ATV

Author: G.O.

  • ​Dita e Presidentit, Osmani vizitoi familjen Rugova

    ​Dita e Presidentit, Osmani vizitoi familjen Rugova

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka vizituar familjen e presidentit historik Ibrahim Rugova.

    Kjo vizitë është zhvilluar në atë që njihet si dita e Presidentit.

    “Në familjen e Presidentit Rugova, dera është gjithnjë e hapur për miq. Në Ditën e Presidentit, çdo vit pritja shoqërohet edhe me tortën e Presidentit, gatuar enkas për këtë ditë nga duart e arta të znj. Fanë, për ta kujtuar atin themeltar të Republikës”.

  • Mblidhet LDK-ja, vendos për shpalljen e zgjedhjeve të brendshme

    Mblidhet LDK-ja, vendos për shpalljen e zgjedhjeve të brendshme

    Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës është mbledhur në selinë e partisë.

    Zgjedhjet përfshijnë pozitën e kryetarit dhe strukturat e partisë.

    Këto zgjedhje janë në kuadër të ciklit të rregullt zgjedhor katërvjeçar, që është i përcaktuar në statutin e LDK-së.

    Ndryshe, zgjedhjet e fundit të rregullta në LDK janë mbajtur në vitin 2019.

  • Gjykata ia vendos drejtorit të VisaMetric masën e dorëzanisë prej 15 mijë eurove

    Gjykata ia vendos drejtorit të VisaMetric masën e dorëzanisë prej 15 mijë eurove

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka informuar sot se ka caktuar masën e sigurisë kundër të pandehurit S.O, drejtor i VisaMetric, për shkak të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

    Siç është bërë e ditur nga gjykata, gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin S.O e ka refuzuar dhe ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të të pandehurit, ashtu që të njëjtit i ka caktuar masën e dorëzanisë në vlerë prej 15.000 mijë euro, si dhe të pandehurit S.O i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit – pasaporta.

    “Masa e dorëzanisë të pandehurit i caktohet konform nenit 177 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, 1.2, 1.3 të KPPRK-së. Nëse i pandehuri S.O nuk i përmbahet masës së dorëzanisë, gjykata me aktvendim i cakton masën e paraburgimit konform nenit 184 paragrafi 1 të KPPRK-së, si dhe mjetet e deponuara për dorëzani derdhen në fondin e viktimave të krimit, konform nenit 179 paragrafi 1 të KPPRK-së.”, është bërë e ditur në komunikatë.

    Ndryshe, shtetasi turk, S.O, drejtor i VisaMetric dje është ndaluar për 48-orë.

  • Caktohet data për gjyqin kundër ish-presidentit Trump

    Caktohet data për gjyqin kundër ish-presidentit Trump

    Një gjykatës caktoi të martën 25 marsin 2024, si datë paraprake për një gjyq ndaj ish-presidentit Donald Trump, e cila do të përkonte me kulmin e sezonit për zgjedhjet për kandidatin presidencial brenda Partisë Republikane.

    Gjykatësi e njoftoi datën në një seancë ku zoti Trump mori pjesë përmes videos. Ai kishte deklaruar muajin e kaluar se ishte i pafajshëm për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit.

    Në seancën e së martës, gjykatësi i Manhatanit, Juan Merchan shqyrtoi një urdhër që ndalonte ish-presidentin Trump të shpërndante publikisht disa prova të dorëzuara nga prokurorët, shkruan voa.

    Zoti Trump u lejua të mos paraqitej personalisht në gjykatë, për të shmangur sfidat e mëdha të sigurisë dhe logjistikës që shoqëruan shpalljen e akuzës ndaj tij muajin e kaluar.

    Ish-presidenti republikan mund të flasë publikisht për çështjen penale, sipas urdhrit të gjykatësit Merchan, por ai mund të mbajë përgjegjësi për shpërfillje të gjykatës, nëse përdor provat e dhëna nga prokurorët kundër dëshmitarëve ose personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje.

    Zoti Trump deklaroi se ishte i pafajshëm më 4 prill për 34 akuza lidhur me falsifikim të të dhënave të biznesit në lidhje me pagesat që kompania e tij i kishte dhënë ish-avokatit të tij, Michael Cohen.

    Prokurorët thonë se këto pagesa kishin për qëllim rimbursimin dhe kompensimin e zotit Cohen për kryerjen e pagesave në këmbim të heshtjes gjatë fushatës së vitit 2016 lidhur me akuza për marrëdhënie jashtëmartesore. Zoti Trump mohon të ketë pasur lidhje jashtëmartesore dhe thotë se ndjekja penale është e motivuar politikisht.

    Urdhri i gjykatësit Merchan ndalon zotin Trump dhe avokatët e tij të shpërndajnë prova te palët e treta ose t’i postojnë ato në mediat sociale dhe kërkon që disa materiale të ndjeshme të shpërndara nga prokurorët të mbahen vetëm nga avokatët e zotit Trump, jo vetë ai.

    Prokurorët kërkuan urdhrin nga gjykata menjëherë pas arrestimit të zotit Trump, duke përmendur atë që ata thonë se është prirja e tij për të bërë “deklarata ngacmuese, që vënë njerëzit në pozitë dhe kërcënuese” për njerëz me të cilët është angazhuara në mosmarrëveshje ligjore.

    Gjykatësi Merchan, duke vënë në dukje statusin “të veçantë” të zotit Trump si ish-president dhe kandidat aktual, e ka bërë të qartë se urdhri mbrojtës nuk duhet të interpretohet si një urdhër për t’i mbyllur atij gojën dhe se zoti Trump ka të drejtë të mbrohet publikisht.

    Avokatët e ish-presidentit Trump po kërkojnë që çështja e tij penale të transferohet në gjykatën federale. Derisa të vendoset nëse një gjë e tillë do të pranohet, ajo do të vazhdojë në gjykatën shtetërore.

  • Varhely vjen në Kosovë, takon krerët e shtetit dhe përfaqësuesit e opozitës

    Varhely vjen në Kosovë, takon krerët e shtetit dhe përfaqësuesit e opozitës

    Komisioneri Evropian për Zgjerim, Olivier Varhelyi, do ta vizitojë Kosovën më 25 maj, me ç’rast pritet të takohet me krerët shtetërorë, si dhe me përfaqësuesit e opozitës.

    “Këto takime do të jenë një mundësi për të shqyrtuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit, si dhe reformat kryesore, duke përfshirë fushën e reformës në drejtësi, tranzicionit energjetik dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kabineti i Varhelyit.

    Pritet që ai të zhvillojë takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, liderët e opozitës ,si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

    Gjatë qëndrimit të tij në vend, komisioneri Varhelyi dhe Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, do të lansojnë Programin për Çështjet e Brendshme BE-Kosovë, me qëllim që të harmonizohen më tej veprimet e Kosovës në zbatimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar me standardet e BE-së.

    Ky program, i financuar nga BE-ja prej 6.5 milionë eurove, do të zbatohet në një periudhë trevjeçare me mbështetjen e Francës, Italisë dhe Belgjikës dhe do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

  • Prigozhin: Mbi 20.000 luftëtarë të Wagner-it janë vrarë në Bahmut

    Prigozhin: Mbi 20.000 luftëtarë të Wagner-it janë vrarë në Bahmut

    Kreu i grupit mercenar rus, Wagner, tha se grupi i tij ka humbur mbi 20.000 luftëtarë në betejën për kontrollin e qytetit lindor ukrainas të Bahmutit.

    Shifra e të vrarëve, e paraqitur nga Yevgeny Prigozhin, përbën 20 për qind të 50.000 të dënuarve rusë që ai rekrutoi për luftën në Ukrainë.

    Ky numër i luftëtarëve të vrarë vetëm në betejën për Bahmutin është shumë i lartë krahasuar me numrin e ushtarëve që Rusia pretendon se i janë vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë, përkatësisht Moska pretendon se që nga nisja e pushtimit në shkurtin e kaluar, i janë vrarë mbi 6.000 ushtarë.

    Analistët besojnë që në nëntë muaj betejë në Bahmut janë vrarë dhjetëra mijëra ushtarë, në mesin e të cilëve edhe të dënuar që ishin rekrutuar, e që besohet se janë trajnuar pak ose aspak para se të dërgoheshin në fushëbetejë.

    Prigozhin, gjatë një interviste të publikuar të martën mbrëma të realizuar nga Konstandin Dolgov, një politolog pro-Kremlinit, tha se qëllimi i Rusisë për “çmilitarizimin” e Ukrainës – që u proklamua si qëllimi i nisjes së pushtimit – ka dështuar sepse ushtria ukrainase është bërë më e fortë pas furnizimeve me armë dhe trajnimeve nga aleatët e saj perëndimorë.

    Shefi i Wagner-it po ashtu tha se forcat e Kremlinit kanë vrarë civilë gjatë luftës, gjë që Moska vazhdimisht e ka mohuar.

