ATV

Author: G.O.

  • Robert De Niro bëhet baba për herë të shtatë

    Robert De Niro bëhet baba për herë të shtatë

    Robert De Niro ka bërë të ditur se është bërë baba për herë të shtatë.

    I pyetur se a ishte çuditur kur ka kuptuar se po bëhet babë në moshën 79 vjeçare përsëri, aktori tha se nuk është befasuar fare, duke treguar se ka qenë gjithçka e planifikuar.

    De Niro ka shtatë fëmijë me katër gra të ndryshme, transmeton atvlive.tv.

    Një burim i afërt me aktorin tha se ai është një baba i mrekullueshëm dhe ka një dashuri të madhe për fëmijët.

    De Niro konfirmoi lidhjen e dashurisë me Tiffany Chen në gusht të vitit 2021, ndërsa çifti njiheshin që nga 2015.

    Aktori për herë të parë ishte bërë baba në moshën 49-vjeçare.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • 10 finalistët e parë të “Eurovision”

    10 finalistët e parë të “Eurovision”

    10 finalistët që u shpallën nga gjysmëfinalja e parë për të garuar për çmimin e madh janë Kroacia, Moldavia, Zvicra, Izraeli, Finlanda, Çekia, Portugalia, Suedia, Serbia dhe Norvegjia.

    Shqipëria do të përfaqësohet nga Albina dhe Familja Kelmendi me këngën “Duje” në gjysmëfinalen e dytë e cila do të mbahet sot dhe mbetet të shihet nëse do ta kalojë garën në finale vetëm nëpërmjet votimit të publikut.

    Eurovision është një nga spektaklet më të ndjekura në botë ku këngëtarët përfaqësojnë vendet e tyre në një garë muzikore ndërkombëtare. Për hërë të parë u mbajt në vitin 1956.

    Ndërsa Shqipëria mori pjesë për herë të parë në Eurovision në vitin 2004 me këngën “The Image of You” interpretuar nga Anjeza Shahini./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Intensifikohen luftimet mes Izraelit dhe Palestinës

    Intensifikohen luftimet mes Izraelit dhe Palestinës

    Militantët palestinezë hodhën qindra raketa nga Rripi i Gazës në drejtim të Izraelit të mërkurën, teksa Izraeli u kundërpërgjigj me një seri sulmesh ajrore, prej ku u vranë 23 palestinezë, duke përfshirë tre udhëheqës të lartë militantë dhe të paktën 10 civilë.

    Pavarësisht një njoftimi nga një stacion televiziv shtetëror egjiptian se Egjipti, një ndërmjetës i shpeshtë midis dy palëve, kishte ndërmjetësuar një armëpushim, luftimet u intensifikuan të mërkurën në mbrëmje dhe asnjëra palë nuk dukej se ishte e gatshme të tërhiqej.

    Të enjten, ushtria izraelite nisi një sulm ajror që kishte cak komandantin e skuadrës raketore, Ali Ghali, të fraksionit militat të quajtur Xhihadi Islamik, i cili ishte fshehur në një apartament në Rripin e Gazës. Ai dhe dy militantë të tjerë u vranë nga ky sulm ajror në një kompleks banimi në lagjen Khan Younis, të ndërtuar nga Katari.

    Ushtria deklaroi se Ghali ishte i përfshirë në sulmet e fundit me raketa kundër Izraelit, por grupi militant nuk e ka komentuar një gjë të tillë.

    Gjatë një fjalimi televiziv, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pretendoi se Izraeli u kishte dhënë një goditje të ashpër militantëve.

    “Ky rund nuk ka përfunduar”, tha Netanyahu.

    “Ne u themi terroristëve dhe atyre që i dërgojnë. Ju shohim kudo. Ju nuk mund të fshiheni, dhe ne zgjedhim vendin dhe kohën për t’ju goditur”, tha ai, duke shtuar se Izraeli do të vendosë gjithashtu kur të rivendoset qetësia.

    Gjatë gjithë ditës në të gjithë Izraelin jugor dhe qendror u dëgjuan sirenat që paralajmëronin sulmet ajrore.

    Luftimet e javës së fundit midis palëve janë ashprsuar, duke e shtyrë rajonin më pranë një lufte të plotë.

    Luftimet e fundit midis Izraelit dhe militantëve palestinezë ishin më të ashprat në muajt e fundit, duke rritur rrezikun e një lufte në shkallë të gjerë. Megjithatë, kishte indikacione se të dyja palët po përpiqeshin të ushtronin përmbajtje.

    Izraeli nuk e sulmoi Hamasin, grupin militant në pushtet, por përkundrazi u fokusua në fraksionin më të vogël dhe më radikal të Xhihadit Islamik. Hamasi nuk u përfshi në konflikt.

    Izraeli dhe Hamasi kanë luftuar katër luftëra që kur grupi militant islamik mori kontrollin e Gazës në vitin 2007./REL/

  • Lajçak mbërrin në objektin e Qeverisë së Kosovës, nis takimi me Kurtin

    Lajçak mbërrin në objektin e Qeverisë së Kosovës, nis takimi me Kurtin

    Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka mbërritur në Qeverinë e Kosovës, ku do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.

    Takimi është paralajmëruar të fillojë nga ora 07:30. Nga BE e kanë konfirmuar se vizita e tij ka të bëjë me hapat e ardhshëm ne kuadër te dialogut i cili ndërmjetësohet nga BE.

    Pas Kosovës, Lajçak do të vizitojë të premten edhe Serbinë.

     

  • Presidentja Osmani: Nuk duhet të biem në kurthin e Vuçiqit

    Presidentja Osmani: Nuk duhet të biem në kurthin e Vuçiqit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se procesi i dialogut me Serbinë, nuk duhet të përdoret “për ta normalizuar” presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Le të jemi të sinqertë. Po flasim për një autokrat. Po përballemi me një shtet që nuk ka kërkuar kurrë falje për gjenocidin e kryer ndaj njerëzve të mi, por Kosova, në të njëjtën kohë, e ka zgjatur dorën e bashkëpunimit, për të qenë konstruktive dhe e angazhuar. Janë nënshkruar mbi 40 marrëveshje në Bruksel, dhe lista e shkeljeve nga ana e Serbisë është shumë-shumë e gjatë”, ka thënë Osmani, në një bisedë me Këshillin Atlantik në Uashington.

    Këshilli Atlantik është institut amerikan që merret me çështje ndërkombëtare.

    E pyetur për rëndësinë e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidentja Osmani ka thënë se duhet pasur shumë kujdes për rrugën që mund të marrë dialogu.

    “Teksa ka tentime për ta bërë atë temë më të rëndësishme sesa të tjerat, unë mendoj që kjo është një rrugë shumë e rrezikshme për të ardhmen e dialogut. Ne nuk duhet të biem në kurthin e Vuçiqit, që nënkupton vetëm vonesa dhe zvarritje të procesit. Serbisë nuk i intereson minoriteti serb, por i intereson vetëm që ta ketë një instrument, përmes të cilit do të mund ta sfidojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”.

  • ​Aksident në rrugën Sarandë-Borsh, humb jetën shoferi

    ​Aksident në rrugën Sarandë-Borsh, humb jetën shoferi

    Një 60-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në aksin rrugor Sarandë-Borsh në jug të Shqipërisë.

    60-vjeçari teksa po drejtonte mjetin tip “Opel”, ka humbur kontrollin, duke dalë nga rruga e për pasojë ka gjetur vdekjen, ndërsa janë plagosur dy pasagjerët që ndodheshin në automjet.

    “Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë drejtuesi i automjetit shtetasi J. B, si dhe kanë ngelur të dëmtuar 2 pasagjerët, shtetasit L. K., 44 vjeç dhe A. Z., 47 vjeç, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve”, tha policia.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 05:30.

  • Vazhdon procesi gjyqësor në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

    Vazhdon procesi gjyqësor në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

    Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Gjykimi ndaj tyre do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Në këtë proces deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të prokurorisë të cilët kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse, dhe në seanca pothuajse tërësisht të mbyllura për publikun.

    Dje pjesa më e madhe e seancës u mbajt e mbyllur për publikun, gjykatësi Smith shpjegoi se gjatë dëshmisë së dëshmitarit 265, mbrojtja e Selimit paraqiti një kundërshtim për dëshminë nga seanca e asaj date.

    Gjatë seancës së djeshme ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt i mbrojtur i prokurorisë.

    Për muajin maj janë paraparë të zhvillohen dhjetë seanca.

  • Haziri: Draft-statuti i Asociacionit ishte prezantuar para gjashtë viteve në Prishtinë

    Haziri: Draft-statuti i Asociacionit ishte prezantuar para gjashtë viteve në Prishtinë

    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se draft-statuti i Asociacionit që u paraqit më 2 maj në Bruksel gjatë dialogut Kosovë-Serbi, qe prezantuar në Prishtinë edhe gjatë vitit 2017.

    Sipas tij, “ekipi Menaxhues është pjellë e negociatave”.

    Haziri u shpreh në Kanal 10 se politikanët në Kosovë nuk duhet të befasohen nga puna e këtij ekipi që ka pasur mandat që nga formimi i tij. I njëjti ekip ishte liruar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    “Pse Hoti për gjashtë muaj të vetëm arriti me i duru dy anëtarët e vetëm të ekipit menaxhues, e Kurti mbi dy vjet mandat s’është marrë asnjëherë me përbërjen e këtij ekip, e as me mandatin e tij”, tha ai.

    “Njëanshëm ka qenë e vështirë të veprohet. Nëse Kurti veproi njëanshëm me ekipin, ka pasur të drejtë që përmes ndërmjetësuesit dhe negociatorit me nxjerr çështjen e Ekipit”.

  • Arrestohet një person për kanosje në Ferizaj

    Arrestohet një person për kanosje në Ferizaj

    Një person kishte kanosur një zyrtar policor më datën 16.04.2023 rreth orës 14:30, dhe për këtë ishte njoftuar Policia Rajonale e Ferizajt përmes një personi të panjohur në rrjetin social ‘’Facebook’’.

    Sipas një njoftimi për media thuhet se në lidhje me këtë në rast janë kyçur policët hetues nga Sektori Rajonal i Hetimeve dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kishin nisur hetimet.

    Tutje në njoftim bëhet e ditur se pas një punë intensive hetimore, mbledhjen e informacioneve në terren, hetuesit rajonal kanë arritur që të identifikojnë dhe me datën 10.05.2023 rreth orës 16:00 kanë arrestuar të dyshuarin A.A (M/K) i moshës 28 vjeçar, me dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Kanosje’’.

    Sipas njoftimit personi është shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj dhe pas intervistimit të tij nga policët hetues, në prani edhe të avokatit mbrojtës ka pranuar se ka kryer kanosjen dhe me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.

  • Shefja e USAID-it vjen për vizitë në Kosovë

    Shefja e USAID-it vjen për vizitë në Kosovë

    Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, do të qëndrojë sot (e enjte) për vizitë në Kosovë.

    Ajo qëndroi një ditë më parë në Beograd, ndërsa në Prishtinë do të ketë takime gjatë pasdites së sotme si dhe të premten.

    Pas takimeve me krerët shtetërorë në Serbi, në një paraqitje për media, shefja e USAID-it deklaroi se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë kërkon guxim politik por do të sillte përfitime ekonomike.

    Ajo tha se po udhëton drejt Kosovës për të ngritur çështje të ndjeshme dhe të vështira porse normalizimi i raporteve do të çlirojë një potencial të madh ekonomik për të dy vendet.

    Power deklaroi se Deklarata për të Zhdukurit që është arritur në fillim të këtij muaji mes Kosovës dhe Serbisë është e rëndësishme, por shtoi se duhet bërë progres edhe në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Power u bë shefja e parë e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar që udhëton në Serbi, e cila mban lidhje të ngushta historike dhe kulturore me Rusinë. Ajo vlerësoi mbështetjen e Serbisë për Ukrainën, megjithëse Beogradi ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të luftës.