ATV

Author: G.O.

  • Szunyog takon Komisionin për Integrim Evropian, ripërsërit thirrjen për kthim në dialog

    Szunyog takon Komisionin për Integrim Evropian, ripërsërit thirrjen për kthim në dialog

    Ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës të ketë prioritet reformat në lidhje me BE-në.

    “Diskutuan me Komisionin për Integrim në BE për progresin e Kosovës drejt BE-së dhe i bëmë thirrje Kuvendit që të ketë prioritet reformat në lidhje me BE-në”, ka shkruar ai në Twitter.

    Po ashtu diplomati i BE-së, njoftoi se kanë diskutuar edhe për situatën në veri dhe kam ripërsëritur thirrjen për kthim në dialog.

  • Rusia sulmon Hersonin, vazhdojnë operacionet e shpëtimit në zonat e vërshuara të Ukrainës

    Rusia sulmon Hersonin, vazhdojnë operacionet e shpëtimit në zonat e vërshuara të Ukrainës

    Ekipet ukrainase të shpëtimit janë duke vazhduar tentimet e tyre për t’i shpëtuar mijëra njerëzit e bllokuar nga vërshimet e shkaktuara pas shkatërrimit të një dige të madhe në lumin Dnjepër në pjesën jugore të Ukrainës.

    Rreziqet janë shtuar shkaku i bombardimeve të vazhdueshme nga forcat ruse nga ana tjetër e lumit dhe nga minat e zhvendosura shkaku i vërshimeve.

    Oleksandr Prokudin, kryetar i rajonit të Hersonit, tha më 8 qershor se niveli i ujit është pothuajse gjashtë metra dhe një hapësirë prej 600 kilometrash katrorë është nën ujë – pjesa më e madhe e kësaj hapësire ndodhet në bregun e majtë të lumit Dnjepër, në hapësirën e pushtuar nga Rusia.

    “Këtë mëngjes, niveli mesatar i ujit është 5.61 metra. Rreth 600 kilometra katrorë është nën ujë, prej yre 32 për qind në bregun e djathtë

    dhe 68 për qind në bregun e majtë [të kontrolluar nga Rusia]”, tha Prokudin në një video-mesazh.

    Ai tha se deri në orën 6 të mëngjesit, sipas kohës lokale, pothuajse 2.000 njerëz janë shpëtuar nga zonat e rrezikuara, shumica prej tyre nga zona Korabel e Hersonit.

    Forcat ruse kanë vazhduar ta sulmojnë Hersonin dhe zonat përreth lumit Dnjepër, përkundër vërshimeve masive të shkaktuara nga shkatërrimi i digës Nova Kahovka, tha Natalya Humenyuk, kreu i Qendrës së Bashkuar për Koordinimin e Shtypit të Forcat Jugore të Mbrojtjes, më 8 qershor.

    “Për shkak të rritjes së vazhdueshme të nivelit të ujit, armiku u detyrua të tërhiqet 5 -15 kilometra prapa nga pozitat e tyre paraprake dhe bombardimet nuk janë aq intensive tani. Por, rajoni Beryslavskiy (në lindje të Hersonit) vazhdon të jetë cak i bombardimeve”, tha Humenyuk për televizionin ukrainas.

    Humenyuk gjithashtu tha se forcat ruse prishën linjat e komunikimit në zonën gjatë kohës së shpërthimit të supozuar me qëllimin për ta fshehur atë dhe se disa trupa të saj mund të jenë lënë të mbyten ose izolohen në kulme të ndërtesave. Pretendimet e saj nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

    Gjatë intervistave të dhëna për media amerikane dhe gjermane, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ai ishte i shokuar nga ajo që e quajti dështim të Kombeve të Bashkuara dhe Kryqit të Kuq për të ofruar ndihmë emergjente. Por, ai shtoi se ushtarët rusë ishin duke gjuajtur nga distanca, përderisa tentimet për shpëtim po vazhdonin.

    Është ende e paqartë se çfarë e shkaktoi prishjen e digës, por Zelensky përsëriti qëndrimin e tij se shkatërrimi u bë nga forcat ruse qëllimshëm. Në anën tjetër, Rusia e ka fajësuar Kievin zyrtar për sulmin ndaj digës.

    “Situata në pjesët e pushtuara të rajonit të Hersonit është absolutisht katastrofike”, tha ai në Twitter. “Pushtuesit thjesht i braktisën njerëzit në ato kushte të tmerrshme – pa shpëtim, pa ujë, thjesht në kulmet e ndërtesave në komunitetet e përmbytura”.

    Qindra mijëra njerëz janë lënë pa qasje normale në ujë pijshëm, tha ai, duke shtuar se këtu përfshihen edhe shërbimet ukrainase, që mund të ndihmojnë vetëm në territorin e kontrolluar nga Ukraina.

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e akuzoi më 7 qershor Ukrainën për shkatërrimin e digës, duke sugjeruar se Perëndimi e ndihmoi atë, përkundër që diga ishte nën kontrollin e Rusisë kur u shkatërrua.

    Në pjesën e pushtuar nga Rusia, rreth 14.000 shtëpi janë përmbytur dhe 4.300 njerëz janë evakuuar, thanë shërbimet e sigurisë të Rusisë më 8 qershor, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, TASS.

    Kryqi i Kuq paralajmëroi se vërshimet mund të kenë efekte të tmerrshme në tentimet për gjetjen e minave që mund të jenë vendosur në këtë zonë.

    “Ne e dinim se ku ishte rreziku”, tha Eric Tollefsen, kreu i Njësisë për Kontaminimin e Armëve në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. “Tani ne nuk e dimë. E gjitha që dimë është se janë diku në rrjedhën e ujit”.

    Minat e zhvendosura të transportuara nga uji mund të rrezikojnë seriozisht banorët lokalë dhe ekipet e shpëtimit, tha Tollefsen.

    Diga Nova Kahovka, që është 30 metra e gjatë dhe 3.2 kilometra e gjatë, është rrugë kyçe për transport dhe ujitje, si dhe për furnizimin me ujë të Gadishullit ukrainas të Krimesë dhe centralit bërthamor në Zaporizhja.

    Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) tha se përderisa niveli i ujit kishte rënë në pellgjet kyçe për ftohjen e reaktorëve bërthamorë të centralit, “opsionet rezervë janë në dispozicion” dhe se “nuk ka rreziqe afat-shkurtër për sigurinë bërthamore”.

    Por, drejtori i përgjithshëm i IAEA, Rafael Grossi, u shpreh i shqetësuar për situatën në javët e ardhshme në një intervistë për Sky News, ku tha se “në rastin më të keq pa ftohje” ka rrezik për një aksident me pasoja tragjike për ambientin.

    Situata është serioze, tha ai, sepse një central bërthamor ka nevojë për garanci kur vjen puna te uji për ftohjen e reaktorëve.

    Shkatërrimi i digës erdhi në një kohë kur Ukraina po përgatitjet për një kundërofensivë të shumëpritur për t’i rimarrë rajonet e pushtuara nga Rusia që nga pushtimi që nisi në shkurt të vitit të kaluar.

    Zëvendësministri i Mbrojtjes, Hanna Malyar, tha më 7 qershor se forcat ukrainase kanë nisur ofensivën në Bahmut, epiqendrën e sulmeve disamujore, duke avancuar për rreth 1.1 kilometra – avancimin e parë të trupave ukrainase në këtë zonë, pas një periudhe të gjatë në mbrojtje.

    Më 8 qershor, Stafi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi se forcat e Kievit i kanë zmbrapsur disa tentime të Rusisë për të rimarrë territoret e humbura përreth Bahmutit.

    Trupat ruse gjithashtu tentuan pa sukses të avancojnë në drejtim të qyteteve Marijinka dhe Avdijivka të Donjeckut, 150 kilometra në jug të Bahmutit, thuhet në raportin e Stafit të Përgjithshëm.

