ATV

Author: G.O.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë do të mbahet mot i vranët dhe reshje shiu, derisa në disa zona pritet të ketë edhe vërshime .

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 12 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 22 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë me mot të kthjellët dhe vranësira të herëpashershme. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 10 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prishtinë me 22 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me kthjellime dhe me temperatura stabile. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 11 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 27 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

     

  • Kuvendi sot shqyrton Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë

    Kuvendi sot shqyrton Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë

    Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot do të bëj shqyrtimin e parë të Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.

    Kuvendi po ashtu sot do të mbajë seancë plenare. Ku në rend ditë janë disa pika

    Seanca do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

    Pastaj do të jenë në rend ditë këto pika: Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e “Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2022”, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë për zbatimin e ndërsjellë të aktgjykimeve në çështjet penale, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë mbi ekstradimin, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale, shqyrtimi i Projektligjit për aderimin në Marrëveshjen për statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e zhdukur, shqyrtimi i Projekt Deklaratës për antisemitizmin.

    Po ashtu do të bëhet edhe shqyrtimi i kërkesës së Komisionit Ad-Hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar, për zgjatjen e mandatit, votimi për emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, votimi në parim i Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Kinomatografinë, shqyrtimi i parë i Projektligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2023-2027, propozimi i një (1) kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, emërimi i dy (2) anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

  • Reagon Prishtina, ndjehet e tradhtuar nga “Plisat”

    Reagon Prishtina, ndjehet e tradhtuar nga “Plisat”

    Këtë të hëne skuadra e Prishtinës e fitoi Kupën e Kosovës, pasi që në finale e mposhti Gjilanin me rezultat solid 2:0.

    Ndeshja ishte e zjarrtë, ndërsa nuk munguan edhe problemet nga tifozët, veçanërisht nga tifo-grupi “Plisat” e Prishtinës, raporton KosovaPress.

    Gjatë tërë ndeshjes “Plisat” nuk treguan përkrahje ndaj lojtarëve që përfaqësojnë ekipin e Prishtinës, por brohorisnin vazhdimisht kundër bordit të klubit kryeqytetas.

    Tani, Prishtina përmes një njoftimi zyrtarë ka sqaruar ngjarjet që e përcollën finalen kundër Gjilanit, duke theksuar se ndihet e tradhtuar nga tifo-grupi i klubit.

    “Për Prishtinën, suksesi ishte jetik. Fatkeqësisht, tifozët tanë në tribunën jugore, jo që nuk përkrahen për asnjë minutë djemtë e ekipit, por ata as nuk qëndruar për t’i përshëndetur futbollistët apo për t’iu gëzuar triumfit. Kjo do të duhej të ishte primare për një grup tifozësh, nëse vetëm kanë harruar qëllimin për çka shërbejnë. Iu kemi dalë në ndihmë duke iu blerë bileta dhe duke iu financuar fishekzjarrët dhe koreografinë, por klubi u ndje i tradhëtuar”, shkruante Prishtina në njoftim.

    Më tej, Prishtina zbuloi se kjo koreografi nga “Plisat” ishte e paralajmëruar, dhe se kjo gjë ishte bërë e ditur nga një aksionar aktual i klubit në televizion, për të cilin gjiganti kosovar nuk kishte fjalë të mira

    “Paraprakisht kishim paralajmërime dhe njohuri që e njëjta do të ndodhte dhe për ironi kjo u paralajmërua nga një aksionar aktual i klubit në televizion. Natyrisht, ky aksionar ka harruar ndërkohë që është pjesë e klubit, edhe sepse aktualisht paguhet nga FFK dhe i njëjti për 18 vite sa është aksionar jo vetëm që nuk ka kontribuar asnjë cent në arkën e klubit, por nuk e mban mend askush të ketë blerë një biletë të vetme për të parë ndonjë ndeshje futbolli në ‘Fadil Vokrri’. Ne si klub, me shkas nuk vendosëm të reagonim para ndeshjes, duke mos dashur të besojmë se një gjë e tillë do të ndodhte. Megjithatë ndodhi dhe atë në formën më brutale të mundshme”, shkruante në komunikatën e Prishtinës.

    Po ashtu, Prishtina ka bërë të ditur se ka dërguar ankesë në KAS të KOK-ut sa i përket licencimit të klubit për gara evropiane.

    “Ne duam të ju njoftojmë që klubi ka dërguar ankesën për licencim në KAS të KOK-ut. Siç e dini, FC Prishtina është klubi i parë i licencuar në Ministrinë e Sportit, por të njëjtat kritere sipas FFK-së ne nuk i plotësuakam për të garuar në Evropë. Për ne nuk vlejnë rregullat e njëjta ashtu siç vlejnë për klubet tjera.

    Këto metoda i kemi parë edhe më herët, ia kemi dalë atëherë, do t’ia dalim edhe tani. Por, të bashkuar do t’ia dalim edhe më lehtë. Andaj, skuadrës sonë, i duhet përkrahja juaj më shumë se kurrë më parë. Kemi fituar Kupën e Republikës, e cila na mundëson të luftojmë për të drejtën tonë për ta përfaqësuar vendin në garat e UEFA-së. Dhe nga kjo nuk do të heqim dorë lehtë”, shkruante në komunikatën e Prishtinës.

  • Specialja ia vazhdon paraburgimin Pjetër Shalës

    Specialja ia vazhdon paraburgimin Pjetër Shalës

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) me vendimin e 6 qershorit 2023, kanë vazhduar masën e paraburgimit për Pjetër Shalën.

    “Paneli urdhëron vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit”, thuhet në dispozitiv të vendimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Po ashtu, është urdhëruar ZPS-ja dhe mbrojtësi i viktimave, nëse dëshirojnë që të paraqesin parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit jo më vonë se 6 korrik 2023.

    Tutje, është urdhëruar mbrojtja që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit, nëse dëshiron, jo më vonë se 13 korrik 2023 dhe ka përcaktuar që çdo përgjigje, nëse ZPS-ja dhe mbrojtësi i viktimave dëshirojnë, do të dorëzohet jo më vonë se 18 korrik 2023.

    Në fillim të këtij vendimi paraqitet historiku procedural, ndër të tjera se ZPS ka dorëzuar parashtresën e saj për shqyrtimin e njëmbëdhjetë të paraburgimit, duke kërkuar vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit, se mbrojtja iu është përgjigj parashtresës të ZPS-së duke kërkuar nga Paneli që të urdhërojë lirimin e përkohshëm të të akuzuarit ose vendosjen në arrest shtëpiak tek rezidenca e tij në Belgjikë, dhe së fundmi kundër-përgjigjen e ZPS-së.

    Në pjesën arsyetuese të vendimit thuhet se Paneli rikujton se, në vendimin konfirmues, gjyqtari i procedurës paraprake përcaktoi se ekzistonte një “dyshim i bazuar mirë”, në kuptim të nenit 39(2) të Ligjit, se i akuzuari ka kryer vepra penale brenda juridiksionit të DhSK-së .

    ‘‘Duke kujtuar se pragu i “dyshimit të bazuar mirë” është domosdoshmërisht më i lartë se “dyshimi i bazuar” i kërkuar për vazhdimin e paraburgimit, Paneli rithekson se, në bazë të vendimit për konfirmim, kërkesa e nenit 41(6)(a) të Ligjit është plotësuar’’, thuhet në vendim.

    Në lidhje me këtë, dhe përveç dëshmive të dëshmitarëve të dëgjuara deri më sot dhe materialeve tjera mbështetëse, Paneli konstatoi në këtë vendim se kërkesa sipas nenit 41(6)(a) të Ligjit nuk ka pushuar së ekzistuari dhe për këtë arsye vazhdon të përmbushet.

    Ndërkaq, thuhet se Paneli rikujton se më parë ka gjetur se i akuzuari nuk është në rrezik të arratisjes andaj edhe nuk është i bindur nga parashtresat e ZPS-së se vendimi i Apelit për deklaratat e mëparshme është në gjendje ta ndryshojë atë vlerësim.

    ‘‘Rrjedhimisht, Paneli mbetet i bindur se i akuzuari nuk është në rrezik të arratisjes dhe se një rrezik i tillë, edhe nëse ekzistonte, mund të zbutet në mënyrë adekuate me kushtet që do t’i vendosen në përputhje me nenin 41(12) të Ligjit dhe rregullin 56(5) të Rregullores’’, thuhet tutje.

    Kurse thuhet se Paneli edhe më parë ka vërtetuar se ekziston rreziku i pengimit të procedurës penale, sipas nenit 41 (6) (b) (ii) të Ligjit, për shkak të fillimit të gjykimit dhe dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së, zbulimin e identitetit të dëshmitarëve dhe provave shoqëruese, duke përfshirë informacione potencialisht inkriminuese. deklaratat kërcënuese të të akuzuarit [REDAKTUAR] dhe klima e përgjithshme, e themeluar dhe e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë.

    Sipas kësaj gjykate, këta faktorë dhe rrethana vazhdojnë të ekzistojnë dhe nuk është paraqitur asnjë informacion apo zhvillim që i minon ata dhe përfundimin që ata mbështesin.

    ‘‘Përkundrazi, fakti që paraqitja e provave është në vazhdim e sipër dhe se dëshmitarë shtesë të ZPS-së kanë ofruar prova, duke përfshirë prova potencialisht inkriminuese, do të thotë se rreziku i pengimit të procedurës është ende shumë i pranishëm’’, thuhet tutje në arsyetim të vendimit.

    Gjithashtu, sipas këtij vendimi Paneli nuk është i bindur nga argumenti i mbrojtjes se deklaratat e të akuzuarit nuk duhet të mbështeten për qëllime të shqyrtimit të paraburgimit.

    ‘‘Kolegji i Gjykatës së Apelit e la në fuqi vendimin e Panelit për deklaratat e mëparshme dhe deklaratat janë dhe mbeten në dispozicion të Panelit derisa dhe nëse nuk vendoset ndryshe’’, thuhet më tej.

    Rrjedhimisht, Paneli ka konstatuar se vazhdon të ekzistojë rreziku që i akuzuarit të pengojë mbarëvajtjen e procedurave të DhSK-së.

    ‘‘Paneli rikujton se, përderisa ekzistenca e rrezikut të pengimit nuk përkthehet automatikisht në rrezik të kryerjes së krimeve të mëtejshme, faktorët që mbështesin të parën janë të rëndësishëm për vlerësimin e këtij të fundit në rastin aktual’’, thuhet në vendim.

    Sipas kësaj gjykate, i akuzuari tani ka njohuri të plotë për rastin kundër tij, duke përfshirë identitetin e dëshmitarëve të PSP-së, pasi masat mbrojtëse janë hequr ndaj të akuzuari, deri në vitin 2016 dhe 2019, i akuzuari bëri deklarata kërcënuese [REDAKTUAR] dhe paraqitja e provave nga ZPS është në proces.

    ‘‘Përveç kësaj, Paneli thekson se dëshmitë e gjashtë dëshmitarëve të parë tani janë përfunduar dhe dëshmia e dëshmitarit të shtatë është në vazhdim e sipër. Prandaj z. Shala ka marrë më tej një pasqyrë specifike për rastin dhe prova kundër tij’’, thuhet më tutje në vendim.

    Andaj, Paneli ka konkluduar se, për qëllimet e rishikimit periodik të paraburgimit të të akuzuarit, në pajtim me nenin 41(10) të Ligjit dhe rregullin 57(2) të Rregullores, koha që i akuzuari ka kaluar në paraburgim nuk është joproporcionale .

    Versionin e redaktuar publik të vendimit për shqyrtimin e njëmbëdhjetë të paraburgimit të Pjetër Shalës mund ta gjeni në gjuhën angleze: KËTU.

  • Kurti thotë se nuk ka marrë kurrfarë ultimatumi

    Kurti thotë se nuk ka marrë kurrfarë ultimatumi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka marrë asnjë lloj ultimatumi pas takimit me emisarët e ShBA-së dhe BE-së, duke shtuar se u ka ofruar atyre mënyrën për të dalë nga kriza.

    “Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi, ne u takuam bashkëbiseduam me emisarët dhe unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale…E para është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm”.

  • Kosova-Rumania, fillon shitja e biletave të ndeshjes

    Kosova-Rumania, fillon shitja e biletave të ndeshjes

    Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) përmes një komunikate në faqen zyrtare ka bërë të ditur se ka filluar shitja e biletave për ndeshjen e Kosovës kundër Rumanisë.

    Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë ndeshjen ndaj Rumanisë në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian Euro 2024, raporton KosovaPress.

    FFK ka njoftuar se çmimet e biletave fillojnë nga 5 euro në sektorin e Veriut dhe Jugut, dhe arrijnë deri në 80 euro për sektorin VIP. Në sektorin e Lindjes biletat kushtojnë 10 euro ndërsa në Perëndim 20 euro.

    Një person mund të blejë deri në katër bileta.

    Më 16 qershor me fillim nga ora 20:45, Kosova do të zhvillojë ndeshjen ndaj Rumanisë si vendas në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndeshje kjo e cila është e vlefshme për kualifikimet drejt Euro 2024.

    Ndërkaq, më poshtë mund ta gjeni linkun ku mund të bëhet blerja e biletave online.

    Federata e Futbollit e Kosovës (ebileta.al)

  • Kryetarët Atiq dhe Peci bisedojnë për zgjidhjen e problemeve në veri të vendit

    Kryetarët Atiq dhe Peci bisedojnë për zgjidhjen e problemeve në veri të vendit

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës veriore dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci kanë biseduar sot për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve në komunat në veri të vendit.

    Ishte Atiq që njoftoi se ka pritur në një takim të parin e Zveçanit, Ilir Peci.

    “Z. Ilir Peci e urova për mandatin në krye të Zveçanit dhe i urova punë të mbarë. Së bashku diskutuam për sfidat dhe problematikat me të cilat përballen qytetarët e komunave tona dhe biseduam për zgjidhjet për ato probleme. Në këto komuna nuk është menduar asnjëherë për qytetarin dhe se janë lënë shumë mbrapa shërbimet publike”, ka shkruar ai.

    Atiq ka theksuar se komunat në veri të vendit, të cilat tashmë kanë kryetarë shqiptarë, do të bëhen të qytetarëve dhe do të jenë vende të banueshme ku normalisht do të zhvillohet jeta sikur në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

  • Refuzohet kërkesa e Ferizajt, Liria pjesë e Superligës për sezonin 2023/24

    Refuzohet kërkesa e Ferizajt, Liria pjesë e Superligës për sezonin 2023/24

    Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka marrë vendim për ndeshjen e barazhit mes KF Ferizaj dhe KF Lirisë.

    KG i FFK-së ka marrë vendim që ta refuzojë kërkesën e Ferizajt për kontestimin e rregullsisë së ndeshjes ndaj Lirisë, raporton KosovaPress.

    “Refuzohet si e pabazuar ankesa e KF Ferizaj – nga Ferizaj dhe ndeshja e barazhit në mes KF Ferizaj dhe KF Liria regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë, në kohë të rregullt e pas vazhdimeve 0:0, me penallti 0:3 në favor të KF Liria nga Prizreni”, shkruante në komunikatën e FFK-së.

    Po ashtu, më poshtë mund të gjeni arsyetimin e FFK-së se pse ka refuzuar kërkesën e Ferizajt.

    “Bazuar në kushtet e përgjithshme për gara dhe sipas nenit 13 të Rregullores së Garave, viti garues fillon më 01 korrik , ndërsa përfundon më 30 qershor të vitit të ardhshëm. Viti është i ndarë në dy stinor – vjeshtor dhe pranveror dhe se ndeshja e barazhit është vazhdim dhe juridikisht kualifikohet si ndeshje e stinorit pranveror që është brenda edicionit të garave për vitin 2022-2023. Po ashtu edhe sipas nenit 29 të Propozicioneve të Garave lojtari Liridon Fetahaj ka qenë i licencuar për edicionin e garave për vitin 2022-2023, kështu që pretendimet e palës ankimore nuk u vërtetuan, prandaj, ankesa e KF Ferizaji, refuzohet si e pabazuar dhe ndeshja e barazhit mes KF Ferizaj dhe KF Liria, regjistrohet me rezultat të arritur në fushë, në kohë të rregullt dhe pas vazhdimeve 0:0, me penallti 0:3 në favor të KF Liria. Nga theksimet e lartëshënuara u vendos si në dipozitiv”, ishte arsyetimi i FFK-së për kërkesën e refuzuar të Ferizaj.

    FFK ka bërë të ditur se Ferizaj ka të drejtën e kundërshtimit të këtij raporti, tre ditë që nga publikimi i këtij vendimi në faqen zyrtare të FFK-së.

  • Domatet nga Shqipëria dyshohen për përmbajtje të hormoneve, AUV pret rezultatin

    Domatet nga Shqipëria dyshohen për përmbajtje të hormoneve, AUV pret rezultatin

    Domatet e importuara nga Shqipëria dyshohet se përmbajnë sasi të larta të hormoneve, të cilat janë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.

    Për të verifikuar nëse kjo është e vërtetë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka dërguar disa mostra në laborator dhe është në pritje të rezultateve të testeve.

    Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi duke konfirmuar këtë për Kosovapress përmes një përgjigje me shkrim, ka theksuar se kjo agjenci ka marrë masa shtesë të kontrollit, me theks të veçantë kontrollin e domateve me origjinë nga Shqipëria.

    “Si AUV kemi marrë masa shtesë të kontrollit, me theks të veçantë kontrollin e domateve me origjinë nga Shqipëria. Përveç kontrollit të rregullt dhe analiza rutionre, në këtë rast janë marrë mostra /kampione përfaqësuese të regjioneve të caktuara prodhuese prej nga importohen këto produkte, të njëjtat janë dërguar në laboratorë jashtë vendit me qellim testimi në kontaminuës kimik/mbetje të pesticideve (Përcaktimi i nivelit maksimal të mbetjeve-MRL në produkt) . AUV është në pritje të rezultateve të testeve laboratorike të mostrave zyrtare të dërguara. Pas pranimit të rezultateve të testeve analitike, varësisht nga gjetjet do të merren veprime/masa zyrtare”, theksoi ai.

    Sipas tij, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në nivel vendi në aspektin e përgjithshme të kontrollit të shëndetit bimor dhe sigurisë ushqimore, kryesisht bashkëpunon me laboratorë të autorizuar dhe kontraktuara në nivel shtetëror, siç janë: Instituti kombëtar i Shëndetësisë Publike-IKSHPK, Instituti Bujqësor i Kosovës- IBK, dhe Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë-LUV.

    “Mirëpo për teste specifike mostrat zyrtare për raste të veçanta dërgohen për testim me metoda konfirmative qoftë në vende të rajonit apo në ndonjë vend të BE-së”, ka theksuar Thaçi.

    Ai ka shtuar se të gjitha produktet që kanë qëllim final tregun e Kosovës duhet të jenë produkte të certifikuara, për çka përmes dokumentacionit adekuat shoqërues te lëshuar nga autoriteti kompetentë i vendit eksportues/prodhues marrim dëshmi/garanca që produktet janë në harmoni me kërkesat ligjore.

  • ​Granit Mavriqi zgjidhet anëtar i Bordit për Ankesa të Mediave

    ​Granit Mavriqi zgjidhet anëtar i Bordit për Ankesa të Mediave

    Granit Mavriqi është zgjedhur anëtar i Bordit për Ankesa të Mediave, me mandat 3 vjeçar. Në Kuvendin e Kosovës ai ka marrë 51 vota, ndërsa në votim gjithsej kanë marrë pjesë 84 deputetë.

    Ndërsa, kundër-kandidati i Mavriqit, Martin Komani, siguroi vetëm 30 vota, ndërsa 3 vota të deputetëve ishin të pavlefshme.

    Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme po shqyrton pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara, ndër të tjera po shqyrton pikën për zgjedhjen e një zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve joshumicë.

    Emrat e propozuar janë Admir Rama, Ardian Maksuti, Esmir Kasi, Maria Daduloviq, Senad Ibishi dhe Serdian Sentiq.