ATV

Author: G.O.

  • Martohet këngëtarja Sia

    Martohet këngëtarja Sia

    Edhe pse është një nga këngëtaret më të suksesshme dhe më e talentuar, shpesh ka preferuar privatësinë.

    Por Billboard zbuloi se këngëtarja Sia në fundjavë është martuar me Dan Bernad.

    Në ceremoni ishin pjesëmarrës vetëm katër mysafirë që çiftin kishin ftuar.

    Për Sian dhe Bernard, nuk ka informacione të sakta se sa kohë kanë që janë në lidhje.

    E veçanta e këngëtares është zgjedhja e saj ta mbulojë fytyrën që nga fillimi i karrierës.

    Në intervista ka shpjeguar se arsyeje janë të ndryshme si p.sh., fama e madhe e ka detyruar të mbrojë veten nga sulmet dhe vëmendja e panevojshme.

    Tjetër ka rrëfyer se ka kohë që vuante nga ankthi dhe depresioni dhe mbulimi i fytyrës ishte një mënyrë e mirë për t’i fshehur emocionet negative./atvlive.tv/

  • Më 24 maj në Kosovë vjen shkrimtari i njohur turk Orhan Pamuk

    Më 24 maj në Kosovë vjen shkrimtari i njohur turk Orhan Pamuk

    Shkrimtari i njohur turk, Orhan Pamuk, i cili është edhe fitues i çmimit Nobel në Letërsi, do të vijë më 24 maj në Kosovë, përcjell KultPlus.

    Njoftimin e ka bërë të ditur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku nëpërmjet një postimi në Facebook.

    Postimi i plotë:

    Kënaqësi e veçantë ta presim në Kosovë shkrimtarin e madh turk, fituesin e Çmimit Nobel në Letërsi, Orhan Pamuk.

    I përkthyer në dhjetëra gjuhë, me miliona kopje të shitura, Pamuku është shpërblyer me shumë çmime në fushën e kulturës.

    Për romanet e tij, paralelet midis së shkuarës dhe së tashmes, jetën e artistit dhe artin në përgjithësi, do të flas vet ai në Prishtinë./ KultPlus.com

  • Një recetë ditore për “të qetësuar” stomakun e fryrë

    Një recetë ditore për “të qetësuar” stomakun e fryrë

    Fryrja e stomakut është ënjtje me dhimbje në zonën e barkut, e cila mund të shkaktohet kur hani diçka me të cilën nuk pajtohet trupi juaj.

    Metodat për trajtimin e këtij fenomeni fillojnë nga konsumimi i ushqimeve të caktuara e deri te konsumimi i shumtë i ujit. Ja cfarë vakte të konsumoni për të eliminuar këtë problem:

    Mëngjes

    – Kos me dithëra dhe 1 filxhan manaferra

    ose

    – 2 vezë të ziera dhe 1 filxhan manaferra

    Mes mëngjesit dhe drekës

    – 1 grusht arra dhe 1 portokalli

    ose

    – disa shkopinj selino dhe 2 lugë çaji gjalpë kikiriku

    Drekë

    – Sallatë: 2 gota të mëdha me perime, 1 kastravec, 2 domate, 2 karrota të vogla, 1 avokado, 1 vezë të zierë, një lugë çaji fara (luledielli, kungull ), vaj, limon, uthull

    Vakt për pasdite

    – 200 ml kos me kanellë

    ose

    – Një filxhan me copa kastraveci dhe kopër të freskët, të kombinuara me dy lugë kos.

    Darkë

    – Peshk i pjekur, spinaq i gatuar me vaj ulliri dhe hudhër, perime të pjekura (patate, karrota, panxhar)

    Konsultohuni me mjekun për të vërtetuar që këto produkte nuk ju bëjnë reaksion.

  • ShBA akuzon Afrikën e Jugut se i ka ofruar armë Rusisë

    ShBA akuzon Afrikën e Jugut se i ka ofruar armë Rusisë

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Afrikën e Jugut ka akuzuar vendin për ofrimin e armëve për Rusinë, duke thënë se kjo është një shkelje e pozitës së neutralitetit që Afrikës së Jugut ka marrë në luftën në Ukrainë.

    Armët u ngarkuan në një anije mallrash ruse që u ankorua fshehurazi në një bazë detare pranë Kejp Taun për tre ditë në muajin dhjetor të vitit 2022, dhe më pas u transportuan në Rusi, tha ambasadori amerikan Reuben Brigety më 11 maj.

    “Ne jemi të sigurt se armët ishin ngarkuar në atë anije dhe unë mund të vë bast mbi jetën time për saktësinë e këtij pohimi”, tha ambasadori gjatë një konference me gazetarët, transmetoi një kanal vendor lajmesh.

    “Armatosja e rusëve është jashtëzakonisht serioze dhe ne nuk e konsiderojmë këtë çështje të zgjidhur dhe do të donim që Afrika e Jugut të [fillojë] të praktikojë politikën e saj të neutralitetit”, tha ai.

    Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel, u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara kanë shqetësime serioze për ankorimin e anijes, e cila është nën sanksionet e vendosura nga SHBA-ja.

    Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa ishte në Kejp Taun duke iu përgjigjur pyetjeve në Parlament kur një ligjvënës i kërkoi atij t’i përgjigjej pretendimit të ambasadorit Brigety. Presidenti u përgjigj se duke thënë se “çështja është duke u shqyrtuar dhe me kalimin e kohës do të jemi në gjendje të flasim për të”.

    Zyra e tij i quajti akuzat “zhgënjyese” dhe paralajmëroi se vërejtjet “minojnë frymën e bashkëpunimit dhe partneritetit” midis zyrtarëve të qeverisë së SHBA-së dhe Afrikës së Jugut që kishin diskutuar për këtë çështje.

    Anija me këto ngarkesa nxitit spekulime kur u ankorua në fillim të dhjetorit në bazën detare të qytetit Simon.

    Anëtari i parlamentit të opozitës Kobus Marais kërkoi përgjigje nga qeveria e asaj kohe, duke thënë se mallrat ishin shkarkuar dhe ngarkuar gjatë orëve të natës.

    Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja e Departamentit të Thesarit të SHBA-së shtoi anijen e ngarkesave, Lady R, në listën e saj të sanksioneve vitin e kaluar për shkak të dërgesave të supozuara të armëve për Rusin./REL/

  • 12 Maji- ​Dita Ndërkombëtare e Infermierëve

    12 Maji- ​Dita Ndërkombëtare e Infermierëve

    Sot është 12 Maji – Dita Ndërkombëtare e Infermiereve, e cila përkon me 203-vjetorin e lindjes së Florence Nightingale, e cila njihet edhe si themeluesja e infermierisë në botë.

    Rreth 2/3 e punëtorëve në QKUK, apo 60% të gjithë të punësuarve janë infermierë dhe kjo shifër flet për fuqinë potenciale që kanë.

    Me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë, organizon për herë të parë promovimin e Manualit të Parë të Procedurave Standarde të Infermierisë në Kujdesin Parësor Shëndetësor.

  • Arrestohen dy të dyshuar pasi në rrjete sociale kishin ekspozuar armë në Gjakovë

    Arrestohen dy të dyshuar pasi në rrjete sociale kishin ekspozuar armë në Gjakovë

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar në Gjakovë pasi në rrjete sociale kishin ekspozuar armë dhe iniciohet rast “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”

    Sipas policisë, Njësia e Hetimeve në kuadër të Stacionit Policor në Gjakovë, sot kishin pranuar një informatë nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore se e dyshuara femër, shtetase e Republikës së Shqipërisë, derisa ka qenë në Kosovë kishte ekspozuar një armë zjarri në rrjetet sociale.

    “Menjëherë është filluar me veprime operative dhe hetimore dhe është arritur të identifikohen dhe të arrestohen dy të dyshuar: F.D., femër e lindur në vitin 2000, shtetase e Republikës së Shqipërisë dhe B.B., mashkull i lindur në vitin 1992, shtetas i Republikës së Kosovës. Pas intervistimit, i dyshuari i dytë ka pranuar se posedonte armë në mënyrë të paautorizuar. I njëjti ka dorëzuar dy pistoleta, dy karikator dhe 6 copë fishekë”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu sipas policisë, arma dhe municioni janë sekuestruar, ndërsa të dyshuarit pas përfundimit të procedurave policore, me vendim të prokurorit të shtetit janë liruar në procedurë të rregullt. Ndaj tyre është iniciuar rast “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

  • Mbrojtja e Nagip Krasniqit e dorëzon në Gjykatën Supreme kërkesën për lirim nga paraburgimi

    Mbrojtja e Nagip Krasniqit e dorëzon në Gjykatën Supreme kërkesën për lirim nga paraburgimi

    Ekipi mbrojtës i Nagip Krasniqit, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), i cili është pezulluar nga kjo detyrë pas dyshimeve për korrupsion, ka dorëzuar në Gjykatën Supreme kërkesën për lirimin e Krasniqit nga masa e paraburgimit.

    Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i Krasniqit, avokati Tomë Gashi.

    “Ankesa është dorëzu në Gjykatë Superme të Kosovës, faktikisht për Gjykatën Supreme ka të bëjë me mbrojtje të ligjshmërisë edhe tu e pas parasysh që Gjykata e Apelit faktikisht i ka heq dy prej rrethanave për të cilat është caktu masa e paraburgimit dhe ka mbetur vetëm një arsye për të cilën nuk i është ndërpre paraburgimi, e që sipas Gjykatës së Apelit kjo është mundësia eventuale e ndikimit te dëshmitarët. Ne besojmë që Prokuroria ka pas mundësi që t’i marrë në pyetje këta dëshmitarë deri më tani sepse faktikisht ka kaluar veçse 20 ditë dhe përveç kësaj dëshmitarët kanë dhënë deklarta edhe në Polici, kështu që ne kemi besim të plotë që Gjykata Supreme do t’ia ndërprejë masën e paraburgimit zotit Nagip Krasniqit”, tha avokati Gashi.

    Tutje, avokati Gashi tha se caktimi i masës së paraburgimit duhet të ndërpritet dhe është e caktuar pa kurrfarë baze juridike dhe se e njëjta mund të zëvendësohet me një masë më të butë nga Supremja.

    “Masa, përveç që duhet m’u ndërpre sepse s’ka kurrfarë baze juridike, për një masë kaq drastike zoti Krasniqi është marrë në pyetje edhe më herët për këtë rast dhe disa rrethana tregojnë që ai as që a pas arsye e as që ka dashtë, as që duhet me ndiku në dëshmitarë, dëshmitë e dëshmitarëve janë faktikisht të dhëna dhe me siguri që nëse Gjykata Superme mendon ndryshe atëhere mund t’ia zëvëndësojë masën me një masë tjetër, e që mund të jetë për shembull mos m’i kontaku dëshmtiarët në çfarëdo rrethane, gjë që përdorë edhe në të tilla raste dhe jo me këtë masë më të rëndë penale”, theksoi Gashi.

    Gjithashtu, ai tha se po presin si ekip mbrojtës i Krasniqit, që Supremja të vendosë sa më shpejtë lidhur me këtë kërkesë.

    “Duhet me prit që sa më shpejtë që është e mundshme Gjykata Supreme me ia ndërpre masën e paraburgimit sepse kjo masë është krejtësisht e pakuptimt, e paligjshme dhe krejtësisht e panevojshme”, tha në fund avokati Gashi.

  • Ministrat e Financave të G7-ës zotohen për mbështetje për Ukrainën

    Ministrat e Financave të G7-ës zotohen për mbështetje për Ukrainën

    Udhëheqësit financiarë të Grupit të Shtatë ekonomive të përparuara (G7) po diskutojnë mënyrat për të mbështetur Ukrainën dhe për t’i bërë presion Rusisë për t’i dhënë fund luftës, teksa u mblodhën për një samit në Japoni të enjten.

    Ministri i Financave i Ukrainës, Serhiy Marchenko, ishte pjesëmarrës në këtë takim përmes një video-lidhjeje në sesionin e parë të bisedimeve të G7-ës në qytetin bregdetar Niigata.

    Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen tha se vendet e G7-ës “do të qëndrojnë me Ukrainën për aq kohë sa duhet” për t’i dhënë fund luftës.

    Udhëheqësit do të shqyrtojnë mënyra për të parandaluar Rusinë dhe vendet e tjera që të anashkalojnë sanksionet kundër Moskës për pushtimin e saj, u tha gazetarëve ministri japonez i financave Shunichi Suzuki.

    Lufta dhe pasojat e saj në ekonominë globale, krizat e borxhit në vendet në zhvillim dhe ngërçi në Uashington mbi borxhin kombëtar janë në krye të agjendës së tre ditëve të bisedimeve nga ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të G7-ës.

    Një gamë e gjerë temash, që nga ndryshmet klimatike e deri te lehtësimi i borxhit, pritet të shqyrtohen në këtë takim.

    Duke folur përpara se të fillonin takimet me dyer të mbyllura, Yellen tha se një nga prioritetet e saj ishte të theksonte rëndësinë e zgjidhjes së krizës.

    Presidenti i SHBA Joe Biden tha të mërkurën se ai dhe udhëheqësit e Kongresit patën një takim “produktiv” të martën në përpjekje për të rritur kufirin e borxhit të vendit. Biden tha se është “absolutisht i sigurt” se vendi mund të shmangte një falimentim. Yellen tha gjithashtu se ka “shumë shpresë” se problemi mund të zgjidhet me kohë.

    Yellen gjatë këtij samiti do të përpiqet të qetësojë homologët e saj për dështimet e fundit të bankave në SHBA që kanë ngritur shqetësimet mbi rreziqet për sistemin financiar global.

    Ajo tha se investimet “historike” të Biden në modernizimin e infrastrukturës amerikane ishin një hap drejt përmirësimit të qëndrueshmërisë së një ekonomie, e cila u luhat shumë gjatë pandemisë së COVID-19.

    Edhe ekonomitë e tjera të G7-ës po luftojnë me inflacion, duke i detyruar bankat e tyre qendrore të rrisin normat e interesit.

    Udhëheqësit financiarë të G7-ës u takuan vetëm një muaj më parë, në Uashington gjatë takimit vjetor të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Atje, ata përsëritën angazhimin e tyre për të ndihmuar ekonomitë të përballen me ndikimin e luftës në Ukrainë, për të ndihmuar vendet me borxhe të mëdha të zgjidhin cenueshmërinë e tyre financiare, të forcojnë sistemet globale shëndetësore dhe të ndihmojnë në trajtimin e ndryshimeve klimatike.

    G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Të ftuar të tjerë në takimet në Niigata përfshijnë Bashkimin Evropian, FMN-n dhe Bankën Botërore, si dhe ministrat e financave të Brazilit, Indisë, Indonezisë, Koresë së Jugut dhe Singaporit./REL/

  • Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e pesë shkollave të reja në Prishtinë

    Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e pesë shkollave të reja në Prishtinë

    Është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e pesë shkollave të reja në kryeqytet, ka njoftuar drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati.

    Ajo ka bërë të ditur se shkollat e reja do të ndërtohen në lagjet, “Arbëria”, “Mati 1”, “Kalabria”, “Qendër” dhe “Veternik”.

    “Modelin e partneritetit publiko-privat të filluar më herët për ndërtimin e shkollave, po e zgjerojmë edhe për 5 shkolla të reja. Nënshkruam marrëveshjen e re me IFC, dhe shkollat e reja do të jenë model sa i përket cilësisë dhe standardeve të ndërtimit”, ka shkruar Musmurati në Facebook.

  • Nisin gërmimet në Prishtinë për gjetjen e dy trupave të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës

    Nisin gërmimet në Prishtinë për gjetjen e dy trupave të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës

    Ekipet mjekoligjore mëngjesin e sotëm (e enjte) kanë nisur gërmimet në varrezat e Muhaxherëve në lagjen “Mati 1” në Prishtinë pas dyshimeve për mbetje mortore për dy trupa të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Deri tani ka përfunduar gërmimi i një lokacioni të vogël dhe ka nisur i dyti, ndërsa pritet që gjatë ditës të gërmohen edhe dy lokacione të tjera.

    Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), Ditor Haliti dhe se këto gërmime po bëhen me urdhëresë të gjykatës.

    Ai tha se deri në këto momente nuk kanë hasur në ndonjë gjetje, por po presin deri në fund të përfundimit të gërmimeve.

    “Këtu jemi me urdhëresë së Departamentit Special të Gjykatës duke ekzekutuar urdhëresën në kuptim të gërmimeve dhe zhvarrimeve të mbetjeve eventuale të personave që janë zhdukur gjatë kohës së luftës. Kemi disa informata në bazë të cilat jemi duke kërkuar edhe dy individë që potencialisht mund të gjenden në këtë zonë. Ne kemi filluar sot mëngjes me punë dhe jemi ende duke punuar dhe për momentin nuk kemi gjetje, por kemi ende punë për të bërë edhe dy lokacione shtesë për t’i mbuluar kështu që të shohim deri në fund të ditës se sa do të kemi rezultate… krejt varreza është një lokacion i tërë, por brenda saj i kemi disa mini-lokacione për momentin i kemi të identifikuar rreth 4 mini-lokacione të dytin jemi duke e përfunduar edhe dy të tjerë i kemi”, tha ai.

    Teksa ka njoftuar se edhe më herët ka pasur gërmime në këto varreza të Muhaxherëve në “Mati 1”, Haliti tha se vështirësia më e madhe është mungesa e informacioneve të sakta.

    “Përpara ka pasur këtu gërmime e zhvarrime janë zhvarrosur trupa që i kanë takuar kohës se luftës prej tyre mungojnë edhe dy persona të cilët ne jemi duke i kërkuar… Vështirësia më e madhe është informata e saktë ne kemi disa skica që janë ndarë nga ekipet ndërkombëtare që kanë punuar këtu në të kaluarën, mirëpo ato harta apo skica që janë marr në të kaluarën nuk janë edhe shumë të sakta në kuptim të interpretimit të tyre na mbetet neve të mbulojmë lokacion më të gjerë për të kuptuar a jemi në vendin e saktë apo jo”, tha ai.

    Haliti u shpreh se së shpejti edhe në Podujevë do të ketë disa gërmime, përfshirë edhe disa lokacione të tjera që kanë mbetur pa përfunduar.

    “E kemi edhe një urdhëresë ende të pazbatuar në Podujevë të cilën duhet ta planifikojmë së shpejti ta implemtojmë dhe i kemi disa urdhëresa të tjera të cilat janë ende në gjysmë të punës që kanë mbetur pa u implemtuar në tërësi që do tu kthehemi gjatë kësaj kohe”, u shpreh ai.

    Ndërsa, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Republikës së Kosovës (KQPZh) u shpreh se përmirësimi i kushteve atmosferike ka krijuar mundësi që tu rikthehen gërmimeve për gjetje mortore të trupave të zhdukur gjatë luftës.

    Gara tha se për të katërtën herë po zhvillohen gërmime në këtë lokacion pasi ka dyshime se edhe dy trupa ndodhen në këtë lokacion.

    Sfidë kryesore për identifikimin dhe gërmimet për gjetjen e trupave të personave të zhdukur sipas tij mbeten lokacionet në territorin e Serbisë për shkak të qasjes politizuese në vazhdimësi të institucioneve serbe karshi problemit.

    “Është hera e katërt që po kthehemi në këtë lokacion për shkak se gjatë trajtimit të hollësishëm të të gjitha informatave kemi konkluduar që ekzistojnë mundësitë që dy trupa ose viktima ose mbetje mortore të dy kufomave të luftës potencialisht mund të jenë në këtë hapësirë të varrezave meqë nga të gjitha të dhënat që ne kemi trajtuar kemi konfirmuar se 8 viktimat që potencialisht mbi bazën e të dhënave kanë qenë të varrosura nga spitali i Prishtinës nga forcat serbe në këtë hapësirë të lokacionit deri më tani janë zhvarrosur vetëm 6 prej tyre që nuk përjashtohet mundësia që në këtë lokacion të jenë edhe dy viktima”, u shpreh Gara.

    Në Kosovë ende nuk dihet fati i mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës se fundit. Më 2 maj në Bruksel në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq është arritur dakordim për Deklaratën e Personave të Zhdukur.