ATV

Author: G.O.

  • Policia e Kosovës: Dyshohet se tre zyrtarë kufitar janë kidnapuar nga forcat serbe

    Policia e Kosovës: Dyshohet se tre zyrtarë kufitar janë kidnapuar nga forcat serbe

    Tre pjesëtarë të Policisë Kufitare të Kosovës, besohet se janë marrë gjatë ditës së sotme, në Leposaviq, nga persona të armatosur.

    Tre policët janë rrëmbyer në një pikë statike në afërsi të kufirit me Serbinë.

    Për rastin ka reaguar edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 policët kufitar.

    “Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta”, ka shkruar Sveçla.

    Edhe Policia e Kosovës nëpërmjet një reagimi ka konfirmuar raportimet, duke thënë se janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë.

    “Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.
    Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së.
    Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe”, njoftoi Policia.

    Për këtë rast kanë shkruar edhe mediat në Serbi, të cilat raportojnë se kinse arrestimi i tyre është bërë në territor të Serbisë.

    Mediumi i afërt me Aleksandar Vuçiqin, “Novosti”, shkruan se njësia speciale e Serbisë ka arrestuar sot në territorin e Serbisë, 3 pjesëtarë të forcave speciale të Republikës së Kosovës, të “armatosur deri në dhëmbë”.

    Sipas “Novostit”, për këtë ngjarje është njoftuar me urgjencë kreu i shtetit, Aleksandar Vuçiq, raporton ky medium”.

    Mediat serbe publikojnë fotot e policëve kosovar të kidnapuar nga forcat serbe

  • Kërkohet paraburgim për “Llunen”, udhëheqësin e “Mbrojtjes Civile”

    Kërkohet paraburgim për “Llunen”, udhëheqësin e “Mbrojtjes Civile”

    Prokuroria Speciale e ka paraqiturnë Gjykatën Themelore të Prishtinës kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj udhëheqësit të “Mbrojtjes Civile”, Milun Milenkoviq, i njohur si “Llune”.

    Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga zëdhënësi i Prokurorisë Speciale Ekrem Lutfiu.

    “Ne e kemi paraqitur kërkesën. Tani mbetet nga Gjykata Themelore që ta caktojë masën”, tha Lutfiu.

    Seanca për caktimin e masës së paraburgimit do të mbahet sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    “Seanca për caktimin e masës së paraburgimit, nis nga ora 14:00. E pastaj merret vendimi”, tha për Klankosova.tv Mirlinda Gashi, zëdhënëse e kësaj gjykate.

    Të marten u arrestua Milun Milenkoviq-Llune, i dyshuar për organizimin e sulmit në Zveçan ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.

    Kjo u bë e ditur nga ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.

  • Protesta kundër arrestimit të Milenkoviqit, serbët provokojnë Policinë e Kosovës

    Protesta kundër arrestimit të Milenkoviqit, serbët provokojnë Policinë e Kosovës

    Qytetarë serbë kanë protestuar sot në veri të Mitrovicës duke kundërshtuar kështu arrestimin e djeshëm të njeriut kryesor të të ashtuquajturës “Mbrojtja civile”, Milun Milenkoviq – Lune, ndërsa disa prej tyre kanë provokuar Policinë e Kosovës duke e quajtur “fashiste”.

    KosovaPress raporton se përkundër kësaj, pjesëtarët e Policisë kanë reaguar profesionalisht dhe nuk kanë rënë pre e provokimeve.

    Protestuesit serbë kanë bartur flamuj të Serbisë, me mbishkrimin “Kosova është Serbi” dhe të ngjashme.

    Ata kanë marshuar nga përmendorja e “Car Lazarit” deri tek cepi verior i Urës së Ibrit, dhe janë kthyer mbrapsht.

    Pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë qenë prezentë në numër të shtuar si dhe karabinierët italianë, ndërkohë që gjithçka ka kaluar qetë dhe pa ndonjë incident.

  • Kryeministri Kurti mori pjesë në shënimin e 32-vjetorit të Pavarësisë së Sllovenisë

    Kryeministri Kurti mori pjesë në shënimin e 32-vjetorit të Pavarësisë së Sllovenisë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori dje pjesë në pritjen e organizuar me rastin e 32-vjetorit të shënimit të Pavarësisë së Republikës së Sllovenisë.

    Kryeministri Kurti, u shpreh se është një nder i veçantë dhe një kënaqësi e madhe të jenë së bashku sot në 32- vjetorin e Republikës së Sllovenisë. Ai theksoi se të dy vendet tona kanë ndarë mësime të ngjashme nga historia dhe njerëzit tanë kanë mbajtur afërsi për të siguruar që ne të marrim mësimet më të mira si nga sprovat, ashtu edhe nga fitoret tona.

    “Sllovenia ka qenë një model frymëzues për t’u ndjekur në shumë aspekte. 25 qershori 1991 dhe shpallja e Sllovenisë si Republikë e pavarur na ka shërbyer si udhërrëfyes për atë se si duket rezistenca ndaj hegjemonisë dhe ndjekja e demokracisë”, tha ai.

    Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Kurti, tha se është mirënjohës ndaj Qeverisë së Sllovenisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të zëshme, me qëllimin kryesor që Kosova dhe i gjithë Ballkani Perëndimor të bëhen sa më shpejtë pjesë e BE-së. Ai në shprehu mirënjohje dhe falënderim për Kryeministrin e Sllovenisë, Golob, për mbështetjen e tij e cila si e tillë përfshinë avancimin e marrëdhënieve në sektorin e sigurisë përmes akreditimit të atasheut tonë të mbrojtjes në Lubjanë, si dhe mundësive ekonomike për sipërmarrësit dhe bizneset nga të dy vendet.

    Vlen të theksohet se këtë vit, lidhjet mes dy vendeve, pra Kosovës dhe Sllovenisë, janë thelluar me rivendosjen e linjës direkte Prishtinë-Ljubljanë.

    Ndër të tjera kryeministri Kurti, potencoi se presim me padurim këtë lehtësi në udhëtime, e cila do të lehtësojë avancimin e mëtejshëm të mjedisit të biznesit ku një rol të rëndësishëm luajnë kompanitë sllovene nga sektori i telekomunikacionit, ai banker dhe i sigurimeve.

     

    Kryeministri Kurti, gjithashtu falënderoi edhe diasporën tonë në Slloveni, të cilët janë një pjesë shumë e rëndësishme e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.

     

    Fjalën e tij, ai e përmbylli duke i’u uruar festën kombëtare të Republikës së Sllovenisë dhe duke besuar në thellimin dhe përkushtimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore si dhe lidhjeve miqësore, ndërmjet dy popujve tanë.

  • Nëntë xhudistë nga Kosova pjesë e Kampit Olimpik në Kroaci

    Nëntë xhudistë nga Kosova pjesë e Kampit Olimpik në Kroaci

    Ekipi kosovar i xhudos është duke marrë pjesë në Kampin Olimpik të xhudos që po zhvillohet në Poreç të Kroacisë.

    Ajka e xhudistëve nga e mbarë bota janë pjesëmarrës në këtë Kamp Olimpik, ndërsa ekipi ynë përbëhet nga nëntë xhudistë si Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Loriana Kuka, Dardan Cena, Shpati Zekaj, Anes Veseli, Rios Kuka, Fatjona Kasapi, raporton KosovaPress.

    Në këtë Kamp Olimpik po zhvillohen përgatitjet para sfidave të radhës që po i presin garuesit tanë si Grand Slami i Kazakistanit që zhvillohet këtë javë, e gara e madhe e IJF Masters që mbahet për më pak se dy muaj.

    Përveç ekipit elitar, pjesëmarrës në këtë Kamp Olimpik janë edhe grupmosha e kadetëve të cilët po përgatiten për Kampionatin Evropian për Kadet që mbahet javën tjetër, pastaj EYOF në muajin e ardhshëm.

    Së bashku me garuesit, në Poreç gjenden edhe trajneri Driton Kuka dhe ndihmëstrajnerja e ish-kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi.

  • Osmani: Jemi afër zgjidhjes për de-eskalimin e situatës në veri

    Osmani: Jemi afër zgjidhjes për de-eskalimin e situatës në veri

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani paralajmëroi sot zgjidhje për de-eskalimin e situatës në veri të vendit.

    Osmani, pas adresimit në Parlamentin Evropian, u shpreh optimiste për t’i tejkaluar, siç i quajti sfidat, me të cilat po përballohet Kosova.

    “Jemi në rrugë të duhur për t’i tejkaluar sfidat me të cilat po ballafaqohemi. Jemi në diskutime me partnerët tanë dhe jemi afër zgjidhjes”, tha ajo në konferencë për medie në Strasbourg.

    Lexoni edhe:

    Osmani kërkon mbështetjen e PE-së: Evropën e kemi destinacion, qëndroni pranë nesh në këtë moment kritik

    Osmani gjatë fjalimit në PE tregon historitë e Vasfije Krasniqit e Fahrije Hotit

     

  • Osmani gjatë fjalimit në PE tregon historitë e Vasfije Krasniqit e Fahrije Hotit

    Osmani gjatë fjalimit në PE tregon historitë e Vasfije Krasniqit e Fahrije Hotit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se bashkë me të në Parlamentin Evropian e ka marrë edhe një delegacion që përbëhet nga Vasfije Krasniqi, Fahrije Hoti, Hana Qerimi, Egzon Syla, Blerta Basholli dhe gazetarja ukrainase Liudmyla Makei, raporton Ekonomia Online.

    Osmani përmendi rastin e ish-deputetes Vasfije Krasniqi, për të cilën tha se ishte ajo që e kuptoi se plagët thellohen në heshtje.

    “Sot ajo është zëri i mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë”, tha Osmani.

    Ajo foli edhe për historinë e Fahrie Hotit, për të cilën tha se “ajo e ktheu pikëllimin në motivim, e dhimbjen në vendosmëri”.

    Më tej, në adresimin e saj, Presidentja Osmani shpalosi edhe fatin jetësor të Fahrie Hoti.

    Veprimet e saj, sipas Osmani, jo vetëm që shpëtuan jetën e qindra grave në fshatin e saj, por historia e saj frymëzoi edhe filmin “Zgjoi”, të regjisores Blerta Basholli.

    Presidentja veçoi rrëfimin e suksesshëm të Hana Qerimit, bashkëthemeluese e Digital School dhe StarLabs, dy kompani, të cilat janë etabluar në tregun evropian me punën që bëhet në Kosovë.

    Osmani përmendi angazhimin e Egzon Sylës, nga kontingjenti i Kërkim-Shpëtimit në FSK, i cili ka udhëhequr ekipin në përpjekjet e shpëtimit nga pasojat e tërmetit shkatërrues në Turqi.

    “Sot, një 2-vjeçar si dhe të tjerë janë ende gjallë për shkak të Egzonit dhe ekipit të tij. Përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre tregon shpirtin e vërtetë të popullit të Kosovës: atë që nuk dorëzohet kurrë dhe që jep gjithmonë”, tha Presidentja Osmani.

    Ajo më tej prezantoi edhe rrëfimin e Liudmyla Makei, gazetares së parë ukrainase që u prit në Kosovë si pjesë e Programit të Gazetarëve në Rezidencë në Kosovë të nisur nga institucionet kosovare në mbështetje të kauzës së tyre për të mbrojtur të vërtetën.

    “Populli im e njeh edhe ndjenjën e pakrahasueshme të lirisë dhe paqes. Dhe, shpresoj se populli i Ukrainës së shpejti do t’i përjetojë këto ndjenja ndërsa e fiton luftën ndaj agresionit të Rusisë”, tha Osmani

  • Osmani kërkon mbështetjen e PE-së: Evropën e kemi destinacion, qëndroni pranë nesh në këtë moment kritik

    Osmani kërkon mbështetjen e PE-së: Evropën e kemi destinacion, qëndroni pranë nesh në këtë moment kritik

    Presidentja Vjosa Osmani në fjalimin në Parlamentin Evropian ka kërkuar mbështetje në rrugën evropiane të Kosovës.

    Ajo shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur dhe përcaktimin se Bashkimi Evropian është destinacioni i Kosovës. Osmani madje kërkoi mbështetje siç tha në këtë moment kritik.

    “Jam këtu për ta shprehur mbështetjen ndaj jush dhe në këtë moment kritik për të i’u bërë thirrje që të qëndroni palëkundur pranë nesh”.

    “Jam këtu për ta shfaqur suportin e popullit kosovar. Nuk jemi thjesht pjesë e gjeografisë së Evropës, por vlerat evropiane janë ato qe na bëjnë evropianë. Kosova është Evropë dhe të jesh kosovar do të thotë të jesh evropian. Shteti jonë është themeluar mbi vlerat evropiane”.

    “Jemi të vendosur që t’i bashkohemi familjes së BE-së. Integrimi euro-atlantik mbetet destinacioni jonë kryesor. Jam e sigurt se është e ardhmja jonë”.

    Ajo ka folur edhe për luftën në Ukrainë, me ç’rast tha se Evropa ka treguar një bashkim të jashtëzakonshëm e se kur flitet për këtë luftë nuk duhet të ketë asnjë mëdyshje përveç fjalës paqe, raporton EO.

    “Ky moment kërkon që liderët të bëhen bashkë dhe të marrin vendime të vështira. Nuk do të jetë e lehtë. Njerëzit e Kosovës nuk kanë nevojë ta imagjinojnë vuajtjen e Ukrainës, sepse ne i kemi përjetuar ato. Nuk kemi nevojë të imagjinojnë për humbjet e tyre sepse na mungojnë familjarë tanë dhe miqtë tanë çdo ditë”.

    “Kur themi se jemi përkrah Ukrainës, nuk e themi vetëm por e ndjejmë me çdo qelizë. Kosova ndoshta është një shtet i vogël por do të bëjmë çfarë të mundemi për Ukrainën. Jemi të parët në rajon që kemi vendosur sanksione ndaj Rusisë”.

  • Metsola: Mirëpresim përpjekjet e Kosovës për të qetësuar tensionet në veri

    Metsola: Mirëpresim përpjekjet e Kosovës për të qetësuar tensionet në veri

    Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola ka theksuar sot nevojën e de-eskalimit të situatës në veri të Kosovës.

    Ajo ka thënë se mirëpret përpjekjet e institucioneve të Kosovës që të ndërmarrin masa për të qetësuar situatën në veri dhe për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë.

    “Jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe pasojat për ngjarjet e fundit në vendin tuaj mund të ketë për stabilitetin e rajonit, si dhe nevojës së vazhdueshme të BE-së që të vazhdoj të theksoj dobitë e deeskalimit të krizave të tilla. Rrugëtimi i Kosovës vazhdon dhe kjo shtëpi e mirëpret përpjekjet e vendit tuaj për tu ballafaquar me sfidat dhe nevojën për të ndërmarrë hapa për të qetësuar tensionet dhe bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtar”, ka thënë ajo.

    Kryetarja e Parlamentit evropian ka shprehur përkrahjen për rrugën integruese të Kosovës në BE.

    “Kjo shtëpi ka qëndruar përkrah jush kur ka qenë e pamundur dhe tashmë dueht të theksojmë sa larg ka shkuar Kosova. Liberalizimi i vizave ka qenë i mundshëm, por tani mund të jemi krenar që më 1 janar të vitit të ardhshsëm qytetarët e Kosovës të kenë edhe këtë liri. Demokracia, liria e shprehjes dhe sundimi i së drejtës janë vlera fundamentale që kjo shtëpi e parlamentit qëndron fuqimisht”, ka thënë ajo.

    Këto komente Metsola i ka bërë para adresimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Parlamentin Evropian.

  • Cilat ushqime duhet t’i shmangim gjatë verës?

    Cilat ushqime duhet t’i shmangim gjatë verës?

    Doktoresha Shemsie Selmani, me profesion specialiste në mjekësinë familjare, e ftuar në emisionin e mëngjesit ”Alarm”, në ATV ka folur rreth helmimeve që shpesh njerëzit i marrin gjatë sezones së verës apo edhe gjatë kohës kur temperaturat ngritën, helmime këto kryesisht nga ushqimi.

    Selmani tha se për t’iu shmangur këtyre helmimeve, paraprakisht duhet pasur kujdes për mënyrën se si ruhen ushqimet e deri tek përgatitja e ushqimit.

    “Helmimet më së shumti shfaqen për shkak të temperaturave të larta, derisa shakatarët janë të ndryshëm, si p.sh. helmimet bakteriale dhe virale. Ato virale janë më të rralla pasi ato shprehën më së shumti në sezonin e dimrit. Për helmimet që shkaktohen nga ushqimet, kryesisht duhet pasur kujdes për mënyrën se si ruhen ato ushqime. Ka helmime që shkaktohen si rezultat se që nuk zihen në temperaturën e duhur, pastaj pemët dhe perimet që nuk pastrohen si duhet dhe mjaftueshëm. Pas kësaj kemi ushqimet që rrinë shumë gjatë jasht, në temperaturë të dhomës, ushqimet që ruhen në frigorifer e pastaj kur zihen në temperaturë të ngadaltë, shkaktojnë helmime etj.”, tha ajo.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: