ATV

Author: G.O.

  • Kurti: Komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut tonë të pasur kulturor

    Kurti: Komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut tonë të pasur kulturor

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut të pasur shoqëror dhe kulturor të Kosovës.

    Ai ka marrë pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Turqve në Kosovë, në një tryezë të organizuar nga zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilia Rexhepi.

    “Strategjia jonë e arsimit për vitet 2022-2026 përfshin subvencionet e vazhdueshme për hartimin, rishikimin, përkthimin dhe përshtatjen e teksteve e materialeve e mësimore në gjuhën turke. Po ashtu, planifikojmë të organizojmë aktivitete për mësimin e gjuhës shqipe për komunitetet që kanë gjuhë të tjera, si turqishten për shembull gjuhë amtare”, ka thënë Kurti.

    Ai ka thënë se vitin e kaluar Qeveria ka gjetur zgjidhje për të ofruar tekste shkollore cilësore në gjuhën turke.

    “Kryeministri Kurti tha se komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut tonë të pasur shoqëror dhe kulturor. Ai shtoi se, që Kosova të jetë një shtet, ku promovohet shumëgjuhësia, do t’iu ofrojmë mundësi studentëve, që të mësojnë gjuhën e mjedisit, siç është turqishtja për shqiptarët në komunat multietnike dhe kësisoj edhe si individë dhe si shtet, do të përfitojmë avantazhe në tregun ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

  • Dhjetë seanca gjatë muajit maj për gjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

    Dhjetë seanca gjatë muajit maj për gjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

    Në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), në kalendar të gjykimeve, është bërë e ditur se në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, janë caktuar dhjetë seanca për muajin maj.

    Të gjitha këto seanca pritet të fillojnë në orën 9:00, por se do të transmetohen me 45 minuta vonesë për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Datat e planifikuara për seanca në çështjen e Thaçit dhe të tjerët për këtë muaj janë: 10, 11, 12, 15, 16, 17, 18, 22, 23 dhe 24 maj.

    Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi për këtë çështje dhe janë mbajtur dhjetë (10) seanca.

    Në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe Mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

    Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

    Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka filluar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

  • Disa pjesë të kryeqytetit mbesin pa energji elektrike

    Disa pjesë të kryeqytetit mbesin pa energji elektrike

    Disa pjesë të kryeqytetit aktualisht kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike, përfshirë qendrën, rrugën “Agim Ramadani” dhe lagjen “Ulpiana”.

    Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike(KEDS) njofton se kjo po ndodh për shkak se një linjë në nënstacionin “Prishtina 6” është jashtë funksionit.

    “Ju informojmë se linja 110/10 kV në nënstacionin Prishtina 6 aktualisht është jashtë funksionit. Si rezultat i kësaj , një numër i caktuar i konsumatorëve tanë ka mbetur pa furnizim me energji elektrike. Ekipet e KEDS-it ndodhen në vendin e ngjarjes dhe presim që brenda pak kohe furnizimi me energji elektrike do të rikthehet”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook.

  • Këto janë rezultatet përfundimtare për zgjedhjet në veri

    Këto janë rezultatet përfundimtare për zgjedhjet në veri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare për zgjedhjet që janë mbajtur të dielën më 23 prill në katër komunat veriore.

    Rezultatet janë si në vijim:

    Leposaviq: Lulzim Hetemi (VV) – 100 vota ose 73.3 për qind; Albulena Behluli- Hetemi – 34 vota ose 25 për qind; Aleksandar Jabllanoviq – 2 vota ose 1.5 për qind.

    Zubin Potok: Izmir Zeqiri (PDK) – 197 vota ose 52.2 për qind; Flatron Hasani (VV)- 180 vota ose 47.7 për qind

    Zveçan: Ilir Peci (PDK) – 114 vota ose 59 për qind; Fetah Peci (VV)- 72 vota ose 37.3 për qind dhe Slagjana Pantoviq- 7 vota ose 3.6 për qind

    Mitrovicë e Veriut: Erden Atiq (VV) – 553 vota ose 66.9 për qind, Taulant Kelmendi (PDK)- 193 vota ose 23.4 për qind dhe Betim Osmani – 80 vota ose 9.7 për qind.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po ashtu ka bërë të ditur edhe numrin e asamblistëve për komunën e Leposaviqit dhe Zveçanit.

    Numri i asamblistëve në komunën e Leposaviqit:

    VV: 85 vota, 77,3 për qind- 15 ulëse

    PDK: 21 vota, 19,1 për qind – 2 ulëse

    Partia Kosovskih Srba: 4 vota, 3,6 për qind- 2 ulëse

    Numri i asamblistëve në komunën e Zveçanit:

    PDK: 98 vota, 60,1 për qind- 11 ulëse

    VV: 65 vota, 39,9 për qind- 8 ulëse

  • Stano: BE-ja është në dijeni për votën e Serbisë kundër Kosovës

    Stano: BE-ja është në dijeni për votën e Serbisë kundër Kosovës

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se institucionet e Brukselit “janë në dijeni” se Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Megjithatë, Stano nuk deshi t’i përgjigjet pyetjes nëse BE-ja e konsideron këtë veprim shkelje të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel u pajtuan për Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Ndërkaq, më 18 mars në Ohër ata u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

    Neni 4 i kësaj marrëveshjeje thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

    Pavarësisht se Kurti dhe Vuçiq nuk e nënshkruan marrëveshjen, BE-ja e konsideron atë marrëveshje dhe ka deklaruar se dokumenti është ligjërisht i detyrueshëm për të dyja palët.

    “Diskutimet për nënshkrimin [e marrëveshjeve] janë krejtësisht të kota dhe të parëndësishme. Ekziston një angazhim në nivelin më të lartë politik dhe ai angazhim tani është bërë i detyrueshëm në procesin e anëtarësimit për të dyja palët. Përparimi në dialog dhe zbatimi [i marrëveshjeve] do të reflektohet në rrugëtimin e tyre [të Kosovës dhe Serbisë] evropian”, tha Stano.

    Zëdhënësi i BE-së konfirmoi se marrëveshja e arritur në Ohër është ende e vlefshme dhe se fokusi i të gjithëve duhet të jetë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

    Më 24 prill, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës votoi që t’i përcjellë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

    Për këtë vendim, 33 vota ishin për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.

    Para se të mbahej votimi në Këshillin e Evropës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tregoi se shteti i tij do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

    Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut. Kjo organizatë ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare./REL/

  • Vritet shqiptari në Spanjë, braktiset para spitalit i gjakosur

    Vritet shqiptari në Spanjë, braktiset para spitalit i gjakosur

    Një shqiptar rreth moshës 30 vjeçare është gjetur i vdekur këtë të diel në dyert e urgjencës së spitalit të qytetit të Girona në Spanjë me plagë me thikë në bark.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:00 të së dielës, kur një automjet ka ndaluar në derën e emergjencës së qendrës.

    Një infermiere dhe një mjek ndihmuan për të nxjerrë nga makina shqiptarin. Më pas makina që e solli u largua shpejt.

    Për 45 minuta mjekët u përpoqën ta rikthenin në jetë 30-vjeçarin shqiptar por nuk ia dolën.

    Pronari i mjetit që la shqiptarin në derën e spitalit ishte një tjetër shtetas me origjinë shqiptare me banim midis rajonit Maresme dhe La Selva.

    Mëngjesin e kësaj të hëne, atij iu mor një deklaratë në stacionin e policisë Vista Alegre në Girona.

    Falë kësaj deklarate, agjentët kanë zbuluar se edhe viktima, ashtu si drejtuesi i mjetit, ishte me origjinë shqiptare dhe rreth 30 vjeç.

    Autoritetet vijojnë hetimet për të zbuluar se kush e vrau.

  • ​Krasniqi: Nuk na bëjnë mirë institucionet njëetnike

    ​Krasniqi: Nuk na bëjnë mirë institucionet njëetnike

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, thotë se Kosovës nuk i duhen institucione njëetnike sepse një gjë e tillë nuk është në frymën kushtetuese të shtetit. Ai thotë se asociacionet e komunave mund të formohen vetëm bazuar në ligjet e Kosovës.

    “Kosova është një shtet multietnik ku është ndërtuar mbi këto parime të një demokracie gjithëpërfshirëse. Edhe nuk na bëjnë mirë si komunitete, nëse do të kemi institucione ose organe të tjera njëetnike për shkak se nuk është në frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, Ligji për Vetëqeverisje Lokale përcakton qartë dhe mirë edhe përgjegjësinë në nivelin dhe të drejtën e komunave që të bashkohen në formë të asociacionit. Gjithçka në suazë të këtij bazamenti ligjor”, thotë Krasniqi.

    Ai gjithashtu përgjigjet rreth situatës së krijuar nga vërshimet e muajit janar në disa komuna të Kosovës.

    Krasniqi bën të ditur se ende nuk është finalizuar procesi analizave nga komunat përkatëse.

    “Pas tejkalimit të situatës me vërshime kanë bërë disa komisione komunale. Ne si ministri kemi një anëtar në ato komisione edhe i kanë dërguar raportet për vlerësim, tash është në përpunim e sipër gjithë procesi i analizave të komunave të Kosovës. Kemi disa probleme edhe me komunën e Mitrovicës së Veriut, ku nuk ka kryetar komune dhe tani më është caktuar seanca e kuvendit komunal ku do të votohet edhe raporti i komisionit komunal dhe kjo pastaj e ndihmon procesit që të procesohen të gjitha kërkesat për një herë”, thotë ai.

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal nuk tregon vlerën e dëmit që vërshimet kanë shkaktuar në disa prej komunave, raporton KP.

    “Nuk mund të flas me kompetencë për shifra për nivelin e dëmeve. Mirëpo, komisionet komunale ku edhe ministria jonë është pjesë e këtyre komisioneve, kanë bërë vlerësimin e tyre dhe mandej dërgohet te AME, dhe AME e bën një përmbledhje të gjithë kësaj situate dhe caktohen edhe mbështetjen qeveritare edhe vlerësimi i dëmeve”, shton ai.

    Themelimi i Asociacionit është paraqitur si parakusht nga Serbia, për përparimin e dialogut të Brukselit.

    Ndërsa qëndrimi i Kosovës është se një asociacion me kompetenca ekzekutive është i dëmshëm për shtetin.

    Edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për formimin e këtij asociacioni duhet të harmonizohen me ligjet e Kosovës.

  • Sekuestrohen dy armë zjarri në Hajvali

    Sekuestrohen dy armë zjarri në Hajvali

    Një person u intervistua sot nga Policia në Hajvali për dy vepra penale, ndërsa u konfiskuan dy armë zjarri.

    Ndaj të dyshuarit K.G, 33 vjeçar u iniciua rasti për veprat “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim i armës”.

    “Sot rreth orës 00:10, është raportuar për një rast gjuajtje me armë zjarri. Rasti ka ndodhë Hajvali, ku një person i dyshuar, në një ageng ka shtënë me armë zjarri. Menjëherë pas raportimit policia ka filluar trajtimin e informacioneve si dhe ka ndërmarrë verimet e nevojshme operativo-hetimore në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë karakterizuar rastin. Ndërkohë që policia ka punuar në ndriçimin e rrethanave të rastit ka identifikuar të dyshuarin; -K.G , mashkull 33 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe ka sekuestruar dy armë zjarri për të cilat ka poseduar leje.”, informoi Policia.

  • ​S’ka kuorum, dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi

    ​S’ka kuorum, dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi

    Në mungesë të kourumit ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, kur pritej të shqyrtohej raporti i Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2022.

    Në komision të pranishëm ishin vetëm pesë deputetë, ani pse mbledhja është paraparë të filloi në orën 11:00.

    Kjo bëri që kryetari i komisionit Ferat Shala së bashku me deputetin tjetër opozitarë, Pal Lekaj të lëshojnë sallën.

  • Kurti: Gratë e kanë dëshmuar se janë protagoniste si ndërmarrëse e si punëtore

    Kurti: Gratë e kanë dëshmuar se janë protagoniste si ndërmarrëse e si punëtore

    Tashmë në Kosovë është dëshmuar se gratë janë protagoniste si ndërmarrëse e si punëtore, kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Këto komente ai i bëri me rastin e ditëve të Inovacionit dhe Pronësisë Intelektuale, do të organizojë ceremoninë “Java e Pronësisë Industriale dhe Inovacionit”.

    Shefi i ekzekutivit u zotua se do t’u krijohen mundësi të barabarta grave në çdo fushë.

    “Sot janë shumë aktive në botën e digjitalizuar e të inovacionit, por edhe në bujqësi e shërbime. Ato edhe më parë kanë gjetur mundësi, kanë shpikur forma të burimit financiare. Qeben e thurën për t’i shkolluar fëmijët e tyre, i gjeten vetë tregjet e i siguruan vetë mjetet financiare”.

    “Përtej këtyre shembujve nga e kaluara jonë jo shumë e largët e deri tek ato që eksportojnë nëpër botë, janë të panumërta gratë që insistojnë në biznes e në zhvillim të projekteve. Andaj ne obligohemi që t’i përkrahim që janë në fillim të nismave të tyre, ato që janë në mes të një vështirësie biznesore dhe t’i nxisim ato që kanë dëshirë e vullnet”.

    “Ne duhet të sigurohemi për një fillim të barabartë sepse edhe rrugëtimi në shumicën e rasteve nuk ka qenë i barabartë, shumica e tyre kanë pasur shumë sfida gjatë jetës e ne si Qeveri jemi të vëtëdjshëm dhe jemi duke ndërhyrë kudo që është e mundur”, tha Kurti.

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në ceremoninë “Java e Pronësisë Industriale dhe Inovacionit”, ka premtuar përkrahje për gratë që merren me shkencë e inxhinieri, raporton EO.

    Ajo ka sqaruar se me 11 maj në Bruksel do të nënshkruhet marrëveshja për treg të përbashkët.

    “Më vjen mirë që gratë e Kosovës po zgjedhin të studiojnë drejtime në shkencë e inxhinieri. Duhet të themi se këtë armate punëtore, qeveria e Kosovës e ka mbështet dhe po vazhdon ta mbështes me politika të shëndosha. Teksa shënojmë këtë ditë të rëndësishme si faktor për zhvillimin e ekonomisë dhe lidhjeve të transportit dhe inovacionit është vendimtare që të bëhemi bashkë për të nxitur kreativitet për inovacionin. Në këtë drejtim, pronësia intelektuale është e rëndësishme”.

    “Si ministri sektorin privat me komunat po punojmë ngushtë për të avancuar me politika për pronën intelektuale e inovacion qe kanë synim të zhvillojnë inovacionin edhe për sektorin privat. Kemi filluar negociata dhe është përmbyllur marrëveshja për treg të përbashkët me rajonin dhe kjo marrëveshje do të nënshkruhet më 11 maj në Bruksel”, tha ajo.