ATV

Author: G.O.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit 4-vjeçarit që humbi jetën tragjikisht në kanalin e Ibër-Lepencit

    Sot i jepet lamtumira e fundit 4-vjeçarit që humbi jetën tragjikisht në kanalin e Ibër-Lepencit

    Sot në varrezat e fshatit Akrashticë të Vushtrrisë, familjarë, miq e të afërm do të mblidhen, për t’i dhënë lamtumirën e fundit vogëlushit ,Ylli Mehana, i cili humbi jetën tragjikisht, pasi ra në kanalin e Ibër-Lepencit.

    Sipas njoftimit mortor, ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 18:00.

    Trupi i pajetë i 4-vjeçarit është gjetur dje pas disa orësh kërkime.

    ATV-ja ka mësuar që 4-vjeçari kishte rënë në kanalin e Ibrit, derisa po kujdesej për bagëtitë së bashku me një familjar të moshës 12-vjeçare.

  • Qeveria miraton draftin e Strategjisë së Mbrojtjes, ministri Mehaj: Kjo strategji avancon bashkëpunimin me NATO

    Qeveria miraton draftin e Strategjisë së Mbrojtjes, ministri Mehaj: Kjo strategji avancon bashkëpunimin me NATO

    Qeveria e Kosovës miratoi sot draftin e Strategjisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, objektivë e të cilit është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj u shpreh se objektivat e strategjisë së mbrojtjes janë bazuar duke u bazuar në interesat shtetërore.

    “Në këtë dokument përcaktohen objektivat kryesore për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, modernizimin dhe avancimin e kapaciteteve ushtarak, zgjerimin e bashkëpunimit bilateral, anëtarësimin në organizata dhe pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare si dhe avancimin e bashkëpunimit me NATO dhe mekanizmat e saj në Republikën e Kosovës. Objektivat e strategjisë së mbrojtjes janë bazuar duke u bazuar në interesat shtetërore, këto objektiva do të përmbushen në planin afatmesëm dhe afatgjatë. Andaj, duke pasur parasysh se kjo strategji ofron drejtimin kryesor e sistemit të mbrojtjes për tu përgjigjur kërcënimeve dhe rreziqeve në Kosovës“, tha ai.

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi kërkesën për themelimin e Këshillit organizativ për shënimin e 12 qershorit, Ditës së Çlirimit dhe shënimin e 10 qershorit, 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Kryesuesi i Këshillit organizativ është ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ndërsa anëtarë janë përfaqësues nga: Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Jashtme, nga Ministria e Drejtësisë, nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga Zyra e Kryeministrit.

    Po ashtu, u ftuar edhe anëtarë nga Presidenca, Kuvendi, Komuna e Prishtinës, komandanti i FSK-së, nga organizatat e dala nga lufta, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, përfaqësues i familjes Jashari dhe nga organizatat joqeveritare.

    Me propozim të ministritë të Shëndetësisë, Arben Vitia Qeveria e Kosovës miratoi formimin e Këshillit Ndërministror për Kontroll të Duhanit me qëllim të mbrojtjes së shëndetit.

    Po ashtu, qeveria vazhdoi mandatin për anëtarët e Komisionit për Kompensimin e viktimave të krimit në përbërje të Shukrije Statovcit dhe Valbona Çitakut.

  • ZPS-ja kërkon vazhdimin e masës së paraburgimit për Pjetër Shalën

    ZPS-ja kërkon vazhdimin e masës së paraburgimit për Pjetër Shalën

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes një parashtrese ka kërkuar nga trupi gjykues që Pjetër Shalës t’i vazhdohet masa e paraburgimit, duke e konsideruar këtë masë si të nevojshme dhe proporcionale.

    Sipas ZPS-së, asnjë fakt apo rrethanë e re nuk ka ndërhyrë që të mund ta ndryshojë këtë konstatim që kur trupi gjykues e ka vendosur atë në vendimin e dhjetë të paraburgimit, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

    Tutje, në këtë parashtresë thuhet se vazhdon të ekzistojë dyshimi i bazuar se i akuzuari ka kryer krime brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe rreziqet që i akuzuari, nëse lirohet, do të arratiset, do të pengojë procedurën ose do të kryejë krime të mëtejshme, duke përfshirë kundër dëshmitarëve që kanë ofruar dëshmi për ZPS-në dhe/ose janë paraqitur/do të dalin së shpejti para DhSK-së, mbeten të larta.

    ‘‘Fakti që i akuzuari ka ofruar prova inkriminuese në deklaratat e tij, duke konfirmuar dëshminë viva-voce të dëshmitarëve të ZPS-së dhe se këto deklarata tani janë në dispozicion të trupit gjykues për qëllimet e gjykimit të tij janë në vetvete një nxitje e mjaftueshme për të akuzuarin, nëse lirohet, të përpiqet të arratiset’’, thuhet në parashtresën e prokurorisë.

    ZPS thotë se i Shala akuzohet për katër akuza për krime lufte dhe, nëse dënohet, mund të përballet me një dënim të gjatë e që edhe prezantimi i vazhdueshëm i provave të ZPS-së dhe njohja e plotë e të akuzuarit për çështjen kundër tij rrit rrezikun e pengimit dhe kryerjes së krimeve dhe së bashku me faktin se trupi gjykues tani mund të përdor deklaratat e mëparshme të të akuzuarit për qëllime të gjykimit të tij, sipas ZPS-së, kjo rivendos ekzistencën e rrezikut të arratisjes.

    Parashtresën e tillë për vazhdimin e masës së paraburgimit për Pjetër Shalën, mund ta gjeni në gjuhën angleze: KËTU.

    Ndryshe, gjykimi në rastin e Pjetër Shalës pritet të vazhdojë më 30 maj 2023.

    Kurse, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

    Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

    Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj.

    Ndërkaq, deri më tani në këtë rast janë anuluar seanca e 31 marsit, 5 majit dhe 19 majit.

    Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

  • Opozita e quan të jashtëligjshëm shkarkimin e anëtares së Bordit në OShP

    Opozita e quan të jashtëligjshëm shkarkimin e anëtares së Bordit në OShP

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere edhe në mbledhjen e sotme po vazhdon diskutimin për vendimin e Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e anëtares se Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi, në lidhje me tenderin për insulina.

    Kryetari i Komisionit, Armend Muja, adresoi akuza ndaj Bordit të OShP-së se po tentojnë të bëjnë kontrabandë të barnave, me insistimin për sigurimin e tenderit për insulina pa autorizim të marketingut.

    Ai paraqiti dy vendime të OShP-së njërën në vitin 2019 dhe tjetrin në vitin 2021, ku tha se ka kontradiktë mes tyre.

    Mirëpo, anëtarja e Bordit të OShP-së, Kimete Gashi, insistoi në ligjshmërinë e vendimet për tenderin për insulina, ku tha se i njëjti është vërtetuar edhe nga gjykatat e rregullta.

    Nën anën tjetër, deputetët opozitarë thanë se vendimi i Qeverisë për shkarkimin e anëtares së Bordit të OShP-së, Kimete Gashi është i jashtëligjshëm.

  • Kurti konfirmon se betimi i tre kryetarëve në veri bëhet të enjten në ndërtesa publike

    Kurti konfirmon se betimi i tre kryetarëve në veri bëhet të enjten në ndërtesa publike

    Kryeministri Albin Kurti para qeveritar ka konfirmuar se betimi i tre kryetarëve në veri do të bëhet të enjten në ndërtesa publike, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tij, veprimet e institucioneve e kanë në qendër funksionalizimin dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët pa dallim, duke shtuar se kjo nuk është zgjedhje kjo është detyrim.

    Ai shtoi se frikësimet e shantazhet nga Serbia ndikuan te qytetarët serb që mos të dalin në zgjedhje.

    “Dje u bë një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve në veri, nuk pati asnjë incident ishin të qeta dhe paqësore. Frikësimet e shantazhet nga Serbia ndikuan tek qytetarët. Vota e munguar ishte mungesë e vullneti të lirë. Fushatat e këtilla ndaj serbeve janë të shpeshta dhe të vazhdueshme”.

    “Te premten e kaluar kryetari i zgjedhur i Mitrovicës bëri betimin e tij, nënkryetarja u emërua nga komuniteti serb. Nesër në ndërtesa publike në këto komuna do të mbahet edhe betimi i 3 kryetarëve. Veprimet tona kanë në qendër funksionalizimin dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët pa dallim. Kjo nuk është zgjedhje kjo është detyrim i yni”, tha ai.

  • KDI: Skenderaj, komuna më transparente në vitin 2022

    KDI: Skenderaj, komuna më transparente në vitin 2022

    Komuna e Skenderajt është më transparentja për vitin 2022, sipas Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) që të mërkurën ka publikuar “Indeksin e Transparencës për Qeverisjen Komunale”.

    KDI-ja në një konferencë për media bëri të ditur se komunat janë vlerësuar në 87 indikatorë për tetë shtylla: 1. transparenca në shpenzimet publike përmes prokurimit publik, 2. transparenca buxhetore, 3. transparenca në grantet dhe subvencionet komunale, 4. përfshirja e qytetarëve në vendimmarrjen komunale, 5. qasja në dokumente publike, 6. përgjegjshmëria e komunave për të adresuar risqet e korrupsionit dhe konfliktin e interesit, 7. menaxhimi i pronës komunale, si dhe 8) transparenca e ndërmarrjeve dhe organizatave publike në pronësi të komunave.

    Diana Metushi – Krasniqi nga KDI ka thënë se indeksi i transparencës në qeverisjen komunale për vitin 2022 e rendit Komunën e Skenderajt më transparenten me 92.63 pikë (nga maksimumi prej 100 pikëve në 87 treguesit e matur), pasuar nga komunat e Lipjanit dhe Mitrovicës të vlerësuara me 91.13 pikë, Prizreni (90.63 pikë), Drenasi (89.88 pikë), Prishtina (89.13 pikë), Rahoveci (88.94), Ferizaj (86.94 pikë), Gjakova (85.38 pikë) dhe Hani i Elezit (83.62 pikë), dhe Dragashi (82.73 pikë).

    Metushi – Krasniqi ka thënë se vetëm në sektorin e prokurimit publik nëpër komuna ka një rritje të transparencës prej 20 për qind.

    Metushi: Rritet transparenca nëpër komuna

    Video

    “Transparenca e përgjithshme në këta 87 indikator dhe 8 shtylla të politikave të qeverisjes lokale në vitin 2022 është 68 për qind. Kemi 12 për qind mesatarisht rritje prej matjeve të vitit 2021 që nënkupton një vullnet të mirë për komunat për të rritur transparencën dhe llogaridhënien kundrejt qytetarëve të tyre. Shohim se kemi një rritje prej 20 për qind në sektorin e prokurimit publik, vetëm 2 për qind rritje në shtyllën e transparencës buxhetore. Po ashtu kemi rritje edhe në qasjen në dokumentet publike dhe informacionit publik me pjesëmarrjen publike, ndërsa rritja më e madhe është vërejtur në shtyllën e transparencës për ndërmarrjet publike dhe organizatat komunale”, theksoi ajo.

    Kristína Kroková nga Transparency International – Slovakia theksoi që është e mahnitur të shohë progresin që komunat në Kosovë po arrijnë nga viti në vit.

    Ajo potencoi që komunat në Sllovaki nuk kanë pasë progres të përnjëhershëm si në rastin e Kosovës, dhe sipas matjeve të tyre nga viti 2012 progresi nuk ka kaluar 25%-shin

    Kroková: Synimi ynë është që të zvogëlojmë korrupsionin

    Video

    “Synimi ynë është që të zvogëlojmë korrupsionin duke e rritur transparencën në përfshirjen e qytetarëve dhe duke fuqizuar proceset dhe zvogëlimin e burokracive të shumta. Që nga vitit 2010, për çdo dy vjet publikojmë renditjen e 100 komunave më të mëdha në Sllovaki dhe këtë e bëjmë duke vlerësuar në më shumë se 109 indikator. Transparenca që nga fillimi e deri më tani është rritur për 23 për qind”, theksoi ajo.

    Katër komunat veriore, Leposaviqi, Mitrovica e Veriut, Zubin-Potoku dhe Zveçani, kanë pikët më të ulëta sa i përket transparencës.

    KDI inkurajon të gjitha komunat të analizojnë ku çalojnë sa i përket matjeve të 2022 dhe të përkushtohen për të përmbushur standardet e transparencës gjatë viteve në vijim.

  • Gratë iraniane protestojnë brenda burgut kundër ekzekutimeve

    Gratë iraniane protestojnë brenda burgut kundër ekzekutimeve

    Një grup i grave të burgosura për aryse politike që mbahen në burgun famëkeq Evin të Teheranit, kanë organizuar një portestë kundër ekzekutimit të fundit të tre protestuesve.

    Ato gjithashtu protestuan kundër rritjes së përdorimit të dënimit me vdekje, i cili është kritikuar gjerësisht nga grupet e të drejtave të njeriut dhe qeveritë në mbarë botën.

    Sipas raporteve të publikuara më 23 maj nëpër rrjete sociale, disa nga të burgosurat më të njohura politike femra, duke përfshirë Sepideh Gholian, Bahareh Hedayat, Faezeh Hashemi dhe Narges Mohammadi, morën pjesë në një protestë brenda burgut, ku secila prej tyre lëshuan deklarata duke dënuar valën e ekzekutimeve.

    Golrokh Ebrahimi Iraee, një tjetër e burgosur, tha: “Të burgosurat politike femra të burgut Evin mbajtën një ceremoni të shtunën [20 maj] në oborrin e repartit të grave për të protestuar ndaj ekzekutimeve të fundit, duke përfshirë ekzekutimin e dy personave në burgun e Arakit me akuzën për blasfemi [sharje e zotit], dhe tre ekzekutimet e fundit në Isfahan”.

    Iraee, e cila në prill u dënua me shtatë vjet burg për krime “kundër regjimit”, tha se “natyra e këtij regjimi është të eliminojë fizikisht kundërshtarët, kritikët dhe ata që protestojnë kundër politikave të tij”.

    Nuk është bërë e ditur nëse gratë u ndëshkuan për protestën.

    Gjyqësori i Iranit, i nxitur nga liderët e lartë, ka marrë një qëndrim të ashpër kundër protestuesve që demonstrojnë kundër vdekjes së Mahsa Amini në shtator.

    Njëzetedy vjeçarja vdiq teksa po mbahej në paraburgim nga policia në Teheran, pasi u ndalua me arsyen se nuk e kishte vendosur shaminë e kokës në mënyrë të duhur.

    Vdekja e saj ngjalli zemërim në të gjithë vendin, duke bërë që dhjetëra mijëra persona, të udhëhequr nga gra dhe student, të dalin në rrugë duke kërkuar më shumë liri.

    Përgjigja e ashpër e forcave të sigurisë iraniane ka intensifikuar protestat, me shumë që kanë bërë thirrje që lideri suprem Ayatollah Ali Khameni të japë dorëheqjen.

    Deri më tani, autoritetet iraniane kanë ekzekutuar të paktën shtatë protestues.

    Aktivistja e burgosur Mohammadi tha se qeveria “po hakmerret ndaj lëvizjes revolucionare në një mënyrë brutale duke ekzekutuar dhe vrarë njerëz”.

    “Irani i vitit 2023 nuk është Irani i viteve 1980. Nëse qëllimi i ekzekutimeve në vitet ’80 ishte krijimi i frikës, tmerrit dhe shtypja e rrymave dhe tendencave të ndryshme, ekzekutimet e fundit do të kenë efektin e kundërt”, tha ajo.

    Grupi i të Drejtave të Njeriut në Iran me bazë në Norvegji thotë se këtë vit të paktën 275 persona janë ekzekutuar në Iran, duke përfshirë të paktën 90 në tre javët e fundit, duke e bërë majin “muajin më të përgjakshëm” në vend në pesë vitet e fundit.

    Aktivistja Gholian, e arrestuar në fillim të këtij muaji pasi kritikoi publikisht Khamenein, tha gjatë protestës se “misioni ynë është tani më i qartë. Ata do të largohen para se të mbarojnë të gjitha rezervat e naftës. Ne do të kërcejmë me pasion në atdheun tonë”.

    Vida Rabbani, Nasrin Khazri Javadi, Shakila Manfred, Zohreh Sarv dhe Mahvash Shahriari ishin të burgosurat tjera politike që morën pjesë në tubimin brenda burgut./REL/

  • Gjilan: Arrestohet 50-vjeçari i kërkuar për vjedhje të rëndë

    Gjilan: Arrestohet 50-vjeçari i kërkuar për vjedhje të rëndë

    Të enjten është arrestuar një person i cili ka qenë i kërkuar për veprën penale “vjedhje e rëndë” në Gjilan.

    Ai ka qenë i kërkuar në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata themelore Gjilan me dënim burgimi, prej 150 ditësh burgim.

    “Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, Stacioni Policor Gjilan me datën 23.05.2023 në kuadër të planit operativ për realizim të urdhëresave gjyqësore ka arrestuar personin Q.M. (viti i lindjes 1973, mashkull kosovar shqiptar)”.“Ai ishte i kërkuar në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata themelore Gjilan me dënim burgimi prej njëqind e pesëdhjetë (150) ditë burg për veprat penale ‘Vjedhje e rëndë’’, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se pas përfundimit të procedurave i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.

  • Theret një person në Vushtrri, arrestohen tre të dyshuar

    Theret një person në Vushtrri, arrestohen tre të dyshuar

    Një person është therur në Vushtrri gjatë një rrahjeje midis disa personave.

    “Raportohet se pas një mosmarrëveshje mes disa personave ka ardhur deri te rrahja, ku si pasojë lëndime trupore nga therja me thikë ka pësuar viktima mashkull kosovar, i cili është dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, thuhet në raportimin e Policisë së Kosovës.

    Tre persona janë arrestuar dhe liruar me procedurë të rregullt pas intervistimit.

    “Lidhur me rastin tre meshkuj kosovarë janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit dy janë liruar në procedurë të rregullt ndërsa njëri dërgohet në mbajtje”.

  • Përdorimi i solariumit – Dermatologia apelon që të mos përdoret, përmend edhe rreziqet që kanosen

    Përdorimi i solariumit – Dermatologia apelon që të mos përdoret, përmend edhe rreziqet që kanosen

    Doktoresha Shkendije Dobruna, e cila me profesion është dermatologe, e ftuar në emisionin e mëngjesit “Alarm”, në ATV, foli rreth kancerit malinjë të lëkurës, për atë se si manifestohet, diagnostikimi, trajtimin e shumëçka tjetër.

    Doktoresha, si shqetësim kryesor përmendi edhe përdorimin e solariumit, për të cilin tha se në vendin tonë përdoret në masë të madhe dhe për çka tha se janë të rrezikshëm, pasi shkaktojnë kancerin e lëkurës.

    “Dermatologët janë gjithmonë kundër përdorimit të solariumit, për arsye se është ekspozimi maksimal i rrezeve që jo vetëm nishanet që mundet më i ndërru por mundet që edhe në një lëkurë që nuk ka nishane, mund të fillojë të provokojë kancerin e lëkurë, në Australi është plotësisht i ndaluar. Po ashtu në ShBA, është e ndaluar përdorimi i solariumit nën moshën 18-vjeçare, kur qelizat janë ende në zhvillim e tek ne nuk ka asnjë kufizim. Përdorimi i solariumit, pas një kohe të gjatë humb elasticitetin e lëkurës dhe kolagjenin, për çka shkaktohen edhe rrudhat”, tha ajo.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: