ATV

Author: G.O.

  • Ministria e Bujqësisë nis takimin e punës me delegacionin nga Shqipëria

    Ministria e Bujqësisë nis takimin e punës me delegacionin nga Shqipëria

    Ka filluar takimi i punës ndërmjet delegacioneve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës dhe të Shqipërisë.

    Para takimit të delegacioneve, është zhvilluar një takim bilateral ndërmjet ministrit Armend Muja dhe homologut të tij, Andis Salla.

    Pas takimit, do të mbahet një konferencë për media.

  • OKB do të votojë për rezolutën e Hormuzit, Kina e kundërshton autorizimin e forcës

    OKB do të votojë për rezolutën e Hormuzit, Kina e kundërshton autorizimin e forcës

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të votojë të premten për një rezolutë të Bahreinit për të mbrojtur anijet tregtare në dhe përreth Ngushticës së Hormuzit, thanë diplomatët, por Kina me veto e bëri të qartë kundërshtimin e saj ndaj çdo autorizimi për përdorimin e forcës.

    Çmimet e naftës janë rritur që kur SHBA-të dhe Izraeli goditën Iranin në fund të shkurtit, duke nisur një konflikt që tani ka tejkaluar një muaj dhe në mënyrë efektive e mbylli ngushticën për trafikun detar.

    Diplomatët thanë se Bahreini, i cili aktualisht kryeson Këshillin e Sigurimit me 15 anëtarë, finalizoi një draft-rezolutë të parë nga Reuters që do të autorizonte “të gjitha mjetet mbrojtëse të nevojshme” për të mbrojtur anijet tregtare, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

    “Ne presim me padurim një qëndrim të unifikuar nga ky Këshill i nderuar gjatë votimit që do të zhvillohet për draft-rezolutën nesër, me vullnetin e Zotit”, i tha këshillit Ministri i Jashtëm i Bahreinit, Abdullatif bin Rashid Al Zayani. Bahreini, i mbështetur në përpjekjet e tij për të siguruar një rezolutë nga shtetet e tjera arabe të Gjirit dhe Uashingtoni, më parë kishte hequr dorë nga një referencë e qartë për zbatimin detyrues në një përpjekje për të kapërcyer kundërshtimet nga kombet e tjera, veçanërisht Rusia dhe Kina.

  • Arrestohet një grua në Podujevë, dyshohet për keqtrajtim të fëmijëve

    Arrestohet një grua në Podujevë, dyshohet për keqtrajtim të fëmijëve

    Një grua është arrestuar në Podujevë nën dyshimin për keqtrajtim apo braktisje të fëmijëve. Rasti ka ndodhur më 2 prill 2026, rreth orës 16:55.

    Sipas policisë e dyshuara ka kryer veprën penale të keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijëve. Pas arrestimit, ajo është dërguar për trajtim mjekësor.

    Me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje.

    “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijëve./Podujevë / 02.04.2026 – 16:55. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare pasi që dyshohet se kishte kryer veprën e lartcekur. E dyshuara është dërguar për tretman mjekësor dhe e njëjta me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

  • Shkatërrohet laboratori i drogës në Prizren, Prokuroria kërkon paraburgim për të pandehurit

    Shkatërrohet laboratori i drogës në Prizren, Prokuroria kërkon paraburgim për të pandehurit

    Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pas hetimeve të zhvilluara, më 02.04.2026 kanë zhvilluar një aksion në Prizren, ku është zbuluar një laborator droge për kultivimin e bimës narkotike kanabis sativa, dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar, si dhe janë asgjësuar rreth 300 bimë kanabis sativa të kultivuara në laborator.

    Lidhur me këtë çështje penale, i pandehuri M.M., në bashkëkryerje me I.M., pa autorizim, kanë kultivuar bimët me qëllim prodhimin e sasisë së madhe të narkotikëve dhe përgatitjen e tyre për shitje.

    “Gjatë kontrollit, janë sekuestruar mbi 700 vazo për kultivimin e bimëve narkotike, pajisje për ndriçim, ngrohje dhe ventilim të bimëve (motora, trafo, klimë, lidhëse dhe termostat); thasë me dhe, bidona me preparate për rritjen e bimëve, dhe libra/udhëzues për kultivimin e kanabis sativa, gjethe dhe bimë të dyshuara narkotike me peshë mbi 90 gram; substanca narkotike 1.19 gram marihuanë dhe 0.41 gram kokainë, pajisje shtesë laboratorike, përfshirë pompë spërkatjeje, matës të lagështisë dhe temperaturës, dhe mbushës radiolidhjeje, një pistoletë, 29 fishekë, një veturë ‘Hundai pa targa, dhe një furgon që kanë shërbyer për transportin e narkotikëve dhe të pajisjeve për kultivimin e tyre, si dhe prova të tjera materiale”, thuhet në njoftim.

    Me këto veprime, të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Të pandehurit, gjendet në ndalim 48 orësh, dhe për të njëjtit Prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit. /Telegrafi/

  • Tri raste të kalimit ilegal të kufirit brenda një dite në Kosovë

    Tri raste të kalimit ilegal të kufirit brenda një dite në Kosovë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për tri raste të ndryshme të kalimit ilegal të kufirit vetëm gjatë ditës së djeshme në Kosovë.

    Sipas raportit 24-orësh, rasti i parë ka ndodhur me një shtetas të Maqedonisë së Veriut, i dyti me një shtetas të Turqisë, ndërsa i treti me një shtetas kosovar.

    Në të tri rastet, të dyshuarit janë shoqëruar në polici dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.

    “Hani i Elezit/ 02.04.2026 – 13:25. Është ndaluar i dyshuari mashkull shtetas i Maqedonisë Veri, nën dyshimin se ka kaluar ilegalisht kufirin R. Maqedoni Veri për në R. Kosovë. Me vendim të prokurorit i dyshuari, është liruar në procedurë të rregullt.

    Hani i Elezit / 02.04.2026 – 13:40.Është ndaluar i dyshuari mashkull shtetas i Turqisë nën dyshimin se ka kaluar ilegalisht kufirin R. Maqedoni Veri për në R. Kosovë. Me vendim të prokurorit i dyshuari, është liruar në procedurë të rregullt.

    Fsh. Bube, Zubin Potok / 02.04.2026 – 20:45.Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar, pasi që me veturë dyshohet se kishte kaluar kufirin ilegalisht nga Serbia për në R. Kosovës. Në veturën e të dyshuarit janë gjetur edhe mallra të ndryshme pa dokumente përkatëse. Me vendim të prokurorit, vetura me mallra është dërguar në terminal doganor, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Çmime rekord të karburantit në Gjermani, një litër naftë në disa pompa arrin deri në tri euro

    Çmime rekord të karburantit në Gjermani, një litër naftë në disa pompa arrin deri në tri euro

    Pavarësisht masave të qeverisë gjermane për të parandaluar rritjen e çmimeve të karburantit , disa derivate të tilla si nafta arritën çmime rekord historik të enjten përpara festave të Pashkëve.

    Çmimi mesatar i një litri naftë në stacionet e benzinës në Gjermani u rrit në një rekord prej 2.32 eurosh të enjten, dhe në disa vende madje edhe 3 euro, njoftoi Klubi Gjerman i Automobilave (ADAC). I gjithë super çmimi është gjithashtu më i larti ndonjëherë me 2.19 euro.

    Kjo tejkaloi rekordin e vendosur në mars të vitit 2022, kur çmimet u rritën për shkak të luftës në Ukrainë.

    Rritja rekord e çmimeve ndodhi vetëm një ditë pasi hynë në fuqi masat kundër rritjes së pakontrolluar të çmimeve të produkteve të naftës. Që nga 1 prilli, stacionet e benzinës lejohen të rrisin çmimet vetëm një herë në ditë, në mesditë.

    ADAC kritikoi rritjen e çmimeve, duke pasur parasysh se çmimet e naftës bruto ranë në gjysmën e parë të javës. “Frika se kompanitë e naftës, të cilave tani u lejohet të rrisin çmimet vetëm një herë në ditë, do ta bënin këtë në mënyrë drastike për të mbrojtur veten, ka rezultuar e justifikuar”, tha ADAC. Rritja e fundit e çmimeve ka rritur presionin mbi qeverinë gjermane, e cila është kritikuar për reagimin e saj të dobët ndaj shokut të naftës.

    Aktualisht, po diskutohet mundësia e futjes së lehtësirave shtesë tatimore për udhëtimet me makinë, si dhe ulja e taksave mbi produktet energjetike, siç është rasti me disa vende të tjera të BE-së.

    Pak ditë më parë, Polonia njoftoi se do të “monitoronte” dhe nëse do të ishte e nevojshme të reagonte ndaj fenomenit në stacionet e benzinës në zonën kufitare me Gjermaninë, ku ka pasur mungesa ditët e fundit për shkak të mbërritjes masive të shoferëve gjermanë në Poloni, ku karburanti është shumë më i lirë.

    Ministri gjerman i Financave dhe zëvendëskancelari Lars Klingbeil (Partia Socialdemokrate e Gjermanisë SPD) u dërgoi një letër disa ministrive të enjten duke kërkuar masa urgjente për të parandaluar rritjen e çmimeve të energjisë dhe inflacionin.

  • Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi

    Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi

    Mbledhja e paralajmëruar e Komisionit për Ekonomi të Kuvendit të Kosovës nuk është mbajtur sot, për shkak të mungesës së përfaqësuesve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) dhe anëtarëve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Në këtë mbledhje ishte paraparë që Bordi i ZRRE-së të raportonte lidhur me tarifat e reja të energjisë elektrike, por mungesa e palëve kryesore bëri të pamundur zhvillimin e saj.

  • Artemis II kap pamje mahnitëse të Tokës nga hapësira e thellë

    Artemis II kap pamje mahnitëse të Tokës nga hapësira e thellë

    Ekipi i misionit Artemis II mission NASA ka realizuar një fotografi të jashtëzakonshme të Tokës nga rreth 70,000 kilometra largësi, duke shënuar një moment historik në eksplorimin hapësinor.

    Ky udhëtim përfaqëson distancën më të madhe të arritur nga njerëzimi që nga Apollo missions NASA në vitin 1972, duke ofruar një perspektivë unike të planetit tonë nga hapësira e thellë.

    Fotografia dëshmon për përparimin e NASA në zgjerimin e kufijve të eksplorimit dhe përgatitjet për misionet e ardhshme drejt Hënës, duke rikthyer njerëzimin në një epokë të re të udhëtimeve hapësinore.

  • S’ka lëvizje drejt konsensusit për çështjen e presidentit, pavarësisht rrjedhjes së afatit

    S’ka lëvizje drejt konsensusit për çështjen e presidentit, pavarësisht rrjedhjes së afatit

    Partitë kryesore politike në Kosovë ende nuk kanë bërë ndonjë lëvizje drejt arritjes së një marrëveshjeje të mundshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, pavarësisht se ka një javë që po rrjedh afati rreth njëmujor i vendosur nga gjykata më e lartë e vendit për këtë çështje.

    Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese u dha ligjvënësve 34 ditë kohë për ta zgjedhur kreun e shtetit, në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati më 4 prill dhe ligjvënësit kanë tani kohë deri më 28 prill për ta emëruar pasuesin e saj.

    Megjithatë, që nga nxjerrja e aktgjykimit për këtë afat, kanë kaluar shtatë ditë, e veprime në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje apo arritjes së një marrëveshjeje për presidentin nuk janë parë në publik.

    Burime të Radios Evropa e Lirë (REL) brenda dy partive më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), konfirmuan se ende nuk kanë pranuar ftesë për takim nga kryeministri Albin Kurti, kryetari i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

    Në PDK thanë se janë duke organizuar mbledhjen e Këshillit Drejtues dhe se në këtë organ “do të përcaktohen qëndrimet zyrtare të partisë në raport me zhvillimet politike në vend”.

    “Pas këtij procesi të brendshëm, PDK-ja do të dal me një qëndrim të qartë dhe të unifikuar për hapat e mëtejmë”, tha një zyrtar nga kjo parti.

    Dy ditë më parë, kryeministri Kurti paralajmëroi se do t’iu dërgojë ftesa liderëve të partive politike, por nuk tregoi se kur.

    Ai shtoi se do ta bënte këtë pas “konsultimeve të brendshme”, pa dhënë më shumë hollësi.

    “Sa është e rëndësishme që ta trajtojmë me urgjencë është e rëndësishme edhe që të kemi edhe sukses. Sepse, në fund të fundit, nuk do të matemi me përpjekjet që bëjmë, por me suksesin që e arrijmë”, theksoi Kurti më 30 mars.

    Politologu Dritëro Arifi vlerëson për REL-in se Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i tërheqë dy kandidatët e propozuar për president, Glauk Konjufcën e Fatmire Mullhaxha-Kollçakun, që të krijojë hapësirë për diskutime me partitë e tjera.

    “Esenca është a do të dërgojnë sinjale paraprake, siç thashë me largimin e atyre kandidatëve. Ata duhet ‘të japin dorëheqje’ teknikisht, që krijohet hapësirë për negociata më serioze”, thekson Arifi, duke shtuar se kësisoj diskutimet do të mund të zhvilloheshin në frymë kompromisi.

    Zgjedhja e presidentit të ri dështoi në fillim të muajit të kaluar pikërisht për shkak të mungesës së një marrëveshjeje mes partive.

    Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, nuk u hodhën fare në votim në mungesë të kuorumit.

    Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, tha të mërkurën se çështja e zgjedhjes së presidentit varet nga takimet që do të zhvillohen.

    Sipas tij, Vetëvendosje ka “vullnetin dhe gatishmërinë” që të gjejë një kompromis.

    “Uroj që (përfaqësuesit e partive opozitare) do të reflektojnë pozitivisht dhe Kosova ta tejkalojë këtë krizë të panevojshme, e cila ka rrezik që të na çojë në zgjedhje, prapë po them të panevojshme”, tha Abrashi për agjencinë e lajmeve “EkonomiaOnline”.

    Pas publikimit të aktgjykimit të Kushtetueses, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se përgjegjësia kryesore për çështjen e presidentit mbetet te shumica parlamentare.

    “LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve. Por, njëkohësisht, nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt”, tha ai.

    Nëse presidenti i ri nuk zgjidhet deri më 4 prill, atëherë detyrën e presidentit do ta ushtrojë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

    Sipas Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

    Marrjen e detyrës nga Haxhiu, politologu Arifi e sheh si një nga arsyet pse Lëvizja Vetëvendosje është duke shtyrë nisjen e diskutimeve me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit.

    Sipas tij, ndonëse të gjitha partitë politike deklarohen se janë të gatshme për zgjedhje, koha e mbajtjes së tyre mund të jetë më e përshtatshme për njërën palë se sa për tjetrën.

    “Mendoj që në këtë rast partia në pushtet po luan me elementin kohë me qëllim që të krijoj presion por ndoshta edhe një zvarritjen e radhës për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, tha ai./REL

  • Shkon në mbi 1 mijë e 300 numri i të vdekurve në Liban

    Shkon në mbi 1 mijë e 300 numri i të vdekurve në Liban

    Në Liban, numri i njerëzve që kanë vdekur që nga fillimi i luftës më 28 shkurt tani është 1 mijë e 318,

    Kështu ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë atje, duke publikuar shifrat zyrtare, raporton BBC.

    Sipas këtyre shifrave, 3 mijë e 935 persona të tjerë janë plagosur.

    Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit kanë vdekur 50 persona.