ATV

Author: G.O.

  • Mjeku nga Mitrovica, 32 vite në misionin humanitar

    Mjeku nga Mitrovica, 32 vite në misionin humanitar

    Vllaznim Hoti, nga Mitrovica, është ndër mjekët më të respektuar të këtij qyteti.

    Ai këtë punë arrin ta bëjë tash e 32 vjet, madje në shumë prej shtëpive të shëndetit vazhdon të kërkohet vazhdimisht.

    Shtëpia e shëndetit në fshatin Bair të Mitrovicës është vendi ku nisë dhe mbaron dita e mjekut Vllaznim Hoti.

    Mirëpo, puna e tij në këtë fushë filloi qysh herët.

    “Babai im asokohe ka punuar si vozitës i autoambulancës se ndonjëherë kur ka ardhur në shtëpi me atë automjet i shoqëruar me kolegët e punës së tij, unë çdo kam pasë lakmi shumë për mantilbardhët dhe aty ka lind dëshira ime që të bëhem mjek”, tha Hoti.

    Një profesion i tillë në fakt të të nxjerrë përballë shumë sfidave, ai edhe në shërbimin ushtarak u doli në ndihmë me mjekime.

    Tash e 32 vjet puna e tij vazhdimisht është në shërbim të qytetarëve, derisa raportin e mirë me çdo pacient e ruan gjithmonë.

    Doktor Vllaznim thotë se nuk e ka menduar asnjëherë largimin nga Kosova./atvlive.tv./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Osmani vazhdon me agjendën e vizitave në Maqedoni të Veriut

    Osmani vazhdon me agjendën e vizitave në Maqedoni të Veriut

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, edhe sot po qëndron në Maqedoni të Veriut.

    Sipas agjendës, nga ora 10:20 ajo do të mbajë fjalë rasti para stafit akademik dhe studentëve në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

    Presidentja Osmani sot pritet që ta vizitojë edhe Tetovën.

  • Kryeministri falenderon Bislimin, Gërvallën e Sveçlën që me “punën e palodhshme” arritën ta zhbllokojnë liberalizimin e vizave

    Kryeministri falenderon Bislimin, Gërvallën e Sveçlën që me “punën e palodhshme” arritën ta zhbllokojnë liberalizimin e vizave

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka falendereuar zëvendësat e tij, Besnik Bislimi e Donika Gërvalla, si dhe ministrin Xhelal, të cilët sipas tij, “me punën e palodhshme dhe të suksesshme” arritën që ta zhbllokojnë liberalizimin e vizave për Kosovë, “pas 4 vjetësh ngecjeje”.

    Sipas Kurti, tani çdo qytetar i Republikës po ndihet më evropian dhe më afër Evropës.

    “Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, qytetarët tanë më në fund, do të mund të udhëtojnë pa viza, në 32 vende të tjera e reja evropiane përfshirë këtu edhe Bullgarinë, Rumaninë dhe Qipron që nuk janë pjesë e zonës Schengen. Pasaporta jonë do të jetë më e fuqishme, ashtu siç shteti ynë po bëhet përherë e më i fortë”, ka deklaruar Kurti.

    Adresimi i plotë i kryeministrit Kurti në mbledhjen e 140-të të Qeverisë:

    Të nderuar zëvendëskryeministra,

    Ministra e zëvendësministra,

    Të dashur qytetarë,

    Javën që lamë pas edhe këtë javë, çdo qytetar i Republikës është ndjerë më evropian dhe më afër Evropës.

    Liberalizimi i vizave kishte ngecur për katër vjet në agjendën e Këshillit të BE-së. Me shumë punë dhe angazhim, veçanërisht në raport me vendet hezituese, vitin e kaluar arritëm që gjatë Presidencës Çeke të zhbllokojmë këtë proces.

    Javën e kaluar me 18 prill, Parlamenti Evropian kaloi vendimin e liberalizimit të vizave, për të nënshkruar pastaj të nesërmen me 19 prill. Dua të falënderoj edhe një herë zëvendëskryeministrat Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla, sikurse edhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe stafet e tyre për punën e palodhshme dhe të suksesshme.

    Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, qytetarët tanë më në fund, do të mund të udhëtojnë pa viza, në 32 vende të tjera e reja evropiane përfshirë këtu edhe Bullgarinë, Rumaninë dhe Qipron që nuk janë pjesë e zonës Schengen. Pasaporta jonë do të jetë më e fuqishme, ashtu siç shteti ynë po bëhet përherë e më i fortë.

    Ndërkaq, këtë javë u mor një vendim tjetër i rëndësishëm në po të njëjtin qytet, në Strasburg. Të hënën pra pardje me 24 prill, Komiteti i Ministrave me mbi 2/3 e votave të nevojshme votoi për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim. Ne besojmë thellësisht që si shtet i ri, demokratik dhe paqedashës, do të japim kontributin e çmueshëm në të ardhmen si anëtar me të drejta të plota në Këshillin e Evropës. Dhe natyrisht që rezultatet gjithnjë e më të mira sa i përket tri vlerave fundamentale të Evropës, sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut kanë ndikuar shumë në këtë arritje të madhe.

    Këto dy vendime të rëndësishme, brenda më pak se një jave, konfirmojnë rrugën tonë evropiane. Konfirmojnë që jemi në rrugën e duhur dhe konfirmojnë që Kosova i përket Evropës – si Union, si vlerë.

    Sot do të shqyrtojmë edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin dhe Funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Kjo iniciativë e aprovuar në parim vite më parë, sot po konkretizohet dhe po merr drejtimin e duhur.

    Çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj. Temë prioritare, e cila do të vazhdojë të adresohet edhe më tutje si çështje e natyrës urgjente. Miratimi i këtij Projektligji sot, është i një simbolike të veçantë dhe gjithashtu i një rëndësie të madhe. Jo vetëm për faktin që jemi në prag të shënimit të 27 Prillit- Dita e Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë Luftës në Kosovës, por është edhe në vazhdën e iniciativave të konkretizuara së fundmi si në procesin e liberalizimit të vizave ashtu dhe në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, e po ashtu në kohën kur çështja e personave të zhdukur me forcë ka marrë një dinamikë të re edhe në kuadër të dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

    Shteti ynë, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në Zyrën e Kryeministrit, tanimë ka një histori të gjatë të bashkëpunimit me ICMP. Ky aderim, pas mandatit dhe statusit të ri që ICMP ka marrë viteve të fundit, do të jetë një rritje e këtij bashkëpunimi në këtë fazë të rëndësishme të procesit , njëkohësisht do të jetë edhe një mundësi që e kam prezantuar edhe kohë më parë gjatë takimit me ekspertët tanë mjekoligjorë mbi gatishmërinë për angazhim dhe dhënie të kontributit në ndriçimin e të vërtetës si në rastet e luftërave të tjera jashtë vendit tonë, siç ishte ajo në Ukrainë së fundmi por edhe vatrat e tjera anë e mbanë botës. Kapacitetet tona institucionale e profesionale, përmes edhe angazhimit si anëtarë në ICMP, do të jenë në shërbim te të gjitha vendeve e shteteve që kanë kaluar nëpër tragjedi të ngjashme të luftës, e kësisoj do të jemi në shërbim të paqes dhe në shërbim të adresimit të proceseve të ballafaqimit me të kaluarën kudo.

  • Emërohet Bordi i ri i ShSKUK-së

    Emërohet Bordi i ri i ShSKUK-së

    Me propozim të Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Qeveria e Kosovë ka emëruar Bordin e ri të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

    Anëtarët e rinj të këtij Bordi drejtues janë Dren Boshnjaku, përfaqësues nga QKUK, Tetore Olloni nga Qendra Stomatologjike, Rrezarta Bajrami nga IKSHPK, Besim Demolli nga Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt, Vjosa Kadrolli nga Shërbimi i Kujdesit Parësor, Naim Bardiqi si përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe një ekspert i menaxhimit shëndetësor që zgjidhet përmes konkursit publik.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se Bordi drejtues si ShSKUK-së ka për detyrë të sigurojë mbarëvajtjen e gjithmbarshme të punëve të këtij institucioni shëndetësor.

    “ Bordi drejtues është organi më i lartë i ShSKUK-së dhe përbehet nga 7 anëtarë. Bordi drejtues ka për detyrë të siguroj mbarëvajtjen e gjithmbarshme të punëve të ShSKUK-së përfshirë aktivitetet shëndetësore, arsimore, kërkimore-shkencore si dhe aktivitetet e ndërlidhura financiare dhe administrative të njësive të tij organizative dhe funksionale me qëllim të orientimit të përgjithshëm të punëve të ShSKUK-së si dhe reagimit optimal të nevojave shëndetësore të qytetarëve dhe banorëve të Kosovës”, theksoi ai. 

  • Shala: Edhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit në KEK është i dyshuar për vepra penale në KEK

    Shala: Edhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit në KEK është i dyshuar për vepra penale në KEK

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka akuzuar sot Bordin e KEK-ut dhe Qeverinë e Kosovës se kanë bërë shkelje duke caktuar Përparim Kabashin si ushtrues detyre i kryeshefit në KEK.

    Në debatin parlamentar në Kuvend, lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik, Shala ka thënë se derisa Qeveria e Kosovës dhe Bordi i KEK-ut nuk distancohen nga ish kryeshefi i arrestuar Nagip Krasniqi janë po aq përgjegjës sa ai.

    “Konsiderojmë të papranueshëm faktin se Bordi i KEK-ut ka reaguar me vonesë në pezullimin e zotëri Krasniqi, i cili tashmë është i arrestuar. Rrjedhimisht, çfarëdo mosveprimi apo mosdistancimi nga zotëri Krasniqi, bordi dhe qeveria janë po aq përgjegjës për një rast të tillë, ku drejtori i KEK-ut është arrestuar për shkak të dyshimeve se ka kryer veprat keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtarë, ushtrim ndikimin dhe konflikt i interesit. Po ashtu, bordi dje bëri shkeljen e radhës duke vendosur ushtrues detyre të kryeshefit të KEK-ut Përparim Kabashin i cili gjithashtu rezulton të jetë i dyshuar për vepra penale në KEK”, ka thënë ai.

    Javën e kaluar është arrestuar kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi. Ai dyshohet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, po ashtu për ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit.

    Dje, pas disa ditëve të arrestimit të Krrasniqit, Bordi i KEK-ut e ka pezulluar atë nga puna, derisa ka emëruar Përparim Kabashin ushtrues detyre të kryeshefit të KEK-ut.

  • Përfundon subvencionimi i energjisë për ata që kursyen, vazhdon për familjet në nevojë

    Përfundon subvencionimi i energjisë për ata që kursyen, vazhdon për familjet në nevojë

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se ka përfunduar subvencionimi i energjisë elektrike për qyetarët që e kanë kursyer atë, derisa ka shtuar se do të vazhdojnë të mbështesin familjet në nevevojë. 

    Për këtë, ai tha se janë paraparë edhe 25 milionë euro mbështetje për familjes e cenueshme në mënyrë që të lehtësohet barra e faturave të energjisë elekrtike.

    Sipas tij, ka pasur një vetëdijësim të hatashëm të qytetarëve për kursimin e energjisë elektrike, gjë që siç tha ai, ka rezultuar që të ketë përfitues të gjithanshëm.

    “Sot ose nesër qytetarët do ta pranojnë subvencionimin dhe kjo do të jetë përmbyllja e kësaj mase të kursimit e cila ka qenë pra për periudhën e sezonit dimëror të këtij viti. Do të ketë edhe masa të tjera të parapara me pakon mbëhtetëse të BE-së. Janë paraparë edhe 25 milionë euro mbështetje për familjet e cenueshme apo në nevojë në Republikën e Kosovës, në mënyrë që të lehtësohet barra e faturave të energjisë elektrike për ta”, tha Murati.

    Ndërsa ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog, tha se kanë paraparë mbështetje në vazhdimësi.

    “Pakoja jonë përfshinë edhe masa specifike për të mbështetur familje të cenueshme dhe shpresojmë që kjo të jetë e disponueshme që të jetë e mundur. E që sistemi energjetik i Kosovës të jetë i qëndrueshëm duhet të shikojmë se çfarë masash duhet marrë dhe se si t’i zbatojmë ato. Qeveria e Kosovës duhet të miratojë një plan të zbatimit dhe ne të shkojmë në atë drejtim muajve dhe viteve në vazhdim”, tha ai.

    Kujtojmë se subvencionimi i energjisë elektrike për muajt shtator, tetor, nëntor kanë është bërë nga Qeveria e Kosovës, ndërsa për muajt dhjetor, janar, shkurt dhe mars është mbuluar nga fondet e Bashkimit evropian, në vlerë prej 15 milionë euro.

  • Lajçak bisedon me eurodeputetët për dialogun e Brukselit dhe Ballkanin Perëndimor

    Lajçak bisedon me eurodeputetët për dialogun e Brukselit dhe Ballkanin Perëndimor

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar të martën eurodeputetët e grupit të socialistëve dhe demokratëve me të cilët ka folur rreth zhvillimeve të fundit në dialog si dhe  Ballkanin Perëndimor.

    “Jam mirënjohës për interesimin e tyre në rajon dhe mbështetjen për të ardhmen evropiane”, shkroi Lajçak në Twitter.

    Edhe socialistët dhe demokratët kanë shkruar në profilin e tyre në Tëitter për takimin me të dërguarin evropian me ç’rast njoftuan se kanë diskutuar për dialogun para takimit të 2 majit.

    “Ne bëjmë thirrje për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet në njoftimin e grupit.

    Më 2 maj në Bruksel do të mbahet takimi I radhës në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

    Ky takim vjen pas atij të Ohrit ku palët u dakorduan për aneksin e zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi.

  • Zelensky thotë se më shumë se 60 objekte kulturore ukrainase janë shkatërruar nga rusët

    Zelensky thotë se më shumë se 60 objekte kulturore ukrainase janë shkatërruar nga rusët

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se “më shumë se 60 muze dhe galeri në rajone të ndryshme janë shkatërruar ose dëmtuar nga pushtuesit” që nga fillimi i luftës, raporton CNN.

    Ai shtoi se dy gra u vranë në një sulm rus duke përdorur raketa S-300 në muzeun Kupyansk në rajonin e Kharkiv. Qyteti është rreth 10 kilometra nga vijat e frontit.

    Ai tha gjithashtu se një kishë u shkatërrua nga një sulm rus në rajonin jugor të Khersonit. “Kjo kishë u bë një nga qindra kishat dhe shtëpitë e lutjeve të shkatërruara nga sulmet ruse”, shtoi ai.

    Zelensky pretendoi se forcat ruse kishin hyrë në shtëpinë e një aktivisti tatar, Abduresheet Dzhepparov, në Krime. “Ai është një nga përfaqësuesit e lëvizjes kombëtare tatare të Krimesë, një aktivist i të drejtave të njeriut, një qytetar i Ukrainës. Nuk dihet se ku është tani, çfarë po ndodh me të”.

  • Mblidhet Qeveria, ky është rendi i ditës

    Mblidhet Qeveria, ky është rendi i ditës

    Qeveria e Kosovës sot do të mbajë mbledhjen e radhës ku pritet të shqyrtohen 19 pika të rendit të ditës.

    Mbledhja do të fillojë në ora 10:00.

    Gjatë kësaj mbledhje do të shqyrtohet Projekt-Rregullorja për Zëvendësimin apo mungesën e Përkohshme nga Puna e Nëpunësit Civil (MPB), pastaj edhe lista e artikujve të përbashkët të cilët janë në prokurim.

    “Shqyrtimi i Propozim-vendimit për plotësimin e listës së artikujve për përdorim të përbashkët që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit, të aprovuar me Vendimin e Qeverisë Nr. 06/27 të datës 30 prill (MFPT)”, thuhet në pikën shtatë të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

    Në këtë mbledhje pritet të shqyrtohet edhe propozimi për ndarjen e mjeteve buxhetore për Forumin Ekonomik të Vjenës.

  • Sot seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut

    Sot seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut

    Sot në ora 11:00, në Kuvendin e Republikës së Kosovës pritet të mbahet seancë e jashtëzakonshme në lidhje me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    Kjo seancë është thirrur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i cili ka njoftuar se ka dorëzuar kërkesën nga 40 deputetë për këtë seancë të jashtëzakonshme për ditën e nesërme.

    Tahiri ka njoftuar se gjatë kësaj seance do të kërkojnë përgjegjësi për rastin e arrestimit për korrupsion të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.

    Ky i fundit ish zyrtar i lartë i LVV’së i emëruar nga bordi i pushtetit të kësaj partie në krye të KEK’ut.

    Në këtë seancë pritet të zhvillohet debat parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.

    Ndryshe, Nagip Krasniqi është arrestuar të mërkurën nën dyshimin se ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ dhe ‘’Konflikti i interesit’’ dhe të njëjtit i është caktuar një muaj paraburgim.