ATV

Author: G.O.

  • Arrestohen dy persona në Ferizaj, kishin kryer disa vjedhje

    Arrestohen dy persona në Ferizaj, kishin kryer disa vjedhje

    Policia në Ferizaj ka arritur që të identifikojë dhe arrestojë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “vjedhje”.

    “VJEDHJE E RËNDË/ Ferizaj 18.05.2023 – 14:50. Është arritur të identifikohen dhe të arrestohen dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që ata dyshohet se kishin kryer disa vjedhje të rënda në lokacione të ndryshme (shtëpi, banesa, etj), pronë e ankuesve të ndryshëm”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Këto zona të Prishtinës nesër do të mbesin pa furnizim me ujë

    Këto zona të Prishtinës nesër do të mbesin pa furnizim me ujë

    Disa zona në Prishtinë do të mbesin pa furnizim me ujë gjatë ditës së nesërme. Kjo për shkak të realizimit të punimeve teknike nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.

    Rruga pranë Komunës së Re, ajo e Stadiumit të Prishtinës e Arbëria janë disa prej zonave për të cilat KRU Prishtina ka njoftuar se do të mbesin pa furnizim me ujë nga ora 9 deri në 16:00.

    Sipas njoftimit, punimet teknike do të realizohen për ndërrimin e gypit “Ac fi 200” në rrugën Tirana.

    “Realizimi i punimeve teknike ka për fokus përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe zvogëlimin e humbjeve teknike të ujit. Gjatë kësaj periudhe kohore, pa furnizim me ujë mbesin këto zona shërbimi: rruga e ” Tiranës “, lagjja Arbëria pjesa nga hekurudha deri te rruga” Ahmet Krasniqi “, Komuna e Re, rruga” Bashkim Fehmiu”, rruga ” Vicianum”, rruga ” Nora e Hotit”, Stadiumi i Prishtinës me lokale përreth tij”, është bërë e ditur në komunikatë.

     

  • Samiti i G7 në Hiroshimë, pritet t’i vendosen sanksione të reja Rusisë

    Samiti i G7 në Hiroshimë, pritet t’i vendosen sanksione të reja Rusisë

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë në samitin e Grupit të Shtatë (G7), në Hiroshimë, këtë fundjavë për të ushtruar presion të ri mbi Rusinë nga një qytet që është sinonim i tmerreve që shkakton lufta bërthamore.

    Zelensky do të marrë pjesë në takim të dielën, që është dita e tretë dhe e fundit e samitit, thanë dy zyrtarë të përfshirë në aranzhimet për samitin e G7-ës.

    G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

    “Gjëra shumë të rëndësishme do të vendosen atje dhe prandaj presidenti jonë do të jetë i pranishëm, që është absolutisht thelbësore për të mbrojtur interesat tona”, tha për televizionin shtetëror Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës.

    Pjesëmarrja e Zelenskyt, së bashku me thirrjet e tij për mbështetje të shtuar për Ukrainën në konfliktin e saj me Moskën, pritet të shtojë presionin te vendet e G7-ës për të vepruar më me urgjencë.

    Udhëheqësit e G7-ës tashmë pritet të shpallin sanksione të reja kundër Rusisë dhe të shtojnë bashkëpunimin për kundërvënie ndaj Kinës.

    Duke u paraqitur si kombet më të pasura të botës në epokën e pas Luftës së Dytë Botërore, demokracitë e G7-ës janë sfiduar gjithnjë e më shumë nga Kina si një fuqi politike në rritje dhe një Rusi e paparashikueshme.

    Britania tha se do të shpallë një ndalim të diamanteve ruse dhe importeve të metaleve nga Rusia duke përfshirë bakrin dhe aluminin. Britania do të sanksionojë gjithashtu 86 persona dhe kompani të tjera të afërta me Putinin.

    Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se Evropa do të kufizojë gjithashtu shitjet e diamanteve ruse.

    Shtetet e Bashkuara do të shtojnë 70 subjekte në listën e zezë të eksporteve dhe do të zgjerojnë autoritetin e sanksioneve në 300 subjekte, si dhe sektorë të rinj të ekonomisë ruse, tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane.

    “Do të dëgjoni një deklaratë të fuqishme uniteti, fuqie dhe përkushtimi në përgjigjen tonë ndaj luftës së agresionit të Rusisë”, tha zyrtari. “Do të shihni hapa të rinj të ndërmarrë për të izoluar ekonomikisht Rusinë dhe për të dobësuar aftësinë e saj për të bërë luftë.”

    Qëllimi i përbashkët i këtyre shteteve është zvogëlimi i varësisë nga eksportet ruse të energjisë dhe kufizimi i aksesit të saj në sistemin financiar ndërkombëtar.

    Rusia ka thënë se është e gatshme të përdorë arsenalin e saj bërthamor për të mbrojtur “integritetin e saj territorial” nëse është e nevojshme.

    Më herët të premten, udhëheqësit e G7 vendosën kurora me lule në Hiroshima, një qytet që, së bashku me Nagasaki, u shkatërrua nga një sulm bërthamor i SHBA-së 78 vjet më parë që i dha fund Luftës së Dytë Botërore.

    Kryeministri japonez Fumio Kishida, i cili përfaqëson Hiroshimën në dhomën e ulët të parlamentit të Japonisë, tha se zgjodhi qytetin për samitin për të përqendruar vëmendjen në kontrollin e armëve.

  • Të paktën 13 persona të vdekur nga vërshimet në Itali

    Të paktën 13 persona të vdekur nga vërshimet në Itali

    Rajoni verilindor i Emilia-Romagna në Itali mbetet në gjendje të rëndë edhe sot (e premte), pasi përmbytjet vdekjeprurëse të kësaj jave morën të paktën 13 jetë.

    Edhe pse ujërat e përmbytjeve po bien ngadalë në shumë zona, rreziku i rrëshqitjeve të dheut mbetet i lartë, thonë ekspertët.

    Agjencia italiane e lajmeve ANSA raporton se mbi 10,000 njerëz nuk janë në gjendje të hyjnë në shtëpitë e tyre dhe rreth 27,000 nuk kanë energji elektrike. Dëmi i shkaktuar nga moti ekstrem shkon në shumë miliarda euro.

    Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni është vendosur të shpallë një gjendje fatkeqësie dhe do të kërkojë para hua nga Fondi Evropian i Solidaritetit për të përballuar emergjencën.

    Ekspertët kanë lidhur reshjet e rrëmbyeshme pas përmbytjeve me krizën klimatike, me deri në 500 mm – gjysma e reshjeve mesatare vjetore – që bien në 36 orë në disa vende dhe të gjithë lumenjtë në rajon kanë dalë nga shtrati.

  • Krasniqi: Do të kemi kryetarë të rinj që do të angazhohen në baza ditore për përmirësimin e jetës së qytetarëve, pa dallim etnie

    Krasniqi: Do të kemi kryetarë të rinj që do të angazhohen në baza ditore për përmirësimin e jetës së qytetarëve, pa dallim etnie

    Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq pritet të marrë sot zyrtarisht detyrën, betimi i kryetarit të ri  pritet të bëhet nga ora 11:00.

    Para ceremonisë së betimit, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se në komunat veriore deri tani ka pasur kryetar që nuk kanë qenë në shërbim të qytetarëve, por në shërbim të grupeve kriminale.

    “Sot kryetari jep betimin dhe fillon detyrën në shërbim të qytetarëve me përmbushje të mandatit të tij ligjor dhe kushtetues. Si Qeveri jemi të përkushtuar që me bashkëpunu me secilën komunë të Republikës së Kosovës dhe sidomos me këto komunat në veri, ku për një kohë të gjatë kryetarët nuk kanë qenë në shërbim të qytetarëve por në shërbim të grupeve kriminale. Jam shumë i lumtur si ministër që më në fund kemi një kryetar që do të angazhohet në baza ditore për përmirësimin e jetës qytetare pa dallim etnie”, ka deklaruar ai.

    Ministri Krasniqi theksoi tutje se janë përkujdesur për të gjitha pjesët administrative, teksa shtoi se presin që gjatë ditëve në vazhdim të caktojnë edhe seancat për konstituimin e tri kuvendeve tjera në veri brenda afateve ligjore.

    Në zgjedhjet e 23 prillit, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq ka marrë 66.9% të votave.

    Ndryshe, para betimit të kryetarëve të rinj kanë reaguar edhe shtetet e QUINT-it, të cilat përmes një deklarate u kanë bërë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin.

    “Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin e më shumë se kompetencave administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk ka kërkesë që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, thuhet në deklaratë.

  • Kievi sulmohet me dronë, alarmet dëgjohen në gjithë Ukrainën

    Kievi sulmohet me dronë, alarmet dëgjohen në gjithë Ukrainën

    Alarmet për sulme ajrore u dëgjuan në të gjithë Ukrainën në orët e para të së premtes, pasuar nga raportime për shpërthime në zona të caktuara. Zyrtarët ukrainas konfirmuan aktivizimin e njësive kundërajrore në shumë rajone.

    Alarmet u shtrinë në të gjitha rajonet e vendit për rreth një orë nga ora 2 e mëngjesit.

    Nuk është raportuar se ndonjë objektiv infrastrukturor apo civil u godit dhe nuk pati shenja viktimash pasi alarmet u ndalën në Kiev, si dhe në rajonet qendrore dhe jugore.

    Alarmet për sulme ajrore vazhduan në Ukrainën perëndimore deri në mëngjes, por ishin të kufizuara në dy rajone – në lindje dhe në Krimenë e aneksuar nga Rusia në jug.

    Kreu i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko, tha se forcat ruse kishin lëshuar valë të njëpasnjëshme dronësh drejt kryeqytetit, sulmi i dhjetë këtë muaj dhe i dyti në më pak se 24 orë.

    “Kjo taktikë e Kremlinit është një përpjekje për të mposhtur forcat tona kundërajrore dhe për të ushtruar presion psikologjik mbi civilët “, shkroi Popko në Telegram.

    “Të gjitha objektivat ajrore të lëshuara në drejtim të Kievit u shkatërruan nga mbrojtja jonë kundërajrore”, shtoi ai.

    Disa rajone raportuan njësi kundërajrore në veprim.

    Shpërthime u raportuan në rajone gjerësisht të ndara, duke përfshirë Krivi Rih në Ukrainën qendrore dhe Rivne dhe Lutsk në perëndim.

    Sipas një mesazhi Telegram nga ushtria e Ukrainës, avionët rusë u panë në qiell, duke paraqitur një kërcënim të sulmeve me raketa hipersonike Kinzhal.

    Një deklaratë e mëparshme ushtarake përmendte rrëzimin e disa objektivave ajrore, por pa dhënë informacione të mëtejshme. Ushtria kishte lëshuar një paralajmërim se rajonet qendrore dhe Kievi ishin në rrezik nga sulmet me dron.

    Agjencia ruse e lajmeve Tass, duke cituar zyrtarë të instaluar nga Rusia në zonën e kontrolluar nga Moska të rajonit të Donjeckut, tha se forcat ukrainase kishin gjuajtur tetë raketa në këtë zonë.

    Nuk ka detaje për dëme apo viktima.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

    Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • Bibla më e vjetër e më e plotë hebraike shitet për 38.1 milionë dollarë

    Bibla më e vjetër e më e plotë hebraike shitet për 38.1 milionë dollarë

    Një Bibël hebraike më shumë se 1000 vjeçare është shitur për 38.1 milionë dollarë në Nju Jork, duke vendosur një rekord për dorëshkrimin më të vlefshëm të shitur ndonjëherë në ankand.

    Bibla hebraike mendohet se u prodhua diku mes viteve 880 dhe 960, “Bibla hebraike është teksti i shenjtë, themelor për popujt anembanë botës,”
    Ajo u shit pas një beteje ofertimi midis dy ofertuesve, tha shtëpia e ankandeve “Sotheby’s”.

    Bibla ishte blerë nga ish-diplomati amerikan Alfred Moses në emër të një organizate jofitimprurëse amerikane dhe do t’ia dhurojë Muzeut ANU të Popullit Hebre në Tel Aviv, Izrael.

    Shitja tejkaloi 30.8 milionë dollarët e paguara për dorëshkrimin e Leonardo da Vinçit në vitin 1994 si dokumenti më i shtrenjtë i shkruar me dorë i shitur ndonjëherë në ankand.
    Richard Austin thotë, “ ai është padyshim një nga tekstet më të rëndësishme dhe unike në historinë njerëzore”.

    Ndryshe nga rrotullat e Torës, ku hebraishtja shkruhet vetëm me bashkëtingëllore pa zanore dhe pa shenja pikësimi, këto dorëshkrime përmbajnë shënime të gjera që i udhëzonin lexuesit në shqiptimin e saktë të fjalëve.

  • Çifti meksikan martohet zyrtarisht pas 40 vjetësh

    Çifti meksikan martohet zyrtarisht pas 40 vjetësh

    Një qytet meksikan ka organizuar së fundmi një martesë të shumëpritur e cila madje nga disa është quajtur si “dasma e shekullit”.

    Sipas mediave të huaja, bëhet fjalë për Doña Beba dhe Don Pancho që kaluan 40 vjet bashkë dhe së fundmi vendosën të zyrtarizojnë lidhjen e tyre.

    Miqtë dhe familja iu bashkuan çiftit dhe i gjithë qyteti e festoi këtë rast në një mënyrë të madhe.

    Genoveva Romero Encinas, 86 vjeçe, dhe Francisco Maldonado Valenzuela, 88 vjeç, u martuan në janar 2023 në famullinë San Pedro de la Cueva.

    Dhe qindra njerëz u mblodhën për të festuar me çiftin në ditën e tyre të veçantë ndërkohë që Doña Beba mahniti me një fustan të bardhë dhe një vello që mbulonte fytyrën e saj, ndërsa Don Francisco veshi një kostum dhe kapelë të zezë me prerje kauboji.

    Municipal Plaza i qytetit ishte vendi i përsosur për festën, duke mirëpritur qindra njerëz.

    Veç këtyre, ceremonia e martesës dhe dashuria për çiftin bëri që agjencitë e udhëtimit të ofronin paketa për të marrë pjesë në festë, ku përfshihej transport vajtje-ardhje dhe ushqim.

    Në shesh u ngritën tezga, ku shiteshin ushqime të skuqura, pije të freskëta, mish të pjekur, hot dog dhe produkte të tjera./atvlive.tv/

  • Billie Eilish dhe Jesse Rutherford i japin fund lidhjes

    Billie Eilish dhe Jesse Rutherford i japin fund lidhjes

    Këngëtarja Billie Eilish dhe Jesse Rutherford janë ndarë pas një viti lidhje dashurie. Për herë të fundit ishin parë në festivalin Coachella, kurse para shtatë muajve ata kishin bërë publike lidhjen e tyre.

    Billie në intervistën e fundit kishte rrëfyer se është shumë e lumtur dhe me fat ta ketë një person si Jesse, transmeton atvlive.tv.

    Ata kishin 10 vite diferencë në moshë dhe ndjekësit kishin zgjedhur si një nga çiftet më të mira dhe unike sepse shpesh shfaqeshin me rroba interesante të kombinuara njëri me tjetrin.

    Billie Eilish e cila ka më shumë se 100 milionë ndjekës në Instagram pati shpjeguar se ajo nuk kontrollon këtë rrjet social dhe se ka fshirë aplikacionin nga telefoni I saj.

    Më tej tha se çdo gjë që lexonte në internet i besonte edhe pse e dinte që nuk duhet.

    Turneu i këngëtares ka filluar më 17 mars dhe do të zgjasë deri 27 gusht./atvlive.tv/

  • Jennifer Lopez flet haptazi se si e përjetojnë famën fëmijët e saj

    Jennifer Lopez flet haptazi se si e përjetojnë famën fëmijët e saj

    Jennifer Lopez është hapur se do të dëshironte t’i mbrojë binjakët e saj 15 vjeçar që ballafaqohen me paragjykime, për shkak se kanë prindër të famshëm.

    Ajo foli se si të jesh fëmijë i prindërve të famshëm nuk është se shumë njerëz mund ta kuptojnë , për këtë i kupton fëmijët e saj sepse ata nuk është se zgjodhën atë

    . ‘’Nuk kam folur me ta shumë rreth kësaj, por kanë filluar të më bëjnë me dije se si njerëzit i trajtojnë ata. Pra, kur ata hyjnë në një ambient, njerëzit nuk i shikojnë për atë se kush janë ata. Dhe mendoj se ajo duhet të jetë mjaft e vështirë . Do doja shumë t’i mbroja nga kjo gjë’’, rrëfeu Jennifer.

    Tutje shtoi se ajo ndjehet me faj se në çfarë rrethana gjenden fëmijët e saj.

    ‘’Këta fëmijë kanë aq shumë informata, më shumë se që ne kishim. Ata mendojnë dhe flasin për gjëra në jetë në mënyrë shumë më ndryshe se sa unë kur isha 15 vjeçare’’, theksoi ajo.

    Së fundi, filmi ‘’The Mother’’ I Jennifer Lopez, ka thyer rekorde duke u bërë më I shikuari në Netflix në fundjavën e parë të publikimit./atvlive.tv/