një grup i ekspertëve, disa ekspertë, që nuk e di kush janë që kanë dhënë kontributet e tyre. Por, ajo që është e rëndësishme është që, me sa unë jam në dijeni, as ekipet mbrojtëse të katër krerëve të UÇK-së nuk janë konsultuar në lidhje me këtë projektligj”, tha ajo.

  • Operacion i madh kundër trafikut të drogës në Ekuador, mbi 30 të arrestuar

    Operacion i madh kundër trafikut të drogës në Ekuador, mbi 30 të arrestuar

    Mbi 30 persona janë arrestuar në Ekuador gjatë një operacioni të përbashkët të forcave ekuadoriane dhe amerikane, i cili kishte në shënjestër një grup të dyshuar me lidhje me kartelin meksikan Jalisco New Generation (CJNG).

    Operacioni u zhvillua në orët e para të së enjtes në disa qytete të Ekuadorit, ndërsa në të morën pjesë rreth 320 efektivë të policisë ekuadoriane dhe 50 pjesëtarë të Komandës Jugore të SHBA-së.

    Ministri i Brendshëm i Ekuadorit, John Reimberg, bëri të ditur se operacioni u zhvillua në bashkëpunim me trupat amerikane dhe Agjencinë Amerikane Kundër Drogës (DEA).

    Sipas autoriteteve ekuadoriane, më shumë se 30 shtetas të vendit u arrestuan nën dyshimin se i përkisnin një grupi me lidhje të drejtpërdrejta me CJNG. Rrjeti dyshohet se trafikonte kokainë nga Kolumbia drejt tregjeve ndërkombëtare, duke përdorur portet në jugperëndim të Ekuadorit.

    Operacioni është pjesë e bashkëpunimit të zgjeruar mes Ekuadorit dhe Shteteve të Bashkuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.

    Fushata e autoriteteve ekuadoriane kundër grupeve kriminale ka nxitur edhe kritika nga organizatat e të drejtave të njeriut, të cilat kanë raportuar raste të dyshuara të përdorimit të tepruar të forcës dhe shkeljeve të tjera.

    Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, i ka kundërshtuar këto kritika, duke argumentuar se vëmendja duhet të përqendrohet te viktimat e shkaktuara nga krimi i organizuar.

  • Musliu kërkon që ndërtesa e Qeverisë të ndriçohet me mesazhin “Jo në emrin tim!”

    Musliu kërkon që ndërtesa e Qeverisë të ndriçohet me mesazhin “Jo në emrin tim!”

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar që ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndriçohet urgjentisht me mesazhin “JO NË EMRIN TIM!”, lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

    Përmes një postimi në Facebook, Musliu ka thënë se vendimi i gjykatës nuk duhet t’i atribuohet popullit të Kosovës dhe se ai nuk përfaqëson, sipas saj, sakrificën e atyre që luftuan për lirinë e vendit.

    “Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë nuk guxon t’i atribuohet popullit të Kosovës. Nuk është në emër të atyre që luftuan për lirinë e Kosovës. Nuk është në emër të atyre që humbën më të dashurit e tyre. Nuk është në emër të sakrificës që solli lirinë”, ka shkruar Musliu.

    Ajo ka theksuar se një vendim gjyqësor nuk duhet të përcaktojë historinë e Kosovës në emër të një populli.

    “Dhe mbi të gjitha, nuk duhet të lejojmë që një vendim gjyqësor të shkruajë historinë tonë në emër të një populli që e di se çfarë ka përjetuar. JO NË EMRIN TIM!”.

  • Vuçiqi paralajmëron dorëheqjen të dielën, pas kthimit nga OKB-ja

    Vuçiqi paralajmëron dorëheqjen të dielën, pas kthimit nga OKB-ja

    Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka paralajmëruar dorëheqjen nga posti të dielën më 27 shtator, menjëherë pas kthimit nga Nju-Jorku, ku po merr pjesë në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

    Në një deklaratë për mediat serbe, ai tha se do t’i drejtohet publikut rreth orës 20:00, për të shpjeguar arsyet e vendimit.

    Vuçiq paralajmëroi se pas dorëheqjes do të përfshihet në fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit si qytetar i thjeshtë, me synimin për të garuar për postin e kryeministrit.

    Ai konfirmoi se para përfundimit të mandatit do të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, për të diskutuar fatin e Industrisë Serbe të Naftës, e cila është nën sanksione amerikane për shkak të pronësisë ruse, si dhe bashkëpunimin me Hekurudhat Ruse.

  • Vrasja e argjentinases në Kosovë – Anulohet seanca ndaj Endrit Nikës, mungon përkthyesi i gjermanishtes zvicerane

    Vrasja e argjentinases në Kosovë – Anulohet seanca ndaj Endrit Nikës, mungon përkthyesi i gjermanishtes zvicerane

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka anuluar seancën e rigjykimit ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e partneres së tij argjentinase, Maria Clara Urdangaray.

    Shkak për anulimin u bë dështimi i gjykatës për të siguruar një përkthyes të gjuhës gjermane zvicerane, dialekt të cilin sipas mbrojtjes flet i akuzuari.

    Mbrojtësi i tij, avokati Tomë Gashi, tha se përkthyesi i ofruar nga gjykata njeh gjermanishten standarde, por jo variantin zviceran. Kujtojmë se Nika ishte dënuar më herët me 18 vjet burgim për vrasje të rëndë, por rasti është kthyer në rigjykim.

    Ngjarja e rëndë kishte ndodhur në gusht të vitit 2023, kur 28-vjeçarja argjentinase humbi jetën pasi ra nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë Kosovë.

    Sipas prokurorisë, viktima ishte shtyrë pas një përleshjeje fizike në dhomë, ndërsa vetë Nika vazhdon të deklarohet i pafajshëm.

  • Ambasada e ShBA-së: Mezi presim të punojmë me Qeverinë dhe Kuvendin për avancimin e prioriteteve të përbashkëta

    Ambasada e ShBA-së: Mezi presim të punojmë me Qeverinë dhe Kuvendin për avancimin e prioriteteve të përbashkëta

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka konfirmuar gatishmërinë e saj për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet kryesore të vendit, Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, në funksion të shtyrjes përpara të prioriteteve të përbashkëta.

    Përmes një komunikate zyrtare, selia diplomatike amerikane ka theksuar se në thelb të këtij partneriteti mbeten siguria, zhvillimi dhe ruajtja e stabilitetit në tërë rajonin.

    “Ambasada e SHBA-së pret me padurim të punojë me Qeverinë dhe Kuvendin për të avancuar prioritetet e përbashkëta, përfshirë paqen rajonale, stabilitetin dhe prosperitetin e ndërsjellë”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

    Deklarata e Ambasadës vjen në kohën kur pritet të nis mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e para në këtë legjislaturë.

  • I dhanë para me fajde një personi, arrestohen dy persona në Gjakovë

    I dhanë para me fajde një personi, arrestohen dy persona në Gjakovë

    Policia e Kosovës ka arrestuar të enjten dy persona në Gjakovë nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Fajde”.

    Sipas raportit 24-orësh, të dyshuarit i kishin dhënë para me kamatë (fajde) një burri.

    Gjatë kontrollit të realizuar në shtëpitë e tyre, forcat policore kanë gjetur dhe sekuestruar disa fishekë, si dhe dëshmi të tjera materiale që ndërlidhen me rastin.

    Lidhur me ngjarjen, me urdhër të prokurorit kujdestar, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Haxhiu priti ambasadorin jorezident të Mbretërisë së Danimarkës në Kosovë, diskutohet për zhvillimet aktuale

    Haxhiu priti ambasadorin jorezident të Mbretërisë së Danimarkës në Kosovë, diskutohet për zhvillimet aktuale

    U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Ambasadorin jorezident të Mbretërisë së Danimarkës në Kosovë, Christian Grønbech-Jensen.

    Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, zhvillimet aktuale në vend, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

    Haxhiu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës ndaj Kosovës dhe për kontributin e saj ndër vite në paqe, siguri dhe zhvillim.

    U.d. Presidentja dhe Ambasadori Grønbech-Jensen rikonfirmuan gatishmërinë për vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.