ATV

Author: G.O.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë do të mbahet mot me reshje shiu.

    Temperaturën minimale do e mbajë Prishtina me 14 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja me 19 gradë Celsius.

    Dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me kushte të njëjta atmosferike. Temperatura minimale do të shënohet në Prishtinë me 12 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Pejë 20 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot po ashtu me reshje shiu, derisa në disa zona do të ketë kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 12 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 25 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Zhvillimet e fundit në Kosovë e Serbi, Escobar sot mban konferencë për media

    Zhvillimet e fundit në Kosovë e Serbi, Escobar sot mban konferencë për media

    I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, sot më 16 qershor, do të mbajë një konferencë online me gazetarë.

    Kjo konferencë pritet të mbahet nga ora 15:00.

    Escobar me gazetarët do të bisedojë rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe Serbi.

    Të mërkurën, Policia e Kosovës ka njoftuar se tre pjesëtarë të saj janë kidnapuar nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës.

    Policia në konferencë për media kishte prezantuar edhe një hartë nga vendi ku raportohet se u kidnapuan policët.

    Ndërsa, në anën tjetër, Serbia po pretendon se policët janë arrestuar në territorin e Serbisë, larg kufirit nga Kosova.

    Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar të enjten lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës të ndaluar nga forcat serbe. Ky qëndrim u shpreh nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp.

    “Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të shtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”, ka thënë ai.Miller ka deklaruar gjithashtu se “të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja”.

  • Kryesia e Kuvendit të Kosovës mban mbledhjen e radhës

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës mban mbledhjen e radhës

    Sot me fillim nga ora 13:00, do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në të cilën në rend dite janë dhjetëra pika që kanë mbetur nga seancat e kaluara të Kuvendit, si dhe propozimi i rendit të ditës për seancën plenare të re.

    Mbledhja e Kryesisë Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8 dhe 15 qershor 2023, si ajo për votimin për emërimin e dy anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, zgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

    Gjithashtu, pikë e rendit të ditës pritet të jetë edhe pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 6, 7 prill dhe 7 qershor 2023, si ajo për votimin e Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

    Kryesia e Kuvendit gjithashtu do të debatojë, shqyrtojë e votoj edhe shumë pika të tjera që kanë mbetur nga seancat e kaluara të Kuvendit.

  • Kryeministri Kurti merr pjesë në Forumin e Prespës

    Kryeministri Kurti merr pjesë në Forumin e Prespës

    Kryeministri Albin Kurti pritet që sot të marrë pjesë në Forumin e Prespës për Dialog.

    Alsat raporton se ky informacion u është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, të cilët u kanë thënë se Kurti e ka konfirmuar pjesëmarrjen.

    Ky medium raporton se edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka deklaruar se me Kurtin sot do të bisedojnë për situatën në Kosovë dhe për gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes, me qëllim qetësimin e situatës dhe garantimin e paqes në rajon.

    Kurti dje i bëri thirrje dje KFOR-it të ushtrojë trysni mbi Serbinë që t’i kthejë në Kosovë tre zyrtarët policorë që u rrëmbyen nga forcat serbe të mërkurën.

    Në një seancë të jashtëzakonshme në parlamentin e Kosovës, kryeministri tha se KFOR-i si ushtrues i funksionit të mbrojtjes duhet ta ndëshkojë këtë shkelje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.

    “KFOR-i pra nuk do të duhej të jetë i heshtur e as përulur ndaj sulmit kidnapues të cilin edhe e kishte mandat ta parandalonte. Nëse KFOR-i e shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur në ligj që dihet publikisht, atëherë një gjë të tillë le të na e thotë hapur, dhe ashtu do e mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare që ishte dashur të përmbushte efektivisht”, tha kryeministri Kurti.

    Veprimet e Serbisë, tha ai, dëshmojnë për orientimin e udhëheqjes së Serbisë nga verilindja dhe jo nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

    “Ajo që kemi parë dje është hakmarrje në njërën anë, e agresion në anën tjetër. Krijimi i hakmarrjes si instrument ndaj veprimeve të sundimit të ligjit në Kosovë, është jo vetëm mendësi barbare, mesjetare por tregues i orientimit të udhëheqjes së Serbisë kah verilindja, nga despotët e verilindjes, e jo nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

  • Çështja “Klan Kosova”, KPM-ja vendos sot

    Çështja “Klan Kosova”, KPM-ja vendos sot

    Sot pritet të merret një vendim nga ana e Komisionit të Pavarur për Media lidhur me pezullimin e licencës së biznesit për Klan Kosovën.

    Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, ka thënë që në mbledhjen e këtij komision mbrëmë është diskutuar çështja e Klan Kosovës, por deklaroi se qëndrimin e tij për këtë çështje do ta bëjë publik sot në një mbledhje tjetër.

    Shumë personalitete e gazetarë në Kosovë kanë shprehur përkrahjen e tyre për Klan Kosovën pas vendimit të MINT-it, të cilin e kanë dënuar edhe organizata vendore e ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe të mediave.

  • Konsumoni lulelakra për shëndet të mirë mendor

    Konsumoni lulelakra për shëndet të mirë mendor

    Studimet më të fundit kanë treguar se ushqimet që shumë nga ne blejmë çdo ditë kanë po aq shumë përfitime shëndetësore sa ato që njihen si super-ushqime, dhe si duket është koha e lulelakrës që të shkëlqejë.

    Dietologët dhe ekspertët e shëndetit e kanë cilësuar gjithmonë lulelakrën si nga produktet bimore më të mira: një racion i vetëm na siguron 73% të dozës ditore të vitaminës C, përmban thuajse zero gramë yndyra, sodium ose sheqer, dhe vjen me një sërë përfitimesh shëndetësore, nga mbrojtja nga kanceri deri tek përmirësimi i shëndetit mendor.

    Ja cilat janë disa nga arsyet përse duhet të konsumoni më shumë lulelakër:

    Ndihmon për rënien në peshë

    Një studim i vitit 2015 nga Shkolla e Shëndetit Publik T.H. Chan në Universitetin e Harvardit ka zbuluar se konsumi i lulelakrës ndihmon në rënien në peshë. Frutat dhe perimet në përgjithësi ndihmojnë për t’u dobësuar, megjithatë njerëzit që konsumojnë fruta dhe perime pa niseshte, si lulelakër, thjerrëza apo mollës, bien më shpejt në peshë.

    Shkencëtarët thonë se kjo ndodh sepse ushqimet pa niseshte kanë përmbajtje më të ulët të glicemikës, që rrit nivelet e sheqerit në gjak.

    Ul rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve degjenerative të trurit

    Një studim i vitit 2011, i botuar tek revista “Frontiers in Aging Neuroscience”, tregon se ushqimet e pasura me vitaminë E, si lulelakra, ndihmojnë për të ulur rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve neurodegjeneratve, si alcajmeri ose parkinsoni.

    Dozat e larta të ushqimeve të pasura në vitaminë E mund të ulin konsiderueshëm rrezikun e demencës dhe parkinsonit, thonë hulumtuesit shkencorë

    Një tjetër studim, i publikuar në vitin 2014, tregon se përmbajtja e lartë në antioksidues tek lulelakra, brokoli, lakra e perime të tjera ndihmon për të parandaluar sëmundjet neurodegjenerative.

    Zhbllokon arteriet

    Një studim i vitit 2009 tregon se konsumimi i lulelakrës mund të mbrojë pjesën e brendshme të arterieve. Hulumtuesit shkencorë kanë zbuluar se një proteinë është pasive tek disa pjesë të arterive, duke i cenuar nga sëmundje të ndryshme.

    Pas disa eksperimenteve që kryen tek minjtë, shkencëtarët zbuluan se një përbërës kimik i quajtur ‘sulforafane’, që gjendet në mënyrë natyrale tek perime si lulelakra, mund të stimulojnë këtë proteinë dhe sigurojnë mbrojtje tek arteriet.

    Duke konsumuar lulelakër, ju pastroni njëkohësisht arteriet dhe ulni rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru.

    Ul rrezikun e zhvillimit të kancerit

    Një studim i vitit 2007 ka zbuluar se një dietë e pasur në lulelakër dhe brokoli mund të ulë në mënyrë drastike gjasat për zhvillimin e kancerit të prostatës tek meshkujt.

    Ekspertët tek Instituti Kombëtar Amerikan i Kancerit në Maryland monitoruan 29 mijë meshkuj për një periudhë 4-vjeçare, ku vëzhguan mënyrën e ushqyerjes dhe i kontrolluan rregullisht për shenja të kancerit të prostatës. Në fund të sutidmit ata zbuluan se meshkujt që konsumonin lulelakër dy herë në javë ulën rrezikun e zhvillimit të kancerit të prostatës me 52%. Studimi zbuloi gjithashtu se frutat dhe perimet e tjera nuk kanë të njëjtin efekt si lulelakra.

    Mbron shëndetin mendor

    Lulelakra është e pasur në një lëndë ushqyese e quajtur “kholine”, që është shumë e rëndësishme për zhvillimin mendor duke qenë se ndihmon për mbrojtjen e membranave qelizore.

    Një studim i vitit 2014, i publikuar tek revista ‘Neurophysiology’, zbuloi se prezenca e kësaj lënde ushqyese ndikon në zhvillimin mendor dhe njohës gjatë periudhës së shtatzënisë.

  • ​Rrëmbimi i tre policëve, Kryeministri Kurti raporton sot në Kuvend

    ​Rrëmbimi i tre policëve, Kryeministri Kurti raporton sot në Kuvend

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të raportojë sot në Kuvendin Kosovës për rrëmbimin e tre policëve nga forcat serbe, brenda territorit të vendit.

    Pas kërkesës së opozitës që Kurti të raportojë në Kuvend, i njëjti i është përgjigjur pozitivisht që sot në orën 17:30 të raportojë para të zgjedhurve të popullit.

    Këtë e bëri të ditur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë seancës së sotme plenare.

    Krahas zhvillimeve të djeshme, opozita ka kërkuar që Kurti të tregojë edhe për raportet me aleatët dhe qëndrimet për sanksione ndaj Kosovës.

  • Vazhdojnë sulmet ruse në Ukrainë, shkaktohen dëme në Dnipropetrovsk dhe Krivi Rih

    Vazhdojnë sulmet ruse në Ukrainë, shkaktohen dëme në Dnipropetrovsk dhe Krivi Rih

    Rusia gjatë natës nisi një seri tjetër sulmesh ajrore në rajonin Dnipropetrovsk të Ukrainës, teksa alarmet për sulme ajrore janë lëshuar përsëri në të gjithë vendin.

    Raketat ruse goditën dy objekte industriale në qytetin Dnipropetrovsk, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe duke plagosur një person, thanë ushtria ukrainase dhe zyrtarët rajonalë mëngjesin e së enjtes.

    Mbrojtja ajrore e Ukrainës tha më 15 qershor se ka shkatërruar të 20 dronët e prodhuar nga Irani të lëshuar në Dnipropetrovsk, por tre nga katër raketat ruse të lundrimit nuk mund të kapeshin dhe goditën fabrikat në Krivi Rih.

    Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës në javët e fundit, ndërsa Kievi përgatitej të nisë kundërofensivën e shumëpritur për të rimarrë territorin e pushtuar nga forcat ruse.

    Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky javën e kaluar pranoi se operacioni ishte duke u zhvilluar, duke bërë që Moska të përshkallëzojë sulmet e saj duke përdorur raketa lundrimi dhe dronë në qytetet kryesore në të gjithë Ukrainën./atvlive.tv/

     

  • Kryeministri Kurti vizitoi familjet e tre policëve të rrëmbyer dje nga forcat serbe

    Kryeministri Kurti vizitoi familjet e tre policëve të rrëmbyer dje nga forcat serbe

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka vizituar familjarët e Beqir Sefës, Rifat Zekës dhe Shemë Mustafës, tre policëve të Kosovës të rrëmbyer dje nga forcat serbe në kufi me Serbinë e në brendi të territorit të Republikës së Kosovës.

    Në Mitrovicë, Kryeministri u mirëprit nga familjarët e Shemë Mustafës, përfshirë të vëllanë e tij që ishte po ashtu polic kufitar. Familjaret vlerësuan përkrahjen nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga populli, që po ua lehtëson barrën.

    Në fshatin Peran të Komunës së Podujevës, ai u prit nga familjarët e Beqir Sefës, në mesin të cilëve ishte dhe djali i tij, që po ashtu është pjesëtar i Policisë së Kosovës në Prishtinë dhe i angazhuar në Task Forcën për veri.

    Kryeministri i njoftoi familjarët se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është në kontakt me institucionet atje, në përpjekje për të marrë sa më parë dhe sa më shumë informacione për gjendjen e policëve të rrëmbyer. Ata e falënderuan kryeministrin për vizitën, si dhe për qëndresën e tij.

    Në fshatin Letanc të Komunës së Podujevës, kryeministri Kurti pastaj vazhdoi me vizitën te familja e Rifat Zekës. Ai shprehu mbështetjen dhe solidaritetin me familjen.

    Kryeministri ritheksoi se Republika e Kosovës është në të drejtën e saj dhe se dëshmitë që  posedojnë institucionet e vendit dokumentojnë se zyrtarët e Policisë së Kosovës ishin brenda territorit të Republikës. Policët ishin në nivel detyre, në luftim të kontrabandës, në atë pjesë ku më herët janë mbyllur 16 rrugë ilegale.

    Familjarët u shprehën falënderues për vizitën dhe kujdesin e treguar, dhe theksuan besimin e plotë në institucionet e Republikës së Kosovës.

  • Abdixhiku takohet me ambasadorin italian: Institucionet të bashkëpunojnë me aleatët për ta normalizuar situatën

    Abdixhiku takohet me ambasadorin italian: Institucionet të bashkëpunojnë me aleatët për ta normalizuar situatën

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është pritur këtë të enjte në drekë pune nga ambasadori italian, Antonello De Riu.

    LDK-ja njofton se gjatë takimit është diskutuar për gjendjen aktuale në vend, me theks të veçantë situatën në veri si dhe nevojën për gjetjen e një zgjidhje të menjëhershme.

    “Kryetari Abdixhiku ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve të Republikës së Kosovës si dhe institucioneve dhe aleatëve ndërkombëtarë për të normalizuar situatën, por edhe për përgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës për vendimet e pakoordinuara në veri”, thuhet në njoftimin për media.

    Po ashtu, bëhet e ditur se Abdixhiku ka shprehur mirënjohjen e tij dhe të LDK-së si dhe ka falënderuar shtetin e Italisë për mbështetjen e vazhdueshme e gatishmërinë për të ndihmuar në situatën e krijuar.

    “Në takim u diskutuan edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes të dyja vendeve”, thuhet mes tjerash në njoftimin e partisë.