ATV

Author: G.O.

  • Tahiri për Kurtin: Sovraniteti i Kosovës është reduktuar në një oborr e zyre të një kryetari

    Tahiri për Kurtin: Sovraniteti i Kosovës është reduktuar në një oborr e zyre të një kryetari

    Qeveria e Kosovës e ka mbështetjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin e vendit, por jo për të reduktuar subjektivitetin shtetëror dhe për konflikt me partnerët ndërkombëtar.

    Kështu tha shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili theksoi se mbrojtja e sovranitetit nuk ka qenë ndonjëherë më në rrezik.

    “Nuk duhet të e tejkalojmë me qetësi dhe normalitet faktin që sovraniteti i Kosovës është reduktuar në një oborr dhe në një kopsht e zyre të një kryetari që kryeministri e quan herë me k të madhe e herë me k të vogël. Është reduktuar sovraniteti tek njësitë tona të cilat po e mbrojnë një pjesë dhe një zyre e cila e ka shumë të diskutueshëm legjitimitetin demokratik. E ka edhe tash në mbrojtjen e pikës 1 dhe 31 në mbrojtje të doganave, e ka mbështetjen në mbrojtjen e sovranitetit dhe vendosjes së njësive speciale policore elite në pikat që kanë vendin e vetë, por nuk e ka mbështetjen tonë dhe nuk do ta ketë në qoftë se këtë pjesë të rëndësishme të subjektivitetit tonë shtetëror dhe kombëtar e ka reduktuar në një konflikt të hapur mes Kosovës dhe vendeve që na kanë qenë krah në shpalljen, njohjen e anëtarësimin”, tha ai.

    Pas situatës tensionuese në veri të Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka propozuar inicimin e një mocioni mosbesimi për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

  • Drafti i Ramës për Asociacionin, Berisha: I shkruar në Beograd dhe ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës

    Drafti i Ramës për Asociacionin, Berisha: I shkruar në Beograd dhe ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës

    Ish-kryeministri i Shqipërisë, Salih Berisha ka reaguar pas propozimit të draftit të kryeministrit Edi Rama për Asocicionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sipas tij, teksti i këtij drafti është shkruar në Beograd.

    Berisha para mediave tha se Rama me këtë veprim shpalosi veten si “një vasal i shpifur i Aleksandër Vuçiqit”.

    “Argati i Vuçiqit, në detyrim ekstrem, shpalosi veten si një vasal i shpifur i doktrinarit dhe njërit prej autorëve të gjenocidit serb në Bosnje dhe Kosovë, njeriut që me politikën e tij etno-nacionaliste, politikën e tij të Serbisë së Madhe, është faktor destabilizimi kryesor në Ballkan, dhe pas Putinit të Madh edhe në Evropë, Aleksandër Vuçiq. Sot, Edi Rama me detyrim doli dhe informoi shqiptarët se ka hartuar dhe dorëzuar tekstin e marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Natyrisht vetëkuptohet se teksti është shkruar në Beograd dhe pastaj rishkruar në Tiranë”, ka thënë Berisha.

    Derisa ka kritikuar kryeministrin aktual shqiptar, Berisha ka folur edhe për Qeverinë e Kosovës, duke thënë se kjo e fundit e ka për detyrë të bahskëpunojë me faktorin ndërkombëtar.

    “Ky akt përbën një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës në emër të Beogradit, përbën aktin më të shëmtuar në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, përbën një akt që nxit dhe nuk qetëson konfliktin, përbën një akt kur Edi Rrama përpiqet të zgjidhë problemin e tij të tmerrshëm me McGonigal, për të cilin e ka vendin në burg në çdo drejtësi të botës… Prandaj në këtë kontekst mendoj se Qeveria e Kosovës e ka një detyrim që të bashkëpunojë me faktorin ndërkombëtar”, ka thënë ai.

    Ai ka përsëritur se mbështet Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, porse kurrë jashtë prerogativave kushtetuese të Republikës së Kosovës.

    Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Për këtë dokument, ai ka thënë se i ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian dhe amerikanët.

  • Raportohen disa raste për falsifikim të parave

    Raportohen disa raste për falsifikim të parave

    Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për shpërndarjen e parave të falsifikuara. Rasti ka ndodhur të mërkurën në Vushtrri dhe nga personat e njëjtë janë konfiskuar monedha metalike nga 2 euro.

    Policia ka bërë të ditur se personave të dyshuar u janë konfiskuar edhe një automjet dhe katër telefona.

    Përveç këtij rasti, për falsifikim të parave është raportuar edhe më herët gjatë ditës së mërkurë në Vushtrri.

    Një person ka informuar se janë pranuar 200 euro para të falsifikuara, të cilët më pas janë konfiskuar nga Policia dhe rasti është duke u hetuar.

    Ndërsa një tjetër rast është raportuar në Graçanicë ku një femër ka hasur në një kartëmonedhë prej 50 euro e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.

    Gjithashtu, në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur një person në Pejë ka informuar se ka hasur në një kartëmonedhë prej 50 euro e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.

    Sipas Policisë, ato janë konfiskuar ndërsa rastet janë duke u hetuar.

  • Kryeministri Kurti priti në takim aktivistin e njohur për çështjet shqiptare në New York, Naser Nika

    Kryeministri Kurti priti në takim aktivistin e njohur për çështjet shqiptare në New York, Naser Nika

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim veprimtarin dhe aktivistin e njohur për çështjet shqiptare, Naser Nika.

    Në këtë takim shumë miqësor, kryeministri Kurti falënderoi Nika për kontributin dhe punën e tij të madhe që ndërlidhet me vendin e popullin tonë, duke qenë zë i fortë i mërgatës sonë shqiptare në SHBA.

    Nika i dhuroi kryeministrit Kurti një certifikatë mirënjohjeje nga kongresmenja Nicole Malliotakis, përfaqësuese e distriktit të 11-të të New York-ut.

    Aktivisti Naser Nika njihet po ashtu për iniciativën e tij që një rrugë në Staten Island në New York, ka marrë emrin e një nga personaliteteve më të shquara të kombit shqiptar, Ismail Qemali, rrugë kjo e cila u inaugurua ditë më parë.

  • Xavi flet për vendimin e Messit dhe rikthimin e Neymar

    Xavi flet për vendimin e Messit dhe rikthimin e Neymar

    Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka konfirmuar se ish-sulmuesi Neymar nuk është pjesë e planeve të klubit për afatin kalimtar veror.

    Së fundi u shfaqën raporte që pretendonin se Neymar ishte ofruar te “Blaugranët” pasi Lionel Messi vendosi të bashkohej me Inter Miamin. Madje u sugjerua se superylli i PSG-së do të ishte i gatshëm të ulte pagën e tij për të mundësuar një rikthim në Katalonjë.

    Megjithatë, 31-vjeçari nuk është një lojtar që stafi sportiv i Barçës po e shikon në këtë moment dhe të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe Xavi në intervistën e tij për “Jigantes”, përcjellë KosovaPress.

    “Teorikisht, ai nuk është në planin tonë sportiv. E vlerësoj jashtëzakonisht shumë si person, por ai nuk është prioritet”, tha Xavi.

    Së fundi, Barça dështoi për ta rikthyer Messin, i cili vendosi që të transferohet tek Inter Miami në Amerikë, përcjllë KosovaPress.

    “Ditët, javët e fundit, kisha vënë re se ai nuk e shihte qartë kthimin e tij. Duhet ta kuptoni, nuk është e lehtë të jesh Messi. Të gjithë janë të interesuar për ju, ai kurrë nuk ka paqe. Leo e shpjegoi këtë, për dy vitet e fundit ai ishte i pakënaqur. E kuptoj që ai nuk dëshiron më shumë presion. Kam folur shumë me të. Kam folur shumë me Messin dhe të gjithë ishim të emocionuar. Por në fund, nuk ka ndodhur. Ai i ka shpjeguar shumë mirë rrethanat. Ai dëshiron një jetë më të qetë dhe më familjare. Është vendim personal i Messit dhe ju duhet ta respektoni atë sepse ai është lojtari më i mirë në histori. Isha i bindur se do të bënim mirë me të.”, tha në fund Xavi.

  • Muja: Duke dërguar statut për ‘Asociacionin’, Rama po forcon raportin e tij me Vuçiqin

    Muja: Duke dërguar statut për ‘Asociacionin’, Rama po forcon raportin e tij me Vuçiqin

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka reaguar lidhur deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka thënë sot e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez, Emmanuel Macron dhe te kancelari gjerman, Olaf Scholz.

    Muja ka potencuar se duke dërguar statut për ‘Asociacionin’ në Berlin e Paris, Rama vetëm sa po e shpërfaq dhe forcon Asociacionin e tij me Vuçiqin.

    “Fort i kapur diku për krim e korrupsion duhet të jetë Edi Rama gjersa detyrohet t’ia bëjë këtë mënyrë vetes publikisht para gjithë kombit shqiptar.”, ka shkruar Muja në Facebook.

    Ndryshe, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka deklaruar se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Për këtë dokument, ai ka thënë se i ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian dhe amerikanët.

    Rama ka thënë se drafti është i punuar nga ekspertë dhe sipas tij pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi.

    ​Rama i dorëzon presidentit francez dhe kancelarit gjerman një draft të Asociacionit

  • NATO u kërkon aleatëve të rrisin buxhetet për ushtritë e tyre

    NATO u kërkon aleatëve të rrisin buxhetet për ushtritë e tyre

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe ambasadorja e SHBA-së në NATO, Julianne Smith, thanë më 7 qershor se financimi i aleancës ushtarake do të jetë një nga temat kryesore të samitit të ardhshëm në Vilnius, së bashku me zgjerimin e aleancës dhe garancitë për siguri.

    Smith dhe Stoltenberg, që morën pjesë në një konferencë virtuale të sponsorizuar nga Qendra për Sigurinë e Re Amerikane, thanë se anëtarët do ta diskutojnë pragun për shpenzimin e të paktën 2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm të vendeve anëtare të NATO-s në mbrojtje, shkruan REL.

    Smith u zotua se SHBA-ja do të vazhdojë të bëjë presion për t’u siguruar që anëtarët të shpenzojnë të paktën 2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm të tyre në mbrojtje, siç është rënë dakord në Premtimin e Investimeve të Mbrojtjes (DIP) të vitit 2014, i cili kërkon që vendet ta përmbushin pragun prej 2 për qind deri në vitin 2024.

    Përveç kësaj, Smith tha se 2 përqindëshi “është një prag, jo një tavan” dhe se planet e ardhshme të NATO-s mund të kërkojnë rritje të mëtejshme të këtij pragu.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës “po planifikojnë të sjellin një DIP 2.0” në samit, tha Smith, duke shtyrë aleatët e NATO-s ta përmbushin dhe kapërcejnë pragun prej 2 për qind brenda viteve të ardhshme.

    Udhëheqësit e 31 vendeve të NATO-s, të cilët do të mblidhen më 11 dhe 12 korrik në kryeqytetin lituanez, pritet të zhvillojnë gjithashtu biseda kritike për të ardhmen e NATO-s, lidhur me një zgjerim të mundshëm.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili i ka bërë presion NATO-s për ta lejuar anëtarësimin e vendit të tij, pritet të marrë pjesë në samit. Ai tha në fillim të kësaj jave se Ukraina është “gati për t’u anëtarësuar” dhe se aleanca duhet ta marrë një vendim për anëtarësimin e Ukrainës në këtë samit.

    Lidhur me zgjerimin e mundshëm të NATO-s, Smith dhe Stoltenberg e bënë të qartë se ekziston një gamë e gjerë modelesh potenciale për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Ukrainë, por se zgjidhja ka të ngjarë të jetë një kompromis midis opinioneve të ndryshme të aleatëve të NATO-s.

    “Ne po shikojmë një sërë opsionesh për të sinjalizuar se Ukraina po përparon në marrëdhëniet e saj me NATO-n”, tha Smith.

  • Sveçla flet për makinën e konfiskuar në Veri, të cilën po e kërkonte policia në Gjermani

    Sveçla flet për makinën e konfiskuar në Veri, të cilën po e kërkonte policia në Gjermani

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se përkushtimi për sundim të ligjit e bën Kosovën partner serioz e të besueshëm edhe për institucionet e sigurisë të aleatëve të saj.

    Përmes një postimi në Facebook, ai ka shkruar se ditët e fundit kanë arritur konfiskimin e një veture e cila ishte në kërkim nga autoritetet gjermane, ku dhe është arrestuar një person i kërkuar nga Mali i zi.

    “Puna e Policisë së Kosovës dhe përkushtimi për sundim të ligjit, na bën partner serioz e të besueshëm edhe për institucionet e sigurisë të vendeve tona aleate e mike.

    Në fund ai ka lavdëruar Policinë e Kosovës për profesionalizimin e treguar, gjë e cila siç thotë ai nuk mungon në asnjë rast.

    “Këto raste janë dëshmi e profesionalizmit të Policisë së Kosovës, i cili nuk mungon asnjëherë, në asnjë rast”, ka shkruar Ministri Sveçla.

  • Raportime për bomba në shkollat e Malit të Zi dhe në ndërtesën e Kuvendit

    Raportime për bomba në shkollat e Malit të Zi dhe në ndërtesën e Kuvendit

    Policia ka bërë të ditur sot se është njoftuar për raportime për bomba në disa shkolla në Mal të Zi, por edhe në ndërtesën e Kuvendit, e cila është evakuuar.

    Drejtoria e Policisë ka informuar në Twitter se lidhur me rastin po ndërmerren masa dhe veprime, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

    Raportet për mjete shpërthyese janë marrë me e-mail, shkruan gazeta malaziase “Pobjeda”.

    Sipas informacioneve të gazetës malaziase “Pobjeda”, raportimi për bombë është marrë në shkollat fillore “Maksim Gorki”, “Oktoih” dhe “Vuk Karaxhiq” në Podgoricë, si dhe në shkollën fillore “Olga Goloviq” në Nikshiq, ku janë kthyer nxënësit. Gjithashtu, në shkollën fillore “Dašo Pavičić” në Herceg Novi është marrë një raportim për një bombë dhe drejtoria e shkollës ka njoftuar prindërit që të shkojnë të marrin fëmijët.

    Janë evakuuar edhe shkollat në Tivar. Informacioni për bombat ka arritur në shkollat fillore “Blazho Jokov Orlandić”, “Meksikë” dhe “Srbija”, si dhe në shkollën e mesme profesionale.

    Të gjitha shkollat dhe kopshtet në Herceg Novi janë evakuuar pas raportimeve të reja për bomba, shkruan gazetës malaziase “Pobjeda”. Departamenti i Sigurisë së Hercegovinës ka bërë të ditur se janë duke marrë masa dhe veprime për këtë rast dhe se kontrollet janë duke vazhduar.

  • ​Rama i dorëzon presidentit francez dhe kancelarit gjerman një draft të Asociacionit

    ​Rama i dorëzon presidentit francez dhe kancelarit gjerman një draft të Asociacionit

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

    Rama ka thënë se drafti është i punuar nga ekspertë dhe sipas tij pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi.

    “Dje i kam përcjell një draft të Asociacionit, Macronit dhe Scholzit. Është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit të lartë, është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë”, ka deklaruar Rama para gazetarëve në Shqipëri.

    “Ju siguroj që është një dokument i nivelit të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe patjetër merr në konsideratë se Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës. Uroj dhe shpresoj që ky material do të vlejë për ta çuar një nivel tjetër dialogun dhe për t’i bërë palët të flasin për gjëra konkrete, gjëra që lidhen me përfundimin e suksesshëm të dialogu dhe jo që të flasin me vete dhe për vete”, ka shtuar ai.

    Rama ka thënë se është i shqetësuar sipas tij për tkurrjen e Kosovës në sytë e aleatëve.

    “Serbia e ka humbur përfundimisht Kosovën në vitin 1999. Dua sukses për Kurtin dhe Kosovën”, ka theksuar ai.