ATV

Author: G.O.

  • Ministri Çeku: Kurti do ta ketë shumë shpejt përgjigjen për ndërkombëtarët

    Ministri Çeku: Kurti do ta ketë shumë shpejt përgjigjen për ndërkombëtarët

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, tha se kryeministri Albin Kurti shumë shpejt do ta ketë përgjigjen për faktorin ndërkombëtar, mediat dhe qytetarët për kërkesat e fundit pas tensioneve në veri.

    Çeku ka thënë se mbajnë takime të rregullta të brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje dhe kanë diskutuar shumë çështje, përfshirë edhe tensionet e fundit në komunat veriore.

    “Kryesia e VV-së mban takime të rregullta. Në të gjitha këto takime diskutohen të gjitha, përfshirë edhe çështjet e fundit. Këtu është ndërtesa e Qeverisë”.

    “Nuk do të doja të flisnim për çështje që lidhen me partinë. Kryeministri Kurti shumë shpejt do të ketë përgjigje edhe për faktorin ndërkombëtar, edhe për mediat, edhe për qytetarët”.

  • Qeveria miraton projektligjin që mundëson zhbllokimin e të hyrave vetjake të komunave

    Qeveria miraton projektligjin që mundëson zhbllokimin e të hyrave vetjake të komunave

    Qeveria e Kosovës ka miratuar plotësim-ndryshimin e Ligjit për Buxhetin, ku do zhbllokohen të hyrat vetjake të komunave të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

    Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, u miratua edhe themelimi i muzeut për dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

    Në konferencën për medie, pas mbledhjes së ekzekutivit, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se pas miratimit në dy leximet në Kuvend do t’i hapet rruga edhe ngërçit në Kuvend.

  • Sanksionet amerikane ndaj Qeverisë, ministri Murati: Nuk jam në dijeni

    Sanksionet amerikane ndaj Qeverisë, ministri Murati: Nuk jam në dijeni

    Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se se nuk është në dijeni për ndonjë listë të sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, raporton Ekonomia Online.

    Këto komente ai i bëri pas mbledhjes së Qeverisë, kur u pyet për raportimet se ShBA dhe BE janë duke konsideruar dy faza me masa ndaj Kosovës nëse nuk u bindet kërkesave të tyre për shtensionim të situatës në veri, përfshirë sanksione ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

    Tutje, ai ka shtuar se ligjshmëria duhet të mbizotëroj në gjithë vendin.

    “Nuk jam në dijeni për ndonjë listë të tillë dhe nuk mund të përgjigjem për këtë çështje, pikat që duhet të pajtohemi të gjithë është që ligjshmëria të mbizotëroj në të gjithë vendin”, tha Murati.

    Faza e parë e sanksioneve do të parashihte ngrirje të fondeve të BE-së, procesin e liberalizimit të vizave, procesin e pranimit në Këshill të Evropës, fondet e SHBA-së dhe projekte të tjera të perëndimorëve.

    Faza e dytë do të parashihte që aleatët e Kosovës të ndërmarrin qasje pasive ndaj fushatës së Serbisë për çnjohje, si dhe riorganizim të pranisë ushtarake ndërkombëtare e reduktim serioz të kontingjentit amerikan dhe përjashtim të Kosovës nga organizata të caktuara ndërkombëtare.

    Po ashtu është paralajmëruar se mund të ketë sanksione ndaj Kurtit e Sveçlës. Të dy mund të shpallen “non-grata me arsyetimin se janë kërcënim për sigurinë dhe paqen”.

    Në dokument thuhet se “komuniteti transatlantik ka një nevojë jetike për të mos lejuar një qendër krize prapa linjave të kontaktit me Rusinë… Me nisjen e planit franko-gjerman, ekzistonte bindja se do të lindnin probleme me palën serbe, si një anë kokëfortë dhe jokonstruktive.”

    Aty thuhet po ashtu se “askush nuk priste që Qeveria e Kosovës do të ishte ajo, që me veprimet e veta, do të promovonte pasiguri e do të nxiste krizë dhe konflikte”.

    Sipas tekstit, komuniteti perëndimor ka humbur durimin dhe kërkon “përgjigje të qartë nga Qeveria e Kosovës, nëse është apo jo partnere e bashkësisë transatlantike”.

    Aty thuhet se të qenit partner nënkupton përmbushje e pakusht e të gjitha obligimeve dhe “dështimi për ta bërë këtë, nënkupton pasoja”.

    Dokumenti ka kritikuar Qeverinë dhe opozitën. “Kanë dështuar të kuptojnë thellësisht seriozitetin e situatës dhe rrezikun real për Kosovën”, thuhet në të, sipas “Euronews Albania”. Për opozitën është kërkuar qëndrim i qartë dhe deklarativ nëse është apo jo për përmbushjen e obligimeve të Kosovës në dialog. “Fakti që opozita nuk e bën këtë nxit mosbesim dhe oportunizëm”, thuhet në dokument.

    Në fund të tekstit thuhet se “nëse Kosova dështon t’i përmbushë obligimet, e rrezikon të ardhmen e vet”.

    Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka thënë se “nuk komentojnë rrjedhjet e tilla e në veçanti ato që thuhet se janë dokumente të supozuara të një vendi të tretë në lidhje me veprimet e supozuara të BE-së”.

  • Mbrojtja kërkon që Pjetër Shalës t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak

    Mbrojtja kërkon që Pjetër Shalës t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak

    Mbrojtja e Pjetër Shalës përmes një parashtrese lidhur me shqyrtimin e njëmbëdhjetë të paraburgimit, ka kërkuar nga Paneli i Dhomave së Specializuara të Kosovës (DhSK) që Shalës t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

    “Mbrojtja me respekt kërkon nga Paneli që t’i japë fund ndalimit të vazhdueshëm të të akuzuarit dhe të urdhërojë lirimin e përkohshëm ose vendosjen e tij në arrest shtëpiak në rezidencën e tij në Belgjikë, duke iu nënshtruar çdo kushti që konsiderohet i përshtatshëm”, thuhet në parashtresë.

    Aty thuhet se mbrojtja mban qëndrimin e saj se ekzistojnë masa të përshtatshme alternative ndaj paraburgimit dhe që duhet të merren parasysh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Për shembull, kërkesa që i akuzuari të qëndrojë në arrest shtëpiak në rezidencën e tij në Belgjikë mund të zbusë mjaftueshëm çdo rrezik të mundshëm që vjen nga lirimi i përkohshëm i të akuzuarit”, thuhet tutje.

    Po ashtu, sipas mbrojtjes, i akuzuari përsërit gatishmërinë e tij për t’u angazhuar dhe për të dhënë çdo garanci që konsiderohet e përshtatshme për të qëndruar në shtëpinë e tij, për të mos ndryshuar vendbanimin e tij, për të dorëzuar pasaportën dhe dokumentet e tjera të udhëtimit, për të raportuar çdo ditë në policinë belge ose autoritete të tjera të rëndësishme, t’i nënshtrohet monitorimit të ngushtë nga autoritetet, të paraqitet dhe të kthehet në gjykatë sa herë që urdhërohet për ta bërë këtë, dhe/ose t’i nënshtrohen çdo kushti tjetër që konsiderohet i përshtatshëm dhe i urdhëruar nga Paneli.

    Po ashtu, thuhet se mbrojtja i mbështet plotësisht parashtresat e saj të mëparshme mbi paligjshmërinë e vazhdimit të paraburgimit të të akuzuarit.

    Sipas mbrojtjes, siç është përsëritur së fundi nga Paneli, prezumimi i pafajësisë së të akuzuarit është pika fillestare për vlerësimin e vazhdimit të paraburgimit dhe barra për të vërtetuar se vazhdimi i paraburgimit është i domosdoshëm i takon vetëm Prokurorisë.

    Ata theksojnë se e drejta për liri duhet të jetë rregull dhe paraburgimi duhet të jetë përjashtim, i cili lejohet vetëm kur tregohet se është rreptësishtë e nevojshme dhe proporcionale në atë që asnjë masë alternative nuk mund të zbusë një rrezik të paraqitur nga lirimi i përkohshëm.

    Mbrojtja rithekson se siç konstatoi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, arsyet e përmendura për urdhërimin dhe zgjatjen e paraburgimit nuk duhet të jenë as të përgjithshme dhe as abstrakte dhe se për të justifikuar vazhdimin e paraburgimit, kërkohen fakte specifike.

    Sipas mendimit të mbrojtjes, thirrja e vazhdueshme e Prokurorisë në “stimujt dhe mjetet” e të akuzuarit pa ndonjë justifikim të mëtejshëm, si dhe “klima e përgjithshme e lartpërmendur e frikësimit […] dhe ndërhyrjes” nuk arrin të përmbushë testin e rreptë dhe të individualizuar për t’u aplikuar kjo masë.

    Mbrojtja thekson se nuk ka pasur asnjë provë apo material tjetër me kusht që të tregojë se i akuzuari ka ndërhyrë ose mund të ndërhyjë me ndonjë dëshmitar në procedurë.

    Versionin e redaktuar publik të kësaj parashtrese mund ta gjeni në gjuhën angleze: KËTU.

    Gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

    Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

    Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj, kurse e përfundoi më 6 qershor.

    Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

  • Osmani pro zgjedhjeve në Veri përmes një peticioni të votuesve serbë atje

    Osmani pro zgjedhjeve në Veri përmes një peticioni të votuesve serbë atje

    Presidentja Vjosa Osmani është shprehur pro zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të vendit.

    Në një intervistë për Reuters, Osmani ka thënë se Kosova mund t’i shpallë zgjedhjet e reja, nëse 20 për qind e votuesve nënshkruajnë një peticion me këtë kërkesë.

    Sipas Osmanit, peticioni është “mënyra më demokratike” për shpallje të zgjedhjeve.

    “Në këtë mënyrë, mendoj që garantojmë pjesëmarrjen e serbëve, sepse kërkesa do të duhej të vinte prej tyre, prej qytetarëve”.

    Por, para shpalljes së zgjedhjeve, Osmani ka thënë Kosovës i nevojitet garanci nga ndërkombëtarët se Beogradi s’do të ndërhyjë.

    Ajo e ka përshkruar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq si “burrë dramatik”.

    “Vuçiq, në shumicën e takimeve të tij është goxha burrë dramatik. Prandaj, ai, natyrisht se ka tentuar të krijojë drama sërish, mirëpo nuk ka ofruar ide që mund të kontribuojnë në paqe dhe stabilitet në rajon”, ka thënë Osmani.

    “Ai dëshiron të pretendojë se po bën koncesione të mëdha, që ai është nën presion të madhe, që po vuan, që është në rrezik, e gjëra të ngjashme. Mirëpo diçka e tillë nuk duhet të tolerohet pas moshës katërvjeçare”.

    Ndryshe, situata në veri të vendit është tensionuar nga 26 maji, kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e tri komunave veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, që të futen në zyret e tyre, përkundër rezistencës së serbëve lokalë.

    Situata eskaloi më 29 maj, kur serbët lokalë u përplasën me ushtarët e KFOR’it të cilët ruanin objektet komunale. Atë ditë mbetën të lënduar 30 ushtarë të KFOR’it, njëmbëdhjetë të kontingjentit italian dhe 19 të tjerë të kontingjentit hungarez.

    Lëndimet e tyre përfshijnë fraktura të gjymtyrëve, djegie, ndërkohë që 3 ushtarë hungarez janë të plagosur me armë zjarri.

    Komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, ka deklaruar se po të mos ndërhynte KFOR’i në veri, “tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”.

    “Nëse nuk do të kishim ndërhyrë, tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”, ka deklaruar Ristuccia.

    Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për uljen e tensioneve tensioneve dhe, së fundi, disa kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

  • Escobar: Asociacioni me standardet e BE-së, s’është kërcënim për Kosovën

    Escobar: Asociacioni me standardet e BE-së, s’është kërcënim për Kosovën

    I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se nuk duan ta kopjojnë Dejtonin (marrëveshjen që i dha fund luftës në Bosnjë më 1995) në Kosovë, ndërsa foli për Asociacionin.

    Escobar në një intervistë për mediumin boshnjak, Klix.ba, i pyetur se “kush mund të garantojë që nesër ndonjë grup tjetër etnik në Serbi, Mal të Zi apo diku tjetër nuk do të kërkojë autonomi shtesë apo status special” duke marrë shembull nga ky asociacion, Escobar tha se “çështja e Kosovës është e veçantë”.

    “Ne nuk duam ta kopjojmë Dejtonin në Kosovë apo Kosovën në Maqedoninë e Veriut apo në Mal të Zi. Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë anëtarë të atyre institucioneve që kërkojnë mbrojtjen e kombeve pakicë në përputhje me standardet e BE-së. Ne shohim që Asociacioni është në përputhje me standardet e BE-së. Ne e shohim Asociacionin si asgjë më shumë sesa aftësinë e serbëve për t’i organizuar institucionet lokale në gjuhën e tyre. Ne nuk shohim ndonjë kërcënim në këtë dhe nevojën që vendet e tjera që janë tashmë në rrugën evropiane të bëjnë diçka tjetër që nuk po e bëjnë tashmë për t’i zbatuar reformat që BE-ja ua kërkon atyre”, tha Escobar në këtë intervistë ku në një pjesë të shkurtë foli për Kosovën.

    Diplomati amerikan tha se politika e SHBA-së “nuk ka ndryshuar kurrë”, duke iu përgjigjur pyetjes për “një qasje të re amerikane në Ballkan” dhe nëse Amerika “po krijon një rend të ri”.

    “Dhe pse nuk e përkrahni kaq hapur, për shembull, Procesin e Berlinit, nëse e mbështetni Ballkanin e Hapur?”, pyeti gazetari.

    Emisari amerikan, edhe gjatë qëndrimit në Kosovë, ditën e djeshme ka thënë se nga perspektiva e tij, Asociacioni është i dobishëm për Kosovën që ta shtrojë sovranitetin në veri të vendit.

    Escobar tha se Asociacioni ia heq kontrollin Serbisë nga veriu, për ta futur nën kontrollin e Kosovës.

    “Kjo është arsyeja pse na duhet Asociacioni. Nga perspektiva ime Asociacioni është për ta hequr kontrollin e Serbisë nga Veriu dhe për ta futur nën kontrollin e Kosovës, të Kushtetutës suaj dhe të strukturës tuaj legale, nuk shoh arsye pse dikush duhet ta shohë ndryshe këtë”, ka thënë Escobar në një takim me gazetarë.

    Emisari amerikan para gazetarëve po ashtu ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka draftin e Asociacionit, por që sipas tij ai po e mban fshehur.

    Escobar, i cili që nga dje po qëndron në Prishtinë nuk ka zbuluar nëse draft-statuti për Asociacionin është hartuar nga Kosova apo Bashkimi Evropian, mirëpo ka theksuar se ai draft ekziston, por po fshihet.

    /GazetaSinjali/

  • Miratohet Projektligji për Fondin Sovran

    Miratohet Projektligji për Fondin Sovran

    Qeveria e Kosovës miratoi sot Projektligjin për Fondin Sovran. Kryeministri Albin Kurti u shpreh se i njëjti do të shërbejë për zhvillimin ekonomik të vendit.

    Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi miratoi edhe Projektligjin për Kadastër të Pronës së Paluajtshme dhe miratoi ratifikimin e traktatit me Danimarkën për shfryetëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.

    Qeveria emëroi Metor Hysenin si kryesues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

    Po ashtu, ekzekutivi i propozoi Kuvendit, Xhevdet Ahmetajn dhe Isa Hasanin për zgjedhjen e një anëtari në bordin e OShP-së.

  • Qeveria merr vendim për marrëveshjen me Danimarkën, 210 milionë € për qiranë e burgjeve në Gjilan

    Qeveria merr vendim për marrëveshjen me Danimarkën, 210 milionë € për qiranë e burgjeve në Gjilan

    Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Ratifkimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.

    Kështu ka bërë e ditur në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

    “Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Drejtësisë në bazë të vendimit ka zhvilluar negociata me Mbretërinë e Danimarkës, andaj pas zhvillimit të këtyre negociatave është nënshkruar edhe traktati ndërmjet dy vendeve”.

    “Qëllimi është forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve ekzistuese të bashkëpunimit të dyja vendeve duke marrë parasysh zhvillimin pozitiv në shërbimet korrektuese”.

    Projektligji është votuar me të gjitha votat pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Kosova përfiton 210 milionë euro nga qiraja e burgjeve për të burgosurit danezë.

  • Qeveria propozon dy emra për Bordin e OShP-së

    Qeveria propozon dy emra për Bordin e OShP-së

    Qeveria e Kosovës i ka propozuar Kuvendit të Kosovës kandidatët për një anëtar në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

    Xhevdet Ahmetaj dhe Isah Hasani janë dy kandidatët, ku prezantimin e tyre e ka bërë kryeministrit Albin Kurti.

    Kurti tha se Qeveria do te ketë vëmendje në emërimin e anëtarëve në bordet publike.

    “Integriteti dhe profesionaizmi janë parakusht, duke ndjekur këto parime kemi ndjekur këto parime kemi emëruar dhe kemi shkarkuar anëtar të bordeve. Xhevdet Ahmetaj dhe Isah Hasani, qeveria do te ketë vëmendje dhe integritet të punës në të gjitha bordet publike”.

    Qeveria e Kosovës me 10 maj kishte shkarkuar anëtaren e Bordit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), Kimete Gashi, e cila sipas kryeministrit Albin Kurti, ka qenë në panelin përzgjedhës për tenderin për insulinat, ku ka fituar kompania pa certifikatën e marketingut që garanton cilësinë e këtij medikamenti.

  • Në Gjakovë mbahet mbledhja e përbashkët mes dy qeverive Kosovë-Shqipëri

    Në Gjakovë mbahet mbledhja e përbashkët mes dy qeverive Kosovë-Shqipëri

    Kryeministri, Albin Kurti, ka bërë të ditur se mbledhja e përbashkët e dy qeverive Kosovë-Shqipëri do të mbahet më 14 qershor në Gjakovë.

    Ai në mbledhjen e sotme të qeverisë tha se me Shqipërinë do të nënshkruhen disa marrëveshje në fusha të ndryshme.

    Derisa tha se shumë marrëveshje paraprake me Shqipërinë kanë gjetur zbatim tashmë.

    Ai foli edhe për miratimin e Projektligjit për Fondin Sovran, ku tha se përmes të njëjtit të gjitha ndërmarrjet publike do të bartën nga qeveria në fond sovran.