    Prigozhin, një biznesmen i pasur që ka lidhje me presidentin rus, Vladimir Putin, njihet për deklaratat e tij kritikuese ndaj komandantëve ushtarakë rusë.

    Muajin e kaluar ai akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes se nuk po furnizon trupat e tij me municione dhe kërcënoi se do të tërheqë mercenarët nga Bahmuti.

    Gjatë intervistës, ai po ashtu tha se ka shumë të ngjarë që kundërofensiva e Kievit, që pritet të nisë në javët në vijim, mund të largojë trupat ruse nga jugu dhe lindja e Ukrainës, por edhe nga Krimeja e aneksuar, marrë parasysh mbështetjen e vazhdueshme që ka Kievi nga Perëndimi.

    “Skenari pesimist: ukrainasve u jepen raketa, ata përgatisin trupat, sigurisht ata do ta vazhdojnë ofensivën e tyre, duke tentuar të kryejnë një kundërofensivë”, tha ai.

    “Ata do ta sulmojnë Krimenë, do të tentojnë ta shkatërrojnë urën e Krimesë [që e lidh këtë gadishull të aneksuar ukrainas me territorin e Rusisë], të ndërpresin linjat e furnizimit. Prandaj, ne duhet të përgatitemi për luftë të ashpër”, shtoi ai.

    Rusia ka pretenduar se ka shënuar fitore në Bahmut, por Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha më 24 maj se “luftimet e ashpra” po vazhdojnë brenda Bahmutit.

    Bahmuti gjendet në provincën e Donjeckut, që është një prej katër provincave që vitin e kaluar Rusia pretendoi se i ka aneksuar. Këto katër provinca janë pjesërisht në kontrollin e forcave të Moskës./REL/

  • Mbi 21 mijë familje nën asistencë sociale, prin komuna e Mitrovicës

    Mbi 21 mijë familje nën asistencë sociale, prin komuna e Mitrovicës

    Gjatë muajit prill të këtij viti, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 21 mijë e 127 familje me gjithsej 83 mijë 811 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 3 mijë e 54 familje.

    Ndërsa, komuna e Mitrovicës vazhdon të jetë komuna me më së shumti familje nën asisitencë sociale. Në muajin prill nga kjo komunë janë evidentuar 2 mijë e 76 familje nën asistencë sociale, ani se ka një rënie të lehtë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, nga skema e pensioneve bazike të moshës janë 143 mijë 522 përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 48 mijë e 625 përfitues; nga skema për veteranët e luftës janë 36 mijë e 780 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 18 mijë e 94 përfitues.

    Po ashtu nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 mijë e 8 përfitues, nga skema për pensionet familjare janë 3 mijë e 163 përfitues; nga skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik janë 2 mijë e 763 përfitues; nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1 mbi 831 përfitues; nga skema për pensionet e Trepçës janë 1 mijë e 599 përfitues; nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) janë 1 mijë 291 përfitues; nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 720 dhe nga skema për pensionet invalidore janë 55 përfitues.

    Sipas raportit të ASK-së për Statistikat e Mirëqenies Sociale, gjatë muajit prill 2023 janë braktisur 3 fëmijë.

  • BE kritikon vizitën e Dodikut në Moskë

    BE kritikon vizitën e Dodikut në Moskë

    Bashkimi Evropian ka kritikuar vizitën e liderit të serbëve të Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, në Moskë dhe takimin që ka zhvilluar me presidentin rus, Vladimir Putin.

    Dodik u takua më 23 maj me Putinin në Moskë dhe i tha se entiteti i Republikës Sërpska vazhdon të jetë pro-ruse.

    BE-ja tha se mbajtja e lidhjeve me Rusinë sot shihet si veprim që është në kundërshtim me vlerat evropiane dhe me aspiratat strategjike për integrim në bllokun evropian.

    “BE-ja ka rikujtuar në disa raste, dhe së fundmi edhe nga përfaqësuesi i lartë [Josep Borrell] në takimin e fundit të ministrave të Jashtëm, që u mbajt të hënën me ministrat e Ballkanit Perëndimor, se mbajtja e lidhjeve të afërta me Rusinë është në kundërshtim me rrugën drejt BE-së”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    Stano shtoi se blloku evropian dëshiron të “llogarisë në të gjitha vendet kandidate si partnere të besueshme për parimet e përbashkëta, vlerat, sigurinë dhe prosperitetin”.

    Në dhjetorin e vitit 2022, Bosnja ka marrë statusin e vendit kandidat. Ky shtet ka pranuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, por zbatimi i tyre është bllokuar nga entiteti serb, Republika Sërpska.

