ATV

Author: G.O.

  • Dy persona shoqërohen në Polici, sekuestrohen dy armë zjarri dhe një thikë

    Dy persona shoqërohen në Polici, sekuestrohen dy armë zjarri dhe një thikë

    Policia ka informuar dje se dy persona janë shoqëruar në stacione policore, ndërsa janë sekuestruar dy armë zjarri dhe një thikë në rajonin e Prishtinës.

    Siç ka informuar Policia, sekuestrimi i armëve është kryer në dy raste dhe lokacione të ndryshme.

    Njëri rast ka ndodhur në lagjen “Sofalia”, ndërsa tjetri në rrugën “Ilir Konushevci”.

    “Në rastin e parë në lagjen Sofalia, në Prishtinë, pas raportimit për të shtëna me armë, menjëherë kanë reaguar njësi të stacionit Qendra, të cilët kanë shoqëruar një person dhe sekuestruar, një armë zjarri. I dyshuari, mashkull, pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, ndaj tij është iniciuar rast për armëmbajtje pa leje, dhe përdorim të armës. Ndërsa rasti i dytë i sekuestrimit të një arme zjarri dhe një thike, është realizuar nga njësite të stacionot Veriu, në rrugën “Ilir Konushevci” në Prishtinë, ku për veprën sulm dhe armëmbajtje pa leje është shoqëruar i dyshuari: F.C, mashkull, 25 vjeç, i cili pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.”, ka bërë të ditur PK.

  • Mbi 80 raste aktive me COVID-19 në Kosovë

    Mbi 80 raste aktive me COVID-19 në Kosovë

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në përditësimin e fundit lidhur me COVID-19, ka njoftuar se kanë realizuar 41 testime, prej të cilave katër raste janë konfirmuar pozitiv me COVID-19.

    Sipas institutit, nuk janë konfirmuar raste të vdekjes, derisa janë shëruar 12 persona.

    20 persona janë të hospitalizuar. Kurse, gjithsej rastet aktive në vendin tonë janë 84.

  • Përkujtohet 24-vjetori i eksodit në Bllacë

    Përkujtohet 24-vjetori i eksodit në Bllacë

    Sot do të shënohet 24-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, ata janë detyruar nga forcat serbe të shpërnguleshin në Maqedoninë e Veriut.

    Për ta shënuar këtë ditë, sot në Qendrën Përkujtimore Bllacë në Han të Elezit, duke nisur nga ora 10.00, do të mbahet manifestimi përkujtimor “Eksodi Bllaca 99”, me ç’rast, Shoqata për Kthimin e Shqiptareve te Shpërngulur nga Trojet e Veta do të ndajë çmimin “Hasan Prishtina” për 24 komuna, bashkësi lokale, shoqata humanitare, organizata joqeveritare e mediume nga RMV, që kanë ndihmuar refugjatët kosovarë gjatë kohës së luftës të vitit 1998-99.

    Gjithashtu në Bllacë, fotografi Asllan Krasniqit do të nxjerrë nga arkivi i tij për herë të parë pas 24 vitesh, dhe do të hapë ekspozitë me 24 fotografi të “Eksodit’99 në Bllacë, Stenkoc dhe Çegran”.

    Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kanë kaluar kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

    Ata kanë qenë fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Në çdo përvjetor të eksodit të vitit 1999, që ka marrë përmasa biblike, në Kukës përkujtohet e në dy vjetët e fundit edhe simbolikisht prej pandemisë, kjo dramë vuajtjesh nga më të tmerrshmet që kanë përjetuar njerëzit e kësaj toke.

    Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, ka arritur kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi), transmeton KosovaPress.

    Para dy vitesh, për të kujtuar ditët e shpërnguljes më dhunë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe vuajtjet e tyre nga regjimi serb në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit është inauguruar monumenti “Muri i Kujtesës” si dhe parku “Hasan Prishtina”.

    Monumenti “Muri i Kujtesës” është një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, bashkë me emrat e disa prej personaliteteve të shquara botërore që kontribuuan në çlirimin e Kosovës, një vepër kjo artistike-monumentale që shpreh më së miri kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që sollën lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur.

    Eksodi i shqiptarëve shënohet edhe në Kukës, çdo 16 prill.

  • Reagimet pasi Supremja liroi të akuzuarin për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

    Reagimet pasi Supremja liroi të akuzuarin për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

    Naser Pajazitaj, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, është liruar nga akuza për vrasje me vendim të Gjykatës Supreme.

    “Kolegji penal i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur me datë 06 prill 2023, e ka liruar N.P., nga akuza për vrasje. Pas përpilimit të aktgjykimit brenda afatit ligjor, i njëjti do të bëhet publik”, tha zëdhënësja në Gjykatën Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.

    Me vendimin nuk po pajtohen familjarët e Donjetës, të cilët edhe hedhin akuza drejt Supremes.

    Pas vendimit për lirimin, reagoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    “Sepse për mua është e papranueshme që një person i cili dënohet me burgim të përjetshëm, aq lehtësisht të lirohet nga akuza. Ja pse reformat që kemi nisur si Ministri e Drejtësisë janë jashtëzakonisht të rëndësishme”, tha Haxhiu.

    Në fakt, Naser Pajazitaj si i dyshuari i vetëm, krejt në fillim të gjykimit, ishte liruar nga akuza nga Gjykata e Pejës për shkak të mungesës së provave.

    Por, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim. Pas këtij procesi, Pajazitaj u dënua prapë me burgim të përjetshëm, por rasti u kthye sërish në rigjykim.

    Pastaj nga gjykata e Pejës rasti kaloi në atë të Ferizajt, e cila po ashtu në maj të vitit 2021, e shpalli fajtor dhe e dënoi sërish me burgim të përjetshëm.
    Rasti, për herë të katërt u kthye në rigjykim, por vendimi ishte i njëjtë, në qershor të 2022-tës, Pajazitaj u dënua me burg të përjetshëm sërish.

    Donjeta Pajazitaj ishte gjetur e vrarë me dy plumba, në Strellc të Deçanit, në nëntor të 2015-s, pas disa javësh që ishte shpallur e zhdukur. /atvlive.tv/