ATV

Author: G.O.

  • “Liri, pavarësi, demokraci”, Osmani e thotë në tri gjuhë frazën e Rugovës në Parlamentin Evropian

    “Liri, pavarësi, demokraci”, Osmani e thotë në tri gjuhë frazën e Rugovës në Parlamentin Evropian

    Në adresimin e saj në sesionin plenar të Parlamentit Evropian, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përmendi fjalët emblematike të presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova “Liri, Pavarësi, Demokraci”.

    Sipas presidentes Osmani, këto fjalë ishin vizioni i popullit të Kosovës, i cili u bë realitet.

    “Sot ai vizion i Rugovës, heronjve tanë dhe popullit tonë është realitet. Kosova sot është e lirë. Kosova sot është e pavarur. Dhe Kosova sot është një fener i demokracisë”, ka theksuar Presidentja Osmani para eurodeputetëve në adresimin e saj.

    Përgjatë adresimit të saj, Presidentja Osmani riktheu në kujtesë periudhën e para 25 vjetëve më parë kur presidenti Rugova, atëkohë fitues i çmimit Saharov mbajti fjalim në PE.

    “Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t’u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky Union i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, theksoi Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani ky fjalim i dha shpresë popullit të Kosovës.

    “Evropa jo vetëm që ia kishte hapur dyert Presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht. Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që do të flas para Parlamentit Evropian, për t’ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë tonë dhe pavarësinë”, është shprehur ndër të tjera Presidentja Osmani.

    Para eurodeputetëve, Presidentja Osmani, duke kërkuar mbështetjen e PE-së në rrugën evropiane të Kosovës, rikujtoi thënien e presidentit Rugova: “Shtëpia nuk mbahet pa miq” dhe në këtë kontekst, shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur dhe përcaktimin se Bashkimi Evropian është destinacioni Kosovës.

  • Bulliqi për arrestimin e 3 kosovarëve në Merdar: Dyshojmë se po hakmerren për situatën në veri

    Bulliqi për arrestimin e 3 kosovarëve në Merdar: Dyshojmë se po hakmerren për situatën në veri

    Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, është deklaruar për arrestimin e tre qytetarëve në Merdar. Bulliqi posedon informacione se tre qytetarëve nga komuna e Podujevës u është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë.

    Bulliqi tha se motivet e arrestimeve mund të ndërlidhen me hakmarrjen për situatën në Veri të vendit.

    Bulliqi ka kërkuar nga institucionet e vendit që të punojnë për lirimin e tyre.

    Postimi i tij i plotë:

    Me shqetësim mora lajmin që tre qytetarë të Komunës së Podujevës janë arrestuar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë në Merdar.

    Sipas informatave që kemi pranuar atyre ju është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë nga autoritetet serbe, kurse për motivet e arrestimit të tyre nuk dihet përveçse po dyshojmë se janë hakmarrëse dhe po ndërlidhen me situatën në veri të vendit.

    Arrestimi dhe mbajtja në paraburgim e tre bashkëqytetarëve tanë është e papranueshme dhe kërkoj nga institucionet e Kosovës që të angazhohen maksimalisht për rastin e tyre, duke punuar me instancat kompetente për lirimin e tyre.

  • Vjosa Osmani pritet në takim nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola

    Vjosa Osmani pritet në takim nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, raporton Ekonomia Online.

    Osmani pritet ta ketë një takim bilateral me Metsolan përpara adresimit që do ta bëjë përpara deputetëve të Parlamentit Evropian.

    Osmani ka bërë të ditur se në këtë adresim do ta përçojë mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Parlamentit Evropian, për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e vendit, si dhe rrugëtimin evropian.

    Kjo është hera e parë që një President i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të Parlamentit Evropian, bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës.

    Presidentja Osmani do t’i adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian lidhur me arritjet e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    Ajo do të shprehë mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për përkrahjen që Parlamenti Evropian ka ofruar për Kosovën që nga vitet e 90-ta.

    Gjatë qëndrimit në Strasburg, ku po mbahet seanca e Parlamentit Evropian, Presidentja Osmani do të pritet fillimisht nga Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian.

    Përveç takimeve me përfaqësues të Parlamentit Evropian, gjatë qëndrimit në Strasburg, Presidentja Osmani do të takojë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës.

  • Kjo është fanella e Realit për sezonin 2023/24 (VIDEO)

    Kjo është fanella e Realit për sezonin 2023/24 (VIDEO)

    Real Madridi ka publikuar fanellën e re për sezonin 2023/23.

    Fanella e re e Realit përfshin ngjyrën klasike të bardhë, me disa detaje të ngjyrës së artë dhe të asaj të kaltër.

    Po ashtu, slogani i klubit “Hala Madrid” është vendosur në pjesën e pasme të fanellës.

    Reali ka përfshirë ngjyrën e arit për herë të parë në fanellë që prej sezonit 2019/20, ndërsa fanellë e ngjashme ishte përdorur edhe në sezonin 2011/12 kur asokohe mposhtën ekipin e famshëm të Barcelonës së Pep Guardiolas.

    Më poshtë e gjeni videon e fanellës së re të Realit:

  • Emocionohet Arsim Bajrami teksa flet për humbjen e gruas nga kanceri

    Emocionohet Arsim Bajrami teksa flet për humbjen e gruas nga kanceri

    Akademiku Arsim Bajrami i ftuar në emisionin “Libero”, në ATV, ka folur rreth për jetën e tij private, familjen si dhe rrugëtimin e tij në politikë dhe jo vetëm.

    Nën emocione Bajrami foli edhe për humbjen e gruas së tij nga kanceri.

    “Tani keni shfaqur një fotografi që gjithmonë mua më shkakton nostalgji sepse, është bashkëshortja ime e ndjerë. Me të cilën që nga viti i parë kemi qenë koleg, kemi ndarë një bankë së bashku, një fletore së bashku, një libër së bashku që nga viti 78… Por për fatin tonë të keq dhe tragjik ajo është identifikuar me një sëmundje shumë të rënd… Pas 11 vite betejë me një kancer shumë të rëndë ajo u dorëzuar, por u dorëzua duke mos u gjunjëzuar asnjëherë dhe nga ai moment familja jonë sikur e ka humbur gëzimin apo e ka humbur buzëqeshjen…”, u shpreh ai./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

    LEXONI EDHE:

    Arsim Bajrami: Me bursën time blija ushqim për familjen

  • Arsim Bajrami: Me bursën time blija ushqim për familjen

    Arsim Bajrami: Me bursën time blija ushqim për familjen

    Akademiku Arsim Bajrami i ftuar në emisionin “Libero”, në ATV, ka folur rreth për jetën e tij private, familjen si dhe rrugëtimin e tij në politikë dhe jo vetëm.

    Bajrami kujtoi kohën kur ishte fëmijë, teksa ndau edhe historinë se si gjatë kohës kur ishte student, me bursën e fituar blinte ushqim për familjen.

    “Babai ka qenë me një pension invalidor që mezi që e mbante familjen… Jetonim në fshat, por për fatin e mirë unë në vitin e parë të studimeve fitova bursën e Universitetit. Që ajo bursë në atë kohë ka qenë sa një pagë mesatare dhe pastaj, me bursën time unë paguaja biletën mujore të udhëtimit për dy vëllezërit e mi, blija ushqimin për familje dhe në këto kushte jemi rritur, por kemi qenë jashtëzakonisht të përkushtuar në arsim… Të tre vëllezërit jemi shkolluar me një sakrificë familjare sepse, nga një familje e varfër është dashur që gjithçka të arrish vetë pa ndihmën e askujt…”, tha ai./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

    LEXONI EDHE:

  • OKB: 110 milionë njerëz të zhvendosur me forcë gjatë një viti

    OKB: 110 milionë njerëz të zhvendosur me forcë gjatë një viti

    Sipas Komisionerit të Lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për Refugjatët, rreth 110 milionë individë janë detyruar të largohen nga vendbanimet e tyre për shkak të konflikteve, persekutimit ose shkeljeve të të drejtave të njeriut.

    Lufta e fundit në Sudan, duke zhvendosur gati 2 milionë njerëz që nga prilli, i shtohet listës së gjerë të krizave që kontribuojnë në këtë numër të paprecedentë të individëve të zhvendosur.

    “Është një indikator për gjendjen e botës sonë”, u tha gazetarëve në Gjenevë Filippo Grandi, i cili drejton agjencinë e refugjatëve të OKB-së, përpara publikimit të Raportit të Trendeve Globale të UNHCR-së për vitin 2022.

    Vetëm vitin e kaluar, 19 milionë njerëz të tjerë u zhvendosën me forcë, duke përfshirë më shumë se 11 milionë që u larguan nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, në atë që u bë zhvendosja më e shpejtë dhe më e madhe e njerëzve që nga Lufta e Dytë Botërore.

    “Ne vazhdimisht ballafaqohemi me emergjenca”, tha Grandi.

    Vitin e kaluar agjencia regjistroi 35 emergjenca, tre deri në katër herë më shumë se në vitet e mëparshme.

    “Pak nga këto ngjarje përfundojnë në titujt e mediave tuaja”, shtoi Grandi, duke argumentuar se intensiteti i raportimit për luftën në Sudan ra pasi qytetarët perëndimorë u evakuuan.

    Konfliktet në Republikën Demokratike të Kongos, në Etiopi dhe Mianmar ishin gjithashtu përgjegjëse për zhvendosjen e më shumë se 1 milion njerëzve brenda secilit vend në vitin 2022.

    Shumica e të zhvendosurve globalisht kanë kërkuar strehim brenda kufijve të kombit të tyre.

    Shumica e refugjatëve strehohen nga vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme në Azi dhe Afrikë, jo vende të pasura në Evropë apo Amerikën e Veriut, tha Grandi.

    Turqia aktualisht pret më së shumti refugjatë me 3.8 milionë njerëz, kryesisht sirianë që ikën nga lufta civile, e pasuar nga Irani me 3.4 milionë refugjatë, kryesisht afganë.

    Por ka edhe 5.7 milionë refugjatë ukrainas të shpërndarë nëpër vende në Evropë dhe më gjerë.

    Numri i personave pa shtetësi është rritur gjithashtu në vitin 2022 në 4.4 milionë, sipas të dhënave të UNHCR-së, por kjo besohet të jetë një nënvlerësim.

    Për sa i përket kërkesave për azil, SHBA-ja ishte vendi që mori më shumë aplikime të reja në vitin 2022 me 730,400 kërkesa.

    “Një nga gjërat që duhet bërë është reformimi i sistemit të azilit në mënyrë që të bëhet më i shpejtë, më efikas”, tha Grandi.

    Shtetet e Bashkuara, Spanja dhe Kanadaja njoftuan së fundmi planet për të krijuar qendra të të azilit në Amerikën Latine me qëllim të reduktimit të numrit të njerëzve që udhëtojnë në veri për të kaluar kufitin Meksikë-SHBA.

    “Ne shohim refuzime. Ne shohim rregulla gjithnjë e më të ashpra të imigracionit ose pranimit të refugjatëve. Ne shohim në shumë vende kriminalizimin e emigrantëve dhe refugjatëve, duke i fajësuar ata për gjithçka që ka ndodhur”, tha Grandi.

    Udhëheqësit evropianë riafirmuan së fundmi angazhimet e tyre financiare ndaj vendeve të Afrikës së Veriut si një strategji për të frenuar migracionin në të gjithë Mesdheun.

    Ndërkohë, qeveria britanike vazhdon me një plan për të zhvendosur azilkërkuesit në Ruanda, të cilin UNHCR e kundërshton dhe e ka konsideruar të pasuksesshme deri më tani.

    Megjithatë, mes këtyre sfidave, ka pasur disa arritje të dukshme. Grandi theksoi një zhvillim pozitiv në negociatat e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për një pakt të ri migracioni dhe azili, pavarësisht se u përball me kritikat nga organizatat e të drejtave të njeriut./REL/

  • Haradinaj: Kosova do të dijë ta ruajë dhe forcojë partneritetin me NATO-n, veçmas me ShBA-në

    Haradinaj: Kosova do të dijë ta ruajë dhe forcojë partneritetin me NATO-n, veçmas me ShBA-në

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar popullin dhe ushtrinë amerikane me rastin e 248-vjetorit të krijimit të saj.

    Haradinaj ka thënë se shembulli i sakrificës e atdhedashurisë mbetet frymëzim për ne dhe Ushtrinë e Kosovës.

    “Në këtë ditë historike për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ushtrinë e saj, uroj përzemërsisht popullin amerikan dhe përfaqësuesit e institucioneve mbrojtëse të ShBA-së, me rastin e 248-vjetorit të krijimit të ushtrisë amerikane”.

    “Shembulli i juaj i sakrificës, trimërisë, përkushtimit dhe atdhedashurisë ishte dhe do të mbetet gjithnjë frymëzim për ne dhe Ushtrinë e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

    Haradinaj ka thënë se populli ynë do të jetë mirënjohës përjetë për ndihmën e popullit dhe ushtrisë amerikane.

    “Të drejtën për të jetuar të lirë e kemi arritur falë ndihmës në kohë të duhur të Ushtrisë Amerikane dhe NATO-s, të cilët shpëtuan popullin tonë nga tragjedia dhe spastrimi etnik”.“Kosova do të dijë ta ruajë dhe forcojë partneritetin me NATO-n, veçmas me ShBA-të. Populli ynë do të jetë përjetë mirënjohës për kontributin e madh që ushtria dhe populli amerikan kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për vendin tonë”, ka përfunduar Haradinaj.

  • “Vrasje në tentativë”, plagosen dy persona në Pejë

    “Vrasje në tentativë”, plagosen dy persona në Pejë

    Policia ka informuar sot se një person është arrestuar në Pejë për veprën penale “Vrasje në tentativë”, ndërsa një tjetër ndodhet në arrati.

    Sipas Policisë, si pasojë e rrahjes është përdorur arma e zjarrit dhe janë plagosur dy persona.

    Dy tё plagosurit janё dёrguar pёr tretman mjekёsor nё spitalin rajonal nё Pejё, ndёrkohё ndihmё mjekёsore kanё kёrkuar edhe dy persona tё tjerё, tё cilёt kanё qenё tё pёrfshirё nё rrahje.

    “Më datë 13 qershor 2023 rreth orës 23:10, Policia është informuar se nё rrugën “ Ali Pashё Gucija ” nё Pejё ka tё shtёna me armё zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendngjarje, aty ka kuptuar se fillimisht disa persona janё rrahur mes veti. Gjatë rrahjes nga personat e dyshuar ёshtё pёrdorur edhe arma e zjarrit dhe si pasoj dy (2) persona janë plagosur.”, ka bërë të ditur Policia.

  • Mbrojtja e Thaçit vijon kundra-pyetjet për dëshmitarin e tetë të ZPS-së

    Mbrojtja e Thaçit vijon kundra-pyetjet për dëshmitarin e tetë të ZPS-së

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vijuar parashtrimi i kundra-pyetjeve për dëshmitarin e tetë nga ana e mbrojtjes së ish-presidentit, Hashim Thaçi në gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Me të nisur pyetjet, seanca ka kaluar në seancë të mbyllur për publikun.

    Nga salla e gjyqit, këtë seancë gjyqësore kundër tyre po e përcjellin ish-presidenti, Hashim Thaçi, ish-kryekuvendari, Kadri Veseli dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi. Ndërsa, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi po e përcjell këtë seancë po e përcjell përmes video-lidhjes nga qendra e paraburgimit.

    Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith tha se Krasniqi ka dorëzuar edhe një dokument përmes të cilët heq dorë nga prania e tij në sallë, që nënkupton që as nesër nuk do të jetë i pranishëm në gjykatore.

    Dëshmitari i tetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin 04323 në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve dëshminë e tij e ka nisur ditën e hënë.

    Deri tani pyetjet ndaj tij i ka përfunduar Zyra e Prokurorit të Specializuar. Gjatë ditës së hënë kur edhe nisi dëshminë e tij përgjigjet e dëshmitarit të tetë ishin në pjesë të madhe publike, por gjatë ditës së djeshme seanca ka qenë e mbyllur për publikun përveç një momenti kur ZPS parashtroi pyetje për Gardën Kombëtare.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.