ATV

Author: G.O.

  • Kuvendi mblidhet nesër, ky është rendi i ditës

    Kuvendi mblidhet nesër, ky është rendi i ditës

    Kuvendi i Kosovës do të mblidhet nesër në seancë plenare.

    Sipas njoftimit nga drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun, seanca pritet të fillojë nga ora 10:00, derisa në rend ditë janë gjithsejtë 16 pika.

    Rendi i ditës:

    1.    Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

    2.    Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    3.    Pyetjet parlamentare,

    4.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-008 për Ratifikimin e Marrëveshjes për qasje në Arsimin e  Lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor,

    5.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-009 për Ratifikimin e Amendamentit “nr.3 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018“,

    6.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-010 për Ratifikimin e “Amendamentit nr. 2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017“,

    7.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-011 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale,

    8.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-012 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e Përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike,

    9.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-013 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë “ Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë” (Kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës,

    10.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-014 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”,

    11.    Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarura të Mediave,

    12.    Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre (3) anëtarë nga radhët e komunitetit shqiptar dhe për dy (2) anëtarë jo shumicë në Komisionin e Pavarura të Mediave,

    13.    Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për gjashtë (6) anëtarë nga komuniteti shqiptar, një (1) anëtar nga komuniteti serb dhe një (1) antar nga komunitetet jo shumicë  në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës,

    14.    Propozimi i GP të Listës Serbe për emërimin e deputetit Branislav Nikoliq në komisione parlamentare,

    15.    Shqyrtimi i Buxhetit të Komunës së Zubin Potokut për vitin 2026,

    16.    Formimi i Komisionit Ad-hoc për hartimin e “Projektligjit për parandalim të vetëvrasjes”.

  • Izraeli vret komandantin e lartë të Hezbollahut në Beirut

    Izraeli vret komandantin e lartë të Hezbollahut në Beirut

    Një komandant i lartë i grupit militant Hezbollah është vrarë dje në sulme izraelite, ka njoftuar Ushtria e Mbrojtjes së Izraelit (IDF).

    Hajj Yusuf Ismail Hashem, i cili udhëhiqte njësinë e Frontit Jugor të Hezbollahit, u qëllua në një sulm të saktë nga marina izraelite në kryeqytetin libanez, Beirut, tha IDF.

    Ushtria izraelite pretendon se Hashem ishte një “figurë qendrore” e grupit të mbështetur nga Irani dhe kishte “udhëhequr dhe avancuar mijëra plane sulmesh terroriste” kundër qytetarëve dhe ushtarëve izraelitë, raporton skynews, transmeton Sinjali.

    “Eleminimi i tij përbën një goditje të rëndësishme për aftësinë e Hezbollahit për të kryer operacione terroriste kundër civilëve izraelitë dhe për të menaxhuar betejat e vazhdueshme kundër ushtarëve të IDF-së në jug të Libanit,” shtoi IDF.

  • Dion Gallapeni reagon pas humbjes nga Turqia: Nuk ia dolëm, por kjo nuk na ndalë

    Dion Gallapeni reagon pas humbjes nga Turqia: Nuk ia dolëm, por kjo nuk na ndalë

    Pas humbjes 0-1 në finalen e “play-off”-it për Kupën e Botës ndaj Turqisë, mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Dion Gallapeni, ka shpërndarë një mesazh emocional, duke reflektuar mbi atë që ndodhi në fushë.

    Gallapeni ka theksuar se humbja dhemb, sidomos duke pasur parasysh përpjekjen maksimale të ekipit dhe besimin që kishte ekzistuar deri në fund për një rezultat pozitiv. Ai ka theksuar se skuadra dha gjithçka në këtë përballje vendimtare, por nuk arriti të realizojë objektivin.

    Ai u ndal edhe te zhgënjimi i tifozëve, duke thënë se e ndjen njësoj si të gjithë, por nënvizoi se momentet e vështira i bëjnë lojtarët më të fortë dhe më të bashkuar për sfidat e ardhshme.

    Në fund, Gallapeni falënderoi publikun për mbështetjen e vazhdueshme dhe premtoi se Kombëtarja do të rikthehet më e fortë, me synimin për të luftuar deri në fund për ëndrrat e nisura së bashku.

    “Nuk ia dolëm… por kjo nuk na ndalë. Është një humbje që dhemb, sepse dhamë gjithçka në fushë dhe besuam deri në fund. E ndjej zhgënjimin e secilit prej jush, por këto momente na bëjnë më të bashkuar, më të uritur për suksese dhe më të vendosur për të mos u dorëzuar kurrë. Faleminderit për mbështetjen, ju premtoj se do të rikthehemi më të fortë dhe do të luftojmë deri në fund për çdo ëndërr që kemi nisur së bashku.“, shkroi ai në ‘Facebook’.

  • Rritja e çmimeve të derivateve: Hoti akuzon Qeverinë për dështim, propozon alternativa

    Rritja e çmimeve të derivateve: Hoti akuzon Qeverinë për dështim, propozon alternativa

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka shkruar në Facebook për rritjen e ndjeshme të çmimeve të derivateve dhe ka dhënë një sërë masash që, sipas tij, Qeveria duhet të ndërmarrë për të mbrojtur konsumatorin dhe ekonominë kosovare.

    Ai ka theksuar se çmimet e derivateve janë rritur me rreth 40 për qind që nga 28 shkurt 2026, kur nisën sulmet, dhe kjo ka rritur kostot e prodhimit dhe operimit të bizneseve, duke u reflektuar tek çmimet e produkteve për konsumatorët.

    Hoti paralajmëron se Kosova, si ekonomi e importit të lartë të energjisë dhe me të ardhura të ulëta, është ndër më të prekshmet nga kjo krizë.

    Hoti kritikoi masën e vetme të ndërmarrë nga Qeveria – përcaktimin e marzheve të fitimit për bizneset – duke theksuar se kjo nuk mbron konsumatorin dhe mund të përkeqësojë konkurrencën:

    “Caktimi i marzhës së fitimit e mban fitimin e biznesit brenda një kufiri të caktuar, por u mundëson bizneseve që çdo rritje e çmimit në tregjet ndërkombëtare ta bartin plotësisht te konsumatori. Kjo masë nuk e mbron konsumatorin dhe nuk krijon nxitje për uljen e shpenzimeve të bizneseve.”, shkroi ai.

    Deputeti gjithashtu ka shpjeguar rolin ligjor dhe kushtetues të shtetit në situata të tilla, duke theksuar se Qeveria duhet të mbrojë konsumatorin, të parandalojë sjelljet abuzive dhe të ruajë konkurrencën, ndërsa masat duhet të jenë të balancuara dhe të ndërvarura.

    Hoti ka sugjeruar disa masa konkrete që duhet të ndërmarrë Qeveria: monitorim të tregut nga Inspektorati i Tregut, aktivizim të Komisionit të Konkurrencës, ulje të akcizës deri në 36 cent për litër, subvencionim të bujqve për derivatet, dhe investime në depo të derivateve për të përballuar periudhat e luhatjeve të tregut.

    “Kostot e paevitueshme duhet të shpërndahen gjerësisht mes shtetit, bizneseve dhe konsumatorëve. Masat duhet të jenë balancuese dhe të kushtëzuara nga njëra-tjetra,” ka theksuar Hoti në postimin e tij.

    Ai paralajmëron se pa ndërhyrje të mençura dhe të koordinuara, kriza do të rezultojë me çmime më të larta dhe me rritje ekonomike më të ulët në Kosovë.

    Në postimin e tij, Hoti bën thirrje që Qeveria të ndërmarrë veprime të menjëhershme për mbrojtjen e qytetarëve dhe stabilizimin e tregut të derivateve.

  • Që nga fillimi i luftës Aeroporti i Kuvajtit goditet për të shtatën herë

    Që nga fillimi i luftës Aeroporti i Kuvajtit goditet për të shtatën herë

    Aeroporti Ndërkombëtar i Kuvajtit është goditur për herë të shtatë që nga fillimi i kësaj lufte.

    Herën e fundit që u godit, javën e kaluar, një depo karburanti mori flakë dhe iu deshën 58 orë ekipeve të mbrojtjes civile për ta shuar zjarrin.

    Gjatë dy javëve të fundit po vërehet një nivel alarmues i goditjeve ndaj infrastrukturës civile në Kuvajt. Rafineritë, portet, aeroporti, si dhe një objekt shërbimi për desalinizimin e ujit dhe prodhimin e energjisë janë dëmtuar në ditët e fundit.

    Banka Kombëtare e Kuvajtit njoftoi se do të mbyllet për sot dhe nesër, për shkak të zhvillimeve të fundit dhe si masë sigurie për klientët dhe punonjësit e saj, shkruan A2CNN.

    Këto zhvillime tregojnë qartë shqetësimin e autoriteteve në vend dhe natyrën në përshkallëzim të këtij konflikti.

  • Ambasada e ShBA-së lavdëron kombëtaren e Kosovës: Arritja juaj është e paharrueshme dhe e jashtëzakonshme

    Ambasada e ShBA-së lavdëron kombëtaren e Kosovës: Arritja juaj është e paharrueshme dhe e jashtëzakonshme

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka lavdëruar Kosovën pas ndeshjes së mbrëmshme me Turqinë, duke e futbollistët luajtën me zemër, vendosmëri e krenari.

    Ambasada ka vlerësuar se ajo çfarë ka arritur Kosova është e jashtëzakonshme dhe e paharrueshme.

    “Një përpjekje e shkëlqyer nga ekipi kombëtar i Kosovës – luajtët me zemër, vendosmëri dhe krenari. Ajo që arritët është vërtet e jashtëzakonshme dhe e paharrueshme”, ka shkruar ambasada.

  • Ambasadorja e Izraelit për ndeshjen e sotme: Forca Kosova!

    Ambasadorja e Izraelit për ndeshjen e sotme: Forca Kosova!

    Ambasadorja e Izraelit në Prishtinë, Tamar Ziv, ka shkruar për ndeshjen e sotme të Kosovës kundër Turqisë që vlen për kualifikim në Botëror.

    Ziv ka uruar ekipin kombëtar të Kosovës në përballjen me Turqinë.

    “Puna juaj në grup, përkushtimi dhe shpirti juaj le të shkëlqejnë në fushë. I gjithë kombi po ju brohoret! #ForcaKosova #ForcaDardanet”, ka shkruar ajo.

  • Haxhiu pret në takim Shefin e EULEX-it, diskutojnë për zhvillimet në vend

    Haxhiu pret në takim Shefin e EULEX-it, diskutojnë për zhvillimet në vend

    Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mirëpriti Shefin e EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.

    Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve dhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it.

    Në këtë takim u rikonfirmua përkushtimi i përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës dhe për avancimin e proceseve që kontribuojnë në stabilitetin institucional dhe në rritjen e besimit të qytetarëve.

  • Ndeshja Kosovë-Turqi: Policia paralajmëron masa të shtuara të sigurisë, njofton edhe për bllokim të rrugëve

    Ndeshja Kosovë-Turqi: Policia paralajmëron masa të shtuara të sigurisë, njofton edhe për bllokim të rrugëve

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ndërmjet Kosovës dhe Turqisë janë ndërmarrë masa të shtuara sigurie në bashkëpunim me institucionet dhe organizatorët për garantimin e rendit para, gjatë dhe pas ndeshjes.

    Policia ka bërë të ditur se do të ketë prani të shtuar në stadium, në qytet dhe në tri “Fan Zona”.

    Po ashtu, janë paralajmëruar bllokime të përkohshme të disa rrugëve kryesore dhe nacionale, në varësi të lëvizjeve zyrtare dhe nevojave në trafik.

    Policia u bën thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet, të përdorin rrugë alternative dhe të kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

    Komunikata e plotë:

    Policia e Kosovës njofton qytetarët se me datë 31 mars 2026, duke filluar nga ora 20:45, në Stadiumi Fadil Vokrri do të zhvillohet ndeshja finale e play-off-it për FIFA World Cup 2026 ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

    Duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë të kësaj ndeshjeje, janë ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe organizatorët.

    Policia e Kosovës, së bashku me strukturat mbështetëse angazhohen për të garantuar rendin dhe sigurinë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes.

    Do të ketë prani të shtuar policore në stadium, në qytet dhe në tri “Fan Zona”:

    Me qëllim të lëvizjes së delegacioneve, lehtësimit në qarkullim dhe zhvillimit të ndeshjes, do të ketë bllokime të përkohshme të rrugëve: lokale dhe Nacionale si në vijim rrugët: Tring Ismajli, Agim Ramadani, Eqrem Çabej, Semaforat kryesore, Bulevardi Bill Clinton, Rrethi te Stacioni i Autobusëve, Rruga Hekurudhat, Rruga Tirana (drejt stadiumit), ndërsa gjatë Largimit nga stadiumi drejt aeroportit: Rruga Tirana, Arbëria, rr. Ahmet Krasniqi dhe Autostrada (drejt aeroportit).

    Rrugë të tjera kanë kufizime të përkohshme në Perimetrin rreth stadiumit, rr. Luan Haradinaj (deri te Ministria e Drejtësisë) dhe rr. Fehmi Agani

    Këto bllokime do të jenë të përkohshme dhe do të realizohen në intervale kohore, varësisht nga lëvizjet zyrtare dhe nevojat e lehtësimit ne trafikun rrugor. Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që:

    – Të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë në terren
    – Të përdorin rrugë alternative kur është e mundur
    – Të kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike

    Siguria dhe mbarëvajtja e kësaj ngjarje sportive është përgjegjësi e përbashkët.

    Ftojmë qytetarët për mbështetje dhe respektim të rendit publik.

  • MINT themelon komision të posaçëm për verifikimin e njëhsorëve elektrikë: Asnjë ankesë s’erdhi nga konsumatorët

    MINT themelon komision të posaçëm për verifikimin e njëhsorëve elektrikë: Asnjë ankesë s’erdhi nga konsumatorët

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit thotë të ketë përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit lidhur me çështjen e njehsorëve elektrikë dhe pretendimet për keq llogaritje, prandaj kanë themeluar edhe një komision të posaçëm për verifikimin e njehsorëve elektrikë, të cilët pritet të dalin në terren nga 1 prilli.

    “Me qëllim të garantimit të transparencës, korrektësisë dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve, dhe duke u bazuar në Ligjin Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, në kuadër të përgjegjësive të Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, me datë 31.03.2026, është themeluar një komision i posaçëm për verifikimin e njehsorëve elektrikë”, thuhet në njoftimin e MINTI-t.

    Kjo ministri thotë se deri më tani nuk është pranuar asnjë ankesë nga konsumatorët lidhur me dyshime për keq llogaritje të njehsorëve.

    “Megjithatë, duke filluar nga data 01.04.2026 (e mërkurë), komisioni do të dalë në terren për të verifikuar njehsorët elektrikë të çdo konsumatori që paraqet ankesë”, thuhet tutje në njoftim.

    Me këtë rast, MINTI u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët janë shfrytëzues të energjisë elektrike, që për çdo dyshim lidhur me funksionimin e parregullt të njehsorëve në objektet e tyre të banimit, të njoftojnë Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, në numrin pa pagesë 0800 11000, ose përmes adresës elektronike: [email protected].