ATV

Author: G.O.

  • Ish-presidenti Trump akuzohet për rastin e dokumenteve të klasifikuara

    Ish-presidenti Trump akuzohet për rastin e dokumenteve të klasifikuara

    Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është akuzuar për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë.

    Trumpi, 76-vjeçar, përballet me shtatë akuza, duke përfshirë mbajtjen e paautorizuar të dosjeve të klasifikuara, raporton BBC duke iu referuar mediave amerikane, transmeton Klan Kosova.

    Akuzat nuk janë ende publike.

    Kjo është aktakuza e dytë e Trumpit dhe padia e parë federale e një ish-presidenti.

    Ai po bën fushatë për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.

    Ekspertët ligjorë thonë se aktakuza nuk do të kufizojë aftësinë e Trumpit për të kandiduar sërish për postin e presidentit.

    Në një postim në Truth Social të enjten, Trumpi tha se është i pafajshëm dhe ishte thirrur të paraqitej në një gjykatë federale në Miami të Floridës të martën pasdite, ku do të arrestohet dhe do të dëgjojë akuzat kundër tij.

    “Asnjëherë nuk e kam menduar se ishte e mundur që një gjë e tillë t’i ndodhte një ish-presidenti të Shteteve të Bashkuara”, ka shkruar ai.

    Ai shtoi: “Kjo është me të vërtetë një ditë e zezë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi një vend në rënie serioze dhe të shpejtë, por së bashku do ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe!”

    Avokati i Trumpit, Jim Trusty, tha për CNN se ish-presidenti kishte marrë detaje të akuzave në një dokument thirrjeje.

    Ai shtoi se ato përfshijnë konspiracion, deklarata të rreme, pengim të drejtësisë dhe mbajtje të paligjshme të dokumenteve të klasifikuara sipas ligjit të spiunazhit.

  • Zelensky vlerëson arritjet në luftimet e rënda në Donetsk

    Zelensky vlerëson arritjet në luftimet e rënda në Donetsk

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka lavdëruar forcat e armatosura të shtetit të tij për arritjet në luftimet e rënda në rajonin lindor të Donetskut, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.

    Në përditësimin e tij të rregullt mbi luftën, Zelensky tha se kishte “beteja shumë të vështira” në vazhdim, megjithëse ai nuk dha asnjë detaj për ndonjë sukses luftarak.

    “Por ka një rezultat dhe unë jam mirënjohës për të gjithë ata që e siguruan këtë rezultat! Bakhmut – bravo. Hap pas hapi. Falënderoj secilin nga luftëtarët tanë”, shtoi ai.

    Udhëheqësi i Ukrainës po fliste në një tren pas një vizite në rajonin e përmbytur Kherson, të shkatërruar nga përmbytjet që pasuan shembjen e digës Kakhovka në fillim të kësaj jave.

    Imazhet që shoqëronin postimin e tregonin atë duke u takuar me komandantë të lartë ushtarakë në terren.

  • Nga janari 2024, ilaçet në Kosovë me një çmim

    Nga janari 2024, ilaçet në Kosovë me një çmim

    Projektligji për çmimin e barnave fillimisht u miratua në qeveri në mars, e tek pas tre muajsh, të mërkurën në kuvend mori edhe dritën jeshile në lexim të parë.

    Ky dokument ligjor synon rregullimin e tregut farmaceutik privat dhe unifikimin e çmimeve ashtu që qytetarët nuk do të orvaten për të gjetur barnatoren me çmimet më të lira.

    Megjithëkëtë, qytetarët këtij ligji do ia shohim hairin tek në fillimin e vitit 2024, të paktën sipas farmacistëve. Këta të fundit thonë se janë disa procedura tek komuniteti farmaceutik, të cilat do të pasojnë pas miratimit të ligjit dhe hyrjes në fuqi të tij.

    Procedurat përfshijnë ofertimin e çmimeve tavan nga depot dhe furnizuesit që më pas të përcaktohet çmimi final dhe më pastaj, pacientët ilaçet kronike do t’i blejnë me çmim të njëjtë kudo në barnatoret e Kosovës, gjë e cila mungon tani.

    E, deputeti nga opozita Armend Zemaj, i cili këtë ligj e cilëson të domosdoshëm por edhe të vonuar nga qeveria, thotë se nuk duhet pritur 2024 për zbatim dhe se për këtë punë do i bëjnë presion më shumë qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

    Aktualisht sipas farmacistëve, në 90% të rasteve, pacientëve iu intereson vetëm çmimi i barit dhe nuk kërkojnë këshilla profesionale.

  • Përfitimet shëndetësore nëse hani vezë çdo mëngjes

    Përfitimet shëndetësore nëse hani vezë çdo mëngjes

    Veza është një nga produktet më të mira shtazore dhe më me vlera ushqyese.

    Të paktën një vezë në ditë duhet ta hani, dhe sugjerohet në mëngjes, në mënyrë që të keni energji gjatë gjithë ditës.

    Disa përfitime që merrni nga veza:

    Veza përmirëson përqendrimin;

    Ju bën më të vëmendshëm;

    Veza është e mbushur me ushqyes themelorë;

    Proteina që përmban veza mund t’ju ndihmojë të bini në peshë;

    Veza i jep energji trurit;

    Mbron sytë.

  • Pesë serbë dënohen për krime lufte në Bosnjë-Hercegovinë

    Pesë serbë dënohen për krime lufte në Bosnjë-Hercegovinë

    Gjykata e Sarajevës dënoi pesë ish-policë serbë për krime kundër boshnjakëve të kryera gjatë konfliktit të viteve 1992-1995.

    Milan Djokic dhe Branislav Trisic u dënuan secili me nga tre vjet burg, ndërsa Zoran Tanasic, Zarko Milanovic dhe Mladen Krajisnik u dënuan me dy vjet burg.

    Tre të pandehur të tjerë në të njëjtin gjyq u shpallën të pafajshëm. Të pandehurit akuzohen se kanë marrë pjesë në përndjekjen, ndalimin e paligjshëm, keqtrajtim, rrahje dhe vrasje të popullatës civile boshnjake në zonën e Janjës.

    Lejohet ankesa në Këshillin e Apelit të Gjykatës së Bosnjë-Hercegovinës./abcnews.al/

     

  • Zjarr te Tregu i Gjelbër në Prishtinë

    Zjarr te Tregu i Gjelbër në Prishtinë

    Si pasojë e një incidenti, zjarri ka kapluar Tregun e Gjelbër në kryeqytet orëve të vona të mbrëmjes të enjten.

    Nga Policia e Kosovës kanë thënë se zjarri u raportua të ketë ndodhur rreth orës 22:00.

    Nuk raportohet për të lënduar, vetëm për dëme materiale.

    “Sot rreth orës 22:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në tregun e gjelbërt në Prishtinë. Në vendngjarje janë zjarrfiksit dhe policia të cilët po merren me rastin. Bazuar në të dhënat e deritanishme, është raportuar vetëm për dëme materiale”, tha zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

  • Britania vendos sanksione të reja ndaj Bjellorusisë

    Britania vendos sanksione të reja ndaj Bjellorusisë

    Britania njoftoi për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Bjellorusisë për shkak të rolit të Minskut në ndihmën që i jep pushtimin rus të Ukrainës.

    Në sanksione përfshihen edhe ndalesa të importeve dhe masa të reja që synojnë të parandalojnë propagandën në internet.

    Bjellorusia, që udhëhiqet nga Aleksandër Lukashenko që nga viti 1994, është aleatja më e palëkundur e Rusisë në mesin e ish-shteteve sovjetike dhe lejoi që të përdorej territori i saj që Kremlini të niste pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

    Muajin e kaluar, Rusia vendosi që të dislokonte armët bërthamore taktike në territorin bjellorus.

    “Kjo paketë e re e sanksioneve rrit presionin ekonomik ndaj Lukashenkos dhe regjimit të tij, i cili në mënyrë aktive mbështet përpjekjet e luftës së Rusisë dhe injoron integritetin territorial të Ukrainës”, tha përmes një deklarate sekretari britanik i Jashtëm, James Cleverly.

  • Kurti: Vizionin për Asociacionin do të konkretizojë kur ka pajtueshmëri për shtyllat e tij

    Kurti: Vizionin për Asociacionin do të konkretizojë kur ka pajtueshmëri për shtyllat e tij

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot se vizionin e tij për draft-statutin e Asociacionit do të konkretizonte nëse ka pajtueshmëri në parim për shtyllat e tij.

    Kurti, në seancën e sotme plenare ka thënë se nuk mund të shkruajë statutin e Asociacionit dhe pastaj të kërkohet një kompromis për atë, pa pasur në fillim pajtim për parimet e tij.

    “Unë këtë mund të thellojë (vizionin për statutin e Asociacionit), por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që ju i përmendën që unë i kam thënë në parim, atëherë lirisht mund të thellojmë tekstin. Por nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilëve mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim”, është shprehur Kurti, duke iu përgjigjur në pyetjet e deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

    Ai ka përsëritur mospajtimin me draftin e statutit të Asociacionit, të hartuar nga ish-ekipi menaxhues, të cilin Kurti e ka shkarkuar.

    Kurti ka thënë se vizioni i tij i prezantuar është bazuar në modelin kroat për pakicat kombëtare.

    “Qeveria ime nuk është pajtuar me draftin e ekipit menaxhues pasi ai imitonte në përmbajtje dhe formë Republikën e Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë. Rrjedhimisht unë kam propozuar një draft vizion për të zbatuar nenin shtatë të marrëveshjes bazike dhe në lidhje me nenin 10, për të cilin nuk kam pranuar së pari aprovimin e palës tjetër dhe më pas edhe të Brukselit zyrtar, i cili vazhdon të konsiderojë këtë çështje të hapur…Tash e tutje mund të diskutojmë në kuadër të dialogut të Brukselit për zbatimin e nenit shtatë të marrëveshjes sipas vizionit tim të prezantuar në Bruksel, i cili prezanton shkronjën dhe frymën e Kushtetutës së Republikës sonë, konsensusin trans-atlantik të vlerave demokratike dhe liberale”, ka shtuar ai.

    Kurti është pyetur edhe për strategjinë për inkasimin e mjeteve financiare për shërbimet publike në katër komunat veriore.

    Ai është shprehur se fillimisht do të faturohen institucionet, pastaj bizneset dhe në fund amvisëritë.

    “Shërbimi fillimisht do t’i faturohet institucioneve, pastaj bizneseve dhe në fund amvisërive. Zgjedhjet e prillit kanë dhënë udhëheqjen e re në katër komuna dhe ndërmarrjet do të punojnë ngushtë me këta udhëheqës dhe komunitetin atje për të zgjeruar zonën e shërbimit”, ka shtuar ai.

    Ndryshe, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka deklaruar se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Për këtë dokument, ai ka thënë se i ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian dhe amerikanët. Rama ka thënë se drafti është i punuar nga ekspertë dhe sipas tij pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi.

  • KQZ-ja mban mbledhje, nuk diskuton për zgjedhjet që po përmenden në veriun e Kosovës

    KQZ-ja mban mbledhje, nuk diskuton për zgjedhjet që po përmenden në veriun e Kosovës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur të enjten në mesditë, por ky institucion nuk ka diskutuar për zgjedhjet e mundshme që po përmenden se duhet të mbahen në katër komunat e veriut të Kosovës. Ky institucion vetëm para pak kohësh ka përmbyllur procesin zgjedhor në këto komuna, por ngjarjet e fundit në këtë pjesë të Kosovës dhe ngritja e tensioneve, kanë rikthyer çështjen e zgjedhjeve të reja në këto komuna.

    Ditë më parë, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se “KQZ-ja si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen. Si çdoherë, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, KQZ-ja është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”.

    Ndërkohë, po në këtë mbledhje, KQZ-ja diskutoi shkurt edhe për plotësimin dhe ndryshimit e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Anëtarët e KQZ-së e panë të nevojshme që pas aprovimit të ligjit duhet të ndryshohen edhe rregulloret zgjedhore si legjislacion sekondar.

  • Hoxhaj thotë se e ka pa draftin e Ramës për Asociacionin, e quan të rëndësishëm dhe të mirë

    Hoxhaj thotë se e ka pa draftin e Ramës për Asociacionin, e quan të rëndësishëm dhe të mirë

    Nënkryetari i Kuvendit, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj e ka mirëpritur propozimin e kryeministrit Edi Rama mbi një draft të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, raporton Ekonomia Online.

    Ai madje thotë se këtë draft e ka parë, megjithatë, të njëjtin ka refuzuar t’a komentojë.

    Këtë hap të Ramës, Hoxhaj e ka cilësuar si “të rëndësishëm dhe të mirë”.

    Ai tha se shpreson se këtë dokument do ta arrijë në Kuvendin e Kosovës për diskutim të mëtutjeshëm.

    Hoxhaj se pret nga Kurti që t’i pranoj kërkesat e ndërkombëtarëve. Ai tha se e çmon kontributin e shteti shqiptarë, e që sipas tij, iniciativa e kryeministri Rama duhet ta ketë mbështetje në Kosovë.

    “Në si PDK jemi jashtëzakonisht të shqetësuar. Së dyti mendoj që Kurti do të duhej të ju thotë po këtyre tri kërkesave që i kanë partneret tanë amerikanë, ky është qëndrimi im, nuk flas në emër të PDK, flas si nënkryetar Kuvendi”, tha ai.

    “Së pari unë e përshëndes dhe e çmoj shumë kontributin e kryeministrit Rama dhe Shqipëria natyrisht që ka pasur rol në të kaluarën dhe duhet të ketë edhe sot në tejkalimi e situatës. Së dyti Asociacion nuk është një shpikje e kryeministrit Rama është një obligim nga viti 2013 për të cilin unë km qenë edhe në atë kohë që të krijohet. Nëse do të krijohen në 2013 në 2023 nuk do t’i kishin këto problem që i kemi sot. Kurti e ka pranuar Asociacion në pikën e shtatë me një paketim të ri vetëmenaxhim. Dhe në pikëpamjen time si nënkryetar i Kuvendit mendoj që iniciativa e kryeministri Rama duhet ta ketë mbështetje në Kosovë”.

    “Ajo se çfarë do të  do të duhej që ka një procedurë të qartë nga marrëveshja e viti 2013 dhe 2015 se si do të duhej të hartohej statusi i Asociacionit të komunave. Unë mendoj që Rama me propozimin e tij po bënë përpjeke që t’i mbush interesat e shteti të Kosovës në një kohë që është kritike dhe assesi që t’i dëmtoj këto interesa. Frika ime është që mënyra se si Kurti është duke menaxhuar situatën në veri të vendit ne mund të lëvizim drejtë një protektorati të plotë i cili si produkt mund të ketë një autonomi territoriale”, tha ai.