ATV

Author: G.O.

  • Klubi i njohur gjerman shkruan për Franco Fodën dhe arritjet e tij me Kosovën

    Klubi i njohur gjerman shkruan për Franco Fodën dhe arritjet e tij me Kosovën

    Klubi gjerman Bayer Leverkusen i ka kushtuar një shkrim të veçantë trajnerit të Kosovës, Franco Foda, me rastin e 60-vjetorit të lindjes së tij, duke rikujtuar karrierën e pasur si futbollist dhe trajner.

    Foda, i lindur më 23 prill 1966 në Mainz, ka bërë emër në futbollin gjerman që në moshë të re, duke debutuar në Bundesliga në vitin 1983.

    Ai ishte pjesë e disa skuadrave të njohura, por një kapitull i rëndësishëm i karrierës së tij lidhet pikërisht me Bayer Leverkusenin, ku zhvilloi 140 ndeshje dhe shënoi 10 gola.

    Me këtë klub, ai arriti një nga sukseset më të mëdha si lojtar, duke fituar Kupën e Gjermanisë në vitin 1993 si kapiten i ekipit. Gjatë karrierës së tij, ai fitoi të njëjtin trofe edhe me FC Kaiserslautern dhe më pas me VfB Stuttgart.

    Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Foda ndërtoi një profil të fortë si trajner, veçanërisht me Sturm Graz, me të cilin fitoi titullin kampion në Austri. Ai drejtoi gjithashtu Austrinë, duke e çuar në një sukses historik në Euro 2020, ku arriti për herë të parë në fazën e 1/8 së finales.

    Në shkrimin e tij, Bayer Leverkusen ka vlerësuar edhe punën e Fodës me Kosovën. Që nga viti 2024, ai është në krye të “Dardanëve”, duke ndërtuar një ekip konkurrues dhe të organizuar, që arriti deri në finalen e play-offit për Kupën e Botës 2026.

    Paraqitjet e Kosovës nën drejtimin e tij janë cilësuar si dëshmi e rritjes së vazhdueshme të ekipit, ndërsa Foda vazhdon të mbetet një figurë e respektuar në futbollin evropian.

    Klubi gjerman në fund i ka uruar trajnerit shëndet dhe suksese në karrierën e tij të mëtejshme.

  • Kosova ngjitet në ranglistën e FIFA-s pas kampanjës pozitive, arrin renditjen më të mirë në histori

    Kosova ngjitet në ranglistën e FIFA-s pas kampanjës pozitive, arrin renditjen më të mirë në histori

    Pavarësisht disfatës ndaj Turqisë në finalen e play-offit, Kombëtarja e Kosovës ka marrë një lajm pozitiv nga renditja më e fundit e FIFA-s.

    “Dardanët” kanë shënuar ngritje në klasifikim, duke kaluar nga pozita e 79-të në vendin e 78-të në botë – që njëkohësisht përbën renditjen më të mirë në historinë e ekipit.

    Ky progres vjen si rezultat i paraqitjeve solide në ndeshjet e fundit, sidomos fitores dramatike 4-3 ndaj Sllovakia në gjysmëfinalen e play-offit të zhvilluar në Bratislavë.

    Renditja e re u publikua të mërkurën, ndërsa ajo reflekton rritjen e vazhdueshme të Kosovës në arenën ndërkombëtare, pavarësisht se ëndrra për kualifikim në Kampionatin Botërorin 2026 u ndal në hapin e fundit.

    Në anën tjetër, Shqipëria ka pësuar rënie të lehtë, duke zbritur nga vendi i 63-të në të 64-in pas dy humbjeve të fundit.

    Sa i përket kreut të renditjes, Franca ka marrë vendin e parë, duke lënë pas Spanjën, ndërsa Argjentina e Lionel Messi zbret në pozitën e tretë.

  • Kryeministri Kurti priti në takimin Shefin e Misionit të EULEX-it, Barbano

    Kryeministri Kurti priti në takimin Shefin e Misionit të EULEX-it, Barbano

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Shefin e Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

    Në takim, u shpreh vlerësimi për punën e EULEX-it në Kosovë, me theks roli në monitorimin e institucioneve të drejtësisë dhe kontributi në avancimin e sundimit të ligjit.

    Në këtë kontekst, pati dakordim se sfidat në sistemin gjyqësor vazhdojnë të jenë të pranishme, veçanërisht në aspektin e vonesave në trajtimin e rasteve, menaxhimit joefikas të tyre dhe mungesës së konsistencës në vendimmarrje. U theksua nevoja për reforma të thella që rrisin disiplinën, llogaridhënien dhe efikasitetin e gjyqësorit.

    Palët u pajtuan që digjitalizimi është element kyç në dobi të transparencës dhe llogaridhënies së sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Po ashtu, u theksua se është e domosdoshme që sistemi elektronik për menaxhimin e lëndëve të zbatohet nga çdo gjykatës dhe prokuror.

    EULEX-i mbetet një partner i rëndësishëm për Kosovën në fushën e sundimit të ligjit.

    Kryeministri riafirmoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj ligjshmërisë e legalitetit dhe si rrjedhojë, vazhdimin e reformave që sigurojnë drejtësi efikase, transparente dhe llogaridhënëse.

  • Ekstradohet nga Zvicra për në Kosovë, i dyshuari kërkohej për mashtrim

    Ekstradohet nga Zvicra për në Kosovë, i dyshuari kërkohej për mashtrim

    Policia e Kosovës, me njësitet e saj nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, me datë 01.04.2026 kanë bërë ekstradimin e shtetasit Kosovar B.Z. nga Zvicra për në Kosovë.

    I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane pasi që i njëjti kërkohej përmes Interpolit me letër rreshtim ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale “Mashtrim” dhe se i njëjti iu ishte shmangur drejtësisë.

    “Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre Zvicerane”.

    “Policia e Kosovës do vazhdoj me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, njofton Policia.

  • Azemi për njehësorët: Ditët në vazhdim do t’i drejtohem Prokurorisë Specialë për KEDS dhe MINT

    Azemi për njehësorët: Ditët në vazhdim do t’i drejtohem Prokurorisë Specialë për KEDS dhe MINT

    Visar Azemi , nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në një konferencë për media ka njoftuar se do t’u drejtohet prokurorisë speciale lidhur me njehësorët elektrike, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka thënë se nëse Ministria e Industrisë dhe Tregtisë ka dalë me i heqë njehësorët elektrikë ku ka qenë më herët.

    “Dhe sot pikërisht e mësuam se ku paska qenë edhe problemi dhe shtylla kryesore ku duhet me u bazuar i gjithë ky skandal. Pra shteti e paska pasur fjalën e vet, të cilën nuk e paska ushtruar asnjëherë. Nëse Ministria e Industrisë dhe Tregtisë sot paska dalë me i hequr njësorët elektrikë, atëherë pyetja e thjeshtë është: ku paskan qenë këta gjithë këto vite që nuk paskan reaguar? Të dy palët madje, edhe KEDS-i edhe Ministria, e konfirmojnë që kanë pasur ankesa prej qytetarëve. Pra paska pasur ankesa edhe në KEDS, edhe në Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë, po pse s’paskan reaguar? Pra, Ministria ka rregullore, e ka Agjencinë e Metrologjisë, i cili është rregullues i këtyre pajisjeve që matin. Pra nuk paskan bërë punën e vet, nuk kanë licencuar asnjë laborator të pavarur për me i bërë këto matje në formë të drejtë dhe të pavarur, dhe rrjedhimisht i kanë lejuar operatorët ekonomikë sikurse KEDS në këtë rast, me manipuluar me njësorë elektrikë. Pra shteti paska dështuar dhe mend paska reaguar vetëm kur ka plasur skandali nga ne. Pra, nuk pajtohem me qasjen e MINT-it në këtë rast, të ministrisë dhe të pushtetit, sepse këta po thonë që nga sot do t’i pranojmë edhe ankesat e qytetarëve dhe do ta marrim këtë çështje pak më me seriozitet. Pyetja është çka do të bëni me rastet të cilat janë manipuluar deri tash? Me të gjitha ato kërkesa të qytetarëve që nuk i keni adresuar deri tash?”, tha Azemi para medieve.

    Ai bëri thirrje që organet kompetente t’i hetojnën të dy institucionet edhe KEDS edhe MINT.

    “Ne thërrasim organet kompetente që t’i hetojnë edhe KEDS-in, edhe Ministrinë, sepse këtu kemi të bëjmë me një skandal super-serioz dhe super të madh. Pra nuk mundesh as KEDS-i e as Ministria me dalë me i tërhequr këta njësorë, sepse sot dy palët kanë tërhequr nga shtëpitë dhe banesat tona njësorë elektrikë, me pretenduar që janë raste të izoluara pa pasur një hetim të plotë nga organet e hetuesisë. Prandaj, unë me të drejtë po e them që në dështimin e shtetit në këtë rast, qytetarët janë penalizuar dhe edhe Ministria, edhe KEDS-i duhet me u hetuar deri në fund. Pra nuk po flasim për toleranca teknike, po flasim për skema të manipulimeve në shkallë të madhe të vendit. Mua në ditët në vazhdim nuk më mbetet gjë tjetër pos me i u drejtuar Prokurorisë së Shtetit, Prokurorisë Speciale, për KEDS-in dhe Ministrinë e Industrisë, në mënyrë që ky rast të gjejë zgjidhje sa më shpejt. Qytetarët e dëmtuar me të drejtë po kërkojnë kompensimin e tyre dhe kjo do të jetë ndoshta edhe kërkesa kryesore e këtij skandali të zbardhur. Po e përsëris: ku ishte shteti i cili nuk i mbrojti qytetarët e vet, e la KEDS-in me manipuluar me njësorë elektrikë dhe reagoi vetëm në momentin kur plasi skandali tyre nga ne” tha Azemi.

  • Kurti kujton masakrën në Lybeniq të Pejës: Serbia mohon të kaluarën e saj, është strehë e kriminelëve të luftës

    Kurti kujton masakrën në Lybeniq të Pejës: Serbia mohon të kaluarën e saj, është strehë e kriminelëve të luftës

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar të vrarit në masakrën e Lybeniqit të Pejës, duke thënë se, drejtësia për këtë krim në Serbi, është zvarritur dhe mjegulluar.

    Kurti ka thënë se dëshmia më e madhe se sakrifica e martirëve u shndërrua në liri, në zhvillim dhe në një të ardhme më të ndritur për të gjithë, është fakti se Kosova, nga një vend i shkatërruar nga lufta, sot është një shtet që krijon mundësi dhe që u jep shpresë brezave të rinj.

    “Serbia, duke refuzuar të ballafaqohet me të kaluarën e saj, mbetet peng i saj, tokë e varrezave masive, e strehë e kriminelëve të luftës’’, ka shkruar Kurti.

    Postimi:

    Më 1 prill të vitit 1999, në agimin e një dite pranvere, forcat e armatosura të Serbisë rrethuan fshatin Lybeniq të Pejës. Në orën 07:00 të mëngjesit, pjesëtarë të njësitit “Çakejt”, në kuadër të njësitit “177” të ushtrisë jugosllave, bashkë me pjesëtarë të njësitit ushtarak të Mbrojtjes Territoriale, e sulmuan fshatin, me një plan të errët shfarosjeje.

    Brenda pak çastesh, banorët u dëbuan nga shtëpitë e tyre, u mblodhën në mes të fshatit, pranë xhamisë. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit u ndanë dhe u dëbuan, ndërsa 59 burrat u vranë me rafalë të pandalshëm armësh automatike.

    Në Serbi, drejtësia për këtë krim është zvarritur dhe mjegulluar, një drejtësi e cunguar në një shtet gjenocidal.

    Por përballë mohimit të tyre, qëndron e vërteta jonë. Përballë errësirës së djeshme, sot qëndron Kosova e lirë, demokratike që po punon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

    Serbia, duke refuzuar të ballafaqohet me të kaluarën e saj, mbetet peng i saj, tokë e varrezave masive, e strehë e kriminelëve të luftës.

    Ndërkohë, Republika e Kosovës po forcohet çdo ditë. Po rrisim kapacitetet mbrojtëse me ushtarë të rinj dhe një ushtri gjithnjë e më të përgatitur, po fuqizojmë Policinë dhe po avancojmë drejtësinë. Numri i hetimeve, aktakuzave dhe gjykimeve për krime lufte është në rritje, ndërsa dokumentimi i së vërtetës po bëhet nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.

    Shteti ynë u qëndron pranë familjeve të dëshmorëve dhe martirëve përmes përkushtimit institucional, përfshirë Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

    Nga një vend i shkatërruar nga lufta, sot kemi një shtet që krijon mundësi dhe që u jep shpresë brezave të rinj. Kjo është dëshmia më e madhe se sakrifica e martirëve u shndërrua në liri, në zhvillim dhe në një të ardhme më të ndritur për të gjithë.

  • Nis verifikimi i njëhsorëve elektrikë, disa që kishin mospërputhje të kohës tërhiqen

    Nis verifikimi i njëhsorëve elektrikë, disa që kishin mospërputhje të kohës tërhiqen

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se ka filluar verifikimi i ankesave të para nga konsumatorët për njehsorët elektrikë, shkruan Reporteri.net.

    Në njoftimin e Ministrisë thuhet se njehsorët, që janë vërejtur se kanë mospërputhje të kohës, janë tërhequr nga funksioni dhe janë sjellë për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës.

    Sipas MINT, rezultatet e verifikimeve të njehsorëve të parë pritet të dalin së shpejti.

    “Komisioni i posaçëm i themeluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) për trajtimin e ankesave të konsumatorëve për njehsorët elektrikë, sot gjatë ditës ka dalë në terren bashkë me Inspektoratin Qendror të Tregut. Njehsorët, që janë vërejtur se kanë mospërputhje të kohës, janë tërhequr nga funksioni dhe janë sjellë për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës. Rezultatet e verifikimeve të njehsorëve të parë pritet të dalin së shpejti dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, konkretisht Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, iu bënë thirrje të gjithë qytetarëve që parashtrojnë ankesa në adresën elektronike [email protected], të bashkëngjisin numrin e telefonit dhe adresën e banimit, në mënyrë që verifikimi të realizohet në kohën më të shpejtë të mundshme”, thuhet në njoftim.

  • Përdori AI për të shkruar recension libri, New York Times largon nga puna gazetarin

    Përdori AI për të shkruar recension libri, New York Times largon nga puna gazetarin

    New York Times ka ndërprerë bashkëpunimin me një gazetar freelancer pasi zbuloi se ai kishte përdorur inteligjencën artificiale për të ndihmuar në shkrimin e një recensioni libri, i cili përmbante elemente të ngjashme me një recension të të njëjtit libër të botuar në The Guardian.

    Kjo ndodhi pasi një lexues i New York Times sinjalizoi ngjashmëri mes recensionit të janarit për librin Watching Over Her nga Jean-Baptiste Andrea, i shkruar nga autori dhe gazetari Alex Preston, dhe një recensioni të gushtit për të njëjtin libër të shkruar nga Christobel Kent në The Guardian.

    The New York Times nisi një hetim, gjatë të cilit Preston pranoi se kishte përdorur AI për të ndihmuar në shkrimin e recensionit dhe nuk kishte vënë re pjesët që ishin marrë nga The Guardian përpara se ta dorëzonte. Në një deklaratë për The Guardian të martën, Preston deklaroi se ishte “jashtëzakonisht i turpëruar” dhe se kishte “bërë një gabim serioz”.

    The New York Times njoftoi The Guardian për përputhjet përmes një emaili të dërguar të hënën dhe shtoi një shënim redaktorial në recension, duke pranuar përdorimin e AI dhe duke lidhur artikullin e Guardian.

    “Një lexues së fundmi njoftoi Times se ky recension përfshinte gjuhë dhe detaje të ngjashme me ato në një recension të të njëjtit libër të botuar në The Guardian,” thuhet në shënimin redaktorial.

    “Ne folëm me autorin e këtij shkrimi, një recensent freelancer, i cili na tha se kishte përdorur një mjet AI që kishte përfshirë materiale nga recensioni i Guardian në draftin e tij, të cilat ai nuk arriti t’i identifikonte dhe t’i hiqte. Mbështetja e tij te AI dhe përdorimi i punës së një autori tjetër pa citim përbëjnë një shkelje të qartë të standardeve të Times.”

    Gjuha që duket se është marrë nga recensioni i Guardian përfshin përshkrime personazhesh – “Stefano makiavelian dhe dembel” shfaqet si “Stefano dembel, makiavelian” në versionin e New York Times – si dhe vlerësimin përfundimtar të romanit: recensioni i Guardian thotë se libri është “mbi të gjitha një këngë dashurie për një vend kontradiktash, të goditur, të shkatërruar nga lufta, të përçarë, të gabuar dhe të mrekullueshëm: një Itali ku jeta është kostum dhe performancë arti, dhe ku cirqet lindin në toka të braktisura”; ndërsa versioni i New York Times thotë se personazhet “popullojnë atë që në fund është një këngë dashurie për një vend kontradiktash: i goditur, i përçarë, i gabuar dhe i mrekullueshëm. Kjo është një Itali ku jeta është performancë, ku cirqet ngrihen në toka të braktisura.”

    Një zëdhënës i New York Times i tha The Guardian se Preston nuk do të shkruajë më për gazetën. Preston kishte shkruar gjashtë recensione për gazetën midis viteve 2021 dhe 2026, por i tha New York Times se nuk kishte përdorur AI për artikujt e tjerë.

    “Bëra një gabim serioz duke përdorur një mjet AI në një draft recensioni që kisha shkruar dhe nuk arrita të identifikoj dhe heq gjuhën e mbivendosur nga një recension tjetër që AI kishte përfshirë,” tha Preston në deklaratën e tij për The Guardian. “Jam jashtëzakonisht i turpëruar për atë që ndodhi dhe sinqerisht më vjen keq. Mora përgjegjësinë menjëherë dhe kërkova falje ndaj New York Times, dhe dua gjithashtu t’i kërkoj falje Christobel Kent dhe The Guardian.”

    Preston ka shkruar gjerësisht për The Observer dhe Financial Times, si dhe ka kontribuar në The Guardian dhe The Economist. Ai është autor i gjashtë librave, ku më i fundit, A Stranger in Corfu, u botua në shkurt, dhe gjithashtu është drejtues i këshillimit në firmën e menaxhimit të investimeve Man Group. Më herët këtë vit, ai shkroi një artikull për faqen e Man Group me titull The AI Bubble: Hidden Risks and Opportunities.

  • ZRrE: Po monitorojmë situatën me njehsorë, nëse konstatohen gabime do merren masa

    ZRrE: Po monitorojmë situatën me njehsorë, nëse konstatohen gabime do merren masa

    Zyra e Rregullatorit për Energji ka deklaruar se është duke monitoruar situatën me njehsorë, dhe se, është duke grumbulluar informata me qëllim të sigurimit të një matjeje të drejtë dhe të saktë të konsumit të energjisë elektrike.

    Tutje, në reagimin e ZRRE’së, apelohet tek të gjithë konsumatorët se, në rast që hasin në probleme të tilla që fillimisht t’i drejtohen KEDS’it, për verifikim dhe inspektim të njehsorit elektrik.

    “ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi’’, thuhet mes tjerash në reagimin.

    Postimi:

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njofton opinionin publik dhe të gjithë konsumatorët e energjisë elektrike lidhur me shqetësimet e raportuara për devijimin e mundshëm të orëve tarifore në faturimin e energjisë elektrike, se është duke e monitoruar situatën me kujdes të shtuar dhe në vazhdimësi, duke grumbulluar informata, me qëllim të sigurimit të një matjeje të drejtë dhe të saktë të konsumit të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët dhe që reflekton një faturim të drejtë.

    ZRRE apelon te të gjithë konsumatorët që në rast se hasin në probleme të tilla që fillimisht t’i drejtohen Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS), për verifikim dhe inspektim të njehsorit elektrik.

    ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi.

    Theksojmë se KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe operojnë në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi. Të hyrat e tyre përcaktohen nga ZRRE, gjë që e kufizon mundësinë për të përfituar nga gabimet eventuale në matjen e energjisë elektrike. Gabimet e tilla, nëse ndodhin mund të kenë efekt të përkohshëm deri në identifikimin dhe korrigjimin e tyre.

    Gjithashtu, informojmë se në bazë të legjislacionit në fuqi, përgjegjës për shqyrtimin dhe kalibrimin e njehsorëve elektrik është Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, institucion kompetent për garantimin e saktësisë së pajisjeve matëse.

    ZRRE mbetet i përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.

  • Dogana kap mallra të padeklaruara në Vërmicë

    Dogana kap mallra të padeklaruara në Vërmicë

    Dogana e Kosovës, ka njoftuar se në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, është ndaluar për kontroll një automjet me targa të huaja.

    Gjatë procedurës së rregullt, drejtuesi i automjetit është pyetur nga zyrtarët doganorë nëse kishte mallra për të deklaruar, me ç’rast ai ka deklaruar se nuk posedon asgjë për deklarim.

    Bazuar në analizën e riskut dhe në bashkëpunim me zyrtarët policorë, automjeti është dërguar për kontroll në vijën e dytë.Gjatë kontrollit të detajuar është konstatuar se në automjet ndodheshin mallra të padeklaruara, me një vlerë të përafërt rreth 1,500 euro.Personi përgjegjës, shtetas i huaj, është proceduar në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndërsa ndaj rastit janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore.Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe në luftimin e dukurive të kundërligjshme, duke siguruar trajtim të barabartë për të gjithë dhe mbrojtje të ekonomisë së vendit.