    Dodik i tha Putinit në Moskë se Republika Sërpska kundërshton vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe për këtë, ai tha se entiteti i është ekspozuar “formave të ndryshme të presionit nga partnerët tanë perëndimorë, në formë të sanksioneve dhe suspendimeve nga projekte dhe programe të caktuara”.

    “Bashkimi Evropian ka qenë krejtësisht i qartë me partnerët tanë: raportet me Rusinë nuk mund të jenë si punë e zakonshme pas pushtimit të pajustifikuar dhe të paprovokuar të Putinit dhe Rusisë. Të mos harrohet se Putin është ai që ka urdhëruar dhe mbikëqyrur shkeljet masive të Kartës së OKB-së dhe të drejtat e njeriut në Ukrainë, ku Rusia po kryen krime duke sulmuar në formë jodiskriminuese caqet civile, infrastrukturën civile, po vjedh pronën e Ukrainës, territoret e saj dhe po rrëmben fëmijë”, tha Stano.

    Ndryshe, Dodik gëzon mbështetjen e Moskës në minimin e institucioneve të Bosnje e Hercegovinës dhe për deklaratat e tij të shpeshta lidhur me shkëputjen e entitetit të Republikës Sërpska nga Bosnje e Hercegovina.

    Për shkak të minimit të Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës në Bosnje e Hercegovinë më 1995, por edhe minimit të stabilitetit të shtetit dhe rajonit dhe mbështetjes së veprimeve korruptive, Dodik është në listën e sanksioneve të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Takimi i 23 majit, ishte i treti mes Dodikut dhe Putinit që nga nisja e pushtimit të Ukrainës dhe biseda e nëntë që këta zyrtarë kanë zhvilluar që nga viti 2014./REL/

  • ​S’ka kuorum për votimin e Projektligjit për Shëndetin Riprodhues

    ​S’ka kuorum për votimin e Projektligjit për Shëndetin Riprodhues

    Parlamenti i Kosovës ka dështuar të votojë dy projektligje në seancën e sotme plenare. Vetëm 59 deputetë kanë marrë pjesë në votimin e Projektligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor, ndërkaq kuorum nuk ka pasur as për votimin e Projektligjit për Minierat dhe Mineralet.

    80 deputetë kanë qenë të pranishëm në sallë gjatë votimit në parim të Projektligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor.

    “Vetëm 59 deputetë kanë marrë pjesë në votim. Konsideroj që ky projektligj nuk e ka kuorumin e mjaftueshëm. Kjo bartet në seancën e radhës kur nuk ka kuorum”, ka thënë kryeparlamenti Glauk Konjufca.

    Vota të mjaftueshme nuk ka pasur as për Projektligjin për Minierat dhe Mineralet, ku vetëm 57 deputetë kanë marrë pjesë në votim.

    Në seancën e sotme plenare është vendosur që debati për Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë të bartet në ditën e nesërme

  • “Djali 6-vjeçar ka kruarje të trupit, nuk rezulton alergjik në asgjë”, telefonuesja kërkon ndihmën e mjekës në “Alarm”

    “Djali 6-vjeçar ka kruarje të trupit, nuk rezulton alergjik në asgjë”, telefonuesja kërkon ndihmën e mjekës në “Alarm”

    Dermatologia Shkendije Dobruna, e ftuar në emisionin e mëngjesit “Alarm”, në ATV, foli rreth kancerit malinjë të lëkurës, për atë se si manifestohet, diagnostikimi, trajtimin e shumëçka tjetër.

    Gjatë emisionit, një shikuese kërkoi këshillë mjekësore nga mjekja në studio, në lidhje me një shqetësim te djali i saj 6-vjeçar.

    “Djali im 6-vjeçar ka kruarje të trupit, në duar më shumë e në zonën e këmbëve më pak, zakonisht ia fillon me pranverë, i kemi bo test të alergjisë por nuk ka rezultuar alergjik, e kam provu me disa medikamente dhe kremat, i ka kaluar por ndërkohë prapë i kthehet”, u shpreh telefonuesja.

    Lidhur me këto shqetësime, mjekja rekomandoi vizitë te dermatologu, për ekzaminime më të thella.

    “Nëse i kalon me sirup dhe nëse I shfaqet gjatë periudhës pranverë-verë, kjo të jep përshtypjen se ai është alergji në diçka, por unë iu sugjeroj që të drejtoheni te një dermatolog që t’iu rekomandoi se cilat teste dhe analiza të bëhen, në mënyrë që të mjekohet, në mënyrën e duhur”, tha dok. Shkendije./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: