ATV

Author: G.O.

  • Ekspozita e masakrave të viteve 98-99′, debat mes pozitës dhe opozitës në Komisionin për të Drejtat e Njeriut

    Ekspozita e masakrave të viteve 98-99′, debat mes pozitës dhe opozitës në Komisionin për të Drejtat e Njeriut

    Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione me kërkesë të nënkryetarit të këtij komisioni është mbajtur mbledhje urgjente për ekspozitën e masakrave të viteve 1998-1999, raporton Ekonomia Online.

    Artan Behrami nënkryetar i këtij komisioni kritikoi Qeverinë për financimin e librit të Shkëlzen Gashit, duke thënë se Kosova po përballet me rrezik të trefishtë të rishkrimit të historisë.

    “Kosova këto ditë, por jo vetëm këto ditë, por edhe këto vite, këto dekada, po përballet me një rrezik të trefishtë të rishkrimit të historisë.

    Rreziku i parë vjen nga Serbia, e cila mundohet që të ndajë hisen në krimet që ka bërë në Ballkan, duke u munduar që të kriminalizojë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u munduar që të relativizojë të gjitha krimet që i ka bërë në Kosovë, duke mohuar masakrat dhe krimet makabre që ka bërë në tërë Kosovën. Ky është elementi i parë.

    Elementi i dytë është Gjykata Speciale, e cila po ashtu ka për qëllim ndarjen e fajit për luftërat në Ballkan, ka për qëllim po ashtu rishkrimin e historisë, duke u munduar që të krijojë një balancë artificiale mes viktimës dhe agresorit. Po ashtu, Gjykata Speciale ka dhe qëllimin të kriminalizojë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Elementi i tretë, çfarë fatkeqësisht kemi parë në këto vite e që kurrë s’kam besuar që do t’i përjetojmë, janë disa eksponentë edhe brenda shoqërisë civile, po të afërt me qeverinë e zotit Kurti, po fatkeqësisht edhe ministra, dhe siç e kemi parë edhe kryeparlamentarja, të cilët financojnë me paratë e taksapaguesve një ekspozitë e cila fund e krye është narracion jo i viktimave, jo i Kosovës, por është narracion kryekëput i Beogradit”, tha Behrami.

    Ai gjithashtu shtoi se Qeveria e Kosovës përmes ministres së Drejtësisë Donika Gërvalla ka ndarë fonde për librin e Shkëlzen Gashit i cili ka përmbajtje të pasakta.

    “Dhe kjo, përveç që lëndon viktimat, ka për qëllim po ashtu të rishkruajë këtë histori për çka ne folëm. Qeveria e Kosovës, përmes Donika Gërvallës, ka ndarë fonde për zotin Shkëlzen Gashi, për librin e tij, dhe ky libër përveç që përmban pasaktësi, ka dhe një përmbajtje e cila edhe Beogradit do t’i kishte lakmi. Në librin e tij të financuar nga Donika Gërvalla, dhe së fundmi ekspozita e tij edhe përmes qeverisë së Republikës së Kosovës, shkruan që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë masakra ndaj serbëve. Kjo përveç që është e pavërtetë, është edhe e papranueshme. Një narracion i tillë e dëmton Kosovën përbrenda, por i shërben edhe një herë përpjekjeve të Serbisë dhe të Gjykatës Speciale për të kriminalizuar luftën e për të rishkruar historinë”, tha Behrami.

    Mytaher Haskuka, anëtar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut nga Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që Behrami mos ta lidhë ekspozitën me tendenca ndaj Qeverisë.

    “Së pari, ne të gjithë jemi për mbrojtjen e vlerave të luftës. Edhe në këtë aspekt është shumë shqetësuese që zoti Behrami po e lidh një ekspozitë të shoqërisë civile me tendencën e qeverisë siç thotë ai. Ne e dimë kush e ka themeluar Gjykatën Speciale, kush e ka votuar e si ka votuar. Ne kemi qenë ata që kemi dalë në rrugë e kemi protestuar e kemi qenë në kundërshtim të kësaj gjykate dhe padrejtësisë që i ka bërë Kosovës me këtë gjykatë, ose rishkrimit të historisë me këtë Gjykatë Speciale”, tha Haskuka.

    Ai tha se në 20 vitet e kaluara nuk ka pasur asnjë instancë të gjykatavë të Kosovës për krimet e kryera nga serbët në Kosovë.

    “Deri në 20 vite s’ka pasur realisht asnjë instancë të gjykatave të Kosovës për krimet e kryera në Kosovë nga serbët në Kosovë, për shkak se ligji ka qenë që nëse personi nuk është në Kosovë, nuk mund të ngrihet aktpadia ose aktakuza. Kjo ka qenë qeveria Albin Kurti e cila e ka mundësuar këtë. Në këtë periudhë janë dënuar disa serbë për masakrat e kryera në Kosovë.

    Edhe ju e thoni, Instituti për Krimet është themeluar. Në këtë periudhë është bërë më shumë për të vërtetën historike dhe për atë që ka kaluar Kosova gjatë luftës edhe gjenocidit serb sesa në 20 vitet e kaluara. 20 vitet e kaluara faktikisht kanë shkuar në amnisti të krimeve të Serbisë. Është folur hapur në Kuvendin e Kosovës nga qeveritë e kaluara për ligjet për amnistinë e kriminelëve serbë, ndërsa tani këta kriminelë serbë janë nëpër gjykatat e Kosovës në rastet kur prokuroria i vazhdon ato. Domethënë, kjo qeveri është ajo qeveri e cila mbron të vërtetën e Kosovës edhe e ka mbrojtur gjithmonë e do të vazhdojë ta mbrojë. Një ekspozitë nuk mund të pasqyrojë idetë e qeverisë. Domethënë, kjo në aspektin e të vërtetës historike e asaj çfarë ka ndodhur.

    Po ashtu, ne po flasim për raportimet që Serbia po financon agjendat në Kosovë. Do të jetë cilat agjenda po financohen në Kosovë ku prapë në veriun e Kosovës dalin ish-deputetë e deputetë e flasin që grupi i cili ka sulmuar policinë e ka vrarë policin në Kosovë nuk kanë qenë terroristë. Për këto raste kurrkush nuk po ngre çështje, domethënë, që është diçka shumë shqetësuese. Me thënë që grupi i Radoiçiqit nuk ka qenë terrorist është një problem shumë i madh për Kosovën. Prandaj në këtë rast dua të kërkoj nga deputeti që të kërkojë falje për këto deklarata. Më së paku kërkohet falje për një shoqëri civile ose një organizatë, por edhe duhet me kuptuar që shoqëria civile është shoqëri civile e nuk ka të bëjë asgjë me qeverinë”, tha Haskuka.

    Ai përmendi edhe draft-rezolutën e PDK të propozuar dje në seancë të Kuvendit pikërisht ëpr këët çështje, duke thënë se nuk i di arsyet pse kjo e fundit doli nsa salla.

    “Nga ana tjetër, ne kemi qenë shumë të gatshëm për rezolutën. Kemi pritur që rezoluta të diskutohet lidhur me këtë çështje, nuk e di pse PDK-ja doli. Po ashtu, ministri Andin Hoti ka qenë në Kuvendin e Kosovës dhe aty ka qenë ora për të diskutuar këtë çështje, por fatkeqësisht edhe deputeti Behrami edhe gjithë PDK-ja lanë sallën e u bënë jashtë. Ne jemi të gatshëm për me i diskutuar këto çështje edhe për rezolutat për mbrojtjen e vlerave të luftës. Andaj mos ta bëjmë “shoë” e mos ta bëjmë për konsum mediatik, por ta bëjmë për të vërtetën e për mbrojtjen e vlerave të luftës”, tha Haskuka.

    Ndërsa, Armend Zemaj anëtar i komisionit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se kjo që ka ndodhur me këtë ekspozitë, nuk mund të kalojë pa përgjegjësi.

    “Duhet me e ruajt qëllimin për çka jemi ftuar sot, edhe të sqarojmë të gjitha këto raste që ne i kemi në mundësinë dhe në kompetencën tonë, por edhe që bien edhe në përgjegjësinë e tyre të cilat i kanë financuar nga paraja publike, dhe të shohim çka mundemi ne edhe duke e thirrur ministrin në raportim për të na siguruar si deputetë të zgjedhur që askush, në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë, nuk ka të drejtë të deformojë të vërtetën historike të krijuar në vitet ’98-’99, të cilat akoma kanë lënë pasoja të plagëve të hapura, shumë viktima, shumë të pagjetur. Dhe nuk besoj që shteti i Kosovës, qeveria e Kosovës duhet të lejojë deformimin e historisë, të së vërtetës edhe ngjarjeve të cilat kanë ndodhur dhe janë plagë për shoqërinë e Kosovës, e sidomos shqiptarët që kanë qenë viktimë e luftës ose shovinizmit të Serbisë në vazhdimësi.

    Andaj, nuk mundet kjo me kalu pa përgjegjësi, pavarësisht betejave politike. Duhet të ketë saktësi sepse kur financohet nga paratë publike, nga taksat e qytetarëve një dokument, qoftë ai libër, ekspozitë ose gjëra të tjera, kjo tregon edhe seriozitetin se si funksionon dhe si i ndan paratë një qeveri e cila është edhe gardiane e mbrojtjes së taksave të qytetarëve të këtij vendi.

    Tash nëse me lehtësi dikush financon lloj-lloj dokumenti ose lloj-lloj libri ose lloj-lloj ekspozite ku dikush mund ta shpërndajë narracionin e të pavërtetës ose narracionin e deformimit të asaj siç është tentuar nga Serbia në vazhdimësi, duke i paraqitur shqiptarët si agresorë dhe jo si viktimë, kjo është tepër e padrejtë, është e pandershme edhe duhet të jetë e dënueshme. Nëse dikush ka mendim tjetër që t’i relativizojë për shkak të asaj që quhet betejë politike, mendoj që është e pandershme edhe nuk i shërben as dinjitetit të viktimave, po as sakrificës së popullit shqiptar të Kosovës.

    Unë jam ithtar që ajo që quhet mbrojtje e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe dinjitetit të çdo personi i cili ka qenë pre e çfarëdo krimi në Kosovë duhet të mbrohet, dhe aty nuk kam asnjë dilemë, sepse kështu jemi korrekt me veten tonë, jemi korrekt me sinqeritetin po jemi edhe të ndershëm edhe ruajmë moralin tonë. Por të paraqitemi përmes ekspozitave ku krimet makabre minimizohen, japing devijim ose drejtim në atë që është sulm ndaj luftës çlirimtare, por edhe është sulm ndaj familjeve të viktimave, këtë mendoj që duhet dikush të marrë përgjegjësi. Nuk jam unë që ta quaj këtë si përgjegjësi politike, por përgjegjësi ligjore, përgjegjësi ligjore dhe mos të na ndodhë e mos të na përsëritet në të ardhmen nga kushdo qoftë dhe kushdo që ka përgjegjësi institucionale.

    Është e dhimbshme, normal lidhet edhe me shumë tema të tjera, edhe kjo është normale sepse në Kosovën e pasluftës shoqëria është përballur me shumë të pavërteta. Përpos njerëzve që kanë shkruar në mënyrë anonime, ka pasur edhe të tjerë që kanë shpifur nëpër studio mediatike, kanë shkruar edhe libra kundrejt figurave të cilat kanë kontribuar vetëm pse nuk janë pajtuar politikisht, janë munduar t’i denigrojnë. E që kjo pjesë ka pasur edhe shkaktarët e vrasjeve politike të cilat akoma, për çfarëdo krimi, akoma nuk e kanë marrë verdiktin e drejtësisë. Ashtu siç akoma shumë nga këto masakra që kanë ndodhur nuk e kanë marrë dënimin e merituar nga ata të cilët i kanë kryer, përpos dënimeve që kanë qenë në të kaluarën por asnjëra nuk është e evidentuar dhe e saktësuar për çfarëdo ngjarje që ka ndodhur në vitet e luftës”, tha Zemaj.

  • Pas 32 vitesh, gjendet e gjallë vajza e zhdukur në Arizona

    Pas 32 vitesh, gjendet e gjallë vajza e zhdukur në Arizona

    Një vajzë që ishte zhdukur pa gjurmë për 32 vjet në një qytet të vogël të Arizonës është gjetur e gjallë, duke sjellë zgjidhjen e një nga rastet më të vjetra të pazbardhura.

    Christina Marie Plante, tani 44 vjeç, u identifikua këtë javë nga autoritetet, duke i dhënë fund një çështjeje që kishte mbetur e hapur për dekada.

    Ajo ishte parë për herë të fundit në moshën 13-vjeçare, më 15 maj 1994, teksa po largohej nga shtëpia e saj në Star Valley për t’u drejtuar drejt stallës së kuajve. Që nga ajo kohë, ajo “u zhduk pa gjurmë”, shkruan The Sun.

    Zhdukja e saj u konsiderua një rast i rrezikshëm dhe i dyshimtë, duke nxitur një operacion të madh kërkimi nga policia, vullnetarët dhe komuniteti lokal.

    Megjithatë, për vite me radhë nuk u gjet asnjë gjurmë konkrete, dhe rasti u klasifikua si “cold case”. Ai u rihap nga zyra e sherifit të qarkut Gila, e cila, duke përdorur teknologji moderne dhe metoda të reja hetimore, arriti të bëjë një përparim vendimtar.

    Pas më shumë se tri dekadash, autoritetet konfirmuan se Plante është gjendur e gjallë dhe identiteti i saj është verifikuar zyrtarisht. Për arsye privatësie dhe mirëqenieje, detaje të tjera mbi rastin nuk janë bërë publike.

    Autoritetet theksojnë se mbeten të përkushtuara për zbardhjen e rasteve të tjera të pazgjidhura dhe bëjnë thirrje qytetarëve të ofrojnë çdo informacion të mundshëm. /Telegrafi/

  • Rusia nuk ka të ndalur, vazhdon bomardimet në Ukrainë

    Rusia nuk ka të ndalur, vazhdon bomardimet në Ukrainë

    Rusia po zhvillon një seri sulmesh ajrore të vazhdueshme ndaj Ukrainës që nga mbrëmja e së enjtes, njoftoi Forca Ajrore ukrainase të premten, duke shtuar se një numër i madh dronësh armikë ndodhen në hapësirën ajrore të vendit.

    Ky bombardim është hera e dytë këtë javë që Rusia ndjek një valë sulmesh me dronë gjatë natës me sulme të rënda gjatë ditës, një taktikë e re ndërsa Moska po teston mënyra për të depërtuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

    “Ne shohim se armiku po përdor rrugë të reja, dronë të rinj që po i modernizon vazhdimisht dhe taktika të reja,” tha zëdhënësi i forcave ajrore, Yurii Ihnat, në televizionin shtetëror.

    Ai shtoi se Rusia ka lëshuar më shumë se 400 dronë me rreze të gjatë veprimi në 24 orët e fundit, si dhe dhjetë raketa balistike që kanë goditur kryesisht zonat pranë vijës së frontit.

    Sipas Ihnat, ky bombardim është i ngjashëm me një sulm të ndodhur të martën, i cili vrau të paktën katër persona. Atëherë, një valë prej mbi 300 dronësh gjatë natës u pasua nga një tjetër sulm i madh gjatë ditës.

    Bombardimet në shkallë të gjerë nga Rusia shkaktojnë ndërprerje në të gjithë Ukrainën, pasi shumë institucione shtetërore, shërbime të transportit publik dhe biznese mbyllen gjatë sulmeve, të cilat mund të zgjasin për shumë orë.

    “Armiku po ushtron presion mbi popullsinë tonë, duke paralizuar punën e disa institucioneve publike, si dhe të institucioneve arsimore,” tha Ihnat.

    Në rajonin lindor të Kharkivit, një person u vra dhe 25 të tjerë u plagosën nga sulmet me raketa, bomba dhe dronë gjatë 24 orëve të fundit, njoftoi guvernatori Oleh Synehubov në rrjetet sociale.

    Këto përfshinin edhe katër raketa balistike që goditën kryeqytetin rajonal, po ashtu të quajtur Kharkiv, gjatë natës. Autoritetet raportuan vetëm një të plagosur nga ky sulm. /a2cnn

  • Kurti e propozon projektligjin për çmimet tavan, thotë se po e mbrojnë lirinë e tregut nga abuzimi

    Kurti e propozon projektligjin për çmimet tavan, thotë se po e mbrojnë lirinë e tregut nga abuzimi

    Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë tha se po i risjellin për miratim projektligjet për çmimet tavan dhe atë për sigurime shëndetësore.

    Kjo, pasi Gjykata Kushtetuese i kishte shfuqizuar, raporton Ekonomia Online.

    “Po e risjellim për miratim këtë projektligj që vjen si përgjigje e domosdoshme ndaj një realiteti e përvoje që qytetarët tonë e kanë përjetuar. Rritje të papritura të çmimeve, paqartësi në treg dhe mungesë e mekanizmave për mbrojtje e ruajtje. Me këtë ligj ne nuk po hyjmë në tregun e lirë, por përkundrazi po e mbrojmë lirinë e tregut nga abuzimi. Ky projektligj vendos një balancë të domosdoshme ndërmjet funksionimit të lirë të tregut dhe përgjegjësisë së shtetit për të mbrojtur interesin publik në situata të jashtëzakonshme”, tha ai.

    Kurti po ashtu tha se me “qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës do të konkretizohet me miratimin e projektligjit për sigurim shëndetësor”.

    “Po e risjellim edhe një ligj jetik për shëndetin e qytetarëve dhe shëndetësinë publike. Edhe ky ligj po ashtu ka qenë i sfiduar nga opozita në Kushtetuese. Sot në rend dite e kemi edhe projektligjin për sigurime shëndetësore”.

    Gjykata Kushtetuese e kishte shpallë antikushtetues ligjin për çmimet tavan për produktet bazë, i cili ishte dërguar në gjykatë nga deputetë të opozitës.

  • Qeveria miraton projektligjin për Shtetësinë e Kosovës

    Qeveria miraton projektligjin për Shtetësinë e Kosovës

    Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e  sotme ka miratuar projektligjin për Shtetësinë e Kosovës.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, prezantoi këtë projektligj duke thënë se me këtë nismë do të ketë lehtësime për diasporën, për rikthimin e shtetësisë për ta.

    “Në esencë, kjo nismë është një iniciativë strategjike e Qeverisë për të afruar legjislacionin tonë me praktikat më të mira ndërkombëtare. Përmes këtij projektligji realizojmë premtimin e qeverisë për lehtësimin maksimal të procesit të rikthimit të shtetësisë për diasporën tonë, të cilëve për shkak të kufizimeve në shtetet e tyre, iu është dashur të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës”, tha Sveçla.

    Ky projektligj u miratua pa asnjë kundërshtim.

  • Barcelona e hapur për të shitur njërin nga yjet për një ofertë të konsiderueshme

    Barcelona e hapur për të shitur njërin nga yjet për një ofertë të konsiderueshme

    Barcelona do të shqyrtojë shitjen e sulmuesit Ferran Torres vetëm në rast se mbërrijnë oferta të konsiderueshme, sipas rapotimeve të gazetarit Fabrizio Romano.

    Megjithatë, klubi katalanas nuk po e shtyn aktivisht lojtarin drejt largimit dhe as nuk po kërkon blerës potencialë në këtë fazë.

    Torres, kontrata e të cilit skadon vitin e ardhshëm, është i vendosur të vazhdojë te Barcelona, edhe pse e ardhmja e tij do të varet nga disa faktorë.

    Me Barcelonën që synon të transferojë sulmuesin e Atletico Madrid, Julian Alvarez, si dhe të rinovojë kontratën e Robert Lewandowskit me kushte të reduktuara financiare, hapësirat për Torres mund të ngushtohen ndjeshëm.

    26-vjeçari ka pësuar një rënie të dukshme në aspektin e golave të shënuar, por trajneri i ekipit, Hansi Flick, vazhdon ta mbështesë atë, duke besuar se mund të rikthehet në formën e tij më të mirë.

    Sulmuesi spanjoll iu bashkua Barcelonës me pritshmëri të mëdha, pas një periudhe premtuese në Manchester City, por deri më tani nuk ka arritur të ruajë vazhdimësinë e kërkuar në performancë.

    Gjithsesi, brenda klubit ekziston bindja se Torres ka ende potencial për të dhënë kontribut të rëndësishëm, veçanërisht duke marrë parasysh moshën dhe përvojën e tij në nivele të larta të futbollit evropian. /Telegrafi/

     

  • Nis gjyqi ndaj serbes së akuzuar për spiunazh në Prishtinë, refuzon fajësinë

    Nis gjyqi ndaj serbes së akuzuar për spiunazh në Prishtinë, refuzon fajësinë

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur shqyrtimi gjyqësor ndaj Jelena Gjukanoviq, e akuzuar për spiunazh dhe bashkëpunim me inteligjencën serbe.

    E sjellë me pranga dhe nën masa sigurie, ajo deklaroi për gjykatën: “Jo, nuk e pranoj fajësinë.”

    Seanca e parë po udhëhiqet nga kryetari Rrahman Beqiri, me prokurorin Bekim Kodraliu nga Prokuroria Speciale.

  • Trump: SHBA-ja ende s’ka filluar mirë të shkatërrojë Iranin, regjimi duhet të veprojë shpejt

    Trump: SHBA-ja ende s’ka filluar mirë të shkatërrojë Iranin, regjimi duhet të veprojë shpejt

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se ushtria amerikane “ende nuk ka filluar” të shkatërrojë atë që ka mbetur prej Iranit pas një muaji bombardimesh së pareshtura shkatërruese, si dhe ka kërcënuar se do t’i godasë centralet elektrike dhe ura të tjera në paralajmërimin e tij më të fundit ndaj regjimit në Teheran.

    “Ushtria jonë, më e madhja dhe më e fuqishmja kudo në botë, ende nuk ka filluar ta shkatërrojë atë që ka mbetur në Iran. Tani është radha e urave, pastaj centraleve elektrike! Udhëheqja e re e regjimit e di se çfarë i duhet të bëjë dhe duhet ta bëjë, SHPEJT!” shkroi Trump në Truth Social mbrëmjen e së enjtes, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Trump i bëri këto paralajmërime, pa shpjegime të mëtejshme, disa orë pasi Irani nisi sulme të reja me raketa dhe dronë ndaj Izraelit dhe shteteve të Gjirit, pas një paralajmërimi të mëparshëm nga Trumpi drejtuar Teheranit se duhet “të bëjë një marrëveshje para se të mos mbetet asgjë” nga vendi.

    Trump vazhdoi të dërgojë mesazhe disi të përziera mbi luftën, pasi një ditë më parë tha në një fjalim televiziv se Bashkuara janë afër “përfundimit të punës” në Iran, por ka paralajmëruar njëkohësisht se ushtria amerikane do të vazhdojnë ta godasin vendin e Lindjes së Mesme “jashtëzakonisht fuqishëm” edhe për “dy deri në tre javë” të tjera.

    Në atë fjalim, Trump e mbrojti luftën si të nevojshme për ta parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore./REL

  • Palestra e Chicago Bulls kthehet në arenë shqiptare me “Xhamadani vija-vija” dhe valle tradicionale

    Palestra e Chicago Bulls kthehet në arenë shqiptare me “Xhamadani vija-vija” dhe valle tradicionale

    Para ndeshjes së NBA mes Chicago Bulls dhe Indiana Pacers, “United Center” u mbush me atmosferë shqiptare.

    Ansambli i Komunitetit Shqiptar në Illinois, në bashkëpunim me ekipin e Chicago Bulls mundësuan që këngë e valle shqipe të prezantoheshin para publikut në një ndeshje të këtij niveli.

    Valle tradicionale dhe kënga e “Xhamadanit vija-vija” jehonte nëpër palestër, ndërsa publiku shqiptar nuk mungoi në mbështetje.

    Organizatorët e ndeshjes dhe vetë ekipi i Bulls përshëndetën këtë prezencë të veçantë, duke e përshkruar si një moment të bukur dhe të paharrueshme të këtij sezoni në United Center, edhe pse shënuan humbje me rezultat 126-145.

  • Hidhet poshtë kallëzimi penal i LDK-së kundër Faton Pecit për grantet në bujqësi

    Hidhet poshtë kallëzimi penal i LDK-së kundër Faton Pecit për grantet në bujqësi

    Prokuroria Speciale e ka hedhur poshtë kallëzimin penal të LDK-së ndaj Faton Pecit për çështjen e granteve në bujqësi, në kohën sa ishte Ministër i Bujqësisë.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë Peci.

    Prokuroria Speciale në aktvendim ka thënë se “nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari ka kryer veprat penale të pretenduara në kallëzim, e as ndonjë vepër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare”.

    Peci ka thënë se kjo situatë ka qenë e vështirë për të dhe familjen e tij, por gjithmonë ka qenë i bindur në drejtësi.

    “Prandaj, një gjë është e sigurt: në asnjë rast, asnjëherë, ne asnje rrethane nuk kam kontaktuar askënd, udhëzuar ose rekomanduar as për subvencione, as për grante, as për ndonjë shpallje, kontratë apo tender, tek grupet profesionale, në këtë proces. Jam krenar që ky institucion do të ketë sukses edhe pas përfundimit të mandatit tim, nga punët e mira që lamë pas! Kushdo që ka objektiv dëmtimin e imazhit tim, le ta vazhdojë gjurmimin, por një gjë është e sigurt që qeverisja ime si ministër i bujqësisë shënon periudhën më të ndritur të lulëzimit në bujqësi, për një çerek shekulli”, ka thënë Peci.

    POSTIMI I PLOTË:

    DREJTESIA FOLI QARTË:

    Prokuroria hedh poshtë kallëzimin penal të LDK-së kundër meje për grantet në bujqësi

    Gjatë kohës sa isha ministër i bujqësisë, ky institucion u reformua rrënjësisht; ishte periudha kur fermerët, për herë të parë.

    •Nuk dhanë më haraç për të përfituar grant.

    •360 milionë euro të ndara për 130 mijë fermerë përfitues; nuk kishte asnjë rast të faktuar që dikush përfitoi jashtë kritereve të përcaktuara me ligj.

    Nga 130 mijë fermerët përfitues u “gjurmua” dhe u “zbulua” se njëri ishte vëllai i një deputeteje, por nuk u gjet asnjë dëshmi e ndikimit tim, per faktin e thjesht sepse nuk egzistonte.

    Ndërkohë, gjatë intervistimit tim në prokurori, “mijushi” i LDK-së, Guri, kishte deklaruar se mezi pret të shihemi në gjykatë. Po, në gjykatë do të shihemi, sepse nga sot fillon përgatitja e kallëzimit penal për kallëzim të rremë penal, të ideuar nga Lumir Abdixhiku, të nënshkruar nga Hykmete Bajrami dhe propaganduar me shpifje e paturpësi nga “tellalli” i tyre, Guri.

    Të tre do të kenë kallëzim penal për kallëzim të rremë, i cili nxiti një terror medial kundër meje, për më shumë se dy  vite.

    Kjo situatë ka qenë e vështirë për mua dhe familjen time, por gjithmonë kam qenë i bindur në drejtësinë dhe integritetin tim.

    Prandaj, një gjë është e sigurt: në asnjë rast, asnjëherë, ne asnje rrethane nuk kam kontaktuar askënd, udhëzuar ose rekomanduar as për subvencione, as për grante, as për ndonjë shpallje, kontratë apo tender, tek grupet profesionale, në këtë proces.

    Jam krenar që ky institucion do të ketë sukses edhe pas përfundimit të mandatit tim, nga punët e mira që lamë pas!

    Kushdo që ka objektiv dëmtimin e imazhit tim, le ta vazhdojë gjurmimin, por një gjë është e sigurt që qeverisja ime si ministër i bujqësisë shënon periudhën më të ndritur të lulëzimit në bujqësi, për një çerek shekulli.

    Falënderoj të gjithë qytetarët që nuk u manipuluan nga kjo lojë e ulët e pistë dhe bizare.