  • Oda Amerikane: Qeveria e Kosovës të demonstrojë përkushtimin ndaj partnerëve ndërkombëtarë

    Oda Amerikane: Qeveria e Kosovës të demonstrojë përkushtimin ndaj partnerëve ndërkombëtarë

    Zgjidhja e tensioneve dhe nxitja e një mjedisi paqësor dhe stabil janë thelbësore për krijimin e një mjedisi të favorshëm afarist që mund të tërheqë investime dhe të mbështesë rritjen e qëndrueshme ekonomike në Kosovë.

    Investitorët kërkojnë mjedise të qëndrueshme dhe të sigurta për bizneset e tyre, ndërsa tensionet e vazhdueshme mund të minojnë besimin në prospektet ekonomike të Kosovës. Tensionet dhe përplasjet krijojnë një atmosferë pasigurie dhe paparashikueshmërie, e cila i pengon investitorët e mundshëm. Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimet e saj për zhvillimet e fundit dhe mungesën e vullnetit të Qeverisë së Kosovës për të koordinuar përpjekjet e saj me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe BE-në.

    Oda Amerikane dëshiron të përsërisë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë një mbështetëse e palëkundur e pavarësisë së Kosovës dhe kanë luajtur një rol kyç në krijimin e saj si shtet sovran. Përmes përpjekjeve diplomatike, SHBA-ja ka avokuar vazhdimisht për njohjen e Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare, duke promovuar integrimin e saj në institucionet globale dhe duke nxitur zhvillimin e saj ekonomik dhe politik.

    Po ashtu, SHBA-ja ka qenë një partner jetik në avancimin e aspiratave të Kosovës për integrim evropian, duke avokuar për liberalizimin e vizave dhe duke mbështetur përparimin e vendit drejt anëtarësimit në BE. SHBA është tregu numër një në botë për produktet e Kosovës, ndërsa në të njëjtën kohë, shumë kompani amerikane kontribuojnë në mënyrë aktive në zhvillimin ekonomik të vendit në sektorë si ndërtimi dhe patundshmëria, energjia, shëndetësia dhe teknologjia informative. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vazhdon të ofrojë mbështetje direkte financiare për Kosovën përmes Agjencisë së saj për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

    Në mënyrë të ngjashme, Bashkimi Evropian luan një rol vendimtar në mbështetjen e zhvillimit politik dhe ekonomik të Kosovës, duke ofruar ndihmë financiare, ekspertizë teknike dhe udhëzime për reforma në sektorë të ndryshëm. Qasja në fondet dhe programet e BE-së lehtëson zhvillimin e infrastrukturës, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

    Prandaj, duke marrë parasysh ndikimin që ka situata aktuale në zhvillimet socio-ekonomike në përgjithësi, dhe në sektorin privat dhe përpjekjet për tërheqjen e investimeve në veçanti, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Qeveria e Kosovës që menjëherë t’i marrë parasysh thirrjet nga SHBA dhe BE për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

  • Serbët vazhdojnë protestat para objekteve komunale në veri

    Serbët vazhdojnë protestat para objekteve komunale në veri

    Protestuesit serbë edhe sot kanë vazhduar tubimet e tyre para objekteve komunale në tre komunat veriore të vendit.

    Autoblindat e Policisë së Kosovës në Zveçan dhe Leposaviq, për dallim nga ditët e mëhershme, kanë lëvizur dhe janë vendosur prapa ndërtesave të këtyre komunave.

    Nuk dihet arsyeja e ndërrimit të lokacionit të këtyre autoblindave dhe nëse ato sot do të lëvizin në drejtim të Mitrovicës.

    Ushtarët e KFOR-it po vazhdojnë të qëndrojnë para objekteve komunale, ndërkohë që situata aktuale konsiderohet të jetë e qetë.

    Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

    Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe gazetarët.

  • Lansohet fushata “Një robot për çdo fëmijë”

    Lansohet fushata “Një robot për çdo fëmijë”

    Para pak ditëve ka filluar kampanja “Një robot për çdo fëmijë”, e cila për qëllim ka grumbullimin e mjeteve të nevojshme, për furnizim me robot edukativ nëpër shkolla.

    Elza Krelani nga Kosova Makers League e ftuar në emisionin e mëngjesit “Alarm”, në ATV ka folur rreth kësaj fushate, e cila filloi para një jave.

    Ajo tha se në rreth 25 për qind të shkollave publike në Kosovë janë shpërndarë robota edukativ.

    “Kampanja ka filluar tash e një javë dhe do të vazhdojë deri më 15 korrik. Kjo kampanjë është hapur për arsye se Kosova Makers League garën më të madhe robotike në Kosovë, ku deri tash kemi shpërndarë dy mijë e 100 robota edukativ në shkollat publike të Kosovës dhe kemi arritur me i përfshi 25 për qind të totalit të shkollave publike të vendit tonë. Duke qenë se funksion Kosova Makers League me donacion dhe janë të pakta dhe nuk arrijnë që me I përfshi shkollat e tjera publike, për këtë arsye kemi hapur kampanjën në mënyrë që të mblidhen fonde për të siguruar 908 robot, të cilët do të shpërndahet në 207 shkolla, që të përmbushet edhe pjesa tjetër 25 përqindjes, që të arrihet pra, 50 për qind e shkollave publike, të jenë të furnizuara me këta robot”, tha ajo.

    Tutje ajo përmendi edhe qëllimin që e ka kjo fushatë.

    “Digjitalizimi është shumë i rëndësishëm nëpër shkolla dhe ky është qëllimi i Kosova Makers League. Ne kemi shkolla të cilat funksionojnë shumë larg digjitalizimit dhe ne kemi synim përdorimi i pajisjeve për zhvillimin e shkathtësive të fëmijëve”, shtoi ajo./atvlive.tv./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • I dyshuari në gjendje të dehur e sulmon me thikë një person në Rahovec

    I dyshuari në gjendje të dehur e sulmon me thikë një person në Rahovec

    Është arrestuar një person në fshatin Sarosh të Rahovecit pasi dyshohet se në gjendje të dehur e ka sulmuar me thikë një person tjetër.

    I dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “LËNDIM I LEHTË TRUPOR- Sarosh, Rahovec 07.06.2023 – 00:47. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në gjendje të dehur ka sulmuar me një mjetë të mprehtë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.”

  • Theret një person në Ferizaj

    Theret një person në Ferizaj

    Të mërkurën në orën 15:15, një burrë është therur me thikë nga një person i panjohur në Ferizaj.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, viktima ka pranuar trajtim mjekësor, njofton Klan Kosova.

    “Viktima mashkull kosovar ka kërkuar ndihmë mjekësore, pasi ishte i therur me një mjet të mprehtë nga një person i panjohur. Viktima është dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e policisë.

  • 10 ditë në det, të mjaftueshme për trupin e njeriut

    10 ditë në det, të mjaftueshme për trupin e njeriut

    Pushimi është tejet i nevojshëm për secilin njeri. Pos kësaj trupi i njeriut ka nevojë edhe për relaksim duke përfshirë edhe shkuarjen në det.

    Mirëpo kjo nuk është diçka e re pasi që edhe shumë kohë më parë njerëzit kanë qenë të informuar për anët pozitive dhe të mirat e ujit të detit.

    Madje, edhe mjekët kanë aplikuar terapinë, kështu duke i këshilluar njerëzit që të lahen në det.

    Deti bën që trupi dhe truri ynë të pushojë. Tashmë është zbuluar që tingujt e detit stimulojnë disa zona të trurit të njeriut që ndikojnë për emocionet tona dhe reflekset personale.

    Qetësia e detit përmirëson edhe emocionet tona.

    Valët ndihmojë që trupi ynë të nxjerrë jashtë jonet dhe të absorbojë më shumë oksigjen dhe e rregullon nivelin e serotoninës, substancë e cila kontrollon anksiozitetin.

    Efekti i kësaj është pothuajse i njëjtë me jogan dhe psikoterapinë.

    Të qëndruarit mbi sipërfaqen e ujit zhurma të cilën e emitojnë valët ulin nivelin e kortizolit, hormon i stresit, dhe kontribuon në qetësimit e gjendjes tonë shpirtërore.

    Ai tingull më së shumti na rikujton tingullin të cilin e kemi dëgjuar kur kemi qenë në barkun e nënës.

    Shikimi i detit dhe trupi i njeriut “Kur shikojmë detin, apo kur jemi pranë bregut të detit, ne jemi në një ambient tepër të bukur dhe të qëndrueshëm”, thotë neurologu Michael Merzenich.

    Tutje ai ka shpjeguar që sipas tij ndihemi të sigurt kur jemi në vendet ku nuk ka kërcënim, siç është deti.

    Sipërfaqja e ujit e cila humbet në horizont transmeton në trurin tonë ndjenjën e stabilitetit dhe të sigurisë.

    Rrezitja në plazh dhe trupi i njeriut Studimet kanë treguar që kur rrezitemi në plazh, ngrohtësia ndikon në sistemin tonë endokrin i cili është përgjegjës për lirimin e endokrines./atvlive.tv/

  • Spanja regjistron “pranverën më të nxehtë në histori”

    Spanja regjistron “pranverën më të nxehtë në histori”

    Spanja ka përjetuar pranverën e saj më të nxehtë që kur ka nisur të regjistrojë temperaturat vitet ‘60, njoftoi të mërkurën (7 qershor) agjencia kombëtare e motit.

    Vendi pa gjithashtu pranverën e dytë më të thatë ndonjëherë, pas asaj të vitit 1995, tha agjencia AEMET.

    Spanja, e cila pati vitin e saj më të nxehtë në 2022, pritet të jetë një nga vendet e BE-së më të goditura për sa i përket ndryshimeve klimatike.

    Në mbarë Spanjën, temperaturat mes 1 marsit dhe 1 qershorit ishin mesatarisht 14.2 gradë Celsius, tha Ministria e Mjedisit. Këto temperatura ishin për 1.8 gradë më të larta sesa mesatarja e regjistruar mes vitit 1991-2020 dhe 0.3 gradë më e lartë sesa rekordi paraprak i regjistruar më 1997.

    Në fund të prillit, Spanja pësoi një valë të madhe të nxehti me temperatura lokale deri në 20 gradë Celsius mbi mesataren, duke përkeqësuar thatësirën.

    Sipas agjencisë AEMET, Spanja ka “shumë gjasa” që edhe një herë të përballet me një verë më të nxehtë se zakonisht gjatë këtij viti, veçmas në pjesën lindore të shtetit dhe në ishujt spanjoll.

  • Idriz Tershani, çdo ditë kositë barishtet në 2 hektarë tokë

    Idriz Tershani, çdo ditë kositë barishtet në 2 hektarë tokë

    Me uljen e temperaturave nis edhe ngadalësimi i rritjes së barit dhe bimëve të tjera në tokë.

    Bari ringjallet sërish në fillim të pranverës kur edhe duhet të kositet më shpesh.

    Për 74-vjeçarin Idriz Tershani nga Shtimja, kositja tashmë i është kthyer në përditshmëri të tij.

    Ai thotë se pothuajse çdo ditë kositë barishtet në tokën e tij, dhe se ndjen mërzi në ditët që nuk arrin të punoj.

    “Çdo ditë dalim, e punojmë tokën , mbjellim edhe perime të ndryshme. Dal çdo ditë shkaku shëndetit se ma mirë për punu, nuk mundëm me nejt se kështu jam mësu qysh I vogël, nuk më vjen hiç vështirë. Kështu na kanë mësu, punone tokën se pa punë nuk ka asgjë. Tash shumica e të rinjve spo dojnë as me punu tokën as kurgjë, po dojnë me dalë jashtë Kosovës”, tha ai.

    Ai madje thotë se periudhat e tanishme dhe të dikurshme në punimin dhe mirëmbajtjen e tokës kanë ndryshuar shumë.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: