ATV

Author: G.O.

  • Aktori që ende paguhet për rolin e tij të vogël në “Titanic”

    Aktori që ende paguhet për rolin e tij të vogël në “Titanic”

    Një aktor fëmijë, i cili luajti një rol të vogël në filmin klasik “Titanic”, ka zbuluar se ai ende paguhet për rolin e tij në filmin i cili u publikua 25 vjet më parë.

    Reece Thompson, tani një drejtor marketingu dixhital në Utah, luajti rolin e një pasagjeri irlandez të klasit të tretë në hitin e James Cameron të vitit 1998 kur ai ishte pesë vjeç, shkruan atvlive.tv.

    Ai u shfaq në një skenë tragjike dhe të paharrueshme ku anija po mbushej me ujë, ndërsa personazhi i Reece-it, motra dhe nëna e tij shihen të shtrirë në kabinën e tyre në pritje të vdekjes pasi nuk arritën të zinin një vend në një nga varkat e shpëtimit.

    Në lidhje me rolin e tij, ai tha se ende merr përqindjen e tij nga ky film.

    “Akoma më vijnë çeqet, është e vërtetë. Por, kam disa vite që nuk e kam përditësuar adresën time, kështu që paratë nuk i kam marrë”, është shprehur, Reece Thompson./ATVLIVE.TV./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Tensione dhe përleshje gjatë protestave të 1 majit në Francë, plagosen qindra policë

    Tensione dhe përleshje gjatë protestave të 1 majit në Francë, plagosen qindra policë

    Të paktën 108 zyrtarë policorë janë plagosur në përleshjet më protestuesit nëpër Francë, të cilët ishin grumbulluar në qytete të ndryshme për të protestuar kundër reformave për pensione.

    Lajmin e ka konfirmuar ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, i cili tha se një numër kaq i madh i të plagosurve nga ana e policisë është një gjë jashtëzakonisht e rrallë.

    Ai gjithashtu bëri të ditur se 291 persona ishin arrestuar gjatë trazirave.

    Qindra mijëra njerëz morën pjesë në demonstratat e 1 Majit kundër reformave të presidentit Emmanuel Macron.

    Shumica ishin paqësore, por grupet radikale hodhën bomba me benzinë dhe fishekzjarrë. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë.

    Nuk dihet se sa protestues kanë mbetur të lënduar.

    Kjo është dita e fundit e protestave masive kundër ndryshimeve që rrisin moshën e pensionit shtetëror nga 62 në 64. Sindikatat kërkojnë tërheqjen e kësaj reforme.

    Ministria e Brendshme tha se numri i përgjithshëm i demonstruesve ishte 782.000, duke përfshirë 112.000 protestues në kryeqytetin Paris, por sindikata CGT thotë se shifra është trefish më e madhe.

    Në Paris, një zyrtar policor pësoi djegie të rënda në duar dhe fytyrë kur u godit nga një bombë me benzinë.

    Ngjashëm, skena të dhunshme u panë edhe në Lion dhe Nantes dhe pati raportime se protestuesit e pushtuan përkohësisht një hotel luksoz në qytetin jugor të Marsejës.

  • OKB: Mbi 800.000 njerëz mund të ikin nga Sudani

    OKB: Mbi 800.000 njerëz mund të ikin nga Sudani

    Kombet e Bashkuara paralajmëruan se mbi 800.000 njerëz mund të largohen nga Sudani, derisa fraksionet ushtarake rivale luftojnë për pushtet.

    Qindra njerëz janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur që nga shpërthimi i luftimeve, më 15 prill, midis ushtrisë dhe një grupi paraushtarak, i njohur si Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

    Të dyja palët kanë rënë dakord të dielën për të zgjatur armëpushimin për 72 orë, edhe pse raportohet për shkelje të vazhdueshme.

    Zëvendësshefi i OKB-së për Çështje të Refugjatëve, Raouf Mazou, tha se agjencia e tij pret një eksod prej 815.000 njerëzish, përfshirë 580.000 sudanezë, si dhe refugjatë të huaj që tani jetojnë në atë vend.

    Sipas tij, rreth 73.000 njerëz tashmë kanë lënë Sudanin.

    Ministria e Shëndetësisë e Sudanit ka thënë se së paku 528 njerëz janë vrarë nga luftimet dhe 4.599 janë plagosur.

    Kombet e Bashkuara kanë raportuar për një numër të ngjashëm viktimash, por kanë thënë se besojnë se numri real i tyre është shumë më i lartë.

    Kush lufton?

    Në njërën anë të konfliktit është gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, president i Qeverisë ushtarake të Sudanit dhe udhëheqës i ushtrisë, ndërsa kundërshtar i tij është gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, nënkryetar i Sudanit, i cili mbikëqyr Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

    Të dy ata akuzojnë njëri-tjetrin për të shtënat e para në përleshje.

    Tensionet mes tyre kanë të bëjnë me transferimin e pushtetit tek një autoritet civil dhe me integrimin e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në ushtri./REL/

  • ​Kurti dhe Vuçiq takohen sot në Bruksel

    ​Kurti dhe Vuçiq takohen sot në Bruksel

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të takohet sot në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

    Në këtë takim temë qendrore pritet të jetë draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    Po ashtu vend të rëndësishëm do të ketë edhe tema e fatit të të pagjeturve.

    Takimi që pritet të mbahet në orët e mbrëmjes është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel.

    Bashkimi Evropian ka thënë se pret që palët “të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi dhe diskutimi mbi projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

    Në një intervistë për një medium kroat, Kurti ka deklaruar se pret të sheh se çfarë drafti është përgatitur.

    “Duke marrë parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë që më parë të ma paraqitnin në Prishtinë”, ka thënë ai.

    Ndërkaq, të hënën në mbrëmje kreu i ekzekutivit ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, me të cilin siç është shprehur Kurti, ka theksuar se marrëveshja bazë dhe aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi.

    Numri një i qeverisë mbrëmjen e së hënës ka mbledhur stafin e tij këshillues për t’u përgatitur për takimin që do të mbahet sot në Bruksel.

  • ​24 vjet nga masakra në Studime të Vushtrrisë

    ​24 vjet nga masakra në Studime të Vushtrrisë

    Janë bërë 24 vjet që nga koha kur në Studime të Vushtrrisë forcat kriminele serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm.

    Këta të fundit u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri.

    Nga dëshmitarët mësohet se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve.

    Familjarë dhe qytetarë të tjerë kujtojnë çdo vit këto viktima, e ashtu do të ndodhë edhe këtë vit.

  • Tentoi të vetëvritej, shpëtohet 62-vjeçari në Ferizaj

    Tentoi të vetëvritej, shpëtohet 62-vjeçari në Ferizaj

    Një 62-vjeçar në Ferizaj është shpëtuar nga Policia pasi ka tentuar të vetëvritet. Sipas një komunikate dërguar mediave, Policia ka bërë të ditur se 62-vjeçari kishte hipur në një vinç të lartë rreth 40 metra, afër një objekti banesor në Ferizaj dhe po tentonte të vetëvritej.

    “Sot, rreth orës 13:00 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se një person mashkull, kosovar i moshës 62 vjeçar, kishte hipur mbi një vinç të lartë rreth 40 metra, afër një objekti banesorë në ndërtim në rrugën ’’Ahmet Kaciku’’ në Ferizaj dhe po tentonte të vetëvritej. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të policisë nga njësia reaguese dhe njësia e hetimeve së bashku me mbikëqyrësin e ndërrimit të stacionit të policisë në Ferizaj”, njoftoi Policia.

    Sipas njoftimit të Policisë, ai u shpëtua nga një zyrtar policor.

    “Janë marrë të gjitha masat e nevojshme për shpëtim nga ekipet në vendin e ngjarjes, është bllokuar për qarkullim rruga ” Ahmet Kaçiku ” dhe menjëherë mbikëqyrësi i ndërrimit ka filluar të negocioj me viktimën dhe ta bindë atë, që mos të kërcejë/bëjë vetëvrasje nga lartësia. Pas shumë përpjekjeve të mbikëqyrësit të ndërrimit Toger R.H, në ora 13:50 viktima është bindur dhe ka lejuar që të shpëtohet dhe të zbresë nga vinçi në tokë pa asnjë lëndim”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.

    Tutje, bëhet e ditur se viktima është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, rasti është cilësuar ” Vetëvrasje në tentativë”, ndërsa policia po vazhdon hetimet.

     

  • Gruaja e Rexhep Selimit thotë se burri i saj nuk e shkarkoi avokatin, tregon krejt çka ndodhi

    Gruaja e Rexhep Selimit thotë se burri i saj nuk e shkarkoi avokatin, tregon krejt çka ndodhi

    Gruaja e Rexhep Selimit, Shqipe Mehmeti-Selimi ka sqaruar arsyet pse “10-shi” i UÇK-së ka kërkuar që avokati David Young të largohet nga detyra e kryeavokatit të ekipit mbrojtës të tij.

    Ajo në një postim në Facebook ka thënë se nuk qëndron fakti se Rexhep Selimi ka larguar avokatin Young, por e vërteta është se ai ka kërkuar që për arsye shëndetësore, kryeavokat të jetë Geoggrey Roberts, kurse avokat të jetë David Young.

    “z. David Young mbetet akoma pjesë integrale e ekipit të mbrojtjes së Rexhep Selimit. Megjithatë për arsye shëndetësore është vendosur në bashkëpunim me z. Young që për një periudhë të pacaktuar Avokat kryesor të jetë z. Geoffrey Roberts, kurse bashkë-avokat z. David Young”, ka shkruar ajo.

    Postimi i plotë i saj:

    SQARIM

    Të nderuar qytetarë

    E ndjej obligim të bëj këtë sqarim në lidhje me lajmin që po qarkullon sot nëpër medie se Rexhep Selimi ka larguar nga ekipi avokatin e tij z. David Young. Ky është një keq-informim që i bëhet publikut.David Young mbetet akoma pjesë integrale e ekipit të mbrojtjes së Rexhep Selimit. Megjithatë për arsye shëndetësore është vendosur në bashkëpunim me z. Young që për një periudhë të pacaktuar Avokat kryesor të jetë z. Geoffrey Roberts, kurse bashkë-avokat z. David Young.Ekipa mbrojtëse e Rexhep Selimit vazhdon punën si gjithmonë – me intenzitetin dhe harmoninë e zakonshme.Ne si familje jemi të kënaqur me punën e avokatëve.

  • Krasniqi: Si shtet ende s’kemi arritur që të sigurojmë trajtim meritor për punëtorët

    Krasniqi: Si shtet ende s’kemi arritur që të sigurojmë trajtim meritor për punëtorët

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se shteti i Kosovës ende nuk ka arritur të ofrojë trajtim meritor për çdo punëtor në cilindo sektor që punon.

    Krasniqi ka uruar qytetarët për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, duke shprehur mirënjohje për rolin dhe kontributin e secilit punëtor.

    “Sot, më 1 Maj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, shpreh mirënjohje për rolin dhe kontributin e secilit punëtor në shoqëri, duke u zotuar për krijimin e kushteve më të mira të punës, respektimin e plotë të të drejtave të tyre, paga dinjitoze dhe mundësi më të shumëta për të gjithë”, ka shkruar në rrjetin social, Facebook.

    Ndër të tjera, ai ka thënë se sfidën e madhe të emigrimit masiv të të rinjve tanë që kërkojnë një perspektivë larg Kosovës, duhet të tejkalohet përmes angazhimit konkret në krijimin e një ambienti të favorshëm që ofron mundësi të barabarta, vende pune me paga konkurruese dhe vlerësim të drejtë për kontributin e punëtorëve.

  • Hoti akuzon Qeverinë, ia përmend katër vërejtje për ditën e 1 majit

    Hoti akuzon Qeverinë, ia përmend katër vërejtje për ditën e 1 majit

    Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti në Ditën Ndërkombëtare të punëtorëve ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se nuk bëri asgjë për punëtorët duke i përmendur këtu katër pika.

    Sipas Hotit Qeveria nuk rriti paga pavarësisht inflacionit në vend, ligji për pagat sipas tij vetëm krijoi probleme, ligji për pagën minimale u ‘harrua’.

    Reagimi i plotë:

    1. Pagat nuk u rritën në vitin me inflacionin më të lartë në 15 vitet e fundit, përkundrazi. Bazuar në raportin e buxhetit për 2022, shpenzimet totale për paga të 85 mijë punëtorëve të sektorit publik (që janë 1/4 e punëtorëve në nivel vendi) pësuan rënie me 3% krahasuar me vitin paraprak.
    2. Ligji i pagave në sektorin publik më shumë krijoi probleme se që zgjidhi. Ky ligj krijoi pasiguri pasi uli ndjeshëm pagat në veçanti në institucionet e pavarura dhe për profesionet e rralla në treg (ekspertët e teknologjisë së informacionit, inxhinierët e ndryshëm etj.). Për shkak që është shtyer miratimi i tij pa asnjë arsye, ishte vonë për tu buxhetuar në mënyrë të rregullt në buxhetin e vitit 2023. Për shkak të mungesës së konsultimeve me sindikatat, shumë të punësuar mbetën të pakënaqur dhe ligji përfundoi në Gjykatë Kushtetuese.
    3. Ligji për pagën minimale, që do të ndikonte në rritjen e pagave të ulëta në sektorin privat, u miratua në lexim të parë në Kuvend para një viti. Nga atëherë është harruar plotësisht, edhe pse ky ligj përbënte ‘reformën’ kryesore të mazhorancës së majtë në pushtet.
    4. Në anën tjetër, pa asnjë konsideratë për gjendjen ekonomike, (i) u dyfishua tatimi në pronë për shumë qytetarë dhe biznese, si dhe (ii) dy herë u shtrenjtua energjia elektrike. Pavarësisht se me subvencione po ndihmohen familjet që kursejnë energji, si dhe janë ndihmuar bizneset gjatë vitit 2022, në fund të fundit efekti makroekonomik është i njëjtë pasi po përdoren tatimet e qytetarëve për këto subvencione. Këto tatime do të mund të shkonin për të mira të tjera publike shumë më të nevojshme, siç është arsimi dhe shëndetësia.
  • Mes kritikave, Zvicra merr presidencën e Këshillit të Sigurimit

    Mes kritikave, Zvicra merr presidencën e Këshillit të Sigurimit

    Zvicra mori për herë të parë kryesimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të hënën, më 1 maj.

    Në këtë rol, Zvicra dëshiron ta realizojë reputacionin e saj si ndërmjetëse dhe ndërtuese urash, tha ambasadori i OKB-së, Pascale Baeriswyl.

    Megjithatë, reputacioni i Zvicrës tradicionalisht neutrale është dëmtuar që nga fillimi i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.

    “Në qarqet politiko-diplomatike, politika e jashtme zvicerane e 18 muajve të fundit të jep arsye për ta tundur kokën”, tha eksperti politik, Christoph Frei, nga Universiteti zviceran i St Gallen, për agjencinë e lajmeve, DPA.

    Sipas tij, arsyet përfshijnë hezitimin në fillim për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe refuzimin e vazhdueshëm për t’i ndaluar aleatët të transportojnë municione zvicerane në Ukrainë, pavarësisht politikave neutrale të Zvicrës.

    Vendi ka refuzuar gjithashtu një ftesë nga shtetet më të industrializuara (G7) për t’u bashkuar në një grup pune për t’i gjurmuar fondet e mbështetësve të presidentit rus, Vladimir Putin .

    “Ne jemi në rrugën drejt humbjes së miqve” tha Frei.

    Raportimet kritike ndaj Zvicrës janë shtuar, sipas Ministrisë së Jashtme të Zvicrës. Por, sipas ministrisë, nuk ka asnjë indikacion deri më tani “për një përkeqësim të konsiderueshëm në perceptimin e përgjithshëm për neve që do të kishte pasoja negative të qëndrueshme”.

    Për shkak të kritikave ndaj vendit të tij, Frei thotë se ai ka marrë mesazhe armiqësore. Ai thotë se gjatë javëve të fundit ka marrë letra me përmbajtje si “Ti je tradhtar i vendit, luftënxitës, gomar”.

    Presidenca e Këshillit të Sigurimit ndërron sipas një radhe të paracaktuar çdo muaj. Para Zvicrës, presidencën e Këshillit të Sigurimit e kishte Rusia, gjë që gjithashtu kishte nxitur kritika të shumta./